Home Blog Page 7095

Grabovci i përgjigjet opozitës për zgjedhjet e parakohshme!

0

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i është kundërpërgjigjur kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Ai në një prononcim për gazetën Blic ka thënë se nuk është lajm kërkesa e opozitës për të shkuar në zgjedhje të reja.

Sipas tij, është e drejtë legjitime e opozitës që të kërkoj zgjedhje të reja, por ai ka thënë se në demokraci ka rregulla.

“Demokracia e ka rregullat e saja dhe ato rregulla duhet të respektohen. Nëse nuk respektohen atëherë shkohet në anarki, dhe PDK nuk është e interesuar që ta dërgoj vendin drejt anarkisë”, tha ai për Gazetën Blic.

Sipas Grabovcit edhe po të shkoj sot në zgjedhje, pikërisht është opozita ajo që do të humb më së shumti. Ju garantoj se sërish PDK do të fitoj.

“Alternativa më serioze qeverisëse në vend është PDK. Prandaj, edhe po të shkohej sot në zgjedhje PDK do të fitoj”, tha ai.

Graboci ka thënë se format ekstreme që po i përdor opozita për ta marrë pushtetin, vetëm sa do të irritojnë qytetarët e vendit.

Ai ka një kërkesë për opozitëm.

“Ata është më mirë që të merren me zhvillimin e alternativës e jo të kërkojnë zgjedhje pa nevojë”, ka thënë Grabovci për Gazetën Blic./ Gazeta Blic

Marrëzira akademike

0

IMER MUSHKOLAJ

Në vend se të angazhohen për t’i dhënë fund diskriminimit të një dialekti-standardi të tërë, një grup gjuhëtarësh duan ta bunkerizojnë shqipen. Duan ta mbrojnë me ligj jo për ta zhvilluar e dinamizuar, por për ta ngulfatur e bllokuar. Duan që politika të mbrojë një standard të vendosur me urdhër politik

Kur tash një vit në Universitetin Shtetëror të Tetovës ishte publikuar një thirrje për studentët, e shkruar me plot gabime gjuhësore, profesorë të këtij institucioni ishin shfaqur të alarmuar. Ata kërkuan miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, respektivisht ndëshkimin e të gjithë atyre që nuk e përdorin shqipen si duhet. Thanë se mungesa e ligjit dhe mospërkufizimi i saktë i statusit të saj po shkaktonte probleme në zbatimin e normës. Reagimet po vinin nga akademikët, nga ata që do të duhej të ishin përgjegjës për ato gabime.

Po vitin e kaluar, në Shqipëri një grup prej njëzet vetash i kishin kërkuar kryeministrit Edi Rama që qeveria të ndërhynte në mbrojtjen e gjuhës shqipe. E në Kosovë në krye të nismës janë vënë punonjës të Institutit Albanologjik, që po kërkojnë nga Kuvendi miratimin e një ligji të veçantë për këtë punë.

Por, a mund të ruhet gjuha me ligj? Si mund të mbrohet ajo nga ndikimet e jashtme në kohën e globalizmit? Dhe, për më tepër, a nuk do të ishte më mirë që në vend se të merren nisma të tilla, të plotësohet e ndryshohet standardi ekzistues i shqipes që është diskriminues e përjashtues ndaj një dialekti, ndaj një standardi tjetër të tërë, ndaj një gjuhe të tërë?

Ligje për mbrojtjen e gjuhës kanë disa shtete, por nuk është se janë treguar aq efikasë. Gjuhët evulojnë, zhvillohen, janë dinamike. Andaj mbrojtja e shqipes me ligj nuk është se do të ndikojë që ajo të përmirësohet në përdorim. Bile mbrojtja me ligj e standardit të vitit 1972, siç thonë studiues të shqipes, është edhe në kundërshtim me standardet europiane. Kjo i bie që politika të mbrojë një standard të vendosur me urdhër politik. Një akt politik të imponuar me diktat. Nga Enver Hoxha.

