Home Blog Page 7104

VV-ja shfryn gomat e veturave qeveritare

0

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar edhe sot aksionet kundër Qeverisë së Kosovës për shkak të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Aktivistë të kësaj lëvizje, ua kanë shfryer gomat e dhjetëra veturave të Qeverisë së Kosovës.

“Sot rreth orës 11:20, dhjetëra vetura të Qeverisë së Kosovës u defunksionalizuan nga aktivistët e Vetëvendosje!-s, duke ua shfryrë gomat. Policia e Kosovës intervenoi me njësitet e saj speciale duke rrahur, lënduar dhe arrestuar aktivistët”, është thënë në njoftimin e VV-së.

Pas këtij aksioni Vetëvendosjes ka bërë me dije se Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të kësaj lëvizje.

“Disa nga aktivistët e arrestuar janë: Gëzon Kastrati, Alban Makolli, Daut Halili, Armend Krasniqi, Vllaznim Krasniqi, Muhamet Merofci, Erden Atiq, Imer Fejza, Uran Hasani, Teuta Hasani, Muhamet Bytyqi, Fatos Sahiti, Kastriot Gërbeshi, Gurjeta Zeka, etj. Disa nga aktivistët e lënduar janë Albana Gashi, Etleva Malushaj, Margaritë Hajrizi, Valon Simnica, etj. Policia është duke përndjekur aktivistët e Lëvizjes nëpër qytet dhe po i arreston e rrah ata kudo që po i takon”, është thënë në njoftimin e VV-së.

Sipas Vetëvendosje-s pushtetarët duan ta defunskionalizojnë shtetin e Kosovës, ndërsa kjo lëvizje ka duan ta defunksionalizojnë qarkullimin e veturave të qeverisë së Isa Mustafë.

“Mustafa po e përdorë për ta jetësuar ‘Zajednicën’, me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës. Mustafa e ka vënë gjithë sistemin shtetëror në funksion të ‘Zajednicës’. Edhe policia e gjyqësia janë bërë jashtëzakonisht efektive kur vije puna t’i arrestojnë dhe dënojnë kundërshtarët e këtij projekti. Kosova po rrezikohet nga funksionimi i kësaj qeverie. Këto rreziqe katastrofike ne na bëjnë të lëvizim. Zajednica’ duhet të ndalohet”, është thënë në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje. /PrizrenPress.com/

Ministri Shala premton investime në Malishevë

0

Sot, në një takim ndërmjet ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, dhe kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Malishevës, në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.

Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Begaj u bisedua për gjendjen në infrastrukturën sportive të këtij qyteti, veçmas për çështjen e stadiumit të futbollit këtij qyteti.

Ministri Shala u shpreh se do të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Malishevës në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive në këtë qytet. /PrizrenPress.com/

Kosova me bllok të fuqishëm lobues për UNESCO

0

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Kosova tashmë ka krijuar një bllok të fuqishëm lobues për anëtarësim në UNESCO.

Fushata për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNESCO, po vazhdon pozitivisht, përderisa fushata e Serbisë kundër këtij anëtarësimi, po zhvillohet me diskurs mjaft negativ, vlerësojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, i cili ka vizituar të martën Selinë e shenjtë në Vatikan, thotë për Radion Evropa e lirë se temë kryesore me zyrtarët e Selisë së shenjtë ka qenë çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Por, sipas tij, një nga shembujt e diskursit negativ të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është edhe deklarata e ambasadorit të Serbisë pranë UNESCO-s, Darko Tanaskoviq.

Ky i fundit ka deklaruar për radion ruse “Sputnjik”, se trashëgimia kulturore serbe nuk është vetëm ortodokse, por edhe e krishtere dhe se “në qoftë se fronti i mbrojtjes do të jetë gjerësisht i krishterë, atëherë edhe efektiviteti i gjithë aksionit do të jetë më i madh”.

Zëvendësministri Selimi thotë se nga autoritetet e Selisë së shenjtë është njoftuar se këta të fundit nuk kanë biseduar me autoritetet serbe lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ata që insistojnë që anëtarësimi i Kosovës është një lloj rreziku për trashëgimin e krishtere – ortodokse në Kosovë, ata nuk kanë bashkëbiseduar me Selinë e shenjtë”.

