9.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6849

Hija e ushtarit të mirë

0

Ardian Vehbiu

Nëse ka një hero romani të rinisë sime, për të cilin më merr malli ta kem afër kur jam në Shqipëri, ky është ushtari i mirë Shvejk, i shkrimtarit çek, Jaroslav Hashek. Aq i dashur dhe popullor ishte bërë Shvejku mes rinisë tiranase në vitet 1970 dhe 1980, sa erdhi e u shndërrua në personazh folklorik, në një trickster të së njëjtit lloj me Qerosin e përrallave popullore dhe Nastradinin e rrëfenjave të Lindjes.Hasheku e shkroi Shvejkun për të përqeshur degradimin, hipokrizinë dhe burokracinë e Perandorisë Austro-Hungareze, në vitet e rrokullimës së saj – gjatë Luftës I Botërore.Ne, që nuk dinim shumë për atë Perandori, e donim ushtarin e mirë dhe batutat e tij dhe historitë që i kishte të gatshme për çdo situatë, sepse na ngushëllonte si pakkush tjetër, në betejat tona të pabarabarta me autoritetin dhe autoritarizmin bruto të regjimit totalitar. Ngushëllimi që gjenim te ky mik i shtrenjtë ishte fund e krye antiautoritar. Siç e përshkruan Hasheku, Shvejku është një çek i bëshëm nga Praga, edhe shejtan edhe naiv, që vihet të zbërthejë tërë ngrehinën e kalbur të autoritetit, i armatosur veç me një certifikatë prej “idioti noterik”: është një “idiot” që lufton idiotizmin.I rekrutuar shpejt e shpejt në kohë lufte, i gatshëm të shkojë në front ulur në karrigen me rrota të invalidit, ai u reziston mekanizmave të hierarkisë ushtarake dhe të rrëgjimit aristokratik të ushtrisë austro-hungareze, duke ua shpuar tullumbacet fryrësve. Duke filluar nga të gjithë ata që ende i besonin Perandorisë.

Një regjim autoritar mund të mbijetojë veç sa kohë që nënshtetasit ia njohin autoritetin dhe i besojnë; dhe aq më mirë nëse e shoqërojnë këtë besim me entuziazëm. Edhe ne, në Tiranën e atëhershme, kishim rrotull tipa të tillë, në të gjitha shkallët dhe nivelet e hierarkive të pushtetit – karrieristë, naivë të pashërueshëm ose edhe thjesht hajvanë, të cilët e shihnin veten si rripa transmisioni midis vullnetit të shtetit totalitar dhe masës. Sekretarë rinie, aktivistë, kandidatë partie, kontrollues flokësh, masovikë, fizkulturistë, miq të proletariatit, Lej-Fenë, të pasionuar pas paradave dhe stërvitjes rreshtore, veprimtarë, lexues të Leninit, citues të Stalinit, njerëz pararojë – që të shihnin si njeri me lakra në kokë, parazit, të përkëdhelur, kontingjent të armikut. Njerëz që të nxinin jetën, si dhëmballa e syrit.

Njerëz që i qaseshin ushtrimit të autoritetit si të ishte ndonjë lloj zotimi thellësisht erotik. Njerëz të rruar taze, që merrnin frymë me gojë dhe i kishin këmishët përsosmërisht të hekurosura. Shvejku na vinte në ndihmë sidomos ditët e mërzitshme të zborit, kur të vdekur për gjumë dhe për të ngrënë, përfshiheshim nga mëngjesi në darkë në vërdallosje të organizuara, por krejt pa kuptim, të trullosur me doza të forta poshtërimi. Libri i Hashekut na u shndërrua, njëfarësoj, në një bibël sekrete, të cilën e përdornim për të mjekuar lëndimet e përditshme, fyerjet dhe absurditetin e këtij autoriteti lakuriq, që na torturonte 24 orë në ditë.Çdo situatë, çdo shtrëngim, çdo alarm në pikë të natës, çdo urdhër që duhej zbatuar, çdo hakërrimë e oficerit na dëgjohej më e lehtë, kur e kishim gati, në majë të gjuhës, pasazhin përkatës, nga Shvejku.Me pak fantazi dhe këmbëngulje, ushtarin e mirë të Hashekut do ta kishim shndërruar në shëlbuesin tonë, shenjtin tonë mbrojtës, madje Mesinë që do të na nxirrte nga shkretëtira e dhunës autoritare.Si tani e mbaj mend, kur urdhrin hakmarrës dhe poshtërues për t’u përfshirë në një akt të kotë dhe të pakëndshëm higjienizimi, lëshuar prej një pedagogu të metamorfozuar në kapter me zë të çjerrë, miku im B.R., i viteve të universitetit, iu përgjigj me një batutë të mirënjohur të kadetit Marek: “Unë nuk i pastroj nevojtoret!” Revolta në këtë batutë ishte e tëra e mikut tim të fyer; por suksesi i saj i garantuar i kishte rrënjët te pasazhi në romanin e Hashekut.