* * *

Duke e shpërfillur më shumë se gjysmën e leksikut të shqipes, kongresi i 72’shit ka kryer krim ndaj gegnishtes. Duke e përjashtuar nga standardi, janë lënë jashtë më shumë se 40 mijë fjalë, një pasuri kjo e jashtëzakonshme dhe shqipja është kthyer zyrtarisht në një gjuhë skajshmërisht të varfër.

Në vend që të kërkojnë që standardi t’i nënshtrohet rivlerësimit shkencor, tash dalin gjuhëtarë që kërkojnë mbrojtjen me ligj të tij. Por, në vend se të mbronte gjuhën, një akt i tillë do të pengonte edhe më shumë komunikimin ndërshqiptar, sepse standardi aktual as që i përmbush nevojat për një komunikim normal ndërmjet shqiptarëve. Madje as nevojat për komunikim të vetë këtyre ”gardianëve” të gjuhës standarde, që po kërkojnë mbrotje politike të një standardi politik.

Ata na shfaqen si ruajtës të shqipes, thua se gjuha iu takon vetëm atyre. E gjuha nuk mbrohet në këtë mënyrë, por duke u mbledhur e diskutuar se çfarë duhet plotësuar, çfarë duhet ndryshuar.

Ardian Klosi fliste për një kuvend të ri që do të mblidhte jo veç gjuhëtarë, por edhe krijues të gjuhës, përkthyes, gazetarë, mësues. “Gjuhëtarët janë vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë. Absolutisht jo më ta vendosin gjuhëtarët, siç e kanë vendosur së bashku me politikanët në vitin 1972”, thoshte ai.

Dhe, nuk kris kiameti nëse “çelet” standardi. Gjermanët, një popullsi dhjetëramilionëshe, para pak vjetësh vendosën rregulla të reja drejtshkrimi. Pse u dashka që ne standardin e 72’shit ta konsiderojmë të shenjtë, të paprekshëm, madje edhe ta mbrojmë me ligj? Apo gjuhëtarët tanë janë më të mençurit, më të diturit.

* * *

Europa sot kërkon mbrojtjen e dialekteve të gjuhëve, që i sheh si një pasuri të rëndësishme. Me miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, do të sanksionoheshin, ndëshkoheshin dialektet, gjë që do të ishte në kundërshtim me standardet dhe praktikat europiane.

Por, këto as që iu interesojnë “gardianëve” të shqipes standarde që duan ligj. Për ta është e rëndësishme që të vazhdojnë së funksionuari brenda bunkerëve të tyre gjuhësorë e mendorë, brenda mentalitetit përjashtues e diskriminues.

Gjuha shqipe ka nevojë për sa më shumë studiues të mirëfilltë, të cilët atë e shohin si diçka dinamike dhe në zhvillim, e jo si specie në zhdukje e në rrezik, që po u dashka mbrojtur ligjërisht.

Nëse ka nevojë për mbrojtje, atëherë shqipja duhet të mbrohet pikërisht nga të tillët që shiten si “gardianë” të saj, por që nuk janë gjë tjetër veç interesxhinj e shkencëtarë mediokër.

Gjuha shqipe duhet zgjeruar e çuar përpara, e jo sakatuar, kufizuar dhe bllokuar. Të kërkosh që ta mbrosh atë nga shqiptarët nuk është gjë tjetër veç marrëzi. E kur kërkesat e tilla vijnë nga akademikët, gjithçka shndërrohet në marrëzi akademike./Gazeta Express/

A është Kosova shtet normal?

0

Kushtrim GASHI

Për shumë kënd Kosova nuk është një shtet normal për shkak të problemeve të shumta që cilësohen si shkaktar të jo normalitetit. Dikush mund të thotë nuk jemi normal sepse jemi te dobët, nuk kemi një ushtri dhe jemi te ndarë.Nëse nismi me ketë logjik, atëherë asnjë nga vendet e rajonit nuk do të konsideroheshin shtete normale . Listës se këtyre shteteve i prin Greqia, si shtet anëtar i Bashkimit Evropian gjendet në krizë të thellë ekonomike dhe me qeveri që bien çdo tre muaj që e ka shumë vështir për të mbijetuar.

