Home Blog Page 6833

Guvernatori nigerian akuzohet për trafikim organesh – lakohet edhe emri i Thaçit

0

Guvernatori i shtetit nigerian Imo, Rochas Okorocha, është akuzuar se ka bashkëpunuar me Kosovën, Turqinë, Kroacinë e disa vende tjera për trafikim të organeve të njerëzve.

Një mjek praktikant i dëmtuar ka pretenduar se udhëtimet e fundit të Guvernatorit Okorocha në Kosovë, Turqi, Kroaci dhe në shtete tjera të Amerikës Latine dhe në Azi, por edhe ndërtimi i 27 spitaleve të reja në vend, janë prova për faktin se guvernatori është pjesë e biznesit të trafikimit të organeve në Nigeri, raportojnë mediat atje, transmeton Koha.net.

Mediat atje raportojnë se këto deklarime janë mbështetur në pretendimet se ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është në krye të trafikimit të organeve në Evropë dhe është mik me Okorochan.

Thuhet gjithashtu se bashkëpunëtorët e huaj të qeverive nga Turqia, Kosova, Kroacia dhe vendet tjera kanë qenë në shtetin Imo për të përsosur krijimin e rrjetit.

Këto pretendime kanë ardhur pas raportimeve se guvernatori i shtetit ka refuzuar t’i kthejë në punë 3000 punëtorët që thuhet t’i ketë larguar nga puna.

Kongresi Laburist i Nigerisë (NLC), ka thënë se i tërë shteti i Imos do të mbyllet nëse kalon afati i ultimatumit 14 ditësh nga Qeveria Qendrore për të rikthyer në punë dhe t’ju paguajë pagat e mbetura dhe benefitet tjera punëtorëve të larguar nga puna.

Kujtojmë se në muajin mars të vitit 2012, guvernatori i shtetit Imo të Republikës Federale të Nigerisë, Owelle Anayo Rochas Okorocha kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë ku ishte pritur në Qeverinë e Kosovës nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së atëhershme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrja e atëhershme Mimoza Kusari Lila dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i atëhershëm, Ibrahim Gashi, raporton Koha.net.

Me këtë rast, Okorocha, kishte shprehur interesimin e shtetit të tij dhe Republikës Federale të Nigerisë, për fillimin sa më të shpejtë të bashkëpunimeve të ndryshme politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

“Nigeria është shteti më i fuqishëm në Afrikë dhe Kosova nuk mund të ketë miq më të mirë se sa Nigeria në këtë kontinent. Fakti që unë jam këtu, nënkupton interesimin e shtetit tim për të zhvilluar miqësinë ndërmjet dy shteteve tona”, kishte thënë Okorocha.

Pas takimit në Qeveri, delegacioni nga Nigeria i shoqëruar nga Pacollika kishte vizituar kompleksin e Jasharajve në Prekaz.

Delegacioni është pritur nga Murat Jashari i cili i kishte njoftuar nga afër me historinë më të re të Kosovës, me luftën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me këtë rast, mysafirëve nga Nigeria, Murat Jashari u kishte dhuruar edhe historinë luftës heroike të Jasharajve në gjuhën angleze.

Veç kësaj, delegacioni nigerian patën zhvilluar takime me komunitetin e biznesit, Odën Ekonomike të Kosovës dhe Aleancën Kosovare të biznesit.

Ndërkaq, ditë më parë, mediumi amerikan “The Daily Beast” riktheu në skenë çështjen e trafikimit të organeve dhe akuzave që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Gjatë qëndrimit të Thaçit në Iowa, ekipi i fushatës së republikanit Ben Carson që po synon të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është takuar me të.

Sipas “The Daily Beast”, në takimin mes Thaçit dhe gjeneral Bob Dees, pjesë e ekipit të Carsonit, është diskutuar për “marrëdhëniet speciale mes Republikës së Kosovës dhe Iowas”. Në Iowa, Thaçi, si kryediplomat i Kosovës, gjatë qëndrimit të tij ka qenë pjesë e hapjes së konsullatës së Kosovës në Des Moines, transmeton Koha.net.

Gjeneral Dees ka shërbyer në Kosovë me forcat e NATO-s dhe është ndjerë i nderuar që po takohet me ish-kryeministrin Thaçi.

“Pres që të ketë bashkëpunim më të madh mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve. Për themelin e kësaj marrëdhënie, shteti i Iowas është i përkryer”, ka thënë Dees në komunikatën e tij. Për këtë takim sipas “The Daily Beast”, ka folur edhe vet kandidati Ben Carson.

“Historia e Kosovës është testament për ripërtëritjen së popullit të saj”, ka thënë Carson, duke shtuar se konsullata është një gjë që amerikanët duhet të jenë krenarë për vendosjen e këtyre marrëdhënieve mes Iowas dhe Kosovës.

Mediumi amerikan më pas shkruan se “në komunikatën e ekipit të Ben Carsonit, është neglizhuar përmendja e Thaçit, si kreu i një grupi shqiptar që ka kontrabanduar drogë, armë dhe organe të njerëzve nëpër Evropën Lindore, sipas një hetimi të vitit 2010 i kryer nga Dick Marty, i prezantuar në Këshillin e Evropës”.

“Edhe raporti i ‘The Guardian’, që e nxjerr Thaçin si kreu i një rrjeti kriminal në Kosovën e fundviteve të ’90-ta”, shton më tej gazeta.

Kur është pyetur për këto që mediumi amerikan i quan “aktivitete kriminale”, thuhet se drejtori i komunikimit i ekipit të Carsonit, Larry Ross, ka qenë konfuz.

“Ekipi i fushatës nuk ka qenë në dijeni se para pozicioneve të tij në qeveri, Thaçi ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Ross në fillim për “The Daily Beast”, por mediumi këmbëngulur duke e pyetur specifikisht nëse ekipi i kampanjës është në dijeni për akuzat ndaj tij për kontrabandën e organeve.

Atëherë Ross ka ndryshuar kursin e tij duke thënë me e-mail për “The Daily Beast” se “përgjigja ime është dashur të lexohet: Ekipi i fushatës ka qenë i vetëdijshëm se para se të ketë pozicione në Qeveri, Thaçi ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

30 proceset gjyqësore më qesharake në botë

0

Për të fituar para, njerëzit përgjithësisht punojnë.

Punë të ndryshme, të ligjshme a të jashtëligjshme. Por ka dhe njerëz më me fantazi, të cilët preferojnë të fitojnë në mënyrë më të shpejtë, pa u lodhur e pa rrezikuar, pavarësisht pretendimeve të tyre për dëme morale, emocionale e fizike. Ata ngrenë padi, hedhin në gjyq individë e kompani duke kërkuar shuma marramendëse për arsye që mund të bëjnë edhe për të qeshur. Kjo është arsyeja pse proceset gjyqësore të përmendura këtu klasifikohen si 30 paditë më qesharake që ekzistojnë.