Fati i madh i mikut tim, që pati rast ta përdorte këtë replikë, në një kontekst aq të ngjashëm me origjinalin. Pa asnjë shpresë tjetër, përballë autoritetit të këtyre qehallarëve të vegjël të pushtetit, nuk na mbetej veç një pasthirrmë kundërshtuese, e mbytur në dëshpërim:“Unë nuk i pastroj nevojtoret!” Shvejku në romanin e Hashekut shëtit nga një faqe në tjetrën duke u përballuar i vetëm me institucionet dhe burokracinë e hatashme të Perandorisë: ushtrinë me hierarkitë e saj, disiplinën, kohëvrasjen dhe absurditetin; burgjet e provincës dhe spitalet e administruara nga mjekë tuhafë dhe sadistë dhe çmendinat, ku – për ta thënë sërish me Shvejkun – “gjithçka shkonte si sahat”.

E vetmja mbrojtje e tij, ndaj kësaj bote që rrezikon t’i shembet në gjoks dhe ta mbulojë, si dheu të varrosurin, janë miqtë me të cilët e rrethon veten, dhe sërish miqtë që krijon me historitë e veta, anekdotat, batutat dhe qetësinë diskursive prej Bude. Është një Sheherazade e katapultuar në zemër të burokracisë së Perandorisë Austro-Hungareze, së cilës Hasheku vetë ia përkufizon skajet me të njëjtën metaforë: nga një anë, perandori plak Franz Joseph, i cili “kur dhjet, e ndyn gjithë Shënbrunin”; nga ana tjetër, portreti i dhjerë nga mizat i po këtij perandori, ne pijetoren “Te gota” të mikut të Shvejkut, të urtit Palivec, i përgjuar hap pas hapi nga spiuni perandorak, Bretshnajderi. Është një Sheherazade, sepse historitë e rrëfyera prej Shvejkut janë ndoshta e vetmja mënyrë për të mbijetuar, brenda një bote që po vithiset e shembet e gjitha, nën peshën e absurditetit të vet.

Që këtej edhe prania – përndryshe vulgare – e skatologjisë në roman; obsesioni plebeas me nevojtoret, diarrenë, ekskrementin, kutërbimin, klizmën radikale që ua bëjnë “simulantëve” në klinikë. Mënyra më e mirë për ta kuptuar “Ushtarin e mirë Shvejk” të Hashekut do të kish qenë që ta lexoje krahas prozave të Kafkës – edhe ky nga Praga, dhe bashkëkohës sa i Shvejkut, aq edhe i autorit të tij. Edhe vetëm nga “Procesi” kuptohet se Kafka ndihej njëlloj i tmerruar, përballë burokracisë perandorake –por ndryshe nga rusofili Hashek, ai nuk shihte rrugëdalje tjetër, veç shndërrimit në insekt.Ne nga Kafka na kishin privuar; prandaj ndoshta nuk kishim mësuar si t’u trembeshim seriozisht hierarkive, shkallëzimeve të pushtetit, autoritetit prej gjelash mbushur me kashtë, të nëpunësve të lartë dhe seriozitetit qesharak, të së gjithë atyre që regjimi u kish besuar dhe që regjimit i besonin.Shvejku ishte profesori ynë i Cinizmit. Imunizuesi ynë i sigurt, ndaj trysnisë që vinte prej autoritetit. Mbrojtja jonë e vetme, përballë bullshit-it.Dhe ky është Shvejku që më mungon, tani që kthehem pas shumë vjetësh në Tiranë; dhe shoh që autoritetet, burokracitë dhe hierarkitë kanë ndërruar, por teknikat autoritare, idiotizmi i kujt armatoset me pushtet dhe besimi magjik në hierarkinë kanë mbetur të njëjtat. Më mungon një Shvejk, që të zbërthejë dhe qesëndisë, me batuta dhe rrëfenja, autoritetet e reja: të fortët, ambasadorët, BE-ja, OJQ-istët, sponsorët dhe koordinatorët gjithfarësh.

Një Shvejk që t’i nxjerrë penjtë e bardhë sheshit Austro-Hungarisë metaforike që po ua merr frymën shqiptarëve sot – me gjithë idiotizmin, pozat më të bukura, të pasmet e idealeve, les nouveaux riches, sallonet e debateve televizive, fituesit e tenderëve, zhonglerët e podiumeve, prostitutat e mirëpaguara të politikës dhe dërdëllitjet ditore të Atyre në “Facebook”.Shvejku ka ikur, së bashku me lexuesit e vet besnikë dhe ithtarët e fesë së vet antiautoritare dhe antikonformiste; për t’u zëvendësuar nga një Shvejk surrogat, dordolec i atij të vjetrit, që kinse mbijeton në kujtimet e të gjithë atyre pseudove që Hashekun nuk e kanë lexuar vetë, por që veç ua kanë dëgjuar të tjerëve që e kanë lexuar.Ky Shvejk i dorës së dytë, i përdorur, i zhvlerësuar; i blerë te GABI i kujtesës kolektive të shqiptarëve; Shvejku i të gjithë atyre që e kanë njohur nëpërmjet batutave tona të dikurshme, vjen me të gjithë energjinë e flashkët të një skeçi estrade ose dialogu të nxjerrë nga filmat e Realizmit Socialist. Po të kish vdekur, do t’ia kisha çuar tufën me lule te varri (duke i kërkuar të falur për patetizmin e gjestit); por kështu siç është katandisur, nuk e duroj dot më, aq sa më bëhet të ndërroj rrugë, kur më del ndonjëherë përpara në Tiranë.

Ku po shkon Kosovë e dashur?!

0

Faik KRASNIQI

Kjo është pyetja aktuale që të gjithë ne ja bëjmë vetes dhe e diskutojmë mes miqve të ngushtë. Megjithatë në publik as nuk kemi guximin më të vogël ta bëjmë dhe të përpiqemi t’i gjejmë një përgjigje. Ku po shkon shoqëria shqiptare sot? Kemi më shumë se 16 vjet që po rropatemi lart e poshtë në kaosin e një tranzicioni që duket sikur nuk ka fund.

Sot dikush nuk studion fare por vetëm pse ka para apo miq të fortë mbaron universitetin, masterin shkencor dhe doktoraturën. I mbaron pa e pasur edhe idenë mbi lëndët që duhet të studioj. Po flisja një herë me dikë që po studion për drejtësi në një universitet privat. Po më thoshte se kishte provim.

Diplomat false të universiteteve private!

Kur e pyeta se për çfarë lënde bëhej fjalë nuk i dinte as emërtimin e plotë. Por do të shkojë shumë mirë – më tha – sido që të jetë nuk më ngelin dot. Po të më ngelin e dinë që ik në një universitet tjetër privat… E pyeta pse të mos studionte seriozisht që të bëhej vërtet i zoti në atë fushë dhe përgjigja ishte. Unë nuk jam dhe ata që futen në shkollë me para ose me parti nuk janë më të zotë se mua.

Ishte ngulitur mendimi se paraja dhe miku partiak janë cilësitë që duhen të tjerat nuk kanë vlerë në Kosovë. Më në fund pas kësaj telenovele më tha, e mora vërtetimin por duhej të bëja pagesën sepse nuk ishte falas.

Në Evropë mund të marrësh jo një por një mije vërtetime në ditë në universitete dhe që të gjithë janë falas, por duhet t’i marrësh me dije dhe me meritë. Në Kosovë e Shqipëri në fakultetet publike dhe këto janë me lekë.

A nuk u bën përshtypje pedagogëve ose vetë studentëve që asnjë me ndonjë përjashtim fare të vogël nuk mban libra apo fletore shënimesh në duar. Pse nuk dëgjojmë në një tavolinë me studentë thuajse kurrë një debat për studimet leksionet provimet apo lëndët.

Një bisedë intelektuale mbi problemet e mprehta të vendit është e tepërt të kërkohet nga studentët e sotëm. Do t’u kishte hije për derisa janë studentë. Por, bisedat që dëgjon zakonisht janë çështje banale thashetheme muhabete veshjesh aksesorësh etj.

Ky realitet i hidhur haset kudo. Ministritë janë njësoj si universitetit në këtë drejtim. Është pothuajse e pamundur të arrish të takosh lirshëm një punonjës ministrie, për të zgjidhur një çështje. Komunikimi me publikun është për tokë, qytetarët nuk respektohen dhe nuk ndihmohen.

Ku është meritokracia?

Flitet se kanë ardhur shumë të rinj që kanë mbaruar studimet jashtë vendit. Unë deri tani nuk kam parë asnjë dhe nuk kam dëgjuar që dikush përmes konkursit publik, është punësuar pa lidhjet të forta politike.

