17.8 C
Prizren
E hënë, 28 Korrik, 2025
Home Blog Page 7751

‘DokuFesti’ përçon në botë imazhin për Kosovën normale

0

Prizren per dokufestPaulina Bukowskas nga Polonia i janë dashur shumë argumente për t’i bindur prindërit dhe miqtë e saj se Kosova më nuk është një vend i rrezikshëm dhe se këtu gjendja është normale.

Ka kaluar një javë prejse ajo ka ardhur në Prizren dhe është angazhuar si praktikante në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, duke u përkujdesur për imazhin e kësaj ngjarjeje në mediat sociale.

“Për fat të keq, kur e përmend Kosovën në Poloni njerëzit e perceptojnë si diçka të rrezikshme dhe se mund të të ndodhë diçka e keqe. Prindërit e mi ishin të shqetësuar në fillim, por tani janë në rregull, ngase lajmërohem çdo ditë”, ka thënë Bukowska për Kohën Ditore.

Ajo ka bërë të ditur se “DokuFesti” ka qenë arsyeja kryesore që e ka nxitur të përballet me kundërshtitë në rrethin e saj dhe të vijë për disa javë në Kosovë.

“Kam punuar në festivalin e filmit në Krakow dhe aty kam dëgjuar për ‘DokuFestin’. Festivali në Prizren ka një ndikim të madh dhe tani edhe vetë jam bindur se shumë mysafirë ndërkombëtarë vijnë këtu vetëm për këtë arsye, ndërkohë që njihen për së afërmi edhe me kulturën dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi”, ka deklaruar Bukowska

Gjykata e Prizrenit zmbraps një lëndë rreth parkingjeve në kryeqytet

0

Parking-PrishtineGjykata Themelore në Prizren ka zmbrapsur propozimin e akuzës së Komunës së Prishtinës ndaj kryetarit të Bashkësisë Lokale të lagjes “Qendra” në Prishtinë, Shaban Kelmendi, e cila ka të bëjë me një pjesë të parkingjeve publike në këtë lagje, shkruan Koha Ditore.

Problemi ka lindur kur banorët e lokalitetit “Miss Edit Durham” në lagjen “Qendra”, saktësisht ata që jetojnë përgjatë rrugës “Rexhep Luci”, të kryesuar nga administratori i Bashkësisë Lokale, Shaban Kelmendi, kanë dashur të marrin në menaxhim parkingjet publike, duke filluar nga rruga “Rexhep Luci”, deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”.

Zmbrapsja e propozimakuzës është bërë me arsyetimin se Avokatura Publike e Komunës së Prishtinës e përfaqësuar nga Hava Krasniqi, ka bërë lëshime teknike. Ndaj, kjo gjykatë i ka kërkuar përfaqësueses juridike të Komunës, që aktin juridik ta drejtojë tek organi kompetent.

Cilët deputetë të Bllokut janë në ‘shënjestër’ të PDK-së

0

Mustafa-Haradinaj ne kuvendBurime të gazetës botapress nga dy partitë e bllokut, LDK e AAK nuk e kanë mohuar faktin se PDK po dërgon “mesazhe” dhe “oferta” ndaj disa prej deputetëve të këtyre partive politike për të siguruar votat për krijimin e bashkëqeverisjes me PDK-në.

Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka ndërmend të heq dorë nga ruajtja e pushtetit, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme.

Zyrtarë të kësaj partie, deputetë dhe aktivistë të niveleve të ndryshme janë duke shfrytëzuar të gjitha format e komunikimit me deputetë të bllokut LDK-AAK-Nisma, si dhe të minoritetit jo serb për të siguruar shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Poste ministrore, drejtues bordesh të koorporatave, pozita diplomatike për familjarët dhe të afërmit e
deputetëve janë disa prej ofertave që PDK i ka hedhur “në tregun politik“ të Kosovës.

“Po, ofertat janë të majme, por deri më tash asgjë nuk është konkrete. Po presim vendimin e Gjykatës…“ i kanë thënë botapress-it zyrtarë të Bllokut.

Sipas këtyre burimeve, janë së paku 10 deputetë të Bllokut që janë në “shënjestër” të PDK-së për të siguruar votat e tyre për formimin e qeverisë të udhëhequr nga PDK-ja.

Deputetët e “shënjestuar” nga PDK-ja janë kryesisht të pakënaqurit me koalicionin e Bllokut si dhe ish-bashkëluftëtarë të kohës së luftës të cilët gjejnë siguri dhe mbrojtje më të madhe te PDK-ja se sa te Blloku në rast të ngritjes eventuale të akuzave për krime lufte nga Gjykata Speciale që pritet të fillojë funksionimin në fillim të vitit të ardhshëm.

Vendimi i Gjykatës Speciale pritet të shpallet më së largu më 22 gusht, ndërkaq më pas do të jetë përsëri Kuvendi i Kosovës “arenë” e zhvillimeve politike që do t’i hapë udhë ndërtimit të institucioneve të vendit.

Kushtetuesja (edhe) mund të mos e zgjidhë ngërçin politik

0

Kuvendi Kosoves 14-17Përmbajtja e opinionit të Gjykatës Kushtetuese pas seancës dëgjimore të 21 gushtit në lidhje me procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mund jetë vendimtar nëse vendi do të shkojë drejt formimit të institucioneve apo kah zgjedhjet e reja të parakohshme.

Pas dëgjimit të palëve, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës në njërën anë dhe bllokut LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, paneli i gjyqtarëve do të mblidhet për komentet përfundimtare dhe më pas do të marrë vendimin me anë të votimit të fshehtë.

