Home Blog Page 6890

Limaj: Më 9 janar fillon beteja për rrëzimin e Qeverisë me protesta (Video)

0

Viti 2015 ka qenë më i rëndi për Kosovën, vit me jostabilitet politik, me vendime të vështira, të rënda dhe të dëmshme për vendin, që nga fillimi i koalicionit qeveritar, nga deklarata e famshme e ministrit serb, që u shoqërua me protesta e për të vazhduar deri në bllokimin e seancave të Kuvendit, ka vlerësuar kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ai në një intervistë ekskluzive për Indeksonline ka thënë se asnjëri nga ne, në asnjë plan nuk ka me çfarë të krenohet për këtë vit, me shpresën që ky vit nuk do të përsëritet më asnjëherë.

“Në këtë vit për Nismën për Kosovën, si subjekt i ri politik në vend, situatat e tilla e kanë ndihmuar që të sfidohet. Me këto që jemi sfiduar këtë vit, kemi mundur të mos sfidohemi kurrë. Nisma pati fatin që menjëherë të sfidohet me këto realitetet politike, dhe kjo situatë e ka dëshmuar se e nevojshme ka qenë një parti si Nisma, sepse roli ynë ka qenë koheziv dhe bashkëpunues”, ka thënë Limaj.

Ai theksoi se partia të cilën e drejton është munduar që të jetik korrekte më të gjithë, duke luajtur rol koheziv në opozitë dhe duke sjell një frymë tjetër të gatishmërisë për të qëndruar fuqishëm kundër parimeve që janë në dëm të vendit.

Sipas tij, përbërja e kaluar e Kuvendit ka qenë në numër më të madh se pozita, por ka qenë e përçarë copë – copë dhe e paorganizuar, dhe për herë të parë pas lufte Kosova ka një opozitë të bashkuar e cila është edhe meritë e Nismës, e cila siç tha ai, ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin të aktiviteteve në interes të vendit.

Duke folur për zgjedhjet brenda Nismës, Limaj tha se për shkak të shumë zhvillime që kanë ndodh në vend, nuk kanë mundur t’i kushtojnë kujdes dhe të përkushtohen në këtë pjesë, duke shtuar se presin që në pranverë të shkojnë drejt Kuvendit të partisë, të cilën e quajti parti e mirëfilltë politike me program social-demokrat.

Duke folur për opozitën e bashkuar, Limaj ka thënë se ata janë bashkuar në dy kërkesat e tyre – kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

“Krejt aktivitetin tonë e kemi bërë të përbashkët në gjetjen e rrugës së ndalimit të marrëveshjeve. Ne asnjëherë nuk e kemi fsheh që jemi tri parti të ndryshme me koncept e program politik, dhe kemi qasje të ndryshme dhe asnjëherë nuk kemi pas tendencë që të bëhemi si njëri – tjetri, por të ruajmë subjektivitetin e vet secili”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, ata kanë bërë lëshime për çështje që janë në interes të vendit, por jo duke humbur identitetin dhe kjo, ka shtuar ai, është çelësi i suksesit të opozitës se bashkuar, e cila e përmbylli viti suksesshëm.

Sa i përkët përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend, lideri i Nismës thotë se ai ka qenë skeptik dhe nuk i ka pëlqyer kjo.

“Por koha po tregon ndryshe, se nuk kishte rrugë tjetër për të parandaluar marrëveshjet dhe vendimi i kushtetueses po na dëshmon këtë”, ka thënë ai.

Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, Limaj thotë se pas këtij vendimi është krijuar realitet i ri.

“Aktgjykimi i kushtetueses e vërtetoi se ne kemi pasur të drejtë dhe marrëveshja e 25 gushtit ku gjykata konstaton se shumica dërmuese është në kundërshtim me kushtetutën, tregon që opozita ka pas të drejtë në kauzën e saj. Pas vendimit të kushtetueses kemi një realitet të ri, dhe vendimi duhet pranuar dhe respektuar, dhe hapi i parë është që qeveria të jap dorëheqje sepse para vendimit është zotuar se marrëveshja është në pajtim me kushtetutën, e tash është momenti që të marrin përgjegjësi politike”, thotë Limaj.

