Home Blog Page 7096

Suharekë: Rreh gruan dhe vajzën

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Suharekë për shkak se kishte sulmuar fizikisht gruan dhe vajzën e tij duke ju shkaktuar lëndime trupore.

Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

Sipas policisë, i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje. / PrizrenPress.com

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, tregues i vlerave kulturore të Rahovecit

0

Gjatë ditës së martë në ambientin e bukur të restorantit “Esra Palace” në Rahovec, ka filluar Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, i organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga poeti i mirënjohur rahovecas dhe me famë ndërkombëtare, Fahredin Shehu, ku ishin të pranishëm 49 poetë nga të gjitha kontinentet, zv.ministri i Ministrisë për KRS, Rexhep Hoti, dhe shumë mysafirë , dashamirë të artit, poezisë dhe kulturës në përgjithësi.

Prania e poetëve nga të gjitha kontinentet, është treguesi më i mirë i kulturës që posedon qyteti i Rahovecit, dhe ky festival do të jetë tashmë tradicional, ndërkaq me numrin e pjesëmarrësve është më i madh që po mbahet në vendin tonë.

Që festivali të jetë i suksesshëm, kanë kontribuar edhe dyshja e moderatorëve, Behare Bajraktari dhe Ali Dula, të cilët fillimisht përshëndetën poetët pjesëmarrësit për rrugën e tyre të gjatë deri në Rahovec, ndërkaq theksuan se vendi ynë është një shtet i ri, por që po rritet shpejt, duke tentuar të jetë i barabartë dhe i vëllazëruar me çdo vend të qytetëruar të botës, prandaj këto vlera artistike prezantohen sot në Rahovec, qytetin e rrushit.

Zv. ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, pasi përshëndeti poetët nga gjithë bota, posaçërisht krijuesin e këtij festivali, Fahredin Shehun, thotë se ngjyra, dhe dukja e poetëve rrjedh nga veprat e tyre.

Drejtori i festivalit, Fahredin Shehu, thotë se pas shumë përpjekjeve dhe periudhe të gjatë, me ndihmën e Ministrisë për KRS dhe shumë donatorë, kemi arritur që të organizojmë festivalin ndërkombëtar të poezisë, i cili do të jetë tashmë tradicional.

Festivali ka pasur edhe pjesën artistike dhe muzikore, ku sopranoja Ardita Ukaj ka ekzekutuar këngën “Asaman” nën përcjelljen e Fatmir Pistës, ndërkaq një pikë baleti kanë ekzekutuar fëmijët e Shoqatës ” Hareja ” në Rahovec.

Në fund të ditës së parë të festivalit, i cili do të mbahet tre ditë, të gjithë poetët të pranishëm kanë recituar vargjet në gjuhë të tyre. / PrizrenPress.com

Ankand nga ylli i Beatles

0

Më shumë se 800 sende në pronësi të yllit të Beatles, Ringo Starr, dhe të së shoqes Barbara Bah, do të shiten në ankand.

“Kemi kaq shumë gjëra, një pjesë të mirë të të cilave nuk i kemi parë prej 20 apo 30 vjetësh”, deklaroi 75-vjeçari Starr për Associated Press.

Mes objekteve që do të dalin në ankand është edhe bateria e parë model “Ludwig Oyster”, të cilën muzikanti e përdori në mbi 200 koncerte dhe regjistrime mes majit 1963 dhe shkurtit 1964.

Gjithashtu do të shitet edhe kitara “Rose-Morris Rickenbacker” me të cilën John Lennon luajti gjatë shfaqjes së Krishtlindjeve 1964-1965, e që në 1968 ia dhuroi Ringos.

Starr tha se ideja për ankandin erdhi pasi muzeu Grammy në Los Angeles i kërkoi atij të bënte një ekspozitë rreth jetës dhe muzikës së vet në 2013/2014.

