23.9 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8456

Ngjarjet që shënuan vitin

0

Thaci, Ashton, Dacic ne bruksel1. Habemus Pactum

Kanë qenë të lodhur ditën kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq kanë vënë nënshkrimin në 15 pika të printuara në dy faqe A4. Por lodhja, mungesa e kapaciteteve që prezantojnë dhe nënshkrimet veç e veç e shumë dilema tjera rreth marrëveshjes së Brukselit nuk kishin hedhur hije mbi një fakt. Ajo që po bënin të dy kryeministrat ishte historike.

Nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë që prej shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit padyshim që ishte ngjarja e vitit që ndodhi më 19 prill.

Të dy delegacionet e lodhura pas disa ditë konsultimesh u kthyen në vendet e tyre ku u përballen me shumë pyetje. Dilema kishte sidomos në Kosovë për marrëveshjen që thuhet se po e mundësonte shtrirjen e autoritetit të shtetit në veri nëpërmjet institucioneve e mekanizmave që do të jenë neutrale ndaj pavarësisë së vendit.

Zërin e dilemave e përmbysën reagimet e zhurmshme të liderëve e diplomatëve nga i gjithë perëndimi që uruan për arritjen historike, të parën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja solli shumë përplasje e debate, shumë ndryshime ligjesh e rregullash, që prej zgjedhjeve deri tek funksionimi i policisë, sistemit buxhetor e mënyra e organizimit të komunave. Fjalët e miradije nga përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe shumë diplomatët ë tjerë për të dy kryeministrat kanë bindur disa kongresistë amerikanë se këta të tre janë të denjë të kandidohen për çmimin Nobel. Pati protesta, bllokim të punës së Kuvendit, vonesa e gjithçka, si rezultat i marrëveshjes. Pati edhe amnisti, por edhe ndryshim të gjendjes në veri.

2. Revolucioni zgjedhor

Qe krijuar ndjenja se kosovarët nuk dinë të mbajnë zgjedhje të lira dhe të drejta. 2013-a, lumturisht na e dëshmoi të kundërtën. E kur nuk u prek vota, kosovarët treguan se duan ndryshimin. Gjithandej u shkaktua revolucion zgjedhor.

Kosova ka një komunë më shumë. Shteti tash ka udhëheqës që i pranon si legjitim edhe në tri komuna tjera në veri, ndonëse këta nuk pritet që fillimisht ta njohin pavarësinë. Edhe komunat tjera të vendit kanë ndryshuar. Ka ndërruar fuqia e partive më të mëdha. LDK është ngritur derisa PDK e AAK kanë rënë. Ka ndryshuar Prishtina ku ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ka ndryshuar Gjakova dhe Mitrovica ku ka fituar AKR. Me pak incidente të izoluara dhe në një proces të rregullt zgjedhor, ka ndryshuar Kosova.
Rezultatet qe dënuan të gjitha partitë që kishin pushtet, por nuk shpërblyen fort as ato në opozitë për shkak të mungesës së reformave dhanë sinjalet e ndryshimin në raundin e parë të tyre. megjithatë vulën mrekullisë së rezultati që ndëshkon ia dha balotazhi.

3. Karota e stabilizimit

Askush nga diplomatët evropianë nuk pranon ta thotë publikisht për negociatat e Stabilizim-Asocimit iu referuan Prishtinës drejtpërdrejt si shpërblim për pranimin e marrëveshjes së Brukselit.

Sa herë janë pyetur për këtë, zyrtarët evropianë kanë përsëritur se kanë marrë parasysh konstruktivitetin, por vendimi është marrë për shkak të plotësimit të kritereve. Megjithatë, ata që kanë përcjellë nga afër procesin kanë vërejtur se pengesat burokratike të vendosura nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, u hoqën vetëm pas marrëveshjes së Brukselit.

Në këtë mënyrë Kosova ka nisur dialogun e Stabilizim-Asocimit, marrëveshjes që mundëson përparimin e vendit dhe përfundimin e shtegut të parë të rrugës së gjatë drejt integrimit. Karota e njëjtë shpërblyese për Kosovën do të përdoret edhe në vitin 2014, kur pritet të përfundojë dialog, e pastaj do të nisë debati për nënshkrimin e marrëveshjes.

4. Rashka dhe Pajiqi

Në vitin kur aq shumë është folur për normalizim, nuk ka ndodhur normalizimi i jetës së mijëra familjarëve që ende nuk i dinë se ku i kanë të afërmit e tyre që prej luftës 98-99. Të dy kryeministrat kanë gjetur kohë të flasin për detaje tejet të parëndësishme të funksionimit të jetës në Kosovë, por nuk kanë folur për fatin e të pagjeturve.

