21.6 C
Prizren
E premte, 20 Qershor, 2025
Home Blog Page 6846

Vjosa Osmani shihet më premtuese për ndryshime në LDK

0

Gara për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës po vlerësohet si një garë demokratike, jo vetëm për konsolidimin e strukturave të partisë, por edhe për një lidership të ri, gjë që sipas analistëve dhe njohësve të çështjeve politike, nuk do të duhej të mbetej i njëjtë, ndonëse gjasat për këtë shihen bukur të mëdha.

Sipas tyre, rikandidimi i Isa Mustafës, tash edhe me postin e kryeministrit të Kosovës, pa marrë parasysh se si u fitua ai post, i ka të gjitha resurset në dispozicion dhe vetë strukturat e partisë për ta dizajnuar Kuvendin zgjedhor të LDK-së në atë mënyrë që “shefi të mbetet shef”.

Edhe një ditë para këtij kuvendi zgjedhor opinioni është i njoftuar se për postin e të parit të LDK-së ka kandiduar edhe deputetja Vjosa Osmani, ndërsa përmenden edhe emra të tjerë që pritet të hyjnë në garën për lider partie, prej ish-kryetarit të mëhershëm Fatmir Sejdiu, Lutfi Hazirit e deri te Arben Gashi.

Analistë dhe njohës të çështjeve politike më shumë preferojnë të flasin për deputeten Vjosa Osmani, tek e cila shohin një potencial për ndryshimet shumë të nevojshme brenda LDK-së, madje disa atë e shohin edhe si shpëtimtare të LDK-së. Nuk është i vogël numri i atyre që te Vjosa Osmani shohin edhe shpetimtaren e LDK-së, e cila rrezikon të shkapërderdhet edhe një herë, sikur në të ashtuquajturin kuvend i karrigeve, epitet ky që i mbeti Kuvendit VI të LDK-së, kur në përleshje të delegatëve u përdorën edhe karriget. Nga ai kuvend një numër i madh i anëtarëve u pozicionuan në anën të pakënaqurve, braktisen LDK-në dhe formuan Lidhjen Demokratike të Dardanisë në krye me Nexhat Dacin.

Politikologu Albinot Maloku, ka thënë për KosovaLive se në thelb të LDK-së ka nevojë për frymë të re, parime, koncepte e mendësi politike të reja e fuqizuese.

“Mendoj që befasia premtuese për ndryshim brenda LDK-së është kandidimi i Vjosa Osmanit, e cila do të mund të përfaqësonte parimet, konceptet e mendësitë politike të reja e fuqizuese për këtë parti. Kreu aktual i LDK-së, në kushte normale, nuk do të duhej fare as t’i hynte në mendje rikandidimi. Isa Mustafa as si kryetar i partisë së tij, por as si kryeministër vendi, nuk ka ardhur me fitoren e tij, ku kjo fitore të mbështet në meritat ose kredon politike të tij”, ka thënë Maloku.

Ai beson se Osmani është e përgatitur dhe ka një kredo politike që e ka krijuar, por edhe dëshmuar në shumë raste.

“Ajo ishte, e besoj do të mund të ishte avokatja kryesore e një LDK-je të re e premtuese si kryetare e partisë. Zonja Osmani nuk përfaqëson gruan e cila e ka fituar pozicionin duke ju falënderuar të ashtu njohurit ‘diskriminimit pozitiv’, e aq më pak emërimit në një pozicion nga të tjerët siç kemi raste në Kosovë. Duke u nisur nga kjo, konsideroj që ajo është ndryshimi më i mirë që do të mund ta përjetonte ish-partia e ish-presidentit Rugova.

Kur Kosova është vlerësuar se mund të udhëhiqet nga një femër e emëruar nga të tjerët, pse nuk do të mund ta zgjidhte LDK-ja një femër që asgjë, as brenda partisë, por as jashtë saj nuk e ka fituar pa meritë”, ka nënvizuar Maloku.

Publicisti dhe njohësi i rrethanave politike, Halil Matoshi, disa herë ka theksuar se Vjosa Osmani, e cila, ndonëse vlerësohet të jetë gruaja më e fuqishme për nga profili intelektual në parti, e ka më së vështiri, pasi sipas tij, strukturat e vjetra të partisë, që po rikonfirmohen nëpër degë, do ta ndajnë mejdanin mes ish-kryetarit Sejdiu dhe kryetarit aktual Mustafa.

