Home Blog Page 8152

Shqipëri: Inspektorja e BSH refuzon Kuvendin

0

Brace-komisioniDitën e mërkurë, Komisioni i Ekonomisë, i drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, u mblodh për një seancë dëgjimore me inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemin.

Por, nga sa u pa, inspektorja e BSH nuk ishte e pranishme në këtë seancë dëgjimore, e për këtë mungesë, kreu i këtij komisioni deklaroi se përbënte “një akt të rëndë” e një “rast të paprecedent në historinë e Kuvendit”, duke e akuzuar më tej inspektoren se nuk ka përmbushur detyrën e saj, transmeton Top Channel.

Erion Braçe bëri një përshkrim të situatës aktuale në Bankën e Shqipërisë, duke theksuar se “përmes shkeljeve të rënda administrative në BSH, është kryer një krim i rëndë me pasojë vjedhjen e 713 mln dollarëve”.

Ndërkohë, pikë së pari ai ngarkoi me përgjegjësi inspektoren e përgjithshme të BSH; e cila nga ana e saj kishte deklaruar se refuzonte të merrte pjesë për shkak se nuk përfaqëson Bankën e Shqipërisë, duke refuzuar kështu kërkesën e Kuvendit; për të cilën theksoi se ky rol emërohet dhe shkarkohet nga Kuvendi.

Duke e përshkruar situatën aktuale institucionale në BSH si të rrënuar tërësisht, Braçe ftoi edhe njëherë të gjitha organet kompetente të vijojnë hetimet dhe t’i shkojnë deri në fund atyre për të zbardhur jo vetëm fajtorët, por edhe përgjegjësit për këtë krim të rëndë. Gjithashtu bëri të ditur se ditën e enjte do të ketë sërish seancë dëgjimore, këtë herë me ish-inspektorin e përgjithshëm të BSH.

MASHT-i kërkon shqyrtimin e rastit të mësimdhënësve të larguar

0

MalishevaKryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, ka pasur të martën edhe një takim me përfaqësuesit e grupit të profesorëve dhe arsimtarëve të larguar nga puna nga kjo komunë.

Sedat Sahitaj, ish-profesor i Qendrës së Kompetencës, ka bërë me dije se kryetari Begaj ka premtuar se do ta formojë një komision për shqyrtimin e ankesave të të pakënaqurve ku, sipas Sahitajt, edhe një përfaqësues i të pakënaqurve do të jetë pjesë e këtij komisioni. Por kryetari Begaj të njëjtën ditë ka mohuar të ketë premtuar se në këtë komision do të jetë i përfshirë edhe përfaqësuesi i të pakënaqurve.

“Do të formoj atë komision, por kam premtuar se një përfaqësues i të pakënaqurve mund të jetë vëzhgues aty e jo anëtar komisioni”, ka thënë Begaj. Ai ka bërë me dije se lëndët e mësimdhënësve që kanë mbetur pa punë në Komunën e Malishevës i ka kërkuar për shqyrtim edhe Inspektorati i Arsimit nga Ministria e Arsimit në Prishtinë. “Inspektorati sigurisht do të marrë një vendim në lidhje me ato lëndë dhe kjo e bën të panevojshëm komisionin, por pasi po kërkojnë do ta formojë atë”, ka theksuar Begaj, shkruan Koha Ditore.

Testi i maturës me disa mangësi

0

Testi maturesMangësitë e evidentuara gjatë monitorimit të pjesës së dytë të testit kombëtar të maturës 2014, janë vonesat logjistike, identifikimi i maturantëve, mungesa e paarsyetuar e administratorëve e të tjera.

Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit të Kallxo.com.

Sipas Muhamet Hajrullahut, kjo tregon se ka pasur mangësi të dukshme në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të testimit.

Ndryshe, Kallxo.com ka monitoruar 36 qendra të testimit në 21 komuna.

