Home Blog Page 6996

Analistët: Pezullimi i asociacionit nuk e zgjidh krizën politike

0

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqiptimin e masës së përkohshme, me të cilën suspendohet zbatimi i parimeve të përgjithshme të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, nga analistët konsiderohet si vendim i pranueshëm, por jo që mund ta zgjidhë krizën politike.

Analisti politik Belul Beqaj ka vlerësuar të mërkurën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Megjithatë, ai ka thënë për “Epokën e re” se ky vendim nuk është i pavarur dhe profesional por, sipas Beqajt, është modus “vivendi” për ta shpëtuar gjykata veten duke mos i ngacmuar shumë palët.

“Gjykata Kushtetuese është në sandviç mes presionit të opozitës dhe ruajtjes së autonomisë profesionale, përkatësisht kërkesës së heshtur të pushtetit për ta mbështetur ‘Zajednicën’. Prandaj, pezullimi ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Këtij vendimi i ka shkuar për shtati edhe mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Paramendojeni situatën sikur gjykata të kishte vendosur ‘pro’ kërkesës së kryetares çfarë reagime do të kishte në shoqëri. Prandaj, definitivisht pezullimi nuk është vendim i pavarur dhe profesional i Gjykatës, por modus ‘vivendi’ për ta shpëtuar veten duke mos i ngacmuar shumë palët”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka bërë gabim që e ka dërguar çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“Personalisht mendoj se presidentja ka bërë gabim që e ka dërguar, ngaqë Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i gjykojë parimet, por efektet e sanksionuara ligjore se a është ndonjë zgjidhje juridike konform Kushtetutës apo jo. Gjykata duhet ta ketë objekt të shqyrtimit vetëm dekretin e Qeverisë nëse Qeveria do ta ketë guximin për ta dekretuar pas kësaj çfarë ka ndodhur me dështimet zinxhirore”, është shprehur Beqaj.

I pyetur nëse ftesa për dialog e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do t’i kontribuojë zgjidhjes së krizës politike, Beqaj ka thënë se çdo zgjidhje jashtë kuvendit do të shkaktojë pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen.

“Ndërkohë mund të ndodhin gjëra edhe më të pahijshme në Kuvendin e Kosovës. Por, definitivisht tejkalimi i kësaj gjendje do të jetë në Kuvendin e Kosovës, prandaj mendoj se palët më mirë është ta bëjnë sot atë që do të detyrohen ta bëjnë me pasoja shumë më të mëdha për to dhe shoqërinë nesër. Në këtë kuptim besoj se çdo zgjidhje jashtë kuvendit shkakton pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen derisa e kemi nënshkruar MSA-në. ‘Timeauti’ që është krijuar duhet të shfrytëzohet për t’i korrigjuar veprimet taktike nga ana e opozitës dhe pozitës, përndryshe politikëbërja e këtillë do ta humbet kuptimin”, ka theksuar ai.

Ndërsa analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet edhe në nivelin juridik dhe atë politik. Ai ka thënë për “Epokën e re” se opozita nuk do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, por as Qeveria nuk guxon të fshehët prapa këtij akti.

“Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet në dy nivele, në nivelin juridik dhe atë politik. Sa i përket nivelit juridik, duket se çdo gjë është në përputhje me kompetencat që i ka presidentja dhe Gjykata Kushtetuese dhe është një proces i cili bëhet duke respektuar kornizën ligjore në Kosovë. Kurse sa i përket nivelit politik nuk është e pritshme që ky akt do të ndikojë në përafrimin e palëve. Nuk besoj se opozita do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, mirëpo as Qeveria nuk bën të fshehët prapa këtij akti dhe të bëhet kinse nuk po ndodh asgjë, pra ta injorojë krizën”, ka theksuar Muhaxhiri.

Sipas tij, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive.