Paditë gjyqësore janë nga më të çuditshmet dhe të paditurve në pjesën më të madhe të rasteve zor se u ka ardhur për të qeshur kur janë përballur me shifrat që duhet të paguajnë, pa e ditur realisht pse. Siç është rasti i një gruaje, e cila ka paditur dyqanin nga ku sapo kishte dalë, sepse ishte “sulmuar” nga një shpend. Shpendi nuk vinte nga dyqani, vinte nga qielli. Por ama, ndodhej në hapësirën që logjikisht, sipas gruas, i përkiste dyqanit. Një person tjetër ka ngritur padi kundër basketbollistit Michael Jordan, sepse i ngjante atij dhe për këtë arsye kishte pësuar shpesh herë në jetë shok emocional. Dhe në një pjesë të madhe rastesh këta “paditës” arrijnë të fitojnë shuma marramendëse, por ka dhe raste, kur trupi gjykues ka vendosur ta hedhë çështjen poshtë duke i prerë në mes “shpresat e mëdha” të këtyre njerëzve.

1. Hedh në gjyq Michael Jordan se i ngjan
Allen Heckard hodhi në gjyq Michael Jordan në korrik 2006 me pretendimin se kishte kaluar traume emocionale për shkak se i ngjante basketbollistit të famshëm. Ai ngriti padi në Oregon, SHBA dhe kërkoi 832 milionë dollarë dëmshpërblim. Gjyqi nuk ka përfunduar akoma.

2. Ngre padi pasi ngecet në shtëpinë që po grabiste
Në tetor 1998, Terrence Dickinson në Pensilvani po dilte nga shtëpia që sapo kishte përfunduar së grabituri, nëpërmjet garazhit. Ai nuk mundi ta ngrinte portën e garazhit pasi hapësi automatik nuk funksiononte. Ai mbeti i mbyllur një javë aty sepse familja e shtëpisë ishte për pushime. Kështu ai hodhi në gjyq shoqërinë e sigurimeve të pronarit të shtëpisë me pretendimin se situata i kishte shkaktuar gjendje ankthi. Juria ra dakord t’i paguante gjysmë milioni dollarë.

3. Hedh në gjyq shkollën se e quajnë “gei”
Një adoleshent në një qytet të vogël në Kansas Siti, SHBA, pas vitesh të tëra ofendimesh nga shokët e klasës që mendonin se ishte gei arriti të përfitonte 440 mijë dollarë. Marrëveshja u arrit ndërmjet shkollës dhe 18-vjeçarit, Dylan Theno i cili ngrit padi në vitin 2004. Pasi u vërtetua se nuk ishte gei, ai mori dëmshpërblim për dëmin moral që i ishte shkaktuar.

4. Pengohet tek një fëmijë, thyen këmbën
Në janar të vitit 2000, Kathleen Robertson në Teksas mori një dëmspërblim prej 780 mijë dollarësh nga juria e gykatës, pasi kishte thyer kyçin e këmbës kur ishte penguar tek një fëmijë në një dyqan mobiliesh. Pronarët e dyqanit mbetën të habitur nga vendimi duke pasur parasysh se fëmija ishte i zonjës Robertson.

5. Hedh në gjyq pasi e kafshoi qeni, të cilin e ngacmoi vetë
Në tetor të vitit 1999, Jerry Williams mori 14 mijë dollarë shpërblim dhe kompensim për shërbimet mjekësore pasi e kafshoi qeni i komshiut. Qeni ishte në kopshtin e të zotit dhe juria ishte e mendimin se Willimas e kishte provokuar duke i gjuajtur me pistoletë me saçme.

6. Hedh në gjyq restorantin se rrëshqet në lëngun e derdhur
Në maj të vitit 2000, një restorant në Filadelfia mori urdhër që t’i paguante një klienteje 113.500 dollarë pasi ajo kishte rrëshqitur në lëngun që ishte derdhur në dysheme dhe kishte thyer këmbën. Pija ndodhej në dysheme sepse para 30 sekondash viktima ia kishte hedhur në surrat të dashurit të saj pas një zënke.

7. Hedh në gjyq lokalin pasi bie nga dritarja e tualetit
Në dhjetor të vitit 1997, Kara Walton në SHBA hodhi në gjyq pronarin e një klubi nate pasi ishte rrëzuar nga dritarja e tualetit dhe kishte thyer dhëmbët. Ajo ishte ngjitur në dritare sepse nuk donte të paguante shërbimin prej 3.50 dollarësh. Gjykata e dëmshpërbleu me 12 mijë dollarë.

8. Hedh në gjyq kompaninë pasi përplaset
Në nëntor të vitit 2000, një person bleu një makinë-shtëpi “Winnebago”. Ndërsa po ecte në autostradë ai vendosi që të linte timonin e të shkonte në pjesën e pasme për të bërë kafe. Ndërkohë makina-shtëpi humbi kontrollin dhe u përplas. Kështu ai hodhi në gjyq kompaninë pasi ajo nuk e këshillonte në manualin e përdorimit që të mos kryente një veprim të tillë. Si përfundim fitoi rreth dy milionë dollarë dhe një makinë-shtëpi të re.

9. Hedh në gjyq parkun se nuk e paralajmëron për vetëtimat
Shawn Perkins u godit nga vetëtimat në një park në Ohajo, SHBA. Menjëherë ai mori avokatin dhe u gjend në sallën e gjyqit me një padi kundër parkut, ku kërkon dëmshpërblim. Arsyeja? Sepse njerëzit duhet të paralajmëroheshin që të mos lëviznin në kohë me bubullima.

10. Hedh në gjyq fast-food-in se ishte i shëndoshë
Caesar Barber, 56 vjeç nga Nju Jorku është obez dhe për këtë fajëson fast-food-et që, sipas tij, e kanë detyruar të hajë ushqimin e tyre pesë herë në javë. Ai ka ngritur padi kundër “McDonalds”, “Burger King”, të cilit sipas tij kanë përfituar prej tij dhe nuk e kanë paralajmëruar se ushqimi i tyre nuk është i shëndetshëm.

11. Hedh në gjyq shkollën e vjetër se e kishte përjashtuar nga skuadra e bejsbollit
Cole Bartiromo, 18 vjeç u bë milioner në tregun e bursës, por policia federale ia konfiskoi gjithë paratë me pretendimin se kishte mashtruar. Pas kësaj, shkolla nuk e lejoi që të merrte pjesë në skuadrat sportive. Ai e hodhi në gjyq shkollën pasi, sipas tij, ai pretendonte të ndiqte një karrierë si lojtar bejsbolli dhe për këtë kërkon një kompensim prej 50 milionë dollarësh, që i bie të jetë shuma që ai do kishte fituar si rrogë nëse do kishte vazhduar të luante.

12. Prifti hedh në gjyq viktimën se thyen marrëveshjen
Priftim David Hanser ishte ndër të parët priftërinj që u përfshinë në një skandal seksual me të mitur. Në vitin 1990, ai hodhi në gjyq një prej viktimave të tij duke kërkuar një shumë prej 65 mijë dollarësh. Viktima i kishte bërë thirrje kishës që të mos e lejonte Hanser-in që të punonte me fëmijë, dhe ky i fundit e hodhi në gjyq se sipas marrëveshjes ai nuk duhet të fliste për këto gjëra.

13. Hedh në gjyq fqinjin, të cilit po i vidhte
Në qershor të vitit 1998, 19-vjeçari Carl Truman në Los Anxhelos fitoi një shumë prej 74 mijë dollarësh, si dhe mbulim të shpenzimeve mjekësore pasi fqinji i tij i kishte shkelur dorën me makinën “Honda Accord”. Truman s’e kishte vënë re se në makinën, së cilës po tentonte t’i vidhte gomat, ndodhej shoferi.

