Home Blog Page 6825

Sllovenët interesohen për trajtimin e ujërave të zeza në Malishevë

0

Sot në Malishevë, ka qëndruar një delegacion i kompanisë “Hidroinženiring” nga Sllovenia, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre, për trajtimin e ujërave të zeza, përkatësisht rregullimin e sistemit të kanalizimeve dhe ndërtimin e impianteve. Delegacioni slloven, është pritur edhe nga kryetari Begaj, i cili ju ka ofruar bashkëpunimin e Komunës së Malishevës, pasi trajtimi i ujërave të zeza, është një prej problematikave që duhet të zgjidhet.

Siç thuhet në komunikatën e Kuvendit Komunal, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i ka njoftuar sllovenët për gjendjen e kanalizimeve, përpjekjet e komunës për rregullimin e sistemimit të kanalizimeve dhe nevojat që kemi si komunë, për ti trajtuar këto ujërave, në mënyrë që të mos ndotet ambienti dhe të mbrohet rrjedha e lumit Mirusha.

Ndërsa, drejtori i kësaj kompanie, Boris Savnik, tha se kompania të cilën e drejton, ka përvojë në fushën e trajtimit të ujërave, dhe se veprojnë në disa shtete evropiane, ku merren me projektime të kësaj fushe dhe ndërtimin e hidratenteve – impianteve për pastrimin apo riciklimin e ujërave të zeza.

Më pas, delegacioni slloven, të shoqëruar nga kryetari Begaj, i kanë vizituar në tërësi kolektorin e ujërave të zeza, nga Bellanica e deri në Bubël, ku edhe parashihet ndërtimi i një impianti.

Sllovenët, gjatë bisedës, u shprehën të interesuar për të punuar në këtë drejtim, pasi sipas tyre “një pjesë e mirë e sistemeve të kanalizimeve është i ndërtuar”. Ndërsa kryetari Begaj, i njoftoi se komuna ka investuar pothuajse në çdo fshat, për rregullimin e kanalizimeve, ndërsa tani jemi të orientuar në lidhjen e këtyre kanalizimeve në rrjetin kryesor, por problem në vete është ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave.

Një person në Suharekë, goditet me kondak të armës

0

Një person në Suharekë është goditur me kondak të armës. Policia e Kosovës njofton se viktima ka marrë trajtim mjekësor.

“ Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor”, njofton PK-ja.

Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë, e cila dyshohet të jetë shkrepur nga i dyshuari./PrizrenPress.com/

Zafiri për Thaçin: Edhe spiun, edhe president i shtetit nuk shkon

0

Deputeti i “Nisma për Kosovën”, Zafir Berisha, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se çdo ditë e më shumë po afrohet fundi i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në skenën politike.

Sipas tij, mos zgjedhja e Thaçit si President i Kosovës, do të jetë goditja e cila do ta mposht atë në politikën kosovare, duke shtuar se edhe brenda PDK-së, ndonëse nuk kanë guxim që të flasin, ka mjaft zëra që janë të pakënaqur me shefin e tyre të partisë, transmeton Telegrafi.

“Para disa ditëve ka dal një zyrtar francez – pjesë e shërbimit sekret të këtij shtetit, dhe ka deklaruar se Hashim Thaçi ka qenë shërbëtor i shërbimit francez. Unë mendoj se dhe spiun edhe president i shtetit nuk shkon”, ka shtuar Berisha.

Aksidentohet autobusi i shkollës, humbin jetën 2 nxënës

0

Dy fëmijë kanë humbur jetën dhe të paktën 4 të tjera janë plagosur, pasi shoferi i autobusit të shkollës humbi kontrollin, në një rrugë të mbuluar nga bora.

Ngjarja ndodhi rreth orës 70:40 të së mërkurës në pjesën lindore të Francës.

Gazeta “L’Est Republican” raporton se dy nxënësit që humbën jetën ishin 15-vjeç ndërsa në bord të autobusit ishin gjithsej 33 nxënës.

