Home Blog Page 7105

Ramadan Muja: Supermarketi, Jezu Krishti dhe Çokollata

0

Piotr Bojarzcuk ishte kryetar i trupit gjykues që ia hoqi Ramadan Mujës dënimin me dy vjet burgim me kusht. Ai nuk pajtohet me këtë dhe ka shfaqur mendim mospajtues, por kolegët tjerë të tij ishin të mendimit që rasti i Mujës të kthehet në rigjykim. Kjo është një prej disa ndodhive të pazakonshme në rastin e madh penal të nisur qe para katër vjetësh. Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar rrjedhën e këtij procesi dhe ndodhitë që përfshijnë supermarketin, Jezu Krishtin, përkrahjen politike të Mujës dhe vendimin e Apelit.

“…nuk je në supermarket për të zgjedhur, por në gjykatë,”. Kur Imer Hoxha, gjyqtar në Prizren ia tha këtë kryetarit Ramadan Muja, tregoi për fuqinë që ka autoriteti gjyqësor.
Por që nga 23 tetori i vitit 2013 kur Muja u zmbraps nga ky “urdhër” i gjykatësit, kanë kaluar gati 23 muaj.

Zhvillimet e mëpastajme kanë zbehur fuqinë e këtij deklarimi. E kanë bërë të pavlefshëm.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hoxha i kishte prerë dënimin Mujës. Dy vjet burgim me kusht dhe 30 muaj mosushtrim të funksionit publik.

Por Gjykata e Apelit rrëzoi këtë vendim dhe e ktheu në rigjykim rastin e politikanit që gjyqtari Hoxha mendonte se po sillej si në supermarket.

Gjykatësi ishte nervozuar kur Muja kërkonte mosvazhdimin e seancës, pasi që avokati i tij nuk ishte prezent. Thoshte se ishte nisur drejt Shqipërisë.

Përveç kësaj kërkese, Muja kishte bërë edhe kërkesa tjera paradoksale. Nuk i ishin pranuar, por megjithatë Muja e kishte bërë këtë.

Derisa në vende tjera politikanë që janë pjesë e proceseve gjyqësore tërhiqen nga garat zgjedhore, Muja e kishte bërë të kundërtën.

Kërkoi që të mos shqetësohej nga gjyqi gjatë kohës së fushatës zgjedhore të vitit 2013, ku po kërkonte një mandat të tretë si kryetar.

Muja arsyetonte se po e ndiente veten të pabarabartë në garë pasi që po obligohet të paraqitet në gjyq.
Këtë ndjesi të pabarabarësisë do t’ia zhdukte përkrahja politike.
Hashim Thaçi, kryeministër më 2013 gjatë vizitës në Prizren më 24 tetor, me homologët e tij turk e shqiptar, Erdogan e Rama, e quajti Mujën “kryetar të tashëm dhe të ardhshëm të Prizrenit”.
Parashikimi i Thaçit doli të jetë i saktë.

Dënimi

Ishte marsi i vitit 2014 kur Muja bashkë me të tjerët u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.. Hetimet në këtë rast kishin filluar në shtator të vitit 2011, ndërsa aktakuza ishte ngritur në shkurt të vitit 2013.

Mbi ta rëndonin akuza për keqpërdorime me prona komunale dhe prona shoqërore të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Procesi gjyqësor kishte nisur një vit më herët, më 25 mars të vitit 2013.

I njohur si refuzues i debateve televizive ku kërkohej përballja me kundërshtarë politikë të tij, Muja ishte vënë në siklet edhe nga pyetjet e prokurores kur i bëheshin pyetje lidhur me keqpërdorimin e pronave.

“Zonja prokurore e nderuar po përpiqet që të më vendosë në kryq si Jezu Krishti, mjaft jam torturuar nga prokuroria,” kishte thënë Muja.

Vetëkrahasimi me Jezu Krishtin nuk kishte ndikuar që gjyqi të tregohej më zemërgjerë më të.
E kishte dënuar në kohën kur kishte bërë pak më shumë se 100 ditë si kryetar i Prizrenit në mandatin e tretë.

Muja, për katër pikat e aktakuzës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Dënime u shqiptuan edhe për të tjerët të përfshirë në rastin Muja.

Gjyqi konkludoi se Muja dhe të tjerët i dhanë kundërligjshëm në shfrytëzim pronën biznesit Gulistan një shkollë private dhe biznesit Kamilja një fabrikë e çokollatave.

