34.7 C
Prizren
E mërkurë, 23 Korrik, 2025
Home Blog Page 8418

Lidhja e burrave

0

Dy qeverite-foto35 meshkuj dhe vetëm pesë femra. Kjo është fotoja që është bërë nga kabinetet e të dyja qeveria pas mbledhjes së përbashkët, Kosovës dhe Shqipërisë në ‘Lidhjen e Prizrenit’.

Ajo që të bie në sy janë mungesa e ministreve femra. Në foto shihen vetëm pesë dhe që të gjitha të Shqipërisë.

Nuk duhet harruar se Kosova aktualisht ka vetëm një, Vlora Çitakun që në këtë foto zëvendësohet nga Gëzim Kasapolli. Në foto mund të ishte edhe Edita Tahiri, zëvendëskryeministre ngase në foto ka të tjerë që kanë një post të tillë.

Ndërsa, pesë femrat në foto janë të kabinetit shqiptarë, ku që nga formimi i këtij kabinet, kryeministri i tyre, Edi Rama ka qenë lajm nëpër media për numrin më të madh të ministrave femra në historinë shqiptare, që janë gjithesj gjashtë./Kosovapress/

Konstituimi në veri, për pak shmangu zgjedhjet e reja

0

Konstituimi ne veriKonstituimi i komunave veriore me shumicë serbe pak minuta para mesnatës, shmangu mundësinë që në veri të shpalleshin të pavlefshme zgjedhjet për pushtetin lokal.

Pas një maratone diskutimesh në veri të Kosovës, ku u përfshi edhe përfaqsuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, katër komunat veriore me shumicë serbe përfunduan procesin e konstituimit. Ceremonitë e nënshkrimit të deklaratës u mbajtën pak minuta para mesnatës, duke shmangur kështu mundësinë që zgjedhejet lokale të shpalleshin të pavlefshme, transmeton D.Welle.

Data 12 janar ishte afati i fundit i shpallur nga Ministria e Pushtetit Lokal, kur komunat veriore të Kosovës duhet të nisnin punën. Radio Televizioni i Serbisë, RTS, njofton se deputetët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave kanë nënshkruar deklaratat dhe kanë bërë betimin e tyre “në pajtim me ligjin e Kosovës për pushtetin lokal dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Deputetët shqiptarë nënshkruan deklaratën me simbole të Republikës së Kosovës, ndërsa, deputetët serbë i kanë nënshkruar deklaratat në gjuhën serbe dhe me simbole të mbuluara të Kosovës.

Njoftohet se kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës Kërstimir Pantiq, në shenjë pakënaqësie ka bojkotuar seancën inuaguruese në veri të Mitrovicës. Kërstimir Pantiq, nuk pranon që të betohet me ligjet e Kosovës dhe kështu mbetet e paqartë sesi do të veprohet më tej.

Qeveria e Kosovës kishte qëndrim të prerë që seancat përuruese në veri të mbaheshin në pajtim me ligjet e Kosovës, ndërsa, përfaqësuesit serbë kërkonin që tërë procesi të ishte neutral ndaj statusit të Kosovës. Për këtë cështje për më shumë se një javë në Bruksel u zhvilluan bisedime ndërmjet grupeve të punës të Kosovës dhe të Serbisë.

Zëvëndëskryeministrja në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila kryesonte bisedimet, tha se “edhe Bashkimi Evropian ishte i prerë në qëndrim që komunat veriore duhet të përurohen sipas ligjeve të Kosovës, sepse kështu edhe parasheh edhe marrëveshja e Brukselit e nënshkruar me 19 prill ndërmjet kryeministrit te Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq. Sipas kësaj marrëveshje pritet të formohet edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe.

S’dihet se çka do të ndodh me teatrin e Operës dhe Baletit

0

TeatriOperesBaletitEnde nuk dihet se çfarë do të ndodhë me teatrin e Operës dhe Baletit, i nisur para sa vitesh në Prishtinë. Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, i kanë thënë Radio Kosovës se projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit është një problem i trashëguar vite më parë dhe ai i tillë ka mangësi të shumta. Në anën tjetër, firma e cila e ka bërë hartimin e projektit nuk ka dashur të prononcohet nëse do t`i bëjë përmirësimet në projekt apo jo.