Mirëpo, tek partitë e përfshira në këtë proces nuk është përjashtuar asnjëherë fakti që Kushtetuesja mund edhe të mos e zgjidhë përfundimisht çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Sidomos situata do të komplikohej nëse vendimi i Kushtetueses e rikthen seancën konstituive në pikën e 3, menjëherë pas dhënies së betimit të deputetëve.

Çështja më kontestuese mbetet nëse Kushtetuesja mund apo nuk mund të japë opinionin rreth problemit kryesor se kush mund të propozojë i pari kandidatin për kryetar, vetëm partia fituese e zgjedhjeve apo ka edhe një rast të dytë për opozitën, sikurse në rastin e kryeministrit dhe qeverisë. /Tribuna/

Mendja, logjika dhe kritika

0

Faik MiftariShkruan:Faik MIFTARI

Sot, bota islame në përgjithësi, e bota arabe në veçanti, por edhe bota shqiptare myslimane gjenden në një udhëkryq të madh, do të varet prej tyre, se cilin prej këtyre dy rrugëve do ta zgjedhin për tu ballafaquar dhe rrugëtuar gjate këtij shekulli XXI.
E para, është rruga e tanishme katastrofale në të cilin gjenden myslimanët për shkak të, arsimimit dhe dijes në një nivel shumë të ulët, pasojë e së cilës është xhahilijeti, injoranca, jotoleranca e arroganca. Pasojë e nivelit të ultë dhe të pamjaftueshëm të dijes, produkt i të cilit është myslimani i sotshëm i cili në mungesë të dijes, mungesës së perceptimit të logjikës dhe mospranimit të kritikës,është ngecja e tij, mos përshtatja dhe vonesa në hapa për t’u inkuadruar dhe vepruar përball botës që e rrethon, dhe në të cilin duhet të bashkëveprojë dhe bashkëpunojë. Nëse edhe më tutje vazhdojnë me këtë gjendje aktuale në të cilin gjenden myslimanët e sotshëm, atëherë do të vazhdon gjendjen e tanishme, e cila përcillet me vrasjet , në mes vetë myslimanëve në botën islame.

E dyta, është rruga alternative, e cila në vend të investimeve të gjertanishme të mëdha,” kryesisht në ndërtimin e xhamive dhe objekteve tjera”, tani e tutje duhej të përqëndrohej dhe të investojë me të madhe në arsimimin cilësor, zgjerimin e njohurive shkencore, ndërtimin e bibliotekave dhe institucioneve hulumtuese, “me të cilin do të formohej masa kritike e cila do vente në lëvizje dhe drejtonte botën myslimane” drejt zhvillimit të hovshëm ekonomik, politik, shkencor, teknologjik, kulturor, sportiv etj. Kjo është sfida kryesore me të cilin bota islame në përgjithësi dhe myslimanët në veçanti do të duhej të ballafaqoheshin gjatë shekullit XXI. Edhe pse fjala: ”ilm- që do të thotë dije, është fjala e dytë më e përmendur në Kur’an” si dhe thënia profetike e të dërguarit të Zotit, Muhamed: ” ngjyra e lapsit të dijetarit është me e vlefshmja se gjaku i dëshmorit” ka qenë në një masë të duhur e anashkaluar nga vet myslimanët, tani e tutje kjo duhet të jetë alfa dhe omega e myslimanëve gjatë tërë shekullit XXI. Vetëm me anë të zgjerimit të dijes, përdorimit të logjikës dhe fjalës kritike, myslimanët do të mund që vlerat demokratike të përshtasin nevojave të tyre duke mos tjetërsuar aspak kulturën dhe civilizimin islam që i përkasin. Myslimanët vet duhet të përpiqen dhe të gjejnë metodat dhe rrugën e duhur, pa marr parasysh se çfarë mendojnë dhe perceptojnë të tjerët për ta, pasi që: “ myslimanët vet duhet të gjejnë balancimin në mes të traditave të tyre dhe mënyrës moderne të jetesës”.

Pranvera arabe shërbeu si katalizator i luftërave, turbulencave, konflikteve të tanishme në botën arabe, e produkti më tmerrshëm i saj është lufta sektare, vëllavrasëse në mes myslimanëve si pasojë e bindjeve, interpretimeve, mësimeve, dhe perceptimeve të ndryshme, si dhe largimit të skajshëm të kritikës dhe të mendimit tjetër, që perceptohet si kundërshtar apo armik i saj. Edhe pse pranvera arabe pati një nisje të mbarë, me qëllim të demokratizimit të botës arabe dhe rrëzimin e diktatorëve arab, për një kohe të shkurtër ajo devijoi nga rruga dhe qëllimi i proklamuar demokratik, si pasojë e inkuadrimit dhe gërshetimit të pozicioneve dhe interesave të ndryshme të faktorëve relevant gjeopolitik me ndikim përcaktues në botë.

Kjo më së miri u reflektua në rastin e Egjiptit, kur pas kryetarit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike Muhamed Mursit, u krye grushtshteti ushtarak nga gjenerali Sisi dhe u përmbys demokracia e proklamuar, si dhe në rastin e Bahrejnit në të cilin ushtria saudite intervenoi për të ndihmuar ushtrinë e Bahrejnit për të shpëtuar mbetjen e familjes mbretëror në pushtet, nga protestat popullore pro demokratike në Bahrejn. Këtu vërehen më së miri standardet e dyfishta demokratike që proklamohen nga fuqitë politike perëndimore vendimmarrëse. E ky standard i dyfishtë u shpreh dhe u aplikua në rastin e konfliktit të brendshëm të Sirisë. Edhe pse në fillim të protestave pro demokracisë në Siri, diktatori Asad ishte i gatshëm të lëshojë pe në segmentet e caktuar për demokratizimin e vendit, për një kohë të shkurtër, edhe aty u inkuadruan dhe u gërshetuan interesat e ndryshme të faktorëve relevant rajonal dhe botëror që kishin qasje diametralisht të kundërta për zgjidhjen e konfliktit të Sirisë.

