Home Blog Page 8091

Ish-deputeti i PDK-së, Ramë Vataj, ia përgatiti vetes pozitën e Rektorit në UPZ

0

Rame VatajIsh-deputeti i PDK’së, Ramë Vataj, sa ishte Kryetar i Komisionit për Arsim, kishte marrë pjesë në hartimin e Statutit të Universitetit të Prizrenit. Në atë kohë ishte vendosur që kandidati për Rektor duhet të ketë gradën e profesorit të asocuar e jo të profesorit asistent siç është në Statutin e UP’së.

Vataj, i cili prej vitit 2009 e ka gradën e prof.asoc, ka konkurruar për pozitën e Rektorit në Prizren, në ditën e fundit të konkursit.

I kontaktuar nga Express, Vataj ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet, sepse nuk ka asgjë kontroverse në kandidimin e tij.

Kur është pyetur se pse ishte vendosur kriteret më të larta për Universitetin e Prizrenit se në Universitetin e Prishtinës, ai nuk është përgjigjur dhe e ka ndalur telefonin.

Në anën tjetër, ish-kolegu i Ramë Vatajt në Komisionin për Arsim, Sadri Ferati, thotë se është e çuditshme se si është e mundur të ketë kritere më të larta për pranimin e Rektorit në Prizren se sa për Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë se nuk i kujtohet se si ishte vepruar në kohën kur Statuti i UPZ’së ishte dërguar në Komisionin për Arsim pasi shumica e punësi ishte kryer nga Universiteti dhe nga Ministria e Arsimit.

“Për mua është e çuditshme se si Universiteti i Prizrenit të ketë kritere më të larta se i Prishtinës, sepse kriteret duhet të jenë të njëjta për universitetet”, thotë Ferati, për Express.

Sidoqoftë, ai thotë se Vataj edhe mund të behet Rektor nëse ia lejon ligji dhe nëse nuk është konflikt interesi.

Megjithëkëtë, kolegu tjetër i Vatajt në Komision, Jeton Svirca, thotë se qëllimi i tyre ka qenë ngritja e kritereve për pranimin e Rektorit të Prizrenit si mundësi e mirë për ngritjen edhe të cilësisë.

Ai thotë senuk beson se ngritja e kritereve ishte bërë për t’ia përshtatur dikujt pozitën me thirrjen akademike.

Ish-kandidati i PDK’së për Kryetar të Suharekës, Ramë Vataj, në zgjedhjet e fundit kishte marrë vetëm 7 mijë e 246 vota, të cilat nuk i kanë mjaftuar për t’u bërë deputet. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës në Departamentin e Kimisë.

Ndryshe, Vataj sa ishte deputet kishte arritur të regjistronte djalin, Atdheun, në Fakultetin e Mjekësisë përmes një vendimi të Ramë Bujës për pranimin e studentëve me shtetësi të huaj.

Zhbogar dha sinjal për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve

0

Zhbogar6-13Analistët politikë vlerësojnë se deklarata e djeshme e shefit të Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar është sinjal se ndërkombëtarët do të ndërhyjnë në zgjidhjen e krizës politike në vend.

Zhbogar ka thënë se ndërkombëtarët vetëm do të japin rekomandime, por analistët këtë e shohin si një ndërhyrje të tërthortë për të arritur një kompromis mes partive politike. Gjithsesi, sipas tyre, në këtë situatë kur asnjëra palë nuk lëshon pe, ndërhyrja e ndërkombëtarëve bëhet e domosdoshme.

Pavarësisht faktit se ndërkombëtarët janë deklaruar se nuk do të ndërhyjnë në zgjidhjen e ngërçit politik, deklarata e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zbogar për ofrimin e rekomandimeve, nga analistët politikë shihet si paralajmërim për ndërhyrje. Analisti Imer Mushkolaj thotë se deklarata e djeshme e përfaqësuesit të BE-së, është sinjal se ka ardhur koha që ndërkombëtarët të përfshirjen e daljes nga kriza.

“Është vetëm një gjuhë diplomatike e cila na tregon se në fakt tashmë jemi në situatë kur nëse edhe këto ditët e fundit liderët politikë nuk gjejnë zgjidhje për tejkalim të krizës, atëherë ndërkombëtarët janë ata të cilët mund të konsiderohen si shpëtimtarë, sikur në të kaluarën dhe njëkohësisht vetë ndërhyrja e ndëkombëtarëve nënkutpon një arsyetim që liderët politikë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Ndërkaq analisti Artan Muhaxhiri konsideron se ndërhyrja ndërkombëtare kësaj radhe do të jetë më i tërthortë se herave të tjera.

