Home Blog Page 6889

“Gjurmët” e Prishtinës në Tiranë!

0

Nga Blendi Fevziu

Tirana priti dje një copë Prishtinë! Një Prishtinë “të vjetër” huazuar nga vitet ’80 – të dhe një Prishtinë të re, ajo që është sot. Një miksim sharmi, tendence, shprese dhe qytetarie që për fatin tonë të keq, Tirana e ka humbur ose mbase s’e ka pasur kurrë.

“Gjurmët”, një grup rroku i Kosovës i njohur dhe i famshën në vitet ’80 – të u rikthye në skenën e Pallatit të Kongresve pas thuajse 30 vitesh. Më i njohuri ndër ta, Migjen Kelmendi, një shkrimtar dhe publicist i njohur. “Gjurmët” arriti dje të ndezë një sallë që zakonisht përgjigjet ngurtë dhe më ngërç në eventet e tjera. Një sallë që niste me të rinjtë e dikurshëm, bashkëkohës të grupit dhe deri tek të rinjtë e sotëm, që u bashkuan në një kor me këngën hit: “Tren për Prizren”!

Në fakt më shumë se sa muzika, eventi i djeshëm shërbeu si një pasqyrë ku Shqipëria dhe Kosova panë vetën. Pa e zgjatur dhe pa hyrë në analiza të shumta, dje mund të shihje se sa më të thjeshtë, por të veshur më bukur ishin të rinjtë e Kosovës në dallim nga të rinjtë tanë. Se sa pak vanitet kishte midis tyre.

Se si njerëzit e ardhur në sallë kishin realisht lidhje me muzikën dhe nuk e shihnin eventin si një pasarelë ku shpalosin veshjet e tyre të shtrenjta veç në fillim dhe në fund të tij.

Se sa më të drejtëpërdrejtë dhe më pak të kompleksuar ishin në sallë gjatë koncertit.

Sa sa i sjellshëm dhe qytetar ishte dje ai publik. Duke nisur që nga përcjellja e këngëve e deri tek duartrokitjet ndaj këngëtarëve.

Se sa i avancuar ka qenë arti dhe muzika në Kosovë në vitet ’80 – të në një kohë që tek ne, çdo lloj ritmi ishte i ndaluar dhe këngëtarët qëndronin si statuja antike përballë një mikrofoni në këmbë si lejlek.

Së fundmi, dje mund të shërbente për të parë se gjithçka ne kemi marrë dhe imituar në muzikën tonë ka qenë ndikimi italian. Ndërkohë që Kosova dukej më e hapur ndaj rrymave më në modë muzikore.

“Gjumët” erdhi dje në Tiranë. Në një sallë që për herë të parë ishte mbushur përgjysëm midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Erdhi thjeshtë sikur të donte të bashkonte dy kohë që i kemi pasur kaq të ndryshme, por që në thelb kemi nevojë t’ja njohim njëri tjetrit. Faleminderit “Gjurmë” për atë Kosovë që sollët dhe na falni që veç muzikës së mrekullueshme qytetare kemi kaq pak për t’ju treguar nga muzika jonë e lehtë. Por të tilla ishin kohët. Dhe e fundit, faleminderit që na bashkuat. Qoftë edhe për 120 minuta!

Viti 2016, vit i reflektimit…

0

Faik KRASNIQI
Viti 2015 u karakterizua me shumë ngjarje skandaloze, dështime, eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt perëndimit, degradim dhe kapje të mëtutjeshme të shtetit, dhe nënshkrime të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, në dëm të interesave shtetërore. Protestat kundër ministrit serb të Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, pas fyerjeve që i bëri nënave të Gjakovës, protesta që kaluan me dëme të konsiderueshme, të cilat u ndërprenë vetëm pas shkarkimit të tij.
Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, dhe nënshkrimi i shumë marrëveshjeve në dëm të Kosovës. Nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Demarkacioni me Malin e Zi, ku territori i Kosovës do të tkurret për 12500 hektarë tokë. Gazi lotsjellës i lëshuar nga ana e opozitës në Kuvend, për ta parandaluar ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvend, atë të Asociacionit të Komunave serbe, dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Pastaj dështimi në UNESCO, gjë për të cilën Qeveria dhe ministrat tanë për një vit rresht na patën lodhur, duke e konsideruar si punë të kryer anëtarsimin në këtë organizatë. E vetmja gjë pozitive që ia vlen të përmendet, është nëshkrimi i MSA-së mes Kosovës dhe BE-së.

Bisedimet me Serbinë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve!

Dhe çfarë fitoi Kosova nga këto bisedime me Serbinë? Asgjë. Kosova deri më tash nga BE-ja nuk ka arritur ta nxjerrë të paktën liberalizimin e vizave, për popullatën e saj që ka mbetur si në kafaz, e lëre më diçka më shumë. Kurse Serbia, edhe pse shtet agresor, fal këtyre bisedimeve dhe favoreve që i bëri Kosova me nënshkrime në dëm të vetes, i fitoi gati të gjitha, liberalizimin e vizave, statusin kandidat për BE, ndihma ekonomike dhe një ”autonomi” për serbët në Kosovë, me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ose ndryshe siç po e quajnë serbët “Zajednica”.

