Home Blog Page 6845

Basri Çapriçi e Halil Matoshi, fitojnë ‘Penën e Flakës’

0

Poetët Basri Çapriqi dhe Halil Matoshi, e ndanë çmimin-poezia më e mirë e lexuar në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2016 ”, në të cilën aktivitet letrar të manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, punimet e tyre i kanë lexuar krijues nga pjesë të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Përndryshe, “Pena e Flakës”, iu përkushtua shkrimtarit të shquar gjilanas, Beqir Musliut, në 20 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim që, koincidoi edhe me 25 vjetorin e themelimit të këtij Manifestimi, pjesë e të cilit ishte edhe në aktin themelues e, edhe në pesë manifestime, radhazi ( 1992 – 1996 ). Për të foli sdudijuesi dhe kritiku Prend Buzhala.

Ndërkohë, pas Orës së Madhe letrare u bë edhe shpallja e rezultateve të konkursit shpërblyes në poezi dhe prozë.

Juria e konkursit letrar “Flaka e janarit” 2016 në përbërje: Sinan Sadiku, Albina Idrizi dhe Aziz Mustafa vlerësoi se konkursi letrar ishte tejet i suksesshëm. Me këtë rast njëri nga ta Sinan Sadiku tha se në konkurs kishin ardhur 81 poezi, rreth një e treta e të cilave me vlera të mirëfillta artistike, ndërsa gjysma e tyre janë veçuar në rrethin e ngushtë për shpërblime.

“Juria është e kënaqur me nivelin artistik të poezive dhe konsideron se ka prurje të reja edhe sa i përket gjuhës poetike, edhe sa i përket ritmit dhe ndërtimit të vargjeve e edhe sa u përket ideve, temave dhe shprehjes emocionale”, tha ai.

Sipas tij, pas leximit, rileximit, dhe vlerësimit të poezive nga secili anëtar veç e veç, juria është takuar dhe pas propozimeve, diskutimeve e arsyetimeve në mënyrë unanime ka vendos të shpërblehen poezitë:

1. Vendi i parë, “Rrena më e bukur…”, shifra “Ëndrra `16”

2. Vendi i dytë, “Gardhi”, shifra “Shuej”

3. Vendi i tretë, “N`amë të fjalve”, shifra “Blina”

Sadiku ka thënë po ashtu se në konkurs kishin konkurruar krijues me 35 tregime. “Vlerësojmë se është ruajtur niveli i viteve të kaluara edhe sa i përket sasisë e edhe sa i përket cilësisë”, tha ai.

Juria ka vendos të shpërblehen tregimet:

1. Vendi i parë, “Letër nga larg”, shifra, “Artemisa 2016”

2. Vendin e dytë e ndajnë tregimet: “Dhimbje e bardhë”, shifra “Pengu i jetës” dhe “Njeriu i marrë”, shifra “Sheshi pa lule”

3. Vendi i tretë, “Kokën tuaj do ta hani”, shifra “Lisi i ahut”

“Po ju njoftoj se janë eliminuar disa poezi dhe tregime për shkak se nuk u janë përmbajtur kritereve të konkursit. Konkretisht janë eliminuar pesë poezi, sepse e kanë tejkaluar dukshëm numrin e vargjeve të parapara në konkurs. Po ashtu janë eliminuar dy tregime, njëri për arsye se autorja në vend të shifrës e ka shënuar emrin dhe tjetri për arsye se e ka tejkaluar numrin e faqeve”, tha tutje Sadiku.

Përndryshe, për botim në revistën letrare – kulturore “Agmia” propozohen poezitë: “Sagë për Doruntinën, shifra “Konstandini”; “Koha ime e arnuar”, shifra “Krizantema”; “Ara – mara”, shifra “Flaka e janarit – 2016”; “T`braktisunit”, shifra “Moza”; “Prishtina”, shifra “Makoti”; “Misteri”, shifra “Andy”; “I mbrojtur nga vetja, ju dhe të tjerët”, shifra “Monologu”; “Bisedë me një grua të palumtur”, shifra “Faqja 97 e ditarit” dhe “Ikonë flijimi”, shifra “Jeta”.

Po ashtu për botim propozohen tregimet: “Ma kujto buzëqeshjen cicërimë”, shifra “Cicërima”, “Përtej lartësive”, shifra “Dardani” dhe “Të dashurosh ilirishte”, shifra “Fyelli ilirik”.

Gjendet piktura e vjedhur e Picassos

0

“Gruaja duke u krehur”, pikturë e famshme e Picassos është gjetur në Stamboll pasi ishte vjedhur në një shtëpi private banimi në Nju Jork.

Policia turke ka informuar se pasi ka negociuar me hajdutët e pikturës, ka dalë në takim me ta në pjesën evropiane të Stambollit dhe kësisoj ka arrestuar hajdutët dhe ka marrë pikturën. Hajdutët kërkonin 8 milionë dollarë për pikturën.

