18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Arroganca e Isa Mustafës, taktika e PDK-së dhe opozita e hutuar!

Adrian Çollaku

Zhvillimet e fundit në vend, sidomos pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe për demarkacionin me Malin e Zi, kanë nxjerrë në pah tri fakte shumë interesante.

I

Së pari, kemi parë që kryeministri formal i vendit po dëshiron të tregohet shumë i fuqishëm, dhe të bëjë diferencën nga Hashim Thaçi (si kryeministër real), por kësisoj ai po shndërrohet në një udhëheqës arrogant.

Gjuha që ai po përdor për të komunikuar me opozitën, me shoqërinë civile, me mediet, dhe mënyra se si ai urdhëroi policinë që të arrestoj aktivistët e një partie në opozitë, vetëm pse ata po shpërndanin pankarta në kundërshtim të marrëveshjeve të Brukselit, tregojnë më së miri për cilësitë e një udhëheqësi autoritar, arrogant dhe rritjen e numrit të të rrebeluarve kundër qeverisë që ai e drejton.

Kur këtyre veprimeve të tij, i bashkohen edhe disa këshilltarë, deputetë e servilë dhe pa argumente sulmojnë këdo që i kritikon, po e bënë edhe më skandaloze këtë qeverisje në sytë e opinionit…

Është shumë e thjeshtë kjo punë. Nëse Qeveria Mustafa do të vazhdoj me këtë sjellje kaq arrogante, pasojat për të do të jenë të pariparueshme, sepse jemi një vend demokratik, dhe kushdo ka të drejtë të mendoj ndryshe, të kritikoj, të protestoj…

II

E, PDK e drejtuar nga Hashim Thaçi, po e shfrytëzon më së miri përplasjen ndërmjet Qeverisë dhe opozitës.

Taktika që po e përdor Hashim Thaçi, që siç po duket haptas, duke e nxitur Isa Mustafën që të hyjë në luftë të drejtpërdrejtë me opozitën dhe me shoqërinë civile, nuk do mend se po shkon në favor të tij.

Përpos gjuhës politike të ashpër që po përdoret nga Isa Mustafa dhe njerëzit e tij me opozitën, sidomos me Vetëvendosjen, PDK-në po e nxjerrë në opinion si partinë më të modernizuar, më demokratiken, dhe partinë e cila, është e vetmja që mund ta mbaj stabilitetin në vend.

Taktika e PDK-së duket të jetë që të ketë sa më shumë përplasje ndërmjet Isa Mustafës e opozitës, në mënyrë që të dëshmoj para ndërkombëtarëve se pa ta, ky vend nuk mund të funksionoj, ashtu siç edhe arriti të mos mbetet në opozitë, gjatë kohës sa u formua blloku LVAN.

Ndërkohë derisa “lufta” Isa Mustafa- Opozita vazhdon, njerëzit e PDK-së vazhdojnë ta “kullosin” këtë vend pa ia prishur askush tymin…

III

Në tërë këtë situatë, partitë opozitare po duken thuajse të hutuara.

Përgatitja e tyre gjatë kohës së Bllokut LVAN se do të hynin në qeverisje, dhe mbetja pastaj e tyre në opozitë, duket sikur i zuri në “befasi”. Dhe tek deri vonë nuk arritën që të kthjellen.

Duket se kthjellja e tyre filloi me formimin e Frontit opozitar.

Natyrisht se ky front, nëse nuk do të ketë alternativë konkrete për t’iu ofruar qytetarëve dhe do të mbetet vetëm një bashkim numrash, efekti do të jetë zero. Dhe qytetarët nuk do të kenë asnjë arsye që të mendonin për t’i votuar ata në zgjedhjet e reja, sepse pa alternativë, do të mbesin pothuajse të njëjtë me këta që janë në qeverisje.

Partitë opozitare, poashtu duhet të dinë që protestat, duhet të jenë paqësore, por të fuqishme në mesazh.

Në të kundërtën, nëse paralajmërohet se protestat do të jenë të dhunshme, ashtu siç i kemi parë disa njerëz të Vetëvendosjes, qytetarët vetëm sa do të frikësohen, dhe Qeverisë arrogante të Isa Mustafës do t’ia vazhdojnë funksionimin, e cila nuk tregoj asnjë aftësi në zhvillimin e vendit.

Përkundrazi, zhgënjimi po rritet çdo ditë e më shumë…

Më Shumë

Ministria e Shëndetësisë miraton listën zyrtare të çmimit të barnave

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale pas propozimit të komisionit përkatës. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 15.05.2024,...

Kurti fton në darkë pune liderët e partive opozitare: Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj ende pa përgjigje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur t`i ul tensionet me opozitën. Ai i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët...

Lajmet e Fundit