Bosnja Hercegovina një shtet i ndarë me marrëveshjen e Dejtonit dhe jo funksional tash e 20 vite mund të radhitet në vendin e dytë. Serbia një shtet agresor dhe luftënxitës, por edhe i dobët sepse ishte bombarduar nga Aleanca Veri atlantike NATO gjendet në vendin e tretë.
Maqedonia një vend shovinist dhe jo stabil për shkak të diskriminimit te shqiptarëve dhe shkeljes se të drejtave të tyre, por edhe problemet me Greqinë e bëjnë të jetë në pozitën e katërt.

Dhe në pozitën e fundit mund ta radhitnim Kosovën si një shtet jo normal.
Sa është i drejtë një konstatim i tillë, ku pothuajse të gjitha shtetet në rajon po na dalin jo normale?
Duke marrë parasysh të kaluarën dhe sfidat me të cilat përballen shtetet e rajonit një konstatim i tillë jo vetëm që nuk është i drejtë, por aspak racional. Racionaliteti ynë do të vihet në rrezik nëse mendojmë në ketë formë dhe në ketë mënyrë duke shikuar vetëm njollat e zeza.

Vërtetë i gjithë rajoni e edhe Kosova po kalon nëpër faza të ndryshme të tranzicionit, të shtetëndërtimeve, zhvillimit ekonomik dhe demokracisë funksionale.
Kosova nuk është ajo që ëndërronim ne, nuk është ajo që do të dëshironim që të jetë, por nuk është aspak e drejtë që gjendjen aktuale ta krahasojmë me idealen. As në jetën dhe rrafshin personal askush nuk ka arritur që ti jetësoj e ti bëjë realitet idealet, eh të mos flasim për një shoqëri dhe një shtet.

Kritikat ndaj realitetit dhe pushtetit aktual duhet të jenë prezentë gjithsesi sepse vetëm në ketë mënyrë mund të përparoj shteti dhe shoqëria. Gjendja aktuale dhe rrethanat politike mund të përshkruhen pa emocione dhe folklorizëm patriotik vetëm nëse kemi qasje racionale. Kjo është e ngjashme me gotën që është gjysmë e mbushur me ujë, ku pesimistet e shohin si një gotë gjysmë të zbrazur, ndërsa optimistet si gjysmë të mbushur.E vërteta është se Kosova hyn në radhën e shteteve në zhvillim dhe është në një fazë që mbase ka ngecje dhe gabime të pushtetit, por që edhe opozita ka ndihmuar të jemi këtu ku jemi.

Çdo kritik konstruktive mund të ndihmojë në lëvizjen përpara dhe zhvillimin e proceseve, por jo edhe kritikat destruktive.
Vendi ynë më tepër se kurrë ka nevojë për kritika, eh sidomos në fushën e sundimit të se drejtës që është edhe një ndër sfidat më të mëdha dhe kusht për integrime evropiane. Nuk kemi luftë të njëmend kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk kemi një luftë kundër varfërisë dhe papunësisë. Nuk kemi një luftë kundër punësimit të shumëfishtë nëpër institucionet shtetërore. Nuk kemi pavarësim të gjyqësorit dhe sundimit të ligjit. Nuk kemi një luftë kundër nepotizmit dhe punësimeve familjare. Nuk kemi edhe shumëçka tjetër nuk kemi…por barazia sociale dhe mirëqenia ekonomike janë kushte për zhvillimin ekonomik.
Andaj çdo kritik konstruktive është një hapë para drejtë progresit, përparimit dhe zhvillimit të vendit.

Komuna e Këshilli Evropian ndihmojnë komunitetin REA në Rahovec

0

Komuniteti REA, i cili jeton në komunën e Rahovecit, nga dita e martë i kanë marrë pajisjet e tyre për punë, donacion nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Rahovecit. Përfitues ishin 10 të ri dhe të reja të këtij komuniteti.