Dialogu vazhdoj, dhe kryeministrat heshtën edhe atëherë kur në Batajnicë afër Rashkës u gjetën gjurmët e një varreze masive me trupa shqiptarësh. Qysh prej përfundimit të luftës ishte dyshuar për këtë lokacion. Dy herë madje ishin bërë gërmime sipërfaqësore nga autoritetet serbe duke rezultuar si të pabaza dyshime. Tek në herën e tretë u dëshmua se ajo që e kishin thënë disa dëshmitarë ishte e vërtetë. Trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës ishin bartur nga Kosovë për në Serbi. Atje ishin hedhur në varreza masive.
Një dëshmitarë tjetër ka tronditur opinionin në vitin 2013.
Ivan Pajiq, ka rrëfyer për gazetën Tribuna se ka parë gjatë luftës, se si trupa të civilëve të vrarë janë hedhur në shkritoren e Borit.

5. Koha e takimeve

Në fillim të 2013-s takimet mes liderëve kosovarë e atyre serbë bënin ende lajm. Për shkak se po ndodhnin për herë të parë në histori, detajeve u kushtohej rëndësi. Kush kënd po e përshëndeste i pari, çfarë po deklaronin, çfarë po pinin e si po silleshin. Për të vazhduar traditën tash të konsoliduar të takimeve, në fillim të vitit u kujdesën presidentët e të dyja vendeve. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq në shkurt të vitit 2013, pak muaj pasi një gjë të tillë e kishin bërë kryeministrat.

Prej atëherë, takimet mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë janë bërë të zakonshme. Problematike dalin vetëm takimet nëpër samite ku Serbia enden nuk e pranon Kosovën në tavolinën e shteteve të barabarta.

6. Fitorja e dytë

Askush nuk e kishte pritur që në mes të betejës me drejtësinë për dyshimet për korrupsion, Fatmir Limaj t`i kthehej e kaluara si komandant i UÇK-së. Por prokurori italian i EULEX-it që ndjek krimet e luftës Salustro, ishte pak më i shpejtë se kolegu i tij gjerman De Mangeot. Para se t’i konfirmohej aktakuza për korrupsion, Limaj u akuzua për krime lufte. Sërish të njëjtat akuza, për të cilat ishte gjetur i pafajshëm pos tjerash edhe nga Tribunali i Hagës.

Pas një beteje të gjatë, edhe drejtësia e Hagës e ka pastruar Çelikun nga dyshimet për krime lufte, por beteja e tij vazhdon. Vitin e ardhshëm do të përballet me akuzat për keqpërdorim të detyrës sa ka qenë ministër.
Veç betejës me drejtësinë, Limaj do të përballet edhe me misionin që ia ka vënë vetes në politikë, dëshmimit të fuqisë së tij qoftë edhe duke e ndarë partinë më të madhe deri tash, PDK-në.
Ndjekja e komandantëve të dyshuar nga EULEX-i ka vazhduar.

7. Humbja e EULEX-it

Një pjesëtarë i EULEX-it ka humbur jetën në veri të Kosovës, si pasojë e një sulmi të organizuar në pritë. Andrius Senavichius është pjesa më e dhimbshme e misionit të BE-së për vitin 2013. Por misioni që gjatë 2014 do të ndryshojë formë dhe emër nuk ka arritur që të heqë nga vetja dyshimet për ndikime politike dhe pamundësi të përballjes me sfidat as gjatë viti 2013.
Këtë nuk e ka e ka dëshmuar sidomos në pjesën problematike të vendit, në veri.

8. Bllokada me Maqedoninë

Patatja që nga grekët e lashtë është vlerësuar si simbol i dashurisë, doli që në vitin 2013 të jetë subjekt sherri mes dy shteteve të Ballkanit: Kosovës dhe Maqedonisë.
Vendimi disa herë i përsëritur i Qeverisë së Shkupit për të ndalur importin e patateve nga Kosova, me qëllim të mbrojtjes së fermerëve atje, bëri që Qeveria e Kosovës t`i vë embargo disa mallrave nga Maqedonia.
Shkupi fillimisht provoi që të shtyhet me masa më të rënda por në fund e tërhoqi embargon.

9. Kosova shtyn Serbinë drejt BE-së

Brukseli u tregua zemërgjerë me Beogradin në fund të vitit 2013. Trupat e pagjetur të shqiptarëve, mungesa e kërkim faljes për gjenocidin, edhe shumë gjëra tjera nuk e ndalën BE-në që të marr vendimin për të nisur dialogun e anëtarësimit të Serbisë në këtë unionin. Kësisoj, gjatë vitit 2013 BE-ja pos që ka lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe BE-së, ka marrë vendim që të bëjë dy dialogë veç e veç me të dy shtet. Me Kosovën për Stabilizim Asocim, me Serbinë për anëtarësim. Dallimi mes dy proceseve qëndron në gjatësinë e rrugës që kanë përpara të dyja shtetet. Kosova është në shtegun e parë të rrugës së anëtarësimit, Serbia në shtegun e “finishit”.

10. Zbehja për shtetin që nuk u kry!

Qe planifikuar të ishte festë e madhe për shkak të përvjetorit të pestë jubilar. Në përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë, parakalimi i forcave të sigurisë dhe një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, kanë qenë aktivitetet kryesore. Pavarësisht kësaj, Kosova nuk arrit që gjatë vitit 2013 ta bëjë ushtrinë, njërin prej elementeve kryesorë të shtetit.
Kosovës i mbetet shumë deri në ndërtimin e shtetit të shpallur në 2008./Tribuna/

Zoi Xoxa: Konica, dembel por “estet” si askush në Shqipëri

0

FaikKonica-shkrimtarSot në 71 vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej mendjeve më të ndritura të kombit, Faik Konica, sjellim për lexuesit dëshminë e një bashkëkohësi, gazetarit Zoi Xoxa, mbi procesin e të shkruarit tek Konica. Si e shkroi një artikull për 25-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa e kishte shtyrë për momentin e fundit. Afro një orë duke fërshëllyer një arie…dhe artikulli qe gati- dëshmon Zoi Xoxa në “Kujtimet” e tij, prej nga është shkëputur edhe ky fragment.
Ndër të tjera për Konicën, Xoxa kujton dhe një episod ku ai e kishte mbrojtur para mbretit, pas sulmeve të Iljaz Vrionit, apo edhe përplasjen mes Konicës dhe dom Gasper Jakovës. Kur ky i fundit e kishte kritikuar se Konica po i harxhonte me gratë paratë që i jepnin shqiptarët e gjorë për punë atdhetare, Konica i qe pwrgjigjur se fundja bashkw kishin qenw me gratw duke u zbavitur… Ndërsa mw tej shtonte se “Shqipërisë i kam falur nga kërthiza e sipër; nga kërthiza e poshtë bëj ç’të dua, s’i hyjnë në punë Shqipërisë…”

