Home Blog Page 7091

Ernest Luma largohet nga AAK

0

Ernest Luma anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në kryesinë e kësaj partie.

Për këtë largim ai e ka njoftuar kryetarin Ramush Haradinaj me një letër të cilën Luma e ka bërë publike edhe në profilin e tij në Facebok.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Haradinaj u ka uruar suksese në vazhdimin qëllimeve politike kolegëve të tij të partisë.

Ernest Luma largohet nga AAK

Ky vendim i Ernest Lumës ka ardhur pasi ai para disa ditësh kishte publikuar një status në profilin e tij në Facebook, duke u thënë hanxhinjve që nisen për pelegrinazh në Mekë, “Shkofshi e mos u kthefshi”.

AAK sot përmes një komunikate u distancua nga deklarata e partiakut të tyre, duke shprehur keqardhje për dëmin e shkaktuar nga zyrtari i tyre i partisë.

Kurse Luma ka thënë se urimi i tij për pelegrinët nuk ishte tendencioz dhe se ishte një keqkuptim, por pavarësisht kësaj ai për hir të opinionit publik dhe përgjegjësisë që ka ndaj AAK-së ka vendosur të largohet nga partia.

“Urimi im për pelegrinët e Haxhit nuk kishte asnjë qëllim të keq”.“Rrjedhat tjera, sot, ishin rezultat i keqinterpretimeve dhe keqkuptimeve që jo rrallë ndodhin në mediat tona (portaleve dhe rrjeteve sociale). Partia ime, Aleanca, si subjekt politik, sigurisht se me të drejtë është distancuar nga, siç është thënë, gjuha ime sarkastike, e përdorur në këtë rast.

Kjo nuk do të thotë aspak se Aleanca nuk është demokratike. Aleanca, në strukturat drejtuese të së cilës i kam investuar 13 vjet, ka demokraci të brendshme, te ndërtuar me vite.

“Megjithatë, për hir të opinionit publik dhe përgjegjësisë që ndjej ndaj subjektit politik që i takoj, kolegëve dhe kryetarit, unë kam paraqitur dorëheqjen nga Kryesia dhe Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”.

“Por, në të njëjtën kohë, nuk tërheq asgjë nga urimi im për haxhinjtë e sivjetmë. Qëllimi ka qenë i mirë dhe sllogani është ai që ka qenë gjithmonë lajtmotiv qendror i përcjelljes për në Haxh”.

“Në fund, për demokracinë në vendin tonë është shumë e domosdoshme dhe imediate që një herë e përgjithmonë ta bëjmë dallimin qenësor midis elektoratit dhe xhematit. Unë i respektoj si gjithmonë, edhe njërin, e edhe tjetrin, por secili duhet të jetë në vendin e tij”.

Nis peticioni kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit

0

Tre liderët e partive opozitare kanë nënshkruar peticionin në kundërshtim të marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionin kufitar me Malin e Zi.

Krerët e VV-së, AAK-së dhe Nismës thanë se duhet të ndalet bankrotimi i shtetit, të cilin ia bëjnë marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për demarkacionin kufitar me Malin e Zi.

Peticioni do të vazhdoi disa ditë dhe do të organizohet në tërë Kosovën. Ndërsa edhe qytetarët kanë filluar të nënshkruajnë këtë peticion.

Alarmante: Për 18 ditë, 14 të vdekur në komunikacion

0

Në Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë u tha se gjendja e sigurisë në komunikacionin rrugor vend është shqetësuese dhe është përkeqësuar dukshëm gjatë muajve të verës duke rezultuar kështu edhe me humbjen e jetëve të njerëzve.

Drejtori i policisë së Komunikacionit në Policinë e Kosovës, Sheremet Ahmeti tha se nuk mund të jemi të kënaqur me sigurinë në komunikacionin rrugor, ndonëse në periudhën janar-gusht ka pasur më pak të vdekur se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mirëpo të gjitha statistikat tjera, ku përfshihen lëndimet, dëmet materiale flasin për ngritjen e numrit gjatë këtij viti.

Ahmeti tha se shtatori është muaji më i rëndë i këtij viti, pasi që vetëm brenda këtyre ditëve kanë qenë 14 persona të vdekur, derisa vitin e kaluar, gjatë gjithë shtatorit ishin 10 persona të vdekur.

Ndërsa, Muhamet Krasniqi nga Kolegji “Tempulli”, paraqiti vërejtjet e tij lidhur me projektligjin për shoferët , pasi që nuk kanë qenë të përfshirë ekspertë të kësaj fushe nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, si sponzorizues së këtij projektligji.

