Home Blog Page 6942

Molliqaj: Qeveria rrëzohet vitin e ardhshëm (Video)

0

Duhet të kalohen disa dyer e disa oborre të fshatit Beleg të Deqanit për të arritur tek Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Zyrtari i lartë i partisë është duke u ruajtur të mos u bie në dorë policëve dhe shpreson që do qëndrojë larg burgut deri në realizimin e kauzës së opozitës për rrëzimin e pushtetit dhe anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Pasi ka kryer ceremoninë e varrimit të gjyshes, Molliqaj pranoi të flasë për KALLXO.com në intervistën e parë të tij pas protestave të cilat ia dhanë atij ilegalitetin.

Shkak për këtë u bë momenti kur Molliqaj u pa gjatë protestës duke e larguar nga vetura zyrtare një këshilltar qeveritar,para se vetura të demolohej.

Në nisje të intervistës Molliqaj lë të nënkuptohet se nuk u ka rënë pishman fjalëve të tij para Kuvendit të Kosovës ku kishte deklaruar “o të gjithë në burg, o do lirohen të gjithë”.

“Në përpjekjen tonë për t’u çliruar nga mendësia politike që shteti i Kosovës të ndërtohet nga koncesionet dhe dialogu me Serbinë dhe për t’u çliruar nga bandat kriminale të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, kjo përpjekje do jetë ose të gjithë në liri, ose të gjithë në burg”, thotë Molliqaj.

Ditët e fundit Dardan Molliqaj thotë se ishte në Deçan, për të mobilizuar qytetarë për manifestimin e nesërm në Gjakovë, të organizuar nga opozita.

“Kam qenë nji kohë, këto dy-tri ditë në Dukagjin në mobilizimin e qytetarëve para manifestimit”, tha ai.

I pyetur pse nuk po del publikisht në aktivitetet e Vetëvendosjes, Molliqaj thotë që nuk ka asnjë thirrje prej policisë, por nuk është i gatshëm të kidnapohet, siç ai shprehet nga bandat kriminale.

“Unë nuk kam ftesë prej policisë as në shtëpi e as në zyre. Unë si çdo aktivist i Vetëvendosjes jam duke e bërë aktivitetin tim, por jam duke u kujdesur për shkak se nuk jam gati e ua lehtësu kidnapimin politik këtyre bandave kriminale. Kontributi i secilit aktivist është më i madh në liri se në burg”, thotë ai.

E me këto aktivitete kundërshtuese, Molliqaj po e sheh fundin e pushtetit aktual.

“Jo më larg se vitin e ardhshëm pushteti ka me u ndërru”, thotë Molliqaj.

Por, pse nuk ishte Dardan Molliqaj prezent në manifestimin e 28 Nëntorit?

“Unë do të jem në aktivitete, por jo në të gjitha. E për 28 Nëntor kam mungu sepse është vlerësu që është më e rëndësishme që atë ditë mos me qenë aty. Kam qenë nëpër komuna në mobilizim. E rëndësishme ka qenë që unë mos me u arrestu”, rrëfen Molliqaj.

Ai tregon për një nivel organizimi në Vetëvendosje ku sipas tij diskutohen edhe pjesëmarrja ose jo e dikujt në protesta. Për mos-pjesëmarrjen e tij më 28 Nëntor, Molliqaj thotë se ka vendosur kryesia dhe grupi parlamentar i VV-së.

Sipas tij, qëllimi i këtyre vendimeve është ruajtja e forcave dhe masivizimi i aktiviteteve.

“Qëllimi i organizatës tonë është qysh me i rujt forcat sa ma shumë. Qëllimi jonë është me i masivizu aktivitetet tona, me e goditë këtë pushtet kriminal dhe një ditë me e rrëzu komplet. E unë jam i bindun që kjo do të ndodhë”, thotë Molliqaj.

Duke folur për deklaratat e fundi të ndërkombëtarëve, Molliqaj është i bindur se tashmë është dëshmuar se vlerësimet e Vetëvendosjes kanë dalë të drejta.

Molliqaj ka folur edhe për paraqitjen e Albin Kurtit në protestën e 28 nëntorit duke i vënë kapak fjalëve se paraqitja e Kurtit ishte e planifikuar.