Për të arritur qëllimin e tyre, rrëzimin e Asadit nga pushteti, qarqe të caktuara arritën të bëjnë ndezjen e konfliktit sektar në mes myslimanëve, në Siri, i cili si i tillë veç më parë i mori jetët e dhjeta mijëra të vrarëve dhe qindra mijëra të plagosurve në luftërat sektare vite me radhë në mes vet myslimanëve si në Irak, Libi, Liban, Jemen, Pakistan. Në thirrjet për “luftën e shenjtë” vërshuan nga të katër anët e botës, nga më shumë se 80 shtete me dhjetëra mijëra vullnetar xhihadist nga tërë bota me kauzën e “luftës së shenjtë” kundër diktatorit Asad me përkatësi alevite , edhe pse 80% të popullatës së Sirisë janë sunitë . Kësaj i kontribuoi edhe ish ministri britanez , Dejvid Hag, me deklaratën e tij:” duhet mundësuar që sa më shumë vullnetarë të shkojnë nga mbarë bota në Siri për të luftuar kundër diktatorit Asad”. Kësaj thirrjeje për “luftë të shenjtë” ranë pre edhe shqiptarët myslimanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, por edhe boshnjakët në Bosnjë dhe Sanxhak. Të paktë ishin ata që kundërshtuan nëpërmjet shkrimeve apo analizave të tyre në gazeta dhe portale, apo me porositë dhe komentet e tyre në rrjetet sociale, se kjo luftë e proklamuar sektare sunito –shiite nuk është si e tillë “luftë e shenjtë”, pasi që prapavijat e saj janë të natyrës gjeopolitike, gjeostrategjike, ekonomike, energjetike, dhe se pas shfrytëzimit të vullnetarëve të tillë në luftë, ata që mbijetojnë gjallë , pasi të kthehen do të burgosen dhe dënohen, të etiketuar si xhihadistë, fundamentalistë, ekstremist etj. Por këta të paktë që kundërshtuan pasi që e njihnin kurthin e “luftës së shenjtë” në Siri, u etiketuan, u denigruan, u cilësuan si përkrahës të Asadit, të diktaturës, etj.

Shtatori i vitit 2013, shënoi pikë kthese, pas zmbrapsjes amerikane nga intervenimi ushtarak në Siri, si pasojë e kërcënimit rus se do të mbrojë Asadin, u arrit kompromisi lidhur me shkatërrimin e armëve kimik të Asadit për të siguruar sigurinë e Izraelit, dhe mbetjen e Asadit në pushtet. Pas kësaj doli në skenë ISIS-i, Shteti Islamik për Irak dhe Siri, tani vetëm Shteti Islamik, në fillim në Siri, e tani u zgjerua edhe në Irak, me tendencë të shtrirjes edhe në shtete tjera, me halifin e vetëshpallur dhe vet proklamuar Ebu Bekr al Bagdati. Brenda natës, vullnetarët e ardhur nga mbarë bota, si “luftëtar të lirisë” për rrëzimin e diktatorit Asad, tani u shndërruan në xhihadistë,terroristë, ekstremist, dhe si të tillë u shpallën të rrezikshëm dhe persona” non grata”pas kthimit në vendet e tyre. Fytyrën e vërtet të halifit të vetëshpallur dhe të organizatës së ISIS-it e demaskoi më së miri në letrën e publikuar me titull” Dëshmia e pavarur e fitnes në Siri” në portale dhe rrjeta sociale, udhëheqësi i selefive (vehabive) Nysret Imamoviçi nga G.Mioqa e Bosnjës, postuar gjatë këtyre ditëve nga Siria. Në letrën e tij, Nysret Imamoviçi përveç tjerash shkruan: “ Në mënyrë të qartë dhe publike deklarojmë se nuk e përkrahim Ebu Bekr al Bagdatin dhe politikën e tij për disa arsye që do të cek, e pakonceptueshme është se si në luftën e tyre për një qëllim të lartë të përbashkët, të jenë ndarë gjer në atë shkallë sa që i kanë ngritur armët njëri ndaj tjetrit në mes vete.

Numri i madh i vëllezërve tanë ka menduar se ëndrra për hilafetin më në fund është realizuar, dhe i kanë dhënë me gjithë zemër mbështetje ISIS-it, duke i akuzuar të tjerët që me kujdes dhe ankth kanë vështruar se çfarë është duke ndodhur dhe qëndronin anash. Ebu Bekr al Bagdati është betuar në Allahun, se i ka dhënë besën dr. Ejmenit. Në bazë të këtij prezantimi të situatës dhe të prezantimit se ISIS-i se është pjesë e Al Kaidës, i kanë dhënë besën ISIS-it. Do të thotë, shumica e kanë dhënë besën ISIS-it në bazë të mashtrimit. Në rast se Ebu Bekr al Bagdadi nuk e ka dhënë besën, atëherë betimi i tij ka qenë i rrejshëm, e nëse e ka dhënë besën atëherë atë e ka shkelur tradhtisht. Opsion të tretë nuk ka, por edhe këto të dyja opsione nuk qëndrojnë, pasi që sipas të parës ka gënjyer, e sipas së dytës e ka tradhtuar dhe shkelur besën e dhënë.