Dhe pse shkaqet e aksidentit nuk janë zbardhur ende, informacionet paraprake bëjnë me dije se aksidenti ndodhi për shkak të rreshjeve të denduara të dëborës dhe ngricave devijoi nga rruga duke rrëshqitur deri në 50 metra

500 të vrarë në Alepo

0

Së paku 500 persona janë vrarë gjatë luftimeve në Alepo, prejse Qeveria siriane, e mbështetur nga sulmet ajrore ruse, kja nisur një ofensivë ushtarake në fillim të shkurtit.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, i cili monitoron luftën në Siri, ka thënë se kjo shifër përfshin së paku 100 civilë.

Agjencia Reuters, e cila transmeton lajmin, thotë se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrën.

Të martën, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se 300,000 njerëz mund të mbeten pa ndihma ushqimore, nëse forcat e Qeverisë siriane rrethojnë pjesët e kontrolluara nga rebelët në qytetin Alepo.

Kombet e Bashkuara po ashtu i kanë bërë thirrje Turqisë që të lejojë brenda territorit të saj rreth 30,000 njerëz që janë grumbulluar në kufi, pasi kanë ikur nga luftimet.

Arrestohen pesë persona në Prizren, për drogë

0

Gjatë orëve të mbrëmjes, një patrullë policore gjatë dy pikave të kontrollit në Prizren ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit marihuanë e cila ishte e paketuar në doza të vogla dhe e gatshme për shitje.

Në mesin e të arrestuarve, ishin dy shtetas të Shqipërisë dhe tre kosovarë, raporton PrizrenPress.

Sipas policisë, kontrollet janë kryer në Parkun e Qytetit.

Policia bën të ditur se pas inicimit të rasteve është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që dy të dyshuar të ndalën nën masën e arrestit policor ndërsa tre të tjerë janë liruar sipas procedurës së rregullt. /PrizrenPress.com

Opozita do zgjedhje në mars ose në prill

0

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi, ka bërë me dije se partia e Ramush Haradinajt nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket situatës aktuale politike edhe pas shkuarjes në takimin e presidentes Atifete Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare.

Në këtë kontekst, ai ka treguar për “Epokën e re” se AAK-ja do të marrë pjesë në tryezat që kanë të bëjnë me daljen nga kriza vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, zgjedhjet duhet të mbahen në muajin mars ose në prill.

“Do të marrim pjesë sa herë që janë bisedat e rëndësishme, që kanë të bëjnë me daljen nga kriza nëpërmjet zgjedhjeve, sepse e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë dhe për të ndodhë një ndryshim pozitiv në Kosovë janë zgjedhjet e reja parlamentare. Kryetari Haradinaj, AAK-ja dhe në përgjithësi opozita mendon se zgjedhjet duhet të mbahen në fund të muajt mars apo në fillim të muajit prill”, është shprehur Kuçi, duke shtuar se kërkesa për zgjedhje ka ardhur si rezultat i degradimit të shtetit të Kosovës.

Ndërsa njohësi i proceseve politike, Belul Beqaj, ka thënë për “Epokën e re” se zgjedhjet mund të mbahen edhe më herët por, sipas tij, ato nuk do të ishin zgjidhja e duhur meqë Kosova ka nevojë për intermexo nga kjo politikë.

“Zgjedhjet mund të organizohen edhe më herët, por ato nuk janë zgjidhje, ngaqë janë aktorët e njëjtë, rrethanat edhe më të këqija, ideologjitë dhe programet e njëjta. Kosova ka nevojë për intermexo nga kjo politikë. Kosovës i nevojitet një qeveri kalimtare që do t’i përgatisë kushtet relativisht normale për zgjedhje e këto mund të bëhen pas rreth dy vjetëve, kur të kryhet reforma zgjedhore, të burgosen ata që e kanë zënë peng pushtetin e Kosovës dhe të fillojnë të frymojnë lirshëm qytetari i Kosovës dhe mediet”, ka vlerësuar politologu Belul Beqaj.

