Home Blog Page 7007

FSK deminon një mjet të pashpërthyer në Dragash

0

Një goran ka raportuar në Polici se në fshatin Rapqë të Dragashit kishte vërejtur një mjetë të dyshuar të pashpërthyer.

Njësit policore ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit shpërthyes në mënyrë të kontrolluar.

Nuk raportohet për të lënduar. /PrizrenPress.com

Në Prizren arrestohet një person

0

Një person është arrestuar në fshatin Lubizhdë të Prizrenit.

Sic raporton Policia e Kosovës, i dyshuari kishte sulmuar një person duke i shkaktuar lëndime trupore.

Me vendim të Prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com

Kosova s’është e gatshme ta padisë Serbinë për gjenocid

0

Ekzistojnë shumë të dhëna që dëshmojnë për gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë, por përkundër kësaj dhe zotimeve se do të ngrihet një padi kundër Serbisë në organe ndërkombëtare të drejtësisë një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në shkurt të vitit të kaluar ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tani nga pozita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, kishte deklaruar se Kosova do të ngre padi ndaj Serbisë për pagimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në periudhën 1998-99. Ai pati deklaruar se Kosova do ta dërgojë këtë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por që nga ajo kohë nuk dihet se është bërë diçka në këtë drejtim.

KosovaLive ka pyetur në Ministrinë e Drejtësisë përse ende nuk është ngritur një padi kundër Serbisë në organe të drejtësisë ndërkombëtare për krime lufte dhe a është kjo ministri ajo që do të duhej të printe në këtë drejtim dhe të krijojë kushtet ligjore, nëse ato nuk ekzistojnë për një padi të këtillë. Mirëpo, përkundër premtimeve se do të merret përgjigje, ajo nuk u mor.

Përgjigje nuk ka kthyer as kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ndonëse ishte ai që vitin e kaluar kishte deklaruar se do të ngrihet padi.

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, thotë për KosovaLive se edhe pse më herët nuk ka pasur fakte të mjaftueshme për një gjë të tillë, Kosova tani ka prova konkrete ta padisë Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe me këtë nuk duhet të bëhet më propagandë.

“Tash kemi mbërri në një fazë kur ka prova konkrete të mjaftueshme në bazë të të cilave ka mundësi që të ngritet një padi kundër Serbisë te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid në Kosovë. Prova apo fakti i parë i pakontestueshëm është dëbimi i më shumë se 800 mijë apo 1 milion njerëzve brenda 1 muaji gjatë kohës së bombardimeve dhe në definicionin e gjenocidit hyn edhe përndjekja e një popullate pjesëtar të një grupi etnik në masë të madhe nga pushteti.

Elementi tjetër është që ka fakte të mjaftueshme që popullata shqiptare posaçërisht gjatë tre muajve të pranverës së vitit 1999 nga pushteti serb është sjellë në gjendje të vështirë në aspektin e kushteve jetësore e gati në pamundësi që të mbijetojë. Edhe kjo është element i gjenocidit. Së fundi kemi prova të mjaftueshme për vrasje të popullatës shqiptare me qëllim të shfarosjes e që është elementi i tretë që hyn në formulën e gjenocidit. Vetëm nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara pas luftës janë dhënë të dhëna se janë vrarë për mbi 13 mijë shqiptarë në Kosovë gjatë asaj fushate”, thekson ai.

Vllasi vlerëson se Kosova është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe për këtë nuk ka nevojë për krijimin e një baze ligjore të posaçme ku definohet e drejta jonë për të ngritur një padi të tillë.

“Thënë shkurt, ka elemente të mjaftueshme që padia të përgatitet. Kosova ka të drejtë t’i drejtohet një gjykate ndërkombëtare në aspektin e legjitimitetit aktiv të shtetit tonë e pastaj ajo i kthen një përgjigje një kërkese të tillë”, vlerëson Vllasi.

Edhe eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, deklaron për KosovaLive se fajin që nuk është ndërmarr deri tash një hap i tillë e ka politika dhe qeveritarët që asnjëherë nuk janë interesuar duke qenë tolerues ndaj Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

“Politika jonë e të gjitha qeverive edhe e kësaj të tanishmes dhe koalicionit në pushtet fatkeqësisht është konformiste dhe sillet në mënyrë oportuniste dhe inferiore që do të thotë nuk është e interesuar sa duhet për këtë punë për shkaqe të panjohura, por edhe për shkak të një qëndrimi më fleksibil dhe më tolerues ndaj Serbisë dhe Bashkimit Evropian kinse në funksion për të bërë procesin pajtimit, e në fakt e lënë pa e denoncuar një gjenocid të tërë. Krimi i gjenocidit ka ndodhë si krimi më masiv dhe më makabër që mund t’i ndodhë një vendi me qëllim të zhbërjes, zhdukjes dhe shfarosjes së një populli.