Por, Matoshi thotë se Isa Mustafa do të ketë konkurrencë dhe presion të shtuar, që sipas tij, atë do ta nxjerr nga loja si të humbur në një garë demokratike, ose e fuqizon në parti si lider të fuqish,

“Zonja Osmani e ka të vështirë, sepse shumica e elektoratit naiv kosovar voton jo për partinë ose ideologjinë dhe reformat modernizuese, por për një ‘hyqymet’, pra për pushtetin klientelist, që e konsiderojnë se është i tyre, e që në fakt nuk është, sepse ky pushtet është kamikazllëk i disa krerëve të LDK-së për ta shpëtuar nga vdekja e sigurt politike PDK-në e Hashim Thaçin, për ta rehabilituar SHIK-un, pa u përballur me të vërtetën dhe për të mos i sjellë para drejtësisë atentatorët politikë dhe eksponentët e linjës terroriste-enveriste në skenën politike kosovare”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka një fije shprese se elektorati i gjerë i LDK-së po rizgjohet dhe se është krijuar një frymë mobilizuese për ta nxjerrë Vjosa Osmanin fituese të kësaj gare.

“Pra, ky elektorat i zhgënjyer besohet se do t’u kundërvihet strukturave demagogjike dhe lehtë të konvertueshme për ta bërë diferencën ndërmjet liderëve të së shkuarës dhe liderëve për një Kosovë evropiane si Osmani, e cila, ndonëse është pa konkurrencë më e afta, mjerisht nuk i ka në krah njerëzit e fuqishëm të partisë, mendërisht të kastruar”, ka thënë Matoshi në një opinion të tij.

Rikujtojmë se Kuvendi Zgjedhor i LDK-së do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 9:00./KosovaLive/

Grabovci: Nuk ishin në pyetje votat

0

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se kërkesa për shtyrjen e seancës për Gjykatën Speciale është parashtruar vetëm për shkak të mungesës së materialeve, konkretisht për shkak të Projektligjit për këtë gjykatë.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka deklaruar se shtyrja e seancës për Gjykatën Speciale nuk kishte të bënte me mungesë të votave në Kuvend siç po pretendon opozita.

“Në asnjë moment nuk kanë qenë në pyetje votat. Ne nuk jemi duke biseduar për vota, por për materie dhe drejtësinë”, ka deklaruar Grabovci.

Ai ka thënë se shtyrja e kësaj seance nuk ka të bëjë me dënimin e grupit “Drenica”, ani pse ka deklaruar se vendimi për dënimin e këtij grupi është shembulli i vetëm në botë ku nuk respektohet drejtësia.

“Këto dy çështje janë të ndara. Vendimi për dënimin e grupit ‘Drenica’ është vendim ekstrem. Pa pretenduar fare të ndikojmë te drejtësia, rasti ‘Drenica’ është shembulli i vetëm në botë se si nuk respektohet drejtësia. Nëse ka diku që nuk ka pasur drejtësi dhe ka pasur shkelje flagrante të drejtësisë dhe mohim të saj, atë e gjejmë tek grupi ‘Drenica’”, ka thënë ai.

Sipas Grabovcit, ka gjasa që të hënën e javës së ardhshme Kryesia e Kuvendit të vendosë se kur do të trajtohen dokumentet për themelimin e Gjykatës Speciale.

Pavarësisht kësaj, Grabovci ka kërkuar nga opozita mos të bëjë përpjekje të fitojë politikisht me çështje të ndjeshme siç është Gjykata Speciale.

“Sinqerisht unë e kuptoj opozitën se duhet të bëjë politikë, por me disa çështje nuk duhet të bëhet politikë”, është shprehur Grabovci. /Epoka e re/

Gjykata trondit koalicionin

0

Analistët vlerësojnë se për Qeverinë kosovare po vijnë ditë të vështira, pas fillimit të protestave kundër themelimit të Gjykatë Speciale dhe dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Dështimi i seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, për votimin e amendamenteve kushtetuese që hapin rrugë për krijimin e Gjykatës Speciale dhe miratimin e Ligjit të veçantë për këtë Gjykatë, nga opozita dhe analistët politikë po shihet si një rrezik serioz i funksionimit të koalicionit qeveritar PDKLDK.

Glauk Konjufca, kryetar i grupit më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës nga LËVIZJA VETËVENDOSJE, thotë se kur preken themelet e vlerave tona kombëtare, zakonisht edhe nëpër vendet e tjera vendoset në pikëpyetje koalicioni qeverisës dhe bien qeveritë, për arsye se këtu kemi të bëjmë me një lëkundje serioze të legjitimitetit të lirisë së shqiptarëve.