Dështimi në UNESCO!

Edhe përkrahja e aleatëve tanë është thikë me dy tehe. Në njërën anë aleatët tanë për dialogun me Serbinë thoshin që Serbia, përkundër mosnjohjes së pavarësisë, është pajtuar që mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe agjenci ndërkombëtare, kurse në anën tjetër po na dëshmohet e kundërta. Kjo u dëshmua edhe në UNESCO, që nuk do të kalojë pa pasoja për anëtarësimin e Kosovës, në institucione dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Prandaj, duhet që dialogu me Serbinë të rishikohet, sepse s’ia vlen që të vazhdohen bisedimet derisa Serbia bën një luftë të ashpër kundër shtetit të Kosovës, për ta penguar çdo nismë dhe anëtarësim të Kosovës në institucione dhe agjenci ndërkombëtare.

Ky pushtet dhe kjo klasë politike, duhet të ikin nga skena politike!

Është fjalë e urtë popullore: aty ku s’ka shtet, shkollë edhe mjek, ik prej atij vendi. E Kosova fatkeqësisht nuk e ka as njërën e as tjetrën!
Ka një rrugë dhe ajo është të përmbyset kjo klasë e degjeneruar luksoze, të shtypen këto shushunja që po ia pinë gjakun, por populli ka frikë, apo i quan ”Zota” dhe ndaj ”Zotave” nuk mundet të ngre dorë!!!
Fatkeqësi e një populli të rrënuar….Populli ka gjetur rrugën e lehtë për t’u larguar dhe për t’ua bërë akoma më të lehtë luksin politikanëve.
I pafuqishëm për t’i përmbysur këta hiena e përbindësha, këtij populli nuk i ka ngelur rrugëdalje tjetër, përpos të ik larg e më larg nga këta bandita e kriminela, të etur për para dhe pushtet.Prandaj kanë ngelur vetëm dy rrugë: ose kjo klasë politike të ikë, qoftë edhe me protesta masive deri sa të largohen nga skena politike, ose ne populli të ikim. Rrugë të mesme nuk ka.

Kosova ka nevojë për udhëheqës të ndërgjegjshëm!

Lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit, drogës, tregtisë me qeniet njerëzore, prostitucionit duhet të jetë një nga detyrat kryesore. Hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i bujqësisë ndihma që duhet dhënë për t’ju kthyer njerëzit tokës, krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve nga jashtë, rregullimi i sistemit shëndetësor të pastruar prej korrupsionit për të ofruar shërbim të gjithë qytetarëve. Te sistemi i shkollimit duhet të bëhen investimet më të mëdha ngase aty është zhvillimi. Duhet krijuar kushte që studenti që kryen fakultetin të ketë mundësi punësimi, e shumë e shumë të tjera që duhet bërë për të dërguar vendin përpara.

Të bëjmë që ky vit që po vjen të jetë vit i fillimit të veprimeve konkrete të mëdha, vit i kthesës së madhe, vit që do i jep fund një periudhë të errët e do kthejë shpresën për një ardhmëri më të mirë, të shikojmë përpara të marrim guximin të vejmë në lëvizje të gjithë potencialin që posedojmë e të bashkohemi në një të vetmin qëllim ta bëjmë Kosovën tonë, vend ku do mund të jetojmë me dinjitet!

Pas gjithë këtyre skandaleve dhe dështimeve që ndodhën gjatë vitit 2015 nga politikanët tanë të kriminalizuar, të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe aventurier, ne qytetarët e stërlodhur të Kosovës duam sa më shpejt të harrojmë vitin që po e lëmë pas dhe të shpresojmë se viti 2016 do të jetë shumë më i mirë se vitin që lemë pas. Por, pa këtë pushtet dhe këtë klasë politike mafioze, të korruptuar dhe të kriminalizuar, falë të cilëve jemi në këtë gjendje të mjerueshme. Gëzuar.

Zgjedhja e rrugës së Kosovës në 2016

0

Nga Greg Delawie

2015-a në Kosovë ishte vit i sukseseve dhe i sfidave.  Më lejoni t’ia filloj me lajmet e mira.  Vitet e negociatave të vështira dhanë fryt në tetor kur Kosova dhe BE-ja nënshkruan një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit – marrëveshja e parë kontraktuale për çdo shtet që mëton t’i bashkohet Bashkimit Evropian.  Në korrik, Kosova dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar përmbyllën marrëveshjen e re stand-by që mundëson përfitimin e kapitalit për shpenzim për rritje ekonomike dhe avancon reformat kyçe ekonomike.  Në gusht, BE-ja ndërmjetësoi në arritjen e katër marrëveshjeve me Serbinë për energjinë, telekomunikimin, themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe për lirinë e lëvizjes.  Në dhjetor, Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit njoftoi se Kosova kualifikohet për një program të përmbledhur që do të ndihmojë në transformimin e vendit përmes financimit të programeve që krijojnë vende pune dhe luftojnë korrupsionin.  Të gjitha këto janë zhvillime të rëndësishme që do t’i ndihmojnë Kosovës për të pasur një të ardhme më të ndritur.