Ebu Bekr el Bagdati është betuar në Allahun se do të pranojë aktgjykimin e dr. Ejmenit lidhur me mosmarrëveshjen me al Nusrën, çfarëdo që do të jetë. Kur aktgjykimi u shpall, ai atë e ka refuzuar dhe e ka shkelur betimin. Këtu shihet dyfytyrësia e tij në tre aspekte të tij: a) betimi i rrejshëm në gatishmërinë e pranimit të gjykimit me qëllim të përfitimit të ithtarëve, b) refuzimi i aktgjykimit të cilën duhej pranuar, edhe pa e dhënë betimin, c) përpjekje për të ndikuar në aktgjykim me dërgimin e letrave dr. Ejmenit me të cilin kërcënon se do të ketë derdhje e gjakut në rast se aktgjykimi nuk do të jetë kundër al Nusrës. Për fat të keq vëllezërit e ISIS-it për shkak të mos dijes dhe mos perceptimit, janë vërsulur mbi anën e cila e ka pranuar aktgjykimin, në vend se të vërsulen mbi atë që e ka refuzuar aktgjykimin. Të gjitha grupacionet rivale, bile edhe ushtria e lirë siriane e ka pranuar aktgjykimin, që të mos derdhet gjaku në mes të luftëtarëve, i vetmi që e ka injoruar ka qenë vet Ebu Bekr al Bagdati.

Ai me bashkëmendimtarët e vet e ka zgjedhur rrugën që me forcë të imponojë vendimin e vet, dhe të ndajë drejtësinë ashtu siç ai e sheh, duke e derdhur pa mëshirë gjakun, e luftëtarëve myslimanëve në radhë të parë. Si mundet pas këtij veprimi, zemra e dikujt të pranojë që ai të jetë halife i gjithë myslimanëve? Ekzistojnë dëshmi të shumta të pandershmërisë së ISIS-it në eksploatimin e parullave se gjoja janë duke luftuar për Islam, Sheriat dhe Ummet, në atë mënyrë duke plaçkitur, vrarë dhe ekzekutuar mysliman, gjë që më së miri tregon fytyrën e tyre të vërtetë.

Në një hadith, i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s, ka thënë: “ Kur të shihni flamujt e zi, mbahuni për tokë, mos lëvizni as duar as këmbë. Pastaj do të shfaqen të dobëtit të cilëve askush nuk do t’i kushtojë vëmendje, zemrat e tyre do të jenë si leva të hekurit. Do të kenë shtetin, por nuk do të përmbushin obligimet, e as fjalën e dhënë. Do të thirrin në të vërtetën, por vet nuk do të jenë ndjekësit e saj. Emrat do të kenë me pseudonime, të atribuara me vendet e ndryshme, do të kenë flokë të gjata dhe të lëshuara, si te gratë, gjersa vetvetiu nuk shpërndahen. Pastaj Allahu do të jep të vërtetën atij që do”. Kur një thënie profetike paralajmëron për ndonjë ngjarje, dhe ajo ndodh si është paralajmëruar, atëherë ajo ngjarje bëhet pa mëdyshje dëshmi e pakundërshtueshme dhe e vërtetë”.

Në përmbyllje të kësaj qasjeje mund të konkludoj se të cekurat e paraqitura më lartë, edhe më shumë e përforcojnë atë që në fillim të qasjes e shtrova, se në mungesë të mendjes së duhur, perceptimit logjik dhe kritikës, bota islame në përgjithësi, e bota arabe në veçanti ndodhet në një gjendje shumë të rëndë në aktualitetin e tanishëm botëror.

Sot fillon Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

0

bardh rugovaSeminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare këtë vit shënon edicionin e tridhjetë e tretë. Sesioni do t’i zhvilloj punimet nga 18 deri më 30 gusht. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Bardh Rugova, për KultPlus tha se sesioni i këtij viti nuk është se ka ndonjë ndryshim në aspektin organizativ, sipas tij, ajo që ndryshon për këtë vit nga vitet e kaluara është aspekti përmbajtjesor.

“Nuk ka dallime të mëdha në aspektin organizativ, ato që dallojnë këtë vit dhe që besoj që do të ndryshojnë edhe viteve të ardhshme janë temat e sesionit si dhe ligjëratat. Në sesionin e letërsisë do ligjërohet me temën “Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha”, kurse në sesionin e gjuhës shqipe do të ligjërohet mbi temën “Gjuha shqipe dhe ideologjia”. Këtë vit gjithashtu do të festohet 200 vjetori i Jeronim De Radës me një ligjëratë nga Francesko Altimari, gjuhëtari më i madh arbëresh”, tha Rugova.

Bardh Rugova, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Sipas tij në këtë sesion, i cili shënon më shumë se tri dekada, tha se më 21 gusht 2014, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, do të zhvillohet punëtoria me temën: “Shqiptarët në Komunizëm”, ku do të paraqiten kumtesa të ndryshme mbi jetën e shqiptareve ne periudhën e komunizmit .
Programi bazë i Seminarit të tridhjetë e tre :
1. Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri shkallë);
2. Ligjërata të veçanta të gjuhësisë;
3. Ligjërata për letërsinë shqiptare;
4. Referime shkencore;
5. Ligjërata të përgjithshme;
6. Tryezë e rrumbullakët;
7. Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës
Gjithashtu do të ketë sesion shkencor, më 29 dhe 30 gusht, mbi temat: Gjuha shqipe dhe ideologjia; Letërsia shqipe dhe kodet e mëdhaSeminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e dy sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./KultPlus.com

Ajo e lexoi botën

0

Ann2E konsideroja veten goxha kozmopolitane, por raftet e librave të mia tregonin një rrëfim tjetër. Përveç disa novelave indiane dhe disa librave të rastësishme nga Australia dhe Afrika e Jugut, koleksioni im i letërsisë përbëhej vetëm prej titujve britanikë e amerikanë. Për më keq, rrallë ndonjëherë kam kapur diçka të përkthyer. Kështu që, leximi im ishte i burgosur brenda rrëfimeve të autorëve anglisht-folës.

Prandaj, në fillim të vitit 2012, ia shtrova vetes sfidën që të provoj të lexoj një libër nga secili shtet (195 shtetet e njohura nga OKB si dhe ish-shteti anëtar Taiwan’i) brenda një viti, për të zbuluar se çfarë më mungonte.