Ngado flitet për militantë që ju kanë shërbyer partive dhe tani partitë po ju kthejnë kusurin për kontributin e mëparshëm. Ku janë të rinjtë, ku janë specialistët, ku është meritokracia. Një profesor, i cili është eksponent i lartë i një partie kur e pyeta si do mund të ecë ky vend përpara, kështu më tha. Po nuk bëre shumë për partinë, partia nuk bën për të tjerët. Dhe nuk ma tha më shaka.

Deri këtu ka ardhur puna. Flitet se ka ardhur koha që intelektualët dhe studentët që mbarojnë në Perëndim të kthehen në shtëpi pas liberalizimit të vizave. Të kthehen po ku do të shkojnë, me ç’punë do të merren, kur mbi gjysma e popullatës janë të papunë, e pjesa dërrmuese e tyre të rinj dhe të kualifikuar.

Edhe sot ka në Kosovë plot djem e vajza të reja që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet në perëndim, por janë pa mbështetje nëse nuk njohin dikë të partisë X apo Y. Sillen rrugëve sikur të ishin të njerkës.

Disave madje u thonë që je më i kualifikuar se ç’duhet. Ka ndodhur edhe kjo.

Flitet se ka shoqata e ka programe qeveritare për kthimin e trurit në Kosovë. Askush se di se ku janë e çfarë po bëjnë këto të ashtuquajtura mekanizma e programe.

Unë them që pas liberalizimit të vizave, që pritet të ndodh në 2016, truri i Kosovës do të ikë drejt Perëndimit, e sidomos në Gjermani.

Ku po shkon Kosova jonë që për të hyrë edhe roje duhet të jesh anëtar partie. Ku po shkon Kosova jonë që për të hyrë në punë nuk duhen diploma apo rezultatet e merituara por paraja miku dhe partia.

Ku po shkon shoqëria kur institucionet nuk kanë as në periferinë e vëmendjes së tyre qytetarin dhe hallet e tij, e aq më pak trurin e këtij vendi. A nuk duket sikur në këtë vend po investohet për të prodhuar injorantë dhe për të përjashtuar dhe izoluar intelektualin dhe talentin e vërtetë. Prandaj, Kosova dhe Shqipëria janë vendet e vetme në Evropë ku pafundësisht prodhohen mediokër që ulen qetë -qetë në karriget e pushte

Unë dhe Ana B.

0

Besnik Mustafaj

Ndër të gjitha personazhet e romaneve të mia, me Ana B. kam marrëdhëniet më të veçanta, më të çuditshme, do të thosha. Ana B. është personazhi qendror te “Boshi”. Në një version të parë, shkruar si novelë në fundin e viteve ’80 pa ndonjë shpresë botimi ç’është e vërteta, pra shkruar në një liri që mund t’ia jepja vetes vetëm në vetminë time dhe vetëm nga nevoja për të hequr nga shpirti një peng, ajo ka një emër tjetër, të identifikueshëm të paktën nga njeriu, prej të cilit do të nxitesha në zanafillë për personazhin e prozës time. Këtë version ia kisha dhënë për të lexuar miqësisht Aurel Plasarit, i cili e botoi, me lejen time sigurisht, në revistën “Nëntori”, ku punonte asokohe, sapo ra censura, në fillim të vitit 1991.

Njeriu që më kishte dhënë nxitjen, një mike, kishte qenë krejt rastësisht e pranishme kur një i njohuri im, inxhinier në një nga minierat më të mëdha të kromit, tregoi ngjarjen e vërtetë, që do të shërbente si bërthamë e subjektit të prozës time. Mikja ime u trondit thellë nga çfarë dëgjoi. Pikërisht tronditja e saj më ngacmoi menjëherë mua imagjinatën dhe, pas disa javësh, kisha të shkruar në fletoret e mia novelën. Mikja ime e lexoi, megjithatë, vetëm të botuar, që do të thotë kohë më vonë.

– Nuk jam unë kjo që përshkruan ti, – më tha kur u takuam për kafe.

– Sigurisht që nuk je ti, – iu përgjigja.

Kurrë nuk kam harruar vështrimin e saj të çuditur. Duke menduar se unë e kisha keqkuptuar dhe isha mërzitur, ajo nxitoi të më sqaronte se novelën e kishte pëlqyer, por se ajo nuk e shihte veten në personazhin e tim. Ajo e dinte veten një femër jo aq të ndërlikuar sa personazhi im. Kështu më tha. Në të vërtetë, keqkuptimi ishte në anën e saj, që kishte pritur të gjente një pasqyrim të vetes vetëm pse me tronditjen e saj para një ngjarjeje pa dyshim fort tragjike dhe po aq absurde, kishte shërbyer për ngjizjen e subjektit në imagjinatën time dhe se personazhi im kishte një emër që asaj, privatisht, i thoshte diçka.

Gjatë ndërtimit të kësaj proze, punë që zgjati shumë vjet me shkrime e rishkrime nga fillimi dhe që do të botohej si roman në 1998, subjekti do të pësonte natyrshëm ndryshime të thella, për t’u zhvilluar e plotësuar. Ndër ndryshimet e para, do të ishte emri i personazhit femër, për t’u bërë njëherë e përgjithmonë Ana B.

Diku nga fillimi i viteve 2000, kur romani “Boshi” kishte filluar tashmë jetën me lexuesit shqiptarë, ishte botuar ndërkohë edhe në Francë nga “Albin Michel” dhe në Greqi nga “Kedros“, dy shtëpi botuese nga më të mëdhatë dhe prestigjiozet në vendet e tyre, do të ishte Ana B. kësaj herë, pra mirëfilli personazhi, që do të bëhej shkak për të vënë imagjinatën time në punë, duke shënuar zanafillën e romanit “Autoportret në teleskop”, botuar në 2013. Ndodhi në një qytet të rëndësishëm europian, gjatë një mbledhjeje ndërkombëtare, në të cilën unë merrja pjesë për arsye të veprimtarisë politike, që zhvilloja asokohe në opozitë. Njëra nga pjesëmarrëset, e ardhur nga një vend ish-komunist i Europës Qendrore, m’u prezantua:

– Ana B.

Ajo e kishte lexuar romanin tim në frëngjisht në vitin 1999, kur kryente studimet për master në Universitetin e Strasburgut. Për t’i rënë shkurt, ajo ishte e bindur se unë kisha shkruar një histori nga jeta e saj. Dhe nguli këmbë të ma tregonte historinë. Për më tepër, ajo quhej Ana. Emri i saj shkruhej me një “n” ashtu si emri i personazhit tim, gjë që nuk mund të ishte koincidencë e rastësishme, sipas saj. Mbiemri i saj fillonte me “V”, por, siç ishte ajo krejt e bindur, unë thjesht kisha përdorur një marifet duke e shkruar me “B”. Ortografia e kësaj germe latine, në gjuhët sllave, prej nga vinte kjo Ana, lexohet “V”. Ngjante pak e krisur në shtjellimet e saj, është e vërtetë, por ky nuk ishte problemi im. Unë nuk kisha ndonjë të drejtë për ta gjykuar. Në atë bisedë krejt surealiste e ka fillesën romani “Autoportret në teleskop” e ku Ana B. do të jetë përsëri një nga personazhet kryesore.

Romani u shkrua, pasi unë u tërhoqa nga politika, sepse, kompleks siç është ai, kërkonte jo vetëm gjithë kohën, por edhe përqendrim të plotë. Gjatë viteve që pasuan atë episod në hollin e një hoteli europian, personazhi Ana B., edhe pse e paformësuar ende në identitetin që ka sot në romanin tim të ri, ka pasur një ndikim gërryes në vetëdijen time, duke yshtur një mori dilemash, që do të zinin vend në romanin tim e që janë dilemat e një njeriu të dyzuar midis politikës dhe letërsisë. Janë dilema shumë të rënda për t’u mbajtur. Të paktën për sa më përket mua, unë tregova se nuk mund t’i mbaja gjatë dhe bëra zgjedhjen time, që njihet si nga lexuesit e mi ashtu edhe nga votuesit e mi.

Arrestohen tre të dyshuar për tentim vjedhje në “KESKO-KEDS” në Suharekë

0

Policia parandaloi një vjedhje në “KESKO-KEDS” në Suharekë, duke arrestuar të zënët në flagrancë.

Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë në mesnatë, një patrullë policore e Suharekës ka vërejtur persona të dyshimtë duke u munduar ta hapin me forcë derën në objektin e ”KESCO-KEDS” në Suharekë.

“Me ta vërejtur grupin prej tre personave të dyshuar, policët i kanë bllokuar hyrjet dhe daljet e objektit. Është konstatuar se të dyshuarit me vete kishin një kaçavidë të madhe dhe një levë metalike të cilat janë gjetur në duar të tyre duke u munduar ta hapin derën e zyrës,” tha zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Policia po ashtu njoftoi se pas arrestimit dhe kontrollit detaj janë gjetur edhe një thikë, një llambë me bateri, një maskë e zezë dhe një kapuç i thellë ngjyrë e hirtë.

Gjatë verifikimit të identitetit të të dyshuarve sipas policisë, rezulton se të tre janë nga Llausha e Ulët e Podujevës dhe me dosje të shumta penale.

Pas intervistave në prani të avokatit mbrojtës është informuar prokurori i shtetit i cili ka nënshkruar vendimin për ndalimin e të dyshuarve.

“Vlen të theksohet se dy prej tyre janë të mitur. Hetuesit policorë po punojnë për zbardhjen e rasteve të tjera që dyshohet të jenë kryer nga ky grup i strukturuar e që besohet se ka mbështetje edhe nga persona tjerë. Policia ka siguruar dëshmi dhe video-incizime edhe për dy raste tjera,” tha Berisha./kallxo.com/

Haradinaj: Ja pse u largova nga manifestimi kur po fliste Albin Kurti

0

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pranuar se është larguar nga manifestimi në momentin kur po mbante fjalim ish lideri i VV-së, Albin Kurti. Mirëpo Haradinaj ka thënë se është larguar për shkak të fjalimit të gjatë të Kurtit.

“Fjalimi i Kurtit u zgjat. Unë u largova me fëmijë pasi që pjesa kryesore e manifestimit u realizua”, ka thënë Haradinaj, raporton Indeksonline.
Haradinaj ka mohuar që fjalimi i Kurtit ta ketë dëmtuar manifestimin e opozitës.

“Fjalimi i Kurtit s’ka qenë në dëmtim të tubimit por manifestimi ka qenë për kundërshtim të marrëveshjeve”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Indeksonline ishte i pari që raportoi për largimin e Haradinaj nga manifestimi, gjë të cilën e pranoi edhe vetë lideri i AAK-së në një konferencë për media./Indeksonline/

Prokuroria nuk e ka problem që Kurti e Kadaj po hetohen nga motra e ish-deputetes së LDK-së

0

Prokurorja e Prokurorisë Themelore, Fikrije Krasniqi- Zejnullahu, është caktuar si prokurore e rastit ndaj dy deputetëve opozitar Albin Kurtit të Vetëvendosjes dhe Donika Kadja Bujupi të AAK-së.

Për dy deputetët, prokurorja Zejnullahu kishte bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh. Një kërkesë e tillë ishte aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dy deputetët tani gjenden në paraburgim.

Prokurorja Zejnullahu e cila është duke hetuar rastet e fundit të cilat ndodhën në seancat parlamentare ku janë hedhur bombola gazi, është motra e ish deputetes së LDK-së Vjollca Krasniqit.

KALLXO.com ka shkruar për lidhjet familjare të prokurores dhe ish deputetes në legjislaturën e kaluar (2010- 2014). Portali ka kontaktuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Bekën, lidhur me atë se a ka pasur prokuror tjetër të merret me këto raste përveç prokurores Zejnullahu.

Kryeprokurori lidhur me këtë ka deklaruar se nuk iu interesojnë çështjet politike pasi për ta të gjithë parlamentarët janë të njëjtë.

“Neve si prokurori nuk na interesojnë çështjet politike. Për ne të gjithë parlamentarët janë të njëjtë pa dallim. Sa i përket prokurores Fikrije Krasniqi- Zejnullahu, ajo punën e saj e ka kryer në bazë të procedurave që i parasheh ligji.”, tha ai.

Poashtu kryeprokurori Beka, ka shtuar se cilido prokuror të ishte në këtë rast do të vepronte njëjtë sikurse ka vepruar Zejnullahu, pasi sipas tij prokurorët punojnë në kolegjiume.

Deputeti Albin Kurti është arrestuar më datë 28 nëntor. Po atë ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Ndërsa, Donika Kadaj Bujupi, është arrestuar më 18 nëntor dhe në ditën e njëjtë iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Edhe Gjykata e Apelit në Prishtinë, kishte aprovuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, lidhur me masën e paraburgimit për të Donika Kadajt dhe kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës.

Mbrojtja e Albin Kurtit, nga ana tjetër, ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit për paraburgim.

Nëntori i përgjakur

0

Islam Krasniqi

Zhvillimet e fundit në vend për festën e Flamurit, 28 Nëntorin, na rikthyen kujtesën mbrapa dhe na kujtojnë kohën e regjimit famëkeq të kasapit të Ballkanit Milloshoviqit, i cili i shtypke protestuesit dhe popullin shqiptar, duke i quajtur kriminel. Duke i parë nga afër dhunën e përdorur ndajë selis së LVV-së dhe protestuesve, gjithnjë e më shumë po shqetësojnë qytetarët e Kosovës, sepse ka filluar të vijë një aromë e Lindjes së Mesme!

Prokurorit dhe Gjykatat e tona nuk i dënojnë ata që na vranë, ata që kryen krimin, por i dënojnë ata që mendojnë ndryshe, ata që dëshirojnë ta punojnë, kjo ndodh, sepse ata kanë frikë se po ju prishet vendi dhe rehatia, dhe se shumica kanë mbetur aty që nga regjimi famëkeq i Milloshoviqit apo me mirë të themi pjesë e UDB-ës.

