9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Ngjarjet që shënuan vitin

Thaci, Ashton, Dacic ne bruksel1. Habemus Pactum

Kanë qenë të lodhur ditën kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq kanë vënë nënshkrimin në 15 pika të printuara në dy faqe A4. Por lodhja, mungesa e kapaciteteve që prezantojnë dhe nënshkrimet veç e veç e shumë dilema tjera rreth marrëveshjes së Brukselit nuk kishin hedhur hije mbi një fakt. Ajo që po bënin të dy kryeministrat ishte historike.

Nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë që prej shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit padyshim që ishte ngjarja e vitit që ndodhi më 19 prill.

Të dy delegacionet e lodhura pas disa ditë konsultimesh u kthyen në vendet e tyre ku u përballen me shumë pyetje. Dilema kishte sidomos në Kosovë për marrëveshjen që thuhet se po e mundësonte shtrirjen e autoritetit të shtetit në veri nëpërmjet institucioneve e mekanizmave që do të jenë neutrale ndaj pavarësisë së vendit.

Zërin e dilemave e përmbysën reagimet e zhurmshme të liderëve e diplomatëve nga i gjithë perëndimi që uruan për arritjen historike, të parën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja solli shumë përplasje e debate, shumë ndryshime ligjesh e rregullash, që prej zgjedhjeve deri tek funksionimi i policisë, sistemit buxhetor e mënyra e organizimit të komunave. Fjalët e miradije nga përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe shumë diplomatët ë tjerë për të dy kryeministrat kanë bindur disa kongresistë amerikanë se këta të tre janë të denjë të kandidohen për çmimin Nobel. Pati protesta, bllokim të punës së Kuvendit, vonesa e gjithçka, si rezultat i marrëveshjes. Pati edhe amnisti, por edhe ndryshim të gjendjes në veri.

2. Revolucioni zgjedhor

Qe krijuar ndjenja se kosovarët nuk dinë të mbajnë zgjedhje të lira dhe të drejta. 2013-a, lumturisht na e dëshmoi të kundërtën. E kur nuk u prek vota, kosovarët treguan se duan ndryshimin. Gjithandej u shkaktua revolucion zgjedhor.

Kosova ka një komunë më shumë. Shteti tash ka udhëheqës që i pranon si legjitim edhe në tri komuna tjera në veri, ndonëse këta nuk pritet që fillimisht ta njohin pavarësinë. Edhe komunat tjera të vendit kanë ndryshuar. Ka ndërruar fuqia e partive më të mëdha. LDK është ngritur derisa PDK e AAK kanë rënë. Ka ndryshuar Prishtina ku ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ka ndryshuar Gjakova dhe Mitrovica ku ka fituar AKR. Me pak incidente të izoluara dhe në një proces të rregullt zgjedhor, ka ndryshuar Kosova.
Rezultatet qe dënuan të gjitha partitë që kishin pushtet, por nuk shpërblyen fort as ato në opozitë për shkak të mungesës së reformave dhanë sinjalet e ndryshimin në raundin e parë të tyre. megjithatë vulën mrekullisë së rezultati që ndëshkon ia dha balotazhi.

3. Karota e stabilizimit

Askush nga diplomatët evropianë nuk pranon ta thotë publikisht për negociatat e Stabilizim-Asocimit iu referuan Prishtinës drejtpërdrejt si shpërblim për pranimin e marrëveshjes së Brukselit.

Sa herë janë pyetur për këtë, zyrtarët evropianë kanë përsëritur se kanë marrë parasysh konstruktivitetin, por vendimi është marrë për shkak të plotësimit të kritereve. Megjithatë, ata që kanë përcjellë nga afër procesin kanë vërejtur se pengesat burokratike të vendosura nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, u hoqën vetëm pas marrëveshjes së Brukselit.

Në këtë mënyrë Kosova ka nisur dialogun e Stabilizim-Asocimit, marrëveshjes që mundëson përparimin e vendit dhe përfundimin e shtegut të parë të rrugës së gjatë drejt integrimit. Karota e njëjtë shpërblyese për Kosovën do të përdoret edhe në vitin 2014, kur pritet të përfundojë dialog, e pastaj do të nisë debati për nënshkrimin e marrëveshjes.

4. Rashka dhe Pajiqi

Në vitin kur aq shumë është folur për normalizim, nuk ka ndodhur normalizimi i jetës së mijëra familjarëve që ende nuk i dinë se ku i kanë të afërmit e tyre që prej luftës 98-99. Të dy kryeministrat kanë gjetur kohë të flasin për detaje tejet të parëndësishme të funksionimit të jetës në Kosovë, por nuk kanë folur për fatin e të pagjeturve.

Dialogu vazhdoj, dhe kryeministrat heshtën edhe atëherë kur në Batajnicë afër Rashkës u gjetën gjurmët e një varreze masive me trupa shqiptarësh. Qysh prej përfundimit të luftës ishte dyshuar për këtë lokacion. Dy herë madje ishin bërë gërmime sipërfaqësore nga autoritetet serbe duke rezultuar si të pabaza dyshime. Tek në herën e tretë u dëshmua se ajo që e kishin thënë disa dëshmitarë ishte e vërtetë. Trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës ishin bartur nga Kosovë për në Serbi. Atje ishin hedhur në varreza masive.
Një dëshmitarë tjetër ka tronditur opinionin në vitin 2013.
Ivan Pajiq, ka rrëfyer për gazetën Tribuna se ka parë gjatë luftës, se si trupa të civilëve të vrarë janë hedhur në shkritoren e Borit.

