2.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6956

Në 17 vjetorin e rënies përkujtohet dëshmori Shpëtim Robaj

0

Mbahet akademi përkujtimore, me rastin e 17 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Shpëtim Robaj.

Sot në Malishevë, organizuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), është mbajtur një akademi përkujtimore, me rastin e 17 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, anesteziologut Shpëtim Robaj, emrin e të cilit mban edhe kjo qendër shëndetësore.

Në këtë akademi morën pjesë, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, përfaqësues të mistrisë së shëndetësisë, të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, përfaqësues të shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, familjarë, bashkëpunëtor, përfaqësues të partive politike në Malishevë, dhe qytetar të shumtë.

Me këtë rast, nga folësit, u çmua lartë jeta dhe vepra e dr.Shpëtim Robajt, kontributi i tij në organizimin e spitaleve ushtarake të UÇK-së, përkujdesja nga plagosurve gjatë kohës së luftës, guximi dhe trimëria e treguar, deri në ditën e 30 shtatorit të vitit 1998, kur në përpjekje për tu ofruar ndihmë të plagosurve në masakrën e Abrisë, vetura bie në mina, ku edhe gjen vdekjen dr.Shëptim Robaj.

“Bijtë dhe bijat e Komunës së Malishevës, dëshmuan që i takojnë historisë dhe lavdisë kombëtare, dhe këtë nam e arritën me sakrificën e tyre sublime. Në mesin e këtyre, është edhe dr.Shpëtimi, i cili më shumë e deshi lirinë se jetën e tij. Vepra e tij i bën dritë lirisë sonë, i bën mjekësisë dhe ishte shembull i atdhedashurisë”, tha mes tjerash në fjalën e tij, nënkryetari i Malishevës, Rexhep Mazreku.

Ndërsa ministri i MMPH, Ferid Agani, tha se veprat e njerëzve të mirë, shkojnë duke u rritur.

“Shpëtimi ishte shembull i rrallë i përkushtimit profesional në shëndetësi. Ishte i përkushtuar ndaj të sëmurit, ndaj njerëzve në nevojë, dhe sot është shembulli më i mirë për gjenerata e reja në mjekësi”, tha ministri Agani.

Për jetën, veprimtarin e tij gjatë luftës së UÇK-së, folën bashkëpunëtorët e tij, të cilët sollën kujtime të angazhimit të dr.Shpëtim Robajt.

Në emër të familjes, e bija Erleta Robaj, i falënderoi të gjithë për këtë organizim dhe pjesëmarrje, në kujtim jo vetëm të prindit të saj, por të të gjithë dëshmorëve të kombit.

Më pas, në oborrin e QKMF “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishev, janë bërë nderime dhe janë vendosur lule, pranë bustit të dr.Shpëtim Robaj. /PrizrenPress.com

Ministri Bajrami i përgjigjet rektorit Zejnullahu

0

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i është përgjigjur sot letrës së hapur të rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.

Fejzullahu dje ia shihte për të madhe Bajramit se i ka “ndërruar fjalët” rreth një marrëveshje të tij me të, duke hedhur poshtë edhe akuzat që ai ia bënte këtij.

Kjo është përgjigjja e plotë e ministrit Arsim Bajrami në letrën e rektorit Zejnullahu:

“Përgjigje në letrën e hapur të Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

z. Rektor,

E lexova i befasuar letrën tuaj të hapur që kishit drejtuar për mua. Vërtetë u befasova me keqinterpretimin dhe manipulimin që i kishit bërë intervistës time dhënë para disa ditësh për RTV21. Nga rreth një orë intervistë, çuditërisht, ju më shkëputni 4-5 fjali për t’i interpretuar dhe manipuluar pastaj ato në mënyrën më brutale të mundshme. Unë nuk munda të gjej askund

Nuk e kam të qartë për çfarë ndryshimi të qëndrimeve aludoni në letrën tuaj, siç nuk e kuptoj pse më atribuoni mua thirrjet për zbutje të standardeve dhe qëndrimeve në çështjet akademike të Universitetit.

Megjithatë, duke marrë parasysh që po flasim për Universitetin e Prishtinës, për universitetin tim, po aq tëndin dhe të secilit, e ndjej të nevojshme të ju jap disa sqarime publike për ju dhe të gjithë të tjerët që dëshirojnë të informohen drejt, përtej keqinterpretimeve të nxituara dhe paragjykuese në letrën tuaj.

