17 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8597

Ish-kryetarja e FG të LDK-së në Prizren, i bashkohet Nismës për Kosovën

0

grat nismaIsh-kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Femije Gashi së bashku me 30 gra të tjera iu kanë bashkuar Forumit të Gruas së Nismës për Kosovën në Prizren.

Koordinatori i Nismës, Sejdullah Hoxha dhe kryetarja e Forumit te Gruas të këtij subjekti politik në Prizren, Albulena Halimaj, kanë mirëpritur aderimin e këtyre grave në Nismë.

“Ne mirëpresim anëtarësimin Femije Gashi dhe anëtareve tjera në Forumin e Gruas së Nismes për Kosovën Dega ne Prizren, duke i falënderuar njëkohësisht që kanë zgjedhur vizionin dhe programin e Nismes”,tha Halimaj.

Ajo tha se shumica e grave të tjera, që kanë kaluarë në Forumin e Gruas së Nismës, kanë qenë pjesë e Forumit të Gruas së LDK-së.

“Ky është edhe një tregues i qartë se fryma e Nismës ka filluar të shpërndahet dhe përqafohet gjërësisht kudo në Kosovë e sidomos në qytetin e Prizrenit”.

“Dyert e Nismës do të jenë të hapura për të gjithë”./PrizrenPress.com/

 

RDK-janë Prizren, mobilizohet për zgjedhjet nacionale

0

Foto nga takimi i RDK-se 2Kryesia e Rinisë Demokratike të Kosovës(RDK) Dega në Prizren, ka mbajtur takimin e radhës nën udhëheqjen e kryetarit të saj, Shkodran Kryeziu.

Kryeziu, ka njoftuar Kryesinë për proceset e rëndësishme politike në vend. ku është kërkuar angazhim dhe përkushtim maksimal në prag të fushatës paraelektorale.

Në këtë takimi është diskutuar për koordinimin e strukturave të RDK-së, në Prizren, duke prezantuar edhe agjendën dhe platformën që kanë strukturat e RDK-së, për ti takuar të gjitha nivelet e organizimit rinor në Komunën e Prizrenit.

Sekretari i RDK-së në Prizren Jeton Bytyçi, ndërkaq foli për vendimet e rëndësishme të cilat janë marr kohën e fundit nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, të cilat janë cilësuar si vendime të drejta dhe të rëndësishme për mbarë rininë e Republikës së Kosovës e në veçanti, atë të Prizrenit

” Dihet mirë që tash e disa vite qyteti i Prizrenit është shndërruar në një qytet Universitar me rreth 8 mijë student, andaj marrja e vendimit për lirim nga pagesat për studentët ndikon drejtë për së drejti në përmirësimin e kushteve për studentët në UPZ”.

Gjithashtu gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mbajtjen e Samitit të Rinjve të Rinisë Demokratike të Kosovës, e cila do mbahet në Prishtinë ku do marrin pjesë rreth 2 mijë të rinj nga mbarë territori i Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës edhe njëherë konfirmon vlerat, përkushtimin, angazhimin në të mirë të qytetarëve me të ardhme Evropiane.

Naim Maloku, nga sot anëtar i AKR-së së Pacollit

0

Naim MalokuIsh nënkryetari i AAK, Naim Maloku sot zyrtarisht është bërë pjesë e subjektit politik të zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli.

Lajmi është konfirmuar gjatë një konference me gazetarë që po mbahet në këto momente në zyret e AKR te “Qafa” në Prishtinë.

Siç njofton gazeta “Zëri”, e pranishme në këtë konferencë është edhe zëvendëspresidentja e AKR, Mimoza Kusari Lila. Kjo e fundit e ka cilësuar Malokun “një figurë e shquar dhe luftarake”.

Naim Maloku ka thënë se ai po i bashkohet këtij subjekti politik “me një vision të qartë”.

“Prej sot kontributin tim, atë çka mund ta jap tash për vendin, në paqe, do e jap përmes AKR-së”, ka thënë para gazetarëve, Naim Maloku.

“Që tre vjet e percjelli nga afër AKR-në dhe vizioni i saj qe eshte vizion ekonomik per ngritjen e mireqenjes ekonomike sociale te vendit eshte nje prej arsyeve bazë që unë aderoj në këtë parti”, ka thënë më tej, Maloku.

Gjatë konferencës me gazetarë, udhëheqësi i këtij subjekti, Behgjet Pacolli e ka konfirmuar edhe njëherë se AKR nuk do të bëj asnjë koalicion parazgjedhor dhe se subjekti “do të kandidoj i vetëm me njerëzit që ka”.

Shpallen përbërjet e jurive ndërkombëtare në ‘PriFest 6’

0

PriFest9-13Shpallen përbërjet e jurive ndërkombëtare për të gjitha kategoritë e edicionit të 6-të të festivalit ndërkombëtar të filmit PriFest.

Juria e programit garues të filmave europian është në përbërje prej: Kees Kassander producent nga Holanda, fitues i shumë cmimeve ndërkombëtare përfshi cmimin e jurisë në Cannes dhe ate BAFTA. Në karierën e tij të bujshme ka qenë producent i më së 50 filmave artistik.

Cedomir Kolar, producent nga Franca, i lindur në Kroaci, i nominuar dhe fitues i cmimit Oscar. Filmi i tij I fundit ‘Episode of…’ nga Danis Tanovic fitoi 2 cmime në Berlinale 2013.

Velibor Topic, aktor I lindur në Bosnje, jeton dhe vepron në Britani të Madhe. Ka luajtur në shumë shfaqje teatrore dhe filma. Njihet për rolet në filmat si ‘Robin Hood’ i Ridley Scott, ‘Snatch’ i Guy Ritchie dhe ‘Kingdom of Heaven’ i Ridley Scott. Në edicionin e parë të PriFest fitoi cmimin për aktorin më të mirë.

Juria e programit garues të filmave ballkanik – të quajtur ‘Kinemaja e mjaltit dhe gjakut’ është në përbërje prej: Mark Ravenhill, dramaturg britanik, njëri ndër shkrimtarët më të njohur bashkëkohor europian. Dramat e tija janë të përkthyera dhe të vëna në skenë në krejt botën.

Kirsten Schaffer, drejtoreshë ekzekutive e festivalit OutFest nga Los Angeles të ShBA. Së fundmi ishte anëtare e jurisë Teddy në Berlinale dhe kryetare e Iris Film Prize.

Karin Angela Schyle, nga Gjermania, ish menaxhere e festivalit goEast në Ëiesbaden të Gjermanisë. Tani është udhëheqëse e programit të filmit në fondacionin Robert Bosch Stiftung.

Ndërsa në Jurinë e programit garues të filmave të metrazhit të mesëm, janë: Anis Lassoued, regjisor nga Tunizia, fitues I shumë cmimeve ndërkombëtare dhe themelues dhe drejtor artistic i Maghrebian Film Festival në Nabeul. Anis ishte fitues i Hyjneshës së argjendtë në edicionin e kaluar të PriFest. Olