28 C
Prizren
E hënë, 28 Korrik, 2025
Home Blog Page 8438

Opozita në Malishevë braktisi seancën

0

Malishevë-opozita14Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur mbledhjen e parë të punës, në të cilën është dashur të zgjidhej kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, por opozita (PDK, LDK dhe VV) ka braktisur seancën, menjëherë pas miratimit të rendit të ditës, duke shkaktuar mungesë kuorumi dhe rrjedhimisht është ndërprerë seanca.

Seancën e braktisën 18 nga 31 anëtarët e Kuvendit të Komunës (PDK-8, LDK-8 dhe VV-2), ndërsa në sallën mbetën 13 anëtarë të Kuvendit (IQM-11, AAK-1 dhe AKR-1).

Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, pritet të bëhet në vazhdimin e seancës së parë të punës, e cila do të mbahet brenda afatit ligjor për vazhdimin e seancës së parë, për zgjedhjen e kryesuesit./PrizrenPress.com/

Thaçi: Më 11 janar mbledhja e dy qeverive

0

Thaci dhe Edi rama

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 janar në Prizren.
”Në mbledhjen e parë do te marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe atë në fushën e integrimit evropian!”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.
Në këtë takim të parin të këtij karakteri, Thaçi ka thënë se do të vendosen modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës.
”Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale”, ka shkruar ai.

Bashkohen dy qeveritë shqiptare në Prizren

Dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mblidhen këtë javë në një takim të përbashkët në qytetin e Prizrenit, ku pritet të diskutohet edhe për akordimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës, për ngritjen e një materniteti në këtë zonë.

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e kanë konfirmuar përfaqësues nga të dy qeveritë.

Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej qysh në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit.

Por shtyrja e mbledhjes erdhi pas zgjedhjeve vendore në Kosovë. Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide qysh në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij, raporton KP.

E njëjta gjë pritet të ndodhë më vonë edhe me qeverinë turke, shtet i cili tashmë ka marrë pozitën e partnerit strategjik për Shqipërinë. Me fondin që pritet të akordohet për Luginën e Preshevës në këtë mbledhje të parë të dy qeverive shqiptare pritet të ndërtohet edhe një shkollë atje.

Arrestohen “babadimrat” që plagosën argjendarët në Prizren

0

vjedhje ne argjentariPolicia në Prizren duket se ka bërë hapin e parë për zbardhjen e plagosjes misterioze të dy personave, nga ana e tre të dyshuarve, të veshur me rroba të babadimrit, që ndodhi një javë më parë në argjendarinë “Saraç Gold” në qendër të qytetit.

Dy nga tre personat tashmë të arrestuar, të njohur për policinë, dyshohet të jenë pjesëmarrës të skenarit të “babadimrave hajdut” të Tiranës, që në prag të mbylljes së vitit reprizuan një skenar të tillë edhe në Prizren.

Arrestimin e tyre e konfirmuan edhe vetë autoritetet policore. Drejtori rajonal i policisë në Prizren, nënkoloneli Nexhmi Krasniqi, tha për “Zërin” se në kontekstin e hetimeve të bëra pas ngjarjes janë arrestuar tre persona nga Prizreni, dy prej të cilëve dyshohet të jenë ndërlikuar në plagosjen që ndodhi në argjendari.

“Policia po bën hetime këmbëngulëse rreth zbardhjes së ngjarjes, por në këtë fazë ka vështirësi, sepse autorët e tentim-plaçkitjes që përfundoi me plagosje ishin të maskuar me rroba të babadimrit”, tha ai duke treguar se të arrestuarit gjatë deklaratave të bëra në polici, kanë treguar përvojë në dhënie të deklaratave, duke mohuar mundësinë e pjesëmarrjes.

Nënkoloneli Krasniqi tha se të arrestuarit ngjajnë me përshkrimin e dhënë nga viktimat, sa i përket gjatësisë trupore, prej 1.9 metra.

Tre personat e maskuar si babadimra, pak pas orës nëntë të paradites së 26 dhjetorit, përderisa tentuan ta plaçkitin argjendarinë “Saraç-Gold” plagosën pronarin e lokalit Lutfi Ahmetin dhe fqinjin e tij, Besim Ymeri, pronar i një dyqani të afërt që në momentin kritik qëlloi mysafir, derisa rezistuan ta pengojnë skenarin e plaçkës.