E nisur para pesë vjetësh, objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” ka mbetur një gropë e thellë, në të cilën këndojnë serenatë vetëm bretkosat. Kjo ka ndodhur për shkak se projektit nuk i është bërë revidimi me kohë.

Punimet ishin ndërprerë pas marrjes së mandatit të ministrit paraprak Lutfi Haziri, i cili kishte urdhëruar revidimin e tij. Por, revidimi ka nxjerrë probleme të shumta, duke rekomanduar që të mos vazhdojë realizimi i projektit, pa u përfshirë përmirësimet në të. Pavarësisht rekomandimeve që janë dalë nga raporti i revidimit, kompanitë që kanë hartuar projektin, “ARW PLANUNGSGEMEINSCHAFT”, nga Gjermania, si dhe ajo “RUBIKON Ltd” nga Malta, ka qenë dashur që brenda një viti t`i bëjnë përmirësimet.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje, pavarësisht insistimit të Radio Kosovës për të marrë një përgjigje, askush nga të dyja kompanitë nuk kanë dashur të prononcohen rreth kësaj çështje.

Ndërsa, Jehona Shyti, zëdhënëse e Ministrisë së Kulturës, deklaroi për Radio Kosovën se mos ndërhyrjet e firmave hartuese në përmirësim të projektit, e kanë vu në situatë të palakueshme Ministrinë.

“Ne si ministri nuk mund t`i japim dikujt tjetër që të përfshijë këto rekomandime për përmirësime në projekt sepse është ndërhyrje në të drejtën e autorit dhe ne fatkeqësisht si ministri kemi mbet në një situatë shumë të palakmueshme për fajin e dikujt që nuk e ka menduar me kohë këtë projekt”.

Shyti thekson se të gjitha këto probleme e kanë zvarritë projektin dhe e kanë sjellë Ministrinë në një situatë të mjegulluar, duke mos ditur se çfarë të bëjnë me projektin: të vazhdohet apo do të anulohet. Por, siç thekson ajo, problem mbetet edhe përcaktimi i buxhetit.

“Dhe tërë kësaj kur i shtohet edhe një problem tjetër, që ka të bëjë me planifikimin buxhetor atëherë kjo e ka bërë edhe më të pamundur vazhdimin e projektit. Planifikimi buxhetor ka qenë që nga 30 milion euro, sa ka kushtuar projekti, të realizohet çdo vit nga një milion euro gjë që është absurde”.

Defektet që janë nxjerrë nga raporti i revidimit kanë qenë esenciale për projektin. Raporti ka konstatuar probleme në akustikë dhe statikë të objektit.

Ndërkohë, baleti dhe filarmonia e Kosovës vazhdojnë të funksionojnë në kushte jo të mira, në mungesë të një hapësire adekuate për to.

Në Fakultetin e Mjekësisë rishqyrtohet përzgjedhja e stafit akademik

0

Dekanati-fakulteti mjeksiseFakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës ka ri-shqyrtuar lëndët për konkursin e përzgjedhjes së stafit akademik. Rreth 45 lëndë u patën kthyer për ri-shqyrtim në këtë fakultet pasi që nuk ishin respektuar kriteret e konkursit dhe Statutit. Zyrtarë të Universitetit, bëjnë të ditur se pasi të përfundojë ky proces, do të merren hapa të tjerë.

Prorektori për mësim në Universitetin e Prishtinës, Nuri Bexheti, tha për Radio Kosovën, se senati ka kthyer lëndët për konkursin e përzgjedhjes së kandidatëve për asistentë në Fakultetin e Mjekësisë, me qëllim që të zgjedhën më të mirët, e që janë konform rregullores dhe Statutit. Ai tha se ky Fakultet duhet të reflektojë në përzgjedhjen e kandidatëve për rekrutim si asistentë të Universitetit të Prishtinës.

“Tani janë ngritur komisionet prapë atje, shumica kanë ardhur dhe së shpejti do t’i publikojmë përsëri në buletin. Senati ka ardhur në këtë konstatim sepse është rënë ndesh me disa nga pikat kyçe të rregullores, p.sh disa kandidatë kanë qenë me moshë më të vjetër, ndërsa disa të tjerë me notë mesatare studimi më të ulët se sa e parashikon Statuti”.