“Teoritë e ambasadorit Tanaskoviq mbi konfliktin midis islamit dhe krishterimit i takojnë një diskursi tejet të tejkaluar dhe nuk është i Evropës së sotme. Jam i gëzuar që kam pasur takime me ministrin e kulturës, me ministrin e dialogut ndërfetar dhe me zëvendësministrin e jashtëm të Selisë së shenjtë”.

Zëvendësministri Selimi ka shtuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO do të jetë i vështirë, por sipas tij, Kosova tashmë ka krijuar një bllok të fuqishëm lobues në të cilin janë disa dhjetëra shtete, që sipas tij, e dinë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është më i mirë, madje edhe për vet Kishën Ortodokse Serbe, se sa mbetje e Kosovës jashtë kësaj organizate.

Igumeni Sava Janjiq nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhur me çështjen e anëtarësimit ose jo të Kosovës në UNESCO, kjo kishë dëshiron të mbetet jashtë fushatave mediale.

“Ne kemi arsye pse e themi këtë. Më mirë t’i pyesni ata që deklarohen. Por ne, vërtetë nuk mund të komentojmë asgjë për këtë”, tha igumeni Janjiq.

Zëvendësministri Selimi, e konsideron si pozitive mospërfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë në fushatat për ose kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Kisha Ortodokse Serbe dhe kleri në Kosovë, përkatësisht, ipeshkvi Teodosije dhe ati Sava kanë qëndruar jashtë debatit media dhe mendoj se është kontribut pozitiv. Kleri ortodoks, mysliman dhe në përgjithësi, mendoj se ka pak vend që të përzihet në punët që janë të shtetit dhe të ‘tokës’- thënë në terminologjinë teologjike- edhe pse natyrisht, presionet nacionaliste në Beograd janë shumë të mëdha që ta përdorin apo keqpërdorin kishën që ta godasin Kosovën”.

Zëvendësministri Selimi ka shprehur mendimin se Serbia edhe për një kohë do të përpiqet ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por sipas tij do të ballafaqohet me realitetin që, siç thotë ai, ‘nuk mund të ulet në dy karrige”.

“Nuk mundet të bëhet apo të pretendojë që të bëhet fqinje e mirë e Kosovës, në kuadër të bisedave në Bruksel për një ditë, ndërkaq të nesërmen të flas zi e më zi dhe ta gënjejë opinionin ndërkombëtar për Kosovën dhe të tentojë që ta bllokojë atë në organizatat ndërkombëtare”.

Mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, së fundmi ka dhënë edhe sopranoja me famë botërore, Inva Mula, e cila të shtunën ka qëndruar në Prishtinë.

Në shkrimin për botimin diplomatik francez “La Lettre Diplomatique”, Mula, ka theksuar se “është ora që UNESCO t’ua hapë dyert njerëzve të Kosovës”.

Në tetor pritet që Komiteti ekzekutiv i UNESCO-s të votojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ku nevojiten votat e shumicës së thjeshtë apo 51 për qind e votave për rekomandim pozitiv për Kosovën.
Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave.

Ministri Abrashi priti në takim Faik Fazliun

0

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka pritur sot në takim drejtorin e Zyrës të Kategorive të Dala nga Lufta, pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Faik Fazliun.

Abrashi dhe Fazliu në këtë takim kanë diskutuar për udhëzimin administrativ që rregullon procedurat e aplikimit në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të përcaktuara me Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre. Udhëzimi administrativ, tanimë është në diskutim paraprak dhe publik dhe duke u bazuar në rregullat procedurale, gjatë javës së ardhshme do të finalizohet.

Ministri Abrashi dhe Fazliu kanë diskutuar edhe për një sensibilizim më të madh të këtij procesi, pasi që gjatë muajit shtator do të përfundojnë të gjitha procedurat dhe rrjedhimisht hapet rruga për jetësimin e ligjit. /PrizrenPress.com/

Thaçi për 11 Shtatorin: Jemi në zi sot, si 14 vite më parë

0

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme ka shkruar sot në Twitter, për të përkujtuar sulmin terrorist të 14 viteve më parë në New York.

Thaçi me këtë rast ka thënë se ajo që ka ndodhur 14 vite më parë, do të kujtohet përgjithmonë.