Ngjarja ndodhi në këndin mes katër rrugësh, përballë hamamit “Gazi Mehmet Pasha” të Prizrenit, në një pamje të dukshme, ndërsa njëri nga babadimrat mbante pistoletë, të cilën e përdori kur qëlloi në këmbë viktimat.

E tërë ngjarja është përshkruar të këtë ndodhur brenda tre sekondash, në hyrje të argjendarisë, ndërsa pas aktit të dyshuarit ashtu të maskuar kanë ikur nga vendngjarja duke ecur këmbë, përmes disa rrugicave të afërta.

Si provë materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhojat e pistoletës, të cilat në polici thanë se po analizohen me kujdes.

Të arrestuarit, emra të njohur për policinë

Bashkëshortja e pronarit të dyqanit ku edhe ndodhi rasti, që kishte parë ngjarjen nga afër, tregoi për “Zërin” se “babadimrat” sapo kanë hyrë në dyqan kishin bërtitur, duke paralajmëruar për plaçkë dhe me siguri edhe për të krijuar huti e frikë, ndërsa burri kishte reaguar, ndërsa ishte ndihmuar edhe nga fqinji Besimi, e pikërisht këtu ndërsa ishte shkrepur arma.

Zëdhënësi rajonal i policisë në Prizren, Hazir Berisha, tha se tre të arrestuarit e dyshuar, janë të njohur për policinë.

Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e rastit, nga burime policore jo zyrtarisht merret vesh se një ditë, para se të ndodh ngjarja, në qendrën tregtare “ETC” në Prizren në dy raste janë blerë rroba të babadimrave.

Një persona ka paguar dy palë, përderisa një tjetër kishte blerë një palë rroba. Policia dyshon se kjo mund të jetë shumë e ndërlidhur me ngjarjen që ndodhi në argjendari, por që në momentin e pagesës, kamerat e sigurisë kanë qenë jashtë funksionit, andaj edhe nuk mund të thuhet diçka konkrete rreth identifikimit të klientëve, të cilët mund të jenë të ndërlikuar në këtë rast. Policia në Prizren ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për identifikimin e të dyshuarve.

Pritje të gjata të mërgimtarëve në kufi me Serbinë

0

Kufi me Serbinë-kolonaPolicia kufitare e Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga e Kosova në drejtim të Serbisë. “Pritjet më të theksuara janë kryesisht në Merdar dhe Dheu i Bardhë”, njofton policia.

Krijimi i kolonave është shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve, por edhe i problemeve, procedurave që aplikon pala serbe me plotësimin e formularëve hyrje- dalje gjatë kalimit kufitar.

Poezia shqipe lexohet në Beograd

0

Poezia shqipe-BeogradShënime nga një koloni ndërkombëtare shkrimtarësh në Vojvodinë, vjeshtë 2013

Poezia mund të bëjë shumë më tepër efekt sesa çdo lloj propagande, sidomos nëse i referohet humanitetit. Qëndrimi në fund të shtatorit, në një koloni shkrimtarësh në Vojvodinë ma përforcoi këtë ide, duke ma kthyer në bindje. Shtatë ditë qëndrim në një fshat të vogël turistik, 20 kilometra larg kufirit hungarez dhe katër lexime: në Novi Sad, Loznic, Senta dhe Beograd bënë punën e tyre, duke lënë gjurmë te lexuesit e poezisë dhe te kolegët mes njëri-tjetrit. Për Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë kolonitë e shkrimtarëve janë një realitet i përhershëm dhe në gjithë vendin ka aktualisht tri të tilla ku ftohen shkrimtarë vendas e të huaj për t’u dhënë mundësinë e krijimit në paqe, larg rutinës së përditshme të punës me të cilën shumë prej tyre nxjerrin jetesën. Vule Zuriç, Jelena Lengold, Aleksandër Baljak dhe Sonja Atanasijeviç ishin shkrimtarë nga Serbia, Darija Ziliç vinte nga Kroacia, Keijiro Suga nga Japonia, Viktor Kalinke nga Gjermania. Kolonia nuk ishte konceptuar tërësisht si një cep i qetë ku mund të arratiseshe nga bota për të mbetur vetëm me veten dhe me talentin tënd dhe për t’iu përkushtuar tërësisht shkrimit. Angazhimi në disa lexime, bisedat, si dhe një program i bazuar në një guidë kulturore rajonale ishin aktivitetet e tjera që ofroi kjo koloni. Në ditën e fundit secili e kuptoi se ajo nuk kishte qenë një javë e zakonshme dhe se koha e shtatë ditëve atje nuk ishte e barabartë me kohën në punën e përditshme të secilit. Komunikimi me lexues që nuk na kishin njohur më parë dhe përkthimi i teksteve në një gjuhë tjetër ishte një nga qëllimet e organizatorëve, por për secilin prej nesh kjo pritshmëri u tejkalua. Sidomos për një poet shqiptar, prania në një mjedis kulturor fqinj, por të largët në shumë kuptime, është një eksperiencë mjaft e rrallë dhe mbresëlënëse.