Dr. Zoi Xoxa
Më 1929, pas shumë vitesh mërgimi, erdhi për një vizitë në Shqipëri Faik Konica, që ishte ministri ynë në Uashington. Zogu e priti me nderime të mëdha: pritje në Durrës, veturë në dispozicion, apartament luksoz në “Kontinental”, hyrje-dalje në Pallat përditë etj. etj. Sa kohë që ndenji në Tiranë, Faiku merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, që mbaheshin nën kryesinë e mbretit.
Siç e dini, unë e kisha mik Faikun që në kohën kur bashkëpunoja në gazetën “Dielli” të Bostonit. Më erdhi nja dy a tri herë për vizitë në gazetë dhe më mbajti disa herë për drekë.
Po një ditë më thirri në telefon dhe më tha t’i shkoja në “Kontinental” se kishte disa fjalë. Shkova dhe e gjeta vetëm me Omer Fortuzin, të cilin e mbante si ndihmës. Më shtrëngoi dorën me përzemërsi dhe më tha, duke qeshur me të madhe: “Të uroj, se shpëtove nga një rrezik. E vërteta do të dilte medoemos në dritë, por për disa kohë mundet edhe të vuaje. Ndodhesha te mbreti kur erdhi ai sarhoshi, Iljaz Vrioni, tërë i nevrikosur dhe i shqetësuar, me sytë gjak dhe me duart që i dridheshin dhe i tha mbretit se gjoja ti i kishe kërkuar 200 napolona ryshfet legatës italiane, përndryshe do ta ktheje gazetën kundër Italisë. Këtë legata italiane ia kishte bërë të ditur Ministrisë së Jashtme, me një notë verbale.
-Mbeta pak si i habitur, – vazhdoi Faiku, – por menjëherë e mora me mend si qëndronte puna. E pyeta:- “A e lexuat mirë emrin?” – “Si jo, fare mirë…”. – “Nuk është e mundur”. – “Si nuk qenka e mundur?” – “Nuk është e mundur jo vetëm që unë e njoh karakterin e tij, por edhe për një arsye fare të thjeshtë: “Gazeta e Re” del në Tiranë. Kështu që edhe sikur të dojë, ai kurrë s’mund ta kthejë politikën kundër vijës së qeverisë, se të nesërmen kapet dhe arrestohet. Shiko se mos është ai i Rumanisë, që nxjerr “Shqipërinë e Re”.
Edhe mbreti që s’kishte thënë asnjë gjysmë fjale dhe po na dëgjonte, më dha të drejtë.
Atëherë Iljaz beu mori telefonin, kërkoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe, pas pak, u kthye me një shkresë në dorë. Ishte fjala për Mihal Xoxen. Mbreti i hoqi vërejtjen dhe i tha të kishte kujdes, se mund të merrte më qafë njerëz të pafajshëm. U shkrimë së qeshuri.
Po atë drekë unë i thashë Faikut se po afrohej 28 Nëntori dhe ai, që ndodhej këtu për herë të parë pas aq e aq vitesh mërgimi, duhej ta shkruante kryeartikullin në Gazetën e Re”.
Më dha fjalën dhe unë e fjeta mendjen.
Pas një jave i bëra një telefon, duke i kujtuar fjalën që më kishte dhënë. M’u përgjigj të mos kisha merak.
Dy ditë përpara 28 Nëntorit i bëra prapë një telefon për ta kujtuar dhe prapë më siguroi të mos bëhesha merak.
Por erdhi nata e fundit dhe ai s’më kishte dërguar akoma asgjë. Rudi po më mërziste duke më thënë se duhej kryeartikulli se do ta mbyllte gazetën. Ia shpjegova sesi qëndronte puna, ndaj të kishte edhe pak durim. Mbylla telefonin me Rudin dhe kërkova Faikun. Më doli menjëherë.
-Zoti Faik, gazeta duhet të mbyllet. Nuk mungon veçse kryeartikulli. Ju jeni i zanatit dhe më kuptoni.
-Por, po ç’të bëj? Tani posa u shkëputa nga legata amerikane. Megjithatë, po vij. Më prit.
Dhe mbylli telefonin.
Pas dhjetë minutash, përpara zyrës sime qëndroi një veturë. Ishte Faiku. I dola përpara, e futa në zyrë dhe i lashë tryezën time. U ul dhe nisi të bënte shakara me mua. Unë i thashë se po shkoja në dhomën tjetër që ta lija të qetë. M’u përgjigj që s’i bënte gjë prania ime dhe mund të rrija. Nuk e kundërshtova. U struka në një kolltuk dhe ndenja i menduar. Faiku po lozte me stilografin dhe po fërshëllente arien e nuk e di çfarë opere. Kujtova se po mendohej gjersa t’i vinte frymëzimi dhe të lidhte idetë. Vazhdoi kështu afro një orë, gjithë duke fërshëllyer.
Kur ngriti kokën, më tha: “Mbaroi. Këndoma ti një çikë”.
Kishte një shkrim shumë të pastër, atë shkrim që ia njihja mirë nga letrat që më dërgonte nga Amerika.
E lexova me intonacion. U habita. S’e kisha parë ndonjëherë sesi shkruante. A mund të shkruhet kështu, duke fërshëllyer? (dhe të ç’niveli, se!). A mund të përqendrohet kështu njeriu?
-Të pëlqen? – më pyeti.
-Shumë, – i thashë, jo për t’i bërë qejfin, po se vërtet më pëlqeu shumë.
Për t’u bindur, lexuesit le ta shohin vetë duke hapur koleksionin e “Gazetës së Re” , në datën 28 nëntor 1929.
-Mirë atëherë, jepe në shtyp, veçse bocat duhet t’i ndreqësh ti vetë. S’i duroj dot gabimet e shtypit; e shëmtojnë shkrimin.
Iu zotova se do të kujdesesha vetë dhe e dërgova artikullin në shtypshkronjë.
Më uroi “natën e mirë” dhe hipi në makinë.
Unë mbeta aty në këmbë, për një copë herë të madhe, edhe pasi ishte zhdukur makina. Po mendoja atë burrë me sjellje aristokratike, me fizik të bukur, i pastër dhe i krehur me kujdes. Për ata që nuk e kanë njohur personalisht, le të këndojnë “Dr. Gjilpërën”. “Dr. Gjilpëra” është Faiku vetë, me të metat e virtytet e veta. Më kujtohet se diku Faiku thotë për Dr. Gjilpërën se ky nuk ushqente një atdhedashuri të ngushtë, po atë që quhet “l’amour du sol natal”. Ky ishte Faiku. Dembel si të gjithë aristokratët, “estet” si askush në Shqipëri. Sado që ka kaluar afro një gjysmë shekulli që asokohe, shqipja e Faikut duhet të jetë “shembull” për të rinjtë, sidomos për ata që e kanë në palcë dashurinë e gjuhës.
Gjynah që ishte kaq dembel! Sot brezi i ri ka shumë pak shkrime nga Faiku: Do të kënaqet me “Albania-n”, me “Trumpetën e Krujës”, me artikujt e “Diellit”, me “Dr. Gjilpërën” që mbeti përgjysmë, me “Nën hijen e hurmave” dhe me ndonjë shkrim të hedhur andej – këndej.
Kur isha student në Romë, prita me padurim “Themelet e gjuhës shqipe”, që Faiku e reklamoi te “Dielli”, se do të dilte së shpejti. Nuk doli kurrë. Niste një punë dhe e linte përgjysmë. E tërhiqnin shumë rehatllëku, zbavitjet, jeta e bukur, gratë. Përsa u përket këtyre, shumë kuptimplote është polemika që pati me dom Gaspër Jakovën. E keni tek “Albania”, mund ta shikoni. Me dom Gaspër Jakovën kishin qenë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë në Bruksel, ku botonin revistën “Albania”.
Por një ditë prej ditësh u prishën keq. Dom Gaspër Jakova shkoi në Trieste, ku botoi gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”. Në këtë fletore ai e kritikonte ashpër Faikun dhe, midis tjerave, i thoshte se i harxhonte me gratë dollarët që jepnin shqiptarët e gjorë për punë atdhetare. Dhe Faiku iu përgjigj me një artikull humoristik, që është një kryevepër. I thotë se ata të dy kishin qenë shokë për një kohë të gjatë dhe bashkë kishin shkruar dhe qenë zbavitur. Bashkë kishin shkuar edhe me gratë, sido që ai ishte prift. Po kishte një ndryshim: se edhe në punë e grave dom Gaspër Jakova s’kishte as shijen më të vogël, kurse ai, Faiku, edhe në këtë punë ishte artist, estet dhe s’e ndynte veten me çfarëdo grua.
-Po fundja, -i thotë Faiku, – ç’kanë të bëjnë punët e Shqipërisë me gratë, me të cilat ne të dy shkonim dhe zbaviteshim? Duhet ta dish se unë Shqipërisë i kam falur nga kërthiza e sipër; nga kërthiza e poshtë bëj ç’të dua, s’i hyjnë në punë Shqipërisë.
Përgjigje vërtet danteske. Mbani mend kur Virgjili i tregoi Dantes Farinatën? Për ta shtënë në dorë madhështinë e tij, i thotë: “Dalla cintola in su tutti il vedrai” (Nga brezi e lart krejt ke për ta parë).
Edhe në këtë përgjigje, që duket si banale në pamjen e parë, nxjerr krye Faiku, artist dhe estet si kurdoherë. /Shqiptarja/

Hoxhaj: Limaj e Krasniqi e dëmtuan PDK-në

0

Enver Hoxha, ministerMinistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën Zëri pranon se Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi e kanë dëmtuar PDK’në. Sipas tij, frytet e dëmit janë parë shumë qartë në zgjedhjet e fundit lokale në vend.

Sipas Hoxhajt, Kryetari I Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputeti Fatmir Limaj janë emra të merituar në parti. Kadri Veseli gjatë këtyre muajve të fundit ka bërë një punë shumë të mirë sa I përket menaxhimit të partisë, strukturave, komunikimit me elektorat.

Kështu mendon ministr Hoxhaj. Ai foli edhe për humbjen e PDK’së nëpër disa Komuna të Kosovës.

“Mitrivcë dhe Gjakova janë dy qytete të cilat kanë pas një traditë më industrial se cdo qytet tjetër në Kosovë, ndoshta edhe më shumë se Prishtina. Dhe në këto 20 vitet e fundit të zhvillimeve politike, ekonomike, realisht kanë krijuar një psikologji tek elektorati në këto dy qytete që realisht të gjitha pushtetet qëndrore, nuk kanë investuar në këto dy komuna”, ka thënë ai në numrin festiv të gazetës Zëri.

 

14 të lënduar me fishekzjarre në Prizren

0

dora e lenduarFesta e Vitit të Ri nuk ka kaluar pa të lënduar edhe në Prizren. Shefi i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Sadri Hulaj,tha se gjatë ndërrimit të viteve ndihmë mjekësore kanë kërkuar 63 pacientë.

“ Në kujdestarinë e festës së Vitit të Ri, tek ne janë paraqitur 63 pacientë me patologji të ndryshme”.

Sipas tij, të lënduarit janë të moshave të ndryshme. “Të gjithë të lënduarit janë të gjinisë mashkullore”, tha Hulaj për “PrizrenPress.com”.

“Deri në këto momente 14 pacientë janë lënduar me fishekzjarre”.

