Studentët, banorë të konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ankohen për kushte jo të mira.
Edhe pse drejtori i Qendrës thotë se kanë përfunduar disa projekte me të cilat janë përmirësuar dukshëm kushtet e banimit, shumica e studentëve ankohen për mungesë të ujit të ngrohtë dhe ngrohjes në dhoma.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka thënë për Kosovapress, se deri më tani, ka arritur që ta përmirësoj dukshëm çështjen e furnizimit me energji elektrike, pasi, sipas tij, në të shumtën e rasteve, rryma nuk ndalet, pasi kjo Qendër është ndër furnizuesit e veçantë të KEDS-i. Kurse për ujë, ai thotë se është duke u bërë furnizimi më i mirë i mundshëm, duke e pasur parasysh gjendjen e përgjithshme të furnizimit në qytet.
Sfishta, thotë se studentët nuk kanë të drejtë të ankohen për ngrohje, edhe pse nuk e mohon se studentët, ndonjëherë, përdorin edhe ngrohëse me rrymë në dhomat e tyre.
“Nuk mund të them që s’ka, por në masën më të madhe mund të them që studentët edhe nuk kanë nevojë që të kenë ngrohje alternative me rrymë. Në rast se ne e vërejmë se ka ngrohje alternative ne ua konfiskojmë ato ngrohje, sepse nuk kanë nevojë. Në rastet kur e shohim se nuk funksionon, ne jemi të vetëdijshëm që studenti nuk bënë ta ketë ftohtë, i lejojmë, mirëpo, në shumicën e rasteve, tash edhe nuk po ndodh që studentët të kenë probleme me ngrohje”, është shprehur Sfishta.
Megjithë hapësirën e kufizuar, banimi ilegal i një numri të studentëve, e bënë Qendrën edhe më të ngarkuar.
“Sa i përket ilegalëve, ne nga ana njerëzore e dimë që ka ilegal, ka pas ilegalë, ne me vetëdije thuajse i kemi lejuar që në ndonjë dhomë ta mbajë ndonjë ilegal për strehim, por, sa i përket anës humanitare. Mirëpo, e kam vërejtur një dukuri që studentët e kanë marrë një ilegal për ta përgjysmuar pagesën, ta ndajnë pagesën që i bëjnë Qendrës së Studentëve dhe nga aspekti humanitar është kthyer në aspektin material dhe, gjatë këtij viti, e kam ndaluar që të mos ketë më ilegal në Qendrën e Studentëve, sepse, edhe problemet që ndodhshin, ndodhshin kryesisht në ato dhoma, në ato korridore, ku numri i ilegalëve është më i madhë”, është shprehur Sfishta.
Mirëpo, njëjtë nuk thonë edhe ata që banojnë dhe i përjetojnë vet kushtet e banimit në këto konvikte.
Driton Beqiraj, student i vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik dhe banues në konviktin numër 2 në Qendrën e Studentëve, tregon për Kosovapress, se kushtet e banimit nuk janë aq të mira sa flitet.
“Kushtet e banimit nuk janë edhe aq të mira ashtu si thonë që janë. Uji i ngrohtë, shembull, nuk vjen, nuk janë disa kushte tjera, domethënë, nuk i plotësojnë bash mirë ato kushte që ata thonë. Ujë të nxehtë nuk ka, ngrohtorja e qytetit nuk punon, tash a është këtu problemi a në qytet nuk e dimë… vetëm me nxehëse ilegale se kështu nuk ka shansë m’u ngrohë”, thotë ai.
Beqiraj thotë se nuk është i kënaqur as me ushqimin që u servohet në mensë. Siç tregon ai, servohet ushqim i pashijshëm dhe i pakonsumueshëm.
E, ajo që më së paku mungon në konvikte, sipas Beqirajt, është zhurma dhe jodiciplina e studentëve.
“Ka probleme shembull në 2 apo 3 të natës. Nuk i flihet dikujt, zgjohet, duke bërtitur, askujt s’i pengon nëse na zgjon neve një kat, apo krejt një konvikt, nuk është problem për të. Recepsionisti vetëm rri aty, nuk ka kurrfarë efekti që me thënë diçka, hiq nuk u bëhet vonë për atë punë”, tregon Driton Beqiraj.
Mirëpo, ndryshe nga Dritoni mendon një bashkëbanuese në këtë Qendër.
Miradije Buliqi, studente e vitit të parë në Fakultetin Filozofik dhe banore e konviktit numër 3, thotë se është e kënaqur me kushtet që i ofrohen në këtë Qendër.
“Kushtet në Qendrën Studentore, pra në konviktet studentore, janë mjaft të mira, si nga drejtoria e Qendrës Studentore të gjitha kushtet i përmbush, për shembull, me energji elektrike 24 orë, me ngrohje qendrore, edhe pse ka pak mangësi në ngrohje qendrore, me ujë mirë, me higjienë shumë mirë, dhe kushtet në përgjithësi janë shumë të mira”.
Ajo thotë se nuk i pengojnë banorët ilegal. Për të është normale që një studentë të strehojë dikë në dhomën e tij ose saj.
Qendra e Studentëve në Prishtinë i ka 7 konvikte me rreth 3600 vende, ndërsa në vitin e ardhshëm pritet të fillojë edhe ndërtimi i konviktit numër 8.
Kurse, në mensën e studentëve, aktualisht janë të abonuar rreth 4500 studentë, pasi në mensë kanë të drejtë të abonohen edhe studentë, të cilët nuk janë banorë të Qendrës.
Çmimi për banim në konvikt, për një muaj, kushton 40 euro, ndërsa në mensë 30 euro. /Kosovapress/