Në një vend të tillë, përveç përballjes me veten, një përballje e fortë ishte edhe me natyrën. Fushat e pamata në bregun më të lartë të lumit Tisza, bimësia, qetësia gati absolute dhe mungesa thuajse e përhershme e njerëzve ishin disa nga mbresat e përditshme që të shtynin më shumë drejt thellësive të qenies dhe të botës. Në diskutimet me kolegët patëm rast të flisnim edhe për rutinën e përditshme të secilit, edhe për marrëdhënien me të shkruarit. Thuajse të gjithë shkrimtarët e ftuar ishin edhe lektorë universitetesh. Profesioni i dytë në renditje ishte gazetaria. Por secili e donte fort letërsinë dhe arratisja nga rutina e punës së përditshme perceptohej nga të gjithë si një dhuratë lirie. Të gjithë shkrimtarët e ftuar kishin njohje ndërkombëtare dhe ishin të përkthyer në disa gjuhë, ndërsa disa prej tyre ishin fitues të çmimeve prestigjioze, si për shembull Jelena Lengold, e cila u vlerësua me Çmimin Europian për Letërsinë këtë vit. Dy nga romanët e saj janë duke u përkthyer në shqip dhe në pranverë do të prezantohen para lexuesit tonë.

Lexime në katër qytete

Shkrimtarët janë shpesh po aq kozmopolitë sa edhe lokalistë, por ndonjëherë këto ekstreme fqinjërojnë deri në pamundësi për t’i shquar nga njëri-tjetri. Po aq sa individë, ata janë “përfaqësues” të një letërsie kombëtare dhe prania e tyre fizike tregon shpesh shumë gjëra përtej tekstit, përtej informacioneve që mund të kenë të tjerët, sidomos ata që vijnë nga kultura të largëta. Askush nuk e përjeton pjesëmarrjen e tij të ndarë midis përkatësisë kombëtare dhe të qenët poet, por për audiencën, poeti që vjen nga një vend tjetër është njëherësh edhe përfaqësues përtej poezisë që ai shkruan.

Në leximet e javës së kolonisë thuajse secili e provoi këtë, e sidomos unë. Në natën e leximeve në Beograd, dr. Nailje Imami, lektore dhe përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Shqipe atje, m’u afrua dhe më pohoi të njëjtën gjë. Ajo ishte përkthyesja në serbisht e poezive shqipe të prezantuara dhe të dyja ndamë një grimë krenarie e mirënjohjeje për njëra-tjetrën, teksa lexuesit e çmuan poezinë shqipe. Nuk e kisha njohur më parë këtë lektore dhe shqiptare të veçantë dhe nuk pata shumë kohë të bisedoja siç do të doja me të, por sidoqoftë, qe kohë e mjaftueshme për të mësuar mjaft gjëra që nuk i dija. Të nesërmen e mbrëmjes, Nailja, edhe pse pas kish lënë djalin me temperaturë, më shoqëroi e më përcolli në stacion, deri në çastin kur treni u nis. Kisha vite që nuk e kisha ndier këtë afërsi dhe sajdisje, që më ngazëllen sa herë e ndesh….

