7.5 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6845

Samir Hoxha dhe Vesel Hoxhaj janë dy zyrtarët e Prizrenit që po hetohen nga Prokuroria

0

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha dhe kryesuesi i Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, Vesel Hoxhaj janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Express merr vesh se këta dy zyrtarë po hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit e Shtëpisë dhe Hanit të Mullafazlive në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër dy të dyshuarave. Express merr vesh se bëhet fjalë për Samir Hoxhën dhe Vesel Hoxhajn, të cilët janë bartës të institucioneve në këtë komunë.

Gazeta Express ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha, i cili ka thënë se ata po dyshohen për keqpërdorim zyrtar. Ai ka shtuar se rasti ka të bëjë më Shtëpinë dhe Hanin e familjes Mullafazliu.

“Dy të dyshuarit janë duke u hetuar për rrënimin e shtëpisë së familjes Mullafalziut. Të pandehurit dyshohen se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare” ka thënë Hoxha.

Samir Hoxha dhe Vesel Hoxhaj dyshohen për veprën penale se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, apo që t’i shkaktoj dëm një personi tjetër.

Hani i familjes Mullafazliu, një prej objekteve të rralla në Prizren, kaloi më 2 gusht të këtij viti në pronësi të një biznesmeni të shitjes së tekstilit. I njëjti e rrënoi atë. Pas kësaj Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj rrënuesit.

Sali Berisha u mëshon Kurtit, Haradinajt dhe Limajt: Dilni në mal, mos gjuani bomba në Parlament

0

Në fjalën e tij në Kuvend ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka komentuar edhe ngjarjet e fundit në Kosovë. Deputeti demokrat është shprehur se, Tirana zyrtare nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kosovës dhe se qeveria duhet të bashkëpunojë me Prishtinën pa dallime partiake.
Sipas tij, marrëveshjet janë tashmë në Gjykatë Kushtetuese dhe duhet pritur vendimi i saj.

“Kërkoj ndërprerjen e menjëhershme të ndërhyrjes së Tiranës zyrtare
në punët e brendshme të Kosovës. Cilido të jetë në pushtet në Kosovë, ne
në vlerësimin tim më të madh jemi të detyruar të destinuar të
bashkëpunojmë pa asnjë dallim partiak me ta, interesi me çdo fqinj, pa
lerë më pas me Kosovën, mesazhet e njëanshme janë të dënueshme.
Autoritetet e Kosovës asnjëri prej tyre nuk do situatën e krijuar në
vend, kanë firmosur marrëveshje të ndërmjetësuara nga BE dhe SHBA.
Autoritetet i kanë nisur marrëveshjet në Kushtetuese, duke kërkuar
ndërmjetësim ndërkombëtar, nëse duam të japim mend atëherë është shumë
lehtë ti anatemosh, por bën gabim shumë të rëndë, ato kanë bërë
përpjekjet e tyre, ligjin nuk e bllokojnë dot”, tha Berisha.

Në fund, ish kryeministri ngriti një pyetje retorike: “Në cilin parlament të botës hidhen bomba?”, përcjell Albeu.com.

“Nëse mendojmë se mund ta grisim bëjmë zuzarin po atë se grisim dot
fatkeqësia më e madhe e Ballkanit janë klikat zyrtare që nuk zbatojnë
marrëveshjet historike, ne kemi qenë viktimat më të mëdha, por në
tërësi, pavarësia erdhi mbi dokumentin e Ahtisarit, tani ta grisim atë,
jo se grisim atë, sepse bashkë me autoritetet kur ky ishte kryeministri,
unë isha, e tjetri jemi përpjekur të jetësohet pavarësia mbi bazën e
atij dokumenti, nëse ju bërtisni me njëanësi, në cilin kuvend hidhen
bomba dhe gaz, në cilin kuvend behet ashtu, do të bësh guerrilasin, dil
në mal jo në sallë të kuvendit, hajde flasim, duhet të jemi të hapur,
asnjë prej jush s’ka folur, gazi në kuvend është i papranueshëm”, tha
ai.

Eksperti financiar gjen shumë parregullsi në rastin e Nexhat Çoçajt

0

Në Prizren u mbajt seanca gjyqësore ndaj drejtorit të Arsimit Nexhat Çoçaj dhe dy mësimdhënësve Bekim Thaçi e Bedri Çeku.