Puna e tregon Dora Maar, muzën dhe të dashurën e Picasoss gjatë dekadës 1930, e zhveshur dhe duke i krehur flokët e saj kaçurrela.

Rritet numri i divorceve në Prizren

0

Dren Thaçi 20 vjeçar nga Prizreni, ka tetë muaj që është ndarë nga bashkëshortja Mirëjeta. Mospajtimet dhe botëkuptimet e ndryshme të bashkëshortësisë e kanë shtyrë atë që t’i jap fund martesës.

”Kurrë nuk kam menduar se do të vijë një ditë dhe të ndahem nga Mirëjeta, por fatkeqësisht tre muaj pas martesës na u shfaqen disa probleme dhe vendosa ma mirë me u nda me kohë se sa tërë jetën të përballem me to”, tregon Thaçi.

Ndonëse,nguron t’i tregojë publikisht arsyet e mosmarrëveshjet të cilat kanë ndikuar në ndarjen nga Mirëjeta, Dreni , shprehet se njëra prej tyre ka qenë parashikimi i gabueshëm i bashkëjetesës.

”Pasi e kemi parë se gjërat nuk po rrjedhin ashtu siç e kishim parashikuar para martesës, jemi pajtuar që më mirë të ndahemi me kohë”, tregon ai, duke shtuar se në fillim martesën e ka shikuar në një prizëm krejt tjetër nga ajo që i ka ndodhur.

Thaçi, tregon se gjatë ndarjes nga Mirëjeta, është ndjerë shumë keq,ndërsa tash i është rikthyer jetës normale.

”Në fillim e kam marrë shumë tragjike ndarjen, mirëpo tash i jam rkthyer jetës, e cila më ka munguar gjatë martesës. Tash jam pajtuar se edhe ndarja me bashkëshorten është pjesë e jetës…”, shprehet ai,transmeton PrizrenPress.

Në zyrën e ofiqarisë në Prizren,vitin e kaluar,sipas statistikave, janë shkurorëzuar 268 çifte bashkëshortores.
Ruzhdi Hoxha, koordinator i kësaj drejtorie, thotë se krahasuar me vitin 2014 vitin e kaluar numri i divorcit ka shënuar rritje .

“Në vitin 2014 kemi pasur 258, që do të thotë se gjatë vitit 2015 kemi pasur një rritje për 10 divoce më shumë”.

Të ndikuar nga plagët sociale, që përjetojnë çdo ditë, si papunësia, gjendja e rënduar ekonomike, mungesa e mirëqenies për të rritur fëmijë, emigrimi, mospërputhje karakteri, tradhti bashkëshortore dhe dhuna fizike, sipas Hoxhës, kanë detyruar 268 çifte bashkëshortorë t’i drejtohen Gjykatës, për t’i thënë lamtumirën e fundit martesës.

“Ne nuk i dimë arsyet e sakta arsyet e ndarjes/PrizrenPress.com/

Kadare: Kam marrë më shumë se i kam dhënë Gjirokastrës

0

Në ditën e 80-vjetorit të lindjes, shkrimtari i shquar Ismail Kadare i shkruan nga Parisi një letër mallëngjyese zonjës Zamira Rami, kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, qyteti i lindjes së njeriut të madh të letrave shqipe. “E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, – e nis letrën e tij Kadare. – Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falënderimin tim, gjithë emocionin dhe pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj”.

Duke shprehur lidhjet e tij unike dhe krejt të veçanta me vendlindjen, e cila zë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë më të mirë të tij, në vazhdim ai nënvizon: “Mendoj se jam i besueshëm, – vazhdon letra e Kadaresë, – në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”.

Duke vlerësuar faktin e drejtimit të qytetit me pamje origjinale mesjetare nga një personalitet dhe zonjë e nderuar e formatit të kohëve moderne, Kadare e konsideron këtë si një fakt befasues, të pazakontë dhe fatsjellës për të ardhmen e qytetit të lindjes. “Ju drejtoni bashkinë e qytetit që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot”, shkruan ai në këtë letër me nota respekti dhe mallëngjimi.

Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, vazhdon letra, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. “Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat. Duke ju uruar gjithë të mirat, dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj”, e përfundon këtë letër të ngrohtë dhe krejt të pazakontë për natyrën e tij të përmbajtur, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, të cilën i ka dërguar kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës. Letra është dërguar nga Parisi ku jeton dhe krijon Kadare dhe mban datën 25 janar 2016.

Në këtë përvjetor të lindjes së shkrimtarit, Ismail Kadare, kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami e ka shpallur vitin 2016 si “Viti i Kadaresë” dhe për këtë është parashikuar një kalendar ngjarjesh dhe eventesh kulturore që nisi dje të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistët, me synimin për t’u kthyer vendlindjen dhe shtëpinë e Kadaresë në një qendër muzeore dhe kulturore. Shtëpia e Kadaresë që pas restaurimit u përurua dje, do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore, etj.

“Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeore dhe kulturore, por mëton të tregojë krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë. “Shtëpia Kadare” do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit drejt qytetit historik, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë, duke ndihmuar në zhvillim të turizmit. Për realizimin e këtyre synimeve është arritur edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e qendrës së re “Shtëpia Kadare”. Në bashkëpunim me intelektualët dhe gazetarët e qytetit, bashkia organizoi dje veprimtarinë “Gjirokastra lexon Kadarenë” që shënoi fillimin e zinxhirit të aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Një maratonë leximi në një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, qytetarë të përhershëm dhe qytetarë vizitorë të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës. Ditëlindja e 80 e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare u kthye dje në një festë të vërtetë, duke prekur të gjitha shenjat e shkruara nga vetë shkrimtari në librat e tij, ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut.

Shteti po rrënohet nga politikanët mbi ligjin e Kushtetutën

0

“Zgjidhja më e mirë, para se të shkohet në zgjedhje, do të ishte caktimi i një Qeverie teknike, me personalitete të reja jashtë këtyre subjekteve aktuale, për të arritur konsensus politik për Ligjin mbi dekriminalizimin, nxjerrjen e Ligjit të ri zgjedhor (për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli). Po ashtu, duhet të bëhet depolitizimi i tërësishëm i sistemit të drejtësisë, administratës publike e shtetërore, përfundimin e punëve për funksionalizimin e Gjykatës Speciale, nxjerrjen e Ligjit antimafi, që të bëhet i mundur paraprakisht pastrimi i listave zgjedhore nga personat e inkriminuar në krime, korrupsion ekonomik dhe financiar”, shprehet analisti Florim Zeqa

I vetmi shpëtim dhe dalje nga ky rreth vicioz, që është futur pozita dhe opozita, është që me organizim të presidentes së shtetit të ulen për të biseduar aktorët kryesorë politikë. Kjo krizë po e rrënon gjithë Kosovën, po e dëmton imazhin e vendit e më kryesorja është se po e shkatërron ekonomikisht. Zgjidhja më e mirë do të ishte që politika të ulej bashkërisht, ku do të behej plani për zgjedhje të reja përmes një Qeverie të re teknike dhe të viheshin konturat se çfarë shteti duan kosovarët. Përpara se të shkohej në zgjedhje, me propozim të Qeverisë teknike, me konsensus mund të arrihej që të bëhej ligji i dekriminalizimit, Ligji i ri zgjedhor dhe depolitizimi i sistemit të drejtësisë dhe gjithë sistemit te administratës publike e shtetërore, përfundimin e punëve me Gjykatën Speciale, bërjen e Ligjit antimafi, në mënyrë që në zgjedhje të kemi figura më të pastra konkurrente, vetëm kështu shteti jonë do të ecte përpara. Mirëpo, duket se politikanëve diçka u pengon të gjejnë gjuhën e përbashkët për të dalë nga kjo krizë.

Publicisti Florim Zeqa thotë për gazetën “Kosova Sot” se kriza e thellë politike, në të cilën është futur vendi, është produkt i shumë faktorëve. “Në radhë të parë i keqqeverisjes 8-vjeçare, kapjes së shtetit nga mafia politike e vendit dhe nga mos efikasiteti i bashkësisë ndërkombëtare në vënien e rendit ligjor në vendin tonë, edhe përkundër ndikimit të fuqishëm politik që kanë mbi institucionet tona. Kur e them këtë e kam parasysh faktin, se te ne, më i fuqishëm në vendimmarrje është secili ambasador i vendeve të fuqishme evropiane, të mos flasim për ndikimin ekstrem të Ambasadës amerikane se sa çdo institucion i yni shtetëror”, thotë ai.

Dibrani: Krizën e ka krijuar vetë elita politike

Zeqa thotë se nuk janë marrëveshjet e Brukselit ato që kanë bllokuar shtetin, por inatet personale, gjë që po reflektohen. “Ajo që i pengon politikanët tanë, respektivisht liderët e partive politike për t’u ulur së bashku në dialog për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendin, nuk janë marrëveshjet e Brukselit, as Demarkacioni me Malin e Zi, por janë inatet personale nga koha e shpërbërjes së VLAN-it dhe ambiciet personale për pushtet. Mbase, zgjidhja më e mirë para se të shkohet në zgjedhje, do të ishte caktimi i një Qeverie teknike, me personalitete të reja jashtë këtyre subjekteve aktuale, për të arritur konsensus politik për Ligjin mbi dekriminalizimin, nxjerrjen e Ligjit të ri zgjedhor (për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli).