Jo vetëm koha e bisedave, leximeve dhe meditimeve, por edhe koha e vizitave në muzetë dhe zonat historike të qyteteve të vogla vojvodinase dhe në qendrën e kulturës “Vuk Stefanoviç Karaxhiç” dhe performanca jonë atje, lanë mbresë tek secili. Rashko Ramadanovski, një arkeolog i ri, mjaft erudit dhe i ndjeshëm ndaj trashëgimisë kulturore, na tregoi shumë për Sentën, Loznicën dhe gjithë Vojvodinën. Leximet na përballën me një publik shumë dashamirës ndaj poezisë. Ndërsa kur artistët lokalë na ftuan një pasdite në një nga qendrat e kulturës, patëm rastin të shijonim virtuozitetin e instrumentistëve dhe të këngëtarëve vojvodinas.

Një koloni shkrimtarësh

Në fakt për një poet, mënyra e shprehjes është poezia dhe ai e mbaron “misionin” me shkrimin dhe performimin e saj. Mënyrat e tjera të shkrimit thonë gjithmonë më pak dhe ai nuk do të donte të zgjidhte asnjërën prej tyre në këmbim të një audience më të madhe se ajo e lexuesve të poezisë. Por për shumë arsye ndoshta një reportazh mund të thotë gjëra që vlejnë. Për mua ishte eksperienca e parë në një koloni shkrimtarësh. Kisha dëgjuar shpesh kolegë të mi që më tregonin për eksperienca të tilla, por tjetër gjë ishte rrëfimi i tyre dhe tjetër gjë përjetimi i njëmendtë. Një fshat i vogël, Gornji Breg, në të cilin të gjeje ndonjë gur ishte ndoshta po aq e vështirë sa edhe të kërkuarit e ujit në shkretëtirë, kishte vite që priste shkrimtarë dhe artistë nëpër shtëpizat e vogla tipike hungareze, zhytur mes pemëve, që në fund të shtatorit po rrëzonin kokrrat prej tejpjekjes dhe të vreshtave, që janë me emër. “Keni ardhur në sezonin më të mirë” – thotë Mile Stanishiç, i cili së bashku me të shoqen kujdesen për gjithë kompleksin e vogël turistik, të cilin e kanë pagëzuar “Mbretëresha e frutave”. Ata gatuajnë vetëm sipas menysë hungareze dhe në të gjitha stinët shtëpizat janë të zëna ose prej artistëve, ose prej njerëzve të pasionuar pas natyrës e sporteve. Gjatë qëndrimit tonë në fshat erdhën disa polakë me qentë e tyre, me të cilët do të garonin në një konkurs në Beograd. “Edhe në dimër ka plot mysafirë”, thotë Mileja, duke na treguar nëpër mure trofe gjahu nga grupet që vijnë aty dhe piktura e skulptura nga artistët e arteve vizive. Mejhaneja e tij është diçka midis një muzeu të vogël etnografik vojvodinas dhe një ekspozite jo aq modeste të artistëve dhe të gjahtarëve. Qeramikat: pjatat, kupat, orenditë prej druri me motive autentike hungareze nuk kanë si të të mos mbeten në mendje. Duke qenë në kufi të kulturave, Mileja di të zgjedhë më të mirën nga secila dhe te pijet ai është i kujdesshëm që të servirë të gjitha llojet e rakive, që nga shlivovica e deri tek rakia e arrës. E në trapezat e tij, më shumë se kudo tjetër krijohej atmosfera më e mirë për biseda të vërteta, joformale. Edhe pse jetojmë në një botë, e cila përditë e më shumë unifikohet prej globalizimit, përsëri të veçantat janë dominante dhe secili mund të tregojë diçka të ndryshme për vendin e tij. Por nëse disa zakone, disa veshje kombëtare, muzika popullore dhe kuzhina duket se po i mbijetojnë disi globalizmit, letërsia perceptohet si një terren ku e veçanta nuk identifikohet dot më si lokale. A mund të gjykosh dot më se nga vjen një autor, vetëm bazuar në tekstet e tij? Kjo duket se nuk është më e mundur në pjesën dërrmuese të shkrimtarëve dhe të poetëve të sotëm.

