16.8 C
Prizren
E martë, 5 Gusht, 2025
Home Blog Page 8464

Vizitë tek lokacioni i varrezës masive në Rudnicë

0

Rudnice-varrez masiveFamiljarë të personave të zhdukur, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe ata të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, janë nisur për një vizitë tek lokacioni i varrezës masive në fshatin Rudnicë, të Rashkës në Serbi.

Vizita është organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si ndërmjetësues i Grupit Punues për Persona të Zhdukur, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Autoritetet serbe, EULEX – DML dhe ekspertë të mjekësisë ligjore nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës, gjatë hulumtimit të lokacionit tek gurëthyesi në Rudnicë, në komunën e Rashkës në Serbi, kanë gjetur mbetje mortore dhe të pranishëm gjatë gërmimeve ishin Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Luftës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur nga Serbia, dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Aktualisht atje anë ndërprerë gërmimet për shkak të kushteve klimatike.

Hamiti e Arifaj nderohen me Çmimin për Guxim Qytetar

0

Hamiti e ArifajXhabir Hamitit dhe Visar Arifaj janë shpallur personalitete të vitit nga Lëvizja FOL për guximin e tyre qytetar.

Drejtori i kësaj organizate, Petrit Zogaj tha se FOL edhe këtë vit po tenton të mbështesë, të mbrojë dhe të falënderojë individët të cilët kanë hasur në vështirësi gjatë kryerjes së punës së tyre të përditshme. Megjithë pengesat, as Hamiti dhe as Arifaj nuk janë ndalur në asnjë moment për të informuar publikun, për të hapur debat për çështje të caktuara dhe për t’i mbrojtur kauzat e tyre të drejta.

“Z. Hamiti dhe z. Arifaj, janë shembull i qytetarëve të devotshëm, të cilët nuk bëjnë kompromise me parimet, duke qenë të gatshëm të pranojnë edhe rreziqet që mund t’ju vijnë”, ka thënë Zogaj.

Hamiti është nderuar për rolin e tij në kontekstin e debatit të madh në shoqërinë kosovare lidhur me shekularitetin e shtetit dhe të drejtën e besimit, kurse Arifaj, i Partisë së Fortë, u nderua me këtë epitet për ndihmesën që e dha, siç thuhet, “në demaskimin e politikës së korruptuar dhe në krijimin e një fryme krejt të freskët politike në Kosovë, që kulmoi me rezultatet e papritura në zgjedhjet lokale në mbarë vendin”.

Botohet për herë të parë diploma e Balshajve

0

Diploma e BalshajveDiplomat origjinale të dinastisë së njohur shqiptare të Balshajve, të cilat sot ruhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, bëjnë pjesë në ato burimet arkivore-dokumentare të sllavishtes së vjetër të pabotuara ose pjesërisht të botuara deri tani, pa editime kritike, të pashoqëruara me faksimile, të patranskriptuara, që shpesh herë kanë qenë burime keqinterpretimi ose keqinformimi si për studiuesit, historianët dhe lexuesin e gjerë, të cilët nuk e njohin sllavishten mesjetare. Botimi sipas metodave bashkëkohore, me një editim kritik, të shoqëruara me faksimile, të transkriptuara në sllavishte të vjetër, të përkthyera në shqip dhe të shoqëruara me komente përkatëse sa më përmbajtësore, duke shmangur për aq sa është e mundur “detajet e lodhshme” të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë, është një mënyrë që këto dokumente burimore për historinë mesjetare shqiptare të fundshekullit XIV të jenë të sakta e të përdorshme për të gjithë të interesuarit.

Në një shkrim të Musa Ahmetit, botuar në Gazeta Shqiptare, sillet diploma e njohur nga studiuesit dhe historianët, por për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtes së vjetër mund t’i lexojnë lehtësisht. Përveç kësaj botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe, transkriptim e transliterim. Logjika e studimit përcjellës, e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit.