Sfidat janë të qarta për të gjithë ne: papunësia vazhdon ta pengojë potencialin e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht rinisë.  Integrimi në Evropë po ec më ngadalë se sa që do të dëshironin shumë njerëz.  Korrupsioni vazhdon ta ulë besimin e qytetarëve në qeverinë dhe t’i kufizojë investimet e nevojshme për rritje të vërtetë ekonomike.  Në fund për nga radha, por jo edhe për nga rëndësia, disa deputetë vazhdimisht kanë dhunuar parimet themelore të debatit demokratik dhe në vend të kësaj përdorën sprejin djegës dhe gazin lotsjellës për ta penguar Kuvendin që të punojë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Në prag të 2016-tës, Kosova duhet të vendosë se cilën rrugë do ta ndjekë.  A do ta vazhdojë rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian duke e ndërtuar demokracinë e saj?  Kjo gjë do të kërkojë nga publiku që të thotë “mjaft” dhe të këmbëngulë në ndërmarrjen e veprimit kundër korrupsionit.  Do të kërkojë ndërmarrjen e hapave të vështirë, por të domosdoshëm për nxitjen e rritjes ekonomike.  Po ashtu, do të kërkojë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj, përfshirë edhe me Serbinë.  Apo, ndoshta Kosova do ta ndjekë një shteg tjetër: atë që çon drejt nacionalizmit, ksenofobisë dhe stagnimit?  Shpresoj se e përzgjedh të parën.

Përparimi drejt të ardhmes kërkon që institucionet demokratike të Kosovës të funksionojnë.  Demokracia mund t’i shërbejë popullit vetëm atëherë kur institucionet janë të forta dhe prijësit e tyre bashkëpunojnë dhe arrijnë kompromise.  Bizneset do të investojnë në Kosovë vetëm atëherë kur janë të bindura se rendi e ligji respektohen dhe që korrupsioni nuk do të tolerohet.  Fatkeqësisht, kur bota shikon kah Kosova këto ditë ajo nuk sheh institucione funksionale.  Ajo sheh re të gazit lotsjellës në Kuvend dhe koktej molotovi në Sheshin Nëna Tereze.  Askush nuk duhet të jetojë me iluzione – dhuna në Kuvend nuk ka vend në një demokraci.  Ajo pengon përparimin ekonomik dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.  Shpresoj se ata që po e sulmojnë demokracinë e Kosovës për qëllimet e tyre vetanake do t’i rishikojnë veprimet e tyre në Vitin e Ri.  Shpresoj se do të dalin hapur para popullit të Kosovës lidhur me qëllimet e tyre të vërteta.  Shpresoj se do t’i pranojnë ofertat për dialog që janë bërë vazhdimisht, por janë shpërfillur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të besojnë se Kosova do ta arrijë integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, NATO dhe në Kombet e Bashkuara.  Për ta arritur këtë, ajo duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjët e saj, përfshirë edhe me Serbinë.  Ne besojmë se mënyra më e mirë për ta arritur këtë është të vazhdojë të negociojë dhe t’i zbatojë marrëveshjet e arritura përmes bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja, të cilat tashmë i kanë sjellur Kosovës përfitime të shumta konkrete.  E kuptojmë se sa i vështirë është ky dialog për të gjitha palët, por siç ka thënë Sekretari Kerry gjatë vizitës së tij këtu: “aftësia për të  marrë vendimet e vështira të nevojshme për të mirën e vendit quhet lidership”.

Sekretari Kerry po ashtu ka dërguar porosi të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta mbështesin asnjë hap që cenon sovranitetin apo integritetin territorial të Kosovës.  Sot, përderisa shikojmë kah Viti i Ri, e theksoj sërish atë premtim.  SHBA-ja e vlerëson partneritetin me Kosovën dhe është krenare me atë që kemi arritur së bashku.  Ne besojmë në të ardhmen e Kosovës dhe presim që të punojmë me popullin, prijësit, qeverinë dhe shoqërinë civile të Kosovës për ta shkruar një rrëfim edhe më të mirë në 2016-tën.

(Autori është ambasador i ShBA-së në Kosovë)

Opozita i ‘shpall luftë’ Qeverisë edhe në 2016

0

Opozita s’tërhiqet nga kundërshtimi i saj për Marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionit, rrjedhimisht nga kërkesa për largimin e Qeverisë.