Pasi e shitën shtëpinë në Angli dhe i vunë kyçin apartamentit në Montekarlo, çifti mendoi: “Ç’do të bëjmë me tërë këto gjëra?”.

Sendet do të shiten më 4 dhe 5 dhjetor në një ankand në Beverly Hills të Californias dhe një pjesë e të ardhurave do të shkojnë për bamirësi.

“Boll i kemi mbajtur në garazh gjithë ato gjëra për kaq gjatë. Mund t’i përdorim për qëllim të mirë e t’u japim gëzim shumë njerëzve”, ka thënë Starr.

KQSHM: Nuk ka ulje të kriterit të kalueshmërisë në Provimin e Maturës

0

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM), ka bërë të ditur se nuk do të ketë ulje të kriterit të kalueshmërinë në Provimin e Maturës, pra pragu i kalueshmërisë mbetet i njëjtë, pra 50 për qind, ose 100 pikë.

Ky njoftim nga KQSHM vjen menjëherë pas disa raportimeve se do të ketë ulje të kriterit të kalueshmërisë, transmeton zeri.info.

Ky Komision, i ka bërë thirrje të gjitha drejtorive komunale të arsimit që të mos bien pre e këtij lajmi të pavërtetë.

Njoftimi i plotë i KQSHM-së:

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM), pas mbledhjes e mbajtur sot, njofton se nuk ka ulje të kriterit të kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore 2015.

Duke qenë se gjatë ditës kanë qarkulluar të pavërteta lidhur me pragun e kalueshmërisë, sidomos në rrjetet sociale, KQShM bën të ditur se pragu i kalueshmërisë mbetet i njëjtë, pra 50 për qind, ose 100 pikë.

Kryetari i KQShM-së, Azem Guri iu bën thirrje drejtorive komunale të arsimit dhe drejtorëve të shkollave që të mos bien pre e kësaj të pavërtete. Çdo veprim që është jashtë rregullave të përcaktuara nga KQShM, nuk do të jetë i vlefshëm. /ZËRI/

Kadare: Kuteli u dënua për Kosovën

0

Shkrimtari Ismail Kadare përgjigjet për të gjitha “akuzat” e drejtpërdrejta bërë nga trashëgimtarët e Mitrush Kutelit, paraqitur në botimin më të fundit “Netë moldave”.

Kadare për herë të parë tregon si është përkthyer në frëngjisht vepra e Kutelit, por mbetur e bllokuar, e pabotuar nga familjarët. Shkrimtari pohon se Kuteli nuk është dënuar si oficer fashist, por për çështjen e Kosovës. “Rasti Pasko”, fabrikimi i sajesave nga njerëz të krimit, ende midis nesh.

“…E vërteta të forcon”, – thotë Kadare në bisedën tonë të lirë, duke lënë të kuptohet se intervista e mëposhtme është një mundësi shqyrtimi mbi krimet në diktaturë përtej “akuzës” që i drejtohet atij nga trashëgimtarët e shkrimtarit Mitrush Kuteli, që më 13 shtator mbushi 108 vjet nga dita e lindjes. Kadare jep përgjigje për disa momente për të cilat është rënduar drejtpërdrejt nga familjarët e Kutelit në “Netë moldave”, ndoshta duke pritur prej tij të mbajë përgjegjësi për çfarë ka thënë, në rastin e përfoljes në “betejën e Stalingradit”, duke sqaruar për së dyti herë, edhe kërkuar që të lexohet drejt si në këtë intervistë, përcjellja e kësaj pandehme ose trillimi. Por, Kadare që shfaqet gjithnjë e më rrallë, në ndërhyrjet e tij intelektuale në punët e vendit, këtë herë në intervistën ekskluzive për “Standard”, nxitur prej rastit të Kutelit, shprehet me përgjegjësi politike kur thotë se “hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore. Dje, ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë”. Për shkrimtarin zhdukja e gjurmëve të krimit është nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar. Ky është edhe rasti shqiptar.

“Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim janë ende midis nesh”, – është shprehur Kadare.
Por shkrimtari zbulon dhe një marrëdhënie të panjohur mes tij dhe Kutelit. Në parantezë:
Akuza e trashëgimtarëve e ardhur drejtpërdrejt: Kadare ka thënë të pavërteta dhe ky është një dëm i madh ndaj figurës së Mitrush Kutelit, sidomos jashtë Shqipërisë.

“Meqenëse Kadareja ka krijuar një autoritet të madh ndërkombëtar e kombëtar, ai vetë si përhapës i kësaj të pavërtete, mendoj se rëndohet me një përgjegjësi të madhe ndaj figurës së Kutelit”. Por, në intervistën e mëposhtme, Kadare, pyetur për “historinë e tij” të letrës së `88-ës, ka treguar për herë të parë se Kuteli është përkthyer në atë kohë nga një kushëri i Jusuf Vrionit në frëngjisht, por që sot e kësaj dite nuk janë botuar. Kjo komentohet e bllokuar, e refuzuar nga familjarët. Një tjetër moment delikat lidhet me dënimin e shkrimtarit. Trashëgimtarët shkruajnë se dosja e hetimit është bosh dhe nuk ekziston letra e akuzës. Kur versioni i tyre është se mbi Kutelin rëndon akuza politike për përfshirjen në armatën fashiste rumune, Kadare thotë se çështja e Kosovës e çoi shkrimtarin në burg.
Zoti Kadare, është botuar një libër nga trashëgimtarët e Kutelit, “Netë moldave”, me një parathënie të gjatë, që ndalet në akuza të drejtpërdrejta mbi ju, mbi disa pasaktësi, sipas tyre, të dhëna në librin tuaj “Mëngjeset në kafe Rostand” mbi jetën e Kutelit. E para lidhet me vitet e burgut, dënimin e tij, dhe e dyta, që është më e rëndësishme, me pandehmën tuaj për përfshirjen e Kutelit në Betejën e Stalingradit. Në përgjigje të kësaj, ju sollët në gazetën “Standard” të njëjtin shënim si edhe në libër. Pse vendosët të reagonit me të njëjtën mendim, kur pritej të zgjeronit historinë e kësaj situate?

Përgjigjja ime ka qenë e njëjtë, sepse e vërteta ka qenë e tillë. Nuk e kam bërë ndonjë pandehmë për pjesëmarrjen e Dhimitër Paskos në betejën e Stalingradit. Përkundrazi, kam shkruar se “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme”, është përhapur kjo pandehmë ose ky trillim.
Mendoj se shprehja “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme” është aq e qartë sa të mos lexohet si e kundërta e saj.
Trashëgimtarët shkruajnë në libër, që sipas Plasarit, ka qenë Shuteriqi, i cili ka artikuluar i pari “betejën e Stalingradit” dhe pretendojnë se ju jeni pasues i kësaj “teorie”. Si ka mbërritur tek ju ky “informacion”?
Nuk di që pëshpërima ka patur si autor Shuteriqin. Kam qenë student në Tiranë kur e kam dëgjuar të qarkullonte gjerësisht.

Në fakt, familjarët e lidhin këtë situatë me Shuteriqin si një argument të fortë, si akuzë politike pse u dënua Kuteli, ardhur nga qarqet letrare. Një version tjetër, po që përmendet shkarazi, është edhe Kosova, “Poemi kosovar”. Në dijeninë tuaj, pasi nuk besojmë që rasti i Kutelit t’ju ketë lënë indiferent, pse mund të jetë dënuar me burg ky shkrimtar?
Mendoj se për ngjarje dramatike, siç janë dënimet e shkrimtarëve të shquar, duhet folur më seriozisht, çka do të thotë, më saktësisht. Dhimitër Pasko u arrestua dhe u fut në burg në vitin 1947, në kohë e terrorit shqiptaro-jugosllav. Ai u lirua fill pas prishjes së miqësisë me Jugosllavinë. Kjo e bën edhe më të besueshme tezën se kërkesa për arrestimin dhe burgosjen e tij është bërë prej Jugosllavisë për shkak të angazhimit të tij për çështjen e Kosovës, dhe të një poeme me subjekt Kosovën.
Ky është një kujtim i turpshëm në historinë shqiptare pas luftës botërore, koha kur Mugosha dhe Popoviçi urdhëronin arrestime, si të ishin në shtëpi të vet. Merret me mend që ka njerëz që ende janë të interesuar që ky turp të harrohet, ngaqë kanë qenë të përzier me të.
Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `88, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani. Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?
Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist. Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë. Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë. Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim. Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll. Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.

Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos. Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris.
Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim. Kam kujtuar se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”.
Cili është dimensioni i Kutelit për ju?

Dhimitër Pasko është një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë, jo vetëm të viteve `30, por të krejt letërsisë shqipe. Si një klasik i saj, ai bën pjesë, në mënyrë të padiskutueshme, në fondin e artë të letrave shqipe.
Jeni takuar ndonjëherë, si e mbani mend?
Siç kam shkruar në librin “Mëngjeset në kafe Rostand”, e kam takuar për herë të parë kur isha student në shtëpinë e Sterjo Spasses, në rrugën Him Kolli, në Tiranë, më 1958.

Ishte përgjithësisht i heshtur e i pa përzier me njerëzit, dhe kjo ishte e kuptueshme për një shkrimtar që kishte qenë i burgosur politik. Aq më tepër që arsyet e vërteta të burgimit të tij, siç ndodhte shpesh, mund të merreshin me mend, pa u thënë asnjëherë haptas.

Si e shpjegoni faktin e zhdukjes së dosjes së dënimit të Kutelit? Familjarët thonë se nuk ekziston as letra e akuzës, pra thjesht, duke mbetur si “armik i popullit”, që si shkak iu ndalua botimi, e që pasoi me izolim të detyrueshëm të tij, duke u marrë vetëm me përkthime.
Humbja ose, më saktë, zhdukja e dosjes së hetimit e të dënimit të Dhimitër Paskos, është më shumë se një skandal. Është një shkrimtar shumë i njohur, i dënuar me burg politik, qysh në fillimet e rendit komunist. Është jashtë çdo dyshimi se ka patur dhe ende ka njerëz të interesuar që dosja të zhdukej. Në radhë të parë, janë denoncuesit, e sidomos ata që urdhëronin ose që e dinin nga vinin urdhrat.
Zhdukja e gjurmëve të krimit është një nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar, si në rastin shqiptar. Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim, janë ende midis nesh.
Hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore. Dje ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë.
Desha të shtoj këtu se, po aq sa shpifësit e spiunët e djeshëm, do të përgjigjen ata që kanë dijeni për këto dosje, por në vend që t’i zbulojnë ato, i fshehin thellë e më thellë.
Hapja e dosjeve, Kadare:
– Hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore. Dje ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë. Desha të shtoj këtu se, po aq sa shpifësit e spiunët e djeshëm, do të përgjigjen ata që kanë dijeni për këto dosje, por në vend që t’i zbulojnë ato, i fshehin thellë e më thellë.
– Humbja ose, më saktë, zhdukja e dosjes së hetimit e të dënimit të Dhimitër Paskos, është më shumë se një skandal. Është një shkrimtar shumë i njohur, i dënuar me burg politik, qysh në fillimet e rendit komunist. Është jashtë çdo dyshimi se ka patur dhe ende ka njerëz të interesuar që dosja të zhdukej. Në radhë të parë, janë denoncuesit, e sidomos ata që urdhëronin ose që e dinin nga vinin urdhrat.
-Zhdukja e gjurmëve të krimit është një nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar, si në rastin shqiptar. Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim, janë ende midis nesh.