Po ashtu duhet të bëhet depolitizimi i tërësishëm i sistemit të drejtësisë, administratës publike e shtetërore, përfundimin e punëve për funksionalizimin e Gjykatës Speciale, nxjerrjen e Ligjit antimafi që të bëhet i mundur paraprakisht pastrimi i listave zgjedhore nga personat e inkriminuar në krime, korrupsion ekonomik dhe financiar, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, para elektoratit të paraqiten figura sa më të pastra, me programe të qarta dhe të realizueshme zhvillimore, në një konkurrencë fer dhe demokratike”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Ndërkaq, për analistin Shefqet Dibrani krizën politike e ka krijuar vetë elita politike, veçmas PDK-ja, e cila, sipas tij, në prapavijë është skenaristja e proceseve. “Personi më përgjegjës për këtë gjendje është Isa Mustafa, i cili njihet për tradhti dhe mosmbajtje të fjalës, si dhe për mosrealizimin e premtimeve.

Veteranët të hënën në protestë

0

Këshilli për Mbrojtjen e Luftëtarëve (KML) të UÇK-së ka njoftuar se të hënën do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të vonesave dhe parregullsive tjera që po ndodhin në lidhje me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Megjithëse thanë se do të angazhohen që protesta të jetë paqësore, ata nuk kanë garantuar që gjithçka do të shkojë mirë për shkak të padrejtësive të mëdha që u janë bërë veteranëve nga ana e Qeverisë.

Kryetari i KML të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi në një konferencë për media tha se veteranët përkundër marrjes së certifikatave, janë ballafaquar me vonesën e marrjes së pensionit që i takon me statutin e veteranit të luftës.

Qeriqi deklaroi se kjo protestë vjen si pasojë e padrejtësive që po u bëhen veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Ju njoftojmë se veteranët e luftës ditën e hënë nga ora 12:00 do të protestojnë para Qeverisë së Republikës së Kosovës, për padrejtësitë që po u bëhen veteranëve të luftës së UÇK-së. Pra, i kemi disa kërkesa, të cilat kërkojmë nga ana e Qeverisë që të përmbushen”, tha ai.

Ai ka lexuar disa kërkesa të Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ndër to edhe atë që Komisioni të ndërmarrë masa rreth lëshimeve që i ka bërë dhe të hiqen nga lista, ata persona të cilët nuk kanë marrë pjesë fare në luftë.

“Qeveria e Kosovës t’i kryejë obligimet që u ka mbetur në borxh veteranëve në pension, prej datës së aplikimit. Komisioni Qeveritar për njohjen e statutit të veteranit të marrë një vendim që t’u hapë rrugë invalidëve, që të aplikojnë për të drejtën në pension. Qeveria e Republikës së Kosovës të emërojë një komision mjekësor, i cili do ta përcaktojë shkallën e invalidit për ata invalidë të cilët nuk e kanë të zgjidhur këtë problem. Kërkojmë nga Komisioni që në kohë sa më të shkurtër të përfundojë shqyrtimin”, ka thënë ai.

Qeriqi shtoi se protesta do të jetë paqësore, mirëpo për këtë nuk mund të garantohet, edhe pse si Këshill do të angazhohen në mbajtjen e rregullit. Ai theksoi se padrejtësitë e mëdha që janë bërë ndaj veteranëve nga ana e Qeverisë, mund të ndikojë në eskalim të situatës.

Sipas tij, nëse Qeveria është e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre, ata mund edhe ta anulojnë protestën.

“Ne jemi të hapur, të hapur deri ditën e hënë në rast se ata pranojnë që t’i përmbushin këto kërkesa, ne do ta anulojmë protestën”, tha ai.

Vlerësohet se rreth 3 mijë deri në 4 mijë veteranë janë ballafaquar me vonesë të marrjes së pensionit.

Ushtria, në nëntor

0

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosur ta Kosovës do të trajtohet në fund të muajit nëntor. Të paktën kështu është paraparë në Planin Legjislativ të Qeverisë për këtë vit.

Në bazë të këtij plani, më 30 nëntor, do të trajtohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës.

Përfaqësuesit e opozitës dhe ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se Kosovës tashmë është vonuar për formimin e ushtrisë. Sipas tyre, kjo çështje po shtyhet si pasojë e neglizhencës së Qeverisë.

Gazeta “Zëri” ka kërkuar sqarime rreth kësaj çështjeje nga Qeveria e Kosovës, megjithatë kjo e fundit nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë çështje.

Në anën tjetër, anëtari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shemsi Syla, ka thënë për “Zërin” se është e pakuptimtë se si qeveritarët po deklarohen se gjoja opozita po e pengon formimin e ushtrisë. Sipas tij, përgjegjëse për mosformimin e ushtrisë është Qeveria.

“Sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura nuk ka asnjë kuptim që Qeveria të fajësojë opozitën. Tri shkaqe janë qenësore për mosformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës: neglizhenca, mospuna dhe mosinteresimi i Qeverisë. Tani Qeveria nxjerr alibinë e rrejshme duke akuzuar me pa të drejtë opozitën”, është shprehur Syla.

Më tej ai ka thënë se në dokumentet e DIRI-t, ekipit nga SHBA-të që ka hartuar dhe ndihmuar për Strategjinë e Sigurisë te rekomandimet, decidivisht thuhet se FAK-u do të mundë të themelohen deri në vitin 2018..

Dy të arrestuar për vrasjen e 22-vjeçarit në Suharekë

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për vrasjen që ndodhi në Suharekë javën që shkoi.

Burime të Indeksonline brenda Policisë së Kosovës marrin vesh se njëri nga të arrestuarit është nga Lipjani, i cili ka treguar ngjarjen, duke rrëfyer se pjesëmarrës ishin tre person.

Policia e Kosovës raportohet se tashmë u ka rënë në gjurmë vrasësve vetëm dy ditë pasi ndodhi ngjarja.

Vrasja kishte ndodhur në fshatin Sopi të Suharekës, ku dyshohet se persona të armatosur kanë qëlluar mbi Egzon Mazrekun dhe babanë e tij, Naimin, në shtëpinë e tyre ku kishin hyre për të kryer vjedhje.

Egzoni kishte vdekur nga plaga, ndërsa babai i tij, Naimi është duke u trajtuar në QKUK.

Thank You USA!

0

Nga Skënder S. KAPITI

“Beteja” e zhvilluar mes SHBA me politikën e Tiranës për dekriminalizimin dhe për Reformën nëDrejtësi të cilën ambasadori amerikan për nga rëndësia e vlerësoi si reformën e vetme më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit në Shqipëri, vlerësim ky i bërë prej tij e qëështë më se real e i vërtetë në funksion dhe si domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë në BE, dhe për këtë SHBA bindi dhe Europën që ta përkrah e mbështesë SHBA-në për kryerjen e këtyre dy reformave jetike për Shqipërinë, në ndihmë të popullit dhe interesit kombëtar shqiptar.Po kështu , që prej vizitës së Sekretares së Shtetit, Zonjës H.Clinton, para 3 vitesh në Shqipëri dhe në vazhdimësi dhe sidomos gjatë këtij viti 2015 SHBA po bejnë një presion miqësor e demokratik mbi politikanët dhe mbi qeverisjen e Shqipërisë për dekriminalizimin e Politikës shqiptare, për reformën në drejtësi dhe për luftën kundër korrupsionit, që dhe në këtë përpjekje të tyre SHBA bindën dhe Brukselin që të marrë pjesë dhe pavarësisht se pak me vonesë edhe Brukseli ju bashkangjit SHBA-ve, dhe arritën më në fund vetëm falë presionit demokratik të tyre në favor të integrimit dhe të interesave jetike të shqiptarëve dhe të integrimit të Shqipërisë që të gjunjëzojnë politikën kokëfortë, penguese, të korruptuar, antiintegruese dhe të kriminalizuar shqiptare dhe e detyruan atë që të votojë ligjin e dekriminalizimit, ligj i cili do ta çlirojë shoqërinë shqiptare nga pengmarrja e krimit, korrupsionit, tradhëtisë dhe e padrejtësisë dhe që i hap rrugën lartësimit të dinjitetit të shqiptarëve, prestigjit dhe imazhit të tyre dhe të Shtetit Shqiptar.

Dhe prandaj them se : përsëri faleminderit USA, pasi Ju SHBA keni bërë dhe po bëni shumë më tepër për zhvillimin ekonomik , për demokracinë, për shtetin ligjor , për luftën kundër korrupsionit dhe për integrimin e Shqipërisë në BE, madje në një betejë këmbëngulëse nga ana e Juaj me një pjesë të konsiderueshme të politikës dhe të politikanëve shqiptarë që punojnë kundër interesave publike e kombëtare shqiptare , aq sa Ju kërkuat dhe rrjeshtuat përkrah jush edhe diplomacinë e Brukselit në këtë ndërmarrje tjetër ndihme historike Tuajën për Shqipërinë, për konsolidimin e Pavarësisë , për rritjen e imazhit ndërkombëtar të saj, për ndërtimin e një Shteti modern ligjor, për integrimin në BE të Shqipërisë. SHBA , me të vërtetë është ajo që ka deklaruar ish-Sekretarja e Shtetit Znj. Clinton në parlamentin shqiptar në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me 01 Nëntor 2012 se: “ SHBA qëndruan me ju për 100 vitet e para të Pavarësisë,do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre”. Porositë e saja për ta nxjerrë Shqipërinë nga ai udhëkryq kritik ku e kishte futur politika shqiptare dhe korrupsioni, politikanët shqiptarë nuk i dëgjuan por përkundrazi vetëm sa e përkeqësuan gjëndjen dhe më keq akoma , me rritjen korrupsionit të gjyqësorit, të kriminalizimit të politikës dhe të dëmit kombëtar të tyre, kundër vullnetit e aspiratave të popullit të vet , por edhe kundër dëshirës së SHBA-së së shprehur nga Zonja Clinton që: SHBA dëshiron një ekonomi dhe demokraci për shqiptarët që të shkaktojë zili tek të tjerët, si dhe deklarimi i saj i sinqertë , dashamirës dhe më shumë se miqësor para 3 vitesh në Tiranë që : Interesi i SHBA për Shqipërinë është vetëm suksesi i Shqipërisë.