Unë nuk kam asnjë rezervë në zbatimin e standardeve ligjore dhe akademike të përcaktuara në Statutin e Universitetit. Përkundrazi, angazhohem me gjithë qenien time për mbrojtjen e tyre dhe çdo shmangie nga këto standarde e konsideroj që përbën shkelje të rëndë në punën e Universitetit. Si juve, ashtu edhe anëtarëve tjerë të Senatit, ju kam sqaruar vazhdimisht rëndësinë dhe domosdoshmërinë për gjetjen e zgjidhjeve që nuk cenojnë kriteret e cilësisë dhe që janë të bazuara në kuadrin ligjor të përcaktuar me Statut dhe Ligj.

Ju kam bërë të qartë ju dhe të gjithë anëtarëve tjerë të Senatit, që çështja e avancimeve akademike në universitet është çështje e brendshme akademike e Universitetit dhe të mos prisni, në asnjë formë, nga Ministri si përfaqësues politik, të ndërhyj për të zgjidhur çështje të tilla. Këtë qëndrim timin ju kam shprehur juve, në takimet e mbajtura me kërkesat e juaja, e po ashtu edhe Dekanëve të Universitetit, sërish në takimin e kërkuar publikisht nga ana e tyre.

Kam qenë mjaft i qartë në çdo takim të përbashkët, me ju dhe të tjerët, që unë përkrah pa asnjë rezervë vetëm kriteret që i përcakton Statuti i Universitetit. Me këtë rast, çdoherë kam kërkuar me ngulm që pavarësisht mospajtimeve lidhur me çështjen e avancimeve akademike, të mos lejohet të cenohen në asnjë formë çështjet tjera që ndërlidhen me interesin e studentëve, me organizimin dhe mbarëvajtjen e studimeve dhe jam i lumtur që një gjë e tillë, të paktën deri më sot, nuk ka ndodhur. Në këtë frymë, besoj të gjithë jeni të vetëdijshëm që në një nga takimet e fundit të Senatit, ishte arritur mirëkuptim për shqyrtimin të disa çështjeve tjera në interes të studentëve dhe fillimit të vitit të ri akademik.

Është shumë e vërtetë që për të tejkaluar mosmarrëveshjet eventuale në Senat, ju kam propozuar që të organizoni debate të hapura akademike me udhëheqës të njësive akademike, me profesorë të shquar të universitetit, me bashkëpunëtorë të jashtëm ndërkombëtarë të universitetit, me intelektual nga shoqëria civile, duke konsideruar që debati i hapur do të ishte forma më e civilizuar e gjetjes së zgjidhjes dhe tejkalimit të mosmarrëveshjeve në Senat. Nuk e kuptoj pse ju keni konsideruar të nevojshme pjesëmarrjen time në debate të tilla të karakterit akademik dhe nuk shoh asnjë arsyeje pse të tillat nuk i organizoni pa praninë time. Në çdo rrethanë tjetër, unë me shumë kënaqësi do të merrja pjesë në debate të tilla, mirëpo në pozicionin në të cilin gjendem aktualisht, do të duhej ta kuptonit që pjesëmarrja ime si i përfaqësues politik, në debate të tilla akademike, me shumë të drejtë do të mund konsiderohej si ndërhyrje në autonominë akademike të Universitetit dhe me shumë gjasë vetëm sa do të lëndonte dhe rëndonte edhe më tej Universitetin.

Unë besoj thellë që Universiteti i Prishtinës nuk ka nevojë për implikimin tim, sikurse të asnjë Ministri dhe përfaqësuesi politik në diskutimet e brendshme akademike. Në fakt, unë jam i bindur dhe për këtë angazhohem vazhdimisht, që politika të qëndrojë sa më larg çështjeve të brendshme akademike të Universitetit. Këtë, ju e dini që nuk është fare një punë e lehtë, por, këtë angazhim timin, ju keni pasur mundësinë ta kuptoni në së paku dhjetëra raste. Kjo në asnjë formë nuk nënkupton edhe shmangie të përgjegjësisë time për garantimin e ligjshmërisë institucionale dhe autonomisë akademike të Universitetit.

