6.6 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026
Home Blog Page 6974

Për nëntë muaj, tetë vrasje në Prizren

0

Prizreni është shndërruar sivjet në qendër të krimit.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, thotë se deri më tash janë vrarë 8 persona.

“Gjatë vitit 2014 në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 6 raste të vrasjes me 6 persona të vrarë, ndërsa gjatë këtij viti kanë ndodhur 6 raste me 8 persona të vrarë, ku në njërin prej rasteve qenë vrarë tre persona”, tregon Berisha.

Ndërkaq, Hekuran Morina është viktima e fundit i vrasjes./PrizrenPress.com/

Politika e haraçit

0

“Fajtorët kryesorë të nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend janë: policia, prokuroritë dhe gjykatat, të cilat nuk janë marrë asnjëherë seriozisht me luftimin e tyre, por më shumë u janë përshtatur agjendave politike e partiake”, tha Demhasaj nga ’Çohu’

Sensibilizimet e shpeshta të opinionit publik e politik, për ekzistimin në masë të madhe të krimit të organizuar dhe korrupsionit, të mbijetesës së një pjese të klasës politike në vend edhe nga përfitimet materiale nga haraçi dhe fajdetë, një temë e ngritur së fundi edhe në Kuvendin e Kosovës nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nga ekspertë të fushës së sundimit të ligjit interpretohet si një nga paralajmërimet më serioze.

Ata thonë se haraçi dhe fajdetë ekzistojnë në forma të ndryshme, madje edhe me ortakëri të pashpallur në biznese oligarkike, me zhvatje të pushtetit në forma të ndryshme. Për këtë të keqe të madhe, sipas analistëve të fushës, deputetët po flasin në Kuvend, por institucionet e sistemit të drejtësisë sikur kanë rënë në gjumë, nuk po lëvizin, nuk po dëgjojnë dhe shohin sa duhet, në fakt nuk po ndërmerret asgjë. Madje me të drejtë shprehet dyshimi se edhe një pjesë e personelit të fushës së sundimit të ligjit mund të jetë inkriminuar në paudhësi të tilla, një pjesë e zyrtarëve të policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, por edhe të institucioneve të tjera të shtetit…/kosova sot/

Ekonomia e Kosovës, në kthetrat e oligarkëve dhe pushtetarëve

0

“Është pothuajse e pamundur që të ketë zhvillim ekonomik kur pushteti është i korruptuar dhe vepron me klientelizëm. Jo vetëm klasa politike janë shndërruar në oligarkë, por edhe një pjesë e mirë e administratës tatimore dhe doganore. Njerëzit e fuqishëm të politikës veprojnë në dëm të bizneseve të tjera, posaçërisht atyre të mesme dhe të vogla, që nuk kanë lidhje të forta me politikën”, shprehet eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati

Situata shumë e rëndë, në të cilën gjendet aktualisht ekonomia e Kosovës, e cila ka disa vjet që po vendnumëron dhe besa edhe po degradon, sipas njohësve të kësaj fushe, vjen si pasojë e mbajtjes peng nga klanet që janë në pushtet, PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe oligarkët e bizneseve. Sipas ekspertëve, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të vendit dhe të ekonomisë kur shumica e bizneseve janë të përqendruara vetëm te një kastë politike. Ata thonë se ky pushtet është zhytur në krim ekonomik, korrupsion dhe informailitet, edhe pse e kanë gojën plot për ekonomi të tregut të lirë, demokraci dhe integrime euroatlantike…/Kosova Sot/

Pushtetit aktual i ka humbur rruga në oborr

0

Qytetarët e Kosovës, të mllefosur në këtë Qeveri jokompetente dhe mashtruese, me rreth 40 mijë nënshkrime vetëm për tri ditë, po tregojnë përfundimisht se janë vetëdijesuar dhe bindur se kjo Qeveri e ky pushtet oligarkësh dhe i kriminalizuar duhet të ndëshkohet me votë. Sipas analistëve dhe deputetëve, madje edhe të pozitës, kjo Qeveri e ka humbur busullën, prandaj duhet të largohet me protesta masive deri në theqafje

As optimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur që inicimi i peticionit nga opozita e bashkuar, kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës, marrëveshjeve që u arritën në Bruksel, të cilat shkojnë në dëm të Kosovës, do të mund të mobilizojnë një masë kaq të madhe qytetarësh. Analistët politikë konsiderojnë se masiviteti i fillimit të nënshkrimit të peticionit për tri ditët e para mbi 40 mijë nënshkrime, tregon se qytetarët janë mllefosur aq shumë në këtë Qeveri jokompetente dhe mashtruese. Kjo tregon se ata përfundimisht janë vetëdijesuar dhe bindur se kjo Qeveri e ky pushtet oligarkësh dhe i kriminalizuar duhet të ndëshkohet me votë, pasi është mbushur kupa me qeverisjen e tyre të keqe, për t’iu dhënë shansin ideve dhe programeve të reja, që kanë për vizion forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien për qytetarët.