Mësohet se tashmë Fakultet i Mjekësisë ka shqyrtuar pothuajse të gjitha lëndët që ditë më parë u patën kthyer për rishqyrtim nga Senati i Universitetit. Sipas Bexhetit, pasi të përfundojë ky proces, do të merren hapa të tjerë.

“Kur të mbyllim këtë fazë të konkurrimit, atëherë do të bëjmë bilancin dhe konform vendimit që do të marrim do të ketë edhe hapa të mëtutjeshëm.

Ndërkohë, nëse pas ri-shqyrtimit të lëndëve, përsëri vërehen parregullsi apo shqetësime të tjera, atëherë mund të ndëshkohen përgjegjësit e parregullsive në konkurs.

Financimi i “Dokufest’-it dhe heqja e taksës për librin, tema të dy Qeverive

0

DokuFest6-26Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e parë të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë janë shqyrtuar marrëveshja për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor, propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DOKUFEST” në Prizren, dhe çështja e heqjes së taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria.

Thellimi i bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë ndër temat kryesore të takimit të parë të përbashkët të Qeverive të të dyja shteteve, që u mbajt në Prizren.

Siç merr vesh KultPlus, palët janë angazhuar që t`i intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për përafrimin politikave dhe organizimin institucional të ngjarjeve të përbashkëta kulturore në mënyrë që ato të mos mbesin çështje e organizimit spontan.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, në këtë mbledhje, janë shqyrtuar marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor, pastaj propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DOKUFEST” në Prizren, dhe çështja e heqjes së taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria.

Ndërsa Ministri i Kulturës Memli Krasniqi, përmes faqes së tij në facebook e ka vlerësuar mbledhjen e përbashkët të dy qeverive si një moment për të marr përgjegjësi të reja për avancimin e përgjithshëm të të dyja vendeve dhe kombit shqiptar.

Ndërkohë, ministria e Kulturës e Shqipërisë ka njoftuar se ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi gjatë takimit me homologun kosovar Memli Krasniqi në Prizren, ka diskutuar për vijimësinë e platformës së përbashkët të kalendarit artistik dhe detyrave të takimit të datës 21 nëntor 2013 në Tiranë.

Në vazhdën e kësaj Ministria e Kulturës e Shqipërisë paralajmëron se shumë shpejt, do të fillojnë përgatitjet për një takim të madh mes drejtuesve të institucioneve artistike Kosovë – Shqipëri për konkretizimin e kalendarit të përbashkët kulturor si dhe do të fillojnë analizat për kujdes dhe veprim të përbashkët për trashëgiminë kulturore.

“U vlerësuan veprimtaritë e deritanishme, në një afat të shkurtër kohor dhe u diskutua për aksione konkrete në vazhdim. Bashkëpunimi rajonal në fushën e kulturës është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës por edhe e vetë Qeverisës së re të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Kjo ministri thekson se në vazhdën e këtij bashkëpunimi synohet të krijohet një hapësire kulturore mbarëshqiptare e mbështetur në formë institucionale, ku hapësira kulturore e dy vendeve të trajtohet si një, por me më shumë qendra siç janë Tirana, Prishtina, por edhe të tjera ku do të duhej të komunikojnë lirshëm veprat artistike dhe kultura. Nuk i duhet lënë më spontanitetit, qarkullimi i veprave artistike dhe kulturës, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës pas mbledhjes së takimit të parë të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Prizren.

Çfarë biseduan Thaçi dhe Clintoni më 1999?

0

Thaci-ClintonIsh presidenti amerikan, Bill Clinton, kishte marrëdhënie të mira me Hashim Thaçi në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërsa pas bombardimeve të NATO-s ndaj forcave ushtarake dhe policore serbe, Clinton uron Thaçin për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së, thuhet në një transkript të një bisede që ka publikuar biblioteka e ish presidentit të SHBA-ve.

Sipas ditores serbe Kurir, biblioteka presidenciale ka publikuar dokumentet e reja në lidhje me bombardimin e vitit 1999 vit, ndërsa në transkript të bisedës mes Thaçit Clintonit, më 25 qershor 1999, Clinton i thotë Thaçit se qëllimi i ndërmarrjes së përbashkët ishte i drejtë, transmeton Telegrafi.