“Ne të gjithë sot jemi në zi ashtu sikurse 14 vite më parë, dhe kurrë nuk do t’i harrojmë, gjithmonë do të jemi në krah të të drejtëve dhe trimave”, ka shkruar Thaçi.

Vjeshtë “e nxehtë” për Kuvendin

0

Marrëveshjet e arritura në Bruksel për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por edhe Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, pritet të ngjallin debat të ashpër dhe të përplasë Qeverinë dhe opozitën qysh në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, që pritet të nisë në sesionin vjeshtor më 17 shtator.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pas më shumë se një muaji e gjysmë pritet t’i kthehet punës më 14 shtator, derisa ditë “të nxehta” pritet të jenë për legjislativin qysh në seancën e parë. Opozita i ka dërguar “selam” partnerëve të koalicionit qeverisës se tash e tutje do ta ndërrojë qasjen dhe se do të kërkojë llogari sa i takon marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por edhe për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Por në anën tjetër është Qeveria ajo, e cila zotohet se kryeministri, Isa Mustafa, do të japë një informatë lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel me të filluar punën legjislativi.

Valon Murtezaj, këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i kryeministrit Mustafa, ka deklaruar për “Zërin” se shefi i tij Mustafa qysh në seancën e parë të Parlamentit do të japë një informatë në lidhje me katër marrëveshjet e arritura si për Asociacionin, po ashtu edhe për heqjen e barrikadës tek lumi Ibër, Energjinë e Telekomunikacionin. Sipas tij, të gjithë deputetët e Kuvendit do të kenë mundësinë që të zhvillojnë debat parlamentar dhe të marrin njoftime të detajuara sa i takon marrëveshjeve që janë arritur. /Zëri/

Kurti: Populli duhet të ngrihet në këmbë

0

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka paralajmëruar se partitë opozitare janë duke punuar për mobilizim kudo në Kosovë. Ai thotë se rasti është urgjent.

“Jemi koordinuar deri më tash me partitë opozitare dhe ato, po ashtu, pajtohen se nevojitet një lëvizje popullore për ta çuar këtë Qeveri drejt dorëheqjes e për ta ndaluar kështu edhe asociacionin. Opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje! e ka edhe vullnetin, edhe guximin, edhe besimin për ndryshime, prandaj ajo është shpresa për ndryshime. Mobilizimi duket shumë më i madh sesa në janar, apo në herët e mëparshme. Njerëzit kudo që shkojmë po na luten ta shpallim sa më shpejt protestën, pasi ka padurim për shumë arsye. Nuk janë vetëm asociacioni dhe demarkacioni, por edhe papunësia, rritja e çmimeve, shkatërrimi i shkollave e i spitaleve. Asgjë nuk po shkon mirë”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Kurti ka thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe është një “para-shtet” i krijuar. Sipas tij, me këtë asociacion Kosova po federalizohet.

“Mustafa me dekret qeveritar do ta sajojë një entitet që s’do të mund ta zhbëjmë dot e as ta kontrollojmë mandej”, është shprehur Kurti.

Ndërkaq, duke folur për arrestimet e fundit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, Kurti ka potencuar se arrestimet po e shpërfaqin tendencën e këtyre forcave qeveritare për ta ruajtur pushtetin nëpërmjet dhunës policore.

“Ata po arrestojnë aktivistë për aktivitete simbolike, por po arrestojnë edhe qytetarë thjesht pse shprehin zemërimin e tyre në ‘Facebook’. Por, askush nuk merret me krimin e rëndomtë, aq më pak me fajdetë, me trafiqet, me kontrabandën, me korrupsionin dhe me krimin e organizuar. Në Kosovë vrasësit dhe mafiozët lihen të lirë, ndërsa aktivistët politikë arrestohen. Ky është realiteti i kësaj Qeverie që i shërben mafies njësoj siç u shërben familjarëve të vet”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se kjo Qeveri është përcaktuar ta mbrojë Kosovën nga Lëvizja Vetëvendosje!, e jo nga Serbia, krimi e korrupsioni.

“Prandaj, ajo duhet të bjerë”, ka thënë ish-lideri i VV-së.

Kurti ka bërë me dije se aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje! në kundërshtim të asociacionit do të jenë të përditshme, të paparashikueshme dhe të pandalshme.