Habibe Haxhimustafa, Koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut në komunën e Rahovecit, thotë se në nëntor të vitit 2014 ka qenë mundësia e aplikimit online te Këshilli i Evropës me një projekt. Ky projekt ishte projekt Ballkanik, ku në tërë Ballkanin kanë qenë përfitues 36 komuna nga shtatë shtete, në mesin e tyre edhe komuna e Rahovecit e cila është shpallur përfituese e një projektit.

Haxhimustafa thotë se të gjithë përfituesit e këtyre pajisjeve për punë janë të komunitetit RAE, fillimisht janë aftësuar në Qendrën për Aftësim Profesional në Prizren për tre muaj, aftësimet kishin të bënin kryesisht me saldim, kuzhinieri dhe floktari.

Pas aftësimit të gjithë janë pajisur me certifikata dhe me mjete pune, të aftësuarit do të fillojnë nga një biznes ku me punën e tyre mund të mbajnë edhe familjet e tyre. Nga kjo mund të thuhet se ky është një projekt shumë konkret dhe i arsyeshëm.

Ky projekt ka qenë në bashkëfinancim në mes të komunës së Rahovecit dhe Këshillit të Evropës, vlera e përgjithshme e këtij projekti është 20 000 euro. / PrizrenPress.com

Po vjen java e Bekim Fehmiut

0

Në kuadër të edicionit të dytë të festivalit “Miërdita, dobar dan!” pas prezantimit të skenës kulturore e artistike në Serbi, që do të vazhdojë në Kosovë do të shfaqen edhe filmat të aktorit kosovar Bekim Fehmiut.

Java e Filmit te Bekim Fehmiut do të organizohet në periudhën 06 – 10 Tetor 2015, në dy qytete me rëndësi memoriale në jetën e Bekim Fehmiu, përkatësisht në Prishtinë dhe Prizren. Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë pesë filma nga krijimtaria kinematografike e aktorit Bekim Fehmiu: “Mbledhësit e Puplave”, “Gethi i Gjerë”, “Era”, “Edukimi Special” dhe “Kurthi për Gjeneralin”.

Projekti “Mirëdita, dobar dan!” implementimet nga Integra, Iniciativat Qytetare, Qendra për Politikë në bashkëpunim me KFOS dhe forumZFD.

“Java e Filmit të Bekim Fehmiut” organizohet në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, Kino ABC, Dokukino, KTV, Sarajevo Film Center and Center Film. Ky projekt mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ambasada Zvicerane në Prishtinë, Ministria e Kulturës në Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Java e Bekim Fehmiu

Lumezi: Prokuroria po punon në luftimin e krimit dhe korrupsionit

0

Prokuroria e Shtetit me të gjitha institucionet vartëse është duke u konsoliduar dhe vazhdimisht është duke punuar në hetimin, ndjekjen dhe luftimin e kriminalitetit, në veçanti atij të organizuar dhe korrupsionit. Kështu ka deklaruar, të mërkurën, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në ceremoninë e organizuar me rastin e promovimit të Doracakut të Jurisprudencës.

Ai ka shtuar se janë duke punuar në hartimin e planeve për një punë sa më të suksesshme të Këshillit dhe të Prokurorisë së Shtetit.

“Ne po bëjmë përpjekje për një procedurë sa më efikase penale, duke u kujdesur maksimalisht që të mbrojmë të drejtat themelore të individëve. Normalisht, zhvillimi i procedurës penale brenda suazave ligjore mund edhe të shkaktojë pakënaqësi te palët e përfshira, por në jemi të vendosur që të punojmë shumë në profesionalizimin e prokurorëve tanë në mënyrë që të gjitha rastet t’i kryejmë brenda afateve ligjore dhe të kemi sukses në të gjitha ato akte akuzuese që ua dërgojmë gjykatave”, ka deklaruar Lumezi.

Ai tha se mbesin të angazhuar në zbatimin e drejtë dhe të përpiktë të ligjit sepse sipas tij, kështu mund të rrisim autoritetin e Prokurorisë së Shtetit, të forcojmë respektin e shoqërisë për këtë organ dhe të ndikojmë pozitivisht në harmoninë e shoqërisë sonë.