Z. Kurti ishte prangosur dhe maltretuar nga policia serbe disa herë, pastaj nga policia e UNMIK-ut, EULEX-i, vetëm e vetëm pse kundërshtonte gjerat negative që ndodhnin në vendin tonë , përkatësisht për kundërshtimin e decentralizimit mbi baza etnike, për kundërshtimin e pakos së Ahtisaarit e cila kishte shume gjera negative për vendin tonë, për kundërshtimin e eksterritorialitetit, për kundërshtimin e sundimit ndërkombëtar etj, gjë që po i vuajmë pasojat tani, kurse tani prapë arrestohet ama këtë herë nga Policia e Kosovës dhe atë vetëm e vetëm pse po e kundërshton Zajednicen dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Kjo është kulmi, kjo është vrasje e demokracisë!

“Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”- Sami Frasheri –
Gabimet e një pas njëshme të pushtetit aktual s’kanë të ndalur, ku policia e R. së Kosovës haptas tregon mllefin dhe inatin ndajë opozitës dhe përkrahësve të tyre, ku po ditën e pavarësisë së Shqipërisë Etnike, festës së flamurit policia arrestoj mbi 100 protestues. Qeveria e Kosovës nuk i kursej as një njësi të vetën ndaj aktivistëve të LVV-së, ku mbi 1500 polic i aktivizojë duke e skuqur tokën me gjak nga dhuna e tepruar.

Festa e Flamurit e tregoi errësirën e qeveris sonë me rastin e arrestimit të komandantit të UÇK-së në zonën e Pashtrikut, Gani Krasniqi, ish kryetarit të KK. të Malishevës, i cili tërë jetën e ti ia kushtojë Kosovës, ku 15 vite ishte dënuar nga Serbia dhe kishte mbajtur mbi 10 vite burg, pastaj luftëtar në tri luftërat çlirimtare, baba dhe axhë i dëshmorëve të Kombit, dhe për çudi policia e jonë të përgjakur e nxjerrë nga selia e VV-së dhe e dërgon në qeli, atje ku dikur e kishte quar edhe Serbia. A vërtet zajednica ka vlerë me të madhe së familjet e dëshmorëve, po këta luftuan për ta larguar Serbin nga këto troje, e ju mendoni së me marrëveshje dhe bisedime dëshironi të na ktheni brenda këtu. Populli çdo ditë e me shumë po ik nga Kosova sepse qeveria dhe kuvendarët tanë po punojnë vetëm për interesa të veta, që pagat e tyre të rritën dhe pasi të përfundojnë mandatin e tyre të marrin pagën sikur të ishin në punë, dhe popullin e frikojnë duke ju treguar dhembet. Një thënie e Thomas Jefferson thotë: “Kur Poplli i frikohet qeveris së tij, aty ka tirani, kur qeveria i frikohet popullit, aty ka liri.
Me shpresë që një dite të bëhemi të Zotë, që të vendosim vet për fatin tonë, pa leje të Beogradit ,sepse askush nuk mund të vendos për fatin e shqiptarëve pos vet shqiptarët.

Nuk flet Hasan Hasani

0

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Hasan Hasani nuk ka preferuar të flasë për ankesat e banorëve të rrugës “Liman Shala” në “Bajram Curr” .

TV Prizreni raporton se gjatë dites së sotme kanë filluar punimet në shtruarjen me zhavor të rrugës në këtë lagje,pas paralajmrimit të banorëve se do të ketë protesta.

Drejtori Hasan Hasani nuk ka pranuar të flasë për TVPZ, për këtë shqetësim të banorëve të kësaj lagjeje.

UPZ arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tuzlas

0

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tuzlas nga Bosnja dhe Hercegovina. Marrëveshjen e kanë nënshkruar rektorët e të dy universiteteve, Prof. Dr. Ramë Vataj, Rektor i UPZ-së dhe Prof. Dr. Enver Halilovic, Rektor i Universitetit në Tuzla, të martën, më 1.12.205 në ambientet e MASHT, ku ishte prezent edhe Prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Dr. Sc. Sadik Idrizi.

Rektorët e të dy universiteteve e vlerësuan lartë arritjen e kësaj marrëveshje për bashkëpunim, sipas së cilës palët bien dakord të bashkëpunojnë në fushat, si: Shkëmbimi i stafit akademik dhe administrativ, shkëmbimin e studentëve, hulumtime të përbashkët shkencore dhe studime, pjesëmarrja në seminare dhe takime akademike, shkëmbimi i materialeve të botuara akademike dhe informacione të tjera.

