25.9 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025
Home Blog Page 7230

Kujdes me asociacionin e komunave serbe

0

Prishtine beogradNjohës të çështjeve të pushtetit lokal dhe atyre politikë kanë kërkuar nga delegacioni i Kosovës të ketë kujdes kur është në pyetje statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë për “Epokën e re” se, në kuadër të diskutimeve për asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të trajtohen me kujdes dy çështje. “E para, duhet të ruhet sistemi njëshkallësh i qeverisjes në Kosovë. Pra, mos të krijohet edhe një nivel tjetër qeverisës, në këtë rast asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet as të duket e as të jetë nivel tjetër i qeverisjes lokale. E dyta, me Kushtetutë dhe të gjitha ligjet në fuqi të cilat i kemi, përgjegjësitë për ushtrimin e kompetencave i kanë komunat si njësi dhe si person juridik”, ka deklaruar Tahiri. Ai ka thënë se delegacioni i Kosovës në dialog duhet të jetë i palëkundur kur është në pyetje një shkallëshmëria e qeverisjes në Kosovë.

“Në këtë kuptim asociacionet gjithkund në botë kanë rol kryesisht të lehtësimit, të koordinimit të politikave dhe kompetencave që komunat i ushtrojnë. Ky është standard ndërkombëtar dhe delegacioni i Kosovës në dialog duhet të jetë i palëkundur sepse, në të kundërtën, do të dëmtohet seriozisht sistemi qeverisës në vend, në të njëjtën kohë edhe sistemi i pushtetit lokal në Kosovë”, është shprehur Tahiri.

Tahiri ka vlerësuar se në parim Kosova nuk do të duhej të kishte më shumë se një asociacion për shkak se, sipas tij, asociacioni i komunave të Kosovës do ta përmbushte lobimin dhe detyrimet që i ka një asociacion për të gjitha komunat. “Megjithatë, me Kushtetutë ne i kemi dhënë mundësi themelimit të më shumë asociacioneve, që mendoj se ka qenë gabim. Dhe meqë është kështu, duhet të ketë kujdes maksimal në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili nuk duhet t’i japë përgjegjësi ekzekutive këtij asociacioni. Në qoftë se me statut i jep kompetenca ekzekutive, atëherë problemi shkon më tej dhe lidhet me ligjet e tjera të cilat i japin përgjegjësi pushtetit lokal. Këtu kemi të bëjmë me Ligjin për financat lokale dhe Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar”, ka thënë Tahiri, duke shtruar se debati rreth asociacionit duhet të fokusohet në kompetencat e tij, e jo se ku do ta ketë zyrën. “Në Bruksel janë rreth 750 zyra të asociacioneve të rajoneve të ndryshme të cilat i mbrojnë interesat e anëtarësisë së vet. Vetëm Franca i ka 20 asociacione. Kjo nuk është temë. Nëse kanë para për të lobuar, s’ka kush i ndal, siç nuk mund ta ndalësh as asociacionin e komunave të Kosovës. Problemi nuk është se a do të hapet zyra e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por problemi është sa a interferon ky institucion në sistemin njëshkallësh qeverisës të Kosovës dhe a merr kompetenca ekzekutive”, ka thënë Tahiri.

Kursani: Kosova nuk duhet ta negociojë asociacionin me Serbinë

Edhe njohësi i çështjeve politike, Shpend Kursani, ka folur për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë për “Epokën e re” se delegacioni i Kosovës në dialog me Serbinë në Bruksel nuk duhet të pranojë të negociojë për çështjen e këtij asociacioni. “Sa i përket krijimit të asociacionit të komunave me shumicë së pari, meqenëse kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe ka të bëjë me qytetarët serbë të Kosovës, kjo temë nuk do të duhej të negociohet me Serbinë sepse në momentin kur negociohet me shtetin serb, atëherë e bën këtë shtet hisedar në dhënien e propozimeve dhe bërjen e kërkesave se çfarë duhet të përmbajë ky asociacion. Nëse kjo çështje negociohet me Serbinë, ku mund të sigurohemi ne se ky asociacion mund të jetë i ngjashëm me këtë të komunave të Kosovës sipas ligjeve dhe Kushtetutës?”, ka deklaruar Kursani.

