12.5 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 6805

Politika e korruptuar kapitullon vetëm me prokurorë të guximshëm

0

“Unë besoj se prokurori i parë që do të marrë këtë hap të guximshëm, do të bëhet hero shpirtëror i popullit të Kosovës, sepse pa një prokuror të vendosur dhe të përkushtuar për të vënë në praktikë sundimin e ligjit, shpresa e qytetarëve nuk do të rikthehet. Në momentin kur prokurorë të guximshëm do të marrin hapin e parë, ne do të jemi dëshmitarë se si kthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve, se më në fund Kosova doli në dritën e perspektivës, ku do të sundojë ligji dhe shteti i së drejtës për të gjithë njësoj, shprehet analisti Shefqet Dibrani

Është koha dhe momenti i fundit që Prokuroria e shtetit të Kosovës të veprojë në luftën kundër korrupsionit, posaçërisht te njerëzit e politikës dhe parapolitikës, që e kanë zaptuar pushtetin në Kosovë. Vetëm një Prokurori e vendosur dhe e përkushtuar për sundimin e ligjit me prokurorë të guximshëm, mund t’ua kthejnë shpresën e besimin e humbur të gjithë qytetarëve se më në fund do të kthehet sundimi i ligji dhe shteti i së drejtës për gjithkënd, që e shkel ligjin. Qytetarët kanë shpresë se Gjykata Speciale Ndërkombëtare do të mund që shumë shpejt politikanët e korruptuar dhe inkriminuar t’i largojë nga skena politike dhe nga të gjitha institucionet e shtetit. Analisti politik, Shefqet Dibrani, thotë se tanimë janë pjekur kushtet për të vepruar Prokuroria e shtetit.

“E rëndësishme është të fillojë diku, sepse të gjitha rastet për një ditë nuk mund të gjykohen. Politika dhe parapolitika, si dhe njerëzit nëpër borde e institucione përkatëse janë përgjegjës për këtë gjendje. Nëse drejtësia do të punojë në mënyrë selektive, do të presim gjatë, por ndoshta pse jam idealist ushtroj besimin se Kosova ka njerëz të devotshëm, të cilët nuk janë të implikuar në afera korruptive, e po ashtu besoj se ka edhe kuadër të aftë dhe profesional. Guximi për të vepruar si duhet lidhet me konjukturat pushtetit, i cili hëpërhë kontrollon çdo gjë, veçmas drejtësinë”, shprehet Dibrani.

Ai thotë se viti 2016 do të jetë vit i Kosovës, ku, sipas tij, do të shfaqen prokurorë që do të guxojnë të përballen me sfidat që ka Kosova. “Siç janë deklaruar edhe ndërkombëtaret, krimi dhe korrupsioni luftohet me prangosje, por jo me fjalë të mira. Unë besoj se prokurori i parë që do të marrë këtë hap të guximshëm, do të bëhet hero shpirtëror i popullit të Kosovës, sepse pa një prokuror të vendosur dhe të përkushtuar për të vënë në praktikë sundimin e ligjit, shpresa e qytetarëve nuk do të rikthehet. Në momentin kur prokurorë të guximshëm do të marrin hapin e parë, ne do të jemi dëshmitarë se si kthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve, se më në fund Kosova doli në dritën e perspektivës, ku do të sundojë ligji dhe shteti i së drejtës për të gjithë njësoj, pa marrë parasysh nëse është i veshur me petkun shtetëror apo qytetar i rëndomtë”, thotë ai../kosova sot/

Ndërron jetë William Guest

0

William Guest, një nga anëtarët e parë të grupit Gladys Knight, ka vdekur në moshën 74 vjeçare.

Sipas Associated Press, ai vdiq të enjten nga një dështim në zemër.

“Zemra ime është thyer, por unë e di se trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”, ka thënë vajza e William, Monique Guest në një deklaratë.

Në mesin e këngëve që William u shfaq ishin “Midnight Train to Georgia” dhe “I Heard It Through the Grapervine”.

LDK në Rahovec mbajti takimin e fundvitit

0

Dega e LDK-së në Rahovec sot mbajti një takim fundviti me aktivistë dhe veprimtarë të saj, të cilët ishin të ftuar nga kryetari Avdullah Hoti në një koktej festiv.

Avdullah Hoti, njëherësh ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, para të pranishmëve mbajti një fjalim ku prezantoi punën e degës së LDK-së në Rahovec, të katër drejtorive komunale që udhëhiqen nga LDK-ja, si dhe të ministrive që udhëhiqen nga LDK-ja dhe të ministrive të tjera në nivelin qendror të qeverisjes. Po ashtu, ai prezantoi edhe disa prej projekteve të Qeverisë që synohen të realizohen në komunën tonë për vitin 2016.