E sa i përket promovimit të doracakut për provimin e Jurisprudencës, Lumezi ka thënë se ky doracak prek në esencë çdo profesionist të sistemit gjyqësor të Kosovës, si gjyqtarin, si prokurorin ashtu edhe avokatin dhe të gjithë ata që merren drejtpërdrejtë dhe tërthorazi me sistemin gjyqësor.

“Sot, në këtë promovim të Doracakut për provimin e Jurisprudencës po e hedhim edhe një hap drejt krijimit të mundësisë për përfitimin e njohurive juridike për kuadrat e reja që kanë vullnet për tu përballur me detyrën e juristit në institucionet e drejtësisë. Profesionistëve juridik i duhet një doracak që i pajis me njohuri të përgjithshme dhe specifike për sistemin e drejtësisë në Kosovë, por mbi të gjitha atyre iu duhet një doracak që i ndihmon kuptimin dhe aplikimin e drejtë të normave juridike në situatat e dhëna faktike”, ka shtuar ai.

Ai shtoi se vendit tonë nuk i duhet një ndarje e qartë e kompetencave të institucioneve dhe ushtrimi maksimal i diskrecionit profesional të çdo institucioni.

Sipas tij, nëse ndonjëra nga hallkat e gjyqësorit nuk është në nivel të detyrës rrjedhimisht të gjitha organeve tjera u vështirësohet funksionimi./ KosovaLive

Selen Evcit, konsulle e Turqisë në Prizren

0

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovë, Petrit Selimi, ka pritur sot në një takim njoftues Selen Evcit, konsulle e përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, e cila është shoqëruar nga ambasadorja turke në Prishtinë, K?v?lc?m K?l?ç.

Me këtë rast, Evcit ia ka dorëzuar zëvendësministrit Selimi kërkesën për ekzekuaturë, për të ushtruar detyrën e konsulles së Përgjithshme në Prizren.

Pasi i uroi mirëseardhje, zëvendësministri Selimi e njoftoi Evcit për situatën aktuale në Kosovë, si dhe e falënderoi atë për përkrahjen e Turqisë dhënë shtetit të Kosovës, sidomos në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Evcit konfirmoi përkrahjen e Turqisë për Kosovën. Hapja e Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren dëshmon për marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve: të Kosovës dhe të Turqisë. / PrizrenPress.com

Opozita e bashkuar kërkon zgjedhje të reja

0
Liderët opozitarë, kryetari i Vetëvendosje!-s, Visar Ymeri, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe lideri i Nismës, Fatmir Limaj, pas takimit të përbashkët që patën sot, kanë vendosur që tash e tutje të veprojnë të bashkuar edhe në Kuvend edhe jashtë tij.
Të tre liderët kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Mustafa – Thaçi, duke vlerësuar se zgjedhjet të parakohshme janë forma më e mirë për shpëtimin e Kosovës nga e keqqeverisja aktuale. Ata kanë bërë më dije se nga e premtja do të fillojë nënshkrimi i peticionit gjithëpopullur, i cili ka për qëllim kundërshtimin e marrëveshjeve të Brukselit, procesin e demarkacionit me Malin e Zi, mungesën e sundimit të ligjit, keqqeverisjen, shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërinë.
Deklarata e plotë

Duke e pasur parasysh rrënimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës, si territor, ekonomi e shoqëri, rrënim ky i udhëhequr me vetëdije të plotë nga Qeveria aktuale e Kosovës,

Duke i konsideruar negociatat pa parime me Serbinë në Bruksel si të padrejta dhe marrëveshjet e arritura atje (posaçërisht atë për themelimin e “Zajednicës”) si hapa të mëdhenj drejt bosnjëzimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht, falimentimin politik e ekonomik të shtetit të Kosovës,

Duke e konsideruar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi si heqje dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës,

Të shqetësuar me procesin aktual politik i cili po e dërgon Kosovën pashmangshëm drejt thellimit të ndarjes së brendshme territoriale e etnike dhe konsolidimit të Serbisë brenda Kosovës, e në anën tjetër të marrëdhënies speciale e vasale të Kosovës me Serbinë,