Kërkesa për dorëheqje

Menjëherë pas dënimit ishin bërë më të zëshme kërkesat për dorëheqje të Mujës nga opozita lokale dhe shoqëria civile.

Ai ishte përballur edhe me një protestë të të rinjve të organizuar nga “Qytetarët Aktiv Për Prizrenin”.
Muja nuk ishte lëkundur.

“…një kërkesë e tillë është shumë naive, sepse ka edhe dy shkallë tjera të gjykatave, është Gjykata e Apelit dhe Supreme atje merren vendimet, unë nuk do të rri në gjumë, do të ankohem,” pati thënë Muja.

Zvarritjet e dyshimta

Avokatët mbrojtës, të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë, asaj të Gjykatës Themelore të Prizrenit, lëndën e kishin apeluar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Kishin konkluduar se vendimi përbën shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Prokuroria në përgjigjen e dërguar në Apel kundërshtoi këtë pretendim.

“Nuk ka mospërputhje në mes të gjendjes faktike dhe përmbajtjes së arsyetimit të aktgjykimit,” thuhej në përgjigjen e prokurorisë ndaj ankesës së mbrojtjes.

Megjithatë, ankesa e bërë në muajin maj të vitit 2014, sipas avokatëve mbrojtës, ishte pranuar tek pas katër muajsh.

Zyra Ligjore e EULEX-it kishte arsyetuar zvarritjen me faktin se ishte dashur kohë për përkthimin e ankesave nga shqipja në anglisht.
Kjo ishte një vonesë e paparë në praktikë edhe pse Kodi i Procedurës Penale nuk parasheh ndonjë afat kohor për dërgimin e lëndës në shkallën e dytë, në rastet kur kemi të bëjmë me personat që nuk janë në paraburgim.

Mirëpo, duke marrë parasysh faktin se vepra penale për të cilën Muja së bashku me pesë zyrtarët komunalë ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit bën pjesë në grupin e veprave penale të korrupsionit, lëndë këto të cilat gjyqësori është zotuar që do t’ i trajtojë me prioritet, vonesa prej katër muajve ishte vonesë e tejzgjatur.

Zvarritjet në lëndën kundër Mujës dhe zyrtarëve tjerë komunalë nuk kishin të ndalur. Për t’ u shqyrtuar ky rast i korrupsionit me “prioritet” në Gjykatën e Apelit nga dita e shpalljes së aktgjykimit u deshën edhe një vit kohë.

Njëjtë sikur te dorëzimi i lëndës, edhe për fillimin e shqyrtimit gjyqësor në Apel, kodi nuk parasheh ndonjë afat kohor kur kemi të bëjmë me personat që nuk janë në paraburgim.

Gjatë kohës sa nuk caktohej gjykimi ndaj Mujës dhe të tjerëve, KALLXO.com, ishte interesuar për të marrë informata se çka po ndodhte me këtë lëndë. Përgjigjja zyrtare ishte “arsyeja pse po shtyhet kjo lëndë në gjykatën tonë është se nuk ka gjyqtar të EULEX-it “.
Pas 15 muaj shtyrje, i erdhi radha edhe kësaj lënde.

Me 9 qershor 2015 në Gjykatën e Apelit u mbajt seanca dëgjimore në të cilën mbrojtësit dhe të akuzuarit i arsyetuan edhe një herë ankesat e tyre dhe e kundërshtuan vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit si gjykatë e shkallës së parë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Apeli vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.

Konkludoi se janë bërë shkelje esenciale të nenit 370 i cili nen flet për përmbajtjen e aktgjykimit.
Sipas apelit, hyrja e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë nuk i përmban plotësisht elementet të cilat përcaktohen me Kodin e Procedurës Penale, pasi që në të është futur në tërësi aktakuza e ngritur nga prokuroria, e që kjo sipas apelit nuk është në përputhshmëri me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, në aktgjykim nuk është emri dhe mbiemri i procesmbajtësit, nëse të akuzuarit kanë qenë të pranishëm në shqyrtim gjyqësor, emri dhe mbiemri i prokurorit të shtetit etj.
Gjykata e Apelit, ka konstatuar se këto shkelje më së miri mund të zgjidhen me ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Pos shkeljeve në hyrje të aktgjykimit, apeli ka gjetur edhe shkelje të nenit 384 paragrafi 1, pika 1.12 të cilat shkelje kanë të bëjnë me dispozitivin e aktgjykimit.
Sipas apelit, aktgjykimi është i pakuptueshëm, i paqartë dhe kundërthënës me arsyetimin dhe faktet vendimtare të paraqitura nga gjykata e shkallës së parë.