Liderët e tri partitive opozitare, VV, AAK dhe Nisma janë mbledhur në partinë e Ramush Haradinajt për të harmonizuar qëndrimet për kundërshtimin që do t’i bëjnë Qeverisë menjëherë pas Vitit të Ri.

“Ne këto çaste ne selinë e AAK-se është duke u mbajtur një takim i liderëve te tri partive opozitare”, thuhet në një njoftim të AAK-së.

“Përfaqësuesit e këtyre partive janë duke biseduar rreth harmonizimit te qëndrimeve rreth veprimeve qe do te marrin menjëherë pas vitit te ri, kjo ne raport me qeverinë e Kosovës dhe përgjegjësive te saj për marrëveshjet antikushtetuese qe ka nënshkruar”.

“Opozita beson se qeveria aktuale nuk ka me kredibilitet ta drejtoje vendin”.

GDK-ja në Prizren premton më shumë angazhim

0

Dega e Gruas Demokratike të Kosovës (GDK) në Prizren, me rastin e festës së fundvitit, të martën në mbrëmje organizoi një darkë për të gjitha gratë e kryesisë duke e elaboruar punën e bërë gjatë vitit 2015. Kryesia e GD-së në Prizren premtoi angazhime më të shumta gjatë vitit të ardhshëm.

Kryetarja e degës së Gruas Demokratike në Prizren, Laura Guguli tha se mundi i femrës asnjëherë nuk shpërblehet, ajo jo vetëm që mund të jetë nënë dhe bashkëshorte e mirë dhe udhëheqëse e familjes, femra di edhe të udhëheqë shtet, duke aluduar në atë se tashmë femra është me e përfaqësuar në vendimmarrje.

“Femra kosovare në çdo kohë diti të jetë e organizuar për sfidat e jetës dhe rrethanat që kaloi vendi ynë, në asnjë moment nuk mungoi angazhimi dhe prezenca e saj edhe në momentet më kyçe për Kosovën”, tha ajo.

Guguli tha se nuk duhet anashkaluar faktori femër në vendimmarrje dhe se sipas saj PDK-ja në Prizren nuk bënë dallime në këtë drejtim, madje sipas saj asgjë nuk ndërmerret pa u ndier edhe zëri i femrës.

Në këtë takim të Gruas Demokratike në Prizren u përmendën edhe aktivitetet e përmasave të mëdha të cilat u organizuan gjatë këtij viti duke e veçuar “Javën e biznesit”, të panaireve, pastaj fushatën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit të cilat ishin nën organizimin e GD-së në Prizren.

Kryesia e GD-së në Prizren ndërkaq shprehi gatishmërinë se edhe gjatë viteve në vijim kjo kryesi do të dalë me projekte të cilat do të jenë në të mirën e qytetarëve pa dallim partiak, projekte këto të cilat do të mbështeten nga dega e PDK-së në Prizren. /PrizrenPress.com

PDK-ja në Has dënon ashpër dëmtimin e varrezave në Romajë

0

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Has të Prizrenit, ka dënuar dëmtimin e varrezave të komunitetit të besimit kaltolik në fshatin Romajë.

Kryetari i kësaj dege të PDK-së, Ramadan Hoti tha se personat që fshihen pas këtij akti, duhet të jenë të sigurt, se nuk do të mund të prishin harmoninë vëllazërore.

“Me shpresë që ky akt do të mbetet i izoluar, kërkojmë nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin këtë akt dhe të njëtit të marrin dënimin e merituar”, tha Hoti.

Në fshatin Romajë të Hasit, janë dëmtuar varrezat e komunitetit të besimit katolik të fshatit Dedaj.

Ndërkaq, policia ende nuk ka zbardhur rastin. /PrizrenPress.com

Nexhat Çoçaj pesëfishon kërkesën për dëmshpërblim nga Drita Millaku

0

Drejtori i Arsimit në Prizren pesëfishon kërkesën për dëmshpërblim nga asamblistja e Vetëvendosjes.

Drejtori komunal për Arsim në Prizren, Nexhat Çoçaj ka kërkuar dëmshpërblim prej 15 mijë euro nga asamblista e vetëvendosjes në Kuvendin komunal, Drita Millaku.

Çoçaj e ka paditur Millakun për shpifje kur ajo kishte deklaruar se ka dyshime që bashkëshortja e tij merr pagë të mësimdhënësit më të madhe se kolegët tjerë.

Në seancën e së hënës, Çoçaj e rriti kërkesën për dëmshpërblim në 15 mijë euro pasi më parë kishte kërkuar 3000.

Ai tha se kërkon nga gjykata që të vendosë në favor të tij, pasi me shpifje dhe shantazhe të tilla, është prishur imazhi i tij.