14. Fle në magazinë, hedh në gjyq punonjësit
Një 44-vjeçare, e cila kishte humbur shtëpinë për shkak të kredisë i vendosi gjithë plaçkat e saj në një magazinë, ku depozitoheshin mallra. Por ndërsa një natë ajo gjendej aty “duke kërkuar për disa letra”, punonjësit, sipas saj kishin mbyllur derën dhe ajo kishte mbetur brenda, duke fjetur aty. Edhe pse juria vendosi se faji ishte i Hudson, vendosi t’i jepte një shumë prej 100 mijë dollarësh.

15. Hedh në gjyq ruajtësen e qenit
Doug Baker, 45 vjeç hodhi në gjyq ruajtësen e qenit pasi kafsha e shtëpisë ishte arratisur. Sipas Baker-it, biznesi i tij falimentoi, pasi gjithë kohën e tij ai ia kushtoi kërkimit të qenit të tij të dashur. Pasi e gjeti qenin ai kërkoi nga ruajtësja e qenit 160 mijë dollarë për humbjet materiale dhe emocionale.

16. Polici vret gabimisht, hedh në gjyq kompaninë “Taser”
Oficerja Marcy Noriega qëlloi për vdekje një të prangosur në pjesën e pasme të makinës duke menduar se po e qëllonte me elektroshok. Pasi kësaj ajo hodhi në gjyq kompaninë e pajisjeve të elektroshokut pasi çdo polic mund të ngatërrojë një pistoletë me një pajisje elektroshok.

17. Hedh në gjyq shkollën për pezullimin 10-ditor
Një nxënës i një shkolle të mesme në SHBA, i cili është edhe atlet ka hedhur në gjyq shkollën, e cila e ka pezulluar për përdorim kokaine. Por në padi, ai pretendon se ia kanë vënë kokainën në hundë. Sipas tij, kokaina i është vënë në hundë në mes të klasës, për shkak të performancës së tij të shkëlqyer akademike.

18. Hedh në gjyq njeriun me të njëjtin emër
Kompania e bejsbollit i pagoi Mark Guthrie, 43 vjeç rrogën, në vend që këto para t’ia jepte Mark Guthrie, 38 vjeç. Kompania i ngatërroi të dy personat me të njëjtin emër dhe i pari pranoi t’i merrte paratë, madje kërkoi një vërtetim me shkrim se nuk do kishte probleme që kishte marrë 300 mijë dollarë më tepër. Por kompania në vend që të plotësonte kërkesën e tij, e hodhi në gjyq.

19. Hedh në gjyq revistën e konsumatorëve
Kompania “Sharper Image”, e cila shet filtra ajri hodhi në gjyq revistën “Consumer Reports” pasi ajo shkruante se këto filtra nuk e kryenin si duhet funksionin e tyre. Kompania u ankua se revista nuk kishte kryer një testim të drejtë. Mirëpo kjo kompani nuk ishte me fat, madje gjykata i kërkoi të paguante 400 mijë dollarë që ishin shpenzimet e gjyqit të revistës.

20. Hedh në gjyq “General Motors”
Edith Morgan, nëna e yllit të futbollit Derrick Thomas, i cili vdiq në një aksident me makinë tha se djali i tij vdiq sepse tavani i makinës u shkëput dhe i ra në kokë, jo sepse makina u rrëzua në autostradë. Ajo hodhi në gjyq “General Motors” dhe kërkoi më shumë se 100 milionë dollarë. Por gjykata nuk e pa të arsyeshme t’i jepte asaj asnjë kacidhe.

21. Hedh në gjyq radion
Tanisha Torres hodhi në gjyq radion “Shack” pasi folësi e kishte gërmëzuar gabim emrin e qytetit të saj në faturën e telefonit. Ajo nuk i kërkoi madje që ta ndërronte, por thjesht ngrit padi. Torres pretendoi në sallën e gjyqi se ishte ndier në siklet dhe i kishte ardhur turp kur kishte parë emrin e qytetit në faturën e telefonit dhe kërkon një shumë të papërcaktuar si dëmshpërblim.

22. Hedh në gjyq kompaninë se nuk jep instruksione për rripin e sigurimit
Mary Ubaudi ishte pasagjere në një makinë që u përfshi në një aksident. Ajo ia hodhi fajin kompanisë “Mazda Motors”, nga e cila ishte blerë makina. Ajo kërkon 150 mijë dollarë dëmshpërblim me pretendimin se kompania nuk ofronte instruksionet e duhura për përdorimin e rripit të sigurimit.

23. Hedh në gjyq David Copperfield
Christopher Roller i cili është i pasionuar pas magjisë ka hedhur në gjyq David Copperfield-in. Në një padi ai i kërkon atij që t’i tregojë sekretet e tij ose përndryshe t’i paguajë dhjetë përqind të fitimeve të tij përgjatë gjithë jetës, të cilat mund të arrijnë në 50 milionë dollarë. Sipas Roller, ai është Zot dhe aftësitë që përdor Copperfield nuk janë të natyrshme, ndaj i përkasin Zotit (Roller).

24. Hedh në gjyq komshinjtë, pasi trembet prej tyre
Dy fqinjë adoleshentë gatuan biskota për komshinjtë e tyre, por akti i tyre nuk u mirëprit. Renea Young u tremb, kur i dëgjoi teksa ecnin në verandën e shtëpisë së saj. Ata i kërkuan falje me shkrim, por Young i hodhi në gjyq gjithsesi duke kërkuar 3000 mijë dollarë. Kur mori vetëm 900 dollarë ajo “bëri namin” nëpër gazetat lokale, ndërsa tani çuditet që i gjithë qyteti nuk e sheh dot me sy.

25. Hedh në gjyq bankën se e lë pa gjumë prej kredisë
Pasi Barnard Lorence tërhoqi më shumë para se ç’kishte në llogari nga banka, u detyrua të paguante me këste mujore borxhin. Kështu, ai vendosi të ngrinte një padi kundër bankës, pasi sipas tij i kishte shkaktuar stres dhe dëshpërim, si dhe prej kësaj kishte humbur gjumin. Me siguri, dy milionë dollarët që ai kërkon, mund t’ia kthejnë sërish gjumin.

26. Hedh në gjyq dyqanin se lejon zogjtë të fluturojnë
Rhonda Nichols thotë se një zog i egër e kishte sulmuar ndërsa sapo kishte dalë nga dyqani i pajisjeve shtëpiake në Illinois, SHBA. Pas këtij incidenti, ajo vendosi se duke qenë se ajo ndodhej pranë dyqani, duhet të ishte ai përgjegjës për “sulmin” e shpendit. Ajo nuk iu ankua dyqanit, por depozitoi menjëherë një padi kundër tij, ku kërkonte 100 mijë dollarë. Çështja u pezullua nga gjykata.

27. Hedh në gjyq kompaninë telefonike
Michelle Knepper gjeti numrin e një doktori në librin telefonik dhe vazhdoi procedurën e operacionit plastik edhe pse ai ishte dermatolog, ndërkohë që asaj i duhej një kirurg plastik. Pasi komplikacioneve, ajo u ankua se një gjë e tillë nuk do kishte ndodhur asnjëherë nëse nuk do e kishte gjetur numrin në bllokun telefonik. Kë hodhi në gjyq ajo? Kompaninë telefonike dhe fitoi 1.2 milionë dollarë.