“Reagimi ka për të qenë popullor dhe në mbarë Kosovën, e nuk ka për të pasur vetëm protesta”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se projektet e dëmshme të kësaj Qeverie mund të ndalen edhe prej saj, nëse kryeministri Mustafa vendos ta anulojë marrëveshjen.

“Por, siç e njohim ne, ai është një njeri frikacak, që kurrë nuk bën veprime të tilla pa pasur presion të madh popullor. Edhe Jabllanoviqin ai kishte frikë ta hiqte nga pozita e ministrit. Dhe u desh ta detyrojnë qytetarët në protesta masive”, ka thënë Kurti.

Ish-lideri i VV-së e ka porositur kryeministrin Mustafa, se nëse nuk e anulon marrëveshjen për asociacion dhe e shpall veten të pafuqishëm për t’i realizuar interesat e vendit të vet, atëherë le të japë dorëheqje.

“Nuk kemi nevojë për një dordolec në Qeveri, por për një kryeministër që merr përsipër ta përfaqësojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit të vet. Secila Qeveri që do të mund të vijë pas tij, do të përballet me të njëjtin problem. Unë po ju them këtu, se nuk ka rëndësi se cili është emri i kryeministrit, por nëse marrëveshja për asociacion vjen përsëri për miratim, populli duhet të ngrihet në këmbë”, është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se nëse kryeministri aktual nuk e kthen marrëveshjen për asociacionin duke e anuluar atë, atëherë kjo Qeveri nuk do të ketë kohëzgjatje të mjaftueshme për t’i dhënë fuqi asaj marrëveshjeje.

Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën.

“Nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën sepse nëse mosnjohja stabilizohet, ajo do të mbetet aty përgjithnjë. Pas njohjes, duhet të vijë edhe ballafaqimi me të shkuarën, dhe një kërkesëfalje e dëmshpërblimi për humbjet e vuajtjet e luftës dhe okupimit”, ka deklaruar Kurti.

Gashi: Mustafa në qeveri si “pula pa kokë”

0

Analisti politik, Astrit Gashi, në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ku u diskutua për paralajmërimet e protestave kundër qeveritare që po bën vazhdimisht opozita, ka thënë se ekzekutivi aktual nuk ka një plan të veprimit si dhe se kryeministri Isa Mustafa dhe partia që drejton kanë hyrë në qeveri pa një vizion të qartë,

“Në 12 vjet e fundit kjo është qeveria e vetme që nuk ka orientim, Misioni për të cilën është formuar kjo qeveri – Gjykata Speciale dhe dialogu me Serbinë – po shkon drejt fundit”.

“Kjo qeveri nuk ka plan program. Mustafa edhe LDK-ja kanë hyrë në qeverisje si “pula pa kokë” dhe nuk kanë treguar rezultate”.

“Rrëzimi i qeverisë nuk do të duhej të ishte kauzë e protestave të opozitës. Është e vështirë që nga ajo që po thotë opozita të saktësohet kauza që ky bllok ka”, tha Gashi.

A mund të jetë kjo letër shkak për vrasjen në Prizren? (Dokument)

0

Një letër e shkruar dhe e nënshkruar me dorë e ku flitej për një borxh prej 70 mijë eurosh ishte bërë mollë sherri ndërmjet Bernard Përlazrit dhe Hekuran Morinës. Përlazri kishte insistuar që babi i Hekuranit , Begu, rreth dy vite më parë ia kishte marrë hua 70 mijë euro. Por, letra që më vonë është shpallur e falsifikuar edhe nga organet e drejtësisë, e nuk është pranuar si e vërtetë as nga Hekuran Morina, të cilin dyshohet se e vrau Përlazri të hënën në Prizren. Gjatë muajit janar, Hekuran Morina e kishte denoncuar Përlazrin për reket dhe haraç, por ky i fundit ishte lënë i lirë nga Gjykata 7 ditë më parë.
E njëjta letër mund të jetë shkaku kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës të hënën në Prizren, ndërsa Bernard Përlazri po qëndron në arrati bashkë me tre persona tjerë, si të dyshuar për vrasje. Në vendin e ngjarjes, mbetën të plagosur edhe tre persona tjerë, njëri prej tyre vëllai i Hekuranit, Fadil Morina, një tjetër shoqërues i tyre dhe një kalimtar rasti.