Të brengosur me padrejtësitë e shumta që vijnë nga mungesa e sistemit të drejtësisë, si dhe nga drejtësia selektive e dirigjuar prej pushtetit, dhe me mos gatishmërnë e të fundit për t’i luftuar dukuritë negative dhe korrupsionin që po e rrënon perspektivën e qytetarëve tanë,

Të indinjuar me varfërimin, rritjen e papunësisë dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të shkaktuara nga politikat qeveritare, qofshin ato fiskale, tregtare, por edhe ato të sundimit të ligjit,

Të bindur se politikat qeveritare po e zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik, industrial e rritje të punësimit, duke shkuar kështu ndesh me të drejtën e qytetarëve për mirëqenie e dinjitet,

Të vendosur që këtë rrënim dhe falimentim të shtetit si dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as t’i lejojmë së zbatuari,

DEKLAROJMË

Që Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe NISMA për Kosovën,

DAKORDOHEN se

Do të veprojmë si OPOZITË E BASHKUAR në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike.

Do t’i rrisim dhe intensifikojmë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës.

Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik.

Nga fotografia gazetareske, tek ajo artistike e komerciale

0

Thuhet se fotografia vlen sa 1.000 fjalë dhe ajo dokumenton të vërtetën, kap momentin dhe ka fuqi edhe t’i jap kthesë ngjarjeve të ndryshme me një shkrepje, pra është edhe një dëshmi historike.

Ajo ka zgjuar ndërgjegjen e fuqive të mëdha për gjenocide të shumta, ruan momente të rëndësishme triumfi a dështimi për personalitete të ndryshme në botë e edhe kujtimet e secilit prej nesh.

Të gjithë jemi dëshmitarë për jehonën që pati fotografia e djaloshit sirian të vdekur në brigjet e Turqisë para disa ditësh.

Në Kosovë, si në gjithçka tjetër edhe në zhvillimin e fotografisë ka ndikuar situata politike dhe pozita e shqiptarëve në shtetin e atëhershëm jugosllav. Fotografi i mirënjohur, Afrim Spahiu, tregon për KosovaLive si ishin fillet e fotografisë gazetareske në vendin tonë.

“Para lufte, në mbarë botën fotografia realizohej në mënyrë analoge me cilësi dhe nivel të përsosur, jo vetëm në evoluimin teknik por edhe atë artistik. Në Kosovë si pasojë e situatës të vështirë socio-ekonomike dhe represive nga regjimi jugosllav, ku gjithçka që ishte shqiptare shikohej me sy kritik dhe në shumë raste edhe neglizhohej, etiketohej dhe ndalohej me mënyra politike ishte e pamundur që fotografia bashkë me artet tjera të përmbushnin kërkesat e shumë artistëve të devotshëm dhe të pasionuar.

Përkundër gjithë kësaj situate sikur edhe artet tjera pamore edhe fotografia në Kosovë mbijetoi me sukses nga një numër fotografësh të rinj që përjetësonin çdo situatë që ishte mundur për të informuar opinionin mbarëbotëror… sidomos pas viteve të 80-ta dhe 90-ta kur Jugosllavia filloi të tronditet me zhvillimet e hegjemonizmit dhe nacionalizmit serbo-sllav, në Kosovën e trazuar bëhen edhe hapat e para të fotografisë gazetareske, nga fotoreporterë të rinj që fiksuan gati të gjitha ngjarjet, para dhe pas luftës që bën NATO dhe UÇK-ja”, thotë Spahiu.

Në këtë periudhë për të cilën flet Spahiu dallojmë p.sh fotografin Hazir Reka, i cili punoi në Kosovë si reporter në periudhën kohore 1984 e deri më 2008 për agjencitë më të mëdha të lajmeve në botë, përfshirë këtu Reuters, New York Times, Herald Tribune, Liberation, Time, Washington Post dhe Wall Street Journal për t’i mbledhur e ekspozuar më pas këto fotografi në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ekspozitën e tij “Çasti i gozhduar” në vitin 2014.