Kadare, drejtor i “Les lettres albanaises”
Çfarë ka ndodhur me përkthimin e Kutelit në frëngjisht në `89-ën
Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `89, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani. Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?
Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist. Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë. Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë. Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim. Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll. Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.
Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos. Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris. Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim. Kam kujtuar, se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”.
Trashëgimtarët e Kutelit
Letra për Kadarenë, pse u kthye mbrapsht dorëshkrimi në `89-ën
Ka një mendim unik mes tre fëmijëve të Kutelit në raport me dorëshkrimin frëngjisht të shkruar nga Kadare. Ata tregojnë se nga njëra Kadare e ngjiste Kutelin në “disa shkallare më lart në hierarkinë letrare dhe nga ana tjetër e gruponte me ata shkrimtarë që pëlqehen nga regjimet reaksionare dhe tiranike?!” Këtë e kanë konsideruar kthim mbrapa në çështjen e rehabilitimit të Kutelit dhe një prezantim aspak të saktë për botën e jashtme, së cilës i drejtohej, “mbasi regjimi tiranik për të cilën flitej aty, veç të tjerave, i kishte ndaluar Dhimitër Paskos librin “Tri probleme me Bankën Kombëtare”. I biri i Kutelit, në dëshminë e tij, të përfshirë në hyrjen e “Netë moldave”, thotë se pavarësisht nga kjo konsideratë, Kadare shkruan të pavërteta dhe pasaktësi për jetën e shkrimtarit. Kështu të tre fëmijët e Kutelit menduan t’i shkruanin Kadaresë për ta njoftuar mbi pasaktësitë duke menduar se mund të sillnin “rreziqe”. “Ishte pranvera e vitit 1989 dhe askujt nuk ia merrte mendja ç’do të ndodhte në Evropën Lindore në gusht e më tej nëntor të atij vit”, – shkruan Pandeliu. Ai tregon se kur u këshillua me miq të Kadaresë, (pa përmendur emra) dhe adhurues të Kutelit e kishin paralajmëruar të bënte kujdes! Pinjolli i Paskëve thotë se vendosën ta shkruanin letrën, prej dy faqe të daktilografuar dhe ia dërguan në shtëpi Kadaresë, së bashku me dy shkrime autobiografike të Kutelit. Letra tregon se iu dorëzua Helenës, meqë Kadare nuk ndodhej në shtëpi.
Çfarë përmbante letra? Pandeliu tregon: “Në letër kisha renditur disa fakte për mobilizimin e Kutelit në një nga dy armatat rumune (jo tek Rojet e hekurta) dhe njoftimin për një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës (rrjedhojë e qëndrimit antinazist të Kutelit në Rumani). Vëreja se ai ndodhej në Shqipëri qysh në shtator 1942, datë e mbështetur nga materialet autobiografike që shoqëronin letrën. Saktësoja pozicionet administrative që kishte mbajtur Kuteli nga vjeshta 1942 deri në shtator 1943 dhe historinë