28. Hedh në gjyq punonjësit që i shpëtuan jetën
Barbara Connors, ndodhej në një makinë, të cilën po e ngiste dhëndri i saj 70-vjeçar kur makina ra në lumin e Konektikatit, SHBA. Polumbarët mbërritën menjëherë në vendngjarje duke i shpëtuar jetën, por Connors pësoi dëmtim në tru për shkak të zhytjes në ujë. Kë duhej të hidhte në gjyq? Shoferin? Sigurisht jo. Punonjësit e shpëtimit ishin objektiv më i arsyeshëm.

29. Hedh në gjyq dyqanin për shkak të ngjitëses në tualet
Bob Dougherty hodhi në gjyq dyqanin “Home Depot” pasi dikush kishte vënë ngjitëse në tualet. Por kjo shaka nuk rezultoi e këndshme për Dougherty, i cili pësoi dëmtime nga ngjitje. Edhe pse ai u shpreh se ky nuk ishte faji i dyqanit, “Home Depot” i ofroi dy mijë dollarë. Dougherty u shpreh se oferta ishte “fyese” dhe ngrit padi, ku kërkonte 3 milionë dollarë.

30. Hedh në gjyq spitalin
Tre motrat Bird hodhën në gjyq doktorët e një spitali pasi ato kishin parë doktorët që shkonin me nxitim në dhomën e së ëmës. Kjo, sipas tyre u kishte shkaktuar atyre stres të madh pasi kishin menduar se diçka nuk po shkonte si duhej me shëndetin e nënës së tyre. Gjyqi zgjati për shumë kohë deri sa mbërriti në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, e cila vendosi ta hidhte çështjen poshtë. (“TO”)

Prizren: Kërcënon ish-bashkëshorten, arrestohet nga policia

0

Një person në Prizren, ka kërcënuar  ish-bashkëshorten e tij. Policia njofton se i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar një i dyshuar  pasi që  i njëjti e ka kanosur dhe shqetësuar  ish- bashkëshorten e tij”, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar  në mbajtje./PrizrenPress.com/

Prizren: Plagos veten me armë gjuetie

0

Një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në spitalin rajonal Prizren për trajtim mjekësor, pasi që i njëjti nga pakujdesia është plagosur me armë gjuetie.

Sipas Policisë, arma me 5 copë fishkët e të njëjtës armë është konfiskuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Një person tjetër është arrestuar në Prizren, pasi që i njëjti e ka kanosur dhe shqetësuarish bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Masakra e Elbasanit, për drogë

0

Masakra e Elbasanit që tronditi opinionin publik për shkak të sipërmarrjes së atentatorëve për të shuar gjithë burrat e një fisi, po shkon drejt misterit. Hetimi është shpërndarë në disa pista tashmë, meqë fiset në hasmëri me Çapjajt kanë nisur të përjashtohen një e nga një. Policia e Prokuroria kanë në duar një mori të dhënash kontradiktore në lidhje me dyshimet e para që u demonstruan edhe me kontrolle banesash, ndërsa bëhet me dije se në fokus është edhe pista e prishjes së pazareve të drogës.

Grupi hetimor është konfuz për sa iu përket të dhënave që bëjnë publike, paçka se ende nuk janë përcaktuar elementët kryesor që duhen për të vijuar hetimin e asaj masakre me tre të vdekur dhe me 8 të plagosur. Policia ka në duar, veç të tjerave, edhe historitë personale të të gjithë personave që kanë qenë shënjestra e atij atentati, ndërsa bëhet me dije se familjet me konflikte të njohura me fisin Çapja, nuk janë gjendur të dyshuar në asnjë lloj drejtimi për masakrën. Sipas informacioneve, bëhet me dije se janë hetuar intensivisht të gjithë të dyshuarit, anëtarë të familjeve Mema dhe Meta dhe ka rezultuar se asnjë nuk është gjendur i dyshimtë në lidhje me vrasjen. Për këtë shkak, policia ka shtuar pistën e përplasjeve për pazare të prishur në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe në disa shtete të Europës.

Pazaret e prishura

Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se janë një sërë informacionesh që lidhin disa persona nga pala e dëmtuar edhe me trafikun ndërkombëtar të drogës. Madje policia ka sjellë në dosje edhe një dënim të viktimës Eno Bedalli, djalit që u vra në sulmin e së martës, ndërsa ai rezultonte të ishte një prej personave të skeduar dhe të dënuar nga policia italiane për trafik kokaine ku ishte edhe arrestuar në veri të Italisë. Njëkohësisht bëhet me dije se është prokuroria që ka hapur një sërë dosjesh që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike ku janë të përfshirë edhe elementë kriminalë nga Elbasani. Grupi hetimor ka kërkuar tabulatet telefonikë të të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm në lokalin e viktimës, Agron Çapja, për të verifikuar nëse kanë patur ndonjë kërcënim kohëve të fundit, pasi të mbijetuarit nuk kanë dhënë asnjë detaj për të ndihmuar vijimin e hetimeve.

Njëkohësisht, një tjetër ndihmë e madhe në favor të atentatorëve janë edhe mosfunksionimi i kamerave te lokali dhe te shtylla që gjendet përballë lokalit. Policia saktëson se kanë qenë plumbat që kanë nxjerrë jashtë funksioni serverin e për pasojë nuk është bërë e mundur të mbetet asnjë shenjë nga autorët e masakrës. Megjithatë policia dhe prokuroria kanë krijuar një ide për mjetin e tyre dhe mësohet se edhe përgjatë së djeshmes kanë vijuar kontrollet nëpër garazhe, banesa dhe biznese private.

Trafiku i drogës

Grupi i hetimit mësohet se ka kërkuar informacion edhe nga policitë e vendeve fqinje ku shqiptarët vijojnë të kenë influencë të madhe në trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht atyre të forta. Duke patur parasysh faktin se Elbasani është edhe një pikë kryqëzuese, ku jo më lart po një vit më parë u bë edhe një prej zbulimeve më të mëdha të posedimit të kokainës, grupi hetimor nuk ka përjashtuar nga hetimi as këtë pistë, ku dyshimet shkojnë deri në një rivalitet mes bandash për ndonjë zotërim linjeje të re apo edhe të vjetër. Policia mohon në mënyrë kategorike të bëhet fjalë për trafik droge dhe prishje pazaresh në këtë linjë për shkak të luftës që policia i ka shpallur këtij fenomeni në të gjithë vendin. Burimet policore tregojnë se gjithçka që është e dyshuar në historinë e frikshme të asaj ngjarjeje lidhet vetëm me hasmëritë e shumta që ka ajo familje. Policia, në fakt, ka të listuar vetëm pak ngjarje si të zbardhura, pasi të gjitha vrasjet pa autor që iu vihen si autorësi e dyshuar familjes Çapja, asnjëherë nuk janë vërtetuar me fakte dhe prova.