“Liderët opozitarë kanë qenë të njoftuar për fjalimin e Kurtit dhe është bërë në koordinim. Nuk ka qysh me pas çarje. Çdo tradhti e secilit prej neve në këtë proces përveç se është tradhti ndaj Kosovës, është edhe tradhti ndaj vetes”, thotë Molliqaj.

Ai parashikon edhe arrestime tjera të deputetëve.

“Unë mendoj qe ka me pas ende deputetë të arrestuar… Po sigurisht që do të ketë gaz, protesta e arrestime”, thitë ai.

Herën e fundit kur policia hyri në selinë e Vetëvendosjes për ta arrestuar Kurtin, nga aty doli me gjësende tjera e material të përdorur në protesta, përfshirë edhe bombola gazi lotsjellës.

Molliqaj thotë se nuk është asgjë befasuese ajo që gjeti policia.

“Ne kemi gjuajt gaz lotsjellës, ne kemi gjuajt sfera me ngjyrë në eskortën e kryeministrit Mustafa, kemi gjuajt Molotov nuk është asgjë. Ka pasur edhe miell sepse ka qenë e paraparë që pas aksionit me ve, ta gjujmë kryeministrin me miell”, thotë ai.

Ai flet edhe për aktivitetin e nesërm në Gjakovë, në të cilin thotë se nuk do të marrë pjesë.

Ai thotë se sado që nuk u përmbahet “urdhrave politikë” për t’iu dorëzuar policisë, dënimet e komunikacionit i paguan.

“Unë e asnjë aktivist i Vetëvendosjes nuk kemi asnjë rast tjetër të hapur të shkeljes së ligjeve, përveç aktiviteteve publike. Edhe dënimet e komunikacionit të gjithë i paguajmë”, thotë ai. /Kallxo.com

Gratë e Rahovecit dhe Mamushës diskutojnë për barazinë gjinore

0

Në ambientin e motel restaurantit “Esra Palace” në Rahovec, në organizimin e GIZ- it Gjerman, Agjencionit për barazi gjinore dhe Rrjetit të grupeve të Grave të Kosovës, u mbajt një tryezë me temën “Barazia gjinore dhe Korniza Ligjore”, ku morën pjesë gratë nga Rahoveci dhe Mamusha. Në këtë tryezë kanë morë pjesë edhe nënkryetari i komunës së Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, si dhe drejtorët komunal, Fehmi Hoxha, Lulzim Sylejmani dhe Kujtim Q. Popaj.

Përfaqësuesja profesionale e projektit për barazi gjinore, Nebahate Maqedonce, tha se ligji për barazinë gjinore promovon vlerat themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, dhe përcakton masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të barabarta të femrave dhe të meshkujve si dhe përgjegjësitë e institucioneve.

Nicole Frantworth, eksperte për barazinë gjinore, e elaboroi Kornizën ligjore, dhe në vazhdim thotë se ky ligj vlen për meshkujt, femrat dhe personat që kanë një karakteristikë të mbrojtur identitetin gjinor apo të seksit, si dhe garanton mundësi dhe trajtim të barabartë në sferën publike dhe private të jetës shoqërore, duke përfshirë jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin, kulturën, dhe sferat tjera të përcaktuara me këtë ose ligj tjetër.

Shumë gra të pranishëm nuk janë pajtuar me trendin momental sa i përket barazisë gjinore, duke thënë se pak janë ato gra që posedojnë biznese private, ose pjesëmarrjen në vendimmarrje, ndërkaq ato të Mamushës theksuan se në komunën e tyre asnjë grua nuk ka biznesin privat.

Me diskutime të tyre kanë kontribuar edhe nënkryetari Xhemali Haxhimustafa, tre drejtorët në qeverinë komunale Fehmi Hoxha, Lulzim Sylejmani, Kujtim Q. Popaj, si dhe Habibe Haxhimustafa, zyrtare komunale për barazinë gjinore. /PrizrenPress.com

Mision në moshën e turbullt

0

Tregim nga Hajdar Mallaku

Është thënë për moshën e adoleshencës se është moshë e bardhë, moshë me krahë, moshë shpërthyese, moshë e urës kalimtare nga një çmenduri e lehtë në moshën e arsyeshme, por dhe moshë e trazuar që i ngjet një uji të turbulluar, që, sado që duket i kthjelltë, nuk dihet çka nxjerr në sipërfaqe.