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës nuk patën përgjigje për këtë çështje por thanë se lajm i mirë është që strategjia për sigurinë në rrugë, tanimë ka kaluar në Qeveri.

Marko Caka: Kosova edhe sot përfaqësohet nga artisti i madh Bekim Fehmiu

0

Ai po qëndron në Kosovë me rastin e hapjes së edicionit të dytë të Bridge Film Fest, ku Marko Caka është i ftuar nderi. Në një intervistë për KultPlus, pikërisht nga Mitrovica, Caka ka folur për ngjitjen drejt kinematografisë botërore, sikurse ka folur edhe për një bashkëpunim të mundshëm me regjisorët shqiptarë. Krejt në fund ai ka folur edhe për vuajtjet e popullit të Kosovës, sipas të cilit, Kosova ka dëshmuar se është shpirti i paqes.

KultPlus: Përshtypja e parë për ju Marko, pas aterrimit në Shqipëri nga Hollivudi dhe takimit me nënën tënde?

Marko Caka: Përshtypja ime është vizita e parë pas një karriere goxha te kënaqshme në këtë industri të bukur të Hollivudit , të industrisë amerikane në përgjithësi. Ishte takimi im i pari me mamanë time, me të cilën kishte kohë që pa u parë, një vit e gjysmë dhe u ndjeva shumë mirë. Edhe ajo po përjeton gjëra të bukura që po përjetojë unë sot, por ajo u ndje edhe më mirë, sepse isha i ftuar në Kosovë edhe ishte shumë e mallëngjyer për mikpritjen që do të më krijonte Kosova, Mitrovica, gjithë stafi, ju si media që dhe me të vërtetë është një ditë e paharruar për mua.

KultPlus: Pas Shqipërisë, radhën e kishte Kosova, më përkatësisht Mitrovica, si tu duk në shikim të parë?

Marko Caka: Me të vërtetë në Kosovë kam ardhur një vit përpara, por si aktor është vizita e parë, po ashtu edhe vizita ime e parë në Mitrovicë. Me të vërtetë unë gjithmonë mallëngjehem, emocionohem për Kosovën, sepse Kosova është vendi i të parëve të mi, këtu janë rrënjët e mia të fisit tim.

KultPlus: Si vendose të jesh mysafir special në edicionin e dytë të “Bridge Film Fest”?

Marko Caka: As nuk kam bërë dy herë ta mendojë, sado që jam brenda projekteve të mëdha si aktor me rolet suportuese të vogla , nuk e kam menduar dy herë, sepse më është sugjeruar nga një vajzë të cilën e respektoj shumë, e vlerësoj shumë , më është bërë ftesë nga një përfaqësuese e grave, te cilat marrin iniciativa të mëdha për të ndërtuar një festival kaq të madh në një vend kaq delikat siç është Mitrovica, dhe që besoj se ka arritur gjënë më të bukur që mund të ekzistoj sot për qytetin e Mitrovicës, që të jap atë mesazhin e paqes dhe kjo është ajo që mua më ka nxitur shumë që në momentin e parë që unë kam marrë një mesazh nga Neri. Dhe unë e vlerësoj shumë dhe është një gëzim i madh që unë gjendem sot para saj, para këtyre artdashësve të Mitrovicës dhe Kosovës në përgjithësi.

KultPlus: A keni pasur ndonjë ftesë tjetër të ndonjë festivali në Kosovë të jeni mysafir nderi apo kjo është hera e parë?

Marko Caka: Të jem i sinqertë karriera ime është e vogël si distancë, dhe nuk vijë pas një karriere shumë të madhe ku njerëzit kishin mundur të më njohin më shumë, dhe kjo mund të jetë një arsye, sepse nuk janë të gjithë në kontakt me mua, por fatmirësisht kemi një rrjet social i cili në disa mënyra me disa njerëz mund të jesh më afër, pra virtualisht, por jo me të gjithë. Unë nuk kam pasur ndonjë ftesë por edhe nëse do të kisha do ta përqafoja me të vërtetë, edhe pse jam shumë i ngarkuar me agjendat e mija, me punën e stërlodhshme, të them realisht, por jam shumë i hapur dhe jam shumë përkrahës i gjithë organizatorëve që donë të bëjnë festivale, sepse festivalet janë shembulli më i mirë për të suportuar filmin, dhe talentet e rinj.

KultPlus: Nëse do të kishe ndonjë ftesë të ndonjë regjisori kosovar ose shqiptar do të vije të luaje?