Kontrollet dhe shoqërimet, qytetarët refuzojnë policinë

Atentati me 3 të vdekur dhe me 8 të plagosur vijon të mbajë mbërthyer për këtë ngjarje ekspertët më të mirë të Krimeve të Rënda, ndërsa RENEA dhe FNSH-ja vijojnë kontrollet në terren në bazë të urdhrave që lëshon grupi hetimor. Sipas të dhënave zyrtare saktësohet se qytetarët, si rrallë në ngjarje të rënda, nuk kanë bërë telefonata dhe as nuk kanë qenë fare bashkëpunues, ndonëse shifra e hedhur për informacion të saktë është jo e vogël. Bashkëpunimi i vetëm që është bërë i mundur të arrihet deri më tani ka qenë se në asnjë banesë, biznes apo garazhe ku ka mbërritur [policia për kontrolle, banorët e Elbasanit dhe të rrethinave nuk kanë hezituar t`iu hapin dyert dhe t’u vënë në dispozicion të gjitha hapësirat e mundshme për të kryer kontrolle. Vijojnë kërkimet në terren, ndërsa një sërë strukturash, pretendohet se janë futur në punë për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, edhe pse deri më tani, nuk ka asgjë konkrete./shekulli/

Ilir Shaqiri publikon romanin “Lemza e dheut”

0

Forca e shkrimit të zemrës

Është këngëtar i njohur, që me këngët e tij frymëzon publikun shqiptar. Ilir Shaqiri është ikonë e muzikës së vlefshme, këngëve me kushtrim, këngëve që u bënë thirrje, motiv, frymë për popullin.

Shaqiri, shumë nga tekstet e këngëve të tij i ka shkruar edhe vetë, duke treguar aftësinë e të menduarit thellë, e të shkruarit bukur.

Shaqiri, tashmë po hedh hapat e tij edhe në letërsi. Është e dukshme dëshira e tij për të mos u imponuar, e kësaj i jep vulë edhe fakti se romanin “Lemza e dheut”, nuk e promovoj nën prezencen e gazetarëve, kamerave e publikut. Megjithatë, ndonëse sapo e ka parë dritën, libri i dytë i Shaqirit menjëherë ka nisur të komentohet në qarqe të ndryshme.

Tutje po e publikojmë komentin e shkrimtarit të njohur arbëresh Zef Kakoca, rreth romanit “Lemza e dheut”.

Një ndërgjegjësim i paparë dhe një proces identifikimi

Arti është gëzimi I ZOTIT. Kënga na jep shpresë, poezia bart emocionet, proza bart fantazinë.

E kam njohur Ilir Shaqirin një pasdite të zakonshme dhe krejt papritur, që me sa dukej ishte udhëtar në kërkim të një identiteti rrënjor misterioz këndej nga katundet tona, me një qetësi të lashtë, me sy e vështrim të thellë, që dukej të ishte vetvetja. E pata njohur si këngëtar dhe kisha krijuar ndjenjën që zotëronte një zë të magjishëm dhe të mrekullueshëm. Kam lexuar Tan Temalin e tij, kam dëgjuar këngën e tij, zërin e tij, dhe, që atëherë e ndjeva veten vëlla shpirtëror me të. U fundosa në magjinë tregimtare të Ilirit dhe e lëshova veten “në krahët” e dashnores që quhet libër!

Ta lexosh Ilir Shaqirin, do të thotë që ke ndërmarrë një udhëtim dëshirues për të jetuar, sepse, autori vë në dispozicion të lexuesit mundësinë për t’u ndier pjesë e personazheve, madje, bëhesh bashkudhëtar me ta, bëhesh mish e kockë me vetë personazhet.

LEXO EDHE
Ilir Shaqiri: Europa ende na ka borxh… (Video)
Egoja dhe krenaria personale e Ilirit, në pajtueshmëri të plotë me krenarinë e kombit të vet, aq sa, që limfa atdhetare dhe ndjenja patriotike bëri të mundur që në të gjitha hapësirat arbëroretë valëvitet Flamuri kuqezi, deri në kulmin e vet të vitit 2012, kur kremtohej 100-vjetori i ngritjes dhe i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dyert e romanit hapen bindshëm me përshkrimin e sistemeve të shpërdoruara të shekullit që lamë pas, ku e ku edhe të këtij fillimshekulli, sisteme që copëtuan e ndanë territoret ballkanike, duke ndarë e grabitur padrejtësisht territore etnike, duke i marrë frymën gjuhës, traditave, ideve, interesave fqinjësore, duke mbytur e marrë jetë, duke vrarë ëndrra e shpresa për një jetë të vërtetë njerëzore, duke kaluar në fermentim ideologjik, që shpërthyen më pas në vitet ’80-90, kur bëhej gjenocid në mes shfarosjes e lotëve, deri në luftën e pamëshirë që kishte vetëm qëllim të mbrapshtë të zotërimit të pavarësisë dhe të demokracisë së popullit shqiptar kudo ishin ata, në Jugosllavi, në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo, deri në vitet e tanishme, ndonëse me kontradikta për jetë a vdekje, ku shquheshin shqiptarët për komb liridashës e paqësor. Pa dyshim që bëhet fjalë edhe për të drejtat e munguara të etnisë shqiptare ndër shekuj nga zaptuesit serbosllavë, por, që, më në fund, një qëndrim i fortë i bashkimit solli realizimin e ëndrrës së lirisë për shqiptarët në shumicën e trojeve të veta!

Udhëtimi përmbyllës i kthimit

me një fund fantastik

Protagonistët e këtij romani të dytë, të mrekullueshëm, të Ilir Shaqirit, me një titull kuptimplotë “Lemza e dheut”, për të ekzaltuar e më saktë për të rindezur transformimet, janë vetë njerëzit, burrat e gratë aktive në këtë lëvizje madhore; jetojnë, veprojnë, kalojnë së bashku frymëmarrje zemrash, duke ecur në vazhdën e një tradite të paparë solidariteti, me një kulturë të hekurt, që takohen e veprojnë si një fill shpirtndezur, unik, duke mbajtur në bagazhet e tyre ëndrrën e rikthimit, të ringjalljes, e rivlerësuar gjithmonë në kërkim të ringritjes madhështore. Më ngjan sikur po rishikoj personazhet e Jack Kerouacit, duke dëgjuar zërin e Bob Dylanit, duke grumbulluar e zgjedhur “valixhet e tejfryra, që zvarriten nëpër trotuare, duke na kujtuar që ka ende shumë rrugë për të bërë.” Ikje, largime, riikje e udhëtime me ndalesa të çuditshme, të vendosur si ikanakë të pa hamendur për t’u rikthyer, aspak si hije, por si gjurmë të lashta që rikthehen prej nga janë larguar.

Katër sekuenca madhore që ndërlidhen përgjatë tregimit e prozës, udhëtimi drejt Prespës, udhëtimi drejt Oslos, udhëtimi drejt Arbërisë së Kalabrisë dhe së fundi udhëtimi përmbyllës i kthimit me një mbyllje fantastike që mëshirohet në Këngën triumfale të rilindjes, janë kulmi estetik i ndërtimit të kësaj vepre.

Sekuenca më e gjatë dhe tepër e ndjeshme, herë-herë e dhimbshme, është, pikërisht, ajo që i kushtohet zbulimit të identitetit arbëresh! Magjia e pjesës që nga Prespa, me aromën e shijen e mollëve vendëse e të verës së kuqe të tokave shqiptare të Kalabrisë, ku, bashkë, në vijim, përgjatë të gjithë romanit, ndihet frymëmarrja ku bashkëjetojnë ndjesitë e përbashkëta, materializohen emra të mëdhenj të letërsisë arbëreshe.