Duke mos pasur ide se si t’ia dal e duke dyshuar se nuk do t’i gjeja të gjitha në librarinë në fqinjësi, fillova t’u kërkoja ndihmë lexuesve në tërë planetin. E krijova një blog me titullin Një Vit Duke Lexuar Botën dhe kërkova sugjerime për tituj që mund t’i lexoja në anglisht.
Përgjigja ishte e mrekullueshme. Menjëherë njerëzit gjithandej më kontaktonin dhe më jepnin ide e ndihmesë. Disa postonin libra nga vendet e tyre. Të tjerë kërkonin me orë të tëra për mua. Madje, disa shkrimtarë, si Ak Welsapar i Turkmenistanit dhe Juan David Morgan i Panamasë, më kanë dërguar përkthime të papublikuara të novelave të tyre, duke më dhënë mundësinë e rrallë të lexoj vepra që përndryshe nuk janë në dispozicion të 62 për qind të britanikëve të cilët flasin veç anglisht.

Përkundër këtij ekipi kaq të jashtëzakonshëm librarësh, nuk ishte punë e lehtë të kërkoja librat. Meqë përkthimet përbëjnë vetëm 4.5 për qind të veprës letrare që publikohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë, sigurimi i botimeve në anglisht ishte punë e komplikuar.
Shtetet e vogla

Veçanërisht vështirë ka qenë për shtetet afrikane frankofone dhe lusofone (që flasin portugalisht). Ka shumë pak që ofrohet nga shtetet si Komoret, Madagaskari, Guinea-Bissau dhe Mozambiku – më është dashur të varem në dorëshkrime të papublikuara për disa prej tyre. E në shtetin e ishullit të vogël Sao Tome dhe Principe, do të kisha mbetur pa bërë gjë sikur të mos ishte një ekip i vullnetarëve në Europë dhe SHBA që përkthyen një libër të tregimeve të vogla nga Olinda Beja ashtu që të kisha diçka për të lexuar.

Ka shumë vende ku rrëfimet shkruhen rrallë. Nëse do që për shembull të gjesh një përrallë të mirë nga Ishujt Marshall, me siguri të duhet të shkosh e ta pyesësh iroij’in (shefin) lokal për të marrë leje që ta dëgjosh ndonjë nga kallxuesit e rrëfimeve sesa ta kërkosh një libër. Njëjtë, në Republikën e Nigerit, legjendat tradicionalisht janë ruajtur nga griotët (rrëfimtarë-dhe-muzikantë të trajnuar me dijen e kombit prej moshës shtatë vjeçe). Versionet e shkruara të shfaqjeve të tyre mahnitëse janë të pakta dhe ato edhe ashtu ta sjellin përvojën vetëm përgjysmë.

Edhe politika më ka dalë në rrugë. Krijimi i Sudanit Jugor më 9 qershor 2011 – edhe pse një ngjarje e gëzueshme për banorët e ti, të cilët kanë kaluar dekada të luftës civile për ta arritur shtetësinë – përbënte një sfidë. Në mungesë të rrugëve, spitaleve, shkollave ose strukturës bazë, shteti vetëm gjashtëmuajsh i vjetër nuk dukej se do të kishte diçka të publikuar që prej bërjes së tij. Nëse s’do të kishte qenë një kontakt lokal për të më drejtuar tek shkrimtarja Julia Duany, e cila ma shkroi një tregim nga kujtesa popullore e folur, do të më ishte dashur të udhëtoja në Juba dhe të provoja të dëgjoja ndonjë përrallë drejtpërdrejt.

Në përgjithësi, gjurmimi i këtyre tregimeve mori kohë aq sa vetë leximi dhe blogimi për to. Ka qenë gjë e vështirë për t’ia dalë dhe kam kaluar shumë netë me sy të përgjumur për t’u siguruar se do t’ia arrija ta lexoja një libër çdo 1.87 ditë.

Hapësira mendore
Por ia ka vlejtur. Duke kaluar nëpër peizazhet letrare të planetit, ndodhi të jashtëzakonshme u paraqitën. Përveç të udhëtuarit prej karriges, zbulova se po banoja hapësirën mendore të shkrimtarëve. Nën shoqërimin e shkrimtarit nga Butani, Kunzang Choden, nuk po vizitoja vetëm tempujt ekzotikë, por i shikoja ata sikur do të bënte një budist vendor. Me imagjinatën e Galsan Tschinag’ut jam endur nëpër preokupimet e një djaloshi bari në bjeshkët Altai të Mongolisë. Me Nu Nu Yi si ciceron, kam përjetuar festivalin fetar në Myanmar nga një perspektivë transgjinore.

Prej duarve të shkrimtarëve të talentuar, kam gjetur përmes librash diçka që një udhëtar fizik mund ta përjetojë rrallë: mendimin e individëve që jetojnë larg prej nesh dhe që ma kanë treguar botën prej syve të tyre. Më të fuqishme se mijëra lajme shtypi, këto tregime ma kanë hapur mendjen jo vetëm për përditshmërinë e vendeve tjera, por edhe zemrën për ndjenjat e tyre.

Kjo si pasojë ma ka ndryshuar të menduarit tim. Duke lexuar tregimet që m’i kanë sugjeruar libërdashësit e çuditshëm nga gjithë bota, e kam kuptuar se nuk jam njeri i izoluar, por pjesë e një rrjeti që shtrihet në tërë tokën.