Udhëtim

Rruga për në Beograd kushton shtrenjtë, nëse je shqiptar që jeton në njërin prej kryeqyteteve shqiptare në Ballkan. Shumëkush e di se çmimet e transportit ajror Tiranë-Beograd ose Prishtinë-Beograd janë mjaft më të larta sesa linjat e tjera me kryeqytetet fqinje. Kësisoj një zgjidhje e mirë mbetet transporti tokësor. Rruga nga Mali i Zi ofron shumë, sidomos në mot të ngrohtë dhe treni mbetet një mundësi e parapëlqyer. Nga Tivari në Beograd të duhet të udhëtosh për më shumë se 10 orë, por kurdo që ta zgjedhësh kohën e udhëtimit, ai nuk të zhgënjen…

Shiu i parë i shtatorit i kishte trembur turistët dhe nëpër stacionet e afërta me detin dyndja e pasagjerëve të kujtonte kohën e dikurshme kur edhe në Shqipëri lulëzonte transporti hekurudhor. Serbët dhe malazezët nuk ngurrojnë të bëjnë pak humor me gjendjen e kabinave dhe ngadalësinë e trenit. Bisedat vijojnë pandalshëm në të gjitha stacionet afër plazheve, por mesnata i rrallon fjalët dhe pasagjerët përshtasin ndenjëset për të marrë një sy gjumë deri në mëngjes. Në një nga stacionet e vogla, dy gra të moshuara nga Beogradi hyjnë në kabinë dhe më pyesin nga jam. Unë nuk e flas gjuhën e tyre, megjithatë merremi vesh. Afër mesnatës njëra prej tyre më zgjat një batanije të hollë dhe më thotë të mbulohem, sepse janë ende shumë orë përpara dhe mund të dremis pak deri në mbërritje. Në kabinë është edhe një vajzë e vogël dhe babai i saj. Kur atë e zë gjumi, ai e rehaton në ndenjësen e vet dhe të sajën e për vete del në korridor. Afër mëngjesit këmbejmë çokollatat e korosanët. I lë mbi ndenjëse dy çokollata “Rafaelo” vajzës së vogël dhe ajo lumturohet kur zgjohet dhe i gjen atje. Së fundi në Beograd ka një reklamë për këtë produkt dhe fëmija lumturohet duke e treguar reklamën, që çuditërisht ngjan me të papriturën e mëngjesit të vogëlushes. Treni mbërrin pak vonë në stacion, ndërsa Bojani, koordinatori nga Lidhja e Shkrimtarëve është duke pritur. Nuk humbasim kohë dhe minutat nga stacioni deri në Selinë e Lidhjes i kalojmë duke bërë pak guidë në atë pjesë të qendrës së Beogradit të vjetër. Një nga ndërtesat e hershme më të larta të metropolit fqinj e ka emrin Albanija. Në fund të qëndrimit në koloni, Jelena Lengold, një mike dhe kolege me të cilën ishim njohur dy vjet më parë në Francë, më tregon “flesh”, por plotësisht Beogradin. Ajo më propozoi një shëtitje me makinë nëpër gjithë qytetin, me ndalesa të vogla në vendet që ishin më interesante. Dhe kështu bëmë, në katër orë i ramë kryq e tërthor Beogradit të vjetër e të ri, pamë lagjet rezidenciale dhe shumë nga zonat me të cilat ky qytet identifikohet.