“Janë bërë edhe 2 hospitalizime në Repartin e Ortopedisë dhe një i lënduar me armë zjarri është transferuar në QKUK për trajtim të mjekësor”

Në Emergjencën e Prizrenit, gjatë ndërrimit të viteve janë trajtuar edhe gjashtë pacientë të cilët ishin përfshirë në një sulm fizik, si dhe në një aksident komunikacioni.

“Krahasuar me vitet e kaluara numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është i përafërt. Karakteristikë në këtë vit ka qenë se të lënduarit janë të gjithë të gjinisë mashkullore dhe ka pasur më pak femijë të lënduar”. /PrizrenPress.com/

 

 

 

Telashet e trashiguara në vitin 2014-të të Salim Jenuzit

0

SalimJonuziSalim Jenuzi në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ka arritur të fitojë mandatin e tretë për të udhëhequr Komunën e Dragashit.

Organet e drejtësisë edhe ndaj Jonuzit kanë ngritur aktakuzë për shpërdorim të detyrës për bartjen e një prone shoqërore të ndërmarrjes “Sharr prodhim” në pronësi të Komunës së Dragashit.

Megjithatë, ai ka arritur që të ripërtrinte besimin nga votuesit , duke mposhtur kandidatin e LDK-së, Fatmir Mehmetin. Për të arritur deri të fitorja Jonuzi ka lidhur një koalicion të gjerë me komunitete e kësaj komune.

Madje, brenda koalicionit goran, që haptazi janë shprehur pro anëtarësimit të trevave të Gorës në Bashkësin e Komunave Serbe të Kosovës. Lidhja e koalicionit me CDU-në , Jonuzit i ka shkaktuar telashe me partënerët e koalicionit të partive të tjera politike për formimin e qeverisë së re./PrizrenPress.com/

Viti 2013, i mbrapsht për Latifin

0

SmajlLatifi10-5Energjia e harxhuar nga ish-kryetari Smajl Latifi nuk ka qenë e mjaftueshme për qytetarët e Rahovecit në vitin 2013. Ata i kanë besuar vetëm një gjysmë mandati kandidatit të AAK-LDD-së.

Në zgjedhjet e balotazhit, ai është mposhtur nga Idriz Vehapi i PDK-së, i cili më parë kishte drejtuar Ministrinë e Bujqësisëdhe së fundi i shte deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, Latifi ka akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi për humbjen që ka pësuar në Rahovec. Sipas tij, PDK-ja i kishte blerë votat për të arritur fitoren e Vehapit. Ai ui ka bërë thirrje publike për ta intervistuar për të gjitha akuzat që i ka bërë në drejtim të kryeministrit Hashim Thaçit.

Një çështje që i ka shkaktuar kokëçarje Latifit e që do të jetë ‘patate e nxhetë’ edhe në duart e Vehapit, është fillimi i zbatimit praktik i Ligjit për Hoçën e madhe, që sipas Raportit të Progresit është në pikën zero./PrizrenPress.com/

Histori: Çfarë ka ndodhur më 1 janar?

0

Histori-1janar45 pes – Kalendari Julian fillon të përdoret për herë të parë – i paraqitur nga Jul Qezari, u bë kalendari mbizotërues në shumicën e Evropës, dhe në vendbanimet evropiane në Amerikë e gjetkë, deri më 1582 me krijimin e kalendarit Gregorian (propozuar nga Papa Gregori i XIII). Dallimi në gjatësinë e vitit në mes dy kalendarëve është 0.002 %. Kalendari Julian ka një vit të rregullt me 365 ditë të ndara në 12 muaj. Dhe një ditë e brishtë i shtohej në muajin shkurt çdo katër vjet, për të matur vitin tropikal (diellor). Edhe pse astronomët e lashtë e kishin ditur se viti tropikal ishte disa minuta më i shkurtër se sa 365, 25 ditë, Kalendari Julian nuk e bënte këtë korrigjim. Si rezultat, viti kalendarik fitonte rreth tre ditë çdo katër shekuj, në krahasim me kohët e vëzhguara me eklipset dhe stinët. Kjo mospërputhje u korrigjua në kalendarin e reformuar Gregorian në vitin 1582. Kalendari Gregorian ka të njëjtët muaj dhe gjatësi muajsh të kalendarit Julian, por fut ditët e brishta në bazë të një rregulli tjetër. Si pasojë, kalendari Julian është 13 ditë pas kalendarit Gregorian; për shembull, 1 janar në Kalendarin Julian është 14 Janar në atë Gregorian. Kalendari Gregorian, i quajtur edhe Kalendari Perëndimor ose Kalendari i Krishterë, është ndërkombëtarisht i pranuar dhe i njohur nga institucionet të tilla si Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Postar Universal. Në fund të viteve 1930 edhe Turqia që kishte hyrë në udhën e modernizimi, hoqi dorë nga kalendari Julian dhe filloi të perdorë kalendarin Gregorian; kjo është edhe arsyeja që shpesh, mes disa njerëzve, Kalendari Julian quhet “alla-turka” dhe ai Gregorian “alla-franga”.