“Tash po përmendet koncepti më i butë i sygjerimeve, mirëpo gjithsesi një ndikim duhet të ketë sepse pa këtë ndikim është i pamundur edhe përfundimi i këtij bllokimi”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Muhaxhiri thotë se në aspektin politik do të ishte mirë që politikanët e Kosovës vetë ta gjejnë zgjidhjen pa ndërhyrjen ndërkombëtare.

“Duket se skena politike kosovare ka ende nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare, ngase janë bërë më shumë se tre muaj që nuk ka asnjë orientim për daljen nga bllokada, ndërsa në të kaluarën jemi mësuar që këto bllokada të zgjidhen shumë shpejt me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtarë”, tha ai.
Sidoqoftë, analisti Imer Mushkolaj vlerëson se ndërhyrjet e ndërkombëtarëve shpesh u kanë shërbyer politikanëve në Kosovë.

“Këto ndërhyrjet që janë të mbështjellura me petkun e rekomandimeve u kanë shërbyer edhe për njëfarë amnistie të subjekteve politike dhe liderëve politikë karshi elektoratit dhe qytetarëve, duke dashur që të kamuflojnë kompromiset e tyre, të cilat duket se nuk kanë rrugë tjetër veçse t’i bëjnë edhe kësaj radhe”, tha Mushkolaj.
Ndryshe, një ditë më parë, shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar ka deklaruar se faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik, por do të jap rekomandime për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës.

Konviktet gati për akomodimin e 3600 studentëve

0

Konviktet-prQendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës, ka publikuar listën me emrat e studentëve të pranuar në konvikte.

Drejtues të Qendrës bëjnë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për akomodimin e studentëve, ndërkohë kapaciteti është për 3 mijë e 600 vende. Studentët kanë mundësi të ankohen në dy ditët e ardhshme, ankesat e të cilëve do të shqyrtohen nga një komision i veçantë.

Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, ku do të presë 3 mijë e 600 studentë, të cilët janë pranuar për banim në konvikte. Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën, se konkurrenca ishte shumë e madhe, ku për 3 mijë e 600 vende kanë aplikuar rreth 8 mijë studentë.

“Kur ke kapacitet 3 mijë e 600 vende dhe kur ke numër kaq të madh të aplikuesve normal që presioni është evident. Vet fakti që ne jemi detyruar që nga tre studentë dy prej tyre janë refuzuar e një është pranuar është presion në veti. Por ne jemi detyruar që të zbatojmë kriteret që kemi. Sa i përket punëve teknike jemi të përgatitur që të presim këtë numër që kemi pranuar dhe çdo gjë është gati që studentët të vijnë të akomodohen”, tha ai.

Ndërkaq, studentët e pakënaqur me rezultatin, kanë mundësi të ankohen. Drejtori Sfishta bëri të ditur se afati i ankesave do të jetë dy ditë, ku më pas do të shqyrtohen nga një komision i veçantë.

“Komisioni i caktuar nga ne, në përbërje nga menaxhmenti i Qendrës, MASHT dhe Parlamenti i studentëve, që vlerësojnë ankesat, nëse ankesat janë të bazuara, atëherë studentët do të pranohen në Qendrën e Studentëve. Sigurojë që çdo ankesë që është e bazuar do ta m arrë përgjigjen e merituar”, tha ai.

Sfishta gjithashtu njoftoi se kanë marrë leje nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e një konvikti të ri me kapacitet prej 300 shtretër. Akomodimi i studentëve të pranuar në Qendrën Studentore do të fillojë më 29 shtator. Ndërkohë, sivjet janë ulur tarifat për banim në konvikte, ku nga 70 euro sa kanë paguar për banim dhe ushqim, tani studentët do të paguajnë nga 35 euro në muaj.

Haradinaj: PDK mund të organizojë zgjedhje vetëm për vete

0

Kurti-Haradinaj-MustafaKryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi të mbajtur sot me partnerët e koalicionit, ka dalë edhe një herë kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas tij, vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje për shkak të tekeve të një partie të vetme.

“PDK mund të organizojë zgjedhje vetëm për vete nëse do, sepse shumica parlamentare e përbërë prej 64 deputetëve ekziston”, ka thënë Haradinaj, shkruan Express.