Dinastia e Balshajve ishte njëra prej dinastive më të njohura shqiptare në shekujt XIV –XV, e cila e shtriu zotërimin dhe sundimin e saj nga veriu në jug të territoreve mesjetare shqiptare. Nga kancelaria e kësaj dinastie dilnin dokumente në disa gjuhë të kohës, por me këtë rast ne po botojmë diplomën që është shkruar në sllavishte të vjetër, me alfabetin cirilik të llojit mijuskul. Gjuha sllave me alfabet cirilik praktikohej nga kancelaritë e fisnikërisë shqiptare mesjetare krahas gjuhëve të tjera, duke treguar kështu aftësi komunikuese diplomatike me qendra të ndryshme evropiane dhe ato fqinjësore. Diplomat e dinastisë së Balshajve që ndodhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, të shkruara me grafema cirilik, janë gjithsej 15 copë dhe i takojnë periudhës kohore 7 janar 1368 – 3 nëntor 1395.

Të gjitha këto diploma janë të shkruara në letër të cilësisë së lartë gjysmëkarton dhe që të gjitha janë të vulosura. Boja e përdorur nuk ka nevojë për koment, sepse i ka rezistuar pa asnjë dëmtim 618 vjetëve të kaluara.

Ndërsa kur jemi te vulat, duhet të theksojmë se duke i botuar faksimilet e tyre në gjendjen aktuale, mendojmë se sjellim një kontribut të veçantë për njohjen e sigjilistikës së fisnikërisë shqiptare, edhe pse janë në gjendje të rëndë dhe shumë të dëmtuara, të thyera dhe me pjesë të humbura. Kur flasim për vulat duhet të theksojmë se aty ka një të veçantë shumë domethënëse: të pesëmbëdhjetë diplomat janë vulosur me nëntë lloje vulash të ndryshme, po ashtu është e rëndësishme të theksohet se të gjitha vulat janë të shtypura në letër dhe janë prej dylli. Asnjë nga vulat nuk është e varur dhe nuk ka përbërje plumbi, metali apo floriri, gjë e zakonshme kjo për kohën, por e ritheksojmë: të gjitha janë nga dylli. Fakti që vetëm nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut mund të identifikojmë nëntë lloje vulash të ndryshme që ka përdorur kancelaria e Balshajve për periudhën në fjalë është shumë domethënës për rëndësinë që kishte Raguza mesjetare për Balshajt në veçanti dhe për politikën mesjetare shqiptare në përgjithësi.

Rushiti: Në burgje ka edhe çmimore për narkotikët

0

FerideRushitiDhuna fizike nuk është e pranishme në burgjet e Kosovës, siç ishte më herët, por ka kontrabandim të celularëve e narkotikëve, tha për Radion Evropa e Lirë, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Rushiti thotë se Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bashkërisht edhe me organizata të tjera dhe me institucionin e Avokatit të Popullit, monitorojnë sistemin korrektues të Kosovës, po ashtu edhe qendrat e ndalimit apo stacionet policore, si dhe shëndetit mendor që nga viti 2006 dhe del me raporte vjetore.

“Fatmirësisht, mund të themi, që për dallim prej viteve të mëhershme ose ndoshta vitit 2007- 2008, tani dhuna fizike nuk është element që dominon në sistemin korrektues të Kosovës. Megjithatë, mund të ketë ndonjë rast sporadik, të izoluar, mirëpo nuk është dukuri, e cila i përcjell këto institucione”, tha ajo.

Ajo thotë se mediumet kanë potencuar që bë burgjet e Kosovës ka edhe armë edhe mjete narkotike, edhe telefona komunikues, kështu që ne gjatë vizitave tona monitoruese nuk mund t’i investigojmë rastet, mirëpo ka pohime nga të burgosurit që ka edhe lëndë narkotike. “Madje, kanë edhe çmimoren sa qarkullojnë, dihen edhe pavijonet se cilat janë ato më problematiket dhe mund të themi se thuhet që ka mjete narkotike”.

“Po ashtu, edhe për mjete komunikimi apo telefona, ka, pasi që edhe neve vetë si monitorues, kohë pas kohe ata na thërrasin dhe na shqetësojnë për çështje të caktuara. Kështu që, sipas pohimeve të të burgosurve dhe sipas kontakteve direkte, mendojmë që po”, tha ajo.