5. Koha e takimeve

Në fillim të 2013-s takimet mes liderëve kosovarë e atyre serbë bënin ende lajm. Për shkak se po ndodhnin për herë të parë në histori, detajeve u kushtohej rëndësi. Kush kënd po e përshëndeste i pari, çfarë po deklaronin, çfarë po pinin e si po silleshin. Për të vazhduar traditën tash të konsoliduar të takimeve, në fillim të vitit u kujdesën presidentët e të dyja vendeve. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq në shkurt të vitit 2013, pak muaj pasi një gjë të tillë e kishin bërë kryeministrat.

Prej atëherë, takimet mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë janë bërë të zakonshme. Problematike dalin vetëm takimet nëpër samite ku Serbia enden nuk e pranon Kosovën në tavolinën e shteteve të barabarta.

6. Fitorja e dytë

Askush nuk e kishte pritur që në mes të betejës me drejtësinë për dyshimet për korrupsion, Fatmir Limaj t`i kthehej e kaluara si komandant i UÇK-së. Por prokurori italian i EULEX-it që ndjek krimet e luftës Salustro, ishte pak më i shpejtë se kolegu i tij gjerman De Mangeot. Para se t’i konfirmohej aktakuza për korrupsion, Limaj u akuzua për krime lufte. Sërish të njëjtat akuza, për të cilat ishte gjetur i pafajshëm pos tjerash edhe nga Tribunali i Hagës.

Pas një beteje të gjatë, edhe drejtësia e Hagës e ka pastruar Çelikun nga dyshimet për krime lufte, por beteja e tij vazhdon. Vitin e ardhshëm do të përballet me akuzat për keqpërdorim të detyrës sa ka qenë ministër.
Veç betejës me drejtësinë, Limaj do të përballet edhe me misionin që ia ka vënë vetes në politikë, dëshmimit të fuqisë së tij qoftë edhe duke e ndarë partinë më të madhe deri tash, PDK-në.
Ndjekja e komandantëve të dyshuar nga EULEX-i ka vazhduar.

7. Humbja e EULEX-it

Një pjesëtarë i EULEX-it ka humbur jetën në veri të Kosovës, si pasojë e një sulmi të organizuar në pritë. Andrius Senavichius është pjesa më e dhimbshme e misionit të BE-së për vitin 2013. Por misioni që gjatë 2014 do të ndryshojë formë dhe emër nuk ka arritur që të heqë nga vetja dyshimet për ndikime politike dhe pamundësi të përballjes me sfidat as gjatë viti 2013.
Këtë nuk e ka e ka dëshmuar sidomos në pjesën problematike të vendit, në veri.

8. Bllokada me Maqedoninë

Patatja që nga grekët e lashtë është vlerësuar si simbol i dashurisë, doli që në vitin 2013 të jetë subjekt sherri mes dy shteteve të Ballkanit: Kosovës dhe Maqedonisë.
Vendimi disa herë i përsëritur i Qeverisë së Shkupit për të ndalur importin e patateve nga Kosova, me qëllim të mbrojtjes së fermerëve atje, bëri që Qeveria e Kosovës t`i vë embargo disa mallrave nga Maqedonia.
Shkupi fillimisht provoi që të shtyhet me masa më të rënda por në fund e tërhoqi embargon.

9. Kosova shtyn Serbinë drejt BE-së

Brukseli u tregua zemërgjerë me Beogradin në fund të vitit 2013. Trupat e pagjetur të shqiptarëve, mungesa e kërkim faljes për gjenocidin, edhe shumë gjëra tjera nuk e ndalën BE-në që të marr vendimin për të nisur dialogun e anëtarësimit të Serbisë në këtë unionin. Kësisoj, gjatë vitit 2013 BE-ja pos që ka lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe BE-së, ka marrë vendim që të bëjë dy dialogë veç e veç me të dy shtet. Me Kosovën për Stabilizim Asocim, me Serbinë për anëtarësim. Dallimi mes dy proceseve qëndron në gjatësinë e rrugës që kanë përpara të dyja shtetet. Kosova është në shtegun e parë të rrugës së anëtarësimit, Serbia në shtegun e “finishit”.

10. Zbehja për shtetin që nuk u kry!

Qe planifikuar të ishte festë e madhe për shkak të përvjetorit të pestë jubilar. Në përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë, parakalimi i forcave të sigurisë dhe një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, kanë qenë aktivitetet kryesore. Pavarësisht kësaj, Kosova nuk arrit që gjatë vitit 2013 ta bëjë ushtrinë, njërin prej elementeve kryesorë të shtetit.
Kosovës i mbetet shumë deri në ndërtimin e shtetit të shpallur në 2008./Tribuna/

Më Shumë

Protestë më 1 maj, Jasharaj – Nagavcit: E dimë se ke urdhër nga Kryeministri që të mos na takosh

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj thotë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka urdhër nga kryeministri...

Ballkani fiton dhe ruan kreun e tabelës

Fitore e rëndësishme e Ballkanit në udhëtim te Gjilani sot. Skuadra suharekase takimin e sotëm e fitoi 0-2 (Nazmi Gripshi 49’, Lumbardh Dellova 81’), për ta ruajtur kështu kreun e...

Lajmet e Fundit