Ai është shprehur edhe një herë shumë i shqetësuar për humbjen e kohës që po ndodhë sipas tij, për shkak të tekeve të PDK-së, ndërsa ka thënë se kanë biseduar për planin e veprimit gjatë seancës së ardhshme të 2 tetorit.

Sipas Haradinajt, nuk ka më kuptim që PDK’ja të vijë në seancën parlamentare me kandidaturë, qoftë Arsim Bajramin apo këdo tjetër.

Ndërsa, Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk ekziston asnjë instancë qe mund t’i thërrasë zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse nuk e kanë shumicën parlamentare. Ai ka thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje sepse zgjidhja është në parlament.

Sipas tij, ideja për të shkuar në zgjedhje është një lloj shantazhi që po e bën PDK’ja me qëllim që ta frikësojë dhe ta zmbrapsë bllokun.

Beqiri ka folur edhe për ofertën që publikisht PDK ia ja bërë partisë së tij, duke thënë se PDK nuk është në pozitë të bëjë oferta të asnjë lloji. Kjo sipas tij është edhe një tendencë për të blerë kohë, por që nuk do të pijë ujë as kësaj radhe.

LDK në ngërç, ka vetëm dy opsione

0

Isa Mustafa LDKPartia që është “kapur” më së keqi nga ngërçi politik i krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, është Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK), të cilës kryetari i saj, Isa Mustafa, nuk i ka lënë opsione për manovrim.
Burime të lajmi.net brenda kësaj partie, kanë bërë të ditur se pas dështimit të dytë të bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma, të përkrahur edhe nga Vetëvendosje, madje me marrëveshje, për ta bërë Isa Mustafën kryeparlamentar të Kosovës, situata në LDK është përkeqësuar, ndërkohë që nuk po lejohet as debati.

“Është një grup deputetësh brenda partisë që ia kanë bërë me dije, direkt dhe indirekt, kryetarit dhe përkrahësve të tij të devotshëm, se duhet reflektuar përpara se të thirret vazhdimi i seancës konstituive (pjesa e tretë), sepse po shihet se nuk na ka mbetur opsion tjetër veç se të pajtohemi me aktgjykimin Gjykatës Kushtetuese, ose të çojmë vendin në zgjedhje të reja”, ka thënë me kusht anonimiteti një nga zyrtarët e lartë të LDK-së.

Sipas këtij burimi të lajmi.net, Mustafa e ka futur LDK-në në ‘ngërç’ me vetveten duke i ndarë postet me partitë tjera përpara se të zgjidhej kryeparlamentar gjatë seancës konstituive të 17 korrikut, e cila siç e dimë të gjithë, u anulua më pas me aktgjykim të gjykatës, për thyerje të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.

Dështimi i dytë i bllokut opozitar për të bërë Mustafën kryeparlamentar, më 18 shtator, kësaj radhe i mbështetur me marrëveshje edhe nga Vetëvendosje, sipas këtij burimi, ka ngjallur shumë pakënaqësi brenda LDK-së dhe i ka lënë asaj vetëm dy opsione, prishjen e koalicionit paszgjedhor ose çuarjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare.

“Opsioni i parë është prishja e koalicionit paszgjedhor, sepse ne si parti e dytë edhe ashtu jemi të pakënaqur me pozitën e kryeparlamentarit. E derisa kjo pozitë, siç po shihet, nuk mund të merret nga LDK-ja, atëherë lind pyetja se çfarë na mbetet neve, e jemi partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e fundit. Ndërsa opsioni i dytë janë zgjedhjet e reja. Por nëse analizojmë rrethanat ky opsion nuk i konvenon partisë sonë dhe nuk e ka as përkrahjen e ndërkombëtarëve, rrjedhimisht as të një pjese të partisë sonë, që shohim pak më larg se interesat personale”.

Lideri i LDK-së, Mustafa, i ka bërë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese ta rishikojë aktgjykimin që kishte të bënte me seancën konstituive të 17 korrikut dhe zgjedhjen e tij në postin e kryeparlamentarit, por kjo duket të jetë e pamundur, pasi Kushtetuesja është organi më i larët juridik në vend dhe nuk mund të rishikojë vendimet e veta. /lajmi.net/

EULEX-i nuk e di emrin e shefit të ri

0

EULEX-kosoveShefi i deritashëm i EULEX-it, Bernd Borchardt do të largohet këtë javë dhe se procesi i rekrutimit të shefit të ri të EULEX-it ka filluar.