Koleksionisti fanatik i rokut

0

InstrumenteRoku në Kosovë sot ka një numër të  madh emrash, por hapat e parë të tij janë vënë qysh në vitet e 1966-67, kur në qytetin e Mitrovicës ishte krijuar grupi i rokut “FAN”, për të shpërthyer në vitet e 80-ta .

Nexhmedin Salihu është njeriu që i ka qëndruar besnik kësaj muzike. Ai është koleksionist i cili edhe sot me fanatizëm ruan disqe, posterë e biografi të pothuajse secilit grup e këngëtarë të muzikës rok të asaj kohe.

Ai me nostalgji kujton rrugëtimin e muzikës rok në Mitrovicë, kohën dhe vendet në të cilat kanë ushtruar e performuar grupet që ai pëlqente. “Kujtojë vendin ku kanë ushtruar bendet, ka qenë te pjesa e quajtur ‘Kej” afër Qendrës së Kulturës në Mitrovicë. Aty ka qenë një pjesë e mbuluar me xhama të bardh, dhe më kujtohet ka pas vrima të shqyera në xham e unë prej aty kam shikuar grupet, për shkak se ka qenë hapësirë e vogël dhe nuk kemi pas mundësi të futemi brenda e t’i shikojmë”, thotë Salihu, shkruan Zëri.

Salihu tregon fillimin e viteve 70-ta kur në grupin “FAN” ka ardhur Nexhat Macula, grupi është ngjallur, kanë filluar të këndojnë këngë të grupeve të njohura ndërkombëtare të asaj kohe. Sadiku ka treguar se grupi FAN është si pikënisje e asaj që do të vinte pas viteve të 70-ta, që bëri që të formoheshin një numër i madh grupesh duke e cilësuar këtë periudhë si koha kur edhe Rok muzika në Kosovë arriti kulmin e saj.

“Në kohën e grupit “FAN” ka qenë edhe një grup Kristalet e Trepçës aty kanë qenë shqiptarë e Serb bash me një vend, pastaj Xhevdet Gashi ka formuar grupin MAK me Halil Bajraktari bas kitarë,  Sejdi Jusufi ka qenë kitarist, Xhevdet Gashi klaviaturist, Haki Misini i ndjerë ka qenë këngëtarë, pastaj Mehmet Upella ka qenë daullist. Ndërkaq tani Mehmeti dhe Hakiu janë të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tregon Salihu, duke shtuar se pas këtyre grupeve vjen edhe lulëzimi i kësaj muzike. “Nexhat Macula në vitin 1976 ka shkuar në një grup në Beograd pasi është kthyer  prej atje ai ka formuar grupin TNT në të cilin ka ardhur këngëtari më i mirë që rok muzika ka pasur ndonjëherë Ferki Shala”, ka treguar Salihu.

Pas kësaj periudhe në vitet e 80-ta hapet prodhimi i kasetave në Radio Televizionin e Prishtinës, duke bërë kështu që të krijohen albumet më të mira të historisë së rokut, album ishte incizuar albumi i parë i grupit “TNT”, po ashtu i grupit “Gjurmët” dhe “403”.

Ai tregon në kohën kur ka qenë i ri, kushtet e vështira ekonomike, nuk i kanë mundësuar që ti përcjell për së afërmi të gjitha koncertet që këto grupe kanë pasur, por, përkundër kësaj ka arritur t’i dijë të gjitha, vendet ku ata kanë ushtruar, ditën, vendin dhe kohën kur do të mbajnë koncert.

“Në atë kohë ka qenë problem, nuk kemi pas liri me dal, më kujtohet koncertin e parë që e kom pa ka qenë në vitet 80-ta, edhe pse i kom ditë të gjitha, ku janë ata, çka bëjnë,  mirëpo nuk kam pas mundësi materiale që t’i përcjell koncerte”, ka treguar ai.