Në mënyrë specifike, është e paqartë se cilat fakte dhe veprime janë vërtetuar me cilat prova nga gjykata themelore, sepse nuk ka asnjë përshkrim faktik i cili do të mund t’i qartësonte veprimet e caktuara inkriminuese të të akuzuarit.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, nuk arrin të identifikojë palët e dëmtuara në mënyrë të qartë, e që është arsyeja pse palët e tilla të dëmtuara udhëzohen që të paraqesin kërkesë pronësore-juridike, një mjet juridik të cilin ata kanë të drejtë ta kërkojnë në procedurë civile.
Kryetari i Kolegjit Mendim Mospajtues Për Vendimin e Apelit

Risia më e madhe e këtij rasti, deri më tani asnjëherë i aplikuar në Gjykatën e Apelit nga gjyqtarët vendorë, është mendimi mospajtues i gjyqtarit të EULEX-it, Piotr Bojarzcuk, i cili mendim i është bashkangjitur aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

“Në kundërshtim me aktgjykimin, unë konsideroj se është mjaft e qartë se cilat fakte dhe veprime kanë qenë të vërtetuara nga gjykata themelore. Gjykata themelore në mënyrë të qartë i ka paraqitur arsyet për secilën pikë të aktgjykimit. Unë nuk po shoh mungesë të arsyetimit në vërtetimin e ekzistimit të veprës penale si edhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit,” ka shkruar gjyqtari Bojarczuk në letrën mospajtuese.

Në kundërshtim me gjetjet, gjyqtari i EULEX-it thotë se është mjaft e qartë se kush ka përfituar nga veprimet dhe kush është pala e dëmtuar.

“…për pikën 1 është Minir Krasniqi, Myrvete Qollaku dhe Jetish Avdullahu të cilët kanë siguruar dobinë pasurore në vlerën prej 30.050 euro, për pikën 2 është QE ‘Gulistan’, e cila ka përfituar 20.120 euro për shkak të lirimit nga qiraja dhe për pikën 3, gjykata e shkallës së parë ka pohuar se fabrika ‘Kamila’ ka pasur dobi pasurore në vlerën prej 4.500 eurove në formë të shfrytëzimit pa pagesë të pronës së komunës,” thotë gjyqtari Bojarzcuk.

Ai, në fund shpreh fuqimisht mospajtimin me vendimin e Gjykatës së Apelit, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

“Për mendimin tim, Gjykata e Apelit nuk ka të drejtë që ta anulojë aktgjykimin vetëm për shkak se do të preferonte shqiptimin e një dënimi më të butë, apo më të ashpër. Gjykata e Apelit duhet ta pranojë dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë kur llogaritja e dënimit bëhet brenda intervalit të përcaktuar me ligj. Për këtë arsye nuk ka hapësirë për ta anuluar aktgjykimin në fjalë,” përfundoi gjyqtari i EULEX-it.

Vetë reagimi mospajtues dhe e i paprecedent më parë i gjyqtarit të EULEX-it, i cili ishte edhe kryetar i Kolegjit të Apelit, lë të kuptohet se në rastin Muja brenda trupit gjykues ka pasur vlerësime te ndryshme lidhur me rastin.

Ndërkohë 76 vjeçari Muja, i cili e fitoi “fronin” e të parit të qytetit të Prizrenit në vitin 2007, vazhdon të jetë kryetar i Prizrenit edhe për një mandat katërvjeçar të cilin e fitoi në nëntor të vitit 2013.
Rasti Muja, tani zyrtarisht i kthyer në rigjykim pritet që të vazhdojë në muajin tetor të këtij viti.

Ndërkohë Prokuroria e pakënaqur me vendimin e Apelit dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme.
Nga ana tjetër ende pa vendosur Gjykata Supreme për ankesën e prokurorit se a duhet që lënda të rigjykohet apo t’ i kthehet edhe njëherë Apelit për rivendosje, gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, i cili e gjykoi këtë lëndë në shkallë të parë, duket se është i interesuar që çështjen në rigjykim ta fillojë dhe ta përfundojë brenda muajit të ardhshëm.