Qeveritë tona nuk janë sa duhet të përgjegjshme sepse është dashur të parashtrojnë padi penale në Hagë për gjenocidin e kryer dhe është dashur ta paraqesin edhe në Strasburg për pasurinë që është shkatërruar në institucione. Kjo është mungesë e përkushtimit dhe e përgjegjësisë së qeverive tona që nga e para deri më tash”, thekson Baraliu.

Ai shton se Ministrisë së Drejtësisë i takon përgjegjësia, gjegjësisht iniciativa për të ndërmarrë hapin e parë, por edhe qeverisë sepse pa një vendim qeveritar i cili duhet të votohet nuk mund të merret vendimi i plotfuqishëm.

“Padinë mund ta bëjnë edhe qytetarët, mund ta bëjnë individ por gjithsesi kur e bënë qeveria për gjenocid është peshë tjetër. Siç e ka bërë qeveria e Bosnjës ndaj Serbisë, padinë, është dashur patjetër që ta bëjnë edhe institucionet qeveritare të Kosovës. Prandaj është më tepër përgjegjësi dhe kompetencë e qeverisë e cila si organ ekzekutiv i një vendi do të duhej ta merrte një vendim të tillë sa më parë aq më tepër, dihet se ish-kryeministri Hashim Thaçi në dy mandate ka premtuar se do të ngritët padi”, deklaron Baraliu.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, nënvizon se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë janë evidente pasi që ka pasur shumë masakrime, vrasje, zhdukje dhe të gjitha këto janë të pamohueshme e këto të dhëna ka për qëllim t’i mbledhë, t’i sistemoj dhe t’i botojë Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Ai pohon për KosovaLive se sa i përket padisë ndaj Serbisë kjo do të merrte konotacion politik andaj një gjë e tillë nuk është e mundur në situatën aktuale pasi siç thotë do të ndikonte në ndërprerjen e bisedimeve me palën serbe dhe bllokimin e këtij procesi.

“Në momentin në të cilin gjendemi ne, nuk është koha e duhur të ndodhë një gjë e tillë, sepse do të mund të ndikonte në bllokimin e procesit të bisedimeve të organizuara nga BE dhe komuniteti ndërkombëtar.

Serbia nuk mund të paditet si shtet,sepse sipas të drejtës ndërkombëtare përgjegjësia është individuale dhe tash edhe në të ardhmen kjo duhet të bëhet në mënyrë individuale pra një, dy ose tre persona me emër e mbiemër mund të paditen por Serbia nuk mund të paditet si shtet, sepse kanë ndryshuar gjërat në konventat ndërkombëtare ku nuk ka më përgjegjësi kolektive por individuale. Kurse për kompensimin e dëmeve dhe shkatërrimeve që janë shkaktuar gjatë luftës mund të paditet shteti, por kjo është çështje materiale, pasurore, civile, etj. Pra në aspektin penal nuk mund të paditet si shtet për shkak se nuk e lejon e drejta ndërkombëtare dhe statusi i kësaj gjykate penale që është themeluar”, thotë Salihu. /KosovaLive

Është dashur t’i lexoni z. Hahn!

0

Nga Bilall Sherifi

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha dje se: ” Nuk i ka kushtuar vëmendje banerëve të ngjitur përballë tij nga deputetët e partive opozitare”.

Nuk e di nëse Komisioneri Johanes Hahn i ka lexuar apo jo dy fjalitë e shkruara në banerat e opozitës, këtë më së miri e din ai vet, unë nuk kam ndonjë arsye të mos i besoj.