Franca voton për ndryshimet kushtetuese

0

Deputetët francezë votojnë sot për një paketë të ndryshimeve kushtetuese, të hartuara pas sulmeve terroriste në Paris, nëntorin e kaluar.

Ndryshimet do t’i jepnin status të ri gjendjes së jashtëzakonshme, e cila aktualisht është në fuqi. Ato po ashtu do të siguronin të drejtën për të zhveshur nga shtetësia franceze të dënuarit për terrorizëm.

Nëse masat miratohen sot nga parlamenti, ato do të shkojnë më pas në Senatin francez.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, i ka premtuar këto ndryshime pas sulmeve të 13 nëntorit, në të cilat kanë humbur jetën 130 veta.

Gjendja e jashtëzakonshme në Francë skadon më 26 shkurt, por qeveria do që ta zgjasë atë.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dëmtojnë të drejtat e qytetarëve dhe bëjnë shumë pak në luftën kundër terrorizmit. /Rel

Frederik Rreshpja – Si e parashikoi vdekjen e tij

0

Petrit Palushi e kujton ende telefonatën me piktorin Rexhep Ferri nga Prishtina. Ishte 11 nëntori i vitit 2005, kur ai e telefonoi duke i thënë se një miku i tij, poeti Frederik Rreshpja, ishte nisur nga Prishtina dhe do të qëndronte një natë në Kukës. “I kam thënë të takoheni te hotel ‘Gjallica’. Ka me bujtë një natë në Kukës. S’është mirë me shëndet”, do t’i thoshte ai. Palushi e kishte njohur Rreshpen përmes vargjeve të lexuara, por përgjatë dy ditëve që ai do të qëndronte në Kukës, do të njihte një tjetër dimension të poetit. Me kujdesin e një studiuesi që e di që takime të tilla janë fat në jetë, ai mori bllokun e shënimeve për të shënuar në të çdo detaj të bisedave që zgjatën deri pas mesnate.

“Rreshpja sikur nuk i shqiptonte fjalët, por i shkriftonte. Ai sikur pati dëshirë të rrëfehej, megjithatë. Unë gjithashtu pata dëshirë ta dëgjoja, të ngulitja në mendje e të shënoja ngutshëm çdo fjalë të tij. Nuk pati kurrfarë dëshire të jepte një intervistë në televizionin vendor, me gjithë këmbënguljen time. As në radio … Iu luta edhe një herë. – E kam zërin të ngjirur, – tha. – Nuk duhet të mbahem mend me këtë lloj zëri. Dikur shkruaja poezi. Aty i keni poezitë e mia”, do të shprehej ai. Ato dy ditë do të ishin si një jetë e jetuar me poetin, që do të linte dëshmi tronditëse nga jeta e tij në ato biseda. Tashmë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, Petrit Palushi i ka sjellë këto kujtime në një libër.

“Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”, botim i “Ombra GVG” sjell një këndvështrim tjetër të figurës së poetit, të një poete po aq poetike sa vargjet e tij. Nga biseda me shoferin e furgonit që do e sillte në Tiranë, e deri te perceptimi i tij mbi vargjet e Rreshpes, ky studim i Palushit i shtohet mozaikut që kërkon t’i japin vendin e denjë këtij personazhi të letrave shqipe. Por në ato kohë, Palushi nuk e dinte se ky do të ishte udhëtimi i fundit i Rreshpes, pasi tre muaj më vonë, në një ditë me shi, më 17 shkurt 2016, ai do të ndahej nga jeta. Në atë ditë të trishtë për këdo që e kishte njohur Rreshpen, Palushi do të sillte në kujtesë fjalët e tij dikur, i cili thoshte se kishte parë vdekjen të veshur me të bardha në ëndërr. “Këmbëngulte në të vetën: E kam pa vdekjen me tesha të bardha. Ndërkaq, s’ka vdekje me tesha të bardha, i kish thënë asaj. Ka, ia kish kthye ajo, se kur u vjen vdekja artistëve u shfaqet e mbështjellë me tesha të bardha. Ty kam me të marrë në muajin shkurt, i kish thënë ajo. Në shkurt, se do të marr edhe tre të tjerë të racës tuaj. Po t’ishte muaji më i gjatë do të merrja pesë vetë. Do të marr dy shkrimtarë dhe dy piktorë. Do të veproj si me llogari matematikore: Një shkrimtar, një piktor, më pas një shkrimtar dhe një piktor … Më trego cilët janë, të paktën t’u them të fshihen diku, i kish thënë ai. Ne kemi mistikën tonë, ia kish kthyer vdekja. Të paktën më trego ditën e vdekjes sime, i kish thënë ai. Jo, i kish thënë vdekja e mbështjellë me të bardha. Vetëm vdekja nuk dihet kur të vjen … Ndërkohë, e pyeta Rreshpen atë natë: A pate frikë prej asaj ëndrre? Jo, m’u përgjigj. Vdekja s’ka punë me Fredin. Fredi i mban me vete vdekjen dhe kapelën … Pastaj, Fredi ka punë vetëm me poezinë…”, shkruan Palushi. Dhe, si për ironi të ëndrrës, në shkurt të atij viti do të ndaheshin nga jeta bashkë me Rreshpen dhe shkrimtari Vath Koreshi dhe piktorët Ibrahim Kodra dhe Kel Kodheli. Këtë ëndërr Palushi do t’ia tregonte dhe Koreshit, gjatë një vizite në shtëpinë e tij. “Ai ka imagjinatë të jashtëzakonshme. Flet vetëm me imagjinatë. Me një realitet të çuditshëm artistik … Ja, këtu do të jemi, do të flasim përsëri në fund të shkurtit”, do të shprehej Koreshi. Këto kujtime të Palushit, të risjell në kujtesë portretin e një personazhi që ishte gjithnjë në luftë me jetën sa qe gjallë dhe iku prej saj ashtu siç e kishte parashikuar krejt në vetmi. Rreshpja vazhdon të jetë një ndër poetët më të vlerësuar të letërsisë shqipe, për modernitetin dhe ndjeshmërinë që mbartin vargjet e tij.

U takuam te hotel “Gjallica”.

Kish zënë një tavolinë mu afër dritares.

M’u duk shumë i lodhur, i ligështuar krejt, pothuajse më i vogël e më i imtë se e kisha pa do vjet më parë.

Qe si i verdhë në fytyrë, megjithatë një e verdhë e ëmbël si e vezëllimtë, që mund të shkrihej në çast e fytyra të merrte pamjen e saj të zakonshme.

U përshëndetëm dhe shtrënguam duart njëri me tjetrin.

– A je si je, o Frederik Rreshpja? – e pyeta.

Vetëm buzëqeshi.

Më pas foli:

– Në Prishtinë isha mirë. Por rruga për në Tiranë është e largët dhe do të rri sonte në Kukës.

– Rri sa të duash, – i thashë.

Sytë sikur i morën dritë, ndërkaq.

– Me sot me nesër, – tha, – kisha menduar të shkoja në Prishtinë, por vitet ecnin dhe zgjodha këto ditë. Me të mbërritur atje shkova te një hotel afër Pazarit. I thashë sportelistit se kërkoja Rexhep Ferrin. Atë e kisha takuar disa herë në Tiranë. Më lidhën në telefon me të. Kështu, u ndreqën punët. Atë natë, te lokali i hotelit hëngra aq sa mund të hajë Fredi e piva raki. Më thanë se kishin marrë porosi prej Rexhep Ferrit se do i shlyente ai shpenzimet e mia. Edhe fjetjen në hotel. Rexhepin e njihnin, e njihnin … Të nesërmen Rexhepi erdhi te hoteli bashkë me Ali Podrimen …

Rreshpja fliste ngadalë si t’i mendonte fjalët një e nga një.