“Nëse lejojmë që të krijohet kjo Gjykatë’, sepse kjo Gjykatë është e njëanshme dhe me baza etnike, ne nuk besojmë se kjo i kontribuon drejtësisë dhe zhvillimit të vendit as realitetit historik të vendit, sikur që e dimë ne të vërtetën që ka ndodhur në luftën tonë për çlirim”, tha Konjufca./Kosova Sot/

Kompromis për Forcat e Armatosura

0

Ende mbetet e paqartë se kur Kuvendi i Kosovës do t’i fusë në rend dite amendamentet të cilat i hapin rrugë transformimit të FSK-së në FAK, pavarësisht se ato janë proceduar nga Qeveria. Anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës thonë se as që e kanë marrë materialin e Qeverisë rreth transformimit të FSK në FAK, derisa nuk përjashtojnë mundësinë që për këtë çështje të bëhet kompromis me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Nuredin Ibushi, ka thënë se ende nuk kanë marrë materialin dhe, sipas tij, ka rrezik që kjo çështje të kushtëzohet nga Lista Serbe në këmbim të asociacionit.

“Serbët do të kërkojnë shumë koncesione sa i përket votës për FAK-un sikurse brenda strukturës së FAK-ut, por edhe në procese tjera, sikurse me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ata dinë këto situata t’i menaxhojnë mjaft mirë sepse janë të dirigjuar nga Beogradi”, ka thënë Ibishi./Zëri/

Garë e pabarabartë në LDK

0

Njohësit e politikës kosovare vlerësojnë se ky subjekt ka nevojë për ndryshime, por gara e kreut të Qeverisë me deputeten më të votuar anon nga ky i pari, për shkak të interesave që dominojnë delegatët, degët, etj.

Kuvendi i 8-të zgjedhor i LDK-së, këtë të diel, po shihet me interesim dhe pritje për ndryshime rrënjësore në këtë subjekt politik. Pritjet e tilla sa vijnë e bëhen më serioze, për shkak të garës që është paralajmëruar për pozitën e të parit të partisë.

Analistët politikë konsiderojnë se tani është shansi historik që reformat në LDK të fillojnë të jetësohen në praktikë, që ndarja në mes të lidershipit të konsumuar, të dështuar në tri palë zgjedhjeve të fundit, dhe frymës së re reformatore të ndodhë me ndryshime, që duhet të ndodhin në këtë kuvend të ri zgjedhor.

Analisti politik, Belul Beqaj, konsideron se ndryshimet janë të domosdoshme, nëse LDK-ja dëshiron që vërtetë të ecë në rrugën e frymës së re të reformave, por që në fakt është një sfidë e vështirë, pasi që zgjedhjet në këtë parti po duken si zgjedhje për kryeministrin dhe jo për liderin e partisë. Një skenar i tillë do të ishte shumë i dëmshëm për LDK-në, nëse nuk ndodhin ndryshimet që po i kërkon fryma reformatore./Kosova Sot/

Ramosaj: Shpëtimi i LDK-së është largimi i Isa Mustafës

0

Njëri nga themeluesit e LDK-së, Berim Ramosaj, vlerëson se e vetmja mundësi që të shpëtojë LDK-ja është që Isa Mustafa me garniturën e tij të largohet nga kjo parti.

Sipas tij, me këtë udhëheqje LDK e ka të vështirë ta rrisë turpin e saj elektoral.

“Isa Mustafa dhe servilët e tij, është dashur që mos të konkurrojnë më, sepse i kanë hup zgjedhjet dhe është dashur që të largohet vet nga LDK-ja. Unë mendoj se shansi i vetme e LDK-së që të ecë përpara në mënyrë që ta rris trupin elektoral për të qenë garuese që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme është që të fillojnë ndryshimet, pjese e të cilave nuk do të ishin njerëzit e Isa Mustafës”, ka thënë Ramosaj për ORAinfo.

Megjithatë ai ka thënë se nga informatat që i ka, gjatë zgjedhjeve nëpër degë, njerëzit e Isa Mustafës e kanë shantazhuar antarësin duke iu ofruar pozita në Qeveri për ta përkrahur Isa Mutafën.

“Njerëzit e Isa Mustafës janë munduar që t’i shantazhojnë delegatët duke iu afruar poste. Megjithatë unë pres ndryshime sepse ia dua të mirën LDK-së, ngase jam njëri ndër themeluesit e saj dhe e shoh se e vetmja shans e LDK-së është që të implementohen ndryshimet, prej kujdo qofshin ato, por vetëm që grupi i Isa Mustafës mos me qenë aty”, ka thënë Ramosaj.

