10.9 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025
Home Blog Page 6817

Kosova njihet edhe nga Antigua dhe Barbuda

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka zyrtarizuar njohjen nga shteti Antigua dhe Barbuda.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Thaçi ka njoftuar për këtë njohje duke e konsideruar si të rëndësishme.

“Lajm i shkëlqyer! Sapo morra njoftimin zyrtar për njohje nga shteti karaibian i Antigua dhe Barbuda. Njohja e Republikës së Kosovës nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare nuk ka të ndalur. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook. /Telegrafi/

Familja e Elvis Pistës: Nuk po intervistohen njerëzit e profilit të lartë

0

Beatrisa Pista-Demiri, e motra e Elvis Pistës, kandidatit për deputet të PDK-së të vrarë më 15 qershor të vitit të kaluar, thotë se si familje janë të pakënaqur me mënyrën se si po zhvillohen hetimet nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Beatrisa Pista-Demiri thotë për KALLXO.com se vëllai i saj i vrarë sa ishte gjallë kryente funksione të shumta dhe kishte raporte të ndryshme me njerëz të profileve të larta.

“Me plot përgjegjësi e them që nuk janë intervistuar njerëzit e profileve të larta”, thotë Pista-Demiri.

Ajo nuk është e kënaqur që lënda për vrasjen e Elvis Pistës ndodhet në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

“Së pari nuk jemi të kënaqur që lënda është në Gjakovë, kishte me qenë më mirë të ishte në Prishtinë sepse që nga java e parë Kryeprokurorja ka deklaruar që edhe dy javë do dalim me rezultate, edhe dy ditë, shumë shpejt dhe kjo ka ndikuar keq në anën emotive”, tha Pista-Demiri.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija, për KALLXO.com të hënën, e pranoi që ende nuk është identifikuar personi që qëlloi ish-kandidatin për deputet.

Motra e Elvis Pistës, Beatrisa tha se si familje kanë pritur që së paku të formulohen pistat e hetimit.

“Çka kemi pritur në fakt ka qenë që sadopak prokuroria dhe njësia e hetuesisë rajonale të ketë një përgjigje, së paku të ketë një profil të vrasësit, apo të ketë ndonjë pistë ku është fokusuar mirëpo si para një viti, si deri më tash përgjigjet janë të njëjta”, deklaroi Pista-Demiri.

Kryeprokurorja Bakija tha se prokuroria ka dërguar në Finlandë për ekzaminim shënimet për aktivitetet e zhvilluara që Elvis Pista i mbante në një fletore dhe telefonat e tij.

Nga ky ekzaminim ajo deklaroi se presin shumë.

“Bëhet fjalë për një fletore ku i ndjeri ka mbajtur shënime, por dyshohet që ato shënime i ka mbajtur edhe në telefonat e tij. Çdo veprim që ka ndërmarrë i ndjeri në punën dhe veprimtarinë e tij të përditshme e ka shënuar edhe në telefonat e tij, por ata telefona nuk kanë mundur assesi të ekzaminohen në Kosovë”, tha Bakija. /kallxo.com/

Rasti Mursi – Kur e drejta falimenton

0

Shkruan: Ditar Kabashi

Ligji dhe e drejta nuk janë gjithherë në frymë të njëjtë. Ta zëmë, veprimet antidemokratike mund të përligjen, por asnjëherë të arsyetohen me logjikë të shëndoshë e ndërgjegje të pastër. Ato mund të kenë mbështetje në norma pozitive, por mund të jenë në disproporcion me të drejtën objektive. Këtu edhe duhet parë pikënisjen e dallimit ndërmjet shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës.

Ja, edhe në ditët e sotme, kur pretendohet se gjithçka ka mbërri në kulminacion të avancimit, del në pah ana e errët e instrumentalizimit të ligjit, të arbitraritetit dhe goditjes së vullnetit popullor.

Rasti i fundit, par exellance, për ta kuptuar këtë, është dënimi me vdekje i Presidentit të përmbysur të Egjiptit, Muhammed Mursi.
Pas shumë dekadash trysnish dhe ngulfatjeje të lirisë së aktiviteteve demokratike, Egjipti, ky shtet gjigant afrikano-verior, me “Pranverën Arabe” rigjeti mundësinë për t’u kthyer në “gjenet e veta”, me një fjalë, qytetarëve të vet i erdhi rasti që të proklamojnë lirshëm vullnetin politik. Dëshira e kahmotshme do të quhej “Mursi” kur inxhinjeri akademik do të fitonte rreth 52% të votave të drejtpërdrejta nga populli. Tanimë ridefinohej sovrani; këtë epitet populli egjiptas ia kishte marrë sundimtarëve jomeritorë.

Grusht shteti ushtarak i Gjeneral Sisit demonstroi se dhuna është mjeti më i parapëlqyer kundrejt popullit. Janë mbytur disa mijëra veta. Të përndjekur e të burgosur shumëfish më tepër. Ekonomia në prag të kolapsit. Prej një shteti që me Mursin synonte faktorizimin në arenën ndërkombëtare, në një shtet të fundosur me halle të botës së tretë.