Ai e kujton edhe sot kohët e vështira nëpër të cilat ka kaluar rok muzika, në një nga ditët e vitit 1973 kur grupi “FAN” kishte mbajtura koncert në Mitrovicë, tregon Sadiku se si ishin mbledhur një numër i madh njerëzish në qendër të qytetit të Mitrovicës për ta dëgjuar këtë grup, me ç’rast nga turmat e shumta dhe frika se mos po eskalonte situata e sigurisë, thotë ai, policia kishte shkyçur rrymën elektrike, për të ndërprerë performancën e grupit. Në shtëpinë e tij, sot ka të ruajtura më se 700 pllaka të gramafonit, biografi të njerëzve të mëdhenj të rok muzikës së asaj kohe, të cilat edhe sot i ruan me fanatizëm.

Ndërkaq si devalvim të muzikës rok në Kosovë, ai e sheh periudhën e viteve1990 kur artistët e këtij zhanri muzikor, për të mbijetuar kishin kaluar në zhanre të tjera, madje disa prej tyre në atë tallava. Ndërsa për rok muzikën në ditët e sodit, ai thotë se çmon shumë veprimin e shkollave të rokut në Mitrovicë, të cilat sipas tij, po nxjerrin artistë të mirëfilltë të rok muzikës, duke i cilësuar këto shkolla si mjaft të rëndësishme për ruajtjen dhe kultivimin e mëtejmë të traditës së rok muzikës, të cila edhe po i ruajnë qytetit të Mitrovicës, epitetin si qytet i rokut, që njihet edhe sot.

Shpend, mbani përgjegjësi për veprimet tuja

0

Seremb Gjergji italiShkruan: Seremb Gjergji

Kryetar, ju mbani përgjithësi për veprimet tuja. Mbi të gjitha, ky është një PRECEDAN për rastet tjera që do të ndodhin në të ardhmen. Veprimet e Kryetarit të ri të Prishtinës z. Shpend Ahmenti, ku në prezencën e tij dhe ekipit mungon stema dhe flamuri i Kosovës; tregon një mungesë të vetëdijes së rëndësisë së Shtetit dhe fuqizimit të Institucioneve tona. Poashtu, ky veprim prekë edhe aspektin e Kushtetutshmërisë.

Parmbrëmë bisedova me Shpendin (Kryetarin) në Ipeshkvin e Kosovës dhe i thash se Ne si shkollar amerikane ndër më të rëndësishmet që kemi mësuar është “përgjithësia për veprimet tona dhe Ju dhe Kryetarja Mimoza Kusari për çdo veprim tuajin, e bëni me vetëdije dhe duhet të mbani përgjithësi për atë veprim. Andaj çdo veprim tuajin e shoh si të qëllimshëm – si për të mirë, si për keq”. Përgjithësia është diçka që është ngjizur në mentalitetin e shkollarëve amerikan. Mbi të gjitha, nuk ka qenë temë e fushatës tuaj bashkimi apo çështja Kombëtarë, por problemet e qytetarëve të Prishtinës; me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës në përgjithësi.

Kryetar, për veprimin aktual, ju them se e keni bërë me vetëdije dhe si kolege i shkollimit amerikan, ju them se do të mbani përgjithësi. Veprimi i Juaj me ekip, jo vetëm që e dëmton Shtetin dhe me heqjen e Stemës, Flamurit dhe Himnit, keni shkelur Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës.

Mos përfillja e simboleve shtetërore, është në kundërshtim me Nenin-6 të Kushtetutës së Kosovës, Ligjit për Simbolet Shtetërore të datës 20 shkurt 2008 dhe në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Neni-57.1, teksti i betimit është si në vijim:

“Betohem (ose deklaroj solemnisht) që do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetar i komunës së (Prishtinës) me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”.
Ju nuk e respektuat betimin që e bëtë!

Ky veprim nuk është në vijë me interesat e Shtetit dhe popullit të Kosovës, por shkon vetëm në interesat e vendeve jo-mike të Kosovës.