Puna me nxënës më provoi në shumë raste. Isha profesor dhe prind që profesionin e arsimimit të brezit të ri e doja shumë. Por në këtë punë delikate puna e donte që të jem edhe qortues, edhe paditës, edhe ndëshkues, aspak me dëshirë dhe gjithnjë i matur që ta zgjidhja problemin sa më mirë dhe pa dhimbje për nxënësin. Të gjitha këto detyra ishin obligim për secilin nxënës e veçmas për ata nxënës që luhateshin të dilnin jashtë normave dhe etikës shkollore. Ata vinin nga rrethe të ndryshme, me edukatë, me standard jetësor dhe njohuri të ndryshme dhe këto shërbenin për bazë të ndërtimit të mëtutjeshëm të qëndrimit ndaj tyre, por të gjithë ishin në moshën shpërthyese të adoleshencës kur duhej ruajtur një baraspeshë në mes gjërave të mundshme dhe atyre imagjinare. Më brengoste sidomos edukata e tyre, sepse arsimimin kush më shumë e kush më pak do ta arrinin.

E kisha në klasë nxënësen Erleta B. që vinte nga një fashat i Dukagjinit, ku përtheheshin fushat e pëlleshme buzë lumit me bjeshkët e thepisura që kafshoheshin si i kafshojnë dhëmbët buzët kur habitemi.

Jeta në fshatin e lindjes së saj i kishte, si çdokund, katër stinë: atë të punëve në fushë që zgjaste deri në qershor, atë të verimit në bjeshkë që zgjaste prej korrikut e deri në shtator, atë të vjeshtës që zgjaste prej tetorit e deri në dhjetor, kur zbritnin nga bjeshka me bagëti dhe bulmete dhe i vilnin pemët në kopshtet rreth oborreve dhe atë të dimrit që lidhej me mbylljen në shtëpi dhe dimërimin mbytës. Secila i kishte bukuritë e saj, por ajo më e dashura ishte koha e verimit në bjeshkë. Atje kryesisht shkonin barinjtë, bareshat, gratë e moshuara që merreshin me punët e bulmetrave, vajza, fëmijë, gra të veja… Fëmijët mblidhnin boronica me të cilat siguronin pije për dimër apo i shitnin për të siguruar para për shkollim. Kishte dhe të rritur që mblidhnin bimë mjekësore dhe i shitnin në fabrikë.
Erleta thua se s’kishte askënd në familje. Po përfundonte dhe viti i tretë në gjimnaz dhe askush nuk ishte dukur për t’u interesuar se çfarë suksesi kishte, a vijonte me rregull, çfarë sjellje kishte me shokë e shoqe e me profesorë. Thoshte njeriu se kish ardhur nga jetimorja. Vërtet prindërit e saj kishin filluar një punë të re, merreshin me një tregtizë të vogël, por si të lejohej që prindi ta barazojë fëmijën me paranë, duke i dhënë përparësi parasë, pa e menduar se paraja humbet sot, por fitohet nesër, ndërsa fëmija i humbur nuk kthehet më. Dhe kush ishte fëmija i tyre? Ç’ kishte sjellë Erleta nga vendlindja, nga fshati në qytet ? Sigurisht lirinë e bjeshkëve, hapësirën e pafund ku përthureshin fluturimet e shqiponjave që shkëputën nga shkrepat, pasi i kanë mprehur sqepat dhe i çajnë si disk luginat duke i piketuar pretë që fshihen kreshtave apo gjetheve. Kishte sjellë vajtimin e lahutarit, magjinë e fyellit, dridhërimat e gajdexhinjve apo këngët me gisht në fyt të vajzave dhe atë të shuplakave si burizan të burrave për ta marrë me çdo kusht lidhjen imagjinare shpat më shpat. Kishte sjellë shtatin e bëshëm si çetinë, rritur në përkujdesje të gjyshe Nazes me mazë deleje, me fluçkë djathi, freskuar atë gushën e bardhe me shtambën mbushur me borë e qumësht të freskët.