Sylë Hoxhaj, kërkon privilegje

0

Kryeprokurori aktual i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, ka vendosur të kërkojë privilegjet si ish-Kryeprokuror i Shtetit.
Kërkesën e tij pritet ta diskutojnë nesër anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Kërkesë për realizimin e të drejtave për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, ushtruar nga Kryeprokurori i Prizrenit z. Sylë Hoxha”, thuhet në njërën prej pikave të rendit të ditës, që do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës/gazeta express/

I vizitojnë punimet dhe gërmimet

0

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi dhe Kulturorë në Prizren, Samir Hoxha bashkë me drejtorin e Institutit Arkeologjik të Kosovës Enver Regja, kanë vizituar punimet e restaurimit dhe konservimit në Kalanë e Prizrenit si dhe gjetjet arkeologjike në Sheshin e Lidhjes.

“Me këtë rast u njoftuam nga udhëheqësi i projektit, arkeologu Shafi Gashi, për ecurinë e deri tanishme të punimeve duke prezantuar të arriturat e shumta gjatë këtij procesi tejet të rëndësishëm”, tha Hoxha.

“Ndërkaq, në lidhje me ecurinë e punëve gjatë gërmimeve në “Sheshin e Lidhjes” u dakorduam që të bëhet një raport i përgjithshëm në lidhje me punët e deri tanishme dhe rekomandimet për hapat e mëtutjeshëm”.

“Gjithashtu ram dakord që në një të ardhme shumë të afërt të bashkëbisedojmë dhe të konsultohemi me të gjitha institucionet kompetente, Komunën e Prizrenit, qytetarët dhe shoqërinë civile për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për monumentin në fjalë”.

“Konsiderohet se është fat tepër i madh gjetja e gërmadhave të qytetit antik të Therandës, i cili supozohet nga autorët antik për në lokacionin ku është Prizreni i sotëm”/PrizrenPress.com/

Rigjykimi i Ramadan Mujës planifikohet të fillojë dhe përfundojë në tetor

0

Pas marrjes së vendimit për rigjykim në rastin e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë nga ana e Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar seancat gjyqësore të këtij rasti.

Gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, i cili e gjykoi këtë lëndë në shkallë të parë, duket se është i interesuar që çështjen në rigjykim ta fillojë dhe ta përfundojë brenda muajit të ardhshëm.

KALLXO.com ka siguruar ftesën e gjykatësit ndërkombëtar për caktimin e seancave kryesore për rastin ‘Muja dhe të Tjerët’.

Mikula, ka caktuar radhazi 8 seanca gjyqësore për këtë rast.

Seancat gjyqësore pritet të fillojnë më 7 tetor, të vazhdojnë më 8, 9, 12, 13, 14, 15 dhe të përfundojnë më 16 tetor.

Kur dhe si e njoha Xhavit Halitin

0

Shkruan: Shani Berisha.

E kaluara historike e popullit Shqiptar në për shekuj, ishte e mbushur për plotë me ngjarje e përpjekje të vazhdueshme të gjeneratave të për liri e pavarësi. Personalisht jam njëri nga ata i gjeneratës sw këthesava të mëdha të popullit tonë , e njohur në histori si gjeneratë e Demonstratave Studentore të vitit 1981.
Jo se para këtij viti nuk ka pasu përpjekje të popullit tonë për liri e pavarësi. Por viti 1981 padyshim që në historinë e popullit Shqiptar të Kosovës ( e më gjërë) do mbetet si vit i kthesave dhe orientimeve pozitive këmbëngulës për çlirimin e Kosovës.

Si pjesëmarrës aktiv i këtyre demonstratave dhe, njëkohësisht edhe si anëtar i organizatës ilegale politike të asaj kohe, në tetor të viti 1981 burgosem dhe, pas një procesi gjyqësor dënohem me tre vite burg .

Pas plotëfuqizimit të aktgjykimit të shkallës së parë nga gjykata e shkallës s’dytë( e KSAK) si shumica e të dënuarve transferohem në burgjet e ndryshme të ish- Jugosllavisë. Rruga e transferues sime nga burgu i Prizrenit e deri në burgun famëkeq të Gospiqit në Kroaci, aq sa ishte e gjatë aq ishte edhe e mundimshme. Pas qëndrimit tetë mujor në këtw burg transferimin e dytë do do ta kem në vjeshtën e viti 1982,dhe atë duke më dërguar në burgun tjetër shumë ma famëkeq të asaj kohe ‘Staragradishka. Këtu, pos që do takojë bacën Adem e shumë të burgosur tjerë politik të rinisë Kosovare, do takohem dhe do shoqërohem në veçanti me Xhavit Halitin.Në ditët e para Xhaviti në stilin e vet çfarë e ka edhe sot, i heshtur fjalë pak,me sjellje shumë të kujdesshme dhe i kulturor me shok.