Nuk përjashtohet madje fare edhe parashikimi i mundësisë së mobilizimit të opozitës dhe shoqërisë civile së bashku, që të sensibilizojnë qytetarët për të rritur numrin e nënshkrimeve jo vetëm për marrëveshjet e dëmshme të 25 gushtit, por edhe për korrupsionin, kontrabandën, evazionin, haraçin e vjedhjet, fajdetë e shumë të këqija të tjera, duke arritur një numër të nënshkrimeve mbi 300 mijë brenda dy javëve të ardhshme për të vazhduar me protesta, nëse Qeveria nuk reflekton me ofrimin e dorëheqjes së parevokueshme për të çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme. “Unë mendoj që qytetarët e Kosovës po tregohen shumë koshientë për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur dhe po ndodhin rreth Kosovës/kosova sot/

Haradinaj: Protestat, pas peticionit

0

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngulë se dy marrëveshjet e fundit të Qeverisë, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, janë të dëmshme dhe duhet të parandalohen.

Në intervistën dhënë “Zërit”, Haradinaj tha se opozita e bashkuar njëherë po vazhdon kundërshtimin nëpërmjet peticionit, ndërsa më pas do të shkohet me protesta të fuqishme. Ai edhe një herë e konsideron kriminal komisionin qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, kurse kërkon nga institucionet e drejtësisë të merren me pasurinë milionëshe të Murat Mehës.

“Kish qenë mençuri prej kryetarit të Qeverisë që të pezullojë këtë kryetar të komisionit, ose t’i ngrijë aktivitetet e tij derisa gjyqësori, prokuroria nuk e jep versionin e vet se a është ky njeri i inkriminuar në vepra kriminale”, tha Haradinaj për Mehën, duke kërkuar gjithashtu të shfuqizohen vendimet e tij.

Ish-kryeministri i Kosovës i dha mbështetje edhe Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi, duke dëshmuar se ky asociacion nuk është i njëjtë me Asociacionin e Komunave Serbe. Sipas tij, Asociacioni në Luginë nuk interferon në Kushtetutën e shtetit serb, kurse Asociacioni i komunave serbe ka kompetenca ekzekutive sa një republikë.

“Asociacioni i komunave në Luginë nuk është i karakterit të njëjtë me Asociacionin në Kosovë. Është krejt i zakonshëm dhe nuk ish dashur me qenë problem as për Serbinë, por për askënd, për shkak se ai nuk po bie në konflikt në asnjë variant me Kushtetutën e Serbisë”, tha Haradinaj. /Zëri/

Havzi Nela kërkonte të ngjitej në Kala të Prizrenit (Dokument)

0

I izoluar në hotel, në Prizren,

Me 26 maj 1967 H. Nela arratiset familjarisht dhe para se t’i kthejnë, forcat policore jugosllave i vendosin në një hotel, në Prizren. Në shpjegimet në hetuesinë e Kukësit, me 9/5/1967, ai jep edhe këtë shpjegim:

“Në orën 8 në mbrëmjes të dt 3/4/1967, unë zbrita nga hoteli poshtë në restorant për të marrë ushqimin e darkës, atje takova përgjegjësin e hotelit. Ai më pyeti: A po mërzitesh? Unë i thashë: Po mërzitem ca. Ai më tha: Mos u mërzit se do t’u vijë përgjigja. Unë i them: Mirë në qytet nuk na lënë me dalë, po të paktën të dalim nga Kalaja të shikojmë Prizrenin…”
Dosja 9912/2-A
Fq, 34-35

/Petrit Palushi/

12010746_714749685323605_268412716004759096_o

Daut Haradinaj: Të mos keqpërdoret uniforma ceremoniale e FSK-së!