Kishte sjellë një harmoni zërash që formonin një orkestrim, një ritual gazmor, pingërimin e zogjve, zërat e bagëtive, ulërimën e qenve, jehonën e thirrjes së barinjve që i depërtonte majat e thepisura në rezonimin hyjnor. Kishte sjellë tisin e vezullimit të tbanëve në dritë dielli a hëne, me maje të thepisura llamarine, foletë e zjarrta ku pushonin njerëz e bagëti, ku vejushat trazonin bjeshkën, ndërsa vajzat thurnin ëndrra për djem sokola. Flinin këtu dhe të rinj që tash vizionin e drejtonin nga qyteti, atje prej nga vinte dituria.

Kishte sjellë nga fushat kryerjen e punëve të verës, sidomos kositjen e luadheve, kur fantazia kalëronte me galop hapësirave gjelbëroshe, vajtje-ardhjet në shkollë, larjen lakuriq në Lumëbardhë me shoqe në pikën e vapës, hangarizjen dhe të folmet e shkujdesura, kur djemtë sypetritë i vërenin fshehtas dhe ua përmendnin pastaj se ç’kishin parë.

Kishte sjellë nga vjeshta vjeljen e mollëve dhe dardhave dimërore kur mbi lëvozhgën e mollëve shkruheshin fjalët “Të dua, shpirt !” dhe gjuheshin në kopshtet fqinjë drejt të dashurave apo të dashurve.

Ndërsa nga dimri kishte sjellë fantazinë përrallore, bisedat e grave për rrengjet me meshkuj lapërdharë apo me ndonjë pusht të harbuar.

Pa i bërë mend këto, ai asnjëherë nuk qe dukur në shkollë. Vonë i kish shkuar në vesh çdo gjë për të, e kish përcjellë dy a tri herë…por… Kishte marrë vesh se nuk flinte me shoqen e saj në banesë, por me pronarin e shtëpisë që ishte një lolo pesëmbëdhjetë vjeç më i vjetër, me qëndrim në Suedi. Bëri pastaj ç’ish dashur e ç’nuk ishte dashur. E kish rrahur edhe me litar të lagur. Në shkollë mungonte. Shihej gjatë orëve të mësimit herë me dikë e herë me dikë tjetër.

E zura në befasi dhe e qortova. Nuk u skuq aspak, por ma përplasi fytyrës shprehjen:

-Profesor, po kush nuk e ka sot një të dashur!?

-Unë, – i thashë.

-Ti je i martuar, por edhe mund të kesh,- më tha.

– Gruan e kam të ligjshme, grua zemre, më tepër se të dashur. Si s’të vjen turp. Mendon se tërë bota janë të përdala si ti ?

E qortova dhe për veshjen, por u pendova kur më tha pa turp:

-Ani po ta shihje, profesor, nënën time si vishet.! Unë jam veshur shumë mirë.

– Nënën tënde nuk e kam nxënëse, unë po flas për ju.

Ishte kthyer kjo vajzë në një koketë të pastandardizuar.

E ndala gjuhën të mos nxirrja ndonjë shprehje të paqenë. Më zu inati sa s’plasa. Ditën tjetër hyra në postë, formulova numrin e saktë të prindit të saj dhe prita. U lajmërua i ati në anën tjetër.

-Zotëri Vegji, keni në gjimnaz një vajzë me emrin Erleta ?

-Po,- tha. Ç’ka ndodhur ?

E zbrita receptorin dhe e krisa duke e mbërthyer përmbys në bazament, vazhdova orën vijuese dhe, posa dola në pushim, m’ u afrua një i panjohur dhe m’ u prezantua:

-Jam Vegjiu, babai i Erletës, – më tha. Erdha se më keni ftuar. Më thanë se ju jeni kujdestar i saj.

-Kot më ka shkuar mundi si kujdestar me të. Ajo s’ka asnjë kujdestar, përpos rrugës, si duket. Më vjen keq që kështu po shprehem. Unë madje nuk ju kam thirr, por vajza juaj e ju nuk keni ardhur që tre vjet.

U zbeh si zbehen të sëmurit kur bëjnë dergjë të gjatë. M’u bë se ishte hera e parë që po e ndiente veten si prind i Erletës dhe e filluam bisedën për të.

-Pasi keni ardhur, po ju njoftoj se vajza juaj ka dalë krejt jashtë rregullave shkollore: shihet rrugëve me djem dhe vajza edhe kur ka orë mësimi, zihet pa arsye me profesorë, me nota nuk qëndron mirë. Fjala “Përjashtim”për ne ka peshë të dhimbshme, hedhje në rrugë dhe këtë s’e bëjmë. Merrni masa ju lutem, ka pak kohë deri në fund të vitit shkollor, ose merreni që këndej.