e konfliktit me gjermanët për të shpëtuar arin shqiptar (kuptohet s’bëhej fjalë për dorëzim çelësash partizanëve). M’u duk me vend ta njoftoja shkrimtarin se Babai kishte dhëne dorëheqjen nga Banka pasi nuk pranoi kursin antishqiptar mes dinarit jugosllav dhe lekut shqiptar dhe se nuk u arrestua “të nesërmen e kthimit nga Jugosllavia”, po të paktën 9-10 muaj më pas, kur ish shkëputur nga Banka dhe merrej me letërsi. Përsëris edhe një herë se ishte prilli i vitit 1989 dhe trajtimi i çështjeve të tilla ishte mjaft delikat. Kuteli mbetej ende i ngarkuar me njollën “armiku i popullit” dhe kushdo që do të zhbironte nëpër dokumente e gjykatës, do ta gjente të cilësuar si të tillë”, – shkruan Pandeli Pasko.
Kuteli dhe botimi “Netë moldave”!
Parathënia është: “Fantazma e Stalingradit dhe Mitrush Kuteli”. Këtu sqarohen nga trashëgimtarët disa anë të errëta që lidhen mes Kutelit dhe Kadaresë, po sidomos në hapjen dhe njohjen e shkrimtarit. Botimi “Netë moldave” ishte përfshirë brenda librit “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur”, për të cilin Kuteli i pati drejtuar më 19 nëntor 1945 një letër Ministrisë së Kulturës, ku kërkonte një “autorizim” për ta shtypur. Në fakt, tregimi “Netë moldave”, siç bëhet me dije në parathënie, është botuar së pari në mars 1944, në revistën “Kritika” të Arshi Pipës. Një “ngjarje pa ngjarje” në dimrin e vitit 1941, kur Kuteli ndodhej në Ukrainë që sipas trashëgimtarëve ishte i mobilizuar në trupat rumune që u dërguan në frontin rus. Në parathënie të “Netë moldave”, sqarohet se ishte mobilizimi i detyruar, pasi Kuteli jetonte e punonte në Rumani si shtetas rumun. Shënime dhe kujtime nga muajt e këtij mobilizimi, familjarët shënojnë se kishte botuar që më 1943 si tituj më vete ose teksa shkruante për Kosovën, për Taras Shevçenkon, apo kur i paraqiste lexuesit këngë popullore. “Kutelit as nuk i shkonte në mend ta fshihte këtë episode të jetës së tij, aq më pak të kishte frikë se kjo një ditë mund t’i kthehej në akuzë politike: historitë e luftës ishin ende të gjalla dhe njihej mirë dënimi i njerëzve “të padëshiruar” me dërgim në frontin e luftës. Për çdo qytetar kjo ishte fatkeqësi, ndërsa në raste si rasti i Kutelit, ishte ndëshkim: ai, dr. Pasko, drejtor i Bankës Kombëtare në Bukuresht, u kishte bërë rezistencë projekteve në favor të kapitalit gjerman e në dëm të pasurisë vendase në Rumani: për këtë miqtë i kishin thënë të bënte kujdes, mbasi i kishin hapur një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës” (Kuteli, letra drejtuar bashkëshortes (Testamenti), Hylli i Dritës, nr. 3-4, 1994, f. 74).
Trashëgimtarët e Kutelit ndalojnë në këtë çështje duke e paraqitur ndoshta si argumentin kryesor për përndjekjen e shkrimtarit në diktaturë, ku shënojnë se “dy vite pas luftës, “mobilizimin e detyruar” filluan t’ia përflisnin (jo ballazi) si “angazhim në luftë”, në krahun e forcave gjermane që sulmuan Bashkimin Sovjetik”. Shtojnë se e bënë edhe pjesë të “Rojës së hekurt”, një fakt që e kundërshtojnë, se Kuteli s’kishte asnjë lidhje.