“Jam i lumtur që kjo ka ndodhur në të njëjtën ditë kur forcat serbe kanë përfunduar tërheqjen nga Kosova”, tha Clinton, për çka Thaçi e falënderon, duke thënë se ky është edhe sukses i tij. Në këtë rast ai ka premtuar respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Deklarata juaj në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave është shumë e rëndësishme. Pas vuajtjeve të popullit të Kosovës, marrja e udhëheqjes nga ju në këtë aspekt është dëshmi për të gjithë se qëllimi i ndërmarrjes sonë të përbashkët ishte i drejtë”, tha Clinton, për çka Thaçi ia kthen: “Ju falënderoj z. President. Betejë e re që na pret është kthimi i refugjatëve, rindërtimi, zhvillimi i shoqërisë civile dhe zhvillimi e zgjedhjeve të lira e të ndershme shumëpartiake. Edhe këtë ne do ta bëjmë përmes mekanizmave tona, por edhe me ndihmën dhe mbështetjen tuaj”.

Në një tjetër dokument, një memorandum të cilin këshilltari i Clintonit për siguri kombëtare, Samuel Berger, ia drejton shefit të tij e që mban datën e shtatorit 1998, thuhet se janë marrë parasysh opsionet “për shmangien e një katastrofe humanitare në Kosovë dhe për promovimin e një marrëveshjeje politike”.

“Teksa po afrohet dimri dhe (Slobodan) Milloshevici është ende provokues, pjesëmarrësit u pajtuan se është koha që kërkesat ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje politike dhe të dhënies fund të dhunës kundër civilëve, të mbështeten me kërcënim të besueshëm të veprimit ushtarak të NATO-s”, thotë dokumenti dhe shton se problemi më i madh është se si të sigurohet mbështetja për aleatët dhe se Rusia është pengesa më e madhe meqë kundërshton përdorimin e forcës.

Në dokumente janë zbuluar edhe detajet e takimit të mbajtur pesë ditë para fillimit të sulmit të NATO-s. Në takim ishin Clinton, Madeleine Albright dhe Berger, ndërsa janë analizuar në mënyrë të detajuar planet e sulmeve ajrore të NATO-s dhe mundësitë se si do të reagonte Beogradi ndaj tyre.

As sot nuk ka fluturime nga Prishtina

0

AeroportiPrishtines-udhetaretPritje të gjata dhe anulime të fluturimeve ka edhe sot në Aeroportin e Prishtinës. Shkak i anulimit të fluturimeve të avionëve është bërë mjegulla e dendur, e cila ka mbuluar qytetin e Prishtinës me ç’rast shumë qytetarëve nuk u është mundësuar fluturimi.

Fluturimi për në Zurich i cili ishte paraparë për orën 09:00 është shtyer për orën 11:15 mësojnë burime të Indeksonline, si dhe shumë fluturime të tjera janë anuluar.

Për të ekzaltuarit dhe të mërziturit nga takimi i Prizrenit

0

MeroBaze-gazetarMero Baze

Mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive shqiptare në Prizren është mbështjellë nga një jonosferë të ekzaltuarish dhe të mërziturish, të cilët edhe pse i kanë arsyet tërësisht politike, përpiqen t’i drejtohen patriotizmit dhe historisë. Mbledhja, e cila shpresoj të konsolidojë një normalitet të komunikimit mes dy qeverive, ishte historike sa i përket kronologjisë, pasi ndodhte për herë të parë, por nuk ka pretendimin të hyjë në histori. E vetmja gjë që duhet të stabilizohet në historinë tonë, është normaliteti i bashkëpunimit të fortë dhe dialogut të hapur mes dy qeverive për të formuar një treg efiçent shqiptar dhe për t’i zhdukur barrierat e komunikimit ekonomik, kulturor dhe politik.