Ai ka vlerësuar se në momentin kur kompetencat e këtij asociacioni do të negociohen me Serbinë atëherë, sipas tij, medoemos do të ketë më shumë kompetenca shumë më të mëdha sesa lejohet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Mendoj se problemi do të jetë disa nga kompetencat ekzekutive që do të mund t’i marrë ky asociacion dhe të cilat Serbia është duke u munduar t’i shtyjë në statutin e asociacionit të komunave me shumicë. Ky statut mund të bëhet një lloj kushtetute e improvizuar e serbëve të Kosovës dhe kësisoj mund ta krijojnë një nënshtet brenda Kosovës, pra një autonomi shumë më të madhe e cila do të lidhet shumë më shumë me Serbinë sesa me Kosovën. Prandaj, ata që negociojnë me Serbinë, edhe nëse shtyhen nga BE-ja, nuk duhet të pranojnë ta bëjnë një gjë të tillë, por duhet ta pranojnë një statut të këtij asociacioni në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës”, është shprehur Kursani, duke shtuar se kryeministri Isa Mustafa nuk mund të refuzojë kurrfarë kërkese të bashkësisë ndërkombëtare kur është në pyetje asociacioni i komunave me shumicë serbe. “Do të duhej që negociatorët e Kosovës të rezistojnë çfarëdo presioni, mirëpo në situatën konkrete nuk besoj se kryeministri mund ta refuzojë çfarëdo kërkese të bashkësisë ndërkombëtare, sepse ky kryeministër nuk mund të refuzojë asgjë për shkak se ia kanë përmendur veprat penale të tij. Isa Mustafa e di se, nëse nuk e dëgjon komunitetin ndërkombëtar, ai mund të përfundojë në burg. Kështu që, çfarëdo që të kërkojë komuniteti ndërkombëtar, është amnisti për Isa Mustafën të qëndrojë në liri”, ka thënë Kursani.

Ndërkaq ministrja e Shtetit, Edita Tahiri, në një intervistë për “Epokën e re” pati deklaruar se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Çështja tjetër që do të diskutohet në dialog, është asociacioni i komunave me shumicë serbe, përkatësisht duhet të diskutohet një plan për zbatim, i cili lidhet me përmbajtjen e statutit të ri të këtij asociacioni. Sipas marrëveshjes së Brukselit, asociacioni duhet të krijohet në bazë të ligjeve ekzistuese të shtetit të Kosovës. Ky asociacion nuk do të ketë asnjëherë kompetenca ekzekutive, sepse Kushtetuta dhe Ligji për vetëqeverisje lokale e përcaktojnë qeverisjen në dy nivele, qendror dhe lokal. Pra, nuk ka ndonjë nivel tjetër ekzekutiv”, ka deklaruar Tahiri.

30 aksidente me 15 të lënduar nga reshjet e borës

0

aksident ne borReshjet e mbrëmshme të borës që ra në Kosovë kanë shkaktuar një numër të madh të aksidenteve.

Sipas Policisë së Kosovës që nga ora 21:00 e së dielës e deri më tani në gjithë Kosovën janë shënuar 30 aksidente trafiku me rreth 15 të lënduar.

Reshjet e mbrëmshme të borës që ra në Kosovë kanë shkaktuar një numër të madh të aksidenteve.

Policia e Kosovës është në teren dhe numri i aksidenteve mund të ndryshojë.

Ndërkohë që Policia u ka bërë thirrje ngasësve të veturave që të mos dalin pa pajisjet e duhura dhe të papërgatitur në rrugë./Gazeta Express/

Kontrabandim me emigrantë

0

PrangaPolicia e Kosovës ka raportuar se është ndaluar në pikë kufitare i dyshuari, mashkull boshnjak, me veturën e tij, derisa ka qenë së bashku me katër meshkuj shqiptarë, të cilët kishte tentuar t’i kontrabandojë në drejtim të shteteve të Evropës. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa, katër personat meshkuj shqiptarë, të cilët kanë qenë me të dyshuarin janë kthyer mbrapa dhe nuk janë lejuar të kalojnë kufirin. Po ashtu, Policia ka njoftuar se edhe në fshatin Rogoçicë të Kamenicës, derisa Policia ka ndaluar katër të dyshuar meshkuj shqiptarë të cilët me vete kishin dy krerë lopë, të cilat kanë qenë duke i kontrabanduar.

Të dyshuarit pasi që janë takuar me patrullën policore kanë filluar që t’i sulmojnë fizikisht dhe me mjete të forta zyrtarët policorë. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje, ndërsa tre të dyshuar të tjerë kanë ikur në drejtim të panjohur. Një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore, i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor.