– Nuk më çoi njeri në Prishtinë, por shkova vetë, – vazhdoi. – As Petro Markon s’e çoi kush. S’kish si të shkonte … Migjeni nuk shkoi se qe i sëmurë nga tuberkulozi. Politikanët shkojnë me avion, kurse unë shkova me autobus.

Psherëtiu gjatë … Një psherëtimë e butë, thuajse e pandjeshme …

– Nuk dihet a kam më fuqi të shkoj prapë në Prishtinë, – vazhdoi. – E mendova mirë dhe shkova vetë. E kush të më çonte?

Mori një dritë të hijshme në fytyrë.

– Ndenja dy ditë atje, – foli. – Pastaj, Prishtina është vend i poezisë së bukur. Edhe qielli e përkëdhel Prishtinën. Prishtina m’u duk qytet aristokratësh. Edhe Shkodra e tillë ishte në fëmijëninë time. Kurse me Tiranën s’jam kënaqur asnjëherë. Tirana është e rrëmujshme, me një rrëmujë të keqe. Të tjerë kënaqen me atë rrëmujë … Fredi përsëri do të kthehet në Shkodër. Nuk e ndalon njeri të vdesë në vendlindjen e vet …

Qe një pasdite e ngrohtë, anipse ishte mesi i nëntorit.

– Erdhi dimri i keq, – foli ai megjithatë. – Nuk e di a mund do ta shtyj …

– Ka kohë, – ia ktheva. – Dimri është larg.

– Eh, – sikur foli me gjysmëzë. – Stinët janë në trup të njëra-tjetrës.

Ai e afroi stinën e dimrit; dimri po çelte parakohshëm për të kur duhej edhe një muaj kohë të avitej.

– Edhe dimri më rrudh, – shtoi, – por edhe rruga të shkoj në Tiranë, shumë e largët.

Lëshoi një “oh”, thuajse të pandjeshme.

– Kur erdha m’u duk rruga më e gjatë në botë, – tha. – Rrugë më e gjatë se rrugët. Edhe pse unë s’kam udhëtuar shumë …

Asokohe udhëtohej kah rruga e vjetër.

– Më deshtën shumë në Prishtinë, – shtoi. – Ndenja gjatë me Rexhep Ferrin. Edhe me Ali Podrimen. Edhe me do miq të tjerë. Se kështu zihen miqtë. Deshën të organizonin një takim letrar për poezitë e mia. Unë nuk pranova. U thashë: Ç’lidhje ka Fredi me takimet letrare? Ata që e shijojnë poezinë time le të mblidhen e ta lexojnë …

Këqyri kah unë si t’i thosha nëse kishte vepruar mirë apo jo.

– U mbeti hatri, – foli. – Po ky është Fredi, u thashë. Fredi nuk ndërron tani që po vdes. Më këqyrnin me vëmendje dhe ndoshta mendonin: A është në terezi ky njeri a s’është? Po s’u mërzitën kurrë me Fredin. Sidomos Rexhepi s’u mërzit me Fredin. Se me ndenjtë me Fredin është e vështirë. Se kur e merr dallga e poezisë, ai harron se me kë është në tavolinë. Po Fredi pi raki, pi edhe duhan. Më thirrnin Frederik. Unë qeshja. Shumë gjatë: Frederik. Fredi, më mirë. Shkurt. Njëlloj si deti … mali, djali … halli …

Mbas pak shtoi:

– Këmbëngulën të më botonin një cikël me poezi te “Koha ditore”. Madje Rexhepi këmbënguli fort. Nuk kam poezi me vete, i thashë. Por i kisha shtatë poezi në letra format. Tek pinim kafe e raki i nxora poezitë në tavolinë. U mundova t’i lexoj, por shkrimin e kisha krejt të pakuptueshëm. Edhe Rexhepi s’mundi t’i lexonte … Por Prishtina më ka nderuar edhe shumë më herët. Në vitin 1975 më kanë botuar përmbledhjen me poezi “Enisé, Enisé”. Po s’e kisha parë atë libër … Ma solli Shaip Beqiri në vitin 1992. Qava …

– Të kanë dashur si njeri, por edhe për poezinë tënde, – i thashë.