Të ekzaltuarit nga mbledhja, që e cilësojnë historike pasi po bashkon qeveritë e dy vendeve, përfshi dhe simbolika e Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, janë një teprim i panevojshëm. Komunikimi mes Tiranës dhe Prishtinës në nivel qeverish ka pasur defekte të vetat nga interferencat politike, por dhe nga përpjekja e Tiranës për paternalizëm ndaj Prishtinës. Mbledhja e përbashkët dhe komunikimi i mirë politik mes Thaçit dhe Ramës sjellin një shans për të konsoliduar një traditë, që në të ardhmen duhet të tejkalojë dhe nuancat politike të ndryshme, nëse ekzistojnë. Pra, qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duhet të sillen si të barabarta me njëra- tjetrën dhe efiçente duke komunikuar direkt. Kjo do të ishte një pasuri për qeverisjen dhe një përgjegjësi reale për dy shoqëritë. Për 15 vjet, qysh nga viti 1999 kur Kosova fitoi lirinë, komunikimi Tiranë- Prishtinë ka qenë herë i dominuar nga klientelizmi dhe herë nga paternalizmi si kulturë politike e Tiranës. Arritja reale është normaliteti i takimit mes dy qeverive. Përtej kësaj, nuk ka asgjë historike apo patriotike në këtë histori. Nga aftësia që do të dëshmojnë për të ruajtur këtë komunikim normal, do të matet nëse ka diçka historike në këtë traditë. Ndrysh mund të ngelet thjesht një uikend në Prizren.

Por më të çuditshëm janë të mërziturit nga kjo nisëm, të cilët më së shumti gjejnë arsye tek shuma e vogël e ofruar për Preshevën apo mungesa e së njëjtës vëmendje për Maqedoninë apo Malin e Zi.

Kapja me shumën është fyese pasi qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë ndërmend të jenë dhe qeveri e Preshevës. Ata kanë bërë një gjest humanitar dhe kanë mbajtur një premtim, por ndihma e vërtetë do të jetë presioni mbi qeverinë serbe për të drejtat e Luginës dhe jo ndonjë “Plan Marshall” i qeverive shqiptare për Luginën.

Pakënaqësia për shumën më kujton ish- socialistët shqiptarë të vitit 1991, që e sulmonin vizitën e Bejkerit në Tiranë duke pretenduar se ai na solli 6 milionë dollarë për 3 milionë shqiptarë. Në të vërtetë ai na solli SHBA në Tiranë, i cili vazhdon të jetë aleati më i madh i Shqipërisë deri më sot. Edhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive nuk do shpëtojë dot as financiarisht dhe politikisht Preshevën, por është një garanci e vëmendjes së qeverive shqiptare ndaj shqiptarëve të mbetur nën Serbi, që janë të vetmit shqiptarë të papërfillur politikisht në rajon. Mbledhja në një farë mënyre u çoi banorëve të Luginës, prezencën e dy qeverive shqiptare, e cila vlen më shumë se 100 mijë euro.

E vetmja vërejtje që të shkakton humor ishte ajo e Sali Berishës, i cili me sa duket ndjehet keq që për herë të parë komunikimi normal mes dy qeverive po vendoset pasi doli ai në pension. Duke qenë i pafuqishëm ta kundërshtojë këtë zhvillim, ai kishte gjetur si problem datën. Është nga të paktët ish- komunistë që vazhdon ta kujtojë 11 Janarin si festë të Republikës Popullore, dhe kishte gjetur të mërzitej pikërisht për këtë shkak. Mendo sikur të kishte ndodhur që mbledhjen ta kishte hapur dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, që për koincidencë e ka emrin Enver Hoxha. Do të ishte e vetmja gjë që mund ta kishte bërë të lumtur në një ditë që duket sa hipokrit ka qenë me Kosovën.

Ankohen studentët

0

Konviktet-prStudentët, banorë të konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ankohen për kushte jo të mira.

Edhe pse drejtori i Qendrës thotë se kanë përfunduar disa projekte me të cilat janë përmirësuar dukshëm kushtet e banimit, shumica e studentëve ankohen për mungesë të ujit të ngrohtë dhe ngrohjes në dhoma.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka thënë për Kosovapress, se deri më tani, ka arritur që ta përmirësoj dukshëm çështjen e furnizimit me energji elektrike, pasi, sipas tij, në të shumtën e rasteve, rryma nuk ndalet, pasi kjo Qendër është ndër furnizuesit e veçantë të KEDS-i. Kurse për ujë, ai thotë se është duke u bërë furnizimi më i mirë i mundshëm, duke e pasur parasysh gjendjen e përgjithshme të furnizimit në qytet.

