Home Blog Page 6943

Thaçi: Dallimet mund të tejkalohen përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese

0

Menjëherë pas ftesës së bërë nga kryeministri Isa Mustafa për opozitën, për një takim të përbashkët për të hënën më 7 dhjetor, ka ardhur edhe një deklaratë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, sigurisht në të njëjtën linjë me kryeministrin Mustafa, ai ka thënë se dallimet aktuale që ekzistojnë mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit.

“Ndërtimi i shtetit tonë është ajo që na bashkon të gjithëve, pa dallim partie, ideje dhe besimi. Gjërat që na dallojnë në këtë rrugëtim janë minore në krahasim me të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, angazhimi i të gjitha partive politike dhe spektrit të gjerë qytetarë të Kosovës do të vihet në sprovë së shpejti nga Bashkimi Evropian me procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e MSA-së.

“Kosova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit. Së bashku në Rambouillet fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë i tij:

Ndërtimi i shtetit tonë është ajo që na bashkon të gjithëve, pa dallim partie, ideje dhe besimi. Gjërat që na dallojnë në këtë rrugëtim janë minore në krahasim me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Angazhimi i të gjitha partive politike dhe spektrit të gjerë qytetarë të Kosovës do të vihet në sprovë së shpejti nga Bashkimi Evropian me procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e MSA-së.

Ne, së bashku mund ta transformojmë FSK-në në Forcë të Armatosur të Kosovës dhe ta integrojmë Kosovën në NATO, mund të realizojmë investime strategjike që do të çojnë drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale.

Kosova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit. Së bashku në Rambouillet fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE.

Dallimet aktuale që kemi mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit.

Është koha të reflektojmë. Këtë e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e kërkojnë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ulja në një tryezë të përbashkët, dialogu pa kushtëzime, debati në Kuvend, respektimi i legjitimitetit qytetar janë rruga e vetme që duhet ta ndjekim të gjithë.

Të ndarë, mund të vonohemi shumë. Së bashku mund t’i arrijmë të gjitha. Të dalim fitimtarë. HTH

Albin Kurti mbetet në paraburgim

0

Të enjten, me 03.12.2015, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit Albin Kurti.

Kështu, Apeli ka refuzuar si të pa bazuar, ankesën e avokates mbrojtëse, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPR.KR.nr.413/15, të datës 28.11.2015.

I pandehuri po dyshohet nga ana e prokurorisë, për tri vepra penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, neni 375 i Kodit Penal të Kosovës; Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 i këtij kodi, si dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 365, të të njëjtit kod.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore se nuk ekziston dyshimi i bazuar, nuk qëndrojnë, ngase provat të cilat i ka prezantuar prokurori, në këtë çështje juridiko-penale, si ekzaminimi i vendit të ngjarjes, fotografitë dhe video-incizimet e marra nga regjia e objektit, ku dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, e argumentojnë dyshimin e bazuar, respektivisht, japin njohuri që do të bindte një vëzhgues objektiv, se një vepër penale ka ndodhur, dhe se personi në fjalë ka më shumë gjasë që ta ketë kryer atë, se sa mos ta ketë kryer.

Gjykata e Apelit vlerëson, se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit vetëm konform nenit 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, dhe se për këtë gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye te qarta dhe konkrete. Fakti se i pandehuri brenda një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale, tregon rrezikun se po te gjendej në liri, ai prapë do të vepronte njësoj. /Telegrafi/

PDK e para, VV rritet më së shumti!

0

Ndërkohë që vazhdon kriza politike në vend, organizatat e ndryshme joqeveritare kanë filluar që të bëjnë hulumtime te opinionet, në lidhje me atë se kush do të fitonte nëse do të mbaheshin zgjedhjet. Një organizatë joqeveritare me shumë ndikim në opinion kosovar, e ka realizuar një hulumtim të opinionit, i cili pritet që zyrtarisht të publikohet nga vetë kjo organizatë javën e ardhshme.

Gazeta Blic ka arritur që ta siguroj një pjesë të këtij hulumtimi, sidomos tek pjesa se nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot, kënd do ta votonin qytetarët.

Sipas këtij hulumtimi, një pjesë të cilës e ka siguruar Gazeta Blic, PDK sërish do të dalë partia e parë me 29.6 për qind të votave, me një rënie të lehtë krahasuar me zgjedhjet e 2014-ës.