“Kriza ekziston dhe ajo nuk mund të zgjidhet me këtë vendim. Përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë krizë politike mund të jetë një nga elementet e mozaikut të krizës, por assesi nuk duhet të pritet që vetëm Kushtetuesja ta zgjidhë këtë krizë. Pra, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Kurse sa i përket ftesës për dialog në mes të palëve, Muhaxhiri ka thënë se një gjë të tillë është dashur ta bëjnë lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i PDK-së, Hashim Thaçi, e jo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Nuk besoj se i takon z. Kadri Veseli ta bëjë një akt të tillë sepse këtë letër do të duhej ta dërgonte Isa Mustafa në bashkëpunim me Hashim Thaçin sepse ata janë udhëheqësit e koalicionit dhe pakënaqësia e opozitës është me koalicionin qeveritar, e jo me kuvendin. Është një akt formal nga ana e z. Veseli, por edhe ai vetë e ka ditur se nuk do të ketë asnjë efekt ftesa e tij, sepse marrëveshjet në Bruksel i ka nënshkruar Isa Mustafa, e jo Kadri Veseli”, është shprehur Muhaxhiri. /Epoka e Re

Marrëveshja për Asociacionin, të rinegociohet

0

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka ngjallur idenë, që kjo Marrëveshje “problematike” të ringociohet edhe një herë.
Derisa opozita kërkon zhbërjen komplet të saj, janë shtuar zërat, madje dhe ndërkombëtarët, që kësaj Marrëveshjeje t’i bëhet një “redaktim” në disa pika.

Madje, nëse Gjykata e hedh poshtë si antikushtetuese, kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero, pavarësisht implikimeve zinxhirë në proceset tjera, përfshirë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim me BE-në, shkruan Zëri.

Sipas ekspertëve juridikë, cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai do të shikohet si i anshëm politikisht nga njëra apo tjetra palë. Prandaj, derisa Bashkimi Evropian po bën presion që Marrëveshja të implementohet, ekspertët juridikë kërkojnë nga Kushtetuesja që të kërkojë ndihmën e Komisionit të Venedikut.

Kjo do t’i hapte rrugë anulimit të marrëveshjes në formën aktuale dhe të niste rinegocimi mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së për një marrëveshje të re.

E pikërisht këtë nuk e ka përjashtuar as raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek gjatë vizitës së saj në Kosovë. /Zëri

Hashim Çollaku nga Prizreni, kandidat për Kushtetuesen

0

Komisioni për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas përfundimit të intervistave me gojë, që u bënë gjatë ditës së sotme, dhe testit me shkrim të mbajtur më 9.11.2015, i ka përzgjedhur katër (4) kandidatë për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas komunikatës nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, kandidatët që kanë shënuar më shumë pikë gjatë intevistimit janë:

1.Gresa Cakaj Nimani,
2.Rexhep Gashi,
3.Selvete Gërxhaliu dhe
4.Hashim Çollaku.
Këta kandidatë do t’i dërgohen seancës së Kuvendit të Kosovës për votim.

Raporti i Progresit Europian për Kosovën, vë theksin në sundimin e ligjit

0

Gent Gjini

Vendet që aspirojnë të jenë në familjen europiane, të Ballkanit Perendimor dhe që jenë në stadet e avancimeve të hapave europiane, raporti i progresit për vendet aspiruese është pasqyrë e qartë, që tregon për zhvillimet dhe ngecjet në elementeve të formimit shtetëror, rreth temave si në ekonomi, politike, por edhe në drejtësi.Për Republikën e Kosovës raporti ishte mjaft i qartë dhe pasqyronte, stagnimet politike të Republikës së Kosovës, rreth politikes në përgjithësi por me theks të veqantë, si ngecje permanente, elementi i sundimit të ligjit, problem kyq që Kosova duhet ta zgjidhe para saj

Pra për Kosovën me të kumtuar raporti i progresit, e cila tradiconalisht publikohet gjatë fund vitit, tregonte se sa sfidai duhet kosoves ti kapercje, por edhe ti riparojë ato, në pikëmëri me problematikën që ka rrefketon raporti i progresit për Kosovën, në tema dhe fusha të ndryshme por me kryesorja ishte sundimi i rendit dhe ligjit, respektivisht puna e gjykatave rreth zgjidhjeve të lëndeve, por edhe ndikimet nga jashtë, dhe korrupcioni në këtë strukturë

Për të treguar se Kosova është ne kohezion me vendet, që janë në familjen europiane, dhe që synojnë të bëhen, ajo para se gjithash duhet te tregoje gatishmërine dhe vullnetin politik, që gjyqësori si elementi dhe bazë dhe temel i shtetit, të jetë i pavarur jashtë ndikimeve politike dhe aferave koruptive, që janë kapluar në gjyqesorin, dhe per pasojë Kosova si qdo vit tjetër edhe këtë vit, në këtë element nuk ka levizur perpara, drejt avancimeve dhe përmisimeve, në infrastrukturën gjyqësore

