10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

MAShT-i i rishikon tekstet shkollore

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë do ta fillojë rishikimin e teksteve shkollore pas vërejtjeve të vazhdueshme për gabime dhe mangësi në tekstet shkollore të arsimit fillor në Kosovë.

Tashmë MASHT-i e ka formuar edhe një këshill për rishikimin e teksteve, i cili ka filluar punën. Drejtues të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se rishikimi i teksteve do të bëhet për t’i eliminuar gabimet, duke pasur parasysh edhe qasjen moderne e aktuale ndaj dukurive të ndryshme sociale.

Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Demaj, ka thënë për “Epokën e re” se vërejtjet për tekstet shkollore, qoftë për gabime shkencore e për mbingarkesë, kanë ardhur nga prindërit, ekspertët dhe nga vetë mësimdhënësit. Ajo është shprehur se për këtë qëllim Ministria e Arsimit ka themeluar Këshillin e Ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore të nivelit fillor.

Këshilli është përbërë nga ekspertë të fushave përkatëse, autorë, përfaqësues të ministrisë dhe kryesohet nga zëvendësministrja Anila Statovci.

“Këto sugjerime apo çështje teknike që mund t’i ndryshojmë për vitin e ardhshëm shkollor do t’i bëjmë në bazë të katalogut të sugjerimeve. Në anën tjetër, do ta gjejmë formën për zvogëlimin e peshës së librit. Kur të përmbyllet kjo fazë e shpejtë, do të hyjmë në debate me ekspertët, për të parë se si përputhen kurrikula me ligjin ekzistues për arsimin fillor, pastaj të marrim vendime të rëndësishme se në çfarë forme të shkojmë më tutje për tekstet e reja shkollore”, ka thënë ajo.

Zëvendësministrja Statovci-Demaj ka thënë se një nga format që do të rekomandohet është edhe ndarja fizike e librit në dy gjysmëvjetor. Në këtë mënyrë, ajo sqaron se mund të ketë edhe një përmbledhje të lëndës në një libër, e jo në tre libra për një lëndë.

“Klasat e ulëta kanë nga dy ose tri fletore pune për të njëjtën lëndë. Ekspertët do të vendosin se sa është e mundur të integrohen dy fletore punë në një ose të sistematizohet i gjithë ai material në një libër të vetëm. Do të rishikojmë edhe këtë pjesë teknike”, ka shtuar Statovci-Demaj.

Ndërsa lidhur me gabimet shkencore në tekstet shkollore, Statovci ka bërë me dije se të gjitha ato do të eliminohen por, siç ka thënë, ky është një proces i gjatë që nuk mund të përfundojë brenda këtij viti.

“Kemi marrë këtë qasje, në mënyrën e punës, për shkak se do të ishte joreale të presim një ndërrim radikal për vitin e ardhshëm shkollor, duke marrë parasysh afatin e botimit të librave. Në njëfarë mënyre është pjekur koha për t’i ndryshuar tekstet shkollore të arsimit fillor. Detyrimisht do të duhej të bëhej një lloj azhurimi i tyre. Kur ta bëjmë këtë rishikim duhet ta kemi parasysh qasjen moderne, aktuale ndaj dukurive të ndryshme sociale”, ka thënë Statovci-Demaj.

Përveç grupit të ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, i cili më pas do t’i dërgojë rekomandimet tek ministri, do të formohen edhe grupet e ekspertëve të fushave të caktuara, të cilët do të debatojnë për të shkuar deri te një vendim përfundimtar. Edhe pse nuk janë caktuar afate kohore për procesin e rishikimit të teksteve, pritet që në vitin shkollor 2017/2018 të ketë rezultate përfundimtare për tekste të reja shkollore. /Epoka e Re

Më Shumë

Vdes veterani i UÇK-së, Gani Maksutaj

Ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Maksutaj.  Maksutaj ishte komandant në togun Luanat, Batalioni 2, Brigada 123. Lajmin për...

Gjendet një person pa shenja jete në Prizren

Një person është gjetur pa shenja jete të hënën rreth orës 06:40 në fshatin Manastirca, në Prizren. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës...

Lajmet e Fundit