Edhe Kino ABC ndihmon gratë e dhunuara në luftë

0

Kino ABC-objektiRepriza e filmit “Tri dritare dhe një varje”, më 5 shtator, e terminit 22:00 është rezervuar për mbledhjen e mjeteve të cilat do të grumbullohen nga biletat e shitura dhe do të shkojnë në një fond për gratë e dhunuara prej serbeve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë vendim ka njoftuar për KultPlus, Miradije Vllahiu drejtoreshë në Kompaninë për Distribuim dhe Promovim të Filmit “Genci”.

Filmi “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosës që për bosht ka dhimbjen e një gruaje që është dhunuar nga serbët, gjatë luftës së fundit në Kosovë, pos qasjes artistike duket që do të grumbulloj edhe një fond për gratë të cilat kanë pas të njëjtin fat, sikurse Lushja, personazhi kryesor i këtij filmi.
Pas vendimit të producentit të filmit, Shkumbin Istrefi, i mbështetur edhe nga ekipi i tij se mjetet e grumbulluara nga prezantimi i këtij filmi në kinemanë ABC do të shkojnë për këtë fond, edhe drejtuesit e kinemasë ABC kanë vendosur që ti bashkohen kësaj nisme.

“Ne kemi vendosur që repriza e datës 5 shtator, e terminit të orës 22:00 të shërbejë për këtë fond. Të hyrat e kësaj mbrëmje do të shkojnë për gratë e dhunuara gjatë luftës”, ka thënë për KultPlus, Miradije Vllahiu, drejtoreshë në Kompaninë për Distribuim dhe Promovim të Filmit “Genci”.

Sipas saj, hyrja për të parë këtë film do të jetë 3 euro, dhe të gjitha mjetet nga ky termin do të dedikohen për këtë fond.

Ndërkohë, filmi “Tri dritare dhe një varje”, premierën kombëtare do ta ketë në dy vende, një në kinemanë ABC, që do të filloj në ora 19:30, ndërkaq ajo e Teatrit Kombëtar të Kosovës që realizohet nën patronazhin e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga do të jetë në ora 20:00. Kurse premiera për gazetarë do të jetë në po të njëjtën ditë, me fillim në ora 13:00.

Blloku: Nuk është kompetencë e Brovinës, thirrja e liderëve

0

Kuvendi i Kosoves 7Përfaqësues të Bllokut opozitar thonë se nuk është në kompetencë të kryesueses Flora Brovina, thirrja e liderëve për një takim konsultues këtë enjte.

Ftesa për takim konsultativ mes liderësh të partive politike këtë të enjte nga kryesuesja Flora Brovina konsiderohet e pa bazë dhe jo kompetencë e saj nga ana e bllokut opozitar.

Ahmet Isufi nga AAK-ja i ka thënë Radio Kosovës se thirrja për takim konsultativ është tejkalim i kompetencës së zonjës Brovina që si kryesuese e seancës s`ka të bëjë asgjë me nivelin e kërkesës së saj për takim me liderët politik. Sipas tij, Blloku nuk do t`i përgjigjet ftesës së Brovinës për konsultime, por vetëm thirrjes për seancë konstituive.

“Ajo vetëm duhet ta respektojë rendin e ditës për të caktuar nga kryesia e kaluar dhe vetëm kaq është mandati i saj. Prandaj, kërkesa për t`i ftuar liderët politik është absurde sepse liderët politik mund t`i ftojë presidentja, mund të ftohen ata mes vete dhe jo kryesuesja e një mbledhje konstituive e Kuvendit”, tha ai.

Në anën tjetër, njohës të rrethanave politike theksojnë se ngërçi politik tashmë ka hyrë në një fazë delikate dhe janë duke u harxhuar të gjitha mundësitë për një zgjidhje të shpejtë. Analisti, Artan Muhaxhiri i ka thënë Radio Kosovës se presidentja Atifete Jahjaga do të duhej që të ndërhynte për zgjidhjen sa më shpejt të situatës së krijuar që pas zgjedhjeve të tetë qershorit.