Raporti i Progresit për Kosoven, do të thotë shumë dhe kushtimisht ajo tregon se cilat detyra të shtepisë Kosova duhet ti përmbushe, dhe të tregoje kapacitet dhe vullnetin për të qenë e aftë në arenën Europiane, por kjo e ka edhe efektin e te ashtuquajturës, në formë monitorimi apo opozite për Kosoven e cila edhe pse, nga pamundesia e funksionalitetit te kuvendit për veprimtarin e saj ligjore, nga qarqet politike të pozitës dhe opozitës, ajo ka rolin e them edhe te ashtuquajturës së opozitës në këndveshtrimin europian

Kosova në këtë raport, eshte ballafaqur me realitetin e saj, se sa zhvillohet ajo se sa ngecje ka, por që edhe politka ka peshën dhe rolin e saj per situaten te arritur, deri ketu me bllokadat që janë bërë në mënyrë kontinuele, qysh qe nga grupi opozitar për të mos formuar qeverinë me partinë e PDK-së, e cila padyshim ka pasur reflekltimet shume negative, për shoqerinë dhe shtetin, për mos zgjidhje të situates për periudhen 6 mujore, dhe anes sociale të migimit të popullatës, shqipëtare Kosovare në vendet europiane nga jo prespektiva ekonomike, dhe politike në vend

Kjo për Kosovë tash në formën pak sa më të ndryshme, e ka të njejtin tematike të bllokadës politke, nga nje ngerq që është krijiuar nga forcat politike ne vend, dhe raporti i tyre pozite opozitë, rreth marëveshjeve të nënshkruara për asosacionin e komunava serbe,dhe demarkacionin e kufirit, që nga mos harmonizimi politik i pozitës dhe opozitës, ka ardhur deri te bllokimi i kuvendit, në funksionimin e saj si punë me vitale për shtetin, dhe bazën me supreme të shtetit pra kuvendit, dhe pasojen e përdorimit te forcave në kuvend dhe mos zgjidhja adekuate e saj, në formë demoktatike

Pra raporti i progresit ve theksin edhe te gjykata kushtetuese, si ogan suprem me mandat që ta intrepretojë kushtetutën, dhe kërkesave nga subjektet qe mund të ju përgjigjet, pra gjykata kushtetuese është poashtu problem për Kosovën, sepse raporti thekson në humbjen e kredibiltetit shoqëreror, dhe në besueshmërinë qytetare të këtij institucioni më të lartë

Pra Gjyqesori mban peng kosovën, në shume rrethana dhe situata që Kosova, ta përmisoje jetën institucionale dhe shoqerore të qytetareve, por edhe të përmisimit të hapava të saj, në avancimet europiane të kërkuara, që duhet të beje kosova për të qene e denjë, për të tu ngritur në shkallët e proceseve europiane, por edhe të marjes së liberalizmit të vizave, si trofe dhe arritje e sukseseve, që ka përmisuar kosova në raport me ngecjet, që janë paraqitur në raport të progresit

Vetëvendosje! reagon për lirimin e Nexhat Çoçajt

0

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Drejtorit të Arsimit Nexhat Çoçaj.

“Një veprim i tillë i hap rrugë rrezikimit, shantazhimit dhe frikësimit të dëshmitarëve kryesor në këtë proces”, thuhet në reagimin e VV-së.

“ Gjithashtu, vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e të akuzuarve nga paraburgimi e konsiderojmë si vendim të ndikuar drejtpërdrejtë nga qarqet e pushtetit, pasiqë të arrestuarit tashmë kanë kërcënuar qeverinë Muja se në rast të mos lirimit nga masat e sigurisë, do t’i publikojnë të gjitha aferat korruptive të qeverisjes lokale në Prizren”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren konsideron se institucionet e drejtësisë po shkelin mbi misionin e vetë duke u vënë në dispozicion të kërkesave antiligjore dhe agjendave politike të pushtetit”.