Sa më sipër, z. Rektor, më lejoni të ju përgjigjem dilemave të juaja:

z. Rektor, ju nuk keni asnjë nevojë dhe as nuk guxoni të lejoni, të ju shmangeni kritereve akademike të përcaktuar me Statutin e Universitetit, pavarësisht çfarëdo rrethane.

z. Rektor, zgjidhja e problemeve në proces, nënkupton, zgjidhjen e problemeve në formë institucionale dhe të qëndrueshme duke vendosur mekanizma afatgjatë të adresimit të problemeve në Universitet. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është funksionalizimi i Këshillit të Etikës së Universitetit dhe trajtimi i të gjitha rasteve, veç e veç, të dyshimeve etike për punën shkencore dhe akademike të personelit të Universitetit. Nuk mjafton për një Universitet kredibil, vetëm ndalimi i zgjedhjeve akademike të pamerituara, por ju duhet të angazhohen edhe në marrjen e masave konkrete ndëshkuese për cilindo shkelës të etikës akademike dhe shkencore në Universitet. Deri më sot, fatkeqësisht një gjë të tillë nuk e kemi parë. Pra, uroj ta keni të qartë, që zgjidhja e problemeve në proces në asnjë formë nuk nënkupton kompromise ndaj dukurive negative dhe këtë nuk e kuptoj si keni mundur ta keqinterpretoni në intervistën time.

z. Rektor, është bindja ime personale që Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit të lartë në Kosovë, me një traditë 45 vjeçare, nuk ka asnjë nevojë të ketë për referencë me rastin e zgjedhjeve akademike të kuadrit të saj, revista të institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë, që as përafërsisht nuk arrijnë traditën dhe veprimtarinë shkencore të Universitetit të Prishtinës. Këtë qëndrim timin, keni pasur mundësinë ta dëgjonit edhe në intervistën të cilës ju i jeni referuar.

z. Rektor, unë vërtetë mendoj që cilësia e programeve të studimit dhe e mësimdhënies në Universitet nuk është e kënaqshme. Për këtë, ju si profesor dhe rektor keni përgjegjësi po aq sa kam unë si profesor dhe ministër, e po aq sa kanë përgjegjësi edhe qindra kolegë tanë në Universitet. Në këtë drejtim, krahas sukseseve dhe rezultateve pozitive, të dy jemi të vetëdijshëm që kemi edhe shumë dështime që do të kishim dashur të mos i kemi, por ja që kanë ndodhur. Kjo, jo për shkak të mosangazhimit tuaj si rektor apo mosangazhimit tim si ministër, sesa për faktin që reforma të tilla kërkojnë një angazhim të sinqertë dhe përkushtim profesional më të madh të gjithë komunitetit akademik të Universitetit. Ju besoj e kuptoni, që jo çdo herë kjo është lehtë e arritshme.

z. Rektor, unë vërtetë mendoj që puna e një Rektori është t’i përkushtoj dekanët që të punojnë për cilësi. Ashtu siç me të drejtë, presin të tjerët nga unë që të përkushtoj vartësit tim në Ministri në përmirësimin e performancës dhe dhënies së rezultateve pozitive. E kuptoj mirë që kjo nuk është fare një punë e lehtë, mirëpo, këtë detyrë ne kemi pranuar. Ne të dy jemi të vetëdijshëm që javë më parë, lexuam raportin e vlerësimit të programeve të Fakultetit të Arteve. Besoj, pajtoheni që dështimi i akreditimit të gjitha programeve të Fakultetit, do të duhej të përbënte shqetësim serioz për të gjithë në Universitet. Fatkeqësisht, deri më sot, nuk kam dëgjuar që dikujt t’i keni kërkuar përgjegjësi për këto rezultate. Situata të ngjashme të papërgjegjësive janë me dhjetëra në universitet dhe përgjegjësia për adresimin e tyre na takon neve. Urdhëroni, z. Rektor, merrni masa konkrete të përgjegjësisë ndaj secilit person në Universitetit, për të cilin vlerësoni që po bllokon punën e Universitetit. Mos u mjaftoni vetëm me deklarata, për aq sa ju keni të gjithë autoritetin dhe kompetencat e nevojshme për të ndaluar këto veprime. Në këtë rast, ju siguroj, që do të keni edhe mbështetjen time të plotë si Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

z. Rektor, jo rrallë herë kam dëgjuar nga ju në diskutime tona të përbashkëta, shqetësimet e juaja lidhur me keqpërdorime dhe abuzimeve të ndryshme, për cilat ju aludoni që përballeni në Universitet. Sikurse çdo herë, sërish ju bëj apel që çdo rast të tillë të keqpërdorimeve ta adresoni pa humbur kohë në organet përkatëse të drejtësisë. Çështje të tilla kaq serioze nuk guxojmë t’i kalojmë kurrsesi vetëm me deklarata pompoze.