Sipas komunikatës, dega e LDK – së në Rahovec gjatë vitit 2015 u karakterizua me disa ndryshime dhe me organizimin e një sërë aktiviteteve, ku ndër to vlen të veçohet organizimi dhe mbajtja e Kuvendit të tetë zgjedhor të degës së LDK-së në Rahovec.

“Fillimisht, më 17.05.2015 u mbajtë Kuvendi i tetë zgjedhor i Degës së LDK-së në Rahovec, ku u zgjodhën kryetari i ri dhe kryesia e re. Kryetar i ri i kësaj dege u zgjodh Avdullah Hoti. Po në Kuvendin në fjalë u zgjodhën edhe delegatët për Kuvendin e Përgjithshëm të LDK – së, Avdullah Hoti, Sedat Shehu, Rrustem Thaqi, Hatmane Sada, Kujtim Popaj, Shani Mullabazi, Ibish Mazreku, Nahit Elshani, Osman Hasku, dhe Meriton Shala”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, në njërën nga mbledhjet e mbajtura në vazhdim të punës së kryesisë së re, ishte marrë vendim që kryesia të zgjerohej edhe me disa anëtarë të ri, derisa në një mbledhje paraprake ishin formuar grupet e ekspertëve.

“Në njërën prej mbledhjeve të mbajtura në vazhdim të punës së kryesisë së re, konkretisht në atë të mbajtur me 29.07.2015, u vendos që të zgjerohej kryesia edhe me disa anëtarë të tjerë, përfshirë edhe drejtorët e drejtorive komunale që udhëhiqen nga LDK – ja, si dhe u zgjodh një nënkryetar i degës, Sedat Shehu, si dhe sekretari i degës, Burim Krasniqi. Për pozitën e nënkryetarit tjetër u la të vendoset më vonë. Duhet theksu ar se në njërën prej mbledhjeve paraprake janë formuar edhe Grupet e ekspertëve, të cilët herë pas here kanë raportuar në kryesi, lidhur me aktivitetet që janë mbajtur nga aktivistët e LDK-së në lëmi të ndryshme, përfshirë arsimin, shëndetësinë.”

Aktivitete të tjera në kuadër të degës së LDK-së në Rahovec ka mbajtur edhe Forumi Rinor, siç ishte konferenca “Luftimi i korrupsionit dhe forcimi i zhvillimit ekonomik, Forumi i Gruas etj.

Video+18: Gjermanët vrasin snajperët serbë në Prizren më ‘99-ën

0

(KUJDES! PAMJE ME PËRMBAJTJE TË RËNDA)

Ishte 13 qershor i vitit 1999, kur forcat e NATO-s sapo kishin hyrë në Kosovë, kur dy snajperistë serbë qëlluan ndaj forcave gjermane që kishin hyrë në Prizren.

Ndaj të “pabindurve” serbë, trupat speciale gjermane shihet që nuk kanë kursyer as mitrajlozët e rëndë 12.7 mm të tankut “Leopard”.

Kjo është video-ja ku siç shikohet, pasi snajperat serbë hapën zjarr ndaj forcave paqeruajtëse gjermane, këta të fundit detyrohen të qëllojnë, duke sjellë edhe asgjësimin e tyre.

Njëri prej snajperistëve ra i vdekur mbi timon, ndërsa tjetri ndërroi jetën pak më vonë, me gjithë ndihmën e parë që atyre u dhanë “armiqtë”, ushtarët gjermanë.

Më vonë trupat gjermane sqaruan se, serbët ishin të dehur dhe të armatosur me armë dhe granata.

 

https://youtu.be/vrX4QdVIh-c

Mustafa mohon se qëndron prapa iniciativës për shkarkimin e Haxhi Avdylit

0

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka mohuar se qëndron prapa iniciativës së nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Degës në Prizren,Haxhi Avdyli.

Ai tha se dëshiron që kjo degë të jetë e fortë.

“ Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme të degës. Deshirojmë që ajo të jetë e fortë dhe të ketë raporte të shëndosha dhe zgjidhjet e problemeve të bëhen në suaza të anëtarësisë”, ka thënë Mustafa.

Isa Mustafa ka marrë sot pjesë në hapjen e Zyres së re të LDK-së në Prizren.