“Presidentja Jahjaga e ka obligim kushtetues që të shndërrohet në një faktor uniteti dhe të tentoi të gjejë një zgjidhje. Në fund të fundit është e pamundur që të zgjidhet kjo bllokadë pa takimin e dy blloqeve kryesore, pra të koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe PDK-së”, theksoi ai.

Ndërkaq, Zyra e Presidentes Atifete Jahjaga bënë të ditur se Presidentja nuk do të ndërmjetësojë zgjidhjet ndërmjet subjekteve politike, meqë u takon vetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të përmbushin pritjet e qytetarëve të vendit, për të gjetur zgjidhjet për konstituimin e Kuvendit, që hap rrugën e krijimit të institucioneve të reja.

Këshilltari i Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu përmes postës elektronike, i ka thënë Radio Kosovës se në zbatim të Kushtetutës dhe në përputhje me mandatin e saj, me qëllim të garantimit të funksionimit demokratik të institucioneve, duke ruajtur pavarësinë dhe autonominë e secilit institucion, Presidentja Jahjaga, në rast nevoje, kurdo që do të mund të ndodhte pengimi i funksionimit të shtetit dhe rrezikimi i proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, nuk përjashtohet mundësia që të lehtësojë diskutimin me forcat politike.

Kosovari ther kosovarin, thotë se është me trauma nga lufta

0

Munih-Kosovari ne gjyq?Një kosovar 27 vjeç ka sulmuar me thikë kosovarin tjetër (34 vjeçar) dhe vetëm rastësia e ka shpëtuar viktimën nga më e keqja. Ai ka pësuar një therje prej rreth tetë centimetrash në regjionin e veshkave por thika, për fat, nuk ka prekur organet vitale, kështu që ka shpëtuar pa pasoja serioze. Mirëpo kjo gjë nuk ndryshon shumë në akuzën e lexuar ndaj tij në një gjykatë të Munihut. Ajo është: tentim vrasjeje.

I paraqitur në procesin gjyqësor të martën, Bujar H. ka pranuar therjen e bashkatdhetarit te tij, (Xhevdet K.) që ka ndodhur pas një rrahjeje në mes tyre në një diskotekë, në maj të vitit të kaluar. Por, sipas tij zënka është provokuar nga viktima. “Ai ishte shumë më i madh me trup se unë kështu që nuk ksiha shanse ndaj tij”, “arsyeton” Bujari sulmin e tij me thikë.

Më tutje kosovari ka pohuar se traumat e pësuara në luftën e Kosovës (kur ai ishte fëmijë 11 vjeçar) e kishin sjellë në këtë gjendje. Sipas tij, ai kishte qenë dëshmitar kur forcat serbe kishin sulmuar një grua duke dashur t`ia grabitnin fëmijën. Pasi që ajo kishte rezistuar, ata e kishin lyer me benzinë dhe e kishin djegur. Kjo ngjarje e kishte traumatizuar atë duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe pasigurisë.

Ai kishte ardhur në Gjermani në fillim të vitit 2010 dhe këtu jetonte si azilkërkues. Me kalimin e kohës kosovari kishte krijuar varësi nga bixhozi dhe alkooli. Kjo e kishte sjellë në gjendjen që të ushtronte dhunë ndaj të tjerëve. “Unë përpiqem ta zotëroj veten”, ka thënë para trupit gjykues kosovari, duke shpjeguar gjendjen e tij. Partnerja e tij italiane-kosovare, e cila tashmë është dhe nënë e fëmijës së përbashkët, ishte kundër varësisë së tij ndaj alkoolit por, siç thotë ai, “nuk kishte çka të bënte”.

Gjatë kohës së qëndrimit në burg ai i ishte drejtuar shërbimit për ndihmë kundër varësisë dhe tashmë kishte frekuentuar dhjetë orë këshillimi.

Procesi, të cilit shumë medie gjermane i kanë bërë jehonë të konsiderueshme, është duke vazhduar. /Albinfo/

EC Ma Ndryshe: Ku është kalldrëmi i Prizrenit?