Foto gazetaresk

Sipas Spahiut sot duke qenë pjesë e revolucionit teknik digjital, rruga drejt artit është e hapur dhe shumë dinamike në të gjitha fushat e zhvillimit kulturor dhe në Kosovë fotografia ka marrë përmasa të formës amatore dhe asaj profesionale, nga del edhe komuniteti i fotografisë artistike që me numër të ekspozitave dhe rezultate të shkëlqyera bën Kosovën pjesë interaktive të kësaj veprimtarie.

Si fotograf i gjeneratës së vjetër, ai mendon që digjitalizimi e ka tjetërsuar fotografinë edhe duke e komercializuar atë.

“Jam i mendimit që është tjetërsuar edhe kuptimi ndaj fotografisë me revolucionin digjital! Fotografitë digjitale nuk prezantojnë kontakte fizike me realitetin, ata realizohen si informata të organizuara të proceseve teknike të automatizuara dhe kompjuterizimit te fotografisë. Natyrisht që është zbehur dhe është e pa shpirt kjo formë e fotografisë, gjë që më kujton brengen e artistëve francezë që kundërshtonin mendimin se fotografia është art!

Nga ana tjetër fotografia digjitale na është bërë pjesë e jetës dhe atë e kemi në çdo pore, diçka e re dhe e domosdoshme për rrugëtimin që ka marrë mbarë bota virtuale duke na e ndërruar edhe mënyrën e jetës dhe të menduarit ndaj imazhit. Fotografia digjitale me mënyrën dhe opsionet e shpejta teknike çdo ditë bëhet pjesë e pandashme edhe shpirtërore. Ajo definon dhe ofron edhe parametra të komercializmit që ka ngritur vlerën e cilësisë dhe aplikimit të pafund në sferën globale”, shprehet ai.

Duke qenë se për shumë njerëz që merren me fotografi në këto kohë kjo veprimtari është edhe profesion i tyre që iu siguron mbijetesën mund edhe të vihet në pikëpyetje se a është fotografia artistike prioritet i fotografëve.

Fotografi i ri, Arber Elezi, tregon për KosovaLive se si puna e tij si fotograf, ashtu si edhe e shumë fotografëve të rinj, nuk lidhet me fotografinë gazetareske, me agjencitë e lajmeve apo me ekspozita të ndryshme, por me sesionet fotografike ku bëhen foto digjitale siç janë ato për dasma, ditëlindje a ngjarje të caktuara.

“Unë punoj me porosi për persona të caktuar që duan të kenë foto-sesione në ngjarje të rëndësishme për ta siç janë dasmat, ditëlindjet apo rastet e tjera. Pas marrëveshjes me klientin së pari caktohet lokacioni sepse duhet përshtatur me ngjarjen që ndodhë, a është dasmë, fejesë apo ditëlindje.. I bëhen përafërsisht 300 ose 400 fotografi, 20 prej tyre përzgjidhen nga stafi ynë, editohen dhe printohen dhe vendosen ne album që të ruhen më mirë, ndërsa fotografitë tjera i jepen klientit në dvd”, sqaron kështu procesin e punës së tij Elezi.

Foto dasme

Ai gjithashtu thotë së nga puna që bën ai mund të jetohet në Kosovë, por duhet të mundohesh të jesh unik, serioz, dhe të kesh pajisje te profesionale që e bëjnë të mundshëm këtë realizim.

Në kuadër të ekspozitave të ndryshme në vendin tonë që organizon Galeria Kombëtare e Kosovës veçohen edhe ato të fotografisë artistike me karakter garues që janë “Gjon Mili”, “Muslim Mulliqi” e “Artistët e së nesërmes”, në të cilat fotografët mund të sfidohen me artin e tyre të fotografisë./Kosova Live/

Djali rreh të dashurën në Prizren

0

Në Prizren është arrestuar një mashkull shqiptar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht një femër me të cilën ishin në lidhje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Policia bën të ditur se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, po në këtë qytet ka ndodhë edhe një rast tjetër dhune. Një person ka njoftuar Policinë se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një tjetër duke pësuar lëndime trupore në hundë. Viktima pas trajtimit mjekësor është liruar ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati. / PrizrenPress.com