Home Blog Page 6815

Gjithçka me Amerikën

0

Shqipëria u është mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe mbështetjen e dhënë.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në përfundim të takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Rama tha se në takimin dypalësh janë diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi për vendin, mes të cilave edhe ajo e reformës në drejtësi, e cila pritet të votohet muajin e ardhshëm në Kuvend.

“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për ndihmën që kanë dhënë veçanërisht për këtë reformë. Obligimi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese”.

“Me SHBA’të në krah, kjo e bën të arsyeshëm optimizmin për sukses. Me SHBA’të nuk na ndan asgjë dhe na bashkon gjithçka”, theksoi Rama në konferencën e përbashkët për media.

Rama ka thënë se po thellohet bashkëpunimi me SHBA në fushën e energjisë, ekonomisë, sundimin e ligjit dhe fushat tjera.

“Thellimi i bashkëpunimit me SHBA do të ndikojnë në sigurinë e rajonit”.

“Lidhja jona speciale na jep një përgjegjësi të veçantë për rritjen e sigurisë dhe forcimin e demokracisë në këtë pjesë të Europës”.

“Pa SHBA në krahë, as Shqipëria dhe as shqiptarët, nuk do të ishin sot më të respektuar. Pa mbështetjen dhe këshillat e çmuara të SHBA, Shqipëria nuk do të kishte kaq shumë progres në rrugën e reformës”, ka deklaruar Rama.

Rama, po ashtu, ka deklaruar se Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një dialog i lehtë, por është pa diskutim e vetmja rrugë për të arritur suksesin.

Kerry: Shqipëria është në rrugën e duhur

0
Shqipëria është në rrugën e duhur të reformave, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit dhe shtetit ligjor.
Ky ishte mesazhi i dhënë nga sekretari i Shtetit, John Kerry, në deklaratën për medie të mbajtur pas takimit me kryeministrin Edi Rama.
“Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur dhe jam besimplotë që ndërgjegjësimi është përqafuar sa i përket legjislacionit për luftën kundër korrupsionit. Më ka bërë përshtypje hartimi i dekriminalizimit. Jam i inkurajuar nga paketa e reformës në drejtësi dhe dëshiroj të theksoj që kjo është diçka që politika po punon fort që të realizohet. Kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA është këtu në krahun tuaj, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre”, ka deklaruar Kerry.

Mirënjohje ShBA-së për mbështetjen

0

Presidenca ka publikuar në faqen e saj zyrtare një përmbledhje të shkurtër të asaj që kreu i Shtetit, Bujar Nishani, bisedoi me Sekretarin e Shtetit, John Kerry në Aeroportin e Rinasit.

Në njoftim thuhet se Presidenti i shprehu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euro-Atlantike.

Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.

Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Më shumë Joyce

0

James Joyce, i lindur më 2 shkurt 1882, konsiderohet si thesari kombëtar i Irlandës. I njohur për librat klasikë si “Portret Artisti të Ri”, “Dublinasit”, si dhe kryeveprën “Uliksi”, por ndërkohë jeta e tij ka pasur plot të panjohura – saqë edhe sot ka shumë kontradikta për të.

Më poshtë, disa informacione interesante për shkrimtarin irlandez.

1. Personazhi i Moli Blum, në romanin e tij “Uliksi”, bazohet mbi gruan e tij, Nora Barnacle. Romani fillon më 16 qershor, dita kur Joyce takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, më 1904.

2. Joyce studio danisht dhe norvegjisht në Dublin, në mënyrë që të ishte i aftë të lexonte veprën e dramaturgut norvegjez, Henrik Ibsen, në origjinal.

3. Pasi përfundoi studimet në vitin 1902, ai u largua nga Irlanda për në Paris, ku u shpërngul për të studiuar mjekësi.

4. Irlandezi jetoi me familjen e tij në Pola, Austro-Hungari në 1904-n, por në 1905-n u dëbua, kur qeveria zbuloi një rreth spiunësh.

5. Joyce u rikthye në Irlandë në vitin 1909, për të hapur kinemanë e parë në Dublin, “Cinematograph Volta”, ku shfaqte filma italianë dhe të vendeve të tjera europiane.

6. Joyce bëri 25 operacione në sy gjatë jetës së tij.

7. Përpara se libri i tij “Uliksi” të botohej në Amerikë në vitin 1934, qindra kopje të jashtëligjshme u sekuestruan dhe u dogjën në vitet 1920.

Kosova ka mbështetjen e Shqipërisë dhe Amerikës

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me zyrtarin e lartë amerikan.