Kamishi bën “luftë” për dhëndrin

0

KamishiDeputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i njohur në opinion me nofkën “Kamishi”, ka nisur “Misionin e Ri” për rehatimin e dhëndrit të tij, Bajram Jashari, në krye të një ndërmarrjeje shumë të rëndësishme publike “Ibër Lepenc”.

Kjo ndërmarrje deri muajin e kaluar ishte udhëhequr nga bashkëpartiaku i Haxhiut, Hajdar Beqa. Por, që ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga pozita, pasi është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës.

Pas largimit të tij, me kërkesë së MZHE-së bordi i kësaj ndërmarrjeje si ushtrues të detyrës e ka përzgjedhur Demë Abazin, i cili deri më tash ka pasur pozitën e drejtorit në njësisë afariste “Ujitja”, mirëpo ky i fundit po kundërshtohet fuqishëm nga “Kamishi” dhe dhëndëri i tij Bajram Jashari, i cili njëkohësisht është sekretar i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, si dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve në Ujësjellësin Regjional “Prishtina”/zeri/

Thaçi në Mal të Zi: Mbështetje dhe protesta

0

Hashim thaci 4Shoqata e të shpërngulurve në Mal të Zi ka ftuar qytetarët që në numër sa më të madh t’i përgjigjen protestës kundër ardhjes së zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi në vizitën zyrtare që është paralajmëruar në Mal të Zi më 15 dhe 16 janar. Në anën tjetër Shoqata e Malazezëve të Kosovës e ka përshëndetur këtë vizitë.

“Mali i Zi pa dyshim gjithnjë ka qenë faktor i qetësisë në rajon dhe kjo vizitë është vazhdim i kësaj politike. Në anën tjetër, nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe pjesëmarrja në iniciativat rajonale të Kosovës çdo ditë e më shumë tregon shenja të njëjta. Besojmë se vizita e Thaçit do të sjellë qetësi dhe stabilitet në rajon që është edhe qëllimi ynë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së malazezëve të Kosovës.

Kjo shoqatë e ka lëshuar këtë komunikatë pasi që lidhja e të shpërngulurve në Mal të Zi do të organizojë protestë të qetë para vilës “Gorica” në Mal të Zi kundër siç thuhet “ ardhjes së kriminelit të luftës dhe terroristit të UÇK-së, Hashim Thaçi”, raportojnë mediat.

Në anën tjetër sipas malazezëve të Kosovës kjo vizitë do të përmirësojë kushtet e malazezëve që jetojnë në Kosovës e po ashtu do të krijohen kushtet për kthimin e të gjithë të shpërngulurve në Kosovë.

Harta e madhe e pushtimeve letrare të Ismail Kadaresë

0

IsmailKadare6-30Ndriçim Kulla

Që të pushtohet një territor nga këndvështrimi letrar duhet që ai të përshkruhet nga shkrimtari, duke nisur që nga njerëzit deri te peizazhet, qytetet, lumenjtë etj., duhet që atje, ashtu siç vendosen garnizonet ushtarake në një territor të pushtuar, të vendosen ngjarjet, personazhet dhe përshkrimet. Por në botën e letërsisë klima është kapriçioze dhe shkrimtari që kuturis të hyjë thellë në hapësira të gjera, mund të ndeshë në “dimrin rus”, ashtu si Napoleoni. E thënë ndryshe, shpata e tij, që në këtë rast është pena, me të cilën ai ndihet aq i sigurt në disa vise, në të tjerat mund të mos jetë aq mrekullibërëse në dorën e tij, ose edhe më keq, mund të mos prodhojë asgjë me vlerë. Kadare ka një mendim interesant për shkrimtarët e vendeve dhe letërsive të vogla, kur thotë që ata kuturisin në hapësira të gjera gjeografike më shumë se ata të vendeve të mëdha. Volteri ishte me siguri i pari nga raca e shkrimtarëve që kuturisi të pushtonte botën, si të thuash, pra të ndërtonte një gjeografi globale. Nuk do të ishin të shumtë ata që provuan ta bëjnë këtë gjë pas tij. Mes shkrimtarëve të mëdhenj, botëpushtuesit janë të paktë. Ashtu si në historinë e botës reale ku Cezari është i madh, por nuk është Aleksandër, që kuturis të pushtojë botën i vetëm, edhe në botën e letërsisë ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që guxuan të bëjnë shumë gjëra, por iu shmangën sfidës së pushtimit të botës.