Dënimi me arsyetimin qesharak për “tradhti kombëtare” shpërfaq edhe njëherë degradimin e gjyqësisë atje. Madje është mirë që studentët e fakulteteve juridike të njihen për së afër me këto praktika. T’u shpjegohet atyre se nëse drejtësia bie në duar të matrapazëve, shkelet e drejta, keqpërdoret ligji dhe pëson populli.
Ekzekutimi i mundshëm i këtij dënimi që duhet të miratohet edhe nga Myftiu i Shtetit, (sipas legjislacionit egjiptas, Myftiu thotë fjalën e fundit në raste të tilla) rëndom kukull apo në rastin më të mirë lajkatar i pushtetit, mbase do të “qetësojë” ndërgjegjen kolektive që tashmë duket sheshazi se është e fjetur. Ndoshta mendohet se duke e mbështetur në petkun fetar këtë absurd do të shmangen trazira të mundshme.

Sidoqoftë, ekzekutimi me vdekje i Muhammed Mursit tashmë nuk është gjithçka. Vetë ai ka dëshmuar se nuk i frikohet vdekjes dhe se qëndron prapa veprimeve të tija.

Në Egjipt po falimenton e drejta, po shuhet verdikti popullor, po synohet mbytja e frymës së lirisë. Dhe e tërë kjo në sy të botës, e sidomos asaj demokratike. Kundërshtarët e flaktë të dënimit me vdekje heshtin gjithandej. Propaganduesit dhe financuesit e shoqërive të hapura e demokratike kanë mbyllur sytë e veshët. Kjo më së miri flet për standardet e dyfishta për njerëz a popuj të ndryshëm. U demaskuan shumë fytyra që dolën të ishin aq të shëmtuara.
Le të dihet se drejtësia selektive nuk është drejtësi. E drejta duhet të veprojë ndaj të gjithëve njësoj.

Këtë rast nuk duhet parë në optikën e shkurtë si një pune të brendshme e një shteti të largët. Ky është precedent, është shembull se si mund të bastardohet interesi publik, si cenohet e drejta ndërkombëtare, si nuk sanksionohet dhunëtari, si viktimizohet ai që ka legjitimitet, si ndërtohen marrëdhëniet hipokrite mes liderëve e shumë premisa të tjera që janë në kundërthënie të plotë me diskursin aq të proklamuar mbi të drejtat dhe liritë njerëzore, organizimin demokratik, vlerat e përgjithshme universale të stërshtjelluara në dokumente ndërkombëtare.

Andaj, mospajtimi me këtë vendim gjyqësor nuk duhet nënkuptuar domosdo mbështetjen në baza ideologjikë të Presidentit Mursi, por me mbrojtjen e atyre parimeve që u thanë më lart. Burrëria nuk është çështje gjinie, por çështje karakteri, thoshte një shkrimtar i urtë dikur.

Arrestohen dy hajna të radiove të veturave në Prizren

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për vjedhje të radiove të veturave.

Arrestimi i tij është bërë në rrugën “Adriatiku” në Prizren.

“Janë arrestuar dy të dyshuar nën dyshimin se të njëjtit me forcë kanë hapur automjetin e ankuesit mashkull K/Turk nga ku kanë vjedhur një radio”, njofton Policia e Kosovës.

Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com./

Mijëra lëndë në sirtarë, gjyqtarët në kolegje private

0

Ndryshimi i projektligjit për gjykatat nuk e ndal angazhimin e dyfishtë

Vlerësimi i performancës së gjyqtarëve sërish lihet në duar të KGJK-së

Plotësim-ndryshimi i Projektligjit për O3/L-199 për gjykatat ka kaluar nëpër duart e grupit punues të Komisionit për legjislacion dhe ekspertëve të ndryshëm. Pas rishikimit dhe diskutimin nen për nen, edhe pse pati kundërshtime nga shoqëria civile, u pranua propozimi i prokurorit Besim Kelmendi për krijimin e një departamenti special në GJTHP.

Prokurori i PRSK -së Kelmendi, kishte propozuar krijimin e një departamenti special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që do të ishte kompetent për të vendosur për lëndët, për të cilat është kompetente PRSK -ja. Por, sipas përfaqë- suesit të grupit për studime juridike dhe politike, Fisnik Korenica, ky hap nuk duhet hedhur nëse më parë nuk ka një dakordim mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kjo çfarë po propozon prokurori Kelmendi është që të themelohet një gjykatë me juridiksion ekskluziv për krime serioze që i ndjek PRSK -ja, por një gjë e tillë mendoj se prodhon pasoja relativisht të mëdha institucionale, në mënyrën se si është organizuar aktualisht Prokuroria e shtetit. Kështu që, nëse prokurorët dhe gjyqtarët do të dakordoheshin do të ishte në rregull, por pa një dakordim paraprak mendoj se është e rrezikshme”, ka thënë Korenica../Kosova Sot/

Studentët paguajnë ‘tatim’ te profesorët!