Veç temave të brendshme, Rama thotë se ka folur edhe për çështjet në rajon, sidomos në shtetet ku jetojnë shqiptarët.

Rama tha se Kosova duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

“Nuk është dialog i lehtë, por është padisukutim e vetmja rrugë drejt suksesit”, theksoi Rama.

Më tej, Rama potencoi edhe njëherë përkrahjen që Kosova ka nga dy aleatët e saj më të mëdhenj, Shqipërinë dhe ShBA-të.

“Kosova do ta ketë mbështetjen e dy aleatëve më të mëdhenj të saj, Shqipërisë dhe Amerikës”, potencoi Rama.

Mustafa: Kerry në Tiranë edhe për Kosovën

0

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Shqipëri, nga Qeveria e Kosovës shihet si një mundësi e mirë për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për vendet e rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa tha për Top Channel se, vizita e sekretarit amerikan do të ketë efekt në thellimin e mëtejshëmm të bashkëpunimit të qeverisë amerikane me atë të Shqipërisë.

“Unë e konsideroj një vizitë tepër të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo sepse flet për kujdesin që SHBA-të kanë për këtë rajon, për zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik, integrimet tona euroatlantike. Por, po ashtu edhe për thellimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me këto vende. Sa i përket Kosovës, ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë atë, që qeveria amerikane e populli amerikan kanë bërë për ne. Kemi nevojë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin. Jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur kohët e fundit, lidhur me angazhimin e sektorit privat amerikan në sektorin e energjisë në Kosovë, ndaj dhe presim edhe investime të tjera. Unë e konsideroj lart dhe e vlerësoj lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për këtë rajon. Konsideroj se, vizita e tij do të ketë efekte në thellimin e bashkëpunimit të qeverisë amerikane me Qeverinë e Shqipërisë, por edhe me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

I pyetur nëse beson se do të ketë ndonjë mesazh politik për krizën politike në Kosovë, nga ana e zotit Kerry, Mustafa tha se “unë mendoj se mesazhin, ne e kemi marrë shumë qartë kur ka qenë këtu zoti Kerry”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga pikëpamja e gjendjes, por edhe nga pikëpamja e cilësisë së mesazhit, sepse ka qenë një mesazh shumë i fuqishëm, i cili ka dhënë orientimet sesi ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe çfarë është zotimi e përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ne”, tha Mustafa.

Kryeministri kosovar tha se, Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të kultivojnë raportet me Shtetet e Bashkuara, si aleati më i fuqishëm i shqiptarëve në botë.

Anëtarët e Viola Beach vdesin në aksident me makinë

0

Pesë shtetas britanikë kanë vdekur në një aksident me makinë në Suedi.

Anëtarët e grupit indie Viola Beach janë të përfshirë në aksident, i cili ka ndodhur të shtunën në kryeqytetin suedez Stokholm.

Mediat lokale thonë se makina u zhyt nga një urë të autostradës në një kanal.

Grupi me bazë në Warrington, të cilët ishin për një koncert në Guildford në Surrey të shtunën, ishin pjesë e festivalit të muzikës suedeze “Where is the Music”.

Kurti: Kerry nuk përzihet se kush bëhet president në Kosovë

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një lidhje direkte në Top Channel, ka folur për vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

Kurti tha se SHBA brengoset për gjendjen në Kosovë dhe tha se populli i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen amerikane.

Sidoqoftë, ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin me SHBA-në.

“Gjendja në Kosovë nuk është e mirë. Kerry vizitoi Prishtinën në fund të vitit të kaluar. E në fillim të këtij viti po viziton Tiranën”.

“Kjo është një vizitë e rëndësishme edhe për vendin por edhe për kohën kur po ndodhë”.

“Shumica e njohjeve të Kosovës nuk do të ndodhte pa SHBA-në dhe ne jemi falënderues për këtë”.

“Por shqiptarët duhet ta thellojnë aleancën pra të bëjnë bashkëpunim për të ardhmen dhe jo për të kaluarën”.

“Shqipëria duhet të forcojë ushtrinë, e Kosova duhet të formojë ushtrinë. Prandaj, ne duhet të kemi më shumë bashkëpunim në çështjen e sigurisë”, tha Kurti.

I pyetur se nëse kjo vizitë e Kerryt është mbështetje për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president, Kurti tha se nuk beson se sekretari amerikan “përzihet” se kush do të duhej të ishte president i Kosovës.