– Rexhepi më tregoi se Anton Pashku e kish pëlqyer fort librin “Enisé, Enisé”, – foli. – I kish thënë atij se ky poet sikur nuk vjen nga Shqipëria. Është shumë modern. Natyrisht ashtu do të thoshte ai për Fredin se Pashku ishte vetë modern, stilist me dritë, me shumë shkëlqim. Tregimi i tij “Floçka” është vështirë të shkruhet … Po ai e shkroi … Modernët janë në kohë … Koha nuk kuptohet nga bashkëkohësit … Edhe Beqir Musliu më donte shumë. Në vitin 1992 më nisi me përkushtim librin e tij “Libri i Anatemave”. Ma solli Shaip Beqiri. Ne s’i njohim poetët e Kosovës. Libri i tij më gëzoi tepër. Metafora mbi metafora. Shkëlqejnë. Metafora të ashpra të një kohe të rëndë, të ashpër. Ai ishte poet … (Në pranverën e vitit të ardhshëm, Rreshpja do t’i thoshte Shaip Beqirit: E kam lexuar gjatë gjithë këtij dimri këtë libër. E kam ëndërruar tërë jetën time një libër të tillë. Ky është poeti të cilit ia heq kapelën!)

Prej aty, bisedën e zhvendosi te Prizreni.

– Më mbeti merak që s’e pashë Prizrenin, – shtoi. – Kur shkova me autobus, kaluam nëpër Prizren, por shoferi s’e ndaloi autobusin. Edhe kur u ktheva s’pata mundësi ta shoh. Por Kuteli ka qenë në Prizren … Atëherë ishte luftë, kurse unë nuk munda ta shoh as në paqe …

– Do të ikim nesër në Prizren, – i thashë.

– Jo, – ma ktheu. – Jam shtegtar. Shtegtari s’kalon dy herë në të njëjtin vend.

Shpejt e zhvendosi bisedën tjetërkah.

– Dikur kam qëndisur, – tha. – Mësova të qëndis qysh i vogël. Qëndisjen ma ka mësuar nëna, por edhe do murgesha në Shkodër. Kam qëndisë shumë bukur. Madje thuhej se Fredi qëndis më bukur se krejt vajzat e gratë e Shkodrës. Po edhe qëndisjen e lashë. Mirë që e lashë se nuk do të shkruaja poezi …

Befas, u kthye sërish te poezia.

– I kam disa poezi, i kam, – tha. – Ja, që s’më kujtohen. Por kam edhe shumë të tjera. Ndoshta edhe … S’ka gjë. Le të rrinë aty nëpër libra apo në copa letrash. Ndoshta kujtohet dikush e i lexon … Ndoshta do të jenë më të qetë kur të mos jem unë dhe i lexojnë … Ndoshta …

– Ave, nëna ime, – fola unë, megjithatë.

Më erdhën në mendje dy vargjet e asaj poezie dhe i përmenda si me gjysmëzë:

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

– Eh, nëna ime! – foli dhe i shqiti sytë prej meje si të fliste me veti.

Priti derisa ta soste cigaren.

– Iku prej meje, por s’e di se kur. Qe engjëll, qe dritë për Fredin …

I përmenda një fjalë të urtë të zonës së Lumës: Edhe tetëdhjetë vjeç me qenë, me e pasë nanën gjallë të duket vetja se je tue u rritë.

I ktheu sytë rrëmisht tek unë.

– E jashtëzakonshme, – më tha. – Sikur të ketë pikë prej qielli e të mos e kenë thënë njerëzit.