Xhavit Haliti,siç e quajn politikani fjalë pak, e takova dhe e njoha për herë të parë në burgun e Staragradishkës në vitin 1982.

Pas daljes sime nga burgu në tetor të 1984, kuptova se për një kohë Xhaviti ishte strehuar në një pikë të ilegales në Prizren në lagjen e nënkalas.
Vitet pas 1985 Xhavitin e gjejnë si emigrant politik në shtetin e Zvicrës,ku roli i tij në këtë kohë në unifikimin e organizimin faktorit politik shqiptar do të jetë shumë domethënës.

Personalisht në përmjet njerëzve të besueshëm të kohës,komunikimi dhe vazhdimi bashkëpunuesi i imi me Xhavitin ishte si ecje e bashkëpunimit politik ilegal për lirinë e atdheut në mes njerzve të lidhur nga besimi i krijuar në ditët ma të vështira të jetës.

Në vitet 1986/87 Xhaviti do jetë njëri nga anëtarët më me ndikim në kuadër të LPRK-së, organizatë që në vitet e ardhshme do jetë themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në qytetin e Prizrenit pos disa shokëve tjerë isha njëri nga ata që mbaja kontakte të karakterit politik me Xhavitin tani më me pseudonimin “Zeka”.

Vitet e pas 1990, personalisht për shkak të përndjekjes politike do më gjejnë në shtetin e Zvicrës,kontaktet e mija me Xhavitin më do jenë të rregullta dhe me qëndrime konkrete.

Në vitet 1996/97 tani më me instruksionet e Zekës ,edhe në Komunën e Prizrenit u themeluan celulat e para e UÇK-së.
Kontributi përkrahës i këtij personaliteti në formimin, zhvillimin dhe ,shtrirjen e UÇK-së për Komunën e Prizrenit edhe në vitet 1998/99 ishte e do mbetet i madh.

Vitet e pas luftës na gjetën së bashku me ni subjekt politik PDK-në.Atëhere ishte bindja ime se, e tëra ajo që kishte ndodhur në të kaluarën në kuptimin e bashkëpunimit e besimit politik, nuk kishte pse mos të vazhdohej edhe në kohë paqe. Atëherë kam besuar dhe nuk kish dyshime , se me ata të cilët u njoha dhe bashkëpunova në momentet më të rënda të jetës sime ,duhej që edhe ma tutje të vazhdohet me betejat ardhshme politike për atë për të cilën shumë qka kishna dhëna nga vetvetja.

Sot më në organizimin politik nuk jemi bashk.
Sot e shumë vite të kaluara më as kafe nuk kemi pirë bashkë.
Sot e shumë vite, me shpirt e zemër i thyer jam, për mënyrën se si është duke u ngritur shteti ynë, i krijuar si rezultat e përpjekjeve e sakrificave të shumë djemëve e vajzave të Kosovës..

Sot e shumë vite të kaluara , shohë dhe përjetoj në përditshmëri ,veprimin e disave që pa mëshirshëm shkelin dhe baltosin mbi të kaluarën dhe të ardhëmen tonë .—-Përkundër kësaj.

Sot vazhdoj të kam konsideratë të paluhatshme për të kaluarën e angazhimin politik e diplomatike të ktij personaliteti për lirinë e atdheut,që pa dyshim mund të konsiderohet si ambasador i parë që krijoji ura bashkëpunimi me diplomacinë ndërkombëtare për qështjen e Kosovës.
Sot, edhe në të ardhmen, teorive monstruoze e të paqëndrueshme, të ngritura për këtë njeri nga ata që kur sja dashtën të mirën atdheut nuk u besojë, sepse e njohë nga e kaluara.

Sot unë, njeri nga ata që s,bashku si me shumë të tjerë dhe me këtë personalitet( siq e quajn politikan që edhe kur të heshtë thotë diqka) ,kam kaluar ditët ma të rënda por edhe krenare të jetës sime , do dëshiroja që të mbetet ai qysh e njoha në për vite e dekada .
Sot unë, dua të besojë se një ditë ky njeri do të fletë,sepse nuk mund të heshtë në pa kufi.
Sot unë, besojë se ky njeri duhet të fletë, sepse ka qka për të thënëSot e në të ardhmen, dua të besojë në të vërtetën, se ata që po poshtërojnë e po shkelin mbi mundin e të tjerëve në emër të një fitore politike , do ta kenë një fund, e fundi i tyre do jetë i dhimbshëm e tragjik.
O zot, pak mëshirë për këta keqbërës e keqpërdorues të fitores e të lirisë së atdheut tonë.!!!