0

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u është bashkuar zërave kritikë për keqpërdorimin e Gardës Ceremoniale të FSK-së, e cila së fundi mori pjesë në dasmën e Korab Shaqirit, djalit të Ilir Shaqirit.

“Shqetësimet dhe reagimet e opinionit publik, për keqpërdorimin e uniformës ceremoniale të FSK-së, kërkojnë një përgjigje të saktë nga zyrtarët e lartë të FSK-së

Imazhi pozitiv i kësaj force duhet të ruhet me shumë kujdes, aq më tepër tani kur të gjithë presin transformimin e saj në FAK”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Çmimi Kadare: Kur mbruhej një ide

0

Cila është historia pas çmimit “Kadare”, si pranoi shkrimtari i madh të jepte bekimin dhe emrin e tij për një konkurs të letrave shqipe? Ç’do të thotë një çmim i ri për autorët e prozës shqipe? Shkrimtari Ylljet Aliçka, njëherazi dhe anëtar i jurisë, rrëfen se si erdhi ky çmim….

Asokohe ishte ende ambasador i Republikës së Shqipërisë në Paris, kur i foli për herë të parë shkrimtarit të madh për idenë e një çmimi që do të mbartte emrin e tij.

Në një takim në kafene- me gjasë e famshmja “Cafe Rostand” e shndërruar thuajse në një shenjtërore krijimi për shkrimtarin- përgjigjja ishte jo ajo që prisnin me ankth dy bashkëbiseduesit, miku i tij Ylljet Aliçka dhe botuesi Henri Çili…

Por ky i fundit nuk hoqi dorë nga ideja (Thuhet se këmbëngulja është çelësi i fitores).

Kishin kaluar dy vite e jo pak përpjekje për ta bindur që vetë shkrimtari të jepte bekimin dhe miratimin për një çmim të tillë dhe ishte sërish Ylljet Aliçka, kësaj here jo më ambasador në Paris, por pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, i cili foli edhe një herë për idenë e vjetër, kësaj here frytdhënëse. Bisedat zhvendoseshin në hapësirë, por energjia për të marrë një përgjigje pozitive ishte e njëjta; nga Mali i Robit, te Juvenilja e në Kafe Rostand në Paris. Skepticizmit të natyrshëm të fillimit te shkrimtari ia zuri vendin një marrëveshje përkundër mosmarrëveshjes, pra thirrja e kumtit që opusi i tij letrar të jetë pjesë e respublicas edhe nëpërmjet universitares, t’u jepet gjeneratave që do i vijnë Shqipërisë.

Shkrimtari disa herë kandidat për çmimin “Nobel”, pranoi që Fondacioni MAPO të themelonte çmimin letrar “Kadare”, çmimi më i ri për autorët shqiptarë, i cili u shpall dy ditë më parë në një ceremoni në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, ku morën pjesë shkrimtarë, përkthyes, akademikë e gazetarë.

Një çmim që do të akordohet në muajin nëntor, ku i pranishëm do të jetë edhe vetë Kadare, mbi një vepër në prozë.

“Është një stimul ndaj letërsisë shqipe, për vetë vlerat dhe emrin që mbart. Por edhe vlera monetare është e volitshme”, – shprehet Aliçka duke theksuar se shkrimtaria është një nga profesionet më të vështirë në vend.

“Është tejet e vështirë të jetosh me këtë punë, për të mos thënë e pamundur. Përveç Ismail Kadaresë, asnjë tjetër shkrimtar shqiptar nuk ia ka dalë të jetojë me të ardhurat e fituara nga botimet”, – vijon ai. Ndaj, qoftë edhe vetëm në aspektin utilitar, ky çmim merr një rëndësi të madhe në arenën e letrave shqipe.

“Askush nuk akordon një vlerë të tillë në çmim. As jashtë vendit. Ja, unë për shembull, kam fituar një çmim letrar në Itali dhe vlera monetare ishte 1 mijë euro. Mendoj se 10 mijë euro është një çmim i mirë”, – pohon Aliçka. Shtuar këtu edhe botimin e siguruar nga “Mapo Editions”, e bëjnë këtë çmim tejet të fuqishëm.

“Fakti që ky çmim është i fokusuar vetëm në letërsinë shqipe, ka disa të veçanta që vërtet do të zënë një vakuum në letrat shqipe”.