Në botën reale, një prijës i madh që të mund të kuturiste të pushtonte botën, duhet t’ i përkiste një vendi të madh, të rëndësishëm. Në botën e letërsisë kjo gjë nuk është e domosdoshme. Lexuesi, kur është duke lexuar librat e një shkrimtari të madh, ndër idetë e tjera që krijon, është edhe ajo për të cilën Kadare thotë:

E ndonëse gjer më sot nuk janë botuar harta me zotërimet e tyre, ato janë në ndërgjegjen e të gjithëve.

Është e vërtetë edhe se çdo njeri që lexon veprën e një shkrimtari të madh, hap pas hapi vizaton në mendjen e tij, hartën gjeografike të shtrirjes së ngjarjeve të veprës së këtij shkrimtari, dhe të përshkrimeve të tij. Por lexuesit nuk mund të mos pyesin se përse mungojnë harta të tilla? Me të vërtetë nuk u ka shkuar ndërmend kritikëve letrarë të botës që të bëjnë të tilla, kur edhe ata si lexuesit nuk mund të mos kenë menduar për to spontanisht? Sigurisht që jo. Por kritikët e mençur kanë menduar që t’ i shmangin këto harta, se lexuesve mund t’ u duket më pak i madh një shkrimtar me famë botërore, kur të shohin se sa pak shtrirje ka në hartë vepra e tij. Kadareja shkrimtar, kuturisi dhe fitoi atje ku u mundën Napoleoni dhe Aleksandri i Madh. Kadareja hyri në Moskë, madje më tej në Siberi, dhe e nënshtroi dimrin rus. Gjithashtu, Kadareja ndoqi itinerarin e Aleksandrit, kaloi nëpër Turqi, Persi, Egjipt dhe shkoi tutje deri në Kinë. Evropës, e tepërt të thuhet, i ra kryq e tërthor. Shkeli në Polin e Veriut, në të dyja Amerikat dhe në Afrikë.

Dhuntia e këtij lloji e Kadaresë e ka origjinën te pasioni i tij për fotografinë, për kinemanë. Kadare na ka bërë të ditur se ai në rini ëndërronte të bëhej kineast, një pasion ky që e ngacmonte deri vonë, aq sa titulli i parë i romanit “Hija”, që ka ngjyrime biografike, është “Kronikë e një kineasti të dështuar”. Dhe ky roman është shkruar kur Kadareja po arrinte në të pesëdhjetat. Nga pasioni për fotografinë dhe kinemanë Kadaresë i ka mbetur dhuntia për të bërë përshkrime të viseve, peizazheve etj., në një mënyrë të tillë që të krijohet përshtypja sikur para syve të tu shfaqet fotografia e vendit apo peizazhit në fjalë. Madje shpesh përshkrimet e Kadaresë janë të tilla që të krijojnë përshtypjen sikur je duke e parë në film vendin apo peizazhin që po na përshkruan autori. Me këtë dhunti të veçantë të shkruari, Kadareja ka mundur të vendosë “garnizonet” e tij të qëndrueshme në hapësirat e pushtuara gjeografike anembanë botës. Harta e këtyre “garnizoneve” që na shfaqen herë në trajtën e poezisë, herë në atë të prozës, herë midis vjershave dhe poemave, herë midis romaneve, novelave, apo tregimeve, herë midis reportazheve apo intervistave, është me të vërtetë globale. Shpesh nëpër reportazhe ka përshkrime qytetesh, peizazhesh dhe visesh, që do të nderonin një roman të rëndësishëm, por që kanë fatin e keq të mbeten si të thuash në hije, në krahasim me pjesën tjetër të veprës së shkrimtarit.

Që nga koha kur shkrimtari bëri këtë bilanc të “pushtimeve” të tij, kanë kaluar 23 vjet, dhe harta e “pushtimeve” të tij është zgjeruar akoma më tepër gjatë kësaj kohe. Tanimë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të kësaj fjale. Natyrisht që kur flitet për një shkrimtar botëpushtues, nuk ka kuptim që të përmenden shtete të veçanta që deri tani nuk bëjnë pjesë në gjeografinë e veprës së tij. Ashtu si kur thuhet se Aleksandri i Madh u nis nga Maqedonia dhe arriti deri në Indi, apo se Napoleoni u nis nga Parisi dhe arriti në Moskë, këto marshime madhështore nuk cenohen nga fakti se këta të dy nuk paskan ndaluar në aq apo kaq qytete gjatë rrugëtimit të tyre.