1773 – Himni i krishterë “Amazing Grace”, bazuar në “1 Chronicles 17:16-17” u përdor për herë të parë për të shoqëruar një predikim të udhëhequr nga pastori John Newton në qytetin Olney, Angli. Historianët thonë se “Amazing Grace” është autobiografi shpirtërore në vargje e Xhon Njutonit. Ai u rrit pa prirje të veçanta fetare dhe u përfshi në tregtinë e skllevërve nëpër Atlantik. Në vitin 1748 një stuhi goditi anijen e tij aq rëndë saqë Xhon iu lut Perëndisë për mëshirë, dhe shpëtoi. Pas kësaj ai shkroi vargjet Amazing Grace, sot himni më i kënduar mes besimtarëve të krishterë;
“Hir i mrekullueshëm!
Sa i fortë dhe i ëmbël
Që shpëtove një të keq si unë.
Isha i humbur, por tani jam gjetur,
I verbër isha, por tani shoh….”

1804 – Pas humbjes së luftës koloniale, Franca heq dorë nga Haiti. Kështu, Haiti bëhet republika e parë zezake dhe vendi i dytë i pavarur në Amerikë, pas Shteteve të Bashkuara.

1939 – Shkrimtari dhe gazetari i njohur i Nju Jork Tajmsit, Cyrus Leo Sulzberger, i cili ishte i ftuar në darkën e shtruar nga mbreti Zog në pallatin mbretëror në Tiranë me rastin e vitit të ri, më pas shkroi në librin e tij “A Long Row of Candles” se ndërsa u largua nga festimet në orët e para të mëngjesit, “njerëzit vazhdonin të hanin e pinin; shampanja rridhte si ujë; mishra të pjekur, pula, pata të majme, sallatra, akullore, gllabëroheshin nën abazhurë e qirinj të ndezur – dhe të gjitha këto në një vend të uritur”. Historianët thonë se festime të tilla ekstravagante dhe shpenzime të shfrenuara do të cilësoheshin nga Italia huadhënëse si të pa jusifikueshme, që me pas do t’i shfrytëzonte për qëllimet e veta.

1947 – Akti kanadez i shtetësisë hyn në fuqi, me konvertimin e nënshtesave britanikë në shtetas kanadezë. Kryeministri William Lyon Mackenzie King bëhet shtetasi i parë kanadez.

1971 – Ndalohen transmetimet e reklamave të cigareve në televizionin amerikan.

1999 – Monedha Euro fillon të përdoret në 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian (me përjashtim të Britanisë, Danimarkës, Greqisë dhe Suedisë)./VOA/

Prizreni mirëpret Vitin e Ri 2014

0

Viti i RiNdërrimi i viteve e ka gjetur qytetin e Prizrenin nën atmosferën që kanë ndriçuar qiellin nga fishekzjarret . Kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë zgjedhur ta presin vitin 2014 me familje brenda shtëpive të tyre.Festa e ndërrimit të viteve nga qytetarët është pritur edhe nëpër restorante të ndryshme.Në rrugët e qytetit të Prizrenit grupmosha nga më të ndryshmet kanë ndjekur nga afër spektalin që kanë ofruar fishekzjarret, një traditë kjo tashmë që i mban të gjithë njerëzit zgjuar deri në orët e para të agimit.

Ardhja e vitit të ri është shoqëruar dhe me përcjelljen e urimeve për një vit sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët. Agron Gashi shprehet i lumtur që Vitin e Ri e ka pritur bashkë me familjarët. Ai tregon se për të festuar këtë festë bashkë me familjen, ka ardhur nga Gjermania.

“Kam ardhur nga Gjermania për t’iu bashkuar familjes për Vitin e Ri. Shpresoj se ky vit do të jetë edhe më i mirë “, thotë Gashi. Qytetarët e Prizrenit, janë shprehur optimist se në vitin 2014 do të ketë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik./PrizrenPress.com/

Shpresa merr plumb

0

seperesaNjë plumb qorr që ka goditur Shpresa Kastratin nga Peja mund të jetë fatal për të. Ajo derisa po qëndronte në ballkonin e shtëpisë së saj,pas orës 24:00 e ka kapur një plumb qorr duke e goditur atë në pjesën e kokës, gjegjësisht në tru.

Ajo është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore nga Peja drejt Qendrës Emergjente në Prishtinë.