Këta tre persona akuzohen për keqpërdorim të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”.

Shqyrtimi gjyqësor i së enjtes filloi me dëgjimin e ekspertit financiar Agim Kastrati. Ai tha se ka bërë ekspertizën financiare për Javën “Remzi Ademaj” për vitet 2008- 2012.

Për vitin 2008 eksperti tha se kanë qenë të planifikuara nga kryetari i komunës 10 mijë euro, ndërsa pa ndonjë dokument shtesë janë tejkaluar edhe 3 mijë e 803 euro. Kastrati tregoi se ka gjetur fatura të firmës “Bogdani”, pronar i së cilës ishte Nexhat Çoçaj dhe vlerësoi se kishte qenë konflikt interesi, pasi që Çoçaj ka qenë edhe organizator i manifestimit.

Për vitin 2009 eksperti tha se ka konstatuar tejkalime të mjeteve të përcaktuara për këtë manifestim në shumën 4 mijë e 140 euro. Vetëm për vitin 2009 tha se janë bërë shpenzime prej 822 eurove në Firmën “Bogdani”.

Eksperti sqaroi edhe situatën sa u përket transaksioneve për fëmijët e Nexhat Çoçajt. Ai tha se këto pagesa janë bërë nga llogaria personale dhe nuk kanë të bëjnë me mjetet e javës “Remzi Ademaj”.

Për vitin 2010 eksperti tha se nga konkluzioni i kryetarit të komunës janë derdhur në xhirollogarinë e Bekim Thaçit 10 mijë euro, ndërsa sipas tij në këtë vit nuk ka pasur tejkalime të shpenzimeve, mirëpo ka pasur fatura të firmës “Bogdani” në vlerë prej 722 eurove si dhe as për këtë vit nuk ka pasur procedurë tenderuese.

Për vitin 2011 eksperti tha se nga kryetari ishin planifikuar 12 mijë euro, të cilat ishin derdhur në llogarinë e Bekim Thaçit.

“Transakcionet që kanë ndodhë për manifestimin e këtij viti, fillimisht 3 mijë euro janë tërhequr nga llogaria e Bekim Thaçit për pagesën e shpenzimeve të ndodhura, ndërsa pjesa prej 9 mijë eurove i është dhënë zotëri Nexhat Çoçajt, për këtë vit gjithsej janë dokumentuar shpenzime prej 14 mijë e 390 eurove dhe më duhet të theksoj që pos shumës prej 12 mijë eurove, në llogarinë e Nexhat Çoçajt janë derdhur mjete në shumën prej 3 mijë e 500 eurove, të cilat bëjnë një tejkalim të konkluzionit të kryetarit dhe për të cilat nuk kam gjetur në shkresat e lëndës vendim për shpenzime shtesë,” tha eksperti.

Ai tregoi se gjeti shkelje edhe për vitin 2012 rreth parave të ndara për “Javën e Remzi Ademajt”. Këtë vit sipas ekspertit kryetari ndau 10 mijë euro që u derdhën në xhirollogarinë e Bedri Çekut, ndërsa shpenzimet për javën shkuan deri në 10 mijë e 822 euro. Edhe për këtë vit, eksperti tha se nuk ka pasur procedurë tenderuese.

Mbrojtja më pas drejtoi pyetje për ekspertizën edhe sa u përket subvencioneve komunale për javën “Remzi Ademaj” për të cilat eksperti u përgjigj se pavarësisht se janë subvencione çdo para publike duhet të tenderohet përmes prokurimit publik.

Mbrojtja edhe më tutje e sfidoi eksertizën e Kastratit në shumë pika, mbrojtësi i Nexhat Çoçajt në fund u deklarua me vërejtje të pjesshme për deklarimet e ekspertit.

Mbrojtja, po ashtu paralajmëroi se me shkrim do të prezantojë për gjykatën emrat e dëshmitarëve që do të propozojë për dëgjim, si dhe paralajmëroi që do të kërkojnë edhe ekspertizë të re.

“Ne sigurisht do të paraqesim me kohë dëshmitarët eventualë, edhe ne kemi paralajmëru që sipas mendimit tonë do të ketë të nevojshme një ekspertizë të re,” tha avokati Nevzati.

Seancat e radhës do të mbahen më 21 dhe 22 janar 2016.