“Kërkoj nga gjykata që te vendos në favorin tim, sepse me mënyra të tilla të shpifjes dhe të shantazheve dhe të gënjeshtrave është prishur imazhi im personal, si dhe më të pavërteta të tilla, është organizuar edhe një protestë”, tha Çoçaj duke iu referuar një proteste të mbajtur më 7 mars të këtij viti.

Po ashtu ai tha se deklarimet se ka përfituar bashkëshortja e tij nuk ishin pyetje nga asamblistja, por komente dhe shpifje ndaj tij.

“Mendoj se shprehen dyshimet se bashkëshortja ime ka manipuluar ose ka marrë pagë, ka përfituar nga mosdhënia e listave të . Nuk ka të bëjë me pyetje, por me fyerje dhe shantazh”, tha ai.

Por asamblistja Millaku tha se nuk ka shpifur, por ka kërkuar sqarim nga drejtori.

Ajo tha se këtë të drejtë ia njeh edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

“Ligji thotë se anëtari i kuvendit të komunës ka të drejtë të kërkojë informacione lidhur me çështjet komunale nga kryetari apo zëvendësuesi i komitetit, në këtë rast e kemi fjalën për drejtorin”, tha Millaku.

Në këtë shqyrtim u dëgjuan edhe dy incizime me pyetje e shtruara në asamblenë komunale nga asamblistja Drita Millaku të cilat Çoçaj i konsideron fyerje dhe shpifje dhe një incizim tjetër i një deklarate për media e asamblistëve lidhur më këtë çështje.

Shqyrtimi në këtë rast ka përfunduar, ndërsa një aktvendim i gjykatës do t’u dërgohet palëve me shkrim brenda afatit të caktuar ligjor. /Kallxo.com

Kush është përgjegjës për Kosovën?

0

Nga Ruairi O’Connell

Për herë të parë erdha në Kosovë në vitin 2001, më kujtohet shumë mirë atë që pashë. Kosova ishte plot me të huaj – “ndërkombëtarë” – të cilët nën Rezolutën e KS të OKB-së 1244 ishin përgjegjës për drejtimin e Kosovës. Dy vjet pas luftës, ishte e qartë se bashkësia ndërkombëtare ka qenë në rolin udhëheqës. Çdo makinë e dytë ishte një 4RUNNER Toyota.

Kam jetuar këtu nga viti 2004 deri në 2008, kur kam shërbyer në atë që atëherë ishte “Zyra Britanike”. Kam kaluar orë, ditë, ndoshta edhe javë në grupet punuese për të ndihmuar autoritetet e Kosovës për zbatimin e “Standardeve”, kushteve për të lejuar nisjen e një procesi për të përcaktuar “statusin final” të Kosovës. Shumë zyrtarë të Kosovës kanë punuar pa pushim për ta përgatitur Kosovën për pavarësi. Një nga veprimet e fundit që ndërmora ishte që të dorëzoja letrat (që i mbaja në zarf) nga Qeveria Britanike, e cila e kishte njohur Kosovën si shtet, dhe kishte vendosur marrëdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ne ishim të parët që e bëmë këtë.

Unë kam qenë i nderuar për t’u kthyer në Kosovë në vitin 2015 si Ambasador Britanik. Kjo e ka bërë 2015-tën një vit të veçantë për mua. Dhe, pas kthimit në Kosovë, një gjë ishte e qartë. Përderisa Kosova ka qenë një vend i porsalindur ‘Neëborn’ kur u largova, tani është qartësisht një shtet, i pavarur dhe sovran, përgjegjës për fatin e vet. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

Kosova është përgjegjëse për të ardhmen e saj. Në vitin 2015, ne kemi parë shenja të Kosovës duke marrë përgjegjësi. Votimi i Kuvendit për të lejuar formimin e Gjykatës Speciale ishte një shenjë që, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme, Kosova ishte e gatshme të përballej me të vërtetën në lidhje me të kaluarën, edhe nëse ishte e nevojshme për të tjerët në rajon. Kjo ishte gjëja e drejtë për ta bërë.

Marrëveshja rreth një programi të FMN-së ishte një sinjal i qartë për investitorët se Kosova do të marrë hapat e nevojshëm për të tërhequr investimet dhe për ta ndërtuar një ekonomi të fortë për popullin e saj. Kjo ishte një gjë e duhur për ta bërë.

Por, ky ka qenë një proces i papërfunduar. Ka ende shumë gjëra që askush nuk dëshiron të jetë përgjegjës për to.

Kush e merr përgjegjësinë për luftimin e korrupsionit, i cili dëmton Kosovën? Kush e merr përgjegjësinë kur korrupsioni dhe politizimi i detyrës publike vazhdojnë të largojnë investitorët? Cili e merr përgjegjësinë për papunësinë e lartë?

Kush e merr përgjegjësinë kur politikanët e korruptuar dhe të dënuar lejohen të largohen nga vendi dhe t’i ikin drejtësisë? Kush merr përgjegjësi kur një i dënuar për krime lufte në mënyrë të përsëritur del nga burgu? Kush e merr përgjegjësinë për këto dështime?

Cili e merr përgjegjësinë për vargun e sulmeve kundër serbëve të Kosovës në fillim të këtij viti? Kush shkon në burg për këtë?

Kush e merr përgjegjësinë për të siguruar që fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë të kenë qasje në arsim? Kush siguron që të drejtat e tyre kushtetuese janë përmbushur?

Kush do të marrë përgjegjësinë për pasojat e rivendosjes së dhunës si mjet politik? Kush do ta marrë përgjegjësinë kur një gjë e tillë, si gjithmonë, çon te një rritje e dhunës? Kush do ta marrë përgjegjësinë kur përdorimi i nacionalizmit etnik çon, sikur që ndodh gjithmonë në Ballkan, drejt dhunës dhe vuajtjeve?

Kush e merr përgjegjësinë për vendimet që i merr Kosova?

Unë nuk do të pretendoj se Kosova e ka të lehtë. Ajo nuk e ka. Trashëgimia e luftës do të thotë se Kosova ka pasur një lindje të vështirë. Pengesat e vazhdueshme për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ndikojnë që Kosova të mbetet prapa. Le të mos harrojmë, megjithatë, pse Kosova është në një pozicion unik. Kosova ishte i vetmi vend në botë që pati një proces të miratuar nga OKB-ja, që çoi drejt pavarësisë. Nëse situata e Kosovës është unike, kjo është për shkak se çdo gjë në lidhje me historinë e fundit të Kosovës, nga ndërhyrja e NATO-s e deri te pavarësia, është unike.

Është e lehtë ta gjesh dikë për ta fajësuar. Serbia, dhe po, bashkësia ndërkombëtare, janë objektiva të lehta. Ndoshta ka edhe arsye të mira për të fajësuar veprimet e të tjerëve. Por, duke fajësuar të tjerët, thjesht, Kosova nuk do të lëvizë përpara.

Mbretëria e Bashkuar njohu pavarësinë e Kosovës, sepse kemi besuar se Kosova mund dhe duhet ta marrë përgjegjësinë për punët e veta. Unë besoj në popullin e Kosovës dhe fuqinë e tij për ta transformuar Kosovën dhe për të ofruar diçka të veçantë në Evropë dhe në botë. Lëvizja për ta mbështetur Rektorin e Universitetit të Prishtinës tregon se çfarë mund të arrijnë qytetarët. Qytetarët e Kosovës kanë votat e tyre në duart e tyre; me këto vota ata zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe do të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ne do të jemi këtu për të punuar me përfaqësuesit që ju i zgjidhni, dhe për të ndihmuar në përparimin e Kosovës.

Kur Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit, të dyja palët bënë një deklaratë se, tani e tutje, Kosova pritet të veprojë si shtetet e tjera evropiane. Nuk ka dyshim se këtë e vështirësoi fakti se pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën; nënshkrimi i MSA-së vetëm shtatë vjet pas pavarësisë ishte një arritje e vërtetë për Kosovën.

Por, kjo marrëveshje gjithashtu ka dërguar një mesazh të qartë: Është koha për të marrë përgjegjësinë.

(Autori është ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë)

Tendenca e dorës së dytë

0

Dyqanet e librit të përdorur po zhvillohen gjithnjë e më shumë në SHBA. Dora e dytë u ofron atyre mundësi për çmime të lira që konkurrojnë internetin.

Në fillim të janarit, Pablo Sierra do të hapë një librari për librat e përdorur në Uashingtonin Veriperëndimor, një bast i pazakontë në periudhën dixhitale, për më tepër i frikshëm për shkak se eksperienca e tij e vetme me librat është leximi i tyre.

“Besoj se është një çmenduri”, tha Sierra, duke cituar një vëzhgim të bërë nga disa prej miqve të tij.

Ose mbase jo. Sierra, ashtu si të pasionuar të tjerë pas librave, ka lexuar artikuj rreth ngadalësimit të shitjeve të librave elektronikë dhe ka parë se si librari të pavarura të tilla si Politics dhe Prose kanë lulëzuar, duke marrë reputacion te lexuesit që vlerësojnë vendet e librave dhe që mendojnë se letra është pajisja më e mirë e leximit.

Libraritë e librit të përdorur, me cilësitë e tyre të së vjetrës dhe çmimet e lira, po e gjejnë veten në një pikë rritjeje. Në shumë qytete, ka një pozicion de facto të tyre si të vetmet shitje të lira të librave në vend.

Ndërsa nuk ka statistika industriale për shitjen e librave të përdorur, shumë dyqane që i kanë mbijetuar periudhës dixhitale, thonë se shitjet e tyre po rriten.