E ktheu gotën e rakisë me fund.

– Eh, nëna ime, – foli sërish. – Ajo qe Perëndia ime.

Aty për aty sikur zëvendësoi një varg të poezisë “Ane, nëna ime”: Zot tjetër nuk kam pasur kurrë, me vargun: Ajo qe Perëndia ime.

– Pleqëria ime nisi kur vdiq ajo, – m’u drejtua.

– Jo, – ia ktheva si ta ngushëlloja sadopak. – Ti je ende i ri.

– Unë, ende i ri? – m’u kthye në çast dhe nisi me qeshë.

Një e qeshur si e një fëmije të vogël që ngazëllehet kur e marrin në krahë.

– Po ikin vitet, – tha. – Me vitet, edhe jeta ime. Një herë nuk u kënaqa në jetë, por as kam më kohë të kënaqem.

E pyeta sa vjet kishte.

Ndërkohë, u fikën dritat …

Ai shkrepi çakmakun. Kështu bënë edhe disa të tjerë në lokal. Fytyra e tij më ngjau e zbehtë, si e lyer me një të verdhë të përzishme, më tepër si kah e zeza. Ashtu n’atë gjysmëterr erdhi zëri i tij i paktë, sikur ta kapte ngrija.

– Po të jem gjallë, vitin tjetër i mbushi gjashtëdhjetë e gjashtë vjet, – tha. – Më vjen keq që nuk vdiqa vjet, por më keq më vjen që nuk vdiqa parvjet. Më keq më vjen që nuk vdiqa edhe pa lindë …

M’u duk se po e thirrte ngutshëm vdekjen e vet, por njëkohësisht pak edhe si me pezëm që ajo s’e kish marrë një a dy vjet më parë dhe më tej, ende më e frikshme, që ajo s’e kish marrë ende pa lindë.

– Ehu, sa herë kam vdekur dhe jam ngjallur!

Tani sikur e shpaloi vetin ndërmjet vdekjes e jetës, por prapë u kthye te vdekja:

– Vjen një kohë që njeriut i sosen të gjitha. Fryma shkallmohet e fundit …

Ndërkaq, u kthye te jeta:

– Po përsëri dua me mbet gjallë. Nuk i dihet …

Aty për aty e ndërronte vdekjen me jetën si të ndërronte lehtas fletët e një kalendari.

Për të nuk kishte katër stinë, por vetëm dy, stinën e vdekjes dhe të jetës, ku vdekja niste e para, ndërrohej me jetën, më pas kjo e fundit ndërrohej rishtas me vdekjen.

Erdhën dritat …

Rreshpja ndërkaq fërkoi sytë me duar.

– Ja, ka edhe dritë për njeriun! – foli dhe u sikur u çel në fytyrë.

U vrantua në çast dhe shtoi:

– Vetëm për Fredin s’ka dritë.

Për një çast mbështeti kryet në tavolinë. Mbas do kohe e ngriti dhe tek më shihte drejt në sy, foli ndërkaq:

– Fredi ka qenë i huaji i botës.

M’u kujtua një varg nga poezia e tij “Përgjithmonë”: Unë kam qenë trishtimi i botës.

Ai, në bisedë sikur po rishihte poezinë e vet të mëhershme ose jepte variante të tjera vargjesh. Kësisoj, kalonte lehtas në mbindërtime vargjesh.

– Të paktën, do të gjendet një varr për të, – shtoi.

Preku gjoksin me dy duart si ta shtrëngonte fort se mos i shqitej befas prej trupi.

– Trupi i Fredit është i vockël dhe nuk zë shumë vend, – foli.

Rreshpja sërish po thirrte nxitueshëm terrin e vdekjes së vet.

Mu aty, në tavolinën ku isha pranë tij, me cigaren që e thithte paprajshëm dhe me gotën e rakisë që e kthente shpesh e më shpesh.

– Në vend të arkivolit i mjafton një kuti lodrash për fëmijë, – foli.