Mirëpo, gjithsesi kam arsye të shpreh habinë dhe mospajtimin tim që komisioneri Hahn si një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian të mos merr mundin fare, madje as t’i lexojë ato dy fjali, të cilat në esencë shprehin qëndrimin e opozitës për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Të mos marrësh mundin as t’i lexosh dy fjali, do të thotë të mos jeshë i interesuar fare për argumentet e opozitës, e cila gjithashtu përfaqëson qëndrimin e një pjese dërmuese të qytetarëve të këtij vendi. Ai ka mundur dhe është dashur që nga rreth 20 minuta sa zgjati fjala e tij në seancë, së paku 20 sekonda t’ia kushtojë leximit të atyre dy fjalive të opozitës. Fundja, leximi i tyre është vlerë evropiane dhe jo mosleximi.

Sikur komisioneri Hahn të kishte thënë se i ka lexuar por nuk pajtohet me qëndrimet e opozitës edhe do ta kisha kuptuar, sepse siç tha edhe vet ai sot në seancën solemne, kështu funksionon demokracia, “Secili që është pjesë e këtij Kuvendi përfaqëson dikë”. Duke u nisur nga ky parim të cilin ai personalisht e nënvizoi, në mos për hirë të opozitës, atëherë së paku për hirë të atyre që ata përfaqësojnë, ai është dashur të merr mundin që t’i lexojë ato dy fjali.

Opozita në seancën e djeshme përdori mjetet më demokratike të mundshme për të shprehur qëndrimin e saj për këto marrëveshje, përdori pikërisht ato mjete, të cilat ka kohë që, të gjithë, ndër ta edhe komisioneri Hahn dhe komisionerët tjerë, kanë kërkuar dhe po kërkojnë nga ajo t’i përdorë. Por, kur ajo përdori pikërisht ato mjete, cila ishte vëmendja që morrën kërkesat e saj? Cila ishte përgjigja që ajo morri? “Thuani dhe shkruani çka të doni, por meqë qëndrimet e juaja nuk na pëlqejnë ne nuk marrim mundin madje as t’i lexojmë dy fjali tuajat”

Qasja e tillë përcjellë vetëm një mesazh, fatkeqësisht jo të mirë, se vetëm fjalët apo shkronjat nuk mjaftojnë t’a bëni tjetrin që së paku t’ju dëgjojë apo lexojë argumentet tua. Një qasje e tillë ndaj argumenteve të opozitës, përdorimit të vezëve dhe gazit lotësjellës, për të pa mundësuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, i japin kuptim dhe legjitimitet edhe më të madh.

Nëse dikush ende mendon se, për të ndalur zbatimin e këtyre marrëveshjeve të dëmshme, janë të mjaftueshme vetëm fjalët dhe shkronjat (pa vezë dhe gaz lotësjellës) dje nga komisioneri Hahn, fatëkeqësisht morrën përgjigje zhgënjyese. Duke mos marrë mundin as t’i lexojë ato dy fjali, ai me apo apa dashje, përcolli mesazhin se, vetëm fjalët apo shkronjat nuk mjaftojnë sepse ato mund të kalohen duke mos u lexuar fare. Prandaj, sado jo popullor që mund të jetë përdorimi i tyre, fatkeqësisht mbetet i pashmangshëm.

(Autori është sekretar i NISMA për Kosovën)

Rrëfimi i vrasësit: Kushtet ekonomike më shtyn ta vras gruan

0

Agron Llapushi, rrezikon burgimin e përjetshëm për vrasjen e gruas së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në prill 2015, në fshatin Çekin të Gramshit, pas një zënke mes dy bashkëshortëve.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri është dorëzuar pak kohë pas vrasjes dhe ka pranuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij, pas një konflikti të nisur ndërmjet tyre, gjatë kohës që ishin duke punuar në arë.

Babai i dy fëmijëve, ishte kthyer nga emigrimi katër ditë përpara se të kryente krimin dhe këmbëngul se gjithçka ndodhi për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Ai ka pretenduar gjithashtu se nuk ka qenë mirë mendërisht, por ekspertët psikiatër kanë dalë në përfundimin se Agron Llapushi, në momentin e krimit nuk vuante nga ndonjë turbullim psikik apo neuropsikik.

Ekspertiza psikiatrike

Për të provuar se Agron Llapushi ishte mirë mendërisht në momentin kur mbyti gruan me duar dhe më pas i shtrëngoi litarin në qafë, prokuroria urdhëroi që ti kryhej një ekspertizë psikiatrike. Konkretisht, akti i ekspertimit psikiatriko-ligjor nr.194 datë 16.06.2015 mbi ekzaminimin e shtetasit Agron Llapushi.