Në rastin e një vepre aq të gjerë, si ajo e Kadaresë, ku ka aq shumë gjëra që e joshin lexuesin, nuk mund të mos ndodhë ai fenomen që ndodh shpesh me gurët e çmuar. Kështu, është një gjë t’ i shohësh disa lloj gurësh të çmuar, të hedhur grumbull, së bashku me shumë të tjerë, dhe tjetër gjë është t’ i shohësh të ekspozuar, më vete. E njëjta gjë ndodh me përshkrimet e viseve, peizazheve, qyteteve në veprën e Kadaresë. Këto përshkrime shkëlqejnë më tepër si të thuash, nëse ekspozohen të veçuara, të evidentuara dhe të pajisura me foto ilustruese të përzgjedhura në mënyrë të tillë që të përputhen me ato imazhe që shkrimtari ka dashur të prodhojë në imagjinatën e lexuesit. Kur nisa punën për të gjetur fragmentet e përshkrimeve që më nevojiteshin për një studim për të, kisha mendimin se ato do t’ i gjeja më shumë në prozën e Kadaresë se në poezinë e tij. Është krijuar një përshtypje për veprën e Kadaresë se proza e tij është shumë më e rëndësishme se poezia e tij. Në përgjithësi kjo është e vërtetë, dhe vetë Kadareja e ka pohuar disa herë këtë gjë në mënyra të ndryshme, por në rastin e përshkrimeve për të cilat kam folur më lart, guxoj të them se nuk është tamam kështu. Nga këndvështrimi i tyre, poezia fiton një peshë në raport me prozën, që përndryshe nuk e ka, kuptohet pa humbur proza asgjë nga pesha e saj. Në një poemë të hershme, që është “Buzëqeshje mbi botë”, gjendet ky fragment ku përshkruhet bota në disa vargje të kursyera, në një mënyrë të figurshme, që dëshmon ndoshta më mirë se çdo gjë, për dhuntinë e veçantë të Kadaresë, për të qenë një shkrimtar botëpushtues.

Kadareja e merr botën dhe e hedh në qafën e tij, siç bariu një dele të bardhë, të bindur, dhe kjo gjë i shkakton një buzëqeshje. A mund të shfaqet më qartë dhuntia e shkrimtarit botëpushtues? Dukej se me këtë poemë, të shkruar në 1962, pra në kohën kur shkrimtari po niste të shkruante korpusin e madh në prozë të veprës së tij, me të cilin do të bëhej vërtet botëpushtues, ai bënte ato që sipas kujtimeve të gruas së tij, Helenës, i quante ushtrime stili.

Kur bëhet harta e gjeografisë së veprës së një shkrimtari, aq më tepër e një shkrimtari botëpushtues, është me vlerë që bashkë me të paraqiten edhe detaje të tjera, siç është harta e itinerarit personal të shkrimtarit, e shtëpive të ndryshme në të cilat ka banuar ai, se këto lënë gjurmë tek ai dhe ndikojnë në një masë apo në një tjetër në veprën e tij. Për Kadarenë e dimë se shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër ka lënë mbresa të mëdha tek ai. Shumë mbresa duket të ketë lënë edhe shtëpia tjetër e tij në Tiranë, shtëpia e tretë në të cilën banoi në Tiranë, në Rrugën e Dibrës, e njohur si pallati me kuba, në gjuhën popullore, një ndërtesë kjo që i shkaktoi jo pak probleme shkrimtarit. Kjo për arsye se u bë shkak që në një periudhë të vështirë të jetës së tij, t’ i rëndohen akuzat për prirje properëndimore, dhe në vazhdim të shërbente si provë materiale e këtyre prirjeve të tij. Shtëpia e një shkrimtari është tempulli i tij. Kështu duket se e ka parë Kadareja shtëpinë e tij në përgjithësi, në Gjirokastër, Tiranë, Paris, Durrës. Ndonëse për të shkruar, ka parapëlqyer kafenetë para studios në shtëpi, nuk është e vështirë të kuptohet, për një njeri të lindur dhe të rritur në një shtëpi të madhe, siç është ai, se fakti se ku banon ka një ndikim jo të pakët në veprën e tij. Është interesante që të bëhet një kategorizim i veprës së tij sipas shtëpive ku ka banuar, duke përfshirë edhe konviktet.