0

Përfitimet e jashtëligjshme nga pagesat për provime

Rektori premtoi ndryshim, por asgjë nuk ndodhi

Studentët e nivelit master paguajnë nga 2.5 euro për çdo provim që i nënshtrohen dhe këto pagesa nuk i shkojnë Universitetit, por profesorëve që i mbajnë këto provime. Kurse studentët bachelor paguajnë 0.60 euro për çdo provim që i nënshtrohen. Studentët thonë se kjo gjë është absurde, sepse paguajnë dhe paratë e tyre nuk e dinë se ku shkojnë.

Rilind Berisha nga Lëvizja për Integrim e studentëve, thotë se kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues të hiqet kjo pagesë, por ndikimi i profesorëve të Juridikut dhe Ekonomikut ka bërë që kjo pagesë të mbetet.

“Kemi kërkuar nga KD të hiqen me vendim këto përfitime të jashtëligjshme të profesorëve, por kemi hasur në rezistencë të profesorëve nga Fakulteti Juridik dhe Ekonomik, ku nëpërmjet ndikimeve të tyre në Këshillin Drejtues të UP-së kane arritur që të vazhdojnë të përfitojnë nga xhepi i studentëve, dhe duke i ngelur studentët në provime ta shtojnë edhe më shumë buxhetin e tyre personal, duke i shikuar studentët vetëm si klientë e jo si studentë të Universitetit publik”, tha ai../Kosova Sot/

Elhaida Dani: Do ta jap maksimumin tim në finalen e madhe

0

Elhaida do të këndojë me datë 23 maj në finalen e Eurovizionit, në gjysmën e dytë të konkuruesve

Derisa para pak minutash ajo u kualifikuar për finale e madhe të festivalit Eurovizion, Dani ka folur në konferencën për media me të gjithë të kualifikuarit e tjerë.

“Jam shumë e kënaqur që kalova në finale. Nuk e prita por e kam dhënë shpirtin tim në skenë. Në finale do të mundohem ta jap maksimumin tim dhe të ndihem e gjallë” tregon Dani.

Elhaida do të këndojë me datë 23 maj në finalen e Eurovizionit, në gjysmën e dytë të konkuruesve.

Koreja e Veriut i anulon vizitën shefit të OKB-së

0

Koreja e Veriut ka anuluar vizitën e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, një ditë para se ai të arrinte.

Ban është dashur të vizitojë të enjten një kompleks industrial në zonën ekonomike Kaeson, e cila udhëhiqet nga të dyja Koretë.

Duke folur në Seul, Ban ka thënë se nuk i janë dhënë shpjegime për anulimin.

Ban do të ishte shefi i parë i OKB-së që do të vizitonte Korenë Veriore në më shumë se 20 vjet, transmeton Rel.

Ban ka thënë se ka planifikuar të nxisë pajtimin mes shtetit komunist dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Përfundon autopsia, pritet kthimi i trupave

0

Autoritetet maqedonase kanë identifikuar trupat e të vrarëve gjatë konfliktit të fundjavës së kaluar në Kumanovë të Maqedonisë përmes autopsisë së përfunduar të hënën.

Numri i të vdekurve të identifikuar është dhjetë, nëntë nga ata janë nga Kosova, derisa njëri është nga Maqedonia, shkruan “Zëri”.

Burime të besueshme të gazetës në Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë kanë konfirmuar në kushte anonimiteti se autopsia e trupave ka përfunduar gjatë ditës së hënë, ndërkohë janë në pritje të vendimit të Prokurorisë se kur do t’i lejojë trupat të sillen në Kosovë.

Ndonëse lista me emrat e të vdekurve akoma nuk ka arritur në Kosovë, gazeta ka pasur qasje në atë listë në të cilën në mesin e të vdekurve janë edhe të shumëpërfolurit, Mirsad Ndrecaj (17.06.1979) dhe Beg Rizaj (25.12.1977). /Zëri/

Lubonja: Ahmeti dhe Thaçi s’kanë kredibilitet

0

Shqiptarët e Maqedonisë tashmë duhet ta kuptojnë se liderët e tyre, të cilët shpeshherë e kanë tundur flamurin e nacionalizmit, një gjë të tillë e kanë bërë vetëm për përfitime personale.

Kështu ka deklaruar analisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë bërë në vazhdimësi një teatër politik me të gjithë shqiptarët.

Për përleshjen e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, Lubonja thotë se kjo është një strategji e kryeministrit Gruevski, destabilizo për të stabilizuar.

“Me një fjalë, duke ngritur rrezikun shqiptar ai ka tentuar të bashkojë edhe gjithë krizën e vet politike, që është krizë e demokracisë dhe krizë e korrupsionit”, ka pohuar Lubonja.

Zëri: Cili është komenti juaj për ngjarjet e fundit në Maqedoni, përkatësisht në Kumanovë?

Lubonja: Kumanovën e kam quajtur strategji të Gruevskit, destabilizo për të stabilizuar. Me një fjalë, duke ngritur rrezikun shqiptar ai ka tentuar të bashkojë edhe gjithë krizën e vet politike, që është krizë e demokracisë dhe krizë e korrupsionit..