z. Rektor, në universitet dhe në shoqëri është biseduar mjaft edhe rreth cilësisë së ligjëratave dhe mbarëvajtjes së tyre, të paktën, unë këtë e di nga Fakulteti Juridik, ku unë angazhohem si mësimdhënës. Po ashtu, ju besoj e dini, që në universitet shpesh ka ndodhur që edhe të manipulohet nga grupe të ndryshme, çështja e mbarëvajtjes së ligjëratave. Pikërisht për këtë, ju duhet të angazhoheni në ndërtimin e mekanizmave transparent për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së ligjëratave, provimeve dhe punës së secilit anëtarë të personelit akademik.

z. Rektor, unë nuk e quaj bllokim asnjë përpjekje për të parandaluar çfarëdo ngritje akademike apo çështje tjetër që bie në kundërshtim me Statutin e Universitetit dhe Ligjin. Përkundrazi, një akt të tillë nga kushdo qoftë, e vlerësoi si një kontribut dhe akt të çmueshëm për Universitetin.

z. Rektor, ju dhe bashkëpunëtorët tuaj, jeni dëshmitarë që zyra ime ka qenë çdo herë e hapur për ju, sikurse për secilin, për të diskuar çdo çështje në interes të Universitetit. Në shumë takime kemi biseduar për një varg çështjesh me qëllim të përmirësimit të cilësisë në Universitet. Konkretisht, për herë të parë, kemi zvogëluar ndjeshëm numrin e studentëve në disa drejtime dhe kjo është bërë me qëllim të reflektimit të kapaciteteve kadrovike të Universitetit. Po ashtu, për herë të parë, kemi ngritur pragun e provimit pranues në Universitetit në 40%, me qëllimin e vetëm të pranimit të studentëve me rezultatet më të mira të dijes. Besoj e keni parasysh angazhimin tim maksimal për mbrojtjen e autonomisë akademike të Universitetit të Prishtinës, në fillim të mandatit tim, dhe në anën tjetër do të duhej të kujtoni gjithashtu angazhimin tim për gjetjen e një zgjidhje në interes të Universitetit, për tejkalimin e problemeve rreth çështjes së borxheve të akreditimit të UP-së ndaj AKA-së, të cilat muaj më parë rrezikonin shpalljen e konkursit për pranim të studentëve këtë vit akademik. Urdhëroni, z. Rektor, gjeni qoftë edhe një rast të vetëm timin, apo të ndonjërit nga bashkëpunëtorët tim, të kërkesave apo ndërhyrjeve për çështje të interesave të ngushta apo personale në punën e Universitetit.

z. Rektor, ju kujtoj që ka mbi tetë muaj që unë jam angazhuar në rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Pjesë e reformimit të ligjit kanë qenë edhe dispozitat që ndërlidhen me çështjen e kushteve dhe kritereve akademike për titujt akademik. Me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, kemi arritur të definojmë kriteret për avancim të stafit akademik, duke rritur ndjeshëm përgjegjësitë dhe obligimet për secilin, karshi punës kërkimore dhe njohjes ndërkombëtare të saj. Në këtë proces, ishin të përfshirë shumë kolegë tanë të Universitetit, e ku ndër ta, një kontribut kyç ka dhënë edhe prorektori për shkencë i Universitetit të Prishtinës. Ai, sikurse edhe kolegët tjerë, mund të ju dëshmojnë për përkushtimin tonë në ngritjen e standardeve më të larta të vlerës akademike dhe shkencore, e po ashtu mund të ju dëshmojë nëse gjatë punës së tyre kanë pasur ndonjëherë çfarëdo ndërhyrje nga jashtë.

z. Rektor, nga pesha e përgjegjësisë dhe angazhimeve që keni si Rektor i Universitetit, besoj e keni fare të lehtë ta kuptoni peshën e përgjegjësisë dhe angazhimeve që mund t’i ketë një Ministër i Arsimit, që krahas mbështetjes së UP-së, duhet mendoj edhe për mbështetjen e punës edhe të gjashtë universiteteve tjera publike, dhjetëra kolegjeve private dhe qindra e mijëra shkollave dhe mësimdhënësve në arsimin parauniversitar. Në këto rrethana, më e lehta që mund të bëjmë secili nga ne është të polemizojmë dhe akuzojmë njëri-tjetrin, mirëpo, përtej kësaj, qytetarët me të drejtë presin nga të gjithë ne zgjidhje dhe përmirësim të cilësisë së arsimit në vend.