Mungesa e “Actio Popularis” (e drejta e qytetarit), si qytetarë dhe kandidat i pavarur për President të Kosovës ma ndalon që të ankohem në Gjykatën Kushtetuese; përndryshe do të përballeshit me Kushtetutshmërinë e veprimit tuaj. Njësoi do të veproja edhe me Kryetarin e Gracanicës dhe gjithë të tjerët që do të vepronin njëjtë.

Kryeprokurori Ismet Kabashi si mbrojtës i vlerave Kushtetuese, Ligjore dhe Juridiksionin dhe të drejtën e Institucioneve dhe Qytetarëve të Kosovës, si dhe Prokurorët e caktuar gjatë zgjedhjeve për të mbrojtur Kushtetutshmërinë kanë për detyrë ta shqyrtojnë secilin rast veç e veç, ashtu siç duhet shqyrtuar vet asamblistët e Asambleve Komunale.Mbi të gjitha, nëse nuk mbrohet Kushtetutshmëria, atëherë nuk është mbrojtur edhe vota e lirë.

S’fituam gjë nga dialogu

0

MuratJashari5-29Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, ka vlerësuar se Kosova nuk ka fituar gjë prej procesit të dialogut me Serbinë.
“Në aspektin e jashtëm, të diplomacisë evropiane, në të gjitha segmentet e bashkësisë evropiane dhe të OKB-së ky di dialog lavdërohet.

Por, nëse e shohim në aspektin e brendshëm, absolutisht nuk kemi fituar gjë”, ka thënë Jashari.
Madje ai ka deklaruar se me procesin e dialogut rrezikohet edhe humbja e stabilitetit të vendit tonë. Jashari ka folur edhe për çështjen e rezervimit të ulëseve të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se tejkalimi i Pakos së Ahtisarit do të ishte gabim i kushtueshëm. /Epoka e re/

Tabelat e doganës jo në gjuhën shqipe

0

Dogana-Jarinje-BernjakeGjuha shqipe nuk ka gjetur vend në tabelat e reja orientuese që janë vendosur në kuadër të projektit për modernizimin dhe rindërtimin e vend-kalimit kufitar Bllacë që lidhë Maqedoninë me Kosovën.

Në këtë pikë kufitare që më së shumti shfrytëzohet nga shqiptarët e këtyre dy vendeve, në tabelat orientuese është përdorur vetëm gjuha maqedonase dhe ajo angleze. Pas përurimit të pjesës së rindërtuar të vendkalimit kufitar ‘Bllacë’, Drejtori i Doganave të Maqedonisë Vanço Kargov, premtoi se në të ardhmen do të vendosen tabela edhe në gjuhën shqipe, por nuk tregoi pse kjo gjë nuk ka ndodh me kohë.

“Aty ku kemi arritur kemi përdorur gjuhën shqipe, por do t’i bëjmë edhe tabelat tjera në shqip. Nuk kemi arritur t’i bëjmë ende të gjitha, por siç mund të shihni në disa vende veçmas është përdorur gjuha shqipe. Ja ku i keni tabelat informuese!”, thotë Vanço Kargov, Drejtori i Doganave të Maqedonisë.

Edhe pse të pranishëm në përurimin e rindërtimit të kësaj pike kufitare, zyrtarët shqiptarë në Qeverinë e Shkupit, kanë heshtur shpërfilljen e shqipes në tabelat orientuese nga ana e Doganave të Maqedonisë, transmeton TCH.

Në aspektin e kontrollit dhe shmangjes së radhëve të gjata, rindërtimi i kësaj pike kufitare sipas kryeshefes së policës maqedonase ka rëndësi të madhe për të dy vendet.

“Modernizimi i kësaj pike kufitare do të ndikojë në rritjen e cilësisë së kontrollit gjatë lëvizjes në këtë vendkalim. Kjo është në interes të qytetarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, po edhe të gjithë qytetarëve të vendeve të ndryshme që do të shfrytëzojnë këtë vendkalim kufitar në të ardhmen”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendëshme.