0

Prizreni 18788Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” të mërkurën ka prezantuar dy produkte të reja, që trajtojnë identitetin urban dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, që dita-ditës po transformohen, duke i dhënë një pamje tjetër Prizrenit, në kundërshtim me kujtesën kolektive të komunitetit.

Valon Xhabali, Koordinator i Projektit tregon se produkti i parë është hulumtimi për kalldrëmin e rrugëve të qytetit të Prizrenit i titulluar “Ku është kalldrëmi i Prizrenit?”, që sjellë në pah zhvillimet në raport me këtë material, i cili është zëvendësuar me asfalt, madje edhe në rrethin e parë të Qendrës Historike, pa një debat të mirëfilltë me të gjithë akterët shoqëror.

“ Kurese produkti i dytë është harta e shtëpive të vjetra të Prizrenit, që është rezultat i një pune të gjatë të dokumentimit të kësaj pjese të trashëgimisë kulturore. Shtëpitë e vjetra (qytetare) të Prizrenit janë kategoria e trashëgimisë kulturore që ka pësuar më së shumti në 15 vitet e fundit. Harta e shtëpive të vjetra është edhe një përpjekje e EC Ma Ndryshe për të apeluar për veprim qytetar dhe institucional për t’i shpëtuar shtëpitë e mbetura”, thotë Xhabali.

Në hulumtimin “Ku është kalldrëmi i Prizrenit”, theksohet fakti se Prizreni, si qendër urbane, prej shekujsh është dalluar me karakteristikat arkitektonike të saj, ku qyteti është ndërtuar me materiale tradicionale, në mesin e të cilave kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve e rrugicave të tij. Si i tillë, kalldrëmi i ka dhënë karakter dhe hijeshi shesheve e rrugëve të Prizrenit në të kaluarën, dhe vazhdon ta bëj këtë edhe sot e kësaj dite në pjesët e mbetura.

“Kjo kulturë e shtresuar gjatë shekujve, që është trashëguar deri në ditët e sotme, sipas të gjeturave të hulumtimit është ballafaquar me rrezikun e zhdukjes nga rrugët e Prizrenit për shkak të intervenimeve në emër të zhvillimit të infrastrukturës moderne, duke injoruar në tërësi pjesën identitare të qendrës urbane e historike të qytetit. Madje, pushteti lokal i ka ndërmarrë këto veprime me një qasje autoritative, pa asnjë debat gjithëpërfshirës dhe me bindjen se vetëm establishmenti komunal e di se çka është më e mira për qytetin dhe qytetarët”.

“Si pasojë e kësaj qasjeje, në vitet e pasluftës, në disa rrugë qendrore të Prizrenit është larguar kalldrëmi dhe është zëvendësuar me asfalt. Në emër të lehtësimit të qarkullimit rrugor të automjeteve është sakrifikuar një nga elementet e identitetit historik të qytetit. Dhe kalldrëmi i larguar, sipas raportit, është depozituar në dy lokacione, me evidencë që nuk shquhej për saktësi. Ndërkohë historia e vendimmarrjes për largimin e kalldrëmit bashkë me projektet e hartuara është shlyer nga memoria institucionale e komunës së Prizrenit shkaku i zjarrit që kishte kapluar ndërtesën e administratës lokale”

“Kështu hiri ka mbuluar shumë pyetje që ende mbeten pa përgjigje. Për përgjegjësi e llogaridhënie as që është bërë fjalë. Por ajo çka konstaton raporti, është se Prizrenit i është gjymtuar një pjesë e identitetit, që vështirë se mund të kthehet ndonjëherë”.