E, kështu, përgjatë të gjithë romanit ndihet frymëmarrja harmonike e një kulture të gjallë dhe aktivisht vepruese, pa marrë parasysh “gërryerjet e kohës”, të një etnie qindravjeçare, me aromë dhe tradita të vlerave madhore.

Vazhdon kështu nëpër faqet e romanit një ndërgjegjësim i paparë dhe një proces identifikimi, qoftë për tingujt e përbashkët muzikorë, etnikë, simbolikë, metaforikë, shprehje gjuhësore të njëjta, fjalë të urta, njohje e rrënjëve të kombit, deri në atë që nuk është shkruar nga askush më parë; kënga dhe tregimi i një “vajzuke” që tregon virgjërinë e saj dhe jo fillimin e një fundi. Dalin në dritë figura deradiane, që vlerësohet e njihet si Rrezepari i letërsisë shqiptare, frymëzues i unitetit kombëtar dhe poet evropian krejt i veçantë. Pasqyrohen me një stil tregues, shumë të pasur, takimet midis komuniteteve arbëreshe, bukuria arkitekturore e katundeve arbëreshe, veshjet kombëtare, riti religjioz bizantin, artistë si Hevzi Nuhiu dhe poetë si Vore Ujku e Zef Kakoca, për ta kremtuar një anë shpirtërore të pandërprerë, që vijon pafundësisht në agun e një mëngjesi të thjeshtë e të vërtetë që bashkon njerëzit, për ta forcuar thënien emblematike të një bariu “ura është bashkëshortja më e mirë”, ura është miku më i mirë në jetë.

Kultura e rrugëtimit shekullor

Aroma deradiane pushton pjesën më të madhe të romanit, që peshon më tepër nga poezia sesa nga proza, në fakt, të një romani poetik, ku shfaqen personazhe dhe klithma nga mitologjia klasike shqiptare, njohuri historike e letrare që Ilir Shaqiri i vendos hijshëm në këtë roman; skena kinematografike të jashtëzakonshme, ngjyra të fuqishme të panelit nga vepra që autori i sjell bindshëm nga e shkuara tek modernia.

Emrat e personazheve, gdhendja mjeshtërore e karaktereve të tyre; se si ata flasin, se si ata komunikojnë, se si ata sillen, se si ata veprojnë; emërvendet, fjalëformimet, narracioni, bukurtingëllimi i gjuhës arbërore, ritet e lashta përmbajtjesore e kuptimplote, janë qëllimi estetik i autorit, që sjell të bukurën rrezelarë para nesh.

Ilir Shaqiri i tregon botës, me një kurajo shumë të madhe, udhën e pasosur edhe kur ajo merr flakë para syve tanë, duke i vënë në sfida të çuditshme personazhet, në lëvizje të përhershme, në çdo moment, duke manifestuar fuqi të jashtëzakonshme të udhës që ndjek si autor. Çdo udhëtim është një tejlodhje, vuajtje, dëshirë për t’u rikthyer, nostalgji, dhimbje, njohje e të kundërtave, përvojë, ndrydhje, dëshirë për t’u integruar, mite, formim, shpresë, shpëtim. Autori e di shumë mirë, e sjell bindshëm para nesh atë që populli historik shqiptar e ka në mbamendjen e tij, kulturën e rrugëtimit shekullor. Ikje që na e bën “gjakun të shprishur”, rikthim me vlera që na bashkojnë e nuk na ndajnë kurrë, si BESA që e dha Konstantini dhe përballoi “7 male kaptuar e 7 dete kaluar”, ama, e solli Doruntinën, që kaloi të gjithë kufijtë njerëzorë e jetësorë, duke sjellë jo vetëm motrën e vet, sipas fjalës së dhënë, por, për ta vërtetuar thelbin e Fjalës së Dhënë dhe mbajtjen e saj.

Qëllimi për t’ua paraqitur veprën e vet lexuesve, pikëpamjet filozofike, pikësynimet e krijimit të asaj që quhet “shija e krijimit” e që, rrjedhimisht, pashmangshëm bëhet tepër përshtypjebërëse para lexuesve të vëmendshëm, është një aromë mollësh që qëndron midis dhuntisë së autorit dhe bukurisë së veprës, midis të bërës e të thënës, që në fund të fundit, mundi “shpërblehet” jo vetëm me dëshminë e talentit të Ilir Shaqirit, por, edhe të asaj që ne e quajmë rigjetje të identitet rrënjëthellë shqiptar!

Po ju lë kohën për ta lexuar e shijuar këtë roman të Ilir Shaqirit, duke e mbyllur me fjalët e Gustave Floberit: “Mos lexoni si vogëlushët e kalamajtë për t’u dëfryer, apo si bëjnë mjekët për t’u instruktuar! Jo! Lexojeni për të jetuar!…” Jo vetëm që leximi të jep kënaqësi, jo vetëm sepse do të mësojmë shumë nga leximi i këtij romani, por, ende më tepër, sepse do të na shërbejë për të jetuar edhe më krenarisht për atë që jemi dhe për të ecur përpara në jetë si protagonist, sepse, kjo është dhurata më e bukur e Zotit.

E, kush e harron nuk jeton më…./Kosovarja/

Jahjaga e vonuar, vetëm zgjedhjet e shpëtojnë Republikën

0

“Nëse shkohet në zgjedhje, opozita duhet të tregojë që ka mendësi ndryshe për të qeverisur, në mënyrë që t’ua kthejë shpresën qytetarëve të mashtruar dhe të zhgënjyer të këtij vendi. Duhet të bëjë një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediet për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe ecjen përpara”, thotë analisti Faik Krasniqi

Vetëm zgjedhjet e reja e janë alternativë e vetme për të dalë nga kriza e thellë institucionale. Ftesa e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, është e vonuar, dhe se bisedimet nuk mund të prodhojnë asgjë tjetër, pos marrëveshje për shkuarje në zgjedhje të reja. Pa dyshim se nëse shkohet në zgjedhje të reja, ka gjasë që opozita të shkojë me një listë të përbashkët, me të vetmin qëllim që t’i fitojë zgjedhjet. Por, për t’i fituar zgjedhjet, në listë do të duhej të futeshin edhe kandidatë me reputacion nga shoqëria civile dhe të pavarur. Vetëm një qeveri me mendësi ndryshe mund t’ua kthente shpresën qytetarëve të këtij vendi, e cila do të zotohej të vinte drejtësi dhe do të qeveriste pa korrupsion. Analisti Florim Zeqa shprehet se të flasësh për ftesën e vonuar të presidentes Jahjaga, është njësoj sikur të flasësh për himnin pa tekst të shtetit të Kosovës.

“Çdo gjë është e pavlerë dhe e pashpresë, për të besuar tutje në një dialog të mundshëm mes pushtetit dhe opozitës, dhe atë për shumë arsye që tashmë janë të njohura për opinionin e gjerë publik në Kosovë. Që nga zgjedhjet e vitit 2007 e këndej, asnjë Qeveri e Kosovës nuk del me legjitimitet të plotë zgjedhor, shkaku i mosdaljes së elektoratit në zgjedhje në njërën anë, ndërsa në tjetrën edhe shkaku i vjedhjes industriale të votave dhe kontrabandimit të vullnetit të elektoratit nga ana e liderëve partiakë”, thotë ai.