Kryetari i Degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, tha ndërkaq se po e përmbyllin vitin me suksese të shumta.
Ai po ashtu tha se kryeministri Isa Mustafa, gëzon përkrahje maksimale nga të gjitha strukturat e degës, për punën e mirë që po bën në qeverisjen e vendit./TVPZ/

Zafir Berisha: Fatkeqësi që i dënuari vazhdon të jetë në krye të Prizrenit

0

Bashkimi Demokratik me rastin e përmbylljes së aktiviteteve për vitin 2015, mbajti një takim me strukturat e saj.

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, falënderoi strukturat e partisë për aktivitetet e tyre gjatë këtij viti, duke veçuar se viti 2015 ka qenë vit me sfida të mëdha për Kosovën, ku partitë opozitare dhe qytetarët janë përballur me koalicionin qeveritarë, i cili ka dështuar në të gjitha poret e jetës në Kosovë, koalicion i cili po shihet që ka pasur si mision rikthimin e Serbisë përmes Zajednicës dhe faljen e tokave tona Malit Zi.

Mirëpo, ai tha se, opozita e Bashkuar me mbështetjen e qytetarëve, tash se fundmi edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka treguar që Sovran i këtij vendi është qytetari i saj, e jo politikanët ditorë.

Berisha duke iu dëshiruar momente të mira në festat e fundvitit, kërkoi nga strukturat e BD-së dhe nga qytetarët që të jenë më të vendosur në mbrojtjen e sovranitetit të vendit si dhe në luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit i cili ka përfshi të gjitha nivelet qeverisëse deri tek ajo që quhet fatkeqësi për qytetin e Prizrenit ku një njeri i dënuar për krim dhe korrupsion vazhdon të jetë në krye të qytetit. /PrizrenPress.com

Vetëvendosje!: Qeveria të largohet

0

Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot konferencë për media ku u fol për e marrëveshjen antikushtetuese të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, “Zajednicën”.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, tha se gjatë këtyre katër muajve, Qeveria policore e Kosovës përdori një dhunë të paparë për të shtypur protestën tonë brenda dhe jashtë parlamentit, me arrestime të deputetëve dhe aktivistëve, thyerje të zyrave të Lëvizja Vetëvendosje! e përndjekje të qytetarëve.

“Qeveria gjatë këtyre katër muajve krijoi një kaos, për shkak të kokëfortësisë dhe arrogancës së kësaj qeverie për të mos u tërhequr nga këto marrëveshje. Sot jemi 3 ditë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili hodhi poshtë “Zajednicën” duke gjetur shkelje të Kushtetutës në mbi 20 nene të marrëveshjes. Edhe pse kjo gjykatë vazhdon të mbetet e ndikuar nga Qeveria e Kosovës, ajo, nën presionin e protestës së opozitës dhe qytetarëve, mori një vendim që e bëri të qartë veprimin antikushtetues të Isa Mustafës me 25 gusht në Bruksel”, tha Çaushi.

Ai theksoi se ky vendim, edhe pse i pamjaftueshëm, në shtjellimin e lëndës dhe konkluzionet rrëzon edhe marrëveshjen e 19 prillit 2013, për shkak të neneve të shkelur të Kushtetutës si ai për Barazi para ligjit dhe Kapitullin mbi të drejtat e minoriteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

“Edhe pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria Mustafa – Thaçi vazhdon të shtiret gjoja se vendi i është kthyer normalitetit. Ata bile shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar përpilimin e dekretit dhe statutit të “Zajednicës”. Ne sot i rikujtojmë kësaj qeverie se projekti i “Zajednicës” përfundimisht ka rënë poshtë. Gjithashtu, dëshirojmë t’i kujtojmë se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar shkeljen që është bërë me këto marrëveshje dhe se ata nga kjo Qeveri presin vetëm një gjë – largimin e menjëhershme. Çdo përpjekje për të mos u përballur me përgjegjësinë do të çojë në eskalim të situatës, deri në rrëzimin e kësaj qeverie”, theksoi në fund Driton Çaushi.

Sonte, nata e dytë e Festivalit në RTSh

0

Sonte do të mbahet nata e dytë gjysmëfinale e edicionit të 54-të të Festivalit të fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Edhe 15-të këngë të tjera vijnë sot, pas atyre që performuan mbrëmë, në festivalin prestigjioz që zë vend me orkestër të drejtpërdrejtë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Enxhi Nasufi, Flaka Krelani, Eneida Tarifa janë vetëm disa prej emrave që do të ngjiten sot në skenë. Sot do të dihen edhe 18-të finalistët që shkojnë në finalen e madhe, e cila mbahet të dielën mbrëma.

Kënga fituese e këtij festivali fiton të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurosong Contest 2016, në Suedi.