– Profesor, (foli çka nuk e prisja) do të thuash se vajza ime është k..vë?

-Unë nuk e thashë atë fjalë, as nuk e them dot kurrë. Nuk ma mban etika ime njerëzore as ajo e pedagogut.

-E di, profesor se ajo do ta bënte këtë punë edhe në fshat. Por e kemi sjellë në shkollë që të bëhet k..vë me shkollë. Atje do të mbetej k..vë analfabete.

-Zotëri Vegji, nuk më pëlqejnë këto fjalë, ju tash ratë në binarë të vajzës suaj. Këto fjalë nuk kontribuojnë në përmirësimin e situatës. Më mirë do të doja të mos ishim takuar fare. Tek e fundit vajza është jotja. Por po e shoh se më fort më dhimbset ajo mua se juve. E mbarojmë bisedën këtu. Më s’ flas.

Nuk e ndjeva vetën mirë terë ditën. Sa papërgjegjësi prindërore e tij! Sa profesion i vështirë me këtë moshë të turbullt rinore, kur mundin, nijetin e mirë dhe përkushtimin ta përmjerrin të marrët me të cilët duhet të merresh! Sa njerëz të pacipë!

“Dardha pik nën dardhë, por e ka bishtin prapa” – thotë fjala e urtë e popullit. Defiloi Erleta ditët dhe muajt e fundit ashtu si nuk i ka hije një nxënëseje. Të gjithë e vërejtëm dhe e mbajtëm tabu shtatzëninë e saj. Vetëm aty-këtu shokët e saj çapkënë shpotitnin: “Paska ngrënë shalqi vironja”- thoshte njëri. “ Sa krenare fatbardha, e ka bërë pikën e qejfit”- thoshte tjetri. E ajo si me krenari s’ia varte askujt. Në fillim u mundua ta mbulojë barrën me fund panço, por më vonë barra e pushtoi hapësirën dhe s’ia vari më kësaj pune. Tha se do të bënte dasmë dhe do të më ftonte dhe mua si kujdestar. I thashë prerazi “Jo !” Në dasmë do të vija në rrethana të tjera, kështu duhet të turpërohen edhe prindërit tuaj e lëre më unë. Në testin e gushtit ajo diplomoi. Më tha se e ka lënë në shtëpi djalin e porsalindur dhe sa t’i rregullojnë dokumentet do t’ia mësyjnë Suedisë. Pashë që si prind i dytë ende nuk kisha hequr dorë nga misioni i shenjtë: i urova rrugë të mbarë që të fluturojë si erë e lehtë nga Bjeshkët e Kelmendit, që prekin qiellin, kjo shqiponjë me një sokol të vogël dhe me një grabitqar, të kalojë detra e oqeane deri në Suedi. E atje, dhëntë Zoti e ta pjekë mosha: të plakët më shpejt duke e parë të shoqin e vjetër, e ai të përtërihet duke e parë të shoqen të re. Do të takohen në një mes që i përthur ëndrrat e tyre për një familje të lumtur. Në ndodhtë ndryshe, goja mos e thashtë e veshët mos e dëgjofshin.

Vdes në gjumë Scott Weiland

0

Scott Weiland, ish-këngëtari i grupit amerikan të rokut Stone Temple Pilots, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare. Lajmin e konfirmoi menaxheri i tij, Tom Vitorino, mbrëmjen e së enjtes.

Në një komunikatë të postuar në Instagram, ai shkroi se muzikanti vdiq në gjumë në Minnesota, ku ndodhej për turin e koncerteve me grupin e tij The Wildabouts.

Weiland ka pasur gjithmonë probleme me drogën.

Publikohet albumi i shtatë i Coldplay

0

Është publikuar albumi i shtatë me radhë i grupit britanik të rokut alternativ, Coldplay, i titulluar “A Head Full of Dreams”.

Albumin, për të cilin është paralajmëruar të jetë krejt ndryshe prej tingujve romantik të “Ghost Stories”, adhuruesit e grupit mund ta gjejnë që nga sot (4 dhjetor) në iTunes, Amazon dhe Vinyl.