Sa i përket protestës së 9 janarit të paralajmëruar nga opozita, Limaj thotë se ky manifestim do të jetë për tejkalimin e krizës dhe dorëheqjen e opozitës, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Shpresoj që më 1 janar qeveria të paktën të jap dorëheqje, sepse Kosova nuk mund të qeveriset nga dikush që ka shkel kushtetutën”, thotë ai.

Në vazhdim mund të ndiqni intervistën e plotë të Fatmir Limajt për Indeksonline ku ai flet për raportet me Hashim Thaçin, listën e përbashkët me opozitën, etj.

Rahovecianit ia vjedhin automjetin gjatë natës

0

Persona të panjohur i kanë vjedhur një automjet banorit në fshatin Fortesë të komunës së Rahovecit.

Pronari i automjetit e ka raportuar rastin në polici.

“N.N. me 29.12.2015 ka raportuar se persona të panjohur gjatë natës i kanë vjedhur automjetin e tipit VW-Kombi, me targa vendore”, thuhet në raportin e policisë.

Policia bën të ditur se janë duke hetuar rastin. /PrizrenPress.com

E rreh me shkop druri – e bën për spital

0

Një person është arrestuar në rrugën “Adem Jashari”, në qytetin e Malishevës.

Sipas policisë, i dyshuari për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme ka sulmuar një mashkull me një shkop druri, ku i kishte shkaktuar lëndime trupore.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në QKMF-Malishevë dhe më pas është liruar.

Ndërsa, edhe i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Gjykata e Prizrenit e vlerëson të suksesshëm vitin 2015

0

Gjykata Themelore e Prizrenit sot mbajti konferencën me media ku u prezentua raporti i punës vjetore për vitin 2015 të kësaj gjykate.

Kryetari Ymer Hoxha gjatë prezentimit të raportit të punës për gjykatën ka njoftuar për zvoglimin e numrit të lëndëve të bartura, të kryera për vitin 2015.

“Edhe pse gjykatat vazhdojnë të veprojnë me kapacitete të kufizuara, efikasiteti i gjyqtarëve gjatë vitit 2015 në përqindje ka qenë – Gjykata Themelore e Prizrenit me 79.28 %, Gjykata Themelore në Prizren dega Suharekë me 104.38%, Gjykata Themelore në Prizren dega në Dragash me 94.84% që është dëshmi e përkushtimit të stafit të gjykatës Themelore në Prizren së bashku me degët”, tha Hoxha.

Gjykata e Prizrenit-puna vjetore2015

Këto tabela janë tregues i rezultateve të reformave të cilat janë ndërmarr në gjykatën Themelore të Prizrenit si dhe degët e saj Suharekë dhe Dragash gjatë vitit 2015.

Vlenë të cekët se statistikat e lëndëve të Gjykatës Themelore të Prizrenit i rëndon më tepër Divizioni i Kundervajtjes, ndërsa lëndët me peshë si lëndët që i përkasin Departamentit për Krime të Rënda, Departamentit të Përgjithshëm Penal dhe Civil, ka arritur që numri i këtyre lëndëve të zvoglohet dukshëm.

Sipas kryetarit të kësaj gjykate, gjykatat vazhdojnë të kenë nevojë edhe për gjyqtarë shtesë, për bashkpunëtor profesional, për përkthyes, për rritjen e numrit të stafit administrative, në atë mënyrë që të shtohet niveli i efikasitetit në këtë gjykatë.

Gjatë periudhës raportuese gjykata ka bashkpunuar ngushtë me mediat, OSBE-në, policinë, prokurorine, organizatat joqeveritare e në veqanti me OJQ EC Ma Ndryshe. /PrizrenPress.com

Shënohet Dita e Veteranit të UÇK-së në Prizren

0

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot shënon Ditën e Veteranit, ditë që nderon kontributin e sakrificën e tyre për liri.

Me rastin e shënimit të kësaj Dite, Komuna e Prizrenit se bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe dhe buqeta me lule të varrezat e dëshmoreve në Landovicë dhe para “Monumentit të Lirisë”.

Kryetari i komunës se Prizrenit, Ramadan Muja dhe shumë qytetarë vlerësuan lartë kontributin e gjithë luftëtareve te lirisë, sidomos sakrificën sublime të dëshmoreve të kombit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë dhe shtetin tonë. /PrizrenPress.com

Krasniqi: Beogradi e do “Vatikanin serb” në Kosovë

0

Ish–kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një shkrim autorial dërguar mediave ka komentuar në lidhje me deklaratat e fundit të Tomisllav Nikoliqit, i cili ka thënë se pozitës së Kishës ortodokse serbe në Kosovë t’i propozohet modeli i Vatikanit.

Kjo deklaratë për Jakup Krasniqin, është edhe një apetit i shtuar i serbëve për Kosovën.

Shkrimi i plotë i Krasniqit

Pasi Qeveria e Kosovës (dy Kryeministra e saj) në bisedimet e Brukselit me Daciqin e Vuciqin, arritën ta krijojnë “zajednicën”, një “Republikë Serbska” në Kosovë, tashme të shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Ky fakt, për Beogradin ka hapur orekse të reja për copëzimin e Kosovës. Këto orekse, jo të pa njohura për çdo njëri që shikon pak përtej bregut, i shfaqi njeriu i parë i shtetit, Kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq i cili në bisedë me patriarkun Irinej kanë biseduar dje në Patriarkanë për mundësinë që pozitës së Kishës ortodokse serbe në Kosovë t’i propozohet modeli i Vatikanit!

Pra, kreu i shtetit serb nuk është i kënaqur me një “zajednicë” serbe, ai kërkon edhe një “zajednicë” tjetër, por tani të Kishave e të Manastireve serbe në Kosovë.

Gazeta Beogradase “Novosti”, njofton për takimin e mbajtur në mes kreut të shtetit dhe kreut të kishës dhe se takimi është mbajtur në vlugun e përgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, e sipas paralajmërimeve të ekipit negociues serb.

Nga kjo bisedë, dihet se Qeveria serbe, për raundin e ri të negociatave ka ndërmend ta paraqesë pikërisht çështjen e statusit të Kishës Ortodokse serbe (KOS) dhe të pasurisë së saj në Kosovë.

Kjo është edhe një dëshmi tjetër se marrëveshjet me Serbinë nuk kanë përfunduar. Kur merret parasysh fakti se qeveritarët tanë deri më tani kanë bërë marrëveshje të dëmshme, për çka ka treguar edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila vetëm në një marrëveshje ka konstatuar se janë shkelur tetëmbëdhjetë (18) nene të Kushtetutës të shpërndarë në tetë kapituj vital të saj.

Nga përmbajtja, shumësia e thellësia, këto shkelje në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen më atë të presidentit Sejdiu.

Pas këtyre shkeljeve të renda të Kushtetutës nga Kryeministri dhe delegacioni i tij në Bruksel, është më shumë se e qartë se këta njerëz e kanë humbur çdo kredibilitet për t’i vazhduar bisedimet me Serbinë.

Këta qeveritarë janë të obliguar që ta ndjekin rrugën e Presidentit Sejdiu dhe të dorëheqjen. Ky është edhe obligimi i tyre kushtetues – janë shkelës te Kushtetutës. Nëse këta nuk e bëjnë këtë, atëherë duhet të jetë veprimi i qytetarëve të bashkuar që t’i detyron të bëjnë ketë.

Pasi jemi në fund të një viti të një qeverisje tepër të keqe, këta njerëz të pa përgjegjshëm le ta presin Vitin e Ri 2016 duke i mbajtur pozitat e pa merituara, por me kushtin që të përgatiten për dorëheqjen nga pozitat e tyre që tani më janë kundër kushtetuese. Ky akt i këtyre njerëzve do të ishte Urimi më i mirë i fillimvitit 2016 për qytetarët e Republikës së Kosovës! Ata vetëm kështu, duke ikur nga pushteti, mund t’i shërbejnë vendit të tyre – Republikës së Kosovës. Është momenti i duhur që qytetarët e Kosovës, ta lënë shtetin në duar të sigurta!

Filli ynë i para 24 vjete, ku mbeti?