Drejtori i Arsimit komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj së bashku me dy arsimtarët Bekim Thaçi e Bedri Çeku, akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren se keqpërdorën për 5 vjet rresht manifestimin “Remzi Ademaj”, të mbështetur nga Komuna e Prizrenit./kallxo.com/

Fillojnë hetimet kundër dy të dyshuarve për keqpërdorim në Prizren

0

Prokuroria Themelore e Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër të dyshuarve S. H. dhe V. H.
Prokurori i rastit ka filluar hetimet kundër S.H. dhe V. H, me dyshimin e arsyeshëm se këta dy persona kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 të KP, në bazë të nenit 104 paragrafi 1, e lidhur me nenin 102 paragrafi 1 të KPPK-së.

Të pandehurit S.H dhe V.H si bartës të dy institucioneve publike, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, dyshohen se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, apo që t’i shkaktoj dëm një personi tjetër.

Kërcënuesi i motrës nga Zhuri, mbetet në paraburgim

0

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit Sh.G. nga fshati Zhur.

Zëdhënësja e Gjykatës, Afërdita Kicaj tha se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale të kanosjes

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji”, tha Kicaj.
Sh.G. dyshohet se ka kërcënuar motrën e tij. /PrizrenPress.com/

Limaj dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm

0

Fatmir Limaj dhe katër të akuzuarit tjerë për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar u deklaruan të pafajshëm.

Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka pafajësinë e deklaruan, pasi iu lexua aktakuza e konsoliduar për dy rastet e bashkuara që lidhen me ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit.

14:28
Dhëmbi i Nxjerrë i Limajt si Dëshmi në Gjykatë

Pasi u ankua për dhimbje dhëmbi dhe seanca u shty për këtë arsye, Limaj ia dëshmoi gjykatës se e ka nxjerrë atë.

Tahir Rrecaj, avokati i Limajt me të nisur seanca e shtyrë për orën 14:00, solli në gjykatë dëshminë mjekësore se Limaj e ka nxjerrë dhëmbin.

Përveç kësaj dëshmie, gjykatës iu prezantua edhe dhëmbi i nxjerrë.

Edhe pse në kohën kur seanca ende vazhdonte, prokurori dhe mbrojtja u pajtuan që aktakuza të konsiderohej e lexuar, prokurori tha se atë do të fillojë ta lexojë tash.

Kur avokati Blerim Prestreshi reagoi duke thënë se më herët aktakuza u konsiderua e lexuar, gjyqtarja tha se kjo ndodhi pasi Limaj nuk ndihej mirë, ndërsa shtoi se ai tash mund të qëndrojë në seancë.

12:00
Fatmir Limaj Ankohet për Dhimbje Dhëmbi-Shtyhet Seanca

Seanca e gjykimit ku Limaj akuzohet për shpërdorim detyre është shtyrë deri në orën 14:00.

Gjatë seancës së sotme Fatmir Limaj u ankua për dhimbje dhëmbi, ndërsa gjykata dha një pauzë që ai ta trajtojë këtë dhimbje.

Por edhe pas pauzës Limaj kërkoi shtyrje të seancës, ngase deklaroi se vazhdon të ndiejë dhimbje të fortë dhëmbi.

Avokati i tij Tahir Rrecaj tha se Limajt i duhet një konsultë te dentisti.

Prokurori Charles Hardaway e kundërshtoi shtyrjen e seancës, duke thënë se e kupton gjendjen e Limajt, por dyshon se shtyrja po kërkohet që Limaj të marrë pjesë në takimin e opozitës të paralajmëruar nga mediat për orën 16:00 të ditës së sotme.

Shpresoj që nuk do të ketë fotografi ku do të shihet Limaj duke marrë pjesë në atë takim, tha Hardaway.

Këto fjalë të prokurorit, avokati Tahir Rrecaj i quajti spekulim, sepse edhe ashtu sipas Rrecajt gjykimi do të përfundonte në orën 16:00, ndërsa për Limajn tha se asnjëherë nuk i është shmangur gjykatës.

Endrit Shala, njëri nga të akuzuarit e këtij procesi tha për KALLXO.com se takimi i paralajmëruar i opozitës për sot varet nga zhvillimet në seancë dhe kohëzgjatja e saj.

Limaj pastaj në seancë procesin gjyqësor kundër tij e konsideroi një lojë që sipas tij po zgjat që gjashtë vjet.