Në fund, më duhet të shpreh zhgënjimin tim të sinqertë për qasjen arrogante dhe konfliktuoze që keni shprehur në letrën tuaj. Aq më pak, nuk arrij të kuptoj, gatishmërinë tuaj për të dhënë vlerësime personale për punën time para 10 vite në Universitetit, në kohën kur ju ishit Dekan i FSHMN-së. Përkundrazi, unë ndaj kujtimet dhe përshtypjet më të mira për angazhimin dhe punën tuaj në atë kohë.

Përvoja personale më ka mësuar që shpesh herë duhet sakrifikuar shumëçka nga egoja personale, për hir të një interesi më të madh shoqëror. Prandaj edhe sot, pozita që ushtrojmë unë dhe ju, më kufizon të ju përgjigjem drejtpërdrejt paragjykimeve personale që ju keni drejtuar ndaj meje. E kam të pamundur ta bëj këtë, për aq kohë sa Universiteti gjendet mes nesh. Por një gjë të jeni të bindur, që sot universiteti gjendet në një situatë më të keqe se dikur, dhe unë sikurse edhe shumë të tjerë ju mirëkuptojmë plotësisht që përgjegjësia për këtë nuk është drejtpërdrejt e juaja, për aq kohë sa gjërat nuk varen krejtësisht nga ju. Këtë konsideratë do të duhej ta kishte secili që dëshiron ta kuptojë drejt Universitetin dhe këtë do të duhej ta kishit parasysh edhe ju kur vlerësoni punën e të tjerëve para 10 viteve.

z. Rektor, për të ju përgjigjur dilemës tuaj, ju sqaroj që ajo që pres nga ju unë si Ministër i Arsimit, është pikërisht ajo që pret prej jush, secili student, prind dhe profesor. Një angazhim të sinqertë, në përputhje me kompetencat tuaja ligjore dhe me angazhimin e gjithë potencialin tuaj moral dhe intelektual, në respektim të përpiktë të kritereve të cilësisë akademike dhe shkencore të përcaktuara me legjislacion, si dhe në ngritjen e cilësisë në Universitetit.

Unë i gëzohem suksesit tuaj, meqë i njëjti do të ishte sukses për Universitetin, për arsimin e lartë në vend dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Po ashtu, i bashkohem mbështetjes së shoqërisë për ju për reforma në Universitet, por ju lutem që këtë mbështetje ta kuptoni si përgjegjësi të shtuar për të vepruar me maturi dhe korrektësi në interes të Universitetit, dhe jo ta shfrytëzoni mbështetjen tonë që me sjellje arrogante dhe logjikë inatesh të akuzoni në mënyrë oportune të tjerët, për të ngritur imazhin tuaj publik. Të jeni të bindur, që qasje të tilla nuk na bëjnë nder askujt nga ne, e më së paku Universitetit. Urdhëroni, z. Rektor, shfrytëzoni këtë mbështetje tonë si një mundësi për të punuar fort për përmirësim të cilësisë së studimeve dhe shërbimeve të Universitetit, dhe në këtë formë për të ju dhënë të rinjve shembull të mirë se si duhet të sillet një intelektual dhe akademik.

Nesër do të filloj viti akademik për mijëra studentë të Universitetit, ndërsa ne ka dy ditë që shohim me keqardhje se si rreth 30 të rinj ka dy netë që i kalojnë jashtë, përballë Rektoratit të Universitetit. Ngjashëm ndjej keqardhje të thellë që padrejtësisht, juve ju pamundësohet dje qasja në vendin tuaj të punës. Prandaj, përkundër keqkuptimeve që mund të kenë këta të rinj, ju lutem të angazhoheni me gjithë potencialin tuaj që të tejkaloni këtë situatë, sepse, universiteti nuk ka nevojë më tutje për situata të tilla dhe as ju nuk e meritoni këtë.

Gjithë të mirat,

Arsim Bajrami”, përfundon përgjigjja e ministrit Bajrami.

NISMA në Prizren reagon ndaj shantazheve që po i bëhen Fatmir Limajt

0

NISMA për Kosovën – dega Prizren ka reaguar ashpër ndaj shantazheve që po i bëhen kryetarit të partisë, Fatmir Limaj.

Sipas këtij subjekti politik, EULEX-i në koordinim me politikat që po udhëheqin me vendin po e shantazhojnë Fatmir Limajn, duke ngritur akuza tashmë të vjetruara, por që një mision i dështuar siç është ai i EULEX- it, po provon që përmes këtyre veprimeve, përmbylljen e vet ta bëjë gjoja si të suksesshme.