Marko Caka: Absolutisht që po, unë jam drejt asaj që ti japim një mundësi të gjithë aktorëve, regjisorëve dhe artistëve të rinj në përgjithësi. Kemi shumë talent të cilët fatkeqësisht nga ana gjeografike nuk e kanë mundësinë që të ndjekin një karrierë ndërkombëtare, unë jam shumë i interesuar që të bëjmë një urë lidhëse, që të nxjerrim një produkt që ta shfaqë kombin shqiptarë përtej Atlantikut.

KultPlus: Nuk e di sa ke qenë aktiv ta ndiqni kinematografinë kosovare, por aq sa keni mundur të shihni a mendoni se po përçohet zëri i kosovarëve nëpër Botë?

Marko Caka: Patjetër që po, mos të harrojmë se Kosova përfaqësohet edhe sot nga një artist i madh sado që i ndjeri është në jetën tjetër. Ai ka mbetur dhe do mbetet gjithmonë në mendjen e shqiptarëve si përfaqësuesi me i denjë, Bekim Fehmiu. Jam plotësisht i bindur që kinematografia kosovare ka vlerat e veta, artistë të mëdhenj, regjisorë të mëdhenj të cilët përkundër vështirësive të cilat kryesisht janë ekonomike, ata prapë se prapë arrijnë të krijojnë, e kjo është për tu vlerësuar shumë. E ëndërroj një ditë që kosovarët bashkë me shqiptarët të jenë një ditë pjesë e filmave të mëdhenj botëror.

KultPlus: Krejt për fund Marko, si kishe dashur ta përmbyllim këtë intervistë pranë urës së Ibrit, një urë me një histori të veçantë?

Marko Caka: Kosova është drejt një vendi i cili po realizon ëndrrën e kujtdo që ka sot në botë, është simboli i atij shpirti të vuajtur i cili sado që ka qenë në dallgët e historisë, ka arritur të mbijetojë me gjithë atë gjenocidin famëkeq që përjetoi, Kosova prapë se prapë është shpirti i paqes. Prandaj Kosova është një mesazh për të gjithë popujt që duhet të qajnë çdo pengesë që sjellin situata e ndryshme. Mesazhi më i mirë do të ishte që Kosova shumë shpejtë do të jetë bashkë më Shqipërinë, një fuqi rajonale e fortë me një komb shumë të fuqishëm me aspirata shumë të mëdha.

Poeti amerikan Wiliam Spenser Peters merr çmimin “Rrushi i Artë”

0

Ka përfunduar Festivali i parë Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec, i mbajtur në restorant “Esra Palace”, me pjesëmarrjen e mbi 49 poetëve nga të gjitha kontinentet dhe Kosova. Çmimi “Rrushi i Artë”, iu dha poetit nga ShBA-ja, Wiliam Spenser Peters.

Festivali është organizuar falë ideatorit dhe organizatorit kryesor, poetit rahovecas me famë botërore, Fahredin Shehut, festivalin të cilin e ka mbështetur Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit, me të cilin Rahoveci tashmë gjendet në hartën e kulturës botërore.

Fahredin Shehu, njëherë edhe drejtor i festivalit, thotë se ka menduar që festivali do të ketë mbështetje të madhe të njerëzve dhe dashamirëve të kulturës, por siç thotë jemi aty ku jemi.

Para ndarjes së çmimeve dhe mirënjohjeve, secili poet ka lexuar vargjet në gjuhën e tyre origjinale, ku disa poet edhe kanë kënduar këngët në gjuhë të tyre, si Mongolezi Leetiv Namdag Yanchivin, ndërsa poeti francez, Marc Delouze nga Franca, ka përformuar koncert poetik “Requiem për Ali Podrimja” dhe një po ashtu artistiko- poetike.

Në fund u vendos që çmimi i parë i Festivalit , “Rrushi i Artë”, t’i takoj poetit nga ShBA-ja, Wiliam Spenser Peters. ndërkaq, zv.ministëri i Ministrisë për KRS, Rexhep Hoti të gjithë poetëve u ka shpërndarë nga një pako me dhurata nga Ministria për KRS, kurse poetët janë nderuar edhe me mirënjohje.

Hoti tha se djem dhe vajza të Kosovës kanë talent në shumë fusha kulturore, kurse ky festival do t’i tregoj botës se vlerat kulturore të Rahovecit janë të pashtershme, dhe premtoi se ky festival tashmë do jetë tradicional me mbështetje edhe më të madhe nga institucionet dhe e gjithë shoqëria.