Kështu ka thënë për KosovaPress, Dragana Nikolic-Solomon, nga zyra për media në EULEX, e cila përveç që ka treguar se ka filluar si proces, nuk ka dhënë detaje tjera.

Ndryshe, gjermani i cili shërbeu dy vite në krye të misionit të EULEX-it, nesër do ta mbajë një ndejë lamtumirëse, ku do të ketë edhe një fjalim.

Sqaron rektori: S’ka konkurs për studentë në matematikë

0

Ramadan ZejnullahuPërmes një njoftimi për media, rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, ka sqaruar se nuk do të ketë konkurs për pranim studentësh në departamentin e matematikës pa u akredituar programi. Ai këtë sqarim e bëri pas keqinterpretimit në medie, siç thotë në sqarim, të deklarimeve të tij gjatë konferencës së djeshme.

Mediet raportuan se rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ka paralajmëruar hapjen e konkursit për programin e paakredituar të matematikës.

“Rektori nuk e ka bërë një paralajmërim të tillë, por, duke u përgjigjur në pyetjen rreth programit të matematikës, ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjeve, e që mund të jetë keqkuptuar”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se rektori ka dhënë shpjegime për disa vende të mbetura nga afati i parë, por jo për kandidatët e ri, pa u akredituar nga MASHT.

“Para se konkursi të nxjerrët në Senat, Universiteti ka dërguar në MASHT propozimin e konkursit plotësues ku figurojnë vendet e mbetura nga afati i parë dhe është propozuar të shpallet konkursi edhe për programin e matematikës me kusht që regjistrimi i kandidatëve të bëhet vetëm pas akreditimit të programit. MASHT ka miratuar gjithë konkursin, por jo edhe propozimin që ka të bëj me programin e matematikës”, thuhet më tutje në njoftimin lëshuar nga Rektorati.

Në raste të tilla, vendimi i MASHT është përfundimtar dhe rektori, sipas njoftimit, nuk ka pasur asnjë plan që të procedojë këtë pjesë të konkursit në mbledhjen e nesërme të Senatit.

“Pra, Senatit do t’i propozohet nesër konkursi pa programin e matematikës dhe është gabim nëse shpjegimi i detajuar që është dhënë sot interpretohet ndryshe”, thuhet në fund të njoftimit.

Krasniqi ‘studentëve të pavarur’: Nuk do të ma mbyllni gojën

0

Jakup Krasniqi14-12“Goditje nën brez”, kështu titullohet shkrimi që ish – kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, për t’iu përgjigjur një reagimi të studentëve të pavarur, që po kundërshtojnë zgjedhjen e rektorit të ri.

Studentët, që për Jakup Krasniqin janë ‘studentë të pavarur’, nuk po ia ndryshojnë mendimin se ata janë të ndikuar nga politika.

Krasniqi po ashtu u është përgjigjur këtyre studentëve edhe për regjistrimin e vajzës së tij në Universitet, që studentët pretendojnë se është bërë me ndërhyrje të tij.

Krasniqi, madje reagimin e studentëve e quan lloj primitivizmi.

Ky është reagimi i plotë i ish – kryeparlamentarit Jakup Krasniqi:

Tentimi i studentëve të “pavarur” te Universitetit “Hasan Prishtina”, për të ma mbyllur gojën, që mos të prononcohem për deformimet në shoqërinë tonë është një lloj primitivizmi.

Studentët e “pavarur” duhet ta dinë që 15 vjet, Shoqata e Veteranëve të Luftës ka dërguar lista me emra të shumtë për t’u regjistruar në fakultetet e Universitetit publik dhe asnjëherë nuk kanë reaguar.

Asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar që të fitoj diçka për kontributin tim të shkuar, të burgut apo të luftës, nëse nuk e kam merituar me kontributin tim në se paku në kohë të tashme. Pra nuk kam kërkuar që të avancohem për merita të burgut apo të luftës. Ata që kanë punuar me mua e dinë ketë. Sa i përket regjistrimit të vajzës sime në Fakultetin e Mjekësisë, nuk e konsideroj farë “mëkati”, mëkate të tilla do të kryeja për çdo fëmijë të Republikës sonë, për t’ia dhënë një mundësi për shkollim.

