14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Çmimi Kadare: Kur mbruhej një ide

Cila është historia pas çmimit “Kadare”, si pranoi shkrimtari i madh të jepte bekimin dhe emrin e tij për një konkurs të letrave shqipe? Ç’do të thotë një çmim i ri për autorët e prozës shqipe? Shkrimtari Ylljet Aliçka, njëherazi dhe anëtar i jurisë, rrëfen se si erdhi ky çmim….

Asokohe ishte ende ambasador i Republikës së Shqipërisë në Paris, kur i foli për herë të parë shkrimtarit të madh për idenë e një çmimi që do të mbartte emrin e tij.

Në një takim në kafene- me gjasë e famshmja “Cafe Rostand” e shndërruar thuajse në një shenjtërore krijimi për shkrimtarin- përgjigjja ishte jo ajo që prisnin me ankth dy bashkëbiseduesit, miku i tij Ylljet Aliçka dhe botuesi Henri Çili…

Por ky i fundit nuk hoqi dorë nga ideja (Thuhet se këmbëngulja është çelësi i fitores).

Kishin kaluar dy vite e jo pak përpjekje për ta bindur që vetë shkrimtari të jepte bekimin dhe miratimin për një çmim të tillë dhe ishte sërish Ylljet Aliçka, kësaj here jo më ambasador në Paris, por pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, i cili foli edhe një herë për idenë e vjetër, kësaj here frytdhënëse. Bisedat zhvendoseshin në hapësirë, por energjia për të marrë një përgjigje pozitive ishte e njëjta; nga Mali i Robit, te Juvenilja e në Kafe Rostand në Paris. Skepticizmit të natyrshëm të fillimit te shkrimtari ia zuri vendin një marrëveshje përkundër mosmarrëveshjes, pra thirrja e kumtit që opusi i tij letrar të jetë pjesë e respublicas edhe nëpërmjet universitares, t’u jepet gjeneratave që do i vijnë Shqipërisë.

Shkrimtari disa herë kandidat për çmimin “Nobel”, pranoi që Fondacioni MAPO të themelonte çmimin letrar “Kadare”, çmimi më i ri për autorët shqiptarë, i cili u shpall dy ditë më parë në një ceremoni në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, ku morën pjesë shkrimtarë, përkthyes, akademikë e gazetarë.

Një çmim që do të akordohet në muajin nëntor, ku i pranishëm do të jetë edhe vetë Kadare, mbi një vepër në prozë.

“Është një stimul ndaj letërsisë shqipe, për vetë vlerat dhe emrin që mbart. Por edhe vlera monetare është e volitshme”, – shprehet Aliçka duke theksuar se shkrimtaria është një nga profesionet më të vështirë në vend.

“Është tejet e vështirë të jetosh me këtë punë, për të mos thënë e pamundur. Përveç Ismail Kadaresë, asnjë tjetër shkrimtar shqiptar nuk ia ka dalë të jetojë me të ardhurat e fituara nga botimet”, – vijon ai. Ndaj, qoftë edhe vetëm në aspektin utilitar, ky çmim merr një rëndësi të madhe në arenën e letrave shqipe.

“Askush nuk akordon një vlerë të tillë në çmim. As jashtë vendit. Ja, unë për shembull, kam fituar një çmim letrar në Itali dhe vlera monetare ishte 1 mijë euro. Mendoj se 10 mijë euro është një çmim i mirë”, – pohon Aliçka. Shtuar këtu edhe botimin e siguruar nga “Mapo Editions”, e bëjnë këtë çmim tejet të fuqishëm.

“Fakti që ky çmim është i fokusuar vetëm në letërsinë shqipe, ka disa të veçanta që vërtet do të zënë një vakuum në letrat shqipe”.

Aliçka rrëfen se me të dëgjuar mbi këtë çmim kanë nisur menjëherë interesimet nga rrethi i shkrimtarëve që kërkojnë informacione më të detajuara rreth konkurrimit.

Të interesuarit e parë kanë qenë autorë të rinj, ka edhe nga ata që pyesin nëse mund të konkurrojnë me poezi. Por kushti kryesor i këtij çmimi është proza, proza shqipe.

Ndaj nuk është menduar të përfshihen përkthimet, por i është lënë e gjithë fusha e veprimit krijimtarisë origjinale në gjuhën shqipe. Që sipas Aliçkës, duke pasur parasysh emrin e madh të shkrimtarit që mban dhe vlerën e shtuar, i bën edhe anëtarët e jurisë shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në përzgjedhjen e fituesve.