Sfishta, thotë se studentët nuk kanë të drejtë të ankohen për ngrohje, edhe pse nuk e mohon se studentët, ndonjëherë, përdorin edhe ngrohëse me rrymë në dhomat e tyre.

“Nuk mund të them që s’ka, por në masën më të madhe mund të them që studentët edhe nuk kanë nevojë që të kenë ngrohje alternative me rrymë. Në rast se ne e vërejmë se ka ngrohje alternative ne ua konfiskojmë ato ngrohje, sepse nuk kanë nevojë. Në rastet kur e shohim se nuk funksionon, ne jemi të vetëdijshëm që studenti nuk bënë ta ketë ftohtë, i lejojmë, mirëpo, në shumicën e rasteve, tash edhe nuk po ndodh që studentët të kenë probleme me ngrohje”, është shprehur Sfishta.

Megjithë hapësirën e kufizuar, banimi ilegal i një numri të studentëve, e bënë Qendrën edhe më të ngarkuar.

“Sa i përket ilegalëve, ne nga ana njerëzore e dimë që ka ilegal, ka pas ilegalë, ne me vetëdije thuajse i kemi lejuar që në ndonjë dhomë ta mbajë ndonjë ilegal për strehim, por, sa i përket anës humanitare. Mirëpo, e kam vërejtur një dukuri që studentët e kanë marrë një ilegal për ta përgjysmuar pagesën, ta ndajnë pagesën që i bëjnë Qendrës së Studentëve dhe nga aspekti humanitar është kthyer në aspektin material dhe, gjatë këtij viti, e kam ndaluar që të mos ketë më ilegal në Qendrën e Studentëve, sepse, edhe problemet që ndodhshin, ndodhshin kryesisht në ato dhoma, në ato korridore, ku numri i ilegalëve është më i madhë”, është shprehur Sfishta.

Mirëpo, njëjtë nuk thonë edhe ata që banojnë dhe i përjetojnë vet kushtet e banimit në këto konvikte.

Driton Beqiraj, student i vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik dhe banues në konviktin numër 2 në Qendrën e Studentëve, tregon për Kosovapress, se kushtet e banimit nuk janë aq të mira sa flitet.

“Kushtet e banimit nuk janë edhe aq të mira ashtu si thonë që janë. Uji i ngrohtë, shembull, nuk vjen, nuk janë disa kushte tjera, domethënë, nuk i plotësojnë bash mirë ato kushte që ata thonë. Ujë të nxehtë nuk ka, ngrohtorja e qytetit nuk punon, tash a është këtu problemi a në qytet nuk e dimë… vetëm me nxehëse ilegale se kështu nuk ka shansë m’u ngrohë”, thotë ai.

Beqiraj thotë se nuk është i kënaqur as me ushqimin që u servohet në mensë. Siç tregon ai, servohet ushqim i pashijshëm dhe i pakonsumueshëm.

E, ajo që më së paku mungon në konvikte, sipas Beqirajt, është zhurma dhe jodiciplina e studentëve.

“Ka probleme shembull në 2 apo 3 të natës. Nuk i flihet dikujt, zgjohet, duke bërtitur, askujt s’i pengon nëse na zgjon neve një kat, apo krejt një konvikt, nuk është problem për të. Recepsionisti vetëm rri aty, nuk ka kurrfarë efekti që me thënë diçka, hiq nuk u bëhet vonë për atë punë”, tregon Driton Beqiraj.

Mirëpo, ndryshe nga Dritoni mendon një bashkëbanuese në këtë Qendër.

Miradije Buliqi, studente e vitit të parë në Fakultetin Filozofik dhe banore e konviktit numër 3, thotë se është e kënaqur me kushtet që i ofrohen në këtë Qendër.

“Kushtet në Qendrën Studentore, pra në konviktet studentore, janë mjaft të mira, si nga drejtoria e Qendrës Studentore të gjitha kushtet i përmbush, për shembull, me energji elektrike 24 orë, me ngrohje qendrore, edhe pse ka pak mangësi në ngrohje qendrore, me ujë mirë, me higjienë shumë mirë, dhe kushtet në përgjithësi janë shumë të mira”.