0

Nga Jakup KRASNIQI

Sot e 24 vjet më parë një meteor vezullues ndriçoj qiellin e tokën tonë shqiptare dhe ai meteor ishte, kush tjetër veç Adem Legjendarit i cili guximshëm nisi rrugën e Kthesës së Madhe të lirisë, të çlirimit e të bashkimit të kombit shqiptar. Rruga ishte aq e vështirë, sa që shumësia e bashkëkombësve të tij as guxonin ta ëndërronin, përkundrazi na tmerronin me frikën e zhbërjes, por, ai Legjendari ynë, jo vetëm guxoi të ëndërronte, por guxoi të besonte e luftonte, se për atë ëndërr ia vlente çdo flijim për liri! Ai në fakt, kishte vite që kishte nisur fillin e lirisë sonë.

Dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit XX shënon një ndryshim të mëdha në jetën e shqiptarëve të Kosovës në raportet e tija me politikën shoviniste serbe, të diferencimeve të brendshme ndërshqiptare, shpesh të imponuara e të përqafuar me qyqarllek. Fillon epoka e bashkimit të shqiptarëve, shkëputja nga vargojt e ingranazhet që kishte ngritur shovinizmi serb dhe formimi i Lëvizjeve alternative të shqiptarëve për liri, mëvetësi e demokraci. Në këtë kohë të ndryshimeve të premtuara, shqiptarët nuk u gjeten më së miri. Ashtu siç tregoj koha, më e mira e kësaj kthese ishte vazhdimi i organizimit të fshehtë të shqiptarët – LPK-ja dhe krijimi i Formacionit të armatosur nga Adem Legjendari (nga gjiri i saj) dhe pushka e tij kundër pushtuesit serb më 30 dhjetor të vitit 1991. Vitet treguan, fatbardhësinë e atij rrugëtimi faqebardhë!

Në 30 dhjetorin e vitit të mbrapsht 2015, kujtojmë 24 vjetorin e përballjes më të madhe të popullit shqiptar me forcat barbare të pushtuesit shekullor serb; kujtojmë fillimin e luftës çlirimtare të UÇK-së të prirë në mënyrë më të sofistikuar e të vendosur nga Komandanti legjendar- Adem Jashari, nga UÇK-ja dhe SHP i saj. shënojmë triumfin e lirisë mbi robërinë, të drejtësisë mbi padrejtësinë, të së mirës mbi të keqen, të njeriut mbi antinjeriun, të demokracisë mbi autokracinë, të jetës mbi vdekjen, të përjetësisë mbi harresën. 30 dhjetori i vitit 1991 shënojë fillimin e ndërgjegjësuar për komb e atdhe te një flijimi biblik për liri, drejtësi, barazi, pavarësi e demokraci, që më 5, 6, 7 mars 1998 përmbyllet me flijimin më të madh njerëzor që tejkalon flijimet biblike për jetën e lirinë, për mirëqenie, për ardhmërinë njerëzore, për njeriun njeri që krijon e vlerëson vlerat e luftës çlirimtare, të lirisë, të paqes e të demokracisë. Kështu edhe mund të thoshim për shumë përvjetorë, por a mund të themi pas marrëveshjeve të 19 prillit 2013 e asaj të 25 gushtit 2015, të nënshkruara nga Hashim Thaçi, respektivisht Isa Mustafa?! Të cilët me marrëveshjet antikushtetuese të konfirmuara edhe nga Gjykata Kushtetuese, po e rikthejnë Serbin e bijve politik te Millosheviqit (Daciq – Vuciq) në Kosovë!

Në të gjitha Luftërat Çlirimtare të shekullit XX, te shqiptarëve të Kosovës, Drenica e në Drenicë Prekazi ka pasur rolin prijatar, rol që ka rezultuar me fitore në rrafshin kombëtar në qershorin e vitit 1999. Ashtu si asnjë rrugë nuk ndërtohet pa ia nisur punës me bindje e vendosmëri, po ashtu as atdheu nuk çlirohet pa luftë dhe pa flijime të dhimbshme në themelet e lirisë. As sot, pas 24 viteve, pak kush mund ta kontestoi se Lufta për çlirimin e Kosovës nga hordhitë armike nisi në Prekaz, në Prekazin e Adem Legjendarit. Pa dyshim, kësaj i dha kuptim e urgjencë partneriteti ynë me Aleancën Veriatlantike.