Mjekët psikiatër i janë përgjigjur pyetjeve nëse i pandehuri vuan nga ndonjë turbullim psikik apo neuropsikik në kohën e kryerjes së veprës penale dhe nëse ai vuan, a ka ndikuar kjo në prishjen e ekuilibrit të tij mendor duke e bërë atë të papërgjegjshëm para ligjit? Ato kanë arritur në konkluzionin se ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje (turbullim) psikike a neuropsike. Simptomat për të cilat ai pretendon se është kuruar nuk plotësojnë kriteret diagnostike për sëmundje madhore mendore.

Dëshmia e kunatës

Prova kryesore ku është bazuar prokuroria për të vërtetuar akuzën ndaj të pandehurit janë kryesisht dëshmitë e personave të afërt të tij dhe të viktimës. A.K, kunata e viktimës ka shpjeguar ndër të tjera se: “Më datë 01.04.2015 rreth orës 12 :30 isha në shtëpinë time kur e ka marrë në telefon nusja e vëllait të saj A, Llapushi, e cila i ka thënë se Agroni është zënë me nusen A., tek ara, dhe më thotë që Agroni është në shtëpi ndërsa nusja e tij nuk ka ardhur dhe nuk e di se ku është. Menjëherë kam shkuar tek shtëpia e prindërve të mi të cilët i kam shumë afër dhe atje kam parë vëllain tim, Agronin i cili ishte tek dhoma e tij dhe nga fytyra ishte i gjakosur. Pasi e kam pyetur Agronin se çfarë kishte, ai më thotë ” ..çfarë kam bërë… ” . Pas kësaj ka dalë nga dritarja e dhomës së tij pa i thënë asgjë. Në këtë moment dy vëllezërit e tjerë të quajtur Alfred dhe Ndriçim Llapushi morën rrugën në drejtim të tokës ku vëllai Agroni ishte zënë me nusen e tij A. Mbas gjysmë ore më ka marrë në telefon Alfredi dhe më thotë që A., ka vdekur. Nuk kam asnjë lloj dijenie se përse vëllai im e ka vrarë gruan e tij …nuk di gjë nëse Agroni kishte konflikt me Alketën…”.

Babai i viktimës

Ismail Xhaferri babai i viktimës A., ka shpjeguar gjithashtu gjithçka dinte lidhur me debatet që e bija kishte me të shoqin. “Kam qenë në shtëpinë time duke ngrëne bukë dhe rreth orës 12 :30 mua më ka marrë në telefon djali im Bujari dhe më ka thënë se a erdhi A., në shtëpi se në telefon e ka marrë Anila, gruaja e Çimit vëllai të vogël të Agronit dhe i ka thënë se “Goni ka ardhur i gjakosur tek shtëpia pasi ishte zënë me A”. I kam thënë Bujarit se nuk ka ardhur dhe jam nisur për tek ara e Agronit e cila është rreth një orë në këmbë dhe kur mbërrita aty kam gjetur pothuajse të gjithë familjen e Agronit dhe kam parë Alketën të shtrirë për tokë dhe në kurriz shkova ta prek, por Leonora gruaja e Alfredit me tha se mos shko se ka vdekur. I kam pyetur se çfarë ka ndodhur me A., dhe Alfredin më tha se di, “këtë gjë e ka bërë Agroni dhe çfarë na bëri”. A., me Agronin kanë pasur marrëdhënie të mira, por A., i ka thënë se gjatë kësaj kohe që Agroni ishte në Greqi kishte pasur probleme depresive dhe merrte ilaçe.. “.

Rrëfimi i të pandehurit

Vetë i pandehuri, përcjell gazeta Shqiptare ka pranuar krimin dhe ka theksuar se krimi erdhi si pasojë e debateve për gjendjen e vështirë ekonomike.