“Prandaj ky raport, më shumë vjen si një kontribut në drejtim të promovimit të vlerës së kalldrëmit, dokumentimit të dëmit që i është shkaktuar qytetit me largimin e tij nga rrugët qendrore, parashtrimit të nevojës për ruajtjen e tij dhe eventualisht hapjen e debatit për rikthimin e këtij materiali në përdorim së paku në zonën qendrore të Prizrenit”.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale”./PrizrenPress.com/

Bashkësitë “e jashtëligjshme” fetare

0

Xhamia ne muzgeMungesa e një ligji i cili do t’i definonte dhe rregullonte pozitën ligjore të bashkësive fetare në Kosovë, ka prodhuar dhe po prodhon jo vetëm telashe praktike për bashkësitë fetare në vend, por edhe pasoja të tjera, të cilat mund të jenë të dëmshme për vet sigurinë e vendit, vlerësojnë përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe njohësit e ligjeve në Kosovë.

Resul Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se një ligj i cili e saktëson pozitën juridike të bashkësive fetare, është tejet i domosdoshëm.

Mungesa e ligjit të tillë, sipas tij, i ka krijuar telashe Bashkësisë Islame të Kosovës, madje, siç thotë ai, edhe për çështje që në vendet tjera do të konsiderohej banalitet.

“Në mungesë të këtij ligji, bashkësia fetare nuk ka mundësi të regjistrohet. Ku të regjistrohet? Ju nuk e kemi një adresë, të cilin ligji do t’ua tregonte juve se ku duhet ju të regjistroheni. Prandaj, për rrjedhojë nuk kemi edhe një numër të regjistrimit dhe ai numër i regjistrimit ku regjistrohet bashkësia fetare, nevojitet për ta hapur një xhirollogari në cilëndo qoftë bankë të Kosovës. pa një numër të regjistrimit ju nuk mund ta hapni një xhirollogari, e cila do t’ju duhej për të vepruar dhe punuar si një institucion normal në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash Kisha katolike e Kosovës, në vazhdimësi ka pasur mirëkuptim ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës dhe ka pritur deri më tash për ligjin që saktëson pozitën e bashkësive fetare.

Por, sipas tij, tashmë mungesa e një ligji të tilla mund të sjellë edhe pasoja.

“Fjalën e kam sidomos për infiltrimin e sekteve këtu në Kosovë, të cilat mund të jenë edhe të rrezikshme. Ndërsa, me miratimin e ligjit për fetë, duhet të bëhet ri-regjistrimi, sidomos i atyre grupeve që pretendojnë të themelojnë bashkësi të reja në Kosovë”, thotë Don Shan Zefi.

“Sa i përket Kishës katolike dhe gjithashtu edhe Bashkësisë Islame dhe Kishës ortodokse, më pas bashkësive të hebrenjve dhe të protestantëve, ato duhet të konsiderohen si tradicionale, tashmë të njohura në Kosovë. Ato gjatë historisë e kanë dhënë provimin e tyre se nuk janë kundër popullit shqiptar”, shprehet ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë mundur të japin përgjigje, si dhe pikëpamjet e tyre lidhur me çështjen e mungesës së ligjit për saktësimin e pozitës së bashkësive fetare.

Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Kishës Katolike të Kosovës, theksojnë se kanë dhënë kontributin e tyre për hartimin e një projektligji për definimin e pozitës juridike të bashkësive fetare, të cilën e ka iniciuar Qeveria e Kosovës që në vitin 2012.

Por, projektligji i tillë ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Këtë e pohon edhe Arben Gashi, kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, në legjislaturën e kaluar.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky projektligj nuk ka shkuar në komisionin që ai drejtonte.

“Jo nuk ka pasur. Në komisionin tim nuk ka ardhur asgjë e tillë”, thotë Gashi.

Ndryshe, lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë me përfaqësuesit e Qeverisë në largim të Kosovës, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Por, Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e vlerëson si të pashpjegueshëm faktin që bashkësitë fetare në Kosovë, tash e 15 vjet funksionojnë pa bazë ligjore.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky fakt është tepër shqetësues.