Projekti për rindërtimin e vendkalimit kufitar ‘Bllacë’ është ndihmuar nga Banka Botërore dhe ka kushtuar rreth 1 milion e 800 mijë euro.

UP’ja me shkelje edhe në programin për Doktoraturë

0

UP-rektoratiHetimet për korrupsion dhe dyshime për krim të organizuar në Universitetin publik të Prishtinës (UP) po vazhdojnë. Deri tash më i prekuri ka qen Fakulteti i Mjekësisë, ku janë arrestuar 11 punonjës, kanë mbetur p[a punë 15 asistentë dhe janë bërë shkarkime e suspendim. por nuk përjashtohet mundësia që të preket edhe menaxhmenti aktual.

Të gjitha hetimet dhe dyshimet deri tash janë shfaqur vetëm në nivelin fillestar të hetimeve, por tash dyshimet po avancohen dhe në nivelet tjera. Një grupi i studentëve, kandidatë për doktoraturë, e që pretendojnë së u është shkelur e drejta për studime të doktoratës në UP duke e ndryshuar konkursin me kriteret e tij pas aplikimit, i kanë shkruar një letër liderëve më të lartë institucional të vendit: Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga; Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi; Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja,transmeton Express.

Ata pretendojnë që ndryshimi i kritereve të konkursit ëpr doktoratë, pas mbylljes së tij, jo që është vetëm shkelje ligjore, por ka fyer dhe shkelur edhe dinjitetin e kandidatëve dhe njëkohësisht ka cenuar të drejtat e njeriut.

Më poshtë lexojeni të plotë letrën:

“Përmes kësaj letre po ju drejtohemi lidhur me padrejtësitë dhe parregullsitë që janë bërë në konkursin publik të shpallur nga senati i Universitetit të Prishtinës më 26.09.2013 për regjistrimin e studentëve në studimet e doktoratës për vitin akademik 2013/2014.

Të nderuar,

Në konkursin publik ishin përcaktuar qartë kushtet dhe kriteret si dhe afatet e sakta për aplikim, test të gjuhës, shpallje të rezultateve dhe kriteret e vlerësimit dhe të përparësisë së radhitje. Megjithatë Universiteti i Prishtinës, përkatësisht senati i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë vendimin 2/988 i cili ndryshon kriteret e vlerësimit 2 muaj pas shpalljes së konkursit dhe pasi që ishin dërguar listat e kandidatëve nga komisionet e fakulteteve. Me këtë rast Universiteti i Prishtinës ka bërë shkelje së paku në pikat e mëposhtme:

1. Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk është bërë në kohën e paraparë, por më shumë së një muaj vonesë.

2. Nuk janë marrë parasysh ose janë manipuluar kriteret e vlerësimit që kanë qenë të përcaktuara në konkurs, siç ishin nota mesatare e studimeve paraprake, publikimet në revista shkencore, pjesëmarrja në konferenca shkencore dhe rekomandimet nga profesorët e lëmit përkatës.

3. Është zhvilluar intervistë dhe është vendosur pragu i kalueshmërisë, ndërsa as intervista dhe as pragu nuk ishin pjesë e konkursit publik.

4. Njohja e gjuhës angleze ishte kriter që kishte peshë 30% në vlerësimin e përgjithshëm, por në bazë të konkursit nuk ka qenë kriter eliminues.

5. Vendimi i senatit ka efekt prapaveprues, dhe kjo është shkelje në bazë të ligjeve në Republikën e Kosovës.

Ne kandidatët e prekur nga ky vendim, konsiderojmë se është shkelur rëndë konkursi publik dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shkelje të rëndë paraqet edhe fakti siç ka deklaruar edhe vetë Rektori se kriteret janë ndryshuar për shkak të presionit të ushtruar nga studentët senator. Senati ka rënë nën ndikimin e tyre dhe ka ndryshuar kriteret e konkursit pasi që kanë përfunduar të gjitha procedurat e aplikimit dhe pasi që janë bërë rangimet e kandidatëve prej fakulteteve gjegjëse.

Vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës jo vetëm që ka shkelur institucionin e konkursit publik, ligjet në Republikën e Kosovës, nenin 122 të statutit të Universitetit të Prishtinës, por ka fyer dhe shkelur edhe dinjitetin e kandidatëve dhe njëkohësisht ka cenuar të drejtat e njeriut. Vendimi i Senatit të UP-së 2/988 i datës 26.11.2013, është bërë në mënyrë kundër statusore dhe kundërligjore, pasi që një gjë e tillë bie në kundërshtim me konkursin publik dhe kriteret e konkursit të shpallur më 26.09.2013. Jemi thellë të bindur se ky vendim është nxjerrë për të favorizuar kandidatët e caktuar dhe për të eliminuar kandidatë të tjerë. Si pasojë nuk është aspak e vërtetë se më këtë vendim është ngritur cilësia, por përkundrazi janë eliminuar njerëz që kanë cilësi të njohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Janë eliminuar kandidatë që kanë studiuar në universitete më famë botërore ose kandidatë me dhjetëra punime shkencore në konferenca ndërkombëtare. Prandaj me këtë vendim mendojmë se i është shpallur luftë cilësisë dhe konkurrencës në UP. Po ashtu me këtë vendim është shkelur edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 47 paragrafi 2 ku thuhet: “Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj” duke mos siguruar mundësinë për konkurrencë të barabartë.

Me gjithë faktin se janë parashtruar rreth 150 ankesa për këtë vendim dhe procesin e doktoratës, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa i Universitetit të Prishtinës nuk ka marrë mundin që të shqyrtojë dhe të njoftojë kandidatët nëse janë shqyrtuar apo jo ankesat. Si përgjigje kemi marrë se mund të ju drejtohemi institucioneve tjera apo gjykatave.

Për fund, kërkojmë nga ju të nderuar që të përdorni autoritetin e juaj shtetëror dhe të evitohen shkeljet ligjore që janë bërë me këtë vendim dhe si pasojë të na mundësohet regjistrimi dhe vazhdimi i studimeve të doktoratës. Ne nuk kërkojmë asgjë me shumë se atë që na takon në bazë të konkursit, statusit të Universitetit të Prishtinës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës për të cilat kemi luftuar dhe po luftojmë për çdo ditë që të jenë sa më të mira, por gjithsesi që edhe të respektohen. Mbesim me shpresë që letra jonë e hapur dhe e sinqertë do të gjejë mbështetjen e juaj dhe drejtësia të vendoset në vendin e duhur.

Me nderime:

Prishtinë, 27.12.2013

Grupi i studentëve që u është shkelur e drejta për studime të doktoratës”

LDK s’do koalicion me PDK-në

0

HashimThaci-IsaMustafaZyrtarë të lartë të LDK-së i thonë jo ofertës së Kadri Veselit për koalicion me PDK-në. Ndërsa, në AAK për ish-shefin e SHIK-ut thonë se është “axhami” në politikë.

Partia e Isa Mustafës i ka thënë “Jo” koalicionit eventual me partinë e kryeministrit Thaçi. ”Vardisja” e zëvendëskryetarit të parë të PDK-së, Kadri Veselit, se është në favor të një partneriteti me LDK-në, por jo edhe me partinë e Ramush Haradinajt, ka marrë përgjigje negative nga LDK-ja. Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, është kundër një partneriteti në të ardhmen me partinë e Hashim Thaçit, “Kryesia s’ka qëndrim të tillë dhe asnjëherë nuk është diskutuar rreth mundësisë për një koalicion eventual me PDK-në. Pra, është herët të flitet për koalicione, kur dihet se zgjedhjet nacionale do të mbahen diku në shtatorin e vitit që vjen”, ka pohuar Rugova.

Sipas tij, LDK nuk bënë koalicion me PDK,pasi që aktualisht janë parti të barabarta për nga numri i votave. “Thjeshtë koalicionet në mes dy partive më të madha politike nuk kanë sjellë rezultatet të mira asnjëherë. Prandaj, edhe i them “Jo” një koalicioni të tillë eventual”, ka thënë Rugova për gazetën “Zëri”.