“Po bëhet çdo vit dhe më mirë”, thotë Susan Buruell, bashkëpronare e Dyqanit të Librave të Përdorur Reston, i vetmi vend i librave të përdorur në qytetin e Virxhinias Veriore, me rreth 60,000 banorë.

Ky është një biznes me para të mira në mes. Libraritë e përdorura i mundin çmimet e Amazonës dhe atyre të shitësve të tjerë online, duke ofruar te blerësit një eksperiencë të soditjes dhe të kursimit të parave. Gjithashtu, normat e fitimit te librat e përdorur janë më të mira sesa ato të librit të ri.

Duke ndier një leverdi në fitim, sipërmarrësit po futen në lojë.

Sierra, 38 vjeç, është një ish-oficer marine dhe ka eksperiencë në kontratat qeveritare. Dyqani i tij i ri, një mjedis i vogël, por i këndshëm, quhet Muret e Librave dhe është pjesë e një zinxhiri dyqanesh filluar nga Gootwals Books në Xhorxhia.

Kompania ka hapur tetë degë që nga viti 2012 dhe ofron një program trajnimi për pronarët. Fillimi i biznesit mund të shkojë deri në 85,000 dollarë.

Shane Gottwals, bashkëthemeluesja e rrjetit, tha se disa nga degët po përmbushin ëndrrën afatgjatë të shitjes së librave. Të tjerë e bëjnë thjesht për para. Të gjithë kanë hasur në një kërkesë të çuditshme.

“Një nga komentet e para që dëgjojmë, është se libraria e fundit në lagje, u mbyll dhe se nuk ka më vend të përshtatshëm për të blerë libra”, thotë Gottwals.

“Është si të kesh një muze ose teatër. Është një qendër kulturore. Është një vend ku do të shkosh, dhe për këtë arsye përbën një investim të mirë”.

Por në asnjë mënyrë, nuk mund të quhet një biznes i lehtë. Shumë shitës të librave të përdorur me vendndodhje të keqe ose menaxhim jo të mirë – ende përballen me vështirësitë e periudhës dixhitale.

Një rrugë që disa e kanë zgjedhur, por që të tjerë nuk e preferojnë, është zgjerimi i konsumatorëve duke listuar inventarët e tyre te shitësit e palës së tretë të Amazon, një ide që shumë shitës të librit të ri e përçmojnë.

Wonder Book & Video i shet librat e vet të përdorur në Amazon dhe vende të tjera në internet. Shitjet janë aq të mëdha, saqë iu desh të zgjeronin ambientet. Rreth 4 milionë libra të përdorur gjenden në rafte.

Një rol të rëndësishëm luan edhe inventari. Libraritë e përdorura zhvillohen ose falimentojnë bazuar te librat që janë në gjendje të blejnë. Duhet të kenë paksa fat për t’i ecur.

Vdekja, divorci apo largimi i njerëzve janë një nga shkaqet që furnizojnë tregun me librat e përdorur.

“Ne marrim shumë nga librat tanë sipas kësaj mënyre”, tha Buruell.

“Njerëzit shpesh trishtohen që u duhet t’i shesin kur zhvendosen nga një vend në tjetrin. I them se mund të vijnë për vizitë derisa të shiten”.

Por pronarët ende duhet të bindin njerëzit të frekuentojnë dyqanet e tyre. Për këtë kanë ndihmuar eventet e leximit. Sierra, libraria e të cilit është në një lagje në ndryshim me banorë hispanikë, do të organizojë aktivitete dygjuhësore.

Por asgjë nuk është më e fuqishme sesa eksperienca e soditjes në ambientet e librarisë, humbja në tufën e madhe të librave, zbulimet e çastit dhe bisedat rastësore me njerëz interesantë.

Megjithëse fitimet nuk do t’i bëjnë pronarët e vegjël të librarive të përdorura pasanikë, ato janë një mjet i mirë për të paguar faturat dhe për të bërë atë që ata duan.

“Kurrë nuk e di se çfarë do të gjesh brenda një libri të përdorur”, thotë një klient i një prej këtyre dyqaneve. /Washington Post

Amnistia e turpit

0

Nga Imer Mushkolaj

Nëse për shkak të shkeljeve kushtetutese janë larguar nga postet Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, pse duhet të amnistohet Isa Mustafa? Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe gjithsesi duhet adresuar përgjegjësia e kryeministrit dhe qeverisë së udhëhequr nga ai. Amnistia e shkelësve të kushtetutës nuk duhet lejuar

Aktgjykimi i Kushtetueses e ka bërë të qartë se parimet e Asociacionit të Komunave Serbe nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e kushtetutës. Për ata që duan ta marrin vesh, kjo don të thotë se me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e këtij organizmi, është shkelur kushtetuta e vendit. Marrëveshjen e ka nënshkruar kryeministri Isa Mustafa, ai është shkelësi dhe ai duhet të marrë përgjegjësi.