“Marrë parasysh veprimet e fundit të EULEX-it, veprime të tilla si kjo e shantazhit dhe tentimit për ta ulur rejtingun politik të kryetarit të ‘’NISMA’’ për Kosovën, z.Fatmir Limaj, si dhe tendencat për t’i pamundësuar idetë dhe alternativat politike që po i ofron ky subjekt politik në Kosovë, atëherë ne si degë e ‘’NISMËS’’ në Prizren, ndjehemi tejet të shqetësuar, prandaj dhe reagojmë ashpër ndaj këtyre veprimeve”, thuhet në reagim.

“Konsiderojmë se në momentin kur u kuptua se ideja për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar, ide kjo e lansuar pikërisht nga kryetari LIMAJ, i cili në kontinuitet po jep premisat e një dimensioni shpresëdhënës në politikën kosovare, atëherë EULEX-i në koordinim me politikat që po udhëheqin me vendin, morën iniciativën e shantazheve ndaj kryetarit LIMAJ, duke ngritur akuza tashmë të vjetruara, por që një mision i dështuar siç është ai i EULEX- it, po provon që përmes këtyre veprimeve, përmbylljen e vet ta bëjë gjoja si të suksesshme”.

“Përmes këtij reagimi, ne si degë e ‘’NISMËS’’-në Prizren, duam t’ua bëjmë me dije të gjithë atyre që iniciojnë veprime shantazhi, qofshin Misione apo individ të caktuar, se z.Fatmir Limaj dhe NISMA e tij, përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të popullit dhe se ka shtrirje politike në tërë vendin. Gjithashtu ka zë edhe në parlamentin e Kosovës, institucion ky që përfaqëson popullin dhe mbi të gjitha ai është një vlerë kombëtare e këtij vendi. Andaj konkludojmë se me veprime të tilla po shantazhohen dhe po fyen të gjitha ato që cekëm më lartë”.

“Ne si degë e ‘’NISMËS’’ në Prizren në koordinim të plotë edhe me të gjitha degët tjera anekënd Kosovës, do të reagojmë çdoherë ndaj këtyre shantazheve që po i bëhen Kryetarit LIMAJ”. /PrizrenPress.com

Policia arreston tre persona në Rahovec, një në Prizren

0

Katër persona janë arrestuar në rajonin e Prizrenit. Tre prej tyre janë arrestuar në Rahovec, kurse një në Prizren.

Policia e Kosovës njofton se pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar dhe arrestuar dy persona për kultivim të bimëve narkotike në Rahovec. Të njëjtit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Po në ketë qytet është arrestuar një person tjetër pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht një femër zyrtare në një Bank lidhur me një borxh. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kurse, arrestimi i një personi në rrugën “Haki Taha” në Prizren, është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Prizrenit. /PrizrenPress.com

Qytetit të Prizrenit i mungojnë hapësirat me gjelbërim!

0

Shkruan: Shani Berisha

Të flasësh apo të shkruash sot për hapësirat gjelbëruese, në kohën kur ne si shoqëri jemi duke kaluar nëpër një fazë të rëndë të zhvillimit të përgjithshëm, ndoshta mund të quhet luks, mirëpo duke qenë të vetëdijshëm se pavarësisht këtyre problemeve me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri, ne mendojmë se edhe kjo çështje duhet të shqyrtohet. Në kuadër të hapësirave gjelbëruese në qytet hyjnë territoret e caktuara, të planifikuara për implementim nga organet përkatëse të qeverisë komunale, të cilat territore do të krijonin ambiente komode për pushim e rekreacion për qytetarët.

Pozita gjeografike dhe bukurit e qytetit të Prizrenit janë pasuri të dhuruar nga vet nëna natyrë. Historikisht, nga shumica e pamjeve të mbetura ndër vite e shekuj, tregojnë se qyteti ynë, krahas transformimeve në sferat tjera zhvillimore edhe në drejtim të hapësirave dhe oazave gjelbëruese ishte për tu lakmuar, por lind pyetja : -Sot ku gjendet qytetit ynë në këtë drejtim? Qyteti Prizrenit e ka të hartuar e të miratuar Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), dhe në kuadër të këtij plani bazik multisektorial për zhvillimin e komunës sonë, janë hartuara e miratuar disa Plane Rregulluese të Hollësishme (PRH. Në kuadër të tyre, përveç koeficienteve dhe parametrave tjera hapësinore, janë të definuara edhe hapësirat gjelbërues, të cilat siç e cekëm më lartë janë të nevojshme për rekreacion dhe reproduktimin e oksigjenit, por për fat të keq në qytetin e Prizrenit e vërteta qëndron ndryshe.