Fonde lokale për shkrimtarët ndërkombëtarë

Paralel me krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë ka nisur të funksionojë edhe kolonia ndërkombëtare e shkrimtarëve në Gornji Breg, Vojvodinë. Ideja e krijimit të saj lidhet pikërisht me mundësinë e kontakteve të drejtpërdrejta mes shkrimtarëve vendas e të huaj si dhe me mundësinë e leximeve të shkrimtarëve përballë një audience më të gjerë. Gjatë këtyre viteve, kolonia ka pasur asistencë nga Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, nga Bashkia e Stari Gradit në Beograd dhe nga Sekretariati për Kulturën në rajonin e Vojvodinës. Ndërsa kriza ekonomike theksohet vit pas viti, edhe ndihma nga këto institucione po zvogëlohet. “Ky ishte viti i parë në të cilin kolonia nuk mundi të siguronte mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, por një e papritur e këndshme e këtij viti ishte mbështetja nga Bashkia e Sentës, një qytet i vogël në veri të Serbisë, në Vojvodinë, një qytet shumë pranë kufirit hungarez”, këtë ma pohoi në fillim kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë, Vule Zuric. Ky vullnet i mirë mëton të krijojë një mundësi të re bashkëpunimi midis shkrimtarëve dhe përkthyesve në rajonin e Sentës, me botuesit dhe sponsorët në Hungari dhe me Lidhjen e Shkrimtarëve në Serbi. Gjatë ditëve të qëndrimit në Vojvodinë patëm rast të bisedonim dhe të merrnim më shumë informacion për të ardhmen e kësaj kolonie afër Sentës. Istvan Besedesz, përkthyes; Atila Juhas, zëvendëssekretar në Sekretariatin për Kulturën në rajonin e Vojvodinës; Hajnal Jeno, president i Qendrës së Kulturës Hungareze në Senta na treguan më tepër. Ata pohuan se dëshironin që kolonia të mbetej permanente për çdo vit, por ndërkohë ishin duke u angazhuar për botimin e punëve që shkrimtarët do të realizonin gjatë qëndrimit në koloni, ose pas këtij qëndrimi. Leximet në publik në qytetin e vogël, si dhe fillimi i botimeve të secilit autor pjesëmarrës, njëkohësisht edhe në hungarisht ishin ndër qëllimet e autoriteteve të kulturës vendase dhe pritet që për vitin 2014 ato të realizohen. /shqip/

‘Agnus Dei’ fiton Çmimin Special në ‘California Film Awards?’

0

AgnusDei-filmRegjisori Agim Sopi ka bërë të ditur për KultPlus se ky është çmimi i tetë ndërkombëtar për filmin e tij që bën fjalë për luftën në Kosovë.Filmi “Agnus Dei” i regjisorit kosovar Agim Sopi po vazhdon të korrë suksese në skenën ndërkombëtare.

Ky film ka fituar Çmimin Special të Jurisë në “California Film Awards 2013”. Lajmin e ka bërë të ditur për KultPlus regjisori Sopi i cili ka thënë se ky është çmimi i tetë ndërkombëtar që ka fituar me filmin e tij që bën fjalë për luftën në Kosovë.

“Çmimin Special i Jurisë” jepet për origjinalitetin e vizionit dhe ekzekutimit të lartë të përcaktuar nga një juri e profesionistëve të industrisë së filmit. Përveç regjisorit Sopi, këtë çmim e kanë fituar edhe tre regjisorë amerikanë dhe një spanjoll.

“Agnus Dei” sjellë rrëfimin mbi fatin e një djali i cili ishte fryt i një dashurie të ndaluar mes një të riu shqiptar dhe një serbeje në kohën e ish Jugosllavisë. Ai pa vullnetin e tij bëhet pjesë e ushtrisë serbe dhe kryen krime të rënda në Kosovë, vendlindjen e babait të tij.

Çmimi i madh i jurisë për konkurrencën më të mirë në të gjitha kategoritë e filmit i ka takuar filmit Stalin’s Editor të regjisorit spanjoll Valenti Figueres .

Në kuadër të “California Film Awards” çdo vit ndahen çmimet për regjisorët dhe skenaristët e filmave në një shumëllojshmëri të kategorive të konkurrencës. Shpërblimet e jurisë janë dhënë në disa kategori për të festuar arritjet në prodhimin e filmave dhe skenarëve të ndryshëm.

Në fund të shkurtit dihet nëse Prizreni shkon në zgjedhje

0

Ramadan Muja 2Procesi gjyqësor kundër kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe 5 bashkëpunëtorëve të tij që dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, pritet që të përfundojë kah fundi i shkurtit.

Sipas planifikimit të kryetarit të trupit gjykues të EULEX, Vladimir Mikula aktgjykimi në rastin “Muja” mund të shpallet para se të hyjmë në pranverë, shkruan Koha Ditore.

Me 27 janar prokurori do të paraqesë fjalën e tij përfundimtare dhe pastaj supozohet se brenda pak ditësh bëhet edhe shpallja e aktgjykimit. Këto janë planet e Gjykatësit.

Është kjo koha kur dihet se a do të shkojë Prizreni edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme apo jo.