“Sepse, tash po shohim elemente radikale, elemente ekstremiste dhe elemente që po ndërlidhen me veprimtari të terrorizmit, të cilat mund ta kenë burimin pikërisht nga mungesa e një legjislacioni, i cili e bën një kontrollim më efikas të krejt veprimtarive të këtyre bashkësive, të çfarëdo lloj organizate, duke eliminuar mundësitë e financimit të dyshimtë të çfarëdo aktiviteti. Në këtë rast, kjo mungesë e bazës ligjore, ka bërë që në Kosovë të zhvillohen lloj-lloj veprimtari dhe aktivitetet që janë ndërmarrë në vazhdimësi, të mos kontrollohen, ashtu siç duhet, nga shteti”, thekson Musliu.

Në anën tjetër, Resul Rexhepi, thotë se në mungesë të ligjit për bashkësitë fetare, as Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka mundur dhe nuk mund të ushtrojë autoritetin e saj, ndaj personave të caktuar, të cilët vizitojnë objektet fetare që janë nën këtë bashkësi, por që sillen jashtë parimeve që ka përcaktuar vet Bashkësia Islame e Kosovës.

“Sa të ekzistojë vetëdija se ju nuk jeni të regjistruar, automatikisht ai mundet, si dhe nganjëherë edhe në mënyrë mos përfillëse, të veprojë”, thotë Rexhepi.

Pikërisht, telashe të ngjashme që i përmend Rexhepi, sipas Musliut janë mjaft prezente dhe u shkaktojnë mjaft probleme bashkësive fetare.

“Natyrisht që kjo mungesë e ligjit u shkakton probleme të mëdha edhe vet këtyre bashkësive. Por, tash, këtu kemi mungesë të vullnetit edhe nga ana e institucioneve, të cilat nuk e kanë rregulluar këtë fushë me norma të caktuara ligjore dhe,po ashtu, mungesë të vullneti nga ana e këtyre bashkësive për të bërë presion të vazhdueshëm që të krijohen norma ligjore, me të cilat do ta rregullonin veprimtarinë e vet”, bën të ditur ai.

Ndryshe, Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e sivjetmë për liritë fetare, ashtu sikurse edhe viteve të kaluara, ka nënvizuar mungesën e ligjit përkatës për definimin e pozitës juridike të bashkësive fetare në Kosovës.

Ndryshe, përfaqësuesit e bashkësive fetare kanë theksuar tashmë se një projektligj i tillë mbase edhe mund të jetë i përgatitur, por dërgimi i tij në Kuvendin e Kosovës do të varet nga qeveria e ardhshme e vendit.

Arifi: Nuk humbim kohë me PDK-në

0

Avni Arifi-aakKoalicioni LDK-AAK-Nisma në asnjë variant nuk do të jetë pjesë e koalicionit me PDK-në, njëkohësisht nuk do t’i pranojë as konsultimet që janë të parapara për formimin e qeverisë së re. Kështu ka thënë Avni Arifi, këshilltar i lartë politik i liderit të AAK-së.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Arifi ka deklaruar se koalicioni LDK-AAK-Nisma nuk është i interesuar të humbet kohë për të biseduar me zyrtarë të PDK-së për çështjen e formimit të institucioneve të reja.

Arifi ka bërë me dije se ky koalicion nuk do të pranojë kurrfarë konsultimesh dhe negociatash me PDK-në për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma nuk pranojnë konsultime dhe as negociata me PDK-në për postin e kryeparlamentarit”, ka thënë Arifi, i cili ka mohuar se liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma janë duke iu frikësuar takimit me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, i cili do të mundte ta ndante treshen Mustafa-Haradinaj-Limaj.

“E them me sinqeritet të plotë, se në asnjë periudhë kohore nuk ka ekzistuar droja se ndonjëri nga partnerët e koalicionit mund të hyjë në bisedime me PDK-në”, është shprehur Arifi, duke shtuar se partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma janë të gatshme të shkojnë bashkë në çdo proces, përfshirë edhe opsionin e zgjedhjeve të reja.

“Partitë e bllokut në të gjitha opsionet e mundshme që do të përballen në të ardhmen e afërt janë të gatshme të shkojnë bashkë”, është shprehur Arifi.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se ekziston gatishmëri e fuqishme në mes të partive të koalicionit se nuk do të ketë qeveri ‘Thaçi 3’.

Hasjanët të revoltuar me pushtetin e Prizrenit

0

Hasi 2Banorët e fshatrave të Hasit nuk janë të kënaqur me përfaqësuesit në Kuvendin e Komunës dhe me punën e Qeverisë “Muja III”. Ata thonë se Hasi ka mbetur pas dore nga Muja, sepse asamblaistët që vijnë nga ky rajon dhe drejtorët e drejtorive që janë nga ky rajon më shumë po i shikojnë punët e veta sesa zgjidhjen e problemve më të cilët përballe hasjanët.

Sipas tyre, kujdesi për ta bëhet vetëm në kohë fushate, kur i kërkohet vota. Pastaj, asnjë kërkesë e tyrë nuk merret parasysh. Hasjanët thonë se përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Komunës po i mbrojnë vetëm interesat personale të tyre, por jo edhe të komunitetit që përfaqësojnë.

“Asambleistët që i kemi votuar kurrë nuk flasin për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë. Ata po i këqyrin vetëm interesat e tyre personale”, thotë një banor i cili nuk dëshiron të identifikohet, duke thënë se i ka humb krejt shpresat në këtë përfaqësues në kuvend dhe drejtorët që janë nga Hasi në Qeverinë e Prizrenit.

Sipas tij, ata vetëm shikojnë se si t’i mbajnë nga dy apo tre vende të punës dhe të përfitojnë nga pushteti.

Ditë më parë Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja u përballë me shumë ankesa dhe kërkesa nga hasjanët.

Zenun Shehu nga fshati Planejë thotë se Komuna e Prizrenit nuk ka realizuar asnjë investim kapital në Planejë e Gorozhup. Sipas tij, zyrtarët komunalë asnjëherë nuk kanë komunikuar në mënyrë të sinqertë me banorët e këtyre dy fshatrave.

“S’di pse të bëjmë më kërkesa kur nuk merren parasysh”, thotë Shehu.

Edhe Bashkim Brahaj nga Gjonaj thotë se janë bërë tre vjet që prej se ka kërkuar që të rregullohet rruga që nga Kodra e Tupecit lidh Hasin me Atmaxhën e Prizrenin, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje të merituar.

“Kërkesa është bërë në komunë disa herë që rruga fushore që ka ekzistuar të rregullohet. Është paraqitur me gojë, me shkrim, është protokolluar, por kurrë asnjë përgjigje s’kemi marrë”, thotë Brahaj.

Fejzë Kabashi nga Kabashi, ndërkaq tregon se zyrtarët komunal ishin zotuar se deri në vitin 2013 do t’i zgjidhnin problemet e këtij lokaliteti. “Ne pimë ujë të kontaminuar. Rrugët i kemi të paasfaltuara derisa as kanalizimi nuk është shtrirë”, shprehet ai.

Fadil Përvizaj nga Krajku ka bërë të ditur se furnizimi me ujë është problemi kryesor në këtë fshat, sikurse edhe mos asfaltimi i gjysmës së rrugëve, mungesa e trotuareve dhe institucioneve parashkollore.

Edhe Ismet Morina nga Kushnini ka shtuar se në trevën e Hasit që është lënë pas dore më së paku investime ka pasur në këtë fshat. “Tre apo katër rrugë kanë nis të ndërtohen dhe ka ngec puna. Asnjë përgjigje nuk e kemi marrë pse ngecin punët në Kushnin”, thotë ai.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja në debatin publik që ka mbajtur me banorët e fshatrave të Hasit është informuar për të gjitha këto probleme me të cilat përballen banorët e kësaj ane. Ai nuk është ndarë i kënaqur me shqetësimet që kanë ngritur banorët e këtij rajoni.

“Nuk është e vërtet që nuk kemi bërë asgjë për Hasin”, ka thënë kryetari Ramadan Muja./PrizrenPress.com/