Garnitura aktuale qeverisëse e lazdruar dhe e papërgjegjshme siç është treguar deri më tani në shumë aspekte, për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta të faktorëve të interesave ekonomike, të ndihmuar edhe në Kuvendin Komunal nga shumë mini-parti të qytetit (të mashtruara nga kjo garniturë me premtime boshe), kanë votuar dhe miratuar vendime që janë në kundërshtim me parametrat e paraparë sipas PZHK. ( Vlen për t’u përmendur vazhdimi i ndërtimeve kolektive në ish shiritin e gjelbër në mes rr. ’’Ekram Rexha‘’ dhe binareve të trenit, ku kemi shkelje ekstreme të koeficienteve dhe të vijave të ndërtimit).

Inicimi opozitës dhe shoqërisë civile si KDI dhe EC MA NDRYSHE, për shndërrimin e disa hapësirave komunale në hapësira gjelbëruese rekreative për qytetarë dhe atë pjesën e ish Ben-af dhe në pjesën e prapme të hapësirës së Shtëpisë së Bardhë, siç duket ka rënë në vesh të shurdhër të kryetarit Muja dhe stafit të tij dembel e të papërgjegjshëm. Kjo tregon se ky kryetar dhe ky staf qeverisës në komunën e Prizrenit dëshmon çdo ditë se ka rënë në ‘’gjumin e ariut’’ të krijuar nga shpenzimi i energjisë së tepërt si,pasojë e jo profesionalizmit dhe paditurisë.

Një delegacion kulturor nga Kosova vizitoi Zagrebin

0

Forumi Kulturor i Kosovës ka organizuar një vizitë studimore në Zagreb gjatë të cilës janë pritur në takim edhe nga ambasadorja e Kosovës atje, Shkëndije Geci.

Ndër të tjera ata në Zagreb kanë pasur mundësi të njihen për së afërmi me mënyrën se si funksionon skena e pavarur kulturore.

Përfaqësuesja e Forumit Kulturor, Besa Luzha, përmes faqes së saj në rrjetin social Facebook, ka shprehur përshtypjet e saj për këtë vizitë.

“Nga vizita në Zagreb, mund të ndaj tri përvoja shumë interesante, mundësia e zhvillimit të skenës kulturore të pavarur ( NGO, individë-artistë, shoqata, klube artistike etj) është një model interesant për tu trajtuar dhe aplikuar edhe në Kosovë. Përmes Ligjit për Lojërat e Fatit, 50% e të hyrave nga Lotaria Kombëtare dhe lojërat e fatit alokohen në Fondacionin Kombëtar për Shoqëri Civile -14%, Fondacionin Kombëtar për Kulturë, Kultura Nova, 5% dhe të tjerat për fusha të tjera, pra në përgjithësi ai fitim nga këto biznese i kthehet shoqërisë si e mirë publike. Nga këto fonde pastaj financohen organizatat e shoqërisë civile edhe në fushën e kulturës.

Përvoja tjetër interesante është vete rregullimi demokratik i organizatave në fushën e kulturës ku të gjitha organizatat që aplikojnë për fonde bëhen bashkë, i propozojnë projektet e njeri-tjetrit, i diskutojnë dhe vetëvendosin cili ka prioritet për tu përkrahur përmes një sistemi të paracaktuar vlerash dhe kriteresh përmes pikëve të alokuara për kriteret.

Përvoja e tretë, është përdorimi i hapësirave publike për aktivitetet kulturore të organizuara nga shoqëria civile (objekte të zbrazëta, ish-fabrika, etj) të cilat menaxhohen nga institucionet dhe organizatat e kulturës”, ka shkruar Luzha.

Bashkë me Forumin Kulturor në këtë vizitë studimore ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë e Sportit në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci dhe drejtori i Departamentit të Kulturës në MKRS, Kamuran Goranci. /KosovaLive

Zagreb-Ambasadorja e Kosoves dhe delegacioni nga Kosova

Prizren: Gjejnë portofolin me 765 euro, e dorëzojnë në polici

0

Dy të rinj të Prizrenit të hënën, rreth orës 21:00 kishin gjetur një portofol meshkujsh teksa po lëviznin përball restorantit Vila 100 në këtë qytet dhe e kanë dorëzuar atë në Policinë në Prizren.