“Beg Morina i murr te Bernard Përlazri me 22.01.2015, 70 000 Euro Borgj. Mrena 6 mujve mu kthy borgji”, ky është teksti që përmban letër-marrëveshja e cila pretendohet se u nënshkrua nga dhënësi i borxhit Bernard Përlazri dhe marrësi Beg Morina.

Beg Morina, babai, tashmë i ndjerë, i Hekuranit (40 vjeçar), i cili u vra të hënën rreth orës 20:30 te rrethi në afërsi të lagjes Bazhderhane të Prizrenit, vdiq me 28 Tetor të 2014’ës. Vetëm pak muaj pasi ai u varros, Bernard Përlazri, në Janar të vitit 2015, kishte shkuar për t’i kërkuar djalit të tij Hekuranit, borxhin prej 70,000 Eurosh që gjoja e ka trashëguar nga babai i tij.

Morina i cili bashkë me vëllezërit drejtojnë një biznes të parketit dhe laminatit, të cilin vite më parë e kishte nisur babai i tyre, Begu, kishte refuzuar t’i jepte paratë duke mos pranuar të ketë trashëguar edhe ndonjë borxh nga babai i tij.

Por, Përlazri kishte insistuar të kundërtën, duke ia treguar po këtë letër si dëshmi. Kjo edhe kishte çuar në konflikt fizik mes këtyre dy personave. Më pas, Hekuran Morina kishte denoncuar Përlazrin në Polici, të cilët edhe e kishin kapur këtë të fundit diku rreth dy muaj pas denoncimit.

Bernard Përlazri ishte arrestuar me 23 mars 2015, i akuzuar për vepër penale “Detyrim në Bashkëkryerje në Tentativë”. Ai u mbajt 6 muaj në paraburgim për tu lënë në liri me detyrim paraqitje në Polici me 3 shtator të po këtij viti. Vetëm pak ditë më pas, të hënën e 7 Shtatorit, Bernard Perlazraj dyshohet se qëlloi me armë Hekuranin pas një konflikti të armatosur, shumë afër qendrës së Prizrenit, në lagjen Bazhderhane.

Gazeta Express ka siguruar dokumentin në fjalë, por duke mos konkluduar për vërtetësinë apo falsifikimin e tij.

Ky dokument është parë dhe ekzaminuar nga të gjitha organet e drejtësisë në Prizren, por që sipas Prokurorisë Themelore atje, shkrimi dhe nënshkrimi i këtij dokumenti rezultojnë të mos jenë të Beg Morinës, që në dokument thuhet se i ka marrë borxh Bernard Perlazrit 70 mijë Euro.

“Ajo letër që Perlazrajt e kanë dërguar te Morinat rezulton se shkrimi dhe nënshkrimi nuk është i Beg Morinës. Por nuk vërtetohet se kush e ka shkruajtur”, thuhet në një përgjigje zyrtare për Gazetën Express të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Të njëjtën gjë e kishte deklaruar edhe kushëriri i Hekuran Morinës, një ditë pas vrasjes së tij, Emin Morina. Ai thoshte se nuk bëhej fjalë për borxh por e quante atë reket.

Por, krejt ndryshe pohojnë familjarët e Bernard Përlazrit, i cili vazhdon të qëndrojë në arrati pas ngjarjes së të hënës… /GazetaExpress

11997286-10155981999575335-202676724-n_1441900663-4739028

Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për trafikim me njerëz

0

Policia e Kosovës në operacionin e realizuar në rajonin e Prizrenit, pas një pune hetimore, ka arrit të arrestojë tre persona, të dyshuar për trafikim me njerëz.
“Dy viktimat e identifikuara nga policia janë shtetase të Kosovës (femra/të mitura) të cilat janë duke u trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave”,njofton Policia e Kosovës.

Personat e arrestuar janë:
S. K lindur më 1963, mashkull /shqiptar /Kosovar.
R. K lindur më 1957, mashkull /shqiptar /Kosovar.
SH. B lindur më 1970, femër /shqiptare /Kosovare.

Gjatë këtij operacioni si prova materiale janë sekuestruar:

Një Veturë
Një armë (revole) me gaz
Një jelekë antiplumb
Një Kompjuter
Një ZD memorie e kamerës
1189 euro
Dy pasaporta
Libra dhe fatura të ndryshme/PrizrenPress.com/