Home Blog Page 6995

Kërkohet angazhim për rritjen e transparencës në komunën e Rahovecit

0

Instituti Demokratik i Kosovës ka vazhduar me aktivitetet avokuese për përmirësimin e indikatorëve të transparencës komunale. Tryeza me aktorët kyç në nivel komunal për të diskutuar transparencën komunale sot u mbajt në Komunën e Rahovecit dhe qëllim në vete kishte ndikimin në përmirësim të performancës komunale në katër shtyllat e vlerësimit.

Në fillim të këtij takimi nënkryetari i Komunës së Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, e theksoi rëndësinë e Transparometrit dhe e te gjitha indikatorëve e përdorur për vlerësimin e transparencës duke thënë se me pak përkushtim dhe angazhim nga ana e ekzekutivit dhe e kuvendit komunal mund të eliminohen edhe këto mungesa. Haxhimustafa vazhdo se ky nivel i ulet i transparencës sa ka rezultuar si pasojë e neglizhencës nga zyrtarët e komunës mirëpo ai u tregua i gatshëm për përmirësime.

Kryesuesi i Kuvendit te Komunës, Nehat Elshani, potencoi se edhe pse Kuvendi i Komunës së Rahovecit është vlerësuar si organi më transparent në krahasim me Kuvendet e Komunave të tjera të regjionit të Prizrenit, ka ende hapësirë për përmirësimin e disa indikatorëve. Elshani gjithashtu shtoi se është në interes të qytetarëve të bëhet publikimi i procesverbaleve, rregulloreve dhe i të gjitha vendimeve qe janë marrë në kuvend, ku ata mund të shohin se si përfaqësohen nga te zgjedhurit e tyre.

Lulzim Sylejmani, Drejtor i Financave, tha se ai është gjithmonë i gatshëm të ju përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe OJQ-ve sa i përket raporteve financiare dhe se plani i prokurimit është në përputhje me projektet që zhvillohen dhe ato duhet vetëm të publikohen në faqen zyrtare të Komunës. Sylejmani tha se ka çalime mirëpo të gjitha indikatorët të cilët mungojnë ne Komunën e Rahovecit duhet të merren më me seriozitet.

Florije Boshnjaku (AAK), anëtare e Kuvendit të Komunës, ka konsideruar si çështje shumë të rëndësishme mungesën e publikimit të planit të prokurimit, rregulloreve, vendimeve dhe statutit ne faqen zyrtare të Komunës. Ajo tha se në vend që këto dokumente të ruhen në arkiv ato nevojiten të publikohen në buletin apo gazetë zyrtare e cila do të mund të ju ofrohet edhe publikut.

Fatmir Iska (AAK), anëtarë i Kuvendit të Komunës, e shprehu pakënaqësinë e tij sa i përket nivelit të transparencës në Komunën e Rahovecit duke theksuar se gjatë seancave të mbajtura në Kuvendin e Komunës në shumicën e rasteve asamblistët nuk marrin përgjigje sa ju përket pyetjeve të parashtruara ekzekutivit të komunës, dhe raporti gjashtëmujor i punës nuk raportohet nga Kryetari i cili është shumë pak prezent ne mbledhjet asambleiste. Ai gjithashtu tha duhet inkurajohen qytetarët për të marrë pjesë në debate publike në mënyrë që të merren kërkesat dhe sugjerimet e tyre.

Ndërkaq, Komuna e Rahovecit gjatë periudhës janar-qershor 2015 është vlerësuar me mungesë të transparencës komunale duke arritur vetëm 40.3% të vlerësimit të përgjithshëm në katër shtyllat e vlerësimit: Zyra e Kryetarit, Kuvendi i Komunës, Financat Komunale dhe transparenca në Konsultime me Publikun (secila nga katër shtyllat përmban nga 11 indikator). /PrizrenPress.com

Raporti i Progresit konfirmon nevojën për rritjen e transparencës në komuna

0

Organizata Jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe” vlerëson se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2015 ka vënë në pah edhe njëherë nevojën që pushteti i nivelit lokal të rris transparencën në vendimmarrje, gjë që përputhet edhe me thirrjet e vazhdueshme të shoqërisë civile në Kosovë. Një tjetër çështje që përmendet në Raport, e ku po ashtu mund të tërhiqen paralelet me Komunat e Kosovës, ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e transparencës buxhetore.