Një nga një, emrat e vendeve në listë, ndonëse kishin nisur si një përvojë intelektuale, filluan të ktheheshin në vende me jetë e gjallëri, të mbushura me të qeshur, dashuri, nervozë, shpresë, frikë. Vende që dikur dukeshin ekzotike dhe të largëta, bëheshin më të afërta dhe më të njohura – vende me të cilat edhe mund të identifikohesha. Më së shumti mësova se letërsia e bën botën më reale. Në listën e librave të sugjeruar prej saj, e cila gjendet në këtë link, ka edhe autorë shqiptarë.

(BBC)

Afera seksuale që dridhi opinionin në Shqipëri

0

Agron CaneNjë aferë seksuale ka tronditur mbarë opinionin publik në Shqipëri. Në qendër të aferës seksuale është Agron Cane, sekretar i deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima.

Ky është skandali i dytë seksual që ndodh në administratën e lartë shtetërore pas skandalit me ish-ministrin e Kulturës në Qeverinë “Berisha”, Ylli Pango. Ashtu si në “rastin Pango” edhe sekretari i deputetit të Partisë Socialiste, Agron Cane, rreth 62 vjeç, ish-ushtarak i lartë i regjimit komunist në Shqipëri, ka ofruar një vend pune në këmbim të favoreve seksuale.

Por në “rastin Cane” favori është tronditës, ku sekretari i deputetit Kokëdhima i kërkoi gruas së ve, Elvira Gega, që t’ia sillte për seks vajzën e saj të mitur 14 vjeçe në këmbim të vendit të punës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe kësaj radhe skandali është publikuar nga media, këtë herë nga televizioni News 24, i cili publikon videon ekskluzive, ku Agron Cane i ofron punë një gruaje në këmbim të vajzës 14 vjeçe. Rasti është zbuluar nga një hulumtim i realizuar gjatë ditëve të fundit, pasi nëna e ve kishte kërkuar ndihmën e medias, me qëllim që asnjë grua të mos bjerë pre e ofertave të tilla.

Të shtunën pasdite, pas publikimit të videos skandaloze, policia e Sarandës ka arrestuar sekretarin e deputetit të Partisë Socialiste, Agron Cane.

“Arrestimi i këtij shtetasi u krye për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, pasi ky person ka tentuar të punësojë shtetasen Elvira Gega, vjeç 40, në këmbim të përfitimeve të paligjshme. Është bërë dokumentimi i plotë ligjor i autorësisë së tij”, thuhet në njoftimin e policisë së Sarandës.

Pak orë para arrestimit, Cane kishte ftuar për kafe Elvira Gegen. Gega, nënë e 4 fëmijëve, ka hezituar ta takojë 62-vjeçarin, ndërkohë që ai i thotë në telefon se “dua të pimë një kafe se janë biseda që nuk bëhen në telefon”.

Pasi janë takuar në një kafe, Cane e kritikon gruan e ve pse ka folur me gazetarët dhe duke parë vendosmërinë e saj për ta publikuar ngjarjen, i thotë: “Kot po më denoncon, sa për të më prishur punë. Unë kam folur me prokurorin, e kam shok, dhe ai më tha që nuk të dënojnë dot se s’ke bërë asnjë veprim”. Gruaja në fund i thotë: “Po çfarë thua, ti doje të më merrje dritën e syve…” dhe largohet nga tavolina.

Historia skandaloze

Elvira Gega kishte besuar se punësimi mund të sigurohet falë çeljes së zyrës së deputetit socialist të Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima. Në fillim të muajit mars, Elvira Gega ka takuar sekretarin e deputetit, Agron Cane, për të kërkuar punë. Ai është treguar i gatshëm për ta ndihmuar këtë grua pa burrë.

“Im shoq u aksidentua në punë teksa punonte si murator pesë vjet më parë. Ai përfundoi i vdekur në trotuar nga skela e objektit në ndërtim”, tregon Elvira Gega me pak fjalë historinë. Ajo thotë se gjendja e saj ekonomike është vështirësuar pas tragjedisë. “Jetoj si mos më keq, por ka njerëz që të kërkojnë nderin e vajzës për një vend pune”, thotë ajo.

Sipas saj, sekretari i deputetit Koço Kokëdhima, Agron Cane, ka kërkuar të bëjë dashuriçka me vajzën e saj në këmbim të të mirave materiale.

Më pas, Gega ka kërkuar në media ta ndihmojnë me një kamerë të fshehtë, pasi siç është shprehur ajo, donte të jepte një lajm për të kuptuar se çfarë ndodh me njerëzit në nevojë kur shkojnë të kërkojnë punë.

“Aman të lutem më ndihmo! Kam shkuar shumë herë për të çarë hallet e mia te sekretari dhe kërkon si kusht dashuriçka”, thotë e përlotur Elvira Gega. “Nuk dua t’i jap atij qenit gjënë më të shtrenjtë”, kishte thënë ajo, sepse “nuk ka turp më të madh për një burrë 62 -vjeçar të të poshtërojë vajzën”.

Në bazë të hulumtimit të kryer nga TV News 24 me gazetarët Artur Çani e Telnis Skuqi, Agron Cane, ish-ushtarak, i martuar dhe me dy fëmijë, kërkon të mbizotërojë në çdo aspekt jetën e Elvira Gegës, madje, siç thotë ai, në kamerën e fshehtë: “Vajzën do ta mbaj si një lule. Ti tashmë i kalove të gjitha vështirësitë dhe ke forcë”. Cane madje shprehet i gatshëm ta “ndihmojë” këtë familje, pasi të zgjidhet kryebashkiaku i Sarandës.

Gjatë bashkëbisedimit midis dy protagonistëve, që u zhvillua në katin e dytë në selinë lokale të Partisë Socialiste të Sarandës, Cane tregon shenjat e lumturisë, pasi mendon se e ka arritur qëllimin e tij shtatëmujor: “Unë, ti dhe vajza do t’i hipim krevatit të tre. T’i mos çaj kokë”.