“Ky album është sikur libri i fundit i Harry Potter-it. Jo që s’do të ketë të tjerë, por ky album shërben si fundi i diçkaje”, ka thënë Martin për BBC Radio 1.

Ishte pikërisht ky kanal i cili e shpalli këngën e Coldplay, “Magic”, këngën më të mirë të vitit 2014. Albumi “Ghost Stories”, ndërkaq, arriti të jetë numri 1 në Britaninë e Madhe dhe u dalluan këngët me videoklipe “Magic”dhe “Sky Full of Stars”.

Ndërkohë është konfirmuar edhe se Coldplay do të interpretojë në ndeshjen e famshme të ligës kombëtare te futbollit në SHBA, Super Bowl, në shkurt të vitit të ardhshëm.

Shqipëria publikon kandidatët për Çmim Kombëtar në letërsi

0

Ministria e Kulturës në Republikën e Shqipërisë ka publikuar emrat e kandidatëve potencial për të fituar njërin nga Çmimet Kombëtare të Letërsisë, konkurs që vlejti për botimet e vitit 2014.

Juria e përbërë nga Dhurata Shehri, në cilësinë e kryetares së jurisë dhe anëtarët Parid Teferiçi, Arta Marku, Edmond Çali dhe Jeton Neziraj, ka shqyrtuar dhe përzgjedhur kandidatët në mes të 1300 titujve, si nga letërsia artistike shqiptare ashtu dhe nga letërsia e përkthyer.

Kandidatë për çmimin “Vepra më e mirë e vitit” janë Arben Dedja me veprën “Histori (e)skatologjike”, Ferik Ferra me “Poezi e zgjedhur”, Virion Graçi me “Stina e hijeve”, Rita Petro me “Vrima” dhe Lazer Stani me “Kohë për nuse”.

Ndërsa kandidatë për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer” janë Romeo Çollaku me përkthimin “Poezi” të Paul Claudel, Rudi Erebara me “Mobi Dik”, Bajram Karabolli me “Pedro Paramo dhe Rrafshina në flakë” të Juan Rulfo, Edlira Lloha me “Ferdydurke” nga Witold Marian Gombrowicz dhe Agron Tufa me “Ne” nga Evgenij I. Zamâtin.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 12 dhjetor, në ora 18:00 në ambientet e Ministrisë së Kulturës, në Tiranë.

Mblidhet opozita, refuzohet ftesa e Mustafës për dialog

0

Liderët e tri partive opozitare – Visar Ymeri (Lëvizja Vetëvendosje), Ramush Haradinaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) dhe Fatmir Limaj (Nisma për Kosovën), e nisën pak pas orës 17:30 takimin në të cilin do ta shqyrtojnë ftesën zyrtare të kryeministrit Isa Mustafa për hapjen e dialogut për tejkalimin e krizës politike në vend.

Opozita shprehu qëndrimin për ta refuzuar këtë ftesë.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është “është e papranueshme të behet një ftesë sot”.

“Ky propozim ka pas kuptim me 26 gusht. Sot është i thatë”, ka thënë ai, duke përsëritur se qëndrimi i tyre është të anulohet marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi dhe ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Takimi është mbajtur në selinë qendrore të AAK-së.

“Për Prizrenin” : Ramadan Muja, promovon korrupsionin!

0

Grupi i Qytetarëve Aktivë “Për Prizrenin” kanë kritikuar paraqitjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit Ramadan Muja në panairin e produkteve vendore.

“Sot, në qendër të Prizrenit gjersa po mbahej panairi i produkteve vendore, “kryetari” i Prizrenit, u shfaq papritmas për të përshëndetur këtë organizim dhe për të bërë thirrje për konsumim të produkteve vendore”, thuhet në komunikatën e Grupit të Qytetarëve Aktivë “Për Prizrenin”.

“Organizatorët e këtij panairi, bashkë me ftesën për Ramadan Mujën, kishin harruar të hapnin një shtand të ri, shtandin e korrupsionit, sepse, ndër të tjerash, prezenca e tij në këtë panair, i shton larminë produkteve ‘vendore’, duke qenë se ai prej kohësh është promotori dhe prodhuesi kryesor i korrupsionit”.