Prapa krizës politike “fshihet” Gjykata Speciale

0

Kriza politike e krijuar në Kosovë edhe mund ta ketë në vete tendencën për shtyrjen e themelimit dhe funksionalizimit të Gjykatës së Veçantë për krime lufte, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Destabilizimi dhe imponimi si faktor politik, sipas analistëve, u shkon për shtati shumë figurave të fuqishme politike në pushtet dhe opozitë, të cilët mund të presin të jenë të shënjestëruar nga Gjykata për krime lufte.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson se në prapavijë të krizës së krijuar, qëndrojnë figurat politike si nga partitë në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë, që kanë probleme me drejtësinë ndërkombëtare.

“Imponimi si faktor, qoftë si destabilizues në vend i disa prej figurave të cilët mund të kenë probleme me drejtësinë ndërkombëtare, definitivisht del të jetë në prapavijë të krejt kësaj që po ndodhë në Kosovë. Pra, neglizhimi, shtyrja e kësaj Gjykate deri në pafundësi, që të imponohen vetë si figura të domosdoshme për ta rikthyer paqen dhe stabilitetin në vend. Pra, synohet një negociim me drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë Matoshi, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se synimi i kësaj krize është shtyrja sa më gjatë e themelimit të Gjykatës së Veçantë për krime lufte, deri te imponimi i nevojës për zgjedhje të parakohshme.

“Nëpërmjet krizës politike, individë të caktuar brenda të dy krahëve politikë, po synojnë që të provokojnë situatë të atillë që Gjykata Speciale assesi të mos mund të themelohet dhe më tej të funksionalizohet. Mbase edhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të ndërrojnë pastaj edhe konstalacionet politike të koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në mënyrë që të krijohet një pozicion i fortë karshi Gjykatës Speciale”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Sipas analistit Imer Mushkolaj, praktika e deritashme ka dëshmuar që disa figura dhe subjekte politike në Kosovë, shpesh kanë prodhuar kriza dhe më pas janë imponuar për zgjidhjen e problemeve.

Por, kësaj radhe, thotë ai, do të varet shumë edhe nga qëndrimi që do të mbajnë qeveritë e vendeve më me ndikim ndaj këtyre tendencave.

“Varet shumë se sa të prerë do ta kenë qëndrimin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian karshi kësaj çështjeje. Unë besoj që Gjykata do të themelohet dhe nuk do të varet shumë nga qëndrimi i njërit apo krahut tjetër. Individë të cilët do të jenë në shënjestër të kësaj Gjykate do të procedohen dhe kjo vetëm mund të zgjasë, por assesi nuk mund të pengohet apo të zhbëhet”, ka theksuar Mushkolaj.

Fakti që as pushteti, dhe as opozita, nuk po duan kurrfarë bisedimesh, sipas Halil Matoshit, tregon se asnjëra palë nuk është e përqendruar te Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe apo demarkacionin me Malin e Zi.

Opozita po kërkon shfuqizimin e këtyre marrëveshjeve, duke i cilësuar si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

Kauza e opozitës, sipas Matoshit, është e parealizueshme, kurse qëndrimi indiferent i pushtetit vetëm ndihmon në thellimin e tensioneve politike.

“Kjo Gjykatë është shpresa e fundit që drejtësia do të vendoset në këtë vend, sepse nëse i marrim dhe bëjmë paralele mes drejtësisë së UNMIK-ut apo EULEX-it, atëherë vaj halli për këtë vend dhe për shoqërinë kosovare”, është shprehur Matoshi.

Kjo formë e krizës politike së krijuar, ka filluar që nga 25 gushti, kur kryeministri dhe qeveria e Kosovës arritën marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin.

Në kërkim të anulimit të tyre, opozita ka bllokuar në shumë raste punën e Kuvendit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe me protesta në rrugë. Si rezultat, deri më tash janë arrestuar pesë deputetë opozitarë, është vënë në funksion policia brenda Kuvendit, kurse Kryesia e këtij organi kishte shqiptuar masën e suspendimit të opozitës nga punimet e seancës së fundit, më 30 nëntor.

Marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi u arritën pasi që Kuvendi i Kosovës kishte miratuar amandamentin kushtetues me të cilin mundësohej themelimi i Gjykatës së veçantë për krime lufte, e cila do të udhëhiqet nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Kjo Gjykatë, është thënë se do të trajtojë dhe gjykojë krimet e supozuara të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët bartin funksione me rëndësi qoftë brenda partive të caktuara politike apo institucioneve të Kosovës.