Si parti e dytë do të dalë partia e drejtuar nga Isa Mustafa, LDK me 25.3 për qind.

Hulumtimi i opinionit, i cili nga kjo organizatë u realizua në muajin nëntor, si parti të tretë e radhitë Lëvizjen Vetëvendosje me 17.1 për qind, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë 8.8 për qind. Partia e drejtuar nga Visar Ymeri, sipas këtij sondazhi rezulton me rritje prej rreth 4 për qind.

Sipas këtij sondazhi, një pjesë të të cilit e ka siguruar Gazeta Blic, partia e drejtuar nga Behgjet Pacolli, e cila në zgjedhjet e fundit nuk arriti ta kaloj pragun, nëse tash do të kishim zgjedhje, ajo do ta kaloj pragun, dhe do të marrë 5.9 për qind. Edhe partia e drejtuar nga Fatmir Limaj, Nisma për Kosovën do të kaloj pragun, duke marrë 5.8 për qind.

Ndërkaq, Lista Serbe do të marrë 3.1 për qind të votave, e pasuar nga Partia e Drejtësisë, me 1.3.

Derisa partitë tjera, së bashku kanë marrë 3. 2 për qind.

Edhe para pak ditësh u publikua një sondazh nga ana e një organizate tjetër, Indeks Kosova, e cila gjithashtu e nxori PDK-në si parti të parë, mirëpo si parti të dytë e nxori Vetëvendosjen, derisa LDK-në e nxori si parti të tretë.

Sipas sondazhit të publikuar nga Indeks Kosova, AKR e Nisma nuk do ta kalonin pragun, mirëpo hulumtimi i kësaj organizate kredibile jo qeveritare që pritet të publikohet javën tjetër, i futë edhe këto dy parti në Kuvend.

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 2014, PDK në koalicion me PD-në, LB-në, PSHDK-në dhe me PKK-në arriti që të marrë 30.38 për qind të votave, LDK arriti që të marrë 25.24, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje e cila mori 13.59 për qind, AAK me 9.54, Lista Serbe 5.22, Nisma për Kosovën 5.15 dhe AKR 4.67./Gazeta Blic/

Digjet transformatori në Dikancë të Dragashit

0

Është djegur transformatori 2.5 MVA në nënstacionin 35/10 kV në Dikancë të Dragashit.

Zëdhënësi i KEDS,-it Viktor Buzhala njofton se transformatori është djegur për shkak të vjetërsisë.

Kjo ka pamundësuar furnizimin me energji për fshatrat e Dragashit: Radesha, Leshtani, Bask, Dikanca, Brodi dhe kompleksi Arxhena.

“KEDS ka nisur menjëherë procedurat për ndërrimin e tij dhe parashihet që të ndërrohet deri sot pasdite, kur pritet t’u rikthehet energjia elektrike konsumatorëve në këto zona malore”.

“ KEDS kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe i siguron se transformatori po ndërrohet në kohën më të shkurtër të mundshme”/PrizrenPress.com/

Për terrorizmin do shkruhet, kur të ketë marrë fund

0

Martin Amis vjen në një rrëfim mbi krizat në Europë, rritjen e numrit të emigrantëve drejt vendeve me ekonomi më të mirë, përplasjet fetare dhe Nabokovin…Shkrimtari mund të lexohet në shqip me romanin “Treni i natës”, nga botimet “Saras”

Koha për të shkruar mbi Epokën e Terrorizmit do të vijë kur atij t’i ketë ardhur fundi ose të paktën kur t’i lëkunden themelet. Norman Mailer thoshte se terrorizmi duhej katandisur në “një nivel të tolerueshëm” dhe kjo mund të jetë më e mira që mund të shpresojmë.