Përballë kësaj politiketë SHBA-së për suksesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndryshe ka vepruar dhe sillet politika shqiptare që ka ndërtuar një shtet dhe një sistem politik e juridik kriminal dhe për pasojë edhe shoqëria është infektuar rëndë nga krimi dhe korrupsioni. Veçmas është ekspozuar e duket sheshit kriminalizimi i politikës dhe i drejtësisë, deklaruar publikisht dhe sidomos kohët e fundit ndërkombëtarisht sidomos nga miku jetik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, SHBA, që e përkrahën dhe shtetet më të fuqishme të BE, të cilët këmbëngulin rreptësisht për dekriminalizimin e politikës dhe të sistemit të drejtësisë. Në përputhje të plotë me këtë konstatim dhe impenjim të SHBA erdhi dhe Raporti real më i fundit i OSBE në Shtator 2015, që ishte një raport skandaloz me akuza të rënda, rrënqethëse e të pabesueshme kundër politikaneve , pushtetarëve dhe politikës më të lartë të pushtetit dhe të opozitës shqiptare dhe një vargu të gjatë të deputetëve të parlamentit shqiptar, aq sa të nesëmen pas botimit të këtij Raporti eurodeputeti Kukan u shpreh se: “Parlamenti shqiptar më kujton kohën e kaubojve të Perëndimit të Egër”.

Pasojat e kriminalizimit të politikës, korrupsioni i drejtësisë dhe ai gjithëinstitucional e kanë qorrollepsur dhe e kanë futur shoqërinë dhe shtetin shqiptar në një qorrsokak të madh sa që është gati si e pabesueshme që të dekriminalizohet politika, po dhe shteti e shoqëria, pasi : në këtë tranzicion pothuajse shumica e qytetarëve shqiptarë që ju ka dhënë mundësia e shansi për të pasur një detyrë , post e vulë publike, duke filluar që nga president qofte ai, deputet, kryeministër, ministër, drejtor drejtorie, gjyqtar, prokuror, kryebashkiak, rektor, profesor, kryetar partie e shoqate, tatimor, doganier, shef, polic, mjek , pedagog, administrator, kryeplak, avokat, komisioner testimi, tenderimi e privatizimi dhe ushtria e marifetxhinjve dhe sekserëve pranë tyre, ata, kanë spekulluar , janë dhe kanë korruptuar; janë kriminalizuar e pasuruar duke zhvatur edhe qytetarët, edhe shtetin.

Po, përsëri pyesim, se kush janë fajtorët më kryesorë pse jemi kështu, në këtë gjëndje vazhdimisht, në mënyrë të përsëritshme, të pariparueshme dhe të pakorigjueshme? Janë këta injorantë dhe hipokritë që flasin e filozofojnë shumë, besdisshëm dhe neveritshëm, e që veprojnë, akuzojnë, mashtrojë e gënjejnë për t’u justifikuar dhe për të fshehur poshtërsitë, mëkatet , tradhëtitë dhe korrupsionin e vet; janë ata që vështirësojnë , bllokojnë e pengojnë të mirën, progresin, prosperitetin dhe integrimin e Shqipërisë. Dhe ata janë: politika, politikanët dhe pushtetarët e këtillë që gjithnjë të këtillët nuk po na ndahen dhe i kemi pasur, po dhe i kemi në krye të punëve. Si ka mundësi që të gjitha partitë që kanë marrë pushtetin kanë ardhë në pushtet me premtimin e madh për ndëshkimin e korrupsionit dhe të krimeve të paraardhësve të tyre, për ndëshkimin e krimeve, të vjedhjeve të pushtetarëve që kanë qenë pengesë për integrimin po që asgjë nuk kanë bërë përvec asaj të alternimeve dhe të mbivendosjes së krimit e korrupsionit të tyre.