Ajo thotë se nuk i pengojnë banorët ilegal. Për të është normale që një studentë të strehojë dikë në dhomën e tij ose saj.

Qendra e Studentëve në Prishtinë i ka 7 konvikte me rreth 3600 vende, ndërsa në vitin e ardhshëm pritet të fillojë edhe ndërtimi i konviktit numër 8.

Kurse, në mensën e studentëve, aktualisht janë të abonuar rreth 4500 studentë, pasi në mensë kanë të drejtë të abonohen edhe studentë, të cilët nuk janë banorë të Qendrës.

Çmimi për banim në konvikt, për një muaj, kushton 40 euro, ndërsa në mensë 30 euro. /Kosovapress/

Kërkojnë më shumë

0

JonuzMusliu-bujanocJonuz Musliu thotë se Kosova e Shqipëria duhet të mendojnë për bashkim të trojeve shqiptare. Ai ka ftuar Kryeministrat Thaçi e Rama të marrin pjesë në inaugurimin e objektit të maternitetit në Preshevë, për të cilin ata ndanë fondin prej 100 mijë eurosh.

Përfaqësues politikë të Luginës së Preshevës kërkojnë bashkim fizik të trojeve shqiptare dhe jo mbledhje të përbashkëta.

Vendimin e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për krijimin e një fondi për ndërtimin e një objekti të maternitetit në Preshevë, e quajnë të duhur, por jo të mjaftueshëm.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, në një prononcim për lajmi.net, thotë se takimi në Prizren i Qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë është një hap të rëndësishëm për unifikimin e kombit shqiptar.

Mirëpo, sipas tij, mbledhja e Prizrenit do të duhej të shërbejë që dy Qeveritë të mendojnë për bashkimin fizik të territoreve shqiptare.

“Ne kërkojmë që të mos ketë këso lloj takime sa për sy e faqe në mes të dy Qeverive, por të jenë të ftuar edhe përfaqësues e kuvendarë të të gjitha trojeve shqiptare, për të ecur drejt unifikimit të popullit shqiptar”.

“Nëse shqiptarët nuk do të jenë të bashkuar, edhe Europa do të bëjë sehir ndaj nesh”.

“Është koha që shqiptarët të bashkohen. Nuk ka nevojë për dy Qeveri, por për një Qeveri, një Kuvend, një Shtet. Kjo do të thotë edhe bashkim fizik të të gjitha trojeve shqiptare”.

Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, ku u nënshkruan disa marrëveshje bilaterale, u mor vendim edhe për krijimin e një fondi për ndërtimin e një objekti spitalor për maternitet në Preshevë.

Musliu thotë se fondi për ndërtimin e këtij materniteti ka qenë kërkesë e mëhershme e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës.

“Ndërtimi i maternitetit në Komunë e Preshevës është iniciuar edhe më herët. Gjatë vizitës Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, tash Kryeministrit Edi Rama, të bërë para 2 vjetësh në Preshevë, ne i kemi bërë një kërkesë për ndërtimin e këtij materniteti.”

“Mirëpo, unë mendoj se nuk duhet lënë vetëm me ndërtimin e një materniteti, por duhet të ndahet një fond i veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Jo fond humanitar, pasi që ne nuk jemi lypsarë, por duhet të krijohet një fond i përbashkët nga dy Qeveritë, sikurse ai për serbët e Veriut të Kosovës”.

Ai i ka bërë ftesë që tani Kryeministrave Thaçi e Rama që të marrin pjesë në inaugurimin e objektit të maternitetit.

“Ne do t’i ftojmë Kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë që të marrin pjesë në përurimin e objektit të maternitetit në Preshevë, por varet nga vullneti i tyre”.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës kanë nevojë për një fond të ngjashëm me atë të serbëve të Veriut të Kosovës.

“Nëse Veriu i Kosovës ka një fond prej 45 milionë euro, pse mos të kemi edhe një të ngjashëm, në mënyrë që të shpëtohen shqiptarët e Luginës”.

“Ne kërkojmë që dy Kryeministrat Thaçi dhe Rama të vijnë e ta vizitojnë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen”.