“Punësimet në administratë, shëndetësi dhe arsim, në këmbim të shumave të ndryshme të parave kanë përcjellur vazhdimisht qeverisjen e tij, për cka shumë zyrtarë komunal((më së shumti në Kosovë) po hetohen dhe akuzohen nga organet e drejtësisë”.

“Mbindërtimet dhe tejkalimi i lejeve ndërtimore në këmbim të benefiteve për vartësit e Ramadan Mujës hyn në listen e gjatë të veprimtarive të qeverisë së tij”.

“Tejkalimi i procedurave ligjore për t’u dhënë pronën publike kompanive të private tregon një pjesë tjetër të produkteve autentike të qeverisjes së Ramadan Mujës”.

“Shpërdorimi i fondeve publike për dreka e darka është poashtu karakteristike e këtij pushteti lokal. Ndërsa, shpërdorimi i fondeve të dedikuara manifestimeve në nderim të dëshmorëve tregon se deri ku arrijnë apetitet e zyrtarëve të Ramadan Mujës”.

“Shërbime” si këto dhe të tjera, veçori kryesore të këtij pushteti, tregojnë se korrupsioni është veprimtaria kryesore dhe prodhuese e pushtetit lokal në Prizren”.

“Dhe, në panairin e produkteve vendore të mbajtur sot në Prizren, prezenca e Ramadan Mujës si bartës i korrupsionit, nënkuptonte promovimin e tij si “produkt vendor”./PrizrenPress.com/

Markus Köhle dhe B.Boy, një performancë interesante në Prizren

0

Që nga viti 2010-të autori është bashkëredaktor në revistën letrare DUM.

Shkrimtari austriak Markus Köhle, në bashkëpunim me reperin nga Prizreni B.BOY – Besim Daftallari, me datë 11 dhjetor tek Lumbardhi në Prizren do të prezantojnë një bashkëpunim në formë të performancës.

Markus Köhle, i lindur më 1975, ka studiuar në Innsbruck ndërsa në po këtë qytet udhëheqë Bakery Poetry Slams – organizimi ku poezia edhe performohet e aktrohet. Që nga viti 2010-të autori është bashkëredaktor në revistën letrare DUM.

Organizimi është mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Kosovë. Performanca nis në ora 19:00. / KultPlus.com

Thaçi: Dallimet mund të tejkalohen përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese

0

Menjëherë pas ftesës së bërë nga kryeministri Isa Mustafa për opozitën, për një takim të përbashkët për të hënën më 7 dhjetor, ka ardhur edhe një deklaratë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, sigurisht në të njëjtën linjë me kryeministrin Mustafa, ai ka thënë se dallimet aktuale që ekzistojnë mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit.

“Ndërtimi i shtetit tonë është ajo që na bashkon të gjithëve, pa dallim partie, ideje dhe besimi. Gjërat që na dallojnë në këtë rrugëtim janë minore në krahasim me të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, angazhimi i të gjitha partive politike dhe spektrit të gjerë qytetarë të Kosovës do të vihet në sprovë së shpejti nga Bashkimi Evropian me procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e MSA-së.

“Kosova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit. Së bashku në Rambouillet fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë i tij:

Ndërtimi i shtetit tonë është ajo që na bashkon të gjithëve, pa dallim partie, ideje dhe besimi. Gjërat që na dallojnë në këtë rrugëtim janë minore në krahasim me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Angazhimi i të gjitha partive politike dhe spektrit të gjerë qytetarë të Kosovës do të vihet në sprovë së shpejti nga Bashkimi Evropian me procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e MSA-së.

Ne, së bashku mund ta transformojmë FSK-në në Forcë të Armatosur të Kosovës dhe ta integrojmë Kosovën në NATO, mund të realizojmë investime strategjike që do të çojnë drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale.

Kosova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit. Së bashku në Rambouillet fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE.

Dallimet aktuale që kemi mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit.

Është koha të reflektojmë. Këtë e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e kërkojnë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ulja në një tryezë të përbashkët, dialogu pa kushtëzime, debati në Kuvend, respektimi i legjitimitetit qytetar janë rruga e vetme që duhet ta ndjekim të gjithë.

Të ndarë, mund të vonohemi shumë. Së bashku mund t’i arrijmë të gjitha. Të dalim fitimtarë. HTH