Kjo është një lojë me mua. Ju si gjykatë po lejoni të luhet me mua, tha Limaj.

KALLXO.com shkroi sot se Limaj deri në fund të javë do t’i ketë 7 paraqitje në gjykatë për 35 ditë.

Opozita: Sekretari Kerry foli sikur ne

0

Mesazhet e sekretarit amerikan të Shtetit drejtuar lidershipit politik në Kosovë, janë lexuar ndryshe nga opozita. Sipas interpretimit të kësaj të fundit, sekretari Kerry dje foli me gjuhë të njëjtë siç po flet opozita tash e sa kohë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ishte shumë i qartë dje në kërkesat e tij adresuar lidershipit politik të Kosovës, e në veçanti në ato adresuar opozitës. Ai tha se Kuvendi nuk duhet të jetë vend ku hedhet gaz lotsjellës, por aty ku zhvillohet debat.

Pavarësisht kësaj, opozita ka një interpretim ndryshe për këto mesazhe.

Vetëvendosje kërkon që vizita e Kerry-t të mos shfrytëzohet nga Qeveria. Ndërsa, AAK shkon edhe më tutje, duke thënë se fjalët që dje i tha sekretari Kerry janë të njëjta me ato që po i thotë opozita.

Në konferencën për media, Kerry tha se SHBA-të përgëzon lidershipin kosovarë për dialogun e zhvilluar në Bruksel, duke shtuar se SHBA nuk do të mbështeste asnjë marrëveshje që do të cenonte sovranitetin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që udhëheqësit e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, për t’i bërë gjërat, të ndryshojnë gjërat, gjatë dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim këto përpjekje. Mos u gaboni, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës”, tha Kerry.

Sekretari Kerry ka folur edhe për shenjtërinë e institucionit të Kuvendit, duke thënë se Kuvendi nuk është vend ku duhet hedhur gaz lotsjellës.

“Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë. Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por, më lejoni të qartësoj: debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime”, tha Kerry.

Lidhur me vizitën e Sekretarit Kerry, dje është deklaruar edhe partia më e madhe në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje ka çmuar mbështetjen që SHBA i jep Kosovës por ka porositur që vizita e Sekretarit Kerry të mos shfrytëzohet nga Qeveria, të cilën ata e kanë cilësuar si “arrogante”.

“Mesazhi i zotit Kerry, sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit, është shumë i rëndësishëm. Dëshirojmë të vëmë në dukje se Kuvendi i Kosovës është cenuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica e cila po zhvillon një formë të diktaturës së numrave. Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amandamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet e Kuvendit, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi që zoti Kerry e cilëson të shenjtë”, thuhet në komunikatë.

“I bëjmë me dije opinionit publik se kundër këtyre marrëveshjeve qytetarët e Kosovës kanë nënshkruar një peticion me mbi 205 mijë nënshkrime, e megjithatë kjo qeveri nuk e ka marrë parasysh. Një qeveri e cila lidh marrëveshje mbi territorin e vet pa përfshirë opozitën, pa pyetur popullin, pa marrë parasysh peticione, nuk është qeveri demokratike dhe as transparente. Një qeveri e tillë nuk është sipas modelit të SHBA-së. Qeveri të tilla më shumë i ngjajnë modelit të zotit Mubarak në Egjipt, i cili po ashtu i përdorte takimet me zyrtarë të lartë perëndimorë për të fituar legjitimitet, ndërkohë që shtypte opozitën dhe varfëronte popullin”, thuhet tutje në komunikatën e VV-së.

Ndërkaq, një qëndrim pak më ndryshe, ka partia tjetër në opozita, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për lajmi.net se mesazhet të cilat dje i dha Kerry lidhur me Kuvendin dhe për demokracinë në vend, nuk i janë adresuar vetëm opozitës.

Ai ka thënë se AAK gjithashtu është kundër gazit lotsjellës, ndonëse tashmë deputetja njëherësh shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi është në burg, pikërisht për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.