Zeqa: Kjo Qeveri nuk e ka mandatin politik të mbi 65 % të elektoratit

Zeqa mendon se koalicioni aktual, edhe pse i ka numrat në Parlament, nuk e ka as minimumin e legjitimitetit qytetar për të qeverisur tutje me vendin. “Dëshiroj ta ilustroj me një shembull të thjeshtë: nga më pak se 50 % e (47-48 %) qytetarëve të dalë në zgjedhjet e fundit nacionale të 8 qershorit të vitit 2014, vetëm 30 % e tyre, elektorati i PDK-së kanë votuar për vazhdimin e qeverisjes aktuale. Mbi 25 % e elektoratit të LDK-së, në të cilin padrejtësisht dhe në mënyrë abuzive thirret lideri i saj, kishin votuar për ndryshim dhe kundër vazhdimit të keqqeverisjes së vendit, kur kësaj i shtohen edhe përqindjet e partive të tjera shqiptare dhe joserbe, që votuan PRO ndryshimit qeverisës në vend, atëherë na del argumenti bindës se kjo Qeveri nuk e ka mandatin politik të mbi 65 % e elektoratit kosovar për të shkuar tutje me qeverisjen e vendit”, mendon ai. Sipas Zeqës, alternativa e vetme e daljes nga kriza politike dhe e shpëtimit të vendit nga më e keqja, janë zgjedhjet e reja. Edhe për politologun Shefqet Dibrani zgjedhjet e jashtëzakonshme janë alternativë që duhet konsideruar.

“Ftesa e presidentes është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Një gjë më ka befasuar se si presidentja gjatë tërë mandatit të saj i ka duruar këshilltarët, që historikisht kanë qenë kundërshtarë të demokracisë dhe të koncepteve euro-amerikane, prandaj roli i saj ka qenë i zbehtë, ashtu siç mbetet e zbehtë tërë karriera publike e këshilltarëve të saj. Një gjë shqetësuese është mënyra e votimit me vetëm një zonë zgjedhore, e cila ua mundëson oligarkëve politikë të zgjidhen pa asnjë pengesë. Po ashtu për diskutim listat e kandidatëve, të cilat nëse nuk pastrohen nga elementet kriminale, nga të gjithë emrat e dyshuar për krime, për korrupsion dhe duhet të eliminohen edhe ata që kanë humbur zgjedhje dhe nuk respektojnë demokracinë për t’u tërhequr e kështu e radhë, zgjedhjet nuk sjellin gjë të re, përveç riciklimit të kësaj garniture, e cila e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje ku është”, mendon ai.

Pothuajse i gjithë pushteti i akuzuar!

Shefqet Dibrani mendon se është e trishtueshme, kur pothuajse të gjithë udhëheqësit e shtetit po akuzohen për shkelje të ndryshme. “A ka fatkeqësi më të madhe për një vend sesa kur kryeministri dhe gati të gjithë ministrat akuzohen për keqpërdorim dhe krim politik e ekonomik. Pastaj kryetari i Parlamentit, heronjtë e luftës e të paqes, të cilët i kanë përvetësuar kurorat e lavdisë, janë në ato lista, ndërsa deputetët dorëzojnë mandatin e deputetit për të shkuar në burg për krime politike e ekonomike dhe avazi vazhdon nëpër komuna, ku kryetarë të tyre janë në burgje për keqpërdorime politike e ekonomike, ndërsa komunat i presin kthimet e tyre./kosova sot/

Ushtria ‘pa emër’

0

Kosova po mbush tetë vjet shtet, por ende mbetet ligjërisht pa ushtri e që është njëra nga shtyllat bazë të pavarësisë. Por ndonëse jo me emër, Forca e Sigurisë së Kosovës vepron sikurse ushtritë e vendeve tjera.

Pjesëtarët e kësaj Force shkollohen dhe trajnohen sipas standardeve të Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s, ndërsa brenda kazermave të saj jeta rrjedh sikurse në ushtritë moderne të shteteve demokratike.

FSK-ja ndonëse me Kushtetutën e Kosovës nuk është ushtri, ajo tashmë ka plotësuar kriteret për të marrë një mision të ri sikur ushtritë e vendeve të tjera. Mirëpo, politika vazhdon ta vonojë procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të marrë përsipër misionin e ushtrisë së Kosovës tregon fakti i shkollimit dhe i trajnimit që bëhet në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

Ekipi i “Zërit” ishte në Qendrën e Stërvitjes Kolektive në KDS, në Ferizaj, për të parë nga afër se si përgatiten kuadrot e reja ushtarake sipas doktrinave të NATO-s nga niveli i togut e më lartë.

Kapiten Avni Bunjaku tregon se Qendra e Stërvitjes Kolektive ka për mision vazhdimin e kontrollit dhe vlerësimin e trajnimeve kolektive që realizohen në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës…/zeri/

Filmi “Shok” për Pavarësi shfaqet në New York

0

Filmi “Shok”, i regjisorit anglez Jamie Donoughue, që gjatë muajit të kaluar u nominua për çmimin Oscar, me 17 shkurt, në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të shfaqet në New York.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, në rrjetin social Twitter, ka shkruar se me 17 shkurt filmi “Shok” do të shfaqet në Muzeun e Arteve Moderne (MoMA), në New York, transmeton Klan Kosova.

Filmi “Shok”, ka marrë nominim për kategorinë si filmi më i mirë i shkurtër nga Akademia e Filmit Oscar.

Ky projekt filmik me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë ndërsa xhirimet janë realizuar në muajin nëntor të vitit 2014 në Shalë të Bajgorës.

Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film luajnë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar, do të mbahet me 28 shkurt.

Vetëm media kritike është e pavarur dhe e lirë

0

Nga Skënder S.KAPITI

Vetëm mediat kritike dhe shkrimtarët, intelektualët dhe filozofët e guximshëm dhe kritikë nuk mbrojnë të këqijat dhe nuk ndoten nga pisllëku i politikës së pamoralshme dhe nuk shiten nga interesi.Askush nuk mundet sot t’i shpëtojë monitorimit dhe kontrollit kritik, e sidomos personat dhe institucionet publike që financohen nga taksat e popullit dhe sidomos sidomos ata që abuzojnë, vjedhin e grabisin paranë publike dhe që bënjë tradhëtinë e interesave kombëtare.Nuk mund të prëtendojë asnjë media se është e lirë, e pavarur dhe roje e demokracisë po nuk qe opozitë e pushtetit dhe kritike ndaj tij dhe e të këqijave të realitetit që vijnë për shkak të tij.