Mbrëmë në këtë festival, në natën e parë, performuan 15-të këngë, në mesin e tyre Kozma Dushi, Teuta Kurti, Egzon Pireci, Dilan Reka, Erga Halilaj etj.

Troja publikon albumin “One” (Video)

0

Rock grupi i famshëm shqiptar i këngëve “Mbretëresha Kohë”, “Demokraci” e “Amaneti i Clownit”, Troja, ka publikuar albumin e ri “One”.

Albumi u promovua sot në një mënyrë krejt të veçantë dhe interesante.

“One” ka shtatë këngë, prej të cilave dy janë në gjuhën angleze. Këngët kanë mbajtur ritmin e grupit Troja edhe në spektrin e teksteve, që shprehin pakënaqësi me politikën dhe zhvillimet.

 

Dy presidenta u dorëhoqen, pse kryeministri që ka një mal shkeljesh jo?!

0

Nga Jakup Krasniqi

Në ketë shkrim, nuk do të komentoj me fjalë të mija (veç aty ku është e domosdoshme), vetëm dëshiroj të bëjë krahasime në mes shkeljeve të Kushtetutës që i janë bërë nga dy Presidentet e dorëhequr dhe shkeljeve kushtetuese që janë bërë në Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 nga Kryeministri i Kosovës, e cila vështirë që mund të trajtohet si akt administrativ. Ndoshta ketë më mirë e kontestoi anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu i cili tregoi profesionalizëm të lartë, kur e ndau mendimin e tij nga anëtaret e tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, por jo për ambientin tonë?!

Pse e dhanë dorëheqjen dy President?

Fatmir Sejdiu ka shkel nenin 88 të Kushtetutës, i cili nen në paragrafin e parë thotë: “Presidenti nuk mund të ushtroj asnjë post tjetër publik”, dhe paragrafi dy (2) që thotë: “Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politik”. Ndonëse Sejdiu e kishte ngrirë postin e tij në parti, Gjykata Kushtetuese nuk e mori si masë lehtësuese. Edhe pse këtu kemi të bëjmë me një shkelje morale që nuk ka pasur reflektim për tej mandatit të tij. Nuk ka dyshim se ajo ishte shkelje, pasi nuk ka shkelje të madhe e të vogël kushtetuese, shkelja ose është ose nuk është fare shkelje.

Ndërsa në rastin e Pacollit, është bërë shkelja e nenit 86 paragrafi katër (4) e pesë (5). Paragrafi katër thotë: “Zgjedhja e Presidentit bëhet me 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit”. Ndërsa paragrafi vijues kërkon që në dy votimet e para, për zgjedhjen e Presidentit kërkohen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit”. Në rastin në fjalë, në dy votimet e para në Kuvend nuk ishin dy të tretar e deputetëve prezent pa të cilët nuk mund të fillonte seanca. Në ketë proces të zgjedhjes se Presidentit kishte shkelje teknike procedurale dhe Gjykata nuk mund ta trajtonte ndryshe, por vetëm si shkelje e kushtetutës, sa do e lehtë që ishte shkelja.

Çka tha kushtetuesja për parimet e marrëveshjes së 25 gushtit 2015?

Siç po shihet në të dy rastet e apostrofuara më lartë kishte shkelje që nuk shkonin përtej mandatit te tyre si President, por ishin shkelje dhe ata duhej të shkonin, ndërsa në rastin e Marrëveshjes së 25 gushtit, kemi një varg shkeljesh të cilat kanë pasoja të rënda përtej një mandati qeverisës. Por jo vetëm kaq, pasojat edhe shkeljet e kushtetutës janë shumë të mëdha dhe afatgjate, gjithsesi vështire të riparueshme. Këtu dorëheqja e aktorëve përgjegjës, është gjeja më e vogël që duhet të ndodhë. Këto shkelje i ka konstatuar Gjykata Kushtetuese e cila në vendimin e saj thotë: “Gjykata ka vendosur se këto Parime nuk janë tërësisht (sic!) në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje veçanërisht me nenet 3, 7 dhe 12 të Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44 të Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], me nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, si dhe me nenet 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës siç është arsyetuar në Aktgjykim”.

Çka thonë nenet që i ka apostrofuar kushtetuesja?

Neni tre (3), paragrafi një (1) thotë:“Republika e Kosovës është shoqëri shumë etnike e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore”. Gjersa paragrafi dy (2) thotë: “Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”. Ndërsa, parimet e marrëveshjes së 25 gushtit shkelin në plotëni ketë nen tepër përmbajtjesor të Kushtetutës.