Edhe udhëtimi më i mërzitshëm i ngjan një historie të shkurtër. Martin Amis një nga shkrimtarët më të njohur të kohës, rrëfen kështu në një intervistë dhënë për New York Times, duke treguar sesi udhëtimet që bëri pak kohë më parë nëpër Europë u kthyen në një burim frymëzimi për t’i kthyer në tregime. Në një kohë të mbushur me zhvillime politike ose sociale, një shkrimtar nuk ka si të jetë i shkëputur prej saj, dhe pse detyra e shkrimtarit nuk është të jetë domosdo i angazhuar”. Romancierët nuk duhet të ngatërrohen kurrë me detyra e detyrime. Por, nëse ndiejnë një farë shtyse letrare për të trajtuar realitete politike, atëherë patjetër”, thotë ai. Martin Amis ka ardhur për herë të parë në gjuhën shqipe nga botimet “Saras” me romanin “Treni i natës”, i cili mund të gjendet në çdo librari. Historia e një ngjarjeje të kohës moderne, zbulohet përmes fletëve të librit me gjithë tragjizmin e saj, duke na treguar anë të fshehta të mendjes sonë. Martin Amis ka aftësinë ta kthejë lexuesin në një personazh të librit të tij, dhe këtu qëndron forca e tij si shkrimtar. “Treni i natës” ka brenda një nga sëmundjet e kohës së sotme, siç është vetëvrasja, por dhe idenë e gjetjes së rrugës drejt dritës dhe kur je në mes të errësirës. Vetë Amis e konsideron këtë libër një nga më të dashurit e tij. Së shpejti, “Saras” do të sjellë për lexuesin dy vepra të tjera të këtij autori si “Zona e interesit” dhe “Shtëpia e takimeve”.

Pjesa më e madhe e tregimit “Oktober” (Tetori), botuar në edicionin e kësaj jave, bazohet në përvojat tuaja gjatë një turneu libri pak kohë më parë në Europë. Çfarë ju shtyu që ta ktheni në tregim, dhe jo në ese, apo kujtim ditari? Dhe, pasi vendosët për këtë zgjidhje, pse keni përdorur kaq material bazuar në fakte të vërteta të jetës suaj?

Treni-i-Nates_3Edhe udhëtimi më i mërzitshëm i ngjan një historie të shkurtër: fillimi, vazhdimi, fundi, me udhëtarin që zhvendoset dhe ndërkohë që shpresojmë se e ka marrë kumtin. Dhe ky udhëtim i veçantë ishte tejet interesant dhe jashtëzakonisht turbullues. Për një farë kohe të shkurtër, të shkruarit e mora si një farë mënyre të paraqitjes së pikëpamjeve të mia, por unë doja lirinë e veçantë që të mundësonte trillimi. Ndërsa historia zhvillohej, dukej sikur ajo kishte nevojë që ta mbrujtja me ca mbresa nga jeta ime: jo jeta si shkrimtar, por si bir, bashkëshort dhe baba.

Rrëfyesi juaj ka zbritur në një Mynih që gëlon nga festuesit e Oktober fest dhe është gati të dyndet nga refugjatë të ardhur prej Lindjes së Mesme. Papritur, në atë ambient veshi i kap disa zëra. A përfaqësojnë vallë fotografi Bernhard dhe afaristi Xheofri një ‘spektër’ të opinionit publik në Europë?

Nuk jam i sigurt se dy vetë mund të përbëjnë ‘një spektër’, por Bernhardi dhe Xheofri sigurisht që përfaqësojnë dy impulse të kundërta njerëzore. Bernhardi, një gjermano-iranian, priret drejt gjithpërfshirjes, ndërsa Xheofri, një konsevator nga Jorkshër, nuk e shmang dot impulsin e mospranimit, të ndëshkimit. Edhe pse Xheofri plak mund të mos jetë aq i neveritshëm, nuk ka gjasa që të reagojë mirë ndaj një dyndjeje demografike. Druaj se kriza e refugjatëve do të zgjojë nga “gjumi” shumë fanatikë reaksionarë në Perëndim.

Rrëfyesi i tregimit “Oktober”, po i lexon gruas së vet Verës, letrat e Vladimir Nabokovit dhe po mendon për rrugëtimin e vetë Nabokovit si refugjat. A mund të krahasohet gjendja e Nabokovit me atë të refugjatëve në Europë, tani?

Gjendja e Nabokovit ishte po aq e skajshme sa edhe ajo e një siriani të sotëm. I të huajësuar dhe pa një dysh në xhep, ai u përball me rrezikun e vdekjes tri herë: kur shpëtoi nga bolshevikët në 1917, kur u iku nazistëve në 1937 dhe kur Vermahtit në Francë, në vitin 1940. Të vetmet burime të tij ishin gjuhët (rusisht, frëngjisht, anglisht) dhe dhuntia e tij, megjithëse mbeti pa një dysh në xhep, derisa u botua libri “Lolita”, aty nga fundi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar.