“Jam martuar me A. Llapushin që nga viti 2001 dhe kemi dy fëmijë të moshës 10 dhe 9 vjeç. Në lidhje me ngjarjen dua të deklaroj se kam vite që punoj si emigrant në Greqi në qytetin e Verias. Para një viti unë kam pasur çrregullime mendore dhe kam kaluar në depresion, ku në disa raste me ka vajtur mendja të vrisja veten. Po kështu para një viti kam bërë një vizitë tek një psikolog në Elbasan me emrin Enrik. Unë kam 4 ditë që kam ardhur nga Greqia dhe në fshatin ku unë banoj në Çekin jam në kushte të vështira ekonomike, ku unë jetoj bashkë me nusen time dhe dy fëmijët në një dhomë të vetme. Sot unë kam shkuar në mëngjes për të punuar në një tokë larg shtëpisë në vendin e quajtur “Mhalla e Lepurit ” dhe atje në punë e sipër jam konfliktuar me A., dhe gjatë konfliktit unë e kam shtrënguar me duar në fyt derisa ajo ka humbur ndjenjat. Pas kësaj kam shkuar në shtëpi dhe kam lajmëruar me telefon vëllain tim Alfredin dhe me pas kam shkuar dhe jam dorëzuar në polici. Marrëdhëniet në përgjithësi me A., i kam pasur të mira nuk kemi pasur probleme. Sot as vetë nuk e di si ndodhi… “. /Gazeta Shqiptare

Ëndrrat e Coldplay

0

Coldplay ka zbuluar se më 4 dhjetor të këtij viti do të vijnë me albumin e tyre më të ri, të shtatin me radhë, të cilin e kanë quajtur “A Head Full of Dreams”, ndërsa kanë publikuar edhe singlin e parë të tij.

Bendi më herët kishte lënë të kuptohej se ky material mund të jetë i fundit prej tyre, me frontmenin Chris Martin që kishte e deklaruar atë si “përfundimi i diçkaje”.

Martin e ka përshkruar albumin si me “shumë ngjyra” dhe “disi të gëzueshëm”.

“Është zëri ynë i të qenit të lirë dhe të lumtur”, ka thënë ai.

I incizuar në Los Angeles, Malibu dhe Londër, “A Head Full of Dreams” do të ketë edhe mysafirë si Beyonce, Noel Gallagher dhe Tove Lo.

Martin ka pohuar se qëllimi i tyre ishte që albumi të kryhej para fundit të këtij viti dhe tashmë djemtë ia kanë dalë.

Lista e këngëve të “A Head Full of Dreams”:

01 A Head Full Of Dreams
02 Birds
03 Hymn For The Weekend
04 Everglow
05 Adventure Of A Lifetime
06 Fun
07 Kaleidoscope
08 Army Of One
09 Amazing Day
10 Colour Spectrum
11 Up&Up
Më poshtë, kënga e parë e publikuar – “Adventure Of A Lifetime”. /Politiko.net

Opozita do ta bllokojë miratimin e buxhetit

0

Pa anulimin e marrëveshjeve, nuk ka normalitet në Kuvend.

Fronti opozitar mbetet i vendosur në bllokadën fizike të jetës parlamentare, derisa të plotësohen kërkesat e parashtruara prej tyre. VV-ja akuzon edhe presidenten Jahjaga se është bërë vegël e liderëve të partive në koalicionin qeverisës.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! dhe shefi i Grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për Kosova Sot, thotë se edhe seanca për Ligjin e buxhetit do të ketë fatin e njëjtë me të tjerat.

Çka po ndodh me peticionin?

Glauk Konjufca: Peticioni ka përfunduar, numri i nënshkruesve është më shumë se 200 mijë, dhe kjo duhet ta detyrojë Qeverinë që të reflektojë për vendimet e dëmshme që i ka marrë në kurriz të shtetit të Kosovës dhe të Republikës sonë. Janë mbi 200 mijë qytetarë që janë shprehur se “Zajednica” është e dëmshme dhe mijëra hektarë që i janë ofruar Malit të Zi është një vendim i gabueshëm dhe duhet të korrigjohet. I vetmi korrigjim i mundshëm në suazat aktuale është tërheqja e Qeverisë prej nënshkrimit të dy marrëveshjeve që i ka bërë në të dyja rastet. Peticioni është dorëzuar në Kuvend dhe tani po u dorëzohet edhe institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

A do të shqyrtohet, diskutohet e debatohet në Kuvend?

Glauk Konjufca: Nuk mund të diskutohet fillimisht në Kuvend derisa nuk reflekton Qeveria, pa dhënë ndonjë shenjë se është e gatshme të tërhiqet nga marrëveshjet, nga ajo për “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi. Deri më tash ata jo vetëm që nuk po tërhiqen nga marrëveshjet, por, përkundrazi, me kokëfortësi po i mbrojnë ato. /Kosova Sot

Thaçi e Mustafa të japin llogari për marrëveshjet antikombëtare

0

Tani kur shteti i Kosovës është futur në një krizë serioze politike dhe po rrëshqet rrezikshëm drejt destabilizimit, për shkak të pazareve të mëdha politike, që u bënë në negociata me Serbinë për tre vjet rresht, të filluara nga ish-kryeministri Thaçi dhe të finalizuara nga Isa Mustafa, Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 po shihet nga analistët politikë si një veprim i gabuar, që po prodhon tensione në vend.