Në nenin 7 (shtatë), ku përshkruhen vlerat e Republikës, në paragrafin e parë (1), thuhet: “ Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë se tregut”. E kisha lutur lexuesin e vëmendshëm që të bëjë krahasime mes këtyre neneve dhe neneve që i kanë quar në dorëheqje dy president të Republikës. Kurse paragrafi i dytë (2) i nenit në fjalë, thotë: “ Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratikë të shoqërisë, mundësi të barabartë për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore”.

Në nenin 12 të të njëjtit kapitull shkruan: “Njësi themelore të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat”. Dhe në paragrafin dy (2), thuhet: “Organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj”.

Në nenin 21 thuhet: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”. Edhe tri paragrafët e tjera janë po të kësaj fryme. Ndërsa në nenin 44 në paragrafin e parë (1) thuhet: “Liria e asocimit është e garantuar. Liria e asocimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate si dhe për të marrë në aktivitete të një organizate”.

Nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, janë nene të kapitullit të III, të cilat janë të bazuar në standardet e konventave për liritë e të drejtat e komuniteteve, për të mos e renduar lexuesin, po e përshkruaj atë që thuhet në nenin e 61, i cili thotë: “Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre do të kanë të drejta për përfaqësim të barabartë në punësim në organet publike dhe ndërmarrjet publike në të gjitha nivelet, përfshirë këtu veçanërisht në shërbimin policor në zonat e banuara me komunitetin përkatës, duke respektuar në të njëjtën kohë rregullat që kanë të bëjnë me kompetencën dhe integritetin e qeverisjes së administratës publike”. Duhet të thuhet se ky nen nuk është shkelur vetëm në parimet e marrëveshjes se 25 prillit 2015.

Gjithashtu edhe në kapitullin e IV, neni 79 e përcakton se kush ka të drejtë të merr nisma legjislative, ndërsa neni 81 parasheh ligjet me interes vital, që do të thotë se preket substanca e Kushtetutës. Po kështu edhe nenet e kapitulli VI siç janë: neni 93, rregullon kompetencat e qeverisë, që do të thotë që Bashkësia e komunave serbe, merr kompetenca të qeverisë. E neni 101 precizon se : “Përbërja e shërbimit civil do të pasqyroj shumëllojshmërinë e popullit të Kosovës, duke marrë në konsideratë parimet e barazisë gjinore, të njohura ndërkombëtarisht”. Madje ketë shkelje e ka bërë edhe marrëveshja për sistemin e drejtësisë

Në kapitullin e VII (Gjykata Kushtetuese), neni 113 bënë fjalë për Juridiksionin dhe palët e autorizuara, ku asociacioni nuk është palë e autorizuar. Ndërkaq në kapitullin e X, (Qeverisja Lokale dhe Organizimi Territorial, janë shkelur neni 123 i cili parasheh se: “ E drejta e vetëqeverisjes lokale garantohet dhe rregullohet me ligj”, pra jo me marrëveshje. Gjersa neni 124 parasheh Organizimin dhe Funksionimin e vetëqeverisjes Lokale. Marrëveshja ka prekur rëndë edhe nenin 137,i cili të drejtën e auditimit ia lejon vetëm Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. Të gjitha këto çështje që i ceka e disa që nuk i ceka, kushtetuesja ia hoqi marrëveshjeve të parimeve, ishin ingerenca shtetërore që i ishin dhënë “Zajednices”.

Lexuesit e vëmendshëm le t’i bëjnë krahasimet

Pra, secili lexues e ka mundësinë për të bërë krahasime me shkeljet kushtetuese që janë bërë nga Presidentet e dorëhequr ( Fatmir Sejdiu e Behxhet Pacolli), me shkeljet që i janë bërë Kushtetutës nga Kryeministri i Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjes së 25 gushtit 2015. Shkeljet që i janë bërë Kushtetutës në Parimet e Përgjithshme të Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, janë shkelje lehtësisht të verifikueshme kushtetuese dhe janë shkelje të rënda. Krahasimet tjera nëse ka le t’i bëjnë lexuesit, pse jo edhe ekspertet, duke e shfrytëzuar edhe Kushtetutën e Kosovës për lexim e krahasim. Krahasimet nëse i lexojnë, mund t’i bëjnë edhe qeveritarët me këshilltaret “ekspertë” të tyre?!

Krejt në fund, në rastet e presidentëve që i cekem në fillim, dorëheqjet ishte fundi i përgjegjësive të tyre, në rastin e ri, të marrëveshjes së 25 prillit 2015 që e kemi në shqyrtim, dorëheqja, zor se mund të jetë fundi i përgjegjësisë!