“Përpos disa kartelave bankare, në portofol ndodheshin edhe 765 euro dhe një fotografi. Policia e ka identifikuar personin i cili e kishte humbur portofolin dhe të njëjtin ia ka kthyer sipas procedurave të pranim-dorëzimit”, njofton zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Pas pranimit të portofolit, qytetari ka falënderuar gjestin human të të rinjve dhe Policinë e Kosovës. /PrizrenPress.com

Mustafa: Folëm për përmbylljen e misionit të EULEX-it

0

Kryeministri Isa Mustafa, thotë se në Nju Jork, janë zhvilluar shumë takime me rëndësi për Kosovën, si për njohje, procesin e integrimeve, sigurinë, ekstremizmin dhe mandatin e EULEX-it.

Në një intervistë për RTK-në, Mustafa ka përmendur një kronologji të takimeve të deritashme.

“Kemi pasur disa takime që mendoj se janë shumë të rëndësishme. Kemi pasur takime me Mogherinin, takim me kryeministrin e Luksemburgut, me zyrtarë të Norvegjisë. Kemi kërkuar përkrahjen për Kosovën në anëtarësimin në UNESCO dhe Interpol. Kemi zhvilluar çështje që kanë të bëjnë me agjendën tonë evropiane, që lidhen kryesisht me MSA-në dhe procesin e liberalizimit të vizave. Me përfaqësuesit amerikan, kemi biseduar për transformimin e FSK-së në FAK”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për përmbylljen e misionit të EULEX-it.

“Me përfaqësuesit amerikan dhe të BE-së kemi diskutuar edhe përmbylljen e misionit të EULEX-it në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Publiku do ta ndihmojë përzgjedhjen e Anglisë për Eurovizion

0

Anglia viteve të fundit ka treguar rezultate të dobëta në garën e Eurovizionit.

Kësisoj, është vendosur që sivjet edhe publiku të marrë pjesë në votimin për të zgjedhur këngën përfaqësuese në Eurovision Song Contest.

Zakonisht kënga është përzgjedhur nga BBC, por sivjet këngët do të konkurrojnë deri me 20 nëntor e më pas do të organizohet finale me më të mirët.

“Është vendimi më i mirë që kemi marrë së fundmi. Kemi nevojë për përfaqësim më të fortë anglez në këtë festival. Viteve të kaluara kemi qenë shumë më mirë” thotë Alex Randall.

Vitin e kaluar Electro Velvet përfunduan në fund të tabelës, në vendin e 24-të.

Anglia e ka fituar festivalin pesë herë në tërë historinë e festivalit. Vitin 2003 kënga përfaqësuese ka dalë me zero pikë.

Fatmir Limaj po shantazhohet

0

Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se qëllimisht në këtë periudhë kohore është publikuar aktakuza ndaj Limajt dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e “MTPT”-së.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se qëllimi i EULEX-it është që vazhdimisht ta mbajë të shantazhuar Fatmir Limajn.

“Nuk është e rastësishme që tash është caktuar vlerësimi i ankesës së prokurorit në rastin ‘Kleçka’ si dhe është dërguar kjo aktakuzë me përmirësime të caktuara, që i bie se për një periudhë kohore prej tre vjetësh EULEX-i ka mundur qëllimisht ta mbajë këtë aktakuzë dhe në momentin që i është dukur e përshtatshme, ta dorëzojë tek Gjykata Themelore. Qëllimi i EULEX-it është që vazhdimisht ta mbajë të shantazhuar Fatmir Limajn”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se nuk është e rastësishme që aktakuza është publikuar në kohën kur liderët opozitarë kanë paralajmëruar protesta gjithëpopullore. Në këtë kontekst, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndikimit të politikës në këtë rast.

“Nuk mund të them se ka prova se politika ka ndikim, por sigurisht nuk është e rastësishme që është bërë publike kjo aktakuzë tani kur po kundërshtohet procesi i dialogut me Serbinë, përkatësisht nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura së fundmi në Bruksel. Fatmir Limaj, si pjesë e opozitës, së bashku me Ramush Haradinajn dhe Visar Ymerin, kanë paralajmëruar se në çaste të përshtatshme do të organizojnë protesta gjithëpopullore kundër nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Gashi.

Ai ka vlerësuar se EULEX-i me këto veprime po tenton ta paraqesë si të suksesshëm përfundimin e punës në Kosovë.

“Kohët e fundit EULEX-i është duke përdorur taktika të publikimit të punës së vet. Kështu që, publikimi i kësaj aktakuze dhe dhënia e një peshe të caktuar në medie nga ana e EULEX-it tregon se ky mision dëshiron të paraqesë se, kinse, me sukses është duke u përfunduar puna e tij në Republikën e Kosovës, e që unë mendoj se është krejtësisht e kundërta”, është shprehur Gashi.