Aliçka rrëfen se me të dëgjuar mbi këtë çmim kanë nisur menjëherë interesimet nga rrethi i shkrimtarëve që kërkojnë informacione më të detajuara rreth konkurrimit.

Të interesuarit e parë kanë qenë autorë të rinj, ka edhe nga ata që pyesin nëse mund të konkurrojnë me poezi. Por kushti kryesor i këtij çmimi është proza, proza shqipe.

Ndaj nuk është menduar të përfshihen përkthimet, por i është lënë e gjithë fusha e veprimit krijimtarisë origjinale në gjuhën shqipe. Që sipas Aliçkës, duke pasur parasysh emrin e madh të shkrimtarit që mban dhe vlerën e shtuar, i bën edhe anëtarët e jurisë shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në përzgjedhjen e fituesve.

Shkrimtari Zija Çela ka paraqitur veprën e tij në dorëshkrim dhe Rudolf Marku është duke i dhënë dorën e fundit një romani që do e paraqesë në konkurrim, gjë që e bën të tërhiqet nga juria e Çmimit “Kadare”, siç e saktëson edhe statuti.

Fituesi i parë do të zbulohet në fillim të nëntorit. Do të jetë fundjava në prag të hapjes së Panairit të Librit dita që do të kurorëzojë autorin që juria do ta vlerësojë si më të mirin mes pjesëmarrësve në këtë konkurs. E kështu, nëntori i një kryeqyteti, siç është titulli i një libri të Kadaresë, do të shndërrohet këtë vit në nëntorin e çmimit “Kadare”. Por vetëm për këtë vit, pasi për vitet e ardhshme themeluesit e këtij çmimi kanë vendosur ta akordojnë në muajin maj, gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”, të organizuar nga Qendra e Studimeve të Letrave Shqipe “Kadare”.

Jo vetëm për emrin me peshë të madhe që mban, jo vetëm për vlerën monetare që do të japë, jo vetëm për specifikat që ka në konkurrim, ku synohet të forcohet proza shqipe, por edhe për ambicien që themeluesit kanë që të krijohet një treg ndërkombëtar për librin dhe autorin duke e botuar por edhe përkthyer në gjuhë të huaja, e bën këtë çmim të rëndësishëm në hapësirën shqiptare, si një shtysë për më tej…

Virgjil Muçi: Çmimi do i japë hov krijimtarisë letrare

Çmimi më i ri “Kadare” që akordon Fondacioni Mapo, është një fllad i freskët dhe frymëzues në atmosferën e topitur të artit, kulturës shqipe në përgjithësi dhe të tepërtave në veçanti dhe si i tillë shpresojmë të shërbejë si katalizator dhe besojmë t’i japë një hov dhe krijimtarisë letrare në prozën e gjatë shqipe dhe nga ana tjetër, pse jo, të jetë edhe një laborator krijues për të rinj që kuturisin dhe ravgojnë në shtigjet e letërsisë shqipe.

Fakti që jam anëtar jurie është një ndërdyshje; në të njëjtën kohë është dëshira për të vëzhguar dhe ndjekur zhvillimet letrare, dhe nga ana tjetër, si krijues ke tundimin e fortë të jesh konkurrues dhe fitues e jo thjesht një vëzhgues aktiv i prurjeve në letërsi. Unë e kisha diçka konkurruese që sivjet, por u shtrëngova të heq dorë nga konkurrimi dhe të pranoj rolin e gjykatësit.

Avokat Ngjela: Çmimi, një hap përpara për letërsinë

Nënë Tereza dhe Ismail Kadare janë dy figura me rezonancë botërore dhe kjo i bën nder Universitetit Europian të Tiranës, pasi janë të parët që japin një çmim të tillë. Unë mendoj që është një hap përpara për letërsinë që dallon se është në krizë fermentimi. Të gjitha shoqëritë kështu e kalojnë letërsinë. Vjen një fazë pas krizave të mëdha që letërsia është në krizë fermentimi. Shpresojmë që kjo shkrepësja juaj të ndezë një zjarr normal për letërsinë. Besoj se ju, pas 15-20 vitesh ndoshta, keni bërë një përzgjedhje të mirë të letërsisë shqipe.

Juria do të përbëhet nga anëtarët e Bordit të “UET Press” dhe “MAPO”. Emra të njohur të letërsisë dhe gazetarisë. Bordi dhe rrjedhimisht juria mund të jenë të lëvizshëm.