Shkrimtari Zija Çela ka paraqitur veprën e tij në dorëshkrim dhe Rudolf Marku është duke i dhënë dorën e fundit një romani që do e paraqesë në konkurrim, gjë që e bën të tërhiqet nga juria e Çmimit “Kadare”, siç e saktëson edhe statuti.

Fituesi i parë do të zbulohet në fillim të nëntorit. Do të jetë fundjava në prag të hapjes së Panairit të Librit dita që do të kurorëzojë autorin që juria do ta vlerësojë si më të mirin mes pjesëmarrësve në këtë konkurs. E kështu, nëntori i një kryeqyteti, siç është titulli i një libri të Kadaresë, do të shndërrohet këtë vit në nëntorin e çmimit “Kadare”. Por vetëm për këtë vit, pasi për vitet e ardhshme themeluesit e këtij çmimi kanë vendosur ta akordojnë në muajin maj, gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”, të organizuar nga Qendra e Studimeve të Letrave Shqipe “Kadare”.

Jo vetëm për emrin me peshë të madhe që mban, jo vetëm për vlerën monetare që do të japë, jo vetëm për specifikat që ka në konkurrim, ku synohet të forcohet proza shqipe, por edhe për ambicien që themeluesit kanë që të krijohet një treg ndërkombëtar për librin dhe autorin duke e botuar por edhe përkthyer në gjuhë të huaja, e bën këtë çmim të rëndësishëm në hapësirën shqiptare, si një shtysë për më tej…

Virgjil Muçi: Çmimi do i japë hov krijimtarisë letrare

Çmimi më i ri “Kadare” që akordon Fondacioni Mapo, është një fllad i freskët dhe frymëzues në atmosferën e topitur të artit, kulturës shqipe në përgjithësi dhe të tepërtave në veçanti dhe si i tillë shpresojmë të shërbejë si katalizator dhe besojmë t’i japë një hov dhe krijimtarisë letrare në prozën e gjatë shqipe dhe nga ana tjetër, pse jo, të jetë edhe një laborator krijues për të rinj që kuturisin dhe ravgojnë në shtigjet e letërsisë shqipe.

Fakti që jam anëtar jurie është një ndërdyshje; në të njëjtën kohë është dëshira për të vëzhguar dhe ndjekur zhvillimet letrare, dhe nga ana tjetër, si krijues ke tundimin e fortë të jesh konkurrues dhe fitues e jo thjesht një vëzhgues aktiv i prurjeve në letërsi. Unë e kisha diçka konkurruese që sivjet, por u shtrëngova të heq dorë nga konkurrimi dhe të pranoj rolin e gjykatësit.

Avokat Ngjela: Çmimi, një hap përpara për letërsinë

Nënë Tereza dhe Ismail Kadare janë dy figura me rezonancë botërore dhe kjo i bën nder Universitetit Europian të Tiranës, pasi janë të parët që japin një çmim të tillë. Unë mendoj që është një hap përpara për letërsinë që dallon se është në krizë fermentimi. Të gjitha shoqëritë kështu e kalojnë letërsinë. Vjen një fazë pas krizave të mëdha që letërsia është në krizë fermentimi. Shpresojmë që kjo shkrepësja juaj të ndezë një zjarr normal për letërsinë. Besoj se ju, pas 15-20 vitesh ndoshta, keni bërë një përzgjedhje të mirë të letërsisë shqipe.

Juria do të përbëhet nga anëtarët e Bordit të “UET Press” dhe “MAPO”. Emra të njohur të letërsisë dhe gazetarisë. Bordi dhe rrjedhimisht juria mund të jenë të lëvizshëm.

-Çmimi “Kadare” do të akordohet nga Fondacioni Mapo në muajin nëntor

-Vitet e ardhshme do të akordohet në fillim të majit, gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”

-Pranohen vetëm vepra shqip në dorëshkrim

-Aplikimet janë të hapura deri më 31 tetor

-Juria konsultohet gjerësisht për dhënien e çmimit me anuarin ‘Ditët Letrare të Razmës’.

-Nëse një prej anëtarëve të jurisë dëshiron të konkurrojë për Çmimin Kadare, i duhet të tërhiqet.

-Vlera monetare e çmimit është 10 mijë euro.

-Fituesi botohet ekskluzivisht nga Botimet MAPO dhe ia kalon të drejtat e autorit këtij enti.

Juria

Artur Zheji

Alfred Lela

Gilman Bakalli

Henri Çili

Ylljet Aliçka

Preç Zogaj

Rudolf Marku

Virgjil Muçi

Më Shumë

Ngritet aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë për drogë dhe kalim ilegal të kufirit

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.D., shtetas i Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të...

Kanosi dhe fyu policët, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti gjatë shqiptimit të një tikete kundërvajtëse në trafik, ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë. Në...

Lajmet e Fundit