Në këtë Raport janë marrë parasysh përpjekjet e qeverisjes lokale në Kosovë për përmirësimin e kapaciteteve dhe vendimmarrjen në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, por po ashtu është vënë në pah nevoja që Komunat e Kosovës të vazhdojnë angazhimet për rritjen e transparencës.

“Përpjekjet e qeverisjes lokale duhet të vazhdojnë për rritjen e transparencës në vendimmarrje dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendeve të Komunave”, thuhet në Raport.

Ndërkohë Raporti në pjesën ku përshkruan zhvillimet në menaxhimin e financave publike në Kosovë thekson se “transparenca buxhetore është e pamjaftueshme”, gjë që vlen edhe për Komunat e Kosovës.

“Në veçanti, informatat mbi buxhetin duhet të jenë më të besueshme dhe më të hollësishme për të fuqizuar llogaridhënien. Prezantimi i informatave kryesore buxhetore në mënyrë të qasshme do të krijojë besim te publiku dhe do të kontribuoj në përmirësimin e marrëdhënieve qytetar-shtet”, thuhet në Raport.

Shqetësimet lidhur me çështjet e lartpërmendura janë ngritur shpeshherë nga “EC Ma Ndryshe”.

“Prandaj, konstatimet e Raportit të Komisionit Evropian duhet të kuptohen drejtë nga Komunat e Kosovës, të cilat duhet të marrin veprime të menjëhershme për rritjen e transparencës në vendimmarrje dhe menaxhim të buxhetit, si dhe të mundësojnë mbikëqyrje më efektive nga Kuvendet e Komunave. Njëkohësisht i bëjmë thirrje edhe ministrive të linjës në Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrin veprime të duhura në mënyrë që të kemi përmirësimin thelbësor në transparencën e nivelit komunal”, thuhet në komunikaten e OJQ-së “EC Ma Ndryshe”. /PrizrenPress.com

Paraburgosen personat e përfshirë në rrahje në Serbcë të Prizrenit

0

Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurve M.K., K.M. nga fshati Sërbicë e Poshtme, Komuna e Prizrenit, si dhe A.Q. nga Zvicra.

Tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor’.

“Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 10.11.2015 dhe do të zgjasë deri me datën 09.12.2015”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, se me datën 10.11.2015 rrethë orës 13.30 minuta në fshatin Sërbicë e Poshtme, pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një borxhe të njëjtit duke përdorur mjete të forta për shkaktimin e lëndimeve trupore si dhe përdorimin e grushtave i shkaktojnë lëndime trupore të ndërsjella njëri tjetrit”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Mustafa: Koalicioni qeverisës po përballet mirë me problemet

0

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Raporti i Progresit është real dhe se sipas tij ky raport vlerëson Kosovën në dialogun me Serbinë siç tha ai “përkundër problemeve që i kemi me opozitën”.

“Jemi në fazën fillestare të adresimit të çështjeve. Ne do ta lexojmë çdo pikë të raportit dhe do të marrim masa” ka deklaruar shefi i qeverisë kosovare.

Mustafa para ministrave të kabinetit qeveritar  ka shtuar më tutje se koalicioni qeverisës po përballet mirë me problemet

Sipas tij, raporti vitin që vjen do të të jetë më i mirë me këtë koalicionin siç e quajti Mustafa “koherent” njofton Klan Kosova.

MAShT-i i rishikon tekstet shkollore

0

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë do ta fillojë rishikimin e teksteve shkollore pas vërejtjeve të vazhdueshme për gabime dhe mangësi në tekstet shkollore të arsimit fillor në Kosovë.

Tashmë MASHT-i e ka formuar edhe një këshill për rishikimin e teksteve, i cili ka filluar punën. Drejtues të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se rishikimi i teksteve do të bëhet për t’i eliminuar gabimet, duke pasur parasysh edhe qasjen moderne e aktuale ndaj dukurive të ndryshme sociale.

Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Demaj, ka thënë për “Epokën e re” se vërejtjet për tekstet shkollore, qoftë për gabime shkencore e për mbingarkesë, kanë ardhur nga prindërit, ekspertët dhe nga vetë mësimdhënësit. Ajo është shprehur se për këtë qëllim Ministria e Arsimit ka themeluar Këshillin e Ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore të nivelit fillor.

Këshilli është përbërë nga ekspertë të fushave përkatëse, autorë, përfaqësues të ministrisë dhe kryesohet nga zëvendësministrja Anila Statovci.