Cane, i cili hiqet si i çmendur pas trupit të nxënëses së klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare, mundohet të hiqet si profesionist në fushën e seksit. Në bisedë, ai shprehet se “seksi është gjëja më e bukur”, ndërsa besimi për të duhet të jetë maksimal, pasi “është burrë i pjekur dhe i pëlqen të bëj dashuriçka me vajzat e vogla”.

“Ti mos e çaj kokën. Vajza jote më është fiksuar. Shoqet e saj e kanë bërë shpejt këtë punë. Këtë ta jap me firmë. Ajo do të çlirohet se ka shumë hormone, vajza ka nevojë për seks”, është incizuar Cane duke i thënë Elvira Gegës. Madje, ai tenton ta bindë në të gjitha format e mundshme nënën e katër fëmijëve, që t’i çojë vajzën në krevat: “E di si është puna e femrës, si puna e Vasilikojit, sa më shumë ujë, gjethja bëhet më e mirë, ndërsa femra sa më herët të kryejë seks, aq më e freskët është”.

Ai tutje kishte “siguruar” t’ëmën se vajza nuk do të pësojë gjatë marrëdhënieve seksuale, dhe për të bindur nënën e saj, thotë se 14-vjeçares “do t’i pjellë kokoshi”, ku nënkupton të mirat materiale që do të përfitojë, pasi ai të zgjidhet kryetar i Bashkisë së Sarandës. “Nuk dua të them shumë fjalë se mburrem, por po deshi Zoti dhe unë zgjidhem kryetar i bashkisë, dije se vajza jote do të shikojë të ardhmen”, i kishte thënë Cane.

Gjatë bisedave të regjistruara Cane i është lutur dy herë Elvira Gegës t’i telefonojë 14-vjeçares që t’i shkojë në zyrë, pasi thjesht do ta përgatisë për aktin final: “Ti vajzën e ke në kontroll të plotë. Unë të shikoj në sy. Në kontrollin tënd ajo do të jetë nxënësja jote, prandaj telefonoji të vijë, unë e pres me padurim”. Në vijim të bashkëbisedimit të regjistruar, Cane tregon se në zyrën e tij “me dhjetëra femra janë lutur për të bërë seks me të, por nuk i ka pranuar, pasi thotë se nuk është maniak seksual”.

“Unë nuk jam maniak, pasi kam një grua në shtëpi. Mua më pëlqen gjëja e bukur dhe këtë e bëj me kënaqësi”, dëgjohet duke thënë Cane në kamerën e fshehtë.

Reagon politika në Shqipëri

Meqë Cane ishte sekretar në zyrën e deputetit socialist, Koço Kokëdhima, skandali i Sarandës ka ndezur në përplasje të ashpër pozitë-opozitë në Shqipëri. Deputeti Kokëdhima është njohur në mjediset politike dhe mediatike në Shqipëri si krahu i djathtë i Edi Rames, apo eminenca gri e kryeministrit.

Kokëdhima është njëherësh edhe botues i gazetës së përditshme”Shekulli”. Ndërkohë që Koço Kokëdhima njihet edhe si “kumbara” i koalicionit Rama-Meta në prill të vitit 2013 ku ky koalicion fitoi zgjedhjet parlamentare të qershorit të atij viti.

Heshtja për një kohë të gjatë e kreut të Qeverisë, Edi Rama, për ngjarjen, ashpërsoi qëndrimin e kreut të opozitës Lulzim Basha ndaj tij, i cili përmes rrjetit social “Facebook” i kërkonte arsyet e mosdistancimit ndaj një ngjarjeje që tronditi mbarë shoqërinë.

“Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës për sistemin që ka ngritur. Vazhdon të pajtohet me ngjarjen që ka tronditur dhe zemëruar mbarë shoqërinë, ndërsa ai nuk gjen asnjë sekondë kohë të distancohet. Po si mund të distancohet ai nga një masë e madhe abuzuesish të paskrupullt që janë në fakt alteregoja e tij,”shkruante lideri i opozitës Lulzim Basha.

Pak minuta më pas këtij postimi, kryeministri Rama ka thyer heshtjen përmes rrjetit social “Twitter”: “E keqja nuk ka vend në PS”. Në postim Rama rendit veprimet që janë marrë nga policia dhe forca e tij politike menjëherë pas publikimit të skandalit, ku në qendër është një aktivist i PS-së, bashkëpunëtor i deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.

Fillimisht Rama përmend arrestimin nga policia dhe më pas distancimin e zyrës së deputetit Kokëdhima, i cili pretendon se ka ndërprerë bashkëpunimin me Agron Canen në korrik kur ai është dorëhequr. “Policia e arreston. Zyra e deputetit distancohet prerazi. PS e përjashton. E gjitha brenda ditës! Për ne e keqja s’ka parti dhe s’ka vend mes nesh”.

Para kësaj, edhe ish-kryeministri Sali Berisha përmes “Facebook”-ut dënoi vonesën e Ramës në distancim nga skandali: “Rama heshti sepse ai e njeh deri në imtësi dobësinë ekstreme të mentorit apo sivëllait të tij Kokëdhima për pedofilët. Ndonëse në këtë superskandal gjithçka është zhvilluar si në filmat horrorë në selinë e PS në Sarandë, Rama hesht për t’u thënë socialistëve dhe qytetarëve të thjeshtë se ky është modeli i tij i punësimit dhe zgjidhjes së problemeve të tyre”.

Ish-kryeministri Berisha vë nën akuzë edhe kryeparlamentarin Meta. “Kreu i ‘aleancës së qelbësirave’ hesht dhe së bashku me të hesht dhe skllavi i tij Meta, për të siguruar qelbësirat, vrasësit, trafikantët, përdhunuesit, pengmarrësit, gjobëvënësit e aleancës së tij në qeveri, parlament dhe administratë se ai vetë është avokati i tyre”. Në fund të postimit, Berisha u bën thirrje qytetarëve të mos heshtin, por të ngrihen sa më parë me moton: Shporrim qelbësirat!