.

Dy ashkali shqetësojnë Prizrenin me të shtëna armësh

0

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj ashkali në Prizren pasi që të njëjtit kanë shtënë me armë zjarrin në mënyrë të pakontrolluar.

Gjatë të shtënave një plumb qorr ka rënë mbi shtëpinë e viktimës femër.

“Në vend-ngjarje është gjetur dhe konfiskuar arma e tipit CZ dhe 7 gëzhoja të cal. të panjohur”,njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Nuk raportohet për të lënduar./PrizrenPress.com/

Opozita përçahet për ‘Zajednicën”

0

Shoqëria civile në vend e sheh si pak të mundur bashkëpunimin në mes partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tyre duke parë reagimet dhe qëndrimet e ndryshme lidhur me protesta dhe veprime të tjera jashtë parlamentit është e vështirë të mendohet se Vetëvendosje, AAK dhe Nisma të shndërrohen në një grup të vetëm opozitar.

Por përfaqësues të Vetëvendosjes deklarojnë se partia e tyre është e hapur që të bashkëpunojë me dy partitë tjera që janë në opozitë.

Frashër Krasniqi nga kjo parti tha për KosovaPress se që prej se ka filluar sesioni pranveror dhe janë konsoliduar institucionet, subjekti që ai përfaqëson ka qenë i hapur për të bashkëpunuar me dy subjektet e tjera opozitare dhe se njëjtë do të vazhdojnë të veprojnë edhe në këtë sesion vjeshtor.

“Lëvizja Vetëvendosje sidomos gjatë këtij mandati vazhdimisht veprimet e veta i ka bërë bashkë me partitë tjera opozitare, në njëfarë mënyre i ka organizuar opozitën që të reagoj fuqishëm ndaj projektit, kështu që nuk kemi arsye kësaj radhe të mos bashkohemi aq më tepër kur zërat kundër ‘Zajednicës’ janë të shumtë gjithandej jo vetëm në spektrin politik në Kosovë, por edhe në shoqëri. Ne do të përpiqemi t’i organizojmë gjithë këta zëra dhe bashkë ta kundërshtojmë fuqishëm këtë ‘Zajednicë’.

Kurse për veprimet konkrete në Kuvend me siguri se do të njoftoheni kur të vij koha pasi kjo çështje do të diskutohet në grupet parlamentare”, tha Krasniqi.

Mirëpo këtë mendim nuk e ndajnë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve tashmë kanë filluar plasaritjet e para të opozitës.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike, tha për KosovaPress se aktualisht ka një plasaritje të opozitës, dhe kjo mund të kuptohet nga veprimet që këto subjekte po bëjnë lidhur me kundërshtimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Sipas tij veprimet e Vetëvendosjes për të kundërshtuar Asociacioni nuk po gjejnë përkrahje edhe nga AAK dhe Nisma.

“Në relacion me asociacionin duket se ka njëfarë thyerje të lehtë të partive opozitare ndërmjet veti për faktin që AAK dhe Nisma nuk janë të interesuar që t’i bashkëngjiten kursit të Vetëvendosjes, kurse në anën tjetër Vetëvendosja nuk dëshiron që të sheh asnjë kufi në relacion me kundërshtimin e Asociacionit, dhe kjo thyerje e lehtë në fakt e opozitës është tregues se jo detyrimisht partitë opozitare janë të bashkuara kur vjen çështja e përfaqësimit të ideve dhe opsioneve edhe në Kuvend të Kosovës”, tha Korenica.

Përkundër që këto tri subjekte opozitare nuk përdorin instrumentet e njëjta për të kundërshtuar veprimet qeveritare, Korenica nuk përjashton tërësisht mundësinë e bashkëpunimit në Kuvend në mes tyre, e kjo mund të ndodh sidomos në kundërshtimin që këto subjekte i kanë bërë e vazhdojnë t’i bëjnë themelimit të Gjykatës Speciale.

Në anën tjetër ata që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës Instituti Demokratik i Kosovës, duke parë monitorimet e bëra gjatë seancave të sesionit të kaluar, thonë se ka pasur raste kur treshja opozitare nuk ka qenë e një mendimi kur ka qenë puna për të votuar vendimet e rezolutat e paraqitura para deputetëve.

Sipas Albert Krasniqi ka pasur disa raste kur AAK dhe Nisma për dallim nga Vetëvendosje kanë votuar sikurse edhe pozita.