Shumë rrallë thoshte: Unë. Gjithnjë e më shpesh thoshte: Fredi.

Të ngjante se nuk rrëfente për vetin e vet, por për dikë tjetër, jetën e të cilit e njihte imtësisht dhe njëkohësisht e vizatonte deri në fijet më të holla.

Minutat e fundit …

U ngrit në këmbë, eci dy a tre hapa, u kthye sërish te tavolina dhe foli me një zë, thuajse të ngjirur:

– Më kalbi jeta.

Nuk po gjeja fjalë si ta ngushëlloja.

– Nuk e mësova kurrë ç’ishte bota e përkëdheljes, – shtoi ndërkaq.

Më pas kaloi te Krishtlindjet.

– Edhe Krishtlindjet janë të bukura në vetmi. Pastaj, edhe për Krishtlindje vdesin njerëz. Dhe plotësohen statistikat. Nuk e di a do i kaloj Krishtlindjet. Po vdiqa unë në televizion do të thuhet: “Te shkallët e Pallatit të Kulturës në Tiranë u gjend një i vdekur. Njeri pa njerëz pranë. Kishte vdekur nga të ftohtit. Ndoshta s’kishte ngrënë prej kohësh. Nuk është mësuar ende emri i të vdekurit … Kur të shohin letërnjoftimin tim do të thonë: E paska emrin Fredi … Një i panjohur … Ndoshta është i huaj … Gëzuar Krishtlindjet!”

Nisi të qante me një rënkim të lehtë …

Fshiu sytë, por ndërkaq e kapi kolla …

– Është kollë e butë, – tha, – si kolla e një fëmije.

Shënova me nxitim fjalët që tha ai …

Ndërkaq, m’u shkrep t’ia avitja fletën e bllokut bash para syve të tij.

– Kështu foli Frederik Rreshpja, – i thashë.

Afërmendsh, sikur po i lija të kuptonte se me fjalët e tij, njëkohësisht që i kisha shënuar ngutshëm edhe n’ato fleta blloku na e ngrohu mbrëmjen e shkuar dhe atë mëngjes.

Ndoshta fjalët e tij qenë të mungueshme në çdo bisedë tjetër ose nuk do të shqiptoheshin ndonjëherë.

Edhe nëse do të shqiptoheshin, mbase rastësisht do t’ishin kopje e zbehtë e fjalëve të tij në Natën dhe atë Mëngjes me dritë të tij, absolutisht të tij.

– Kështu foli Zarathustra, – tha ai qetë, me atë zërin e tij të butë …

Biseda në hotel “Gjallica”

Fitojnë Trump e Sanders

0

Kandidati republikan, miliarderi Donald Trump, dhe ai demokrat, senatori i Vermontit, Bernie Sanders janë fituesit zgjedhjeve paraprake për garën presidenciale të 2016-s në New Hampshire.

Sanders, që doli i pari përpara Hillary Clinton, tha se kjo fitore dëshmoi se njerëzit duan ndryshime reale, ndërsa ish-Sekretarja e Shtetit ishte e para që e uroi për fitoren, duke deklaruar se do të vazhdojë të luftojë për çdo votë në fushatë.

Ndërkohë, pasi njoftoi për fitoren e tij, edhe miliarderi Trump uroi social-demorkatin Sanders për fitoren por duke mos harruar t’ju kujtojë amerikanëve se ai “dëshiron që t’ia dhurojë vendin të tjerëve” për shkak të politikave të tij.

Votimet në New Hampshire rezultuan me një përmbysje pasi në Iowa ishin Hillary Clinton nga kampi demokrat dhe Ted Cruz nga ai republikan, të cilët dolën fitues.

Për ndryshim nga rezultati shumë i ngushtë në Iowa mes Clinton e Sanders, në New Hampshire social-demokrati kishte një diferencë të theksuar në vota ndaj ish-Sekretares së Shtetit.