“Besoj se nuk është kjo vizitë për mbështetje për Thaçin president. Nuk besoj se zoti Kerry përzihet se kush do të bëhet president në Kosovë”, tha Kurti./lajmi.net

Cineuropa: Fëmijët me biçikletë janë rrugës për në Hollywood

0

Magazina më e madhe evropiane e filmit, Cineuropa, i ka kushtuar një artikull filmit “Shok”, të parit film në historinë e kinematografisë kosovare që u nominua për çmimin prestigjioz Oscar.

Shkrimi, që nis me titullin “Fëmijët me biçikletë janë rrugës për në Hollivud” nis duke cituar fjalët e paramilitarëve serbë “Ky nuk është shteti juaj. Merrni gjërat tuaja, largohuni dhe mos shikoni prapa. Nëse ktheheni, do t’ju vrasim”, drejtuar kosovarëve që po i dëbonin nga shtëpitë e tyre.

Cineuropa shkruan se nuk është e domosdoshme të jesh lindur e rritur në Prishtinë për të kuptuar absurditetin e përshkruar në këtë film kur një oficer i rangut të lartë nga ushtria serbe në një mëngjes të vitit 1998 dëbon nga shtëpia e tyre një familje shqiptare, në kohën kur Kosova është ende dhjetë vjet larg fitimit të pavarësisë.

Kjo magazinë thotë se matanë Atlantikut audienca është fascinuar me filmin sepse nga 16-të çmime marr nëpër festivale, 13 janë fituar në Amerikë.

“Kosova po feston këtë fitore të madhe, që është fryt i një strategjie të propozuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës që ngadalë po e vendosë industrinë në hartën kinematografike”, shkruan Cineuropa.

Filmi “Shok” i regjisorit Jamie Donoughe është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film luajnë Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Rikujtojmë se ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscars” mbahet më 28 shkurt.

“Shpresa” e Rrezeart Galicës

0

Në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës, kur debati politik është i ashpër dhe krahas aktiviteteve që po shënojnë këtë 8-vjetor planifikohet edhe protestë, edhe artistët kanë mënyrën e tyre për të reaguar.

Artisti kosovar, Rrezeart Galaica, komenton për KosovaLive njërin nga punimet e tij, objekt i së cilit është simboli shtetëror i Kosovës, saktësisht flamuri. Sipas Galicës ky flamur u përzgjodh me një konkurs të rremë.

“Flamurin e Kosovës e kam zgjedhur pa pas parasysh ato debate që sot përfliten, jo që për mua është i pranueshëm por sepse ka ardhur si pasojë e një konkursi të rremë, jo serioz, sepse teksa ne po aplikonim me idetë tona për flamur shtetëror të Kosovës, pushtetarët e atëhershëm vetëm se e kishin shtypur një sasi të flamurit të sotëm në fabrikat e Turqisë. Kjo është një ndër arsyet pse më vije fallc ky flamur i sotshëm, që duket qartë i kontrabanduar dhe jo përfaqësues e aq më pak emocionues si simbol”, thotë Galica.

Në punimin e titulluar “Hope Ks” (Shpresë Ks) harta e Kosovës paraqitet si një balonë e shfryrë, sipër të cilës janë yjet e komuniteteve, që sipas autorit, është një metaforë për tkurrjen e kosovarëve dhe privilegjet e pa arsyeshme dhënë komuniteteve.

“Nëse them se vetëm zhvillimet e fundit janë si reflektim i veprës sime atëherë gënjej sepse nuk është e vërtetë sepse zhvillime në dëm të qytetarëve të saj ka pasur që prej kohësh. Ju kujtohet se në fillim të vitit të kaluar imazhet që depërtuan nga vendi ynë ishte braktisja e vendit në masë të madhe nga të rinjtë që kishin humbur shpresën se zhvillimet në vendin tonë do të ishin pozitive. Tani po shohim se duke u privilegjuar një pakicë apo një tjetër. Kjo po e përgjysmon shtetin tonë duke krijuar një embrion të një shteti tjetër përbrenda e për nga perspektiva duket se ky embrion do të jetë kancerogjen për ardhmërinë e këtij vendi”, shprehet Galica.

Rrezearti ka pasur ekspozita të ndryshme personale në Prishtinë, Turqi, Gjermani, Itali etj, si dhe shumë ekspozita kolektive në vend dhe rajon.

Rikujtojmë se Galica në nëntor të vitit të kaluar prezantoi punimin e tij, “Bloody Eiffel”, që e lidh me sulmet terroriste që ndodhën në Paris.