“Në disa raste të tjera që ne i kemi vërejtur gjatë monitorimit, janë votimet e AAK-së. Në disa raste grupi parlamentar është deklaruar kundër një vendimi të cilët kanë qenë kundër asaj që ka përkrahë koalicioni qeverisës, por deputetët e AAK kanë votuar njëjtë sikurse deputetët e koalicionin qeverisës”, tha Krasniqi.

Ajo çka është deklaruar gjatë këtyre ditëve dhe veprimet e ndërmarra nga opozita sipas Krasniqit lënë hapësirë për të kuptuar se në këtë sesion do të mund të presin një opozitë më pak të konsoliduar./telegrafi/

Një zbulim i bujshëm mbi paraardhësit e njerëzve

0

Shkencëtarët kanë zbuluar një specie të re të ngjashme me njerëzit në një sistem shpellash në Afrikën e Jugut.

Zbulimi i 15 skeletëve të pjesshëm është më i madhi i këtij tipi në Afrikë.

Sipas BBC, shkencëtarët thonë se ky zbulim do ndryshojë idetë tona në lidhje me paraardhësit e njerëzve.

Studiuesit thonë se të dhënat tregojnë se këta individë ishin në gjendje për sjellje rituale.

Ata ende nuk mund të përcaktojnë se sa gjatë kanë jetuar këto krijesa, por udhëheqësi i ekipit, profesor Lee Berger tha për BBC se mendohet se ata mund të jenë të parët e llojit tonë (genus Homo) dhe mund të kenë jetuar në Afrikë rreth 3 milionë vjet më parë.

Të quajtur “naledi”, këto krijesa mund të jenë ajo që quhet edhe lidhja e munguar, ose ndryshe ‘ura’ mes primatëve primitivë dhe njerëzve.

Profesor Chris Stringer nga “Natural Histori Musem” thotë se ky zbulim është i një rëndësie të jashtëzakonshme.

“Ajo që ne po shohim është se ka gjithmonë e më shumë specie që sugjerojnë se natyra po eksperimentonte se si të evoluonte njerëzit, duke rritur disa krijesa të ngjashme me njerëzit, në mënyrë paralele, në vende të ndryshme të Afrikës. Vetëm një linjë mbijetoi përfundimisht, duke sjellë rritjen tonë,” tha ai.

Homo naledi nuk janë si të tjerët njerëz primitivë të gjetur në Afrikë.

Ata kanë një tru të vogël, sa i një gorillë, dhe legen e shpatulla primitive.

Por kanë një kafkë më të avancuar, dhëmbë relativisht të vegjël, këmbë të gjata karakteristike dhe shputa moderne.

Eshtrat e zbuluara janë në gjendje shumë të mirë, ndërsa për të hyrë në ‘dhomën’ ku ishin varrosur u desh të përdoren gra me trup të vogël.

Jahjaga pritet me nderime të larta në Shqipëri

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nisi vizitën zyrtare në Tiranë, ajo mbërriti në Presidencë në orën 10:00, ku u prit me një ceremoni zyrtare.

Pas ceremonisë së mirseardhjes Presidentja e Kosvës nisi një takim kokë më kokë me presidentin Bujar Nishani pa praninë e medias, ndërkohë që edhe delegacionet do të kenë një takim në orën 10:30. Në orën 11:20 do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp.

Ndërkohë mësohet se pas takimit me Nishanin Kryetarja e shtetit të Kosovës do takohet me kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta.

Filmat më të mirë të vjeshtës 2015

0

Aksione, drama, komedi dhe filma romantikë; vjeshta e 2015 sjell disa nga filmat më të bukur të këtij viti.

Everest

A mund të jetë ky “Gravity” i këtij viti? Një triller 3D për aventurën dhe shkatërrimet, “Everest” është vendosur jo në hapësirë, por në një mal të lartë. Bazuar në një incident real të vitit 1996, kur një përpjekje për të ngjitur malin Everest përfundoi në katastrofë, filmi mban regjinë e Baltasar Kormakur. Në të përshkruhen përpjekjet e dëshpëruara për të mbijetuar të dy grupeve të alpinistëve. Ai do të dalë në kinema më 18 shtator.

The Martian

Një tjetër film hapësinor i Ridley Scott, por kësaj here frymëzuar nga një roman i Andy Weir, “The Martian”, ka në qendër të tij aktorin e njohur, Matt Damon. Ai luan rolin e një astronauti që mbetet në Mars dhe duhet të përdorë çdo aftësi të tijën për të mbijetuar. Me aktorë të tjerë si Jessica Chastain, Chiwetel Ejiofor, Kristen Wiig dhe Jeff Daniels, filmi premton më shumë sesa thjesht një argëtim të vetëm një protagonisti. Premiera botërore e filmit do të jetë festivali në Toronto.