Produkti më i dëmshëm i saj është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa nënçmuar edhe marrëveshjet e tjera, që kryesisht janë kompromise në dëm të Kosovës, shkruan Kosova Sot.

Përfaqësues të subjekteve në opozitë dhe analistë politikë theksojnë se tani janë qytetarët e këtij shteti, është populli që duhet të kërkojë përgjegjësi konkrete nga Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa, që gjatë tërë procesit të dialogimit nuk e kushtëzuan fare asnjë marrëveshje me Beogradin.

Sipas analistëve, dyshja Thaçi- Mustafa po i mundëson Serbisë të hyjë në BE, pa i kompensuar dëmet qindra milionëshe të luftës, as pa u zbardhur fati i të zhdukurve, përderisa edhe qytetarët e vendit tonë po mbahen si robër në Evropë edhe nëse e marrin liberalizimin e vizave, që po u premtohet nga mandati në mandat e vit pas viti. /Kosova Sot

Berry: Kosova duhet t’i pranojë homoseksualët

0

Pak ditë në kryeqytet i kanë mjaftuar për të parë potencial në liderët dhe shoqërinë civile.

Ka fjalë të mira, por e pranon se ngecjet duhet kaluar dhe se komuniteti gej, lezbik, transgjinor e biseksual duhet pranuar nga popullata në Kosovë. Randy Berry është i pari i dërguar special i vetë Departamentit të Shtetit Amerikan për çështjet e komunitetit LGBT, dhe për pak ditë qëndroi në Kosovë në një vizitë frytdhënëse. Berry ka nisur këtë punë në vitin 2013 dhe që atëherë është angazhuar për kauzën e tillë.

Në Kosovë, së fundmi në një studim nga kompania franceze IPSOS ka dalë që 97 % e kosovarëve nuk do ta pranonin fëmijën e tyre si homoseksual. Berry ka një diskurs tjetër, më relaksues. Ai thotë se Kosovës do t’i duhet ndryshimi drejt komunitetit LGBT edhe për integrimin e tij në Evropë. Ai është vetë prind, dhe ka një mesazh të qartë për prindërit e atyre që i përkasin komunitetit LGBT në Kosovë. Në këtë intervistë, Berry ka ndarë disa minuta për gazetën “Zëri”, duke na treguar më shumë për angazhimin e tij dhe ndryshimet që duhet të pësojë shoqëria kosovare karshi komunitetit LGBT.

“Mendoj se kam tepër fat që kam ardhur këtu në një kohë interesante sa i përket qasjes së Kosovës ndaj këtyre çështjeve. Është hera e parë që vi këtu dhe natyrisht që nuk mund të flas me autoritet të madh, por kam pasur qasje të jashtëzakonshme dhe mundësi që të bisedoj me udhëheqësit e lartë, me përfaqësuesit e shoqërisë civile, si dhe me të rinjtë për çështjet me të cilat përballet Kosova tash”. /Zëri

Vinca: Referendumi, zgjidhja më e mirë

0

Profesori, shkrimtari, publicisti dhe intelektuali Agim Vinca, në një intervistë për “Epokën e re”, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Vinca ka thënë se Kosova e kaloi me sukses fazën e parë të pranimit në UNESCO, duke marrë pëlqimin e Bordit Ekzekutiv, edhe pse me rezultat të ngushtë, por ka shprehur frikën e tij se nuk do të ndodhë kështu edhe në fazën e dytë dhe vendimtare, në Asamblenë e Përgjithshme.

“Qeveria e Beogradit ka ndërmarrë një ofensivë diplomatike agresive për ta penguar këtë akt, kurse Prishtina zyrtare kënaqet me disa gjeste e fraza të përgjithshme. Ashtu sikurse për njohjet, edhe për pranimin në UNESCO, më shumë lobon Serbia ‘kundër’ sesa Kosova ‘pro’”, ka thënë Vinca.