E them me përgjegjësi, asnjë e më asnjë ndërhyrje devijuese në dëm të arsimit për asnjë nivel të arsimit, e as për arsimin e lartë nuk e kam bërë në jetë time, përveç ndihmës së pakursyer, bile edhe me rreziqe të shumta për jetën time dhe më shumë se kaq. Ketë nuk e kam bërë as atëherë kur kam pasur pushtet, e as atëherë kur kam qenë student ( 1972 – 1976).

Kjo që e bënë studentët e “pavarur” ishte një “goditje nën brez”, por me goditje të ultë jam mësuar, jo më pak se tash e 33 vjet. I njoftoj studentët se asnjë goditje gjatë jetës sime politike mbi 40 vjeçare nuk e kam marrë për interesin tim a të familjes sime. As kjo goditja e “pavarur”, nuk ka ardhur pse kam mbrojtur interesin tim apo të ndonjë të afërmi, por pse kam kryer obligimin tim qytetar. Me vjen mirë që personalisht nuk e njohë rektorin e posazgjedhur të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Jam i lumtur që studentët e “pavarur” e paskan gjetur një “mëkat” timin të “madh”, regjistrimin e vajzës sime në Universitetin publik!? Në kohën kur njerëzit me pushtet kanë zgjedhje të tjera, për ç’gjë studentët e “pavarur” kanë heshtje varri!?

P. S.
Studentëve të “pavarur”, po ua tregoj dy fotografi. E para e vitit 1982 në Gjykatoren e Prishtinës dhe e dyta kuptohet vet.

Rektori i UP-së thotë se do të luftojë keqpërdorimet

0

Ramadan ZejnullahuRektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, premtoi se do të luftojë pakompormis keqpërdorimet me të cilat ballafaqohet Universiteti i Prishtinës.

Në një konferencë për media, ai njoftoi për përgatitjet e fillimit të vitit akademik 2014/2015, i cili do të fillojë më 6 tetor. Ndërkaq, sa i përket konkursit plotësues për pranimin e studentëve të rinj, rektori Zejnullahu, tha se do të mblidhet senati i universitetit për të marrë vendimin për shpalljen e konkursit plotësues si dhe do të kompletohet ekipi i rektorit me prorektorë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, në konferencën e parë për media ka premtuar se gjatë mandatit të tij do ta luftojë pa kompromise korrupsionin në Universitet.

Ai theksoi se do të denoncojë të gjitha keqpërdorimet sidomos ato gjatë afatit të regjistrimit të studenteve.

Rektori tha se do të bëjë përpjekje që ligjëratat të jenë cilësore, të mos ketë vonesa të profesorëve, kurse përpjekjet e tij në përgjithësi do të jenë për ta normalizuar gjendjen në Universitet.

Ndërkaq, sa i përket një grupi të studentëve të cilët kanë protestuar për shkarkimin e rektorit, Zejnullahu tha se ai është një grup i cili po përfiton nga një ambient jo i shëndoshë, duke shpërdoruar vetveten. Ai i ftoi studentët për debat për të gjitha problemet që ata shqetësohen.

Rektori Zejnullahu, gjithashtu tha se do të merren masa edhe për profesorët të cilët kanë nga dy kontrata pune. Po ashtu do të ketë edhe një hulumtim të punimeve shkencore, ku më pas Rektorati do t’i prezantojë edhe me statistika.

Presidenti Obama flet në Kombet e Bashkuara

0

OBAMA 9Presidenti amerikan, Barack Obama, do të flasë sot në Kombet e Bashkuara, derisa kanë filluar sulmet ajrore ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Pas disa javëve të sulmeve ajrore kundër caqeve të militantëve në Irak, Obama e ka zgjeruar aksionin ushtarak edhe në Siri, para dy ditësh, ndërsa koalicionit i janë bashkuar edhe disa vende arabe.

Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama ka shprehur përkushtim për vazhdimin e luftës kundër grupit Shteti Islamik.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e pesë shteteve arabe në fushatën e sulmeve ajrore “e bënë të qartë për botën” se Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetmuara në luftën e tyre kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik.

Por, ai ka tërhequr vërejtjen se lufta e përbashkët kundër militantëve të Shtetit Islamik do të “marrë kohë”, dhe ka shtuar se Uashingtoni do ta bëjë “atë që është e domosdoshme” për t’i shkaktuar disfatë këtij grupi militant.

Dje zoti Obama, po ashtu, ka folur në Kombet e Bashkuara, në samitin për ndryshimet klimatike.