“ Mirëmbajtja e një pushteti kriminal duke ia lehtësuar betejat me drejtësinë është thellësisht kontradiktore me qëllimin e drejtësisë. Prandaj, për çdo kanosje, shantazhim, rrezikim të dëshmitareve apo zhdukje dhe dëmtim eventual të dëshmive, përgjegjësia do të rëndojë drejtpërdrejtë mbi kolegjin e gjyqtarëve që e morën këtë vendim”./PrizrenPress.com/

Ohajo, avioni përplaset me një shtëpi, 9 të vdekur

0

Një avion i vogël është përplasur kundër një shtëpie në Ohajo në SHBA. Sipas autoriteteve amerikane, bilanci i të vdekurve është nëntë persona: shtatë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit.

Sipas burimeve të para, avioni i vogël ka përfunduar kundër mbi tel elektrik pranë një banese dhe ka marrë menjëherë flakë pas kontaktit.

Në brendësi të banesës nuk ka pasur asnjë njeri në momentin e shpërthimit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes

Turqi, mbytet varka me emigrantë, mes të cilëve 7 fëmijë

0

Është 14 të vdekur, mes të cilëve 7 fëmijë, bilanci provizor i fundosjes së një varke me refugjatë në brigjet turke të Ayvacik, në detin Egje sipas asaj që referon agjencia e lajmeve “Anadolu”.

Sipas kësaj të fundit, roja bregdetare turke ka arritur të shpëtojë 27 persona.

Varka është përmbysur para se të arrinte në ishullin grek të Lesbos, ku ishte drejtuar. Mes personave që kanë shpëtuar, është edhe një grua shtatzënë. Gazeta turke “Hurriyet”, thotë që emigrantët e mbytur duhet të jenë sirianë ose irakianë.

Kim Mehmeti, në një rrëfim për letërsinë dhe Shqipëritë tona…

0

Kim Mehmeti, një nga personazhet më të njohura të letërsisë shqipe këto tri dekadat e fundit do të jetë sot në një diskutim të hapur përballë lexuesve, mbi romanin e tij të fundit “Shpërngulja e të vdekurve”, botuar nga “Saras”. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 13.00 në sallën ovale, në Pallatin e Kongreseve, ku sot hapet sipari i 18 i Panairit të Librit. I shkruar në një stil të veçantë, romani në të përfshin që në faqet e para, duke të bërë pjesë të historisë, e cila ngjason si një rrëfim autobiografik i shkrimtarit. Një rrëfim i cili papritur i ngjason historisë tënde ose historive që ke dëgjuar shpesh në diskutime familjare. Kjo, pasi subjekti i këtij romani, është i lidhur fort me identitetin tonë historik. Një nga zërat më aktivë për sa i përket çështjes shqiptare, sidomos në Maqedoni, Mehmeti ka bërë me këtë roman një “kushtetutë shpirtërore të shqiptarëve”.

Përmes rrëfimeve të gjyshes së tij imagjinare, që u ngjan aq shumë gjysheve të secilit prej nesh, portretizohet mendja femërore shqiptare, e cila gjithnjë ka qenë e aftë të ruajë kujtesën. Në një kohë kur arkivat nuk ekzistonin, dhe kur gjithë memoria historike dukej se kishte humbur bashkë me zhvillimet që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, femrat shqiptare ditën me mprehtësinë dhe aftësinë për të parashikuar të ardhmen, atë çfarë sot quhet historia jonë. Ky roman është kthimi i një borxhi të madh që ne i kemi gruas, përshkruar me tonet më të ndjera, dhe dashurinë më të madhe që një shkrimtar mund t’u japë personazheve të tij. Mehmeti e di që për të bërë letërsi të madhe nuk duhen subjekte të mëdha.

Mjafton të marrësh një histori nga mëhalla jote, ashtu siç e merr ai nga fshati i tij i lindjes. Personazhet orvaten të gjithë aty, dhe kanë qenë pjesë e rrugëtimit të jetës së shkrimtarit që në fëmijëri. Ai di çdo lëvizje dhe mendim të tyrin, dhe me kujdes ia ravijëzon në libër. Për vetë Mehmetin, ky është një roman i rëndësishëm. Një roman që siç e tregon nuk ka përfunduar me mbarimin e shkrimit, por ka mbetur gjatë në sirtarë për t’iu rikthyer sërish gjatë dy viteve. Një roman, që mbart brenda gjithë dashurinë e tij për vendin që duket nuk e ka gjetur ende rrugën drejt progresit.