Sot jemi 24 vjet pas, 24 vjet për Kosovën dhe shqiptarët do të duhej të shijoheshin frytet e Kthesës së Madhe, fryte që nuk po duken ashtu si pritëm dhe si meritoj ky popull.. 30 dhjetori shënoi blindimin e frikës në katër rrota dhe përgatitjen e saj për ikje nga Kosova; 30 dhjetori i vitit 1991 shënon triumfin e guximit, zbritjen e tij në Tokën e Kosovës, hyrjen e tij në shpirtrat e njerëzve dhe ecjen e tij të pandalshëm kah liria me” pushkën e gjatë” të lirisë mbi supe. 30 dhjetori na bëri të jemi të sigurt në Tokën tonë, në shtëpitë e në familjet tona, në shkolla e çerdhe tona, në fshatra e qytete tona, të jemi nën qiellin e në hapësirën tonë, në ngrohtësinë e rrezeve të diellit tonë që na kishte munguar për shekuj. Ku jemi dhe çka pamë 24 vjet pas, e sidomos 16 vjet pas lirisë?

Pamë që edhe 24 vjet pas, shumëçka në Kosovë vazhdon të jetë peng i pavendosmërisë sonë qytetare, i pa gatishmërisë se institucioneve e njerëzve që drejtojnë ato institucione për tu liruar nga mentaliteti i shoqërisë së shkuar, pamë sjellje bizare të krye qeveritarëve tanë. Institucionet tona edhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjet pas Luftës Çlirimtare e tetë (8) vjet pas pavarësisë, mbizotërohen nga trashëgimtarë të së kaluarës, drejtojnë buxhetin e vendit si “t’ua kishte lënë baba”, këshillohen dhe ecin në gjurmët e majorizimeve e të shëmtimeve të shumta të së shkuarës. Pamë të gjitha dobësitë e qeverisjes së keqe, të gjitha vazhdimet e diferencimeve në jetën shoqërore e publike. Pamë ikjet nga atdheu e burgosjet e deputetëve që ishin verë në mbrojtje të Atdheut! Pamë se pa ligjësia e pa kushtetutshmëria janë duke ndodhë edhe në Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike?! Kush mundte vetëm ta mendonte ketë para 16 viteve të lirisë a tetë viteve të pavarësisë? Kur Kosovës iu dha rasti ta shijonte diellin e lirisë!

Edhe 24 vjet pas 30 dhjetor 1991, vazhdojmë të jemi të bindur se vetëm duke ecur me guxim në gjurmët e atyre që sollën Kthesën e Madhe, treni i Kosovës së lirë do të arrin në destinacionin për ku është nisur. Ata që i ndan dhe i përçan çlirimtarët për interesa meskine, që i dhuruan pushtetin të papërgjegjshmëve, strukturave të inkriminuara të së djeshmes dhe së sotshmes, ata që marrin vendime, detyra dhe obligime jashtë sferave të interesit kombëtar, kanë marrë e do të mbajnë përgjegjësi para Dëshmorëve të Kombit, para atdheut e kombit. Koha për korrigjimin e vendimeve të dëmshme e antikushtetuese është tani, nesër do të jetë vonë.

Kujtimi e nderimi i 24 vjetorit tw Kthesës së Madhe na obligon që fitoret e UCK-së, lirinë, pavarësinë t’i ruajmë si dritën e syrit! Për ketë na obligojnë Jasharët Legjendar, na obligon Komandanti Legjendar – ADEM JASHARI! Na obligojnë gjithë Dëshmorët e Kombit! Gjithë dëshmoret e gjeografisë shqiptare!

Bacë Ju e kryet detyrën tuaj! E Na, kur do ta kryejmë?!

Ymeri: Zajednica ka vdekur

0

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në 2015-në opozita në Kuvend është treguar më e fuqishme sesa pozita.

Ai në një intervistë për ‘Epokën e re’ ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të vdekur marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas Ymerit, kjo Qeveri nuk ka as legjitimitet e as legalitet të vazhdojë më tutje.

Ai ka thënë se zgjedhjet e parakohshme do të sillnin frymëmarrje të re demokratike në vend.

Kreu i VV-së ka paralajmëruar se protesta e 9 janarit do të jetë qytetare, masive dhe paqësore.

Thaçi: Nuk pres pengesa për president

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i parë, Hashim Thaçi e ka quajtur vit të suksesshëm 2015-n.

Ai në një intervistë për ‘Epokën e re’ ka thënë se nënshkrimi i MSA-së, tërheqja e një miliard e gjysmë investime nga jashtë dhe krijimi i kornizës ligjore që garanton gjyqësor të pavarur, janë të arriturat kryesore për këta 12 muaj.

Sipas Thaçit, Kosova në rajon është bërë shembull i bashkëjetesës fetare dhe kundërshtimit të radikalizmit dhe të ekstremizmit.

Zëvendëskryeministri tha po ashtu se nuk ka asnjë arsye të vonohen apo të pengohen proceset politike në Kosovë.

Ai po ashtu u shpreh se nuk sheh arsye se do të ketë pengesa në votimin për president.

Një libër në javë

0

Një libër në javë? Pse? Sepse, së pari, ndihesh mirë! Të lexosh nga një libër çdo javë të ndihmon të mendosh mirë dhe të jep një numër të madh idesh; është shumë më mirë sesa televizori, madje edhe se interneti; të ndihmon ta kuptosh më mirë botën.

Pse pikërisht një libër në javë?

Është e vërtetë që do të ishte shumë më e thjeshtë nëse do të thuhej “lexo më shumë libra”. Por, në fakt, qëllimi dhe mbi të gjitha rezultati nuk do të ishte i njëjtë. Natyra njerëzore është e ndërtuar në mënyrë të tillë që vazhdimisht ka nevojë për shtysa. Kështu, t’i vendosësh vetes një qëllim, në këtë rast një numër librash për t’u lexuar, ndihmon. Është njëlloj si qëllimet që i vëmë vetes vazhdimisht në fillim të çdo viti për gjërat që zotohemi t’i bëjmë, por me një ndryshim: duke qenë afatgjata shumicën e atyre qëllimeve, të jemi të sinqertë, i harrojmë që muajin e parë. Në këtë rast, rezultati është plotësisht i arritshëm, pasi mendohet si punë e kryer në fund të çdo jave dhe si çdo punë tjetër e përfunduar me sukses, të bën të ndihesh mirë. Shtoi kësaj edhe kënaqësinë që të jep leximi i një libri të ri dhe misioni është përmbushur.

Zgjidh librat

Bëj një plan të librave që mendon dhe ke dëshirë të lexosh. Mundohu që çdo javë të lexosh libra me një mesatare 250-300 faqe. Nëse një javë lexon një libër më voluminoz, alternoje javën në vijim me një libër të vogël dhe argëtues.

Ktheje leximin në rutinë

Kjo është e rëndësishme. Të gjithë kemi atë rutinën e të bërit të gjërave në të përditshmen tonë. Mund ta bësh rutinë që, për shembull, të lexosh në mëngjes disa faqe duke rrufitur kafenë (gjithmonë nëse nuk je tipi i atyre që në mëngjes preferojnë gazetat) ose mund të lexosh disa faqe në shtrat para se të flesh.

Mos humb asnjë moment

Nëse ke një pushim në punë, mos e shpërdoro kot; nëse ke pushim dreke, përdore për të lexuar; nëse udhëton me autobus, mbaje librin në çantë (gjithmonë nëse, në raste të rralla, ke mundësi të jesh ulur). Të lexosh qoftë edhe dy faqe ndërkohë që ke një pushim të shkurtër të ndihmon të vazhdosh punën më me efikasitet.

Nuk është krim të bësh hile

Kanë kaluar dy ditët e para të javës dhe ende nuk ke nisur një libër? Është koha të bësh me hile? Mbase mund të duket jo e dobishme. Dua të them, të mashtrosh veten?! Por në fakt nuk ashtu. Zgjidh një libër të shkurtër, qoftë edhe nga ata që i ke lexuar më parë, mjafton që të jetë një libër që të të bëjë të ndihesh mirë dhe të të argëtojë. Edhe librat e vegjël mund të jenë të jashtëzakonshëm.

Si përfundim:

Leximi është argëtues, por mbi të gjitha të bën njeri më të mirë, më të kompletuar, më të lumtur. E gjithë dituria e botës është e përqendruar nëpër libra, gjëra që nuk i gjeni në internet.

Ndaj, nis që sot. Tërhiq një libër nga biblioteka dhe javë të mbarë!