-Çmimi “Kadare” do të akordohet nga Fondacioni Mapo në muajin nëntor

-Vitet e ardhshme do të akordohet në fillim të majit, gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”

-Pranohen vetëm vepra shqip në dorëshkrim

-Aplikimet janë të hapura deri më 31 tetor

-Juria konsultohet gjerësisht për dhënien e çmimit me anuarin ‘Ditët Letrare të Razmës’.

-Nëse një prej anëtarëve të jurisë dëshiron të konkurrojë për Çmimin Kadare, i duhet të tërhiqet.

-Vlera monetare e çmimit është 10 mijë euro.

-Fituesi botohet ekskluzivisht nga Botimet MAPO dhe ia kalon të drejtat e autorit këtij enti.

Juria

Artur Zheji

Alfred Lela

Gilman Bakalli

Henri Çili

Ylljet Aliçka

Preç Zogaj

Rudolf Marku

Virgjil Muçi

Objektivi i politikës sonë

0

Ali Hertica

Në filozofinë politike temë thelbsore është,,Ne duhet të mësojmë që të flasim bashkë”. Por pas pesëmbëdhjetë vite të plota një qeveriseje byrokratike,ku kjo është e nevojshme për popullin e Kosovës që doli nga një luftë e pistë e serbosllavizmit çetniko- fashist të ish- Jugosllavisë komuniste.Shumë filozofë modern dhe analistë të mirëfilltë kosovarë siç është Faik Krasniqi,Driton Selmanaj, dhe Dukagjin Gorani,kanë tregu se si komunikimi ndërpritet dhe fillon në mënyrë të vazhduar.Këta kanë trajtuar në mënyrë të vlefshme parimet e një debati thelbësor,ku përmendën shumë termin,,sqarim ekzestencial”.Në mënyrë të veçantë, ku analistet nënvizonin nevojën për të zgjuar tek individi i Kosovës së pasluftës ndjenjën e përgjithësisë. Ne do të shikojmë disa pika krysore në arsyetimet politiko-etike të filozofëve dhe analistëve në të ardhëmen e politikës së kohës moderne të filozofisë politike në Kosovë.

Objektivi i politikës sonë ,theksojnë analistët ,duhet të jetë një sistem juridik kombëtar,në formën e një republike të shtetit politikisht të lirë.Realizmi i këtij objektivi është premisë për mos u ndezur diç që nuk i duhet shoqërisë kosovare që të përsertitet ndonjë e keqe që shoqëria nuk e mertiton diç të tillë sespe jemi në një gjendje të veshtirë të shtetit të drejtë ligjor dhe funksional në gjithë cepin ku është Kosovë.Mirëpo një objektiv i tillë kërkon një transformin të vullnetit politikë.Shteti byrokratik duhet të heq dorë nga kërkesat për dominimin mbi popullin kur të marr vendime për të ardhmen e shtetit bile kur është çështja e sovranitetit.Po të shikosh thellë, objektivi kërkon një shëndërrim të vullnetit politik.Objektivi politik duhet të qendrojë ,,mbi politikën”,për të marrë një drejtim të ri,me forcë të një arsyje që i ka rrënjetë në vullnetin për flijim dhe që vjen nga një arsyje e qujtur hapësirë të gjerë.

Shteti i lirë duhet të çlirohet nga çdo mbeturinë e filozofisë dhe politikës koloniale mbi sovranin që të dha të drejt të marresh vendim mbi shtetin.të gjitha këto parime duhet të quhen parime për bashkëpunim solidar dhe mbrojtje efektive për shtetin, ku hyn edhe forca .Shteti ligjor duhet të forcojë dhe ta pastrojë demokracinë nëpërmjet mësimit,edukativ dhe vetedukativ të politikanit dhe politikës së shoqërisë kosovare.Atëherë çfarë duhet ndryshuar ,ne duhet ta shikojmë seriozitetin e situatës së shtetit dhe ta shiqojmë drejt ne sy njeri- tjetrin si politikan të politikës se demokracisë,por njëkohësisht nuk duhet të kënaqemi duke menduar se nuk kemi se ç’bëjmë.Me kurajo është ai që bën ç’është e mundur në jetë dhe nuk heqë shpresën asnjëherë.

Ajo qe ndodh në plan të gjërë,është vetëm simptomë e asaj që ndoshta fshehur e bëjnë shumë nga ne.