Profesor Vinca ka folur edhe për Marrëveshjen e 25 gushtit për krijimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se ky asociacion i ofron komunitetit serb të drejta dhe kompetenca, që i tejkalojnë dukshëm kufijtë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe, madje, edhe dokumentin për statusin e Kosovës, të njohur si “pakoja e Ahtisarit”.

“Shkurt, Marrëveshja e 25 gushtit është tejet e dëmshme për Kosovën. Nuk duhet shumë mend për ta parë se ajo e minon shtetësinë e Kosovës dhe e rrezikon ardhmërinë e saj”, është shprehur Vinca.

Ai ka shtuar se nga bisedimet e Brukselit Serbia pati dy përfitime të mëdha.

“Po i afrohet BE-së, në njërën anë, kurse në anën tjetër po i fut thellë tentakulat e saj në Kosovë nëpërmjet të ashtuquajturës ‘Zajednicë’, kurse ne vetëm një MSA. As liberalizim të vizave ende jo”, ka deklaruar Vinca.

Duke folur rreth idesë së referendumit për asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, ai ka thënë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Referendumi do të ishte zgjidhja më e mirë. Në vende të ndryshme të botës organizohen referendume për çështje shumë më minore se ç’është kjo e Asociacionit, si dhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, ka thënë profesor Vinca.

Pavarësisht qëndrimeve të fundit të pozitës dhe të opozitës, Vinca ka thënë se nuk ka rrezik për luftë qytetare në Kosovë.

“Nuk e ha populli i Kosovës atë karrem!”, është shprehur ai.

Vinca ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës dhe Universiteti duhet të zhbllokohen.

“Zgjidhjen duhet ta gjejnë ata që janë në krye të institucioneve. Duhet të fillojë dialogu politik mes palëve të konfrontuara: pozitë-opozitë dhe iniciativën për këtë duhet ta marrin ata që e kanë pushtetin e jo të sillen me arrogancë siç po sillen, duke përdorur herë-herë një fjalor që s’u ka hije as njerëzve të rrugës se jo njerëzve me përgjegjësi të larta shtetërore dhe me tituj të lartë akademikë. Demokracia është dialog, thotë shkrimtari i njohur meksikan, nobelisti Oktavio Paz”, ka thënë Vinca.

Ai ia ka përcjellë një mesazh klasës politike.

“Një gjë duhet pasur parasysh. Ndërkombëtarët vijnë e shkojnë në këtë vend, ne mbetemi. Patëm shumë shpresë te EULEX-i se do ta luftonte plagën e madhe të Kosovës, korrupsionin, por u zhgënjyem. Preokupim kryesor i tij ishte burgosja e ish-luftëtarëve të UÇK-së, për ‘krime lufte’ e jo kapja e peshqve të mëdhenj që e kanë ‘kapur shtetin’. Me miqtë tanë ndërkombëtarë duhet të ndërtojmë partneritet të vërtetë e jo prapa tyre ta fshehim papërgjegjësinë, mosdijen dhe keqpërdorimet tona”, ka deklaruar Vinca.

Vinca në këtë intervistë ka folur edhe për problemet më emergjente me të cilat ballafaqohet Universiteti i Prishtinës. Sipas tij, në radhë të parë është problemi i mungesës së kritereve në procesin mësimor dhe në vlerësimin e dijes, si dhe shumë të tjera.

“Unë po ndalem me këtë rast te një problem konkret, që më duket jo vetëm akut, por edhe absurd: mungesa e studimeve të doktoratës. Shkarkimi i rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahut, nga ana e Këshillit Drejtues, sidomos vendimi i rrufeshëm i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajramit, për shfuqizimin e atij vendimi dhe shkarkimin e kryetares së KD-së, zonjës Shefkije Islamaj, është një komedi e llojit të vet”, ka thënë Vinca.

Vinca ka folur edhe për angazhimin e tij aktual.

“Unë jam profesor i pensionuar. Pa orë. Jo orë dore, po orë mësimore, lëndë. Organet kompetente të Fakultetit, ku kam punuar dyzet e saj vjet, nuk e kanë parë të udhës të më angazhojnë këtë vit akademik në asnjërin nivel të studimeve, edhe pse jam nën moshën 70 vjeç. Disa janë angazhuar, disa jo. Me çfarë kriteri nuk e di, por të vlerës me siguri jo. Jam, pra, në një fazë ‘tranzicioni’, në kërkim të pozitës sime të re në shoqëri”, tha ai. /Epoka e Re