Çfarë mendoni se do ta priste rrëfimtarin tuaj sikur të kthehej në Mynih, le të themi, në tetor të vitit 2025?

Disa shkrimtarë, si, J. G. Ballarda po Don DeLillo, kanë fituar emër për aftësinë e të parashikuarit të tyre. Por, unë nuk e kam menduar kurrë se në letërsi, parashikimi i të ardhmes mund të jetë një udhë që duhet ndjekur seriozisht. Romancierët mund të qëllojnë me ndonjë tregim herë pas here ose aty-këtu, por historia është dhe më dinake se ne.

Sulmet e 11 shtatorit dhe pasojat e tyre, u bënë shtysë që të shkruanit esenë dhe përmbledhjen me tregime të vitit 2008 “Avioni i Dytë”. A ka ndonjë libër që po tharmohet për të folur mbi krizat e tanishme? Dhe nëse është kështu, do të ketë formën e trillimit, apo të së vërtetës?

Ndoshta do të duhej të dilte në formën e eseve, apo ndoshta të tregimeve të tërthorta. Një dhjetëvjeçar më parë, shkova shumë larg me një roman satirik mbi xhihadin, por pastaj e braktisa: çdo fjali dukej se ishte peng i fatit. Koha për të shkruar mbi Epokën e Terrorizmit do të vijë kur atij t’i ketë ardhur fundi, apo të paktën kur t’i lëkunden themelet. Norman Mailer thoshte se terrorizmi duhej katandisur në “një nivel të tolerueshëm” dhe kjo mund të jetë më e mira që mund të shpresojmë.

A e ndieni si detyrë, apo detyrim të trajtoni çështje politike dhe njerëzore në veprën tuaj? Në një farë mënyre, ai kërkohet romancierit të përmbushë rolin e intelektualit popullor?

Romancierët nuk duhet të ngatërrohen kurrë me detyra e detyrime. Por, nëse ndiejnë një farë shtyse letrare për të trajtuar realitete politike, atëherë patjetër. Dhe ndonjëherë të ndodh papritur. Herë pas here, Nabokovi shprehte mungesë të plotë interesi ndaj atyre që ai i quante “çështje aktuale të fryra”, por megjithatë shkroi disa libra si (“Ftesë në një Kokëprerje” dhe “Kthesa e Frikshme”), ndërkohë që në tregimet e tij(përfshirë edhe atë “Pnin”) ka shumë faqe tragjike. Totalitarizmi i pati dhënë një nxitje të madhe krijimtarisë së tij: madje, ndoshta edhe vetë libri “Lolita”, mund të merret si studim mbi tiraninë.

Disa orë me Martin Camajn

0

Kur regjisori Fatbardh Smaja nisi të punonte për të vënë në skenën e teatrit të Shkodrës dramën e Martin Camajt, nuk mund ta mendonte se koha e tij me veprën do të ishte aq e shkurtër. Me pasionin e një regjisori që do veprën e tij, ai punoi për ta sjellë Camajn, shkrimtarin që për vite me radhë ishte gati i ndaluar në qytetin e lindjes, me gjithë dimensionin e tij si shkrimtar. Kjo, pasi “Kadili i Argjandit” për Smajën nuk ishte thjesht një dramë, por dhe një mënyrë për të njohur më mirë Camajn.

Pas suksesit që pati në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër, vepra do të ngjitet më 5-6 dhjetor në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Dhe pse regjisori nuk është më, duke u ndarë nga jeta vetëm pak javë më parë, vepra vjen si një homazh jo vetëm për Camajn, por edhe për të. Në dramë interpretojnë aktorët Rita Gjeka; Jozef Shiroka; Merita Smaja; Agron Dizdari; Eliona Shkreli; Enver Hyseni; Nikolin Ferketa dhe Simon Shkreli. Drama u shkrua rreth viteve ’50, por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash. Pikërisht aktualitetin që përcjell kjo dramë për kohën e sotme, ishte dhe një nga arsyet që Smaja donte ta vinte në skenë. Kjo pasi teatrin ai e shihte dhe si një formë ndërgjegjësuese për shoqërinë. Regjisori Smaja u nda nga jeta më 7 nëntor 2015 në Shkodër, gjatë kohës që punonte për vënien në skenë të kësaj vepre.