“Sigurisht i vlerësojmë krejt normale deklaratat e Sekretarit Kerry për zhvillimet në Kuvend e edhe për gazin lotsjellës sepse ky ka qenë edhe qëndrim i vazhdueshëm i AAK-së. Kryetari i AAK-së Haradinaj, disa herë e ka përsëritur se gazi në Kuvend nuk është as popullor as demokratik, por se kishte mbetur si masë e fundit kundër pushtetit qe tash e sa muaj, i ka shpallur luftë opozitës, duke mos i lënë instrument tjetër në dorë. Ne besojmë fuqishëm se porositë e Sekretarit Kerry, do të lexohen drejt nga Qeveria, e cila duhet t’i eliminojë shkaqet e krizës së thellë politike në Kuvend dhe në Kosovë në përgjithësi, në mënyrë që vendi t’i rikthehet normalitetit”, thotë Nitaj.

Duke iu referuar deklaratave të diplomatit amerikan se SHBA-të nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje që do të cenonte sovranitetin e Kosovës, Nitaj thotë se “e vlerësojmë vendosmërinë e SHBA-ve për të mos mbështetur asnjë marrëveshje që cenon sovranitet e Kosovës. Ky mesazh i është dërguar të gjithëve dhe jo specifikisht një pale”.

Kuvendi i Kosovës, tash e sa muaj është duke u bllokuar nga partitë opozitare. Opozita ka hedhur vezë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa dhe Qeverisë, shishe me ujë, gaz lotsjellës.

Deri më tash janë arrestuar deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh; Haxhi Shala, Fisnik Ismaili, Ismajl Kurteshi kanë “shpëtuar” më lehtë, duke iu shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj.

Ndërkaq në arrati vazhdon të jetë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

DokuKino mbush 2 vjet!

0

Dita e 3-të e muajit dhjetor 2015 shënon saktësisht 2 vjetorin e hapjes së kinemasë së qytetit të Prizrenit, Dokukinos.

DokuKino, një kinema me teknologjinë 3D dhe me rreth 160 ulëse, që është funksionale përgjatë gjithë vitit, është kinemaja e parë pas 15 viteve në Prizren.

Gjatë këtyre 2 viteve të fundit kjo kinema i ka kaluar 2 edicione të Dokufestit dhe ka shfaqur shumë filma të njohur Hollivudian si: Terminator, Fast & Furious, Jurassic Park, Transformers etj. Programi i Dokukinos, përveç filmave hollivudian dhe më të ri përfshinë edhe filmat më të suksesshëm dokumentar të shfaqur në DokuFest si dhe filma të pavarur si: 20.000 Days On Earth dhe Amy.

Përveç shfaqjes së filmave Dokukino ka edhe klubin e filmit ku të gjithë fëmijët dhe të rinjtë mund të anëtarësohen dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve lidhur me filmin, apo edhe të punojnë si vullnetarë për kinemanë e qytetit. Dokukino bashkë me Dokufestin janë poashtu pjesë e projekteve si EFA Young Audience Award dhe DokuVision, ku përfshihet shfaqja e filmave dhe diskutimi rreth tyre.

Menaxherja e kinemasë Zana Arapi u shpreh shumë e kënaqur me rritjen e numrit të publikut në kinemanë e qytetit çdo ditë e më tepër.

“Ndihem shumë krenare që jam pjesë e një institucioni kuturor që mund t’ju sjellë kënqësi qoftë edhe për një orë shikuesve tanë. I falenderoj të gjithë shikuesit e DokuKinos dhe i ftoj që të jenë pjesë e kinemasë edhe në të ardhmen” – tha ajo.

Në fillim të muajit dhjetor në Dokukino shfaqet filmi i regjisorit Stiven Spielberg, Bridge of Spies, si dhe më 17 dhjetor pritet të mbahet pjesa e shtatë e serisë legjendare Star Wars: The Force Awakens në formatin 3D! /PrizrenPress.com

Aksident në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren. Policia njofton se nga ky aksident lëndime ka pësuar një pasagjere.

“Ka ndodhur një aksident trafiku në mes të veturës BMW me targa lokale, të cilën e drejtonte e dyshuara femër dhe veturës ‘Peugeot’ të cilën e drejtonte viktima femër”.

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një pasagjere femër, e cila pas marrjes së tretmanit mjekësor në spitalin e Prizrenit është liruar”./PrizrenPress.com/

Kërcënon nënën dhe motrën, arrestohet nga policia në Prizren

0

Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar një person pasi që ka kërcënuar nënën dhe motrën e tij.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti ka kanosur verbalist nënën dhe motrën e tij”, njofton PK-ja.

I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/