E ndjek median, sigurisht më shumë atë të shkruar ku aty gjen vend ajo të cilën filozofi më i madh i modernitetit Immanuel KANT e quan “Liria e penës”, pasi media vizive më shumë reklamon veten dhe jep informacione te interesit të vet si bashkëpunëtore e politikës dhe pazareve me bizneset, është videopushteti që manipulon dhe selekton informacione sipas deshires se politikës dhe pushtetit. Te mediat e lira e të pavarura qejanë shumë pak pothuaj nje televizion si “New 24” p.sh., 2-3 gazeta në Shqiperi, dhe shumica e tyre jane jasht Shqiperise, dhe fatmiresisht që ka të tilla, si media kritike dhe edukative qe e ruajne demokracine dhe qe mundesojne ta shohim realitetin më realisht dhe sipas këndvështrimeve të ndryshme dhe të lira, si gjykim dhe vleresim që vjen nga intelektualë të ndryshëm të cilët ashtu si dhe keto media i përshendes dhe i respektoj shumë. Por kritika e vërtetë intelektuale që i mundësohet mundësia që të paraqitet në media, moralisht si e tillë, kundërshtarin më të madh sot ka politikën kunderdemokratike dhe te korruptuar, së cilës nuk i pëlqen kritika e të tjerëve por vetëkritika mashtruese e djallëzore e saj për gjëra të vockla e të parëndësishme.

Sot pothuajse politika ka pëvetësuar gjithçka, pasi merret me gjithçka dhe pretendon se zgjidh gjithçka, madje pretendon që edhe të shkuarën mund ta ndreqë politikisht ajo. Ky është banaliteti dhe mashtrimi më i madh i politikës. Prandaj është e domosdoshme kritika intelektuale e guximshme dhe e moralshme, mendimi kritik i pakorruptuar i saj për t’ju kundërvënë fuqisë së pushtetit të politikës e cila e fsheh të vërtetën , të drejtën dhe realitetin duke hipokrizuar me djallëzi se gjoja po ndjek modën demokratike. Kritika, kuptohet jo kritika negative, dhe jodashakeqëse, dhe jodjallëzore i shërben emancipimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe lirisë, dhe që askush nuk mund të jetë i përjashtuar dhe i pakritikueshëm, pasi askush dhe asnjë njeri nuk është i pagabueshëm, i paanshëm dhe i pandikueshëm nga jeta, shoqëria dhe nga interesi i vet. Edhe ai që filozofon dhe që është i dijshëm dhe që kritikon, edhe ai, edhe veprimtaria e kritika e tij do të gjykohet dhe do të kritikohet. Kritika është rruga filozofiko-intelektuale që ka bërë dhe i hap rrugën lirisë së vërtetë dhe çmitizimin, çdogmatizimin dhe rënien e prestigjit dhe kulteve të rrejshme, të pamerituara dhe të mashtrimeve.

Edhe heronjtë sado të mëdhenj që të jenë ata nuk janë shenjt dhe të pagabueshën, sepse gabimi është i pashmangshëm për natyrën njerëzore, dhe po nuk njohëm gabimet, si ato personale po dhe ato të të tjerëve do të binim lehtë pre e fanatizmit, servilizmit dhe nënshtrimit që janë vese shumë të ulta sidomos për intelektualizmin. Jo shumë kohë na ndan kur intelektualizmi shqiptar ishte pronë dhe në shërbim krejtësisht të politikës dhe indoktrinimit ideologjik komunist, duke përfshirë mediat, po se po, po edhe artistët, shkrimtarët dhe akademikët e Realizmit Socialist dhe të lartësimit të kultit të Diktatorit E.Hoxha. Një prej tyre dhe më kryesori ishte dhe I.Kadare, të cilit nuk mundet askush t’ja pastrojë dhe fshijë biografinë letrare meritore të realizmit socialist, as këta politikanët, artistët , shkrimtarët e bashkëkohësit e vet, ashtu sikurse edhe nuk mundet t’i mohohet veprimtaria letrare e paskomunizmit.

E mora si shëmbull Kadarenë se ashtu është pothuajse tërë moria intelektuale e Epokës së Regjimit Komunist se kushdo qoftë ai që i ka shërbyer me zell shpirtëror dhe intelektual atij regjimi nuk mund t’i shmanget kritikës së kohës sepse rrjedha e saj të bën gjykimin, dhe kushdo që i ka shërbyer politikës dhe regjimit të keq, të paktën edhe ai është njollosur bashkë me regjimin, dhe askush nuk mund t’ja fshijë njollosjen intelektuale të veprës së tij, por shoqëria mund t’ja falë mëkatin këtij intelektuali dhe bashkëkohësve të tij nën “Justifikimin” e kushteve që ja kane imponuar të shërbejë shërbëtori dhe shërbëtorët e tjerë intelektual të ish-Regjimit. Të tillë intelektualë servilë e puthadorë të pushtetit dhe media të tilla ka edhe sot në Demokraci, që i bëjnë fresk çdo ndërrimi të pushtetit qoftë edhe për një interes të vogël personal, gjë që konstatohet me shumë lehtësi sot në Shqipëri, ku një shumicë mjaft e konsiderueshme e intelektualëve sidomos e ata me formësim nga ishkomunizmi dhe trashëgimtarët e tyre, tërë media vizive dhe e shkruar pothuajse, me pak pëjashtime janë blerë dhe janë zgjatime e zëdhënës të politikës.Nuk janë media të lira, të pavarura, kritike e opozitare kundër të këqijave ato media të cilat i mbyllin ekranin dhe botimin e analizave dhe opinioneve qoftë nga egoizmi dhe xhelozia intelektuale po edhe pse ato kane ndonjë paragraf apo ndonjë rrjesht që nuk i pëlqen pronarit, redaktorit apo që i ka prekur politikanin apo politikën e “zëmrës” së tyre. Pasi unë njoh individe prej mediave të shkruara e të pavarura të pakta në Shqipëri dhe të shumta jashtë saj: profesorë, shkrimtarë, poetë , akademikë dhe intelektualë e profesionistë të talentuar që politika i ka privuar ata nga aktiviteti politik, por që po nga ndërhyrja e politikës ju ka pamundësuar edhe promovimi i tyre dhe i veprave të tyre letrare dhe akademike, shkencore dhe politike edhe nga media shtetërore po se po , por edhe nga ato media që me demek e mbajnë veten private dhe të pavarura nga politika dhe pushteti.

Por, çdo epokë, sistem e regjim dhe personalitet e personazh historik, politik, akademik, letrar, publik të çdo kohe gjithnjë do t’i nënshtrohen gjykimit dhe kritikës sidomos gjatë kohes në të ardhmen dhe askush nuk është jasht vëzhgimit, hetimit madje as edhe paragjykimit. Në fund të këtij shkrimi të shkurtër them se media kritike, kritika dhe kritika e kritikës pozitive intelektuale duke përjashtuar egoizmin negativ dhe xhelozinë intelektuale, që mundësohen dhe këto të publikohen në median e lirë dhe të pavarur janë shërbëtorët dhe rojtarët e së mirës, progresit, demokracisë dhe të patriotizmit. Askush nuk ka në pronësi kritikën e pakritikueshme, dhe çdo kritikë do të përballet me kritikën kundër saj. A nuk ishte komunizmi një ideologji që nuk lejonte dhe nuk pranonte ndryshimin dhe kritikën, dhe si i tillë premtoi parajsën tokësore dhe kokëfortësia, dhe fanatizmi ideologjik i “pagabueshmerisë” dhe genjeshtra e tij solli sketerrën, dhe sot koha e pas tij është dhe vazhdon t’i bëjë ish-komunizmit gjykimin dhe kritikën më të madhe në histori për pasojat rrënimtare që i ka sjellë ai njerëzimit dhe sidomos shoqerise shqiptare.

Skënder S. KAPITI
Durres