The Intern

Aktorja e njohur nga “Djalli vishet me Prada”, Anne Hathaway, është në filmin e ri të regjisores Nancy Meyers, një drejtoreshë e një kompanie online mode. Një praktikant i ri në eksperiencë, por i vjetër në moshë, pranë kësaj firme është Robert De Niro. Ky i fundit fillon të përshtatet me modën e re dhe mënyrën aktuale të funksionimit të gjërave. Filmi do të dalë në SHBA më 25 shtator.

Burnt

Bradley Cooper shfaqet kësaj here si një shef kuzhine me shumë pikëpyetje. Nën një dramë romantike, ndaj tij ekziston presioni për t’u bërë një nga kuzhinierët më të mirë në botë. Në film luajnë emra të njohur si Sienna Miller, Uma Thurman, Alicia Vikander dhe Emma Thompson. Premiera do të jetë më 23 tetor.

By the Sea

Ndryshe nga dy filmat e mëparshëm të regjisores Angelina Jolie, këtë herë ajo edhe aktron në realizimin më të ri dhe të shumëpritur. Filmi është një bashkëpunim me bashkëshortin e saj, Brad Pitt, plot 10 vjet pas filmit aksion Mr & Mrs. Smith. Historia e një çifti që kalon vështirësi gjatë pushimeve në Maltë do të shfaqet në kinema më 13 nëntor.

Star Wars: The Force Awakens

Një super realizim me regji të J. Abrams, filmi i ri “Star Wars” do të përmbajë çdo aktor të shumëpaguar të Hollivudit. Nga Harrison Ford te Carrie Fisher dhe Mark Hamill, si dhe fytyrat e reja si John Boyega, Adam Driver, Oscar Isaac dhe Lupita Nyong’o, filmi premton të marrë vëmendje maksimale nga adhuruesit. Në kinema nga 18 dhjetori.

Grandma

Lily Tomlin po shijon një karrierë të re falë serive televizive në Netflix nën titullin “Grace and Franki”. Filmi tregon jetën e një poeteje lezbike që udhëton me mbesën e saj adoleshente për të mbledhur fonde për abortin e kësaj të fundit. Ky është roli i parë protagonist i Tomlin pas 27 vjetësh, shkruar për të nga regjisori Paul Weitz. Ajo madje nget makinën e saj, një Dodge Royal të vitit 1955. Në kinema nga 11 dhjetori.

The Good Dinosaur

Një film vizatimor nga Pixar, “The Good Dinosaur” do të jetë i dyti për këtë vit pas “Inside Out”. Filmi tregon aventurat e një dinozauri dhe një fëmije, të cilët miqësohen së bashku nën frymën e natyrës. Një realizim mjaft i arrirë që pritet të tërheqë vëmendjen e fëmijëve nga e gjithë bota. Në kinema më 25 nëntor.

Black Mass

Me lojën e veçantë të një aktori shumë të kërkuar si Johnny Depp, filmi “Black Mass” i tejkalon rolet e tij dhe e vë atë në ekranet botërore si një gangster irlandez-amerikan që kërkon të ngjitet në botën e krimit të Bostonit. Një realizim origjinal dhe shumë i veçantë, filmi i Scott Cooper do të dalë në kinema më 18 shtator.

Carol

Një film i mrekullueshëm dhe shumë sensual, “Carol” është përshtatja e regjisorit Todd Haynes nga romani i vitit 1952, “Princi i Kripës”. Historia tregon dashurinë midis një shitëseje në dyqan dhe ndihmëses së saj, luajtur nga Cate Blanchett. Marrëdhënia e tyre bëhet shumë e vështirë dhe e dhimbshme, aq sa tensioni bëhet i padurueshëm. Luajtur me mjeshtëri aktori dhe nën sfondin e viteve të shkuara, filmi rikthen histori të parrëfyera. Premiera e tij do të jetë data 20 nëntor.

Hunger Games: Mocking jay 2

Nën të tjera aventura, aktorja e njohur, Jennifer Lawrence, nën rolin e Katniss shkakton një revolucion të thellë në radhët e qeverisjes autokratike të vendit të saj. Një film që mezi po pritet nga audienca dhe të cilin do ta ndiqni në kinema më 20 nëntor. Burimi: “Guardian”. /Gazetashqip.com/