Madje, këmbëngulet me bindje përse i ka ardhur “dënimi” Kutelit, se “duke mos gjetur dot një element për të fajësuar në veprimtarinë praktike si ekonomist apo si publicist e shkrimtar, e sulmuan jo për një veprim të tij, po për një pësim!”
Në “Netët moldave”, trashëgimtarët hedhin mendimin, ndoshta për herë të parë, se kjo akuzë vinte nga rrethet letrare. Me këtë akuzë argumentojnë si nisi “heshtja” ndaj Kutelit, refuzimi. Rasti është kur iu kërkua Kutelit të hartonte një tekst të lëndës së folklorit për Institutin e Folklorit që pritej të ngrihej, ku i kishin ofruar të angazhohej si pedagog. Familjarët tregojnë se Kuteli e punoi dhe e dorëzoi tekstin, por kaluan muaj dhe përgjigje s’mori.
A ishte Kuteli në “armatën e hekurt”?!
Për këtë histori merret dëshmia e nipit të tij, Misto Marko, i cili ka thënë se Kuteli ka shkuar vetë në drejtorinë e Institutit dhe përgjigjen ia ka dhënë Dhimitër S. Shuteriqi: “Nuk të duan sepse ti ke qenë me Gardën e Hekurt në Rumani” (Ditari i ekonomistit Dr. Pas (Mitrush Kuteli), Tiranë 2015). Këtë përgjigje e ka treguar edhe Skënder Luarasi, shkruajnë familjarët, kur Kuteli në sallën e pedagogëve të Institutit u ka hedhur mbi tavolinë “një tufë gazeta dhe revista ku disa pedagogë të pranishëm shfaqeshin në foto të veshur me këmisha të zeza e me simbole të Musolinit tek merrnin pjesë në manifestimet fashiste”. Situata vjen e treguar nga Skënder Luarasi: “Ju nuk më doni se paskam qenë në Gardën e Hekurt në Rumani, por ju nuk kini asgjë si këto për mua! Ja ç’kini qenë ju këtu”, – u ka thënë atyre Kuteli. Më 16 maj 1947 e arrestuan. U dënua me pesë vite si “armik i popullit” për “agjitacion e propagandë”. U lirua me falje, në maj 1949. Familjarët shkruajnë në parathënie se ende nuk gjenden të dokumentuara as akuza dhe as akuzuesi. Gjithë sa hodhëm më lart, tregon vetëm një argument mbi një version të mundshëm nga ana e trashëgimtarëve pse u dënua Kuteli. Ata thonë se pas kësaj situate, siç edhe dihet, Kuteli u “tkurr” brenda profesionit të përkthyesit, duke ngarkuar për këtë situatë sigurisht “kolegët” e letrave, që kanë pritur rastin për ta goditur. Familjarët shkruajnë se Shuteriqi, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte ndër të parët që i “quante budallallëqe” shkrimet kritike të Kutelit, duke i lëshuar edhe akuzën politike si “anëtar i rojës së hekurt të fashizmit rumun”.
Sigurisht që trashëgimtarët e shkrimtarit sërish këmbëngulin se s’ka pasur asnjë lidhje me këtë akuzë, po ashtu i referohen edhe vërejtjes së studiuesit Aurel Plasari se etiketimi i bërë nga Shuteriqi ka pasur qëllime “keqdashëse” dhe se ishte një “shpifje ahistorike”.
Trashëgimtarët shprehen se pas Shuteriqit, nga letrarët e lidhur me Partinë, zyrtarë të rëndësishëm e vazhduan “akuzën nda Kutelit” në vitet `50, por me zë të ulët edhe pas vitit 1967, kur shkrimtari nuk jetonte më. Ky është shkaku i vërtetë, sipas familjarëve, pse Kutelit iu ndalua botimi dhe njohja me veprën e tij, për pasojë dhe shkollimi normal i fëmijëve.