Familjarët e Shpresa Kastrati kanë akuzuar mjekët në këtë qendër për neglizhencë. Ata kanë thënë për Kosovapress se janë jashtëzakonisht të pakënaqur me trajtimin mjekësore që i është bërë familjares së tyre, duke shtuar se ajo ka qëndruar më shumë se tre orë në qendrën emergjente.

Motra e saj, Qëndresa Kastrati thotë se askush prej mjekëve të Klinikës së Neurokirurgjisë nuk është paraqitur në mënyrë që ajo të futet në operim.

“Motra është e shtrirë këtu, është sjell prej Peje, ka plumb në kokë, është plagosur shumë rëndë, ajo ka ardhur një orë më herët se na, është në Prishtinë, as nuk ka neurokirurg…… thonë se nuk ka ardhur, ne e kërkuam kirurgun, por askush nuk po na tregon se ku është, ai mjeki është Shefki Dragusha”, thotë ajo.

Akuzat e familjarëve i ka mohuar mjeku kujdestar në këtë qendër, Ejup Gorovci, i cili ka thënë se ai dhe ekipi i tij kanë bërë gjithçka që është e mundur për këtë rast.

Ai ka thënë se pacientja në fjalë është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas tij, gjasat që kjo paciente t`i mbijetoi plagëve të marra nga plumbi qorr, janë minimale.

“Rasti më i rëndë është pacienti i gjinisë femërore, i vitit 1988, e lënduar me armë zjarri, ku lëndimet janë në kokë dhe lezionet janë në qendrat vitale të trurit në pjesët më të ndjeshme të trurit dhe përpsepktiva e saj është shumë e keqe, lëndimet janë shumë serioze , përkundrazi edhe pse familjarët janë ankuar ne kemi bërë atë çfarë është dashur të bëhet CT është bërë pacientja është në ventilimin mekanik dhe ne po luftojmë dhe ne po luftojmë me jetë dhe se lëndimet e saja janë shumë serioze ne kemi bërë atë që kemi pasur mundësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, mjekët në Pejë nuk kanë kryer punën e tyre që është dashur ta bëjnë por që ata pacienten e kanë dërguar menjëherë në Qendrën Emergjente.

Gorovci ka thënë se së paku asaj i është dashur t`i bëhen disa fotografime në kokë./KosovaPress/

Dhjetëra të lënduar në festë

0

Emergjenca(E plotësuar) Në Qendrën Emergjente në Prishtinë numri i personave të lënduar pas orës 24:00 nga plumbat qorr dhe mjetet piroteknike ka shkuar në dhjetëra. Ejup Gorovci, mjek kujdestar në emergjencë ka thënë se pas orës ndërrimit të motmoteve numri apo fluksi i pacientëve që vizitojnë emergjencën është shuam i madh.

Ai ka thënë se tashëm mbi shtatë persona janë pranuar në këtë qendër si pasojë e goditjes së tyre nga plumbat qorr, një pjesë e të cilëve kanë marrë lëndime të rënda e lehta në disa pjesë të trupit.

Sipas tij, njëri pacient ka pësuar nga plumbi qorr në kokë, përderisa tjetri në kraharor. Gorovcii ka thënë se fatmirësisht të dy pacientët nuk kanë në rrezik për jetë.

“Tash veç pas ndërrimit të motmoteve veç kur fillon ajo euforia e festimit me armë zjarri dhe mjete piroteknike, që në minutat e parë pas mesnatës, filluan të vijnë njerëz me lëndime, më të vërtetë shumë serioze, ku disa të themi, të rinj të moshës kryesisht të re, ishin me lëndime nga plumbat qorr nga armë zjarri, aty veç shihen fotografit në rengena, shihen plumbat apo predhat, në trupin njëri e ka në kokë që duhet t`i nënshtrohet operacionit dhe një e ka në kraharor, ndërsa disa të tjera kanë lëndime, djegie të fytyrës dhe syve dy pacientë deri tash kanë lëndime serioze të shikimit, lëndime të syrit dhe ç`rregullime në pamje”, ka thënë ai.

Në këtë Qendër Emergjente në QKU ambulancat nuk pushonin duke sjellë pacientë me lëndime të ndryshme nga të gjitha Qendrat e Kosovës.

Shtatë persona lëndohen, dy tjerë humbin të pamurit

Shtatë persona janë lënduar pas orës 24 në vitin 2014 nga plumbat qorr. Ejup Gorovci, mjek kujdestar në emergjencë ka thënë se gjendja e tyre nuk është në rrezik për jetë pavarësisht se plumbat qorr i kanë kapur ata në pjesë të ndjeshme të trupit.

Gorovci ka thënë se ka edhe të lënduar të tjerë nga mjetet piroteknike. Dy pacient tashme sipas tij kanë humbur të pamurit.