Sidoqoftë Kadare tash në këtë janar është 79 vjeç, dhe ndonëse të gjithë i urojmë që të jetojë sa më gjatë, nuk mund të mohohet se është në një moshë kur natyra mund ta nxjerrë nga gara për Nobelin, se ky çmim siç dihet, u jepet vetëm të gjallëve. Kështu që edhe si shkrimtar botëpushtues, është në limitin e duhur të kohës për t’ iu akorduar ky çmim, në rast se nuk ia ndalojnë këtë shpërblim të merituar për arsye jashtëletrare të pandershme.

Zemaj: Mustafa s’i beson drejtësisë vendore

0

Armend  Zemaj-ldkDeputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit Isa Mustafa se Gjykata Speciale do të merret me vrasjet e pasluftës si për vrasjen e Enver Malokut dhe rastet tjera , ka thënë se kjo deklaratë tregon më së miri se Mustafa nuk i beson drejtësisë vendore.

“Kjo tregon se edhe vet z. Mustafa nuk i beson sistemit të drejtësisë vendore dhe pret që vrasjet politike të zbardhën nga drejtësia ndërkombëtare përmes një Gjykate Speciale”, ka thënë Zemaj për “Zëri”.

Ai ka shtuar se edhe lideri i tij i partisë, që është edhe shef i qeverisë Mustafa e ka të qartë se njerëzit e fuqishëm të politikës kanë dhënë urdhër që drejtësia vendore mos të merret me vrasjet e pasluftës dhe këto të trajtohen tash nga ndërkombëtarët.

Ndryshe, deputeti i LDK-së Zemaj, kohë më parë pati deklaruar se vrasja e xhaxhait të tij,ushtarakut Tahir Zemajt me 4 janar të vitit 2003 ka qenë vrasje politike.

Thaçi: Marshuam kundër se keqes dhe për fitoren e së mirës

0

Hashim thaci 4Zv/kryeministri i Kosovës dhe shefi i diplomacisë, Hashim Thaçi ka thënë eskluzivisht për Indeksonline në Paris se krerët e shtetit të Kosovës sot treguan solidaritet me popullin dhe qeverinë franceze.

“… solidaritetin që tregoi e gjithë Evropa, e gjithë bota demokratike me këtë angazhim maksimal të përpjekeve tona të përbashkëta për paqe, për bashkëpunim”, ka thënë Thaçi, i cili sot bashkë me presidenten Atifete Jahjaga morën pjesë në marshin e bardhë të mbajtur në Paris në nderim të viktimave të terrorizimit.

Ai tha se marshi i sotëm i marsh i vlerave civilizuese kundër të keqes dhe për fitoren e së mirës.

“Kam besim të plotë që Kosova siç ka qenë gjithmonë, shqiptarët siç kanë qenë gjithmonë do të jenë përkrah civilizimit botëror dhe garantuese e vlerave demokratike”, ka thënë në fund Thaçi.

Sot në Paris mbi një milion njerëz kanë marshuar (marshi ende po vazhdon) në nderim të viktimave të dy sulmeve terroriste në kryeqytetin francez. Në këtë marsh kanë marrë pjesë mbi 40 liderë botëror. /Indeksonline/

Jahjaga: Nuk mund të zmbrapsemi nga ndërtimi i një bote të sigurt

0

jahjaga ne franc marshMarshi në Paris dëshmon solidaritetin e botës demokratike me popullin e Francës, që ka përjetuar këto ditë akte të rënda të barbarisë mbi qytetarët e saj dhe sulme mbi një prej vlerave më të çmuara të shoqërisë – lirinë e shprehjes dhe të fjalës, thotë presidentja Atifete Jahjaga.

“Sulmet mbi vlerat demokratike dhe mbi lirinë e shoqërive tona nuk mund të na zmbrapsin nga lufta e përbashkët për ndërtimin e një bote më të sigurt”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Fotoja ku shihet Bajram Curri i vrarë

0

bajra curri i vrarFotografi Arben Llapashtica ka botuar një foto të rrallë ku shihet Bajram Curri i vrarë.

“Në këtë foto hasa ne arkivin tim edhe është e riemëruar kështu: foto e rrallë Bajram Curri i vrare te shpella e Dragobisë!”, shkruan Llapashtica