“Këto sugjerime apo çështje teknike që mund t’i ndryshojmë për vitin e ardhshëm shkollor do t’i bëjmë në bazë të katalogut të sugjerimeve. Në anën tjetër, do ta gjejmë formën për zvogëlimin e peshës së librit. Kur të përmbyllet kjo fazë e shpejtë, do të hyjmë në debate me ekspertët, për të parë se si përputhen kurrikula me ligjin ekzistues për arsimin fillor, pastaj të marrim vendime të rëndësishme se në çfarë forme të shkojmë më tutje për tekstet e reja shkollore”, ka thënë ajo.

Zëvendësministrja Statovci-Demaj ka thënë se një nga format që do të rekomandohet është edhe ndarja fizike e librit në dy gjysmëvjetor. Në këtë mënyrë, ajo sqaron se mund të ketë edhe një përmbledhje të lëndës në një libër, e jo në tre libra për një lëndë.

“Klasat e ulëta kanë nga dy ose tri fletore pune për të njëjtën lëndë. Ekspertët do të vendosin se sa është e mundur të integrohen dy fletore punë në një ose të sistematizohet i gjithë ai material në një libër të vetëm. Do të rishikojmë edhe këtë pjesë teknike”, ka shtuar Statovci-Demaj.

Ndërsa lidhur me gabimet shkencore në tekstet shkollore, Statovci ka bërë me dije se të gjitha ato do të eliminohen por, siç ka thënë, ky është një proces i gjatë që nuk mund të përfundojë brenda këtij viti.

“Kemi marrë këtë qasje, në mënyrën e punës, për shkak se do të ishte joreale të presim një ndërrim radikal për vitin e ardhshëm shkollor, duke marrë parasysh afatin e botimit të librave. Në njëfarë mënyre është pjekur koha për t’i ndryshuar tekstet shkollore të arsimit fillor. Detyrimisht do të duhej të bëhej një lloj azhurimi i tyre. Kur ta bëjmë këtë rishikim duhet ta kemi parasysh qasjen moderne, aktuale ndaj dukurive të ndryshme sociale”, ka thënë Statovci-Demaj.

Përveç grupit të ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, i cili më pas do t’i dërgojë rekomandimet tek ministri, do të formohen edhe grupet e ekspertëve të fushave të caktuara, të cilët do të debatojnë për të shkuar deri te një vendim përfundimtar. Edhe pse nuk janë caktuar afate kohore për procesin e rishikimit të teksteve, pritet që në vitin shkollor 2017/2018 të ketë rezultate përfundimtare për tekste të reja shkollore. /Epoka e Re

Kosova ka gjasë të marrë pjesë në Evrovizionin e vitit 2016

0

Festivali i këngës evropiane, Evrovizion, tanimë ka zgjedhur 40 shtetet që do të ngjitën në skenën e këtij festivali në maj të vitit 2016, në Stokholm të Suedisë.

Wiwi blogs, portali zyrtar i këtij festivali, lajmëron se në edicionin e radhës së Evrovizionit do të performojnë 41 shtete, por pas bojkotimit të Turqisë nuk dihet se kush do të jetë pjesëmarrësi numër 41.

Si opsion të mundshëm mes të tjerësh kjo faqe e sheh edhe Kosovën, ani pse e përmend mospranimin në UNESCO dhe problemet politike, thotë se ka pasur përpjekje serioze nga Prishtina për të qenë pjesë e këtij edicioni.

Ata përmendin edhe kosovaren Rona Nishliu, që zuri vendin e 5 në vitin 2012 si përfaqësuese e Shqipërisë, duke u bërë kështu suksesi më i madh i shtetit shqiptar në këtë festival.

Si shtete potenciale për t’u bërë pjesë e këtij festivali shihen edhe Bosnja, Australia e Kroacia./KL

Thaçi: Votat për UNESCO tregojnë se kemi fituar kundër Serbisë

0

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi ka thënë se vendimi i mospranimit të Kosovës në UNESCO nuk e minimizon shtetësinë e Kosovës ndërsa prioritet i Qeverisë mbetet anëtarësimi në organizata të tilla.

“Kishim mbështetje të madhe ndërsa kjo çështje u keqkuptua nga Serbia”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Thaçi gjithashtu ka thënë se kjo situatë është goditje për rajonin ndërsa ai ka treguar se votat tregojnë se ne kemi fituar kundër Serbisë.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se Kuvendi është ballafaquar me bllokadë dhe dhunë opozitare e kjo sipas tij ka ndikuar gjatë muajve të lotimit.