Ai nuk ka dashur të flas nëse mbështet kandidaturën e Fatmir Sejdiut apo Vjosa Osmanit, duke theksuar se përkrah të gjitha ato ndryshimet pjesë e së cilave nuk është Isa Mustafa.

Kuvendi i tetë zgjedhor do të mbahet këtë të diele. Deri me tani zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së e kanë shpallur kryetari aktual Isa Mustafa dhe deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani. Garës për kryetar të LDK-së kanë paralajmëruar se do t’i hyjnë edhe ish-kryetari i nderit Fatmir Sejdiu dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. /ORAinfo/

Limaj: Më mirë OKB-ja ta krijojë Specialen

0

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se më mirë do të ishte që OKB-ja të krijonte Gjykatën Speciale.

“Më me interes është që Këshill i Sigurimit ta krijonte sesa ne. Kjo çfarë po na kërkohet neve është dëmtimi i sovranitetit të Kosovës. Ajo s’ka punë me Kosovën por me individë”, është shprehur Limaj në emisionin “Info Magazine” në “Klan Kosova”.

Limaj ka deklaruar se shtyrja e seancës së sotme për votimin e amendamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është bërë nga koalicioni qeveritar, PDK-LDK.

Sipas tij, deputetët që nuk do ta votojnë për këto amendamente, janë persona me dinjitet.

“Koalicioni qeveritar nuk ka mundur t’i bindë deputetët që të votojnë kundër vullnetin të tyre dhe qytetarëve të vendit, shpresoj që kjo është ajo. Megjithatë në Parlament të Kosovës ka njerëz me dinjitet”, ka thënë Limaj.

Amendamentet që i ka dorëzuar Qeveria e Republikës, sipas Limajt, janë të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

Mustafa tregon arsyen e shtyrjes së seancës

0

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë për RTK-në se rekomandimet e ardhura nga Bashkimi Evropian ka shtyrë Kuvendin që të shtyjë seancën për votimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tij rekomandimet kanë ardhur të enjten në mbrëmje dhe se këto draftligje duhet të përkthehen dhe që marrin shumë kohë.

Mustafa ka thënë se rekomandimet kanë ardhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Mustafa mohon se koalicioni ka krizë votash dhe ka paralajmëruar se javën që vjen do të ketë takim me shefat e të gjitha grupeve parlamentare.

“Bomba 35”: Gjysma e statujave të Shkupit 2014 “në të zezë”

0

Nënkryetari i LSDM-së, Damian Mançevski ka filluar të tregojë “bombën 35” të opozitës gjatë konferencës që po mbahet përpara godinës së Kuvendit.

Damian Mançevski ka deklaruar se në përgjimet e bisedave ndërmjet kryeministrit Gruveski dhe ish-ministrit Janakievski, shihet se si objektet e afër gjysmës së ministrive janë duke funksionuar në mënyrë të “egër”.

Në këto materiale dëgjohet edhe zëri i kryeministrit i cili porosit që për ndërtimin e objektit të MPJ-së të sigurohet një lëje e përkohshme.

Ndërkohë, Janakievski ia rikujton Gruevskit se gjysma e objekteve të administratës shtetëore, të Shkupit 2014″>2014 nuk janë në rregull në listat e kadastrit. /albeu.com/

Ganimete Hoxha–Babuna: Disa lagje në Vlashnjë nuk kanë ujë

0

Disa lagje të fshatit Vlashnjë të Prizrenit, po përballën me mungesën e ujit të pijshëm.

Kuvendarja e BD-së, Ganimete Hoxha–Babuna në seancën e fundit të Kuvendit, ka ngritur shqetësimin e banorëve të këtij fshati për mungesën e ujit. Ajo ka pyetur kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën për premtimet që kishte dhënë gjatë fushatës se nuk do të ketë mungesë të ujit.

“Disa lagje të fshatit Vlashnjë nuk kanë ujë. Pse nuk po bëni zgjidhje për këta banorë, pasi që keni premtuar se do të ketë ujë pa ndërprerë”, ka pytur Hoxha–Babuna, Mujën.

Drejtori i Shërbimeve Publike Hasan Hasani tha ndërkaq se përgjegjës për furnizimin e ujit është “Hidroregjini Jugor”/PrizrenPress.com/