Arroganca e Isa Mustafës, taktika e PDK-së dhe opozita e hutuar!

0

Adrian Çollaku

Zhvillimet e fundit në vend, sidomos pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe për demarkacionin me Malin e Zi, kanë nxjerrë në pah tri fakte shumë interesante.

I

Së pari, kemi parë që kryeministri formal i vendit po dëshiron të tregohet shumë i fuqishëm, dhe të bëjë diferencën nga Hashim Thaçi (si kryeministër real), por kësisoj ai po shndërrohet në një udhëheqës arrogant.

Gjuha që ai po përdor për të komunikuar me opozitën, me shoqërinë civile, me mediet, dhe mënyra se si ai urdhëroi policinë që të arrestoj aktivistët e një partie në opozitë, vetëm pse ata po shpërndanin pankarta në kundërshtim të marrëveshjeve të Brukselit, tregojnë më së miri për cilësitë e një udhëheqësi autoritar, arrogant dhe rritjen e numrit të të rrebeluarve kundër qeverisë që ai e drejton.

Kur këtyre veprimeve të tij, i bashkohen edhe disa këshilltarë, deputetë e servilë dhe pa argumente sulmojnë këdo që i kritikon, po e bënë edhe më skandaloze këtë qeverisje në sytë e opinionit…

Është shumë e thjeshtë kjo punë. Nëse Qeveria Mustafa do të vazhdoj me këtë sjellje kaq arrogante, pasojat për të do të jenë të pariparueshme, sepse jemi një vend demokratik, dhe kushdo ka të drejtë të mendoj ndryshe, të kritikoj, të protestoj…

II

E, PDK e drejtuar nga Hashim Thaçi, po e shfrytëzon më së miri përplasjen ndërmjet Qeverisë dhe opozitës.

Taktika që po e përdor Hashim Thaçi, që siç po duket haptas, duke e nxitur Isa Mustafën që të hyjë në luftë të drejtpërdrejtë me opozitën dhe me shoqërinë civile, nuk do mend se po shkon në favor të tij.

Përpos gjuhës politike të ashpër që po përdoret nga Isa Mustafa dhe njerëzit e tij me opozitën, sidomos me Vetëvendosjen, PDK-në po e nxjerrë në opinion si partinë më të modernizuar, më demokratiken, dhe partinë e cila, është e vetmja që mund ta mbaj stabilitetin në vend.

Taktika e PDK-së duket të jetë që të ketë sa më shumë përplasje ndërmjet Isa Mustafës e opozitës, në mënyrë që të dëshmoj para ndërkombëtarëve se pa ta, ky vend nuk mund të funksionoj, ashtu siç edhe arriti të mos mbetet në opozitë, gjatë kohës sa u formua blloku LVAN.

Ndërkohë derisa “lufta” Isa Mustafa- Opozita vazhdon, njerëzit e PDK-së vazhdojnë ta “kullosin” këtë vend pa ia prishur askush tymin…

III

Në tërë këtë situatë, partitë opozitare po duken thuajse të hutuara.

Përgatitja e tyre gjatë kohës së Bllokut LVAN se do të hynin në qeverisje, dhe mbetja pastaj e tyre në opozitë, duket sikur i zuri në “befasi”. Dhe tek deri vonë nuk arritën që të kthjellen.

Duket se kthjellja e tyre filloi me formimin e Frontit opozitar.

Natyrisht se ky front, nëse nuk do të ketë alternativë konkrete për t’iu ofruar qytetarëve dhe do të mbetet vetëm një bashkim numrash, efekti do të jetë zero. Dhe qytetarët nuk do të kenë asnjë arsye që të mendonin për t’i votuar ata në zgjedhjet e reja, sepse pa alternativë, do të mbesin pothuajse të njëjtë me këta që janë në qeverisje.

Partitë opozitare, poashtu duhet të dinë që protestat, duhet të jenë paqësore, por të fuqishme në mesazh.

Në të kundërtën, nëse paralajmërohet se protestat do të jenë të dhunshme, ashtu siç i kemi parë disa njerëz të Vetëvendosjes, qytetarët vetëm sa do të frikësohen, dhe Qeverisë arrogante të Isa Mustafës do t’ia vazhdojnë funksionimin, e cila nuk tregoj asnjë aftësi në zhvillimin e vendit.

Përkundrazi, zhgënjimi po rritet çdo ditë e më shumë…