“Kandili i argjandit” është një dramë social-politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit. Regjisori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e Kandilit të Argjandit në kohën më të volitshme të tij. Kandili, dritëprurësi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, na jep tablonë e frustrimit psikologjik, që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist. Regjisori Smaja i ka futur kësaj vepre të gjithë elementet që e bëjnë grishëse dhe aktuale për publikun.

Të rinjtë e Malishevës, promovojnë vullnetarizmin

0

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, të rinjtë e Malishevës, përmes një konference dhe prezantimit të një pyetësori, e kanë shënuar këtë datë, ku u tha se vullnetarizmi, është një vlerë e madhe e shoqërisë, që ndikon edhe në zhvillimin e përgjithshëm të një vendi. Në këtë takim, mori pjesë edhe Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, zyrtari i lartë për demokratizimin në misionin e OSBE-së në Kosovë, George Katcharava, drejtori i departamentit të rinisë në MKRS, z. Xhevat Bajrami, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj.Blerta Krasniqi, përfaqësues të shoqërisë civile në Malishevë dhe të rinj nga organizatat rinore në Malishevë.

Në fjalën e rastit, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, tha se “vullnetarizmi është shprehi tek ne, pasi edhe në të kaluarën, ne si popull e kemi dëshmuar këtë” dhe më pas, ai e mori si shembull, ndërtimin e shkollave.

“Duke parë rëndësinë e shkollimit dhe duke parë që ish sistemi, nuk investonte në ndërtimin e shkollave, atëherë ne vet i kemi ndërtuar ato”, tha Begaj. “Promovimin e vullnetarizmit, më së miri mund ta bëni ju të rinjtë, ndërsa puna vullnetare, e ndihmon njerëzimin në përgjithësi”, tha kryetari Begaj.

Ndërsa, zyrtari lartë për demokratizimin në OSBE, z.Katcharava, vullnetarizmin e quajti “vlerë për njerëzimin”. Duke folur për rininë, me theks të veçantë rininë e Malishevës, zyrtari i OSBE-së, tha se “duke u bazuar në raportet e ndryshme dhe në punën që bëhet, Malisheva e ka rininë më të mirë në rajon”.

Drejtori i departamenti të rinisë në MKRS, z.Xhevat Bajrami, në fjalën rastit, pasi i uroi të gjithë vullnetarët e rinj, foli për përkushtimin e kësaj ministrie në fuqizimin e vullnetarizmit dhe të vullnetarëve. “Ne do të punojmë dhe do të jemi kontributdhënës për njohjen zyrtare të punës vullnetare”, tha Bajrami.

“Rreth gjashtëdhjetë për qind të popullatës së Malishevës, e përbëjnë të rinjtë dhe kjo neve na obligon që të punojmë më shumë”, tha drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Malishevë, znj.Blerta Krasniqi, e cila më pas foli për angazhimet komunës në ndërtimin e infrastrukturës për rini, duke përfshi rregulloret, objektet dhe të tjera. Drejtoresha Krasniqi, duke i inkurajuar të rinjtë për punën vullnetarët, tha se “mbështetja e Komunës, nuk do të mungoj”.

Më pas, është bërë edhe prezantimi i një pyetësori, ku janë përfshi 500 të rinj të Malishevës, ku përmes pyetjeve janë nxjerrë edhe opinionet e të rinjve për aktivitetet, rregulloret, problemet dhe nevojat që kanë të rinjtë e Komunës së Malishevës.

Pas prezantimit, është zhvilluar edhe një debat rreth këtij hulumtimi, ku janë përgëzuar vullnetarët e Qendrës së Rinisë, për këtë hulumtim të bërë.

Maloku kërkon dorëheqjen e ministrit Abrashi

0

Anëtari i Kryesisë së AKR-së, Naim Maloku, ka kërkuar shkarkimin e ministrit Arban Abrashi, i cili veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje! i ka krahasuar me ato të IS-it.
Maloku në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se kryeministri Isa Mustafa duhet t’i qartësojë dy gjëra me vetveten.