Për organizatorin dhe ideatorin e festivalit, Fahredin Shehu, Hoti thotë se ka bërë vepër kolosale, sepse në një qytet të vogël , siç është Rahoveci, ka sjellë poetët nga të gjitha kontinentet, ku për herë të parë janë dëgjuar dhe intonuar shumë gjuhë të huaja nëpërmjet vargjeve poetike. /PrizrenPress.com

Ja letra e Obamës për Kosovën

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ( SHBA), Barack Obama e ka vlerësuar si historike marrëveshjen për demarkacion në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Po ashtu, Obama ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Prishtinë dhe Beogradit do të forcojnë shtetin e Kosovës. Këto komente presidenti Obama i ka bërë gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit të letrave kredenciale nga ana e ambasadores se re të Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Më poshtë e mund të gjeni përmbajtjen e letrës që presidenti Obama ia dorëzoi ambasadores Çitaku me rastin e pranimit të letrave kredenciale:

“E nderuara Ambasadore,

Është kënaqësi e veçantë që të pranojë Letrat e Juaja kredenciale, përmes të cilave Ju bëheni Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës.
Po ashtu Ju njoftojë se kam pranuar letrën e tërheqjes për pararendësin Tuaj Ambasadorin, Akan Ismaili, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme në përfaqësimin e Kosovës në ShBA. Ju shpreh mirëseardhje të ngrohtë dhe pres me padurim, që të punojë bashkë me Ju, në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes dy vendeve tona.
Kosova dhe ShBA-të ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Ne jemi të lumtur që kemi qenë ndër të parët, që kemi njohur Kosovën, si shtet të pavarur dhe sovran, në vitin 2008 dhe mbesim të përkushtuar që të punojmë përkrah jush, përderisa ju vazhdoni të punoni në fuqizimin e institucioneve demokratike dhe multietnike.
Vendi Juaj ka demonstruar shpejtë se është anëtarë i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe vend i përkushtuar në thellimin e stabilitetit rajonal dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare.
Kosova ka ndërmarrë disa vendime të vështira dhe sfiduese këtë verë. Këto vendime kanë avancuar perspektivën euroatlantike të Kosovës. Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës dhe Parlamentin për miratimin e amendamenteve Kushtetuese dhe legjislacionit për themelimin e Gjykatës së Speciale, e cila do t’i adresojë krimet e pretenduara, pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Ky veprim, ka qenë vendimtar në afirmimin e Kosovës, si shtet i përcaktuar për rend, ligj dhe pajtim. Lidershipi Juaj, po ashtu ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin Tuaj Serbinë.
Këto marrëveshje do të fuqizojnë shtetin Tuaj dhe do të çimentojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Nënshkrimi i Marrëveshjes historike për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi me 26 Gusht, demonstroi edhe më tutje përcaktimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vendosshmërinë Tuaj, që çështjet rajonale të adresohen në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit.
Përcaktimi i Kosovës që sfidat e lartpërmendura t’i adresojë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive ka vënë Kosovën në një rrugë solide drejt rritjes së stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.
Ka shumë punë në rrugën drejt fuqizimit të demokracisë dhe ekonomisë dhe drejt integrimit në Institucionet rajonale dhe ndërkombëtare. ShBA-të do të vazhdojnë t’ju mbështesin në këto sfida dhe në sfida tjera.
Zonja Ambasadore,
Pres me padurim që të punojë bashkë me Ju në avancimin e agjendës tonë të përbashkët dhe në thellimin dhe fuqizimin e miqësisë në mes dy popujve tanë. Është kënaqësi t’ju mirëpres në Uashington”.

Dy veta rrahin një mashkull në Malishevë, arrestohen

0

Në Malishevë te Tregu i Gjelbër, janë arrestuar dy të dyshuar persona, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht një mashkull.

Policia e Kosovës bën të ditur se me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Shpërthen Naser Berisha: Po punësohen sekretaresha, edhe për lidhje dashurie

0

Këshilltari i PDK-së në Kuvendin e Prizrenit, Naser Berisha, sërish ka shpërthyer në akuza gjatë seancës së sotme në adresë të disa bashkëpartiakëve të tij dhe zyrtarëve të koalicionit që qeverisin me Prizrenin, rreth punësimit të sekretareshave nëpër institucionet shkollore të komunës.

Ai ka thënë se PDK është parti me një vizion të pranueshëm për qytetarët, por disa zyrtarë të pushtetit lokal janë duke e damkosur subjektin më të madh politik në Prizren në bashkëpunim me partnerët e koalcionit rreth punësimit të sekretareshave nëpër shkolla.