Dhe rrjedhojë tjetër që vjen prej kësi soji politike është ajo se individët e rrallë: realistë , të ndjeshëm , patriotë të vërtetë, të dhimbshëm e të shqetësuar shpirtërisht për gjëndjen e rëndë sociale, për interesin publik e kombëtar, këta edhe nëse guxojnë të shprehen e të marrin ndonjë nismë për të ndryshuar e përmirësuar, ata mbesin vetëm , të braktisur e të izoluar si nga politika, opinioni dhe shoqëria , ku të parët janë ,pra politikanët e kriminalizuar ,dhe të dytët opinioni dhe shoqëria qëedhe atajanëtë sunduar po edhe të manipuluar nga politika e kriminalizuar, por edhe është real edhe fakti se shoqëria dhe opinioni shqiptar manipulohen lehtësisht pasi dhe u pëlqejnë jo pak korrupsioni, gënjeshtrat fantastike të mashtruesve publik e politik të cilët sa herë e ftojnë popullin: populli i duartroket, i brohoret dhe ua mbush sallat dhe sheshet.Edhe ndërkombëtarët pothuajse dështuan për arësye të kësaj gjëndje mjerane ku ndodhet shoqëria shqiptare, gjëndje të cilën ja ka imponuar politika e keqe e politikanëve shqiptarë.

Por SHBA, miku dhe aleati jetik i shqiptarëve gjithnjë i ka qëndruar pranë popullit tonë duke na inkurajuar dhe ndihmuar për ndryshim dhe për përmirësimin tonë : të progresit, demokracisë dhe integrimit, me ndihmën e pandërprerë të dhënë prej tyre për ta civilizuar civilizisht e demokratikisht shoqërinë shqiptare duke i bërë thirrje shpesh shqiptarëve dhe shoqërisë që të luftojnë korrupsionin si p.sh .”ACT NOW” , “MOS I VOTONI KANDIDATËT ME REKORDE KRIMINALE”, etj.etj. Por, kur populli nuk kundërshton dhe nuk proteston p.sh. edhe kur atdheut të tij i hiqen territore dhe i “falen”ato Greqisë; kur i vidhen nga tatimorët dhe doganierët miliona e miliona euro, kur i rriten vazhdimisht cmimet e mallrave të konsumit , të karburanteve dhe i energjisë, kur i rriten taksat dhe kur rritet mjerimi e varfëria dhe numri i të papunëve, atëhere nuk është vetëm faji i atyre shkaktarëve që i citova më sipër, po dhe shoqëria e ndodhur dhe që pajtohet me këtë gjëndje është vetë bashkëfajtore për vuajtjet e veta, dhe i bie shkurt që për të shpëtuar prej këtij realiteti të pakëndshëm njerëzit zgjedhin rrugën e gabuar, atë të eksodit. Kjo i ndodh asaj shoqërie që është e papjekur moralisht e demokratikisht , e paedukuar mirë fetarisht dhe filozofikisht.

Dhe prandaj, faleminderit SHBA që me gjithë këtë realitet të rëndë tonin që vjen prej politikanëve tanë kryesisht , SHBA na përkrahin e na dëshirojnë të mirën, progresin dhe integrimin. Prandaj: “Përsëri, faleminderit SHBA ” për ndihmën e madhe që po i jep shoqërisë shqiptare për ta shpëtuar atë nga kthetrat e politikës dhe të drejtësisëshqiptare të kriminalizuar dhe të korruptuar; faleminderit që i detyruat politikanët e këtij farë parlamenti të aprovojnë ligjin për dekriminalizimin e politikës, pasi ata u trëmbën nga fakti i asaj se ambasadori amerikan në Tiranë një ditë para miratimit të ligjit të dekriminalizimit deklaroi se: Ministra dhe ish-ministra të përfshirë në krime, po listojmë politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar që nuk do të shkelin më në SHBA. Kjo do të thotë, se ky listim dhe ky ndalim për të mos hyrë ata në SHBA i diskrediton ata përfundimisht publikisht , po ndoshta shprehem dhe gabimisht po thashë se i deskrediton ata edhe moralisht , pasi amoraliteti i tyre nuk përbën e nuk njeh as skrupullin më të vogël.

Por, pas dekriminalizimit të politikës urojmë që SHBA të na ndihmojnë Ne, shoqërinë shqiptare, që t’i shkohet deri në fund dhe Reformës në Drejtësi, pasi nuk do të kishte vlerën vetëm ligji i dekriminalizimit të politikës pa zbatimin e tij , dhe që këtë e bën vetëm një gjyqësor i paanshëm , i pakriminalizuar dhe i pakorruptuar , dhe jo ky gjyqësori i sotëm që është dhe i paaftë, dhe politik , dhe i korruptuar, dhe i kriminalizuar.