Por, në vend se të jetë kështu, Mustafa dhe qeveria e udhëhequr nga ai vendimin e gjykatës po e konsiderojnë këshillues, pavarësisht vërtetimit të shkeljeve.

Ata që nuk i ka tradhtuar kujtesa e dinë mirë se në dy raste, në të kaluarën, dy presidentë të Kosovës i ka rrëzuar nga posti Gjykata Kushtetuese. Në rastin e Fatmir Sejdiut, ai u largua për shkak se u konstatua se kishte bërë shkelje duke e mbajtur në të njëjtën kohë edhe postin e të parit të partisë. Ndërkaq Behgjet Pacolli u detyrua ta lë postin pasi gjykata konstatoi se kishte pasur shkelje procedurale gjatë zgjedhjes së tij nga Kuvendi i Kosovës.

Në të dyja rastet, pra, vendimi i gjykatës u përfill, por kështu nuk po ndodh në rastin e Isa Mustafës. Ai dhe kabineti i tij, ashtu si dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij po sillen thua se s’ka ndodhur asgjë. Ata po shfaqen komodë dhe, pa i konstatuar fare shkeljet e bëra nga i pari i tyre, po zotohen se do t’i përmirësojnë ato gjatë procesit në vazhdim. Por, para se të përmendin përmirësimin e gabimeve, ata duhet të adresojnë diçka tjetër.

* * *

Përpara se të zotohen për përmirësimin e gabimeve dhe lëshimeve, që për ta mund të jenë të parëndësishme, është përgjegjësia politike e kryeministrit Mustafa dhe e qeverisë ajo që duhet adresuar. Nuk mund ta kalohet mbi shkelje kushtetuese, me arsyetimin se ato do të përmirësohen. Jo. Së pari përgjegjësia për shkeljet e bëra, ndërkaq përmirësimet në rend të dytë.

Dhe, nuk është se opozita ose opinionistët kritikë po thonë se kushtetuta është shkelur – këtë po e thotë hiç më pak se institucioni që e ka për detyrë ta mbrojë atë dhe t’i identifikojë shkeljet e saj.

Nëse për Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin është vepruar pa pardon, madje për shkelje edhe më pak të dëmshme se sa kjo e Mustafës, pse duhet që kryeministri të amnistohet nga përgjegjësia? Pse duhet të mbyllen sytë para një vendimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese? Pse duhet shmangur me çdo kusht adresimit të përgjegjësisë?

Po të mos evidentoheshin shkeljet kushetuese në parimet për themelimin e Asociacionit…, atëherë do të vazhdohej me hartimin e statutit. Athua do të identifikoheshin shkeljet kur statuti të hartohej?

Reagimi i opozitës dhe shoqërisë në përgjithësi dhe pastaj veprimi i presidentes që çoi çështjen në gjykatë, nxorën në pah faktin se Mustafa e ka vënë nënshkrimin në një dokument antikushtetues. Ai këtë mund ta ketë bërë edhe pa vetëdije. Ama kjo nuk e amniston atë nga dhënia e përgjegjësisë. Kjo nuk e amniston atë nga ndëshkimi i merituar.

* * *

Kryeministri Mustafa po përpiqet të krijojë përshtypje në opinion se nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakoshme, pas vendimit të Kushtetueses. Por, edhe opozita me qasjen e vet po krijon përshtypjen sikur gjithçka është në rregull.

Nuk ka arsye më të fortë se vendimi i gjykatës, që do t’i shërbente kauzës së opozitës. Nuk ka arsye më të fortë se ky vendim që të kërkohet përgjegjësi politike, institucionale dhe morale nga Isa Mustafa.

Opozita është dashur që qysh në momentin kur aktgjykimi është bërë publik të nisë ofensivën e sqarimit të vendimit për njerëzit e rëndomtë dhe krijimin e strategjisë që tash, bazuar edhe në një vlerësim zyrtar institucional, ta çojë kauzën përpara.

Nuk mjaftojnë vetëm thirrjet për protestën e 9 janarit, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat në media. Nëse e kanë seriozisht, partitë opozitare duhet ta shfrytëzojnë momentin e krijuar dhe nuk duhet lejuar hapësirë Mustafës dhe qeverisë së tij që të përpiqen të arsyetohen dhe t’i përligjin shkeljet e bëra.

Të gjithë duhet ta kuptojnë se një shkelës i kushtetutës nuk mund t’i sanojë shkeljet dhe as ka të drejtë morale ta bëjë një gjë të tillë.

Shoqëria nuk duhet lejuar që një shkelës i kushtetutës të fshihet pas vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për t’i përmirësuar ato. Mustafa është dashur të tregohet i kujdesshëm pa e nënshkruar marrëveshjen. Tash është vonë.

Më e pakta që duhet ta bëjë një shkelës i kushtetutës është largimi nga posti. Amnistia e shkelësve të kushtetutës kurrsesi nuk duhet lejuar. Ata duhet ndëshkuar.