“Është dashur të shpjegohet te njerëzit bllokada dhe situata” ka përfunduar ai.

Rama: Është koha që kjo shoqëri të përballet me kulturën e shpifjes

0

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur ligjin për shpifjen duke u shprehur se nuk ka asnjë lidhje me shtypin.

Në një status në Facebook, Edi Rama thotë se shpifja duhet të jetë vepër penale për politikanët që paguhen me taksat e popullit.

“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit”, shkruan Rama.

Kryeministri propozon rikthimin si vepër penale të shpifjes ndaj funksionarëve publikë dhe të zgjedhurve, duke kërkuar dënim nga gjobë deri në tre vjet burg të çdokujt që do të gjendet në faj nga drejtësia.

Projektligji është miratuar në mes të tetorit, por gjatë konferencës së të martës, kryeministri nuk e reflektoi plotësisht këtë propozim të tijin, kur foli për lirinë e medias.

Ministria e Jashtme dështoi, të nisin shkarkimet

0

Analistët propozojnë reforma në diplomacinë kosovare, një ristrukturim të tërësishëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe rrjetin diplomatik të Kosovës

Fakti që disa shtete, që e kanë njohur shtetin e Kosovës, iu bashkuan të hënën abstenimit për anëtarësimin në UNESCO, nga njohësit e politikës kosovare interpretohet si një fiasko e diplomacisë joprofesionale kosovare. Sipas tyre, ka një zhgënjim dhe rënie të entuziazmit të disa shteteve, në raport me procesin e deritashëm të shtetndërtimit jo të mirë, prandaj nevojitet reformë e shërbimit të jashtëm.

“Nëse 15 shtete, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk e kanë përkrahur anëtarësimin në UNESCO, kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjithë në Kosovë, jo vetëm për politikanët, intelektualët, shoqërinë civile etj. Në shtetet ku Kosova ka ambasadorë (si Japonia), apo ku mbulohet me ambasador si Koreja e Jugut, Polonia, Egjipti etj., gjithë stafi diplomatik që kanë hëngër bukë badihava gjithë këto vite duhet të shkarkohet urgjentisht”, tha analisti politik Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”.

Shqiptarët e Maqedonisë me pesë televizione nacionale

0

Viti 2015 do mbahet mend edhe për plotësimin e etrit mediatik të shqiptarëve të Maqedonisë. Brenda një intervali kohor prej 1 viti etrit iu bashkuan edhe tre televizione nacionale, Tv Art, Tv 21 Maqedoni dhe së fundmi edhe Tv Shenja, krahas servisit publik “TvM2”, dhe televizionit kombëtar “Alsat-M”.

E para theu aktullin televizionit “Art”, me seli në Tetovë, e cila nga dhjetori i vitit të kaluar nga niveli lokal u transferua dhe morri licencën e televizionit nacional.

Më 21 shtator të këtij viti, “Air Box-in” e aktivizoi edhe Tv 21 – Maqedoni, i cili televizion vjen si pjesë e rrjetit mediatik “21 Media”, nga Republika e Kosovës.

Brenda muajt nëntor, fillon me punë edhe televizioni nacional “Tv Shenja”, me cka numri i televizioneve kombëtare që transmetojnë program kryesisht në gjuhën shqipe shkon në pesë, përfshi këtu edhe servisin publik, programi i dytë në gjuhën shqipe.

Kjo lëvizje bëhet më e theksuar nga fakti se prej vitit 1991, me ardhjen e pluralizmit politik në Maqedoni, nuk ka patur lëvizje të tilla sa u përket televizioneve nacionale me program në gjuhën shqipe.

E para u hap televizioni kombëtar “Alsat-M” e cila filloi transmetimin e programit në shtator të vitit 2005 dhe kete vit shenoi 10 vjetorin e themelimit.

Disa vite më vonë në etër u shfaq edhe “Tv Alb”, por jetëgjatësia e këtij televizioni ishte e shkurtër dhe nuk arriti të kremton as një vjetorin e themelimit.

Agjencia e lajmeve Zhurnal, në këto zhvillime ka dhënë kontributin e vet në informimin e opinionit publik, dhe uron që asnjëri nga televizionet e porsaformuara të mos e ketë fatin e televizionit “Tv Alb”.

Aktualisht, krahas servisit publik, në regjistrin e televizioneve në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele të regjistruar janë 14 televizioni nacionale te karakterit privat, nga të cilat katër figurojnë me program në gjuhën shqipe./Zhurnal