I ndërpritet paraburgimi Nexhat Çoçajt

0

Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të të pandehurve N.Ç, R.E., E.SH., dhe F.K., duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 03 nëntor duke i ndërprerë paraburgimin Drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçajt.

Kolegji vendosi që të pandehurit Çoçaj t’i ndërpritet paraburgimi dhe e njëjta masë t’i zëvendësohet me atë të ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, deri me 02.12.2015.

Vendim i njëjtë u mor edhe për personat e tjerë, të cilëve u ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Të gjithë këta po dyshohen nga ana e prokurorisë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 dhe 2 nënpar.2.1 dhe 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, del se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit të lartcekur janë kryes të veprës penale për të cilën edhe dyshohen.

“Mirëpo nuk ekziston rreziku i ikjes, pasi që të pandehurit janë njerëz familjarë, kanë vendbanim të caktuar, jetë të rregullt të gjertanishme, janë shtetas të Republikës së Kosovës, ndërsa nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që do e bënte frikën “abstrakte” të prokurorit të bazuar për arratisjen e tyre”, thuhet në vendimin e ri të Gjykatës së Apelit të Kosovës

Po ashtu, Gjykata thotë se pretendimi se këto vepra penale kanë marrë hov në të gjitha poret e shoqërisë “nuk mund të jetë kusht për caktimin e paraburgimit”, ndërsa konstatimin e Gjykatës së shkallës së parë se kemi të bëjmë me recidivist të veprave penale, një vlerësim i tillë nuk është argumentuar dhe arsyetuar me prova bindëse.

“Megjithatë Gjykata e Apelit vlerëson së është i bazuar pretendimi i prokurorit të shtetit vetëm nga frika e bazuar se ata eventualisht mund të ndikojnë në të dëmtuar, dëshmitarë dhe bashkëpandehur dhe në këtë mënyrë mund të dëmtohet procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre”, përfundon njoftimi për media i Gjykatës së Apelit

Kërcënimi i Emilija Rexhepit, veprim kriminal

0

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe “Ec Ma Ndryshe” në Prizren, kanë dënuar denoncimin nga ana e kryetares së NDS-së, Emilija Rexhepi në lidhje me rrëmbimin dhe më pas lirimin e vajzës së saj.

“Kjo kanosje paraqet një ngjarje që ka ngjallë shqetësim serioz te organizatat e shoqërisë civile në Prizren”, thuhet në reagimin e përbashkët të këtyre dy organizatave joqeveritare në Prizren.

“Sipas deputetes Rexhepi rrëmbyesit me këtë akt i kanë kërkuar vajzës së saj që t’i përcjellë porosi të ëmës “që të ketë kujdes se çfarë po bënë”, duke e kërcënuar me pasojat që mund t’i bartë në rast të ndryshimit të bindjeve të saja politike”.
“E gjithë kjo ngjarje sipas saj ka ndodhur një ditë pas mosmarrëveshjeve që subjekti politik NDS, ka pasur me partnerin e koalicionit PDK-në në qeverisjen lokale në Prizren”.

“KDI dhe ‘Ec Ma Ndryshe” dënojnë ashpër veprimet kriminale të shprehura në formë të kërcënimeve dhe shantazheve për shkak të bindjeve politike. Politika dhe pushteti duhet të ndahen dhe të distancohen nga kjo formë e veprimit. Gjithashtu, shprehemi të shqetësuar me mungesën e reagimit shoqëror karshi këtij rasti të kanosjes dhe rrëmbimit të një vajze të pafajshme”.

“Ju bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që sa më parë të zbardhin këtë rast, dhe të shqiptojnë dënimin meritor. Veprimet e tilla kërcënuese dhe kriminale për arritje të qëllimeve politike nuk guxojnë të jenë pjesë e jetës tonë institucionale”.

Emilija Rexhepi, e cila është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, ka shprehur dyshimin se konflikti me PDK-në në Prizren është bërë shkas që persona të panjohur ta rrëmbejnë vajzën e saj për disa minuta.

“Vajzën time e kanë rrëmbyer dy persona dhe e kanë lëshuar mëpas në mënyrë që ajo të më përciellë porosinë se “nëna jote duhet të ketë kujdes se çfarë po bën”, ka thënë Rexhepi/PrizrenPress.com/