“Kryeministër,
Ministri në Qeverinë të cilën ju e drejtoni, z. Abrashi e quajti publikisht VV-në ISIS!
VV-ja është, siç edhe ju besoj e dini, partia e tretë nga zgjedhjet e kaluara dhe njëherësh në opozitë.
Ju vazhdimisht po deklaroni, publikisht nga mbledhjet e Qeverisë dhe para ministrit, që jeni për dialog.
Janë dy gjëra që ju duhet të i qartësoni me vetveten:
1. Ta shkarkoni Ministrin dhe me këtë ta bindeni opozitën dhe opinionin e gjerë që ftesa e juaj për dialog është e sinqertë, ose,
2. Te na sqaroni se me cilin nen të Kushtetutës ju keni të drejtë si Kryeministër për t’i ofruar dialog një organizate terroriste”, ka shkruar Maloku.

Babai i viktimës nga Reshtani: Kërkoj të ndalet gjakderdhja në këto familje

0

Eksperti mjeko-ligjor dhe nëna e dy të akuzuarve për vrasjen e Burim Kryeziut dëshmuan në të njohurin si rast i Reshtanit.

Eksperti mjeko-ligjor Naim Uka u ftua që të dëshmojë sërish, ngase gjatë dëshmisë së tij të mëparshme, të dhënë më 15 tetor, nuk i i ishhte përgjigjur një pyetjeje.

Dëshminë tij të sërishme e kishin kërkuar në seancën e 11 nëntorit prokurorja Ervehe Gashi dhe mbrojtësja e të akuzuarit Enver Kryeziu, Kosovare Kelmendi.

Në rastin e Reshtanit ku pas një rrahjeje mes dy vëllezërve, fëmijëve dhe dajallarëve të tyre më 2 gusht të vitit 2012 vdiq Burim Kryeziu, për vrasjen e tij akuzohen Enver e Artan Kryeziu dhe Fadil Shala.

Në seancën e së enjtes prokurorja ia shtroi mjekut ligjor Naim Uka pyetjen në të cilën nuk kishte marrë përgjigje më 15 tetor. E pyeti ku ndodhet baza e kafkës.

“Bazën e kafkës nuk mundem me ua demonstruar, pasi e njëjta nuk shihet me sy pa u intervenuar në kokë, por e njëjta gjendet pasi që të hapet pjesa e sipërme e kokës, hiqet indi trunor, atëherë kemi bazën e kafkës,” tha eksperti mjeko-ligjor Naim Uka.

Pyetjet e avokatëve për ekspertin nuk mundi t’i durojë Nuhi Kryeziu, babai i të mbytyrit Burim Kryeziu.

Ai kërkoi nga gjykata të mos lejojë gjakderdhje të re mes këtyre dy familjeve.

“Unë kërkoj nga trupi gjykues që ta ndalojë edhe një gjakderdhje tjetër në këto familje, ta përmbyllë lëndën sa më shpjet, pasi jam unë që kam humbur djalin 30 vjeçar,” tha i përlotur në seancë babai i viktimës.

Pastaj dëshmoi Naxhije Kryeziu, nëna e të akuzuarve për vrasje Enver e Artan Kryeziu që fajin për nisjen e rrahjes ua la anëtarëve të familjes së Nuhi Kryeziut.

Në gjykatën themelore në Prizren, ka vazhduar rigjykimi ndaj Fadil Shalës, Enver e Artan Kryeziut, të cilët akuzohen për vrasjen e Burim Kryeziut, me 2 gusht të vitit 2012.

Babai i viktimës, Nuhi Kryeziu, në seancë, kishte një kërkesë nga trupit gjykues, që të mos lejoj gjak derdhje tjetër në këto familje.

Ajo tha se ditën kritike ka ardhur Bajrami (vëllai i Fadil Shalës) mysafir në shtëpinë e tyre dhe në një moment djemtë e Nuhi Kryeziut kanë dalë në mur duke bërtitur dhe e sharë Bajramin.

“Kur Bajrami është ulur në oborr me djemtë e mi, në një moment mbi mur kanë qenë djemtë e Nuhi Kryeziut duke bërtitur dhe duke e sharë Bajramin. Ata i kanë thënë Bajramit se kena me të mbyt,” tha dëshmitarja.