Ndihma e madhe që po na japin SHBA për dekriminalizimin e politikës shqiptare dhe për Reformën në Drejtësi i shërben integrimit të Shqipërisë në BE , ku BE këto na i ka vënë si kushte kryesore për antarësimin e plotë të Shqipërisë, por që këto politika shqiptare nuk i kryen si nga pamundësia e vetëdekriminalizimit dhe e dekorruptimit të saj, po më shumë nga mosdëshira dhe vetëpengesa që është po ajo, pasi si dekriminalizimi ashtu dhe Reforma në Drejtësi i rrezikon kësaj politikës sonë dhe këtij gjyqësori aktual karrierën, biznesin e pisët të tyre me pushtetin dhe me të drejtën, si dhe vjedhjen e grabitjn e pasurive të shqiptarëve; rrezikohet që kjo politikë, këta politikanë e gjyqtarëqë edhe të ndëshkohet penalisht, pse jo, e jo më të bëhet fjalë se kësaj palo politike t’i interesojë integrimi i Shqipërisë pë në BE.

Prandaj, Ne shqiptarët si popull, duhet T’i jemi mirënjohës SHBA – së jo vetëm për këtë që po bën ajo tani për shqiptarët, po edhe për atë kontribut historikisht shumë të madh të saj për egzsistencën e kombit tonë sovran e të pavarur në dy shtetet tona. SHBA është aleati jetik për popullin shqiptar dhe për këtë minimalisht të paktën duhet T’i jemi mirënjohës asaj, dhe këtë mirënjohje duhet ta kemi të përhershme dhe të sinqertë e të pastër, dhe jo mirënjohje me fjalë hipokrizie, tinëzare e pabesie si e treguan dy vite më parë protesta e manipuluar civile, protesta në parlament e PD, dhe mosmiratimi nga qeveria e sotme e propozimit amerikan për demontimin e armëve kimike të Sirisë, si një mosmirënjohje e madhe kjo që u bë për të vetmin rast ku SHBA e kërkuan këtë si mbështetje nga Shqipëria, e që në të vërtetë përsa i përkiste përfitimeve kjo ndërmarrje me rëndësi ndërkombëtare e drejtuar nga SHBA ishte , por që mbeti si një shans i humbur për shqiptarët e që vjen tepër rrallë, po megjithatë pavarësisht kësaj SHBA është dhe do të jetë përsëri aleati dhe miku më i madh i shqiptarëve, ashtu si dhe ka thënë Znj. Clinton, edhe për 100 vite të tjera , poredhe për 100 vite të tjera pas tyre.

Skender S. KAPITI Durrws
Autor i librave “Njeriu filozof, etik e politik”, “Moralokracia”
“TRIUMFI I KOMBIT”etj.

Qeveria po flet me gjuhën arrogante të dhunës, e jo të argumentit

0

Lëvizja Vetëvendosje, e cila tash e disa muaj bashkë më AAK-në dhe Nismën për Kosovën po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Kosovës, ka përsëritur se kjo qeveri ndonëse e ka shkel Kushtetutën e Kosovës, po vazhdon të flas me gjuhën e dhunës.

Pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka thënë ditë më parë se opozita nuk i ka kërkesat e arsyeshme për zgjedhje sepse krijon precedent dhe se një pakicë nuk mund ta dërgoj Kosovën drejt zgjedhjeve, zyrtarë të VV-së thonë se e vërteta e vetme, është e kundërta e asaj që thotë Delawie.

Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Indeksonline se vendi prej nga vjen ambasadori Delawie tashmë ka dhënë precendente kur shqetësimet e ngritura në opinionin publik marrin adresimin e duhur.

Sipas tij, afera Watergate në Amerikë, krahasuar me seriozitetin e çështjeve për çfarë lufton opozita e bashkuar në Kosovë, ishte e një përmase shumë më minore, megjithëse rezultoi me dorëheqjen e presidentit Nikson, raporton Indeksonline.

“Sa i përket aludimit që bën Delawie për pakicën që dëmton demokracinë dhe precedentin e rrezikshëm që mund të krijohet në të ardhmen, ne mendojmë se e kundërta është e vërtetë. Është jashtëzakonisht precedent pozitiv reagimi dhe vendosmëria qytetare kur kemi të bëjmë me qeveri që ka shkelur Kushtetutën, ka dëmtuar rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe nuk do të dijë për përgjegjësi”, ka thënë Hyseni.

Ai ka theksuar se mund të flasin për shumicë dhe pakicë numrash për çështje që janë brenda kornizës politike dhe kushtetuese.
Hyseni po ashtu ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit lidhur me Demarkacionin kufitar me Malin e Zi, i cili ka thënë se të njëjtit njerëz që po ankohen për këtë marrëveshje, janë po ata që po përpiqen ta bllokojnë punën e Kuvendit, duke iu referuar opozitës.

“Qeveria aktuale nuk flet me gjuhën e argumentit, por me gjuhën arrogante e brutale të dhunës. Kemi të bëjmë me një koalicion që janë bashkë për interesa personale e klanore, ku nuk vjen fare në shprehje racionaliteti dhe vërtetësia e argumentimit. A nuk është dëshmi për këtë votimi i njëpasnjëshëm i Gjykatës Speciale deri sa u miratua” ka thënë Hyseni. /Indeksonline