Berisha thotë se ka informacione sipas të cilave për postin e sekretarëve të shkollave kanë konkurruar 30 meshkuj me arsimin dhe profil adekuat, mirëpo vetëm një nga këta kandidatë ka mundur të punësohet. Ndërsa vendet tjera janë rezervuar për persona të gjinisë femërore.

Kuvendari Berisha thotë se punësimi i sekretareshave po bëhet për përfitime familjare, ekonomike por shton ai po punësohen edhe persona të gjinisë së bukur nga zyrtarë të ndryshëm për lidhje të dashurisë u shpreh ai sot në seancën e Kuvendit të Prizrenit. /Tv Prizreni

Mybera Mustafa: Komuna të izolojë ariun që po sulmon qytetarët

0

Shefja e Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prizrenit, Mybera Mustafa, ka kërkuar nga organet kompetente komunale, që të marrin masa të menjëhershme në gjetjen e mundësive për të izoluar ariun i cili herë pas here po i sulmon qytetarët e Prizrenit në afërsi të Kalasë së Prizrenit dhe në zonën e Grykës së Lumbardhit.

Shefja Mustafa, këtë propozim e ka bërë pas sulmit të fundit që i kishte bërë arusha një personi para dy muajve, të cilit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2011, me ç’rast në Parkun e Marashit ishte sulmuar nga një ari qytetari, Mehmet Koro. Ai kishte deklaruar se egërsira e rrezikshme i ka shkaktuar plagë shqyese deri në asht, duke tentuar ta tërheqë drejt pyllit, me ç’rast Koro kishte treguar se ai ka luftuar për jetë a vdekje, duke shtuar se vetëm Zoti e kishte shpëtuar atë nga më e keqja.

Përveç incidenteve të shumta të armatosura, qytetarëve të Prizrenit po iu shtohet edhe prania e arinjve, që në masë të madhe po e rrezikojnë sigurinë e lëvizjes së lirë të prizrenasve. /Tv Prizreni

Kino Klubet e DokuFest-it së shpejti edhe në Gjakovë

0

Sot në Gjakovë, përfaqësues të Festivalit Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest bashkë me drejtoreshën e Drejtorisë së Arsimit, Diana Qarkaxhija dhe drejtorin e shkollës së mesme “Hajdar Dushi”, Bedri Cahani, u pajtuan për ta nënshkruar një marrëveshje lidhur me bashkëpunimin e shkollave të mesme të komunës për formimin e klubeve të filmit të cilat do të udhëhiqen nga nxënësit dhe kanë për qëllim inkuadrimin e filmave dokumentar në mësimdhënie.

Ky projekt i ofron shkollave filma dokumentarë dhe manual metodikë për mësim rreth temave aktuale që kanë të bëjne me të drejtat e njeriut.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Diana Qarkaxhija ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me të gjitha shkollat e komunës, si dhe për shfrytëzimin e mjeteve të shkollave për shfaqjen e filmave.

“Është shumë me rëndësi involvimi i nxënësve në këto lloj aktivitete për arsye se kjo iu hap rrugën atyre që janë të talentuar dhe kanë dëshirë të vazhdojnë në prodhimin e filmave”, tha ajo.

Diana Qarkaxhija-Dokufest ne Gjakove

Ndërkaq, drejtori i njërit prej gjimnazeve më të mira në komunën e Gjakovës, Bedri Cahani, tha: “Shkolla jonë prodhon filma të metrazhit të shkurtë, dhe ka interesim të jashtëzakonshëm në pjesëmarrje në këtë projekt, kështu që për ne është shumë i mireseardhun ky rast, për arsye se fëmijët kanë mundësi të mësojnë më shumë lidhur me filmat. Gjë edhe më e mirë që edhe mësimdhënësit do të inkuadrohen, do të trajnohen dhe do t’ia japin këtë dije nxënësve. Une jam shumë i gatshëm dhe shpreh interesim të lartë për këtë bashkëpunim”.

Përpilimi i materialeve për shkolla si dhe kooperimi me sistemin e arsimit, ka bërë që DokuFest të jetë një faktor i rëndësishëm në komunitet duke kontribuar në edukimin dhe duke e rritur vetëdijen e nxënësve kosovar në kuptimin e çeshtjes së drejatve të njeriut.

“Shkolla dhe Filmi Dokumentar – Promovimi i vlerave demokratike të të drejtave të njeriut përmes filmit” përkrahet nga National Endowment for Democracy NED. /PrizrenPress.com