Ndërkohë, ka reaguar dhe zyra e deputetit Koço Kokëdhima, duke sqaruar se Cane nuk ka qenë asnjëherë sekretar për punësimet dhe as mëkëmbës i deputetit në Sarandë. Komunikata informon se Cane, si një nga aktivistët pranë zyrës, kishte për detyrë të sqaronte ankesat dhe kërkesat e qytetarëve dhe se nuk kishte asnjë kompetencë punësimi.

“Ai ka dhënë dorëheqjen në 15 korrik të këtij viti për arsye personale. Prania e Canes në zyrë pas datës 15 korrik ka qenë për efekt të dorëzimit të detyrës dhe dokumentacionit”, thotë Kokëdhima, dhe shton se “veprimi i shëmtuar dhe implikimi i Agron Canes në këtë ndodhi të ulët dhe të rëndë është thellësisht i dënueshëm. Ne distancohemi kategorikisht nga veprime dhe sjellje të tilla perverse e të sëmura”.

Cane, me prirje në pedofili edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri

Një psikologe 50-vjeçare nga Saranda që po asiston vajzën 14-vjeçare, të cilën Cane kërkoi ta shfrytëzonte seksualisht përmes nënës së saj thotë se abuzimi me pushtetin dhe me njerëzit në nevojë është krimi më i rëndë që i bëhet shoqërisë. Sipas saj, “Cane ky pervers, njëherazi pedofil, nuk e ka vendin në shoqëri”.

“Agron Cane ligjërisht nuk mund të dënohet me burg, pasi ai nuk ka kryer vepër penale, por moralisht e meriton një ndëshkim, pasi kemi të bëjmë me njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm dhe me imoralitet të dobët”, thotë psikologia nga Saranda, e cila për të respektuar edhe anonimitetin e vajzës 14-vjeçare preferon të mos identifikohet.

Psikologia thekson se këto ngjarje nuk kanë zbulueshmëri qysh në zanafillë, pasi këto episode ndodhin në rrethana dhe në kushte të paimagjinueshme. “Agron Cane është personi që ka prirje në këtë ‘fushë’, pasi disa dekada më parë, kur ai ishte komandant i brigadës në Sarandë (post i lartë në hierarkinë ushtarake të asaj kohe) është identifikuar për një ngjarje të tillë, por u mbyll me një vërejtje, për të mos diskredituar atëherë ushtrinë shqiptare”, tregon psikologia, rreth 50 vjeçe.

Më tej, psikologia thotë se Cane në këtë histori është fatkeq, ndërsa Koço Kokëdhima është i keqardhur, pasi ka zgjedhur njeriun e gabuar. “Nuk dua ta besoj se Koço Kokëdhima e ka bërë sekretar për të ‘masakruar’ vajza të njoma apo të gjunjëzojë nënat në nevojë, por atij nuk i falet që ka lejuar atë të abuzojë me besimin e tij. Kjo është e pafalshme”, thotë psikologia, për të cilën kjo histori duhet të jetë mësim për çdo punonjës të administratës shtetërore, pasi në thelb institucionet funksionojnë për të mbrojtur njerëzit në nevojë dhe jo për t’u “rrëmbyer” vajzërinë 14-vjeçareve, si rasti i Agron Canes.

“Cane gëzon një moshë që nuk i falen gabimet, pasi nuk ka kohë të korrigjohet, por krejt kundër ndodh me një 14-vjeçare. Ajo është e vështirë të integrohet për shkak se i ke vjedhur fëmijërinë. Një traumë shpirtërore kërkon dekada të shërohet”, shpjegon psikologia.

Gaxherri: Edhe 100 palë zgjedhje të mbahen, rezultati është i njëjtë

0

besa gaxherriDeputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK’së Besa Gaxherri mendon se me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt është krijuar një situatë e re, kur dihet qartë se kush e ka të drejtën për t’i formuar institucionet e reja.

Ajo i ka bërë thirrje PDK’së të reflektojë karshi një situate që është krijuar dhe të dalë në opozitë.

Gaxherri ka thënë se edhe 100 palë zgjedhje nëse mbahen, rezultati do të jetë i njëjtë.

“Nuk kemi nevojë të humbim më shumë kohë duke pasur parasysh se kemi shumë probleme për t’i zgjidhur. Në këtë rast partitë politike, shumica dërrmuese prej tyre, me përjashtim të njërës, kanë bërë marrëveshje politike, e cila është shumë transparente dhe në harmoni me procedurat administrative dhe kushtetuese. Prandaj nuk ka kthim prapa”, ka thënë ajo për Epokën e Re.

Një qeveri me më pak ministri

0

QeveriaKosoves-NdertesaNumri i ministrive në Qeverinë e Kosovës do të zvogëlohet pavarësisht se kush e formon Ekzekutivin. Një gjë të tillë e kanë paralajmëruar të dyja kampet që pretendojnë ta formojnë Qeverinë e Kosovës: Partia Demokratike e Kosovës dhe blloku Lidhja Demokratike e Kosovës – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën.

Derisa blloku LDK-AAK-NISMA e përmend mundësinë e zhbërjes së Ministrisë së Integrimeve Evropiane, në PDK nuk janë ndalur te ndonjë ministri e veçantë. Se Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për aq shumë ministri e kanë thënë edhe analistë politikë.

Aktualisht Qeveria e Kosovës i ka 19 ministri. Ato që janë krijuar së fundmi nga PDK-ja dhe partnerët e saj të koalicionit janë Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Forcës e Sigurisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Diasporës…/koha ditore/