Ajo tha se pas këtij problemi e ka thirrur axhën e Bajramit Izet Shalën që të vijë ta marrë Bajramin dhe këtu ka nisur përleshja.

“Unë e kam pa Bajramin me një dru ne dorë dhe në atë moment i kam mbyllur sytë dhe kur i kam hapur sytë, e kam pa të rrëzuar për tokë të ndjerin Burim,” tha dëshmitarja.

Por dëshminë e saj e kundërshtoi përfaqësuesi i të dëmtuarit avokati Hajrip Krasniqi.

“Për neve si palë e dëmtuar deklarata e saj mund të jetë subjektive, pasi ajo është nënë e atyre bijve dhe është grua e atij bashkëshorti. Nuk mund t’i jepet besim një deklarate të tillë në një relacion të tillë, çfarë e kanë të akuzuarit me këtë dëshmitare,” tha Krasniqi.

Avokati i Fadil Shalës propozoi përsëri që të mbrojturit të tij t’i bëhet ekzaminim neuropsikiatrik, një gjë që u kundërshtua nga avokati i të dëmtuarve.

“Me këtë propozim aludohet në përfundim dhe rikualifikim juridik të veprës, se kinse e njëjta është kryer në gjendje të afektit mendor, andaj ne si palë e dëmtuar një propozim të tillë e kundërshtuam, ngase nuk janë mbështetur me prova eventuale të bazuara që kishin me arsyetuar një kërkesë të tillë,” tha avokati Krasniqi.

Fadil Shala ishte shpallur fajtor për vrasjen e Burim Kryeziut dhe ishte dënuar me 15 vjet burg, ndërsa të akuzuarit Enver e Artan Kryeziu, ishin dënuar me nga 13 vjet burg, por Gjykata e Apelit, e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, pasi që kishte gjetur shkelje procedurale, ndërsa ndaj 12 të akuzuarve tjerë ishte vërtetuar dënimi nga kjo gjykatë.

Seanca e ardhshme u caktua për 28 dhjetor./kallxo.com/

Ish-ministrat Osmani, Veliu, Hoxhaj, Buja e rrënuan arsimin

0

Ministria e Arsimit është udhëhequr nga politikanë të papërgjegjshëm e njerëz joprofesionistë

Lidershipi korruptiv, skandalet, aferat, e degraduan sistemin arsimor

“Rritja e cilësisë në arsim dhe reformat rrënjësore për ta vënë arsimin në binarë nuk varen nga një ministër, edhe po të ishte ai ministër më i duhuri dhe më i ndershmi, por kjo varet nga vullneti i mirë i politikës dhe lidhet direkt me ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, të cilët qëllimisht e kanë sjellë në këtë derexhe arsimin”, thotë analisti Faik Krasniqi

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që kur është themeluar e gjer te mandati i Ramë Bujës, është udhëhequr nga ministra që nuk kanë ditur të menaxhojnë me arsimin. Nëse sot gjendja në këtë sektor, cilësia, infrastruktura lë për të dëshiruar, faji kryesisht bie mbi ish- ministrat, duke u nisur nga Rexhep Osmani, i cili ka vënë themelet mbrapsht në këtë ministri, për të vazhduar me Agim Veliun, i cili ka qenë ndër ministrat më të dobët që ka pasur arsimi, ndërsa për të kulmuar te njeriu i eksperimenteve Enver Hoxhaj, i cili ka bërë shumë veprime të dëmshme në arsim, duke nisur nga keqpërdorimi i fondit me tekste shkollore, loja me klasën e 13-të, e deri te ndërtimi i shkollave në mënyrë të pakontrolluar.

As në mandatin e ishministrit Ramë Buja, gjërat jo vetëm që nuk u përmirësuan, por u bënë edhe më kaotike. Kur e dorëzoi mandatin te ministri i tanishëm Arsim Bajrami ai, duke qeshur, pohoi se në dorë po ia lë pataten e nxehur, duke pranuar kështu degradimin e madh arsimor. Duke parë këtë kronologji të qeverisjes së dështuar dhe të politikanëve që kanë udhëhequr arsimin, është e qartë se ish-ministrat u vunë në këtë pozitë jo për ta zhvilluar, por për ta rrënuar arsimin../kosova sot/