Ja çka thotë Policia e Kosovës për Nexhmi Krasniqin

0

Policia e Kosovës ka përfillur rekomandimin e Inspektoratit të PK-së lidhur me suspendimin e komandantit për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Daut Hoxha ka konfirmuar për “Zërin” se Policia ka vepruar konform rekomandimeve të Inspektoriatit.

“Po, ne kemi vepruar konform rekomandimeve IPK-së dhe kemi implementuar duke pas ligjet e aplikueshme”, ka thënë ai.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës, pasi ka pranuar disa informacione dhe ankesa nga qytetarët, si dhe pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore preliminare, i ka rekomanduar dje Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve të PK-së (njëri nga ta me pozitë të Drejtorit Rajonal të PK-së në Prizren kurse tjetri udhëheqës në sektorin e hetimeve të vrasjes në të njëjtën Drejtori Rajonale).

Përmes një njoftimi për media të dërguar nga IPK, thuhet se rekomandimi për suspendim deri në njoftimin tjetër bazohet në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, neni 17 – paragrafi 12.

“IPK asnjëherë nuk paragjykon vendimin final të organeve të drejtësisë (bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë). Inspektorati Policor garanton qytetarët e vendit se çdo herë do të angazhohet për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve por edhe ruajtjes me vendosmëri të kredibilitetit të Policisë së Kosovës”, theksohet në njoftim.

Prizreni shënoi Ditën e Dëshmorëve

0

Në Prizren është shënuar sot Dita e Dëshmorëve. Nënkryetari i komunës, Lulzim Kabashi, tha se “dëshmorët janë më meritoret që sot ne frymojmë lirshëm”.

“Vepra e tyre duhet të jetë udhërrëfyes i një të ardhme më të ndritur të vendit”.

Kabashi tha se 15 shtatori si datë duhet të jetë e veçantë në tërë komunën për t’i përkujtuar të gjithë ata që u flijuan në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Ndërkaq, Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi,tha se dëshmorët janë ata që i japin kuptim angazhimeve të të gjithë neve për të jetësuar amanetin e tyre, për një vend të përparuar.

Ish eprori i lartë i UÇK-së, aktualisht edhe këshilltar i Kuvendit të Prizrenit, Alush Shala, gjithashtu tha se do të angazhohet që 15. shtatori të jetë ditë e veçantë, kur duhet të përkujtohen të rënët për lirinë e atdheut nga komuna e Prizrenit,transmeton TVPZ.

Edhe pse sot është parë një numër i madh i pjesëmarrësve në shënimin e ditës së dëshmorëve të komunës së Prizrenit, numri i familjeve të dëshmorëve ishte vetëm 14 që morrën pjesë në homazhe, nga mbi 150 familje sa i’a kanë falur bijtë e tyre çlirimit të Kosovës nga komuna e Prizrenit.Pas Landovicës, janë vendosur buqeta me lule edhe para Monumentit të Lirisë dhe shtatorëve të komandatëve, Remzi Ademaj, Ismet Jashari, Xhevat Berisha dhe Pal Paluca/PrizrenPress.com/

Rrokulliset një veturë në Dragash

0

Një veturë është rrokullisur në Dragash. Sipas policisë, vetura është rrokullisur për shkak mospërshtatjes së shpejtësisë.

“I dyshuari derisa ishte duke drejtuar veturën Citroen duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës humb kontrollin mbi veturë, me ç’rast rrokulliset”, njofton PK-ja.

“ Si pasojë e aksidentit vozitësi i veturës pëson lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në spitalin e Prizrenit dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është liruar”./PrizrenPress.com

Nis Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec

0

Mes datave 15 e 17 shtator, për herë të parë në Rahovec organizohet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, i cili mëton të mbledhë poetë e dashamirë të letërsisë në një vend.

Në Rahovec pritet të vijnë nga Turqia , Franca, Malta, Irani, e vende të tjera, por pa lënë anash edhe ata shqiptarë që janë Xhevdet Bajraj, Imer Topanica, Fjolla Spanca, Naime Beqiraj, Basri Çapriqi, Xhevat Latifi Miradije Ramiqi, Zvonko Karanovic e Ibrahim Berjashi.

Përveç leximit të poezive nga poetët e pranishëm, në këtë edicion të parë të festivalit do të bëhet edhe prezantimi i librit “The Winekeeper” të poetit amerikan William S. Peters.

Hapja zyrtarë bëhet më 15 shtator, me fillim nga ora 15:00, në hotelin “Esra Pallace”.

Prokurorja Hajdari: Kolegët e mi më shumë kujdesen për pamjen se hetimin e krimit

0

Prokurorja speciale Drita Hajdari është shprehur se Prokuroria ndihet e turpëruar nga disa kolegë që më shumë kujdesen për pamjen e tyre se sa për hetimin e rasteve kriminale.

Hajdari është shprehur e shqetësuar me numrin e madh të rasteve të errëta të korrupsionit, njofton Klan Kosova.

Ajo këto fjalë i tha gjatë shpalosjes së hulumtimit të opinionit publik në lidhje me korrupsionin nga lëvizja FOL.