45 ish-ushtarë të UÇK-së kanë kryer vetëvrasje

0

UCK-bardheziNjë letër e shkurtër dhe një krismë arme janë gjërat e fundit që i kanë mbetur në kujtesë nga bashkëshorti i saj, gruas së një ish-ushtari të luftës së fundit në Kosovë. Pamundësia që t’i siguronte familjes kushte më të mira jetese, pasi kishte mbetur pa punë që para 10 vjetësh, i dha fund jetës në një gjendje të rënduar psikologjike.

“Si me prezencën time, ashtu edhe pa të, ti vet po i rrit fëmijët. Unë moti veç po ju shpenzoj se nuk po ju ndihmoj me asgjë”, i ka përsëritur bashkëshortja e tij fjalët e fundit që ua kishte lënë në letër.

Dikur ushtar i UÇK-së, 47-vjeçari A.H nga komuna e Pejës në mars të vitit të kaluar kishte vendosur t’i jepte fund jetës, duke kryer vetëvrasje. Rrugën e tij që pas luftës e ndoqën edhe 44 ish-ushtarë tjerë./Koha Ditore/

Reforma që hap Kushtetutën

0

Reforma hap KushtetutënReforma zgjedhore në Kosovë e nisur tri vjet më parë, po vazhdon të mbetet një nyje e pa zgjidhur e partive politike. Pas gjithë atyre takimeve të liderëve, punës së Komisionit parlamentar për ndryshimet në ligjin për zgjedhjet, kjo reformë ka mbetur në pikën zero. Kjo e ka shtyrë kryeministrin Hashim Thaçi që të kërkojë ndihmën e një Komisioni jashtë kufijve të shtetit, përkatësisht Komisionit të Venecias.

Edhe pse Kosova nuk është vend anëtar i Këshillit të Evropës dhe rrjedhimisht Komisioni i Venecias mund ta refuzojë kërkesën e Thaçit, ky i fundit ka vendosur që të kërkojë ndihmën e tyre. Por deri tani, vet kryeministri Thaçi në disa deklarime të tij publike ka thënë se ka zhvilluar takime me liderët dhe është shprehur i kënaqur me arritjen e pajtueshmërisë për reformën zgjedhore. Si sfidë ai ka përmendur vazhdimisht vetëm çështjen e akomodimit të kërkesave të pakicave, shkruan Tribuna.

Kërkesa për ardhjen në Kosovë të Komisionit të Venedikut nga partia e Thaçit shihet si diçka e dobishme për të përmbyllur me sukses reformën zgjedhore. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë të dielën për Tribunën se rekomandimet që mund t’i jep Komisioni i Venedikut për reformën zgjedhore në Kosovë mund t’i pranojnë të gjitha partitë politike.

Hoxhaj: Sivjet konsullatat në Munih dhe në Milano

0

Enver Hoxha, ministerMinistri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar hapjen e dy konsullatave të reja të Kosovës, një në Milano dhe një në Munih.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se gjatë këtij viti do të ketë zgjerim të rrjetit diplomatik dhe konsullor.

“Ne do të hapim Konsullatën në Munih të Gjermanisë dhe një në Milano të Italisë. Kështu ne do të ofrojmë shërbime konsullore në dy qendra shumë të mëdha, ku deri më sot ka munguar ofrimi i shërbimeve konsullore. Po ashtu, këto dy qendra janë ndër më të zhvilluarat në Gjermani dhe në Itali”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se këto konsullata do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.

Ministri po ashtu ka thënë se në vitin që lamë pas, Kosova ka vazhduar forcimin dhe shtrirjen e shërbimit të jashtëm dhe se tashmë janë 22 misione diplomatike, 14 misione konsullore dhe katër konsullata të përgjithshme, tri prej të cilave janë funksionalizuar në vitin 2013: ajo në Strasburg, Stamboll dhe Gjenevë.

“Këto misione do të jenë në shërbim të mbrojtjes dhe të promovimit të interesave të qytetarëve të Kosovës. Brenda vitit 2013, në këto misione janë pajisur më shumë se 25 mijë shtetas të Kosovës me pasaportë, derisa rreth 15 mijë me letërnjoftim. Pas fillimit të aplikimit të regjimit të vizave, misioni ynë në Stamboll ka pajisur 620 shtetas të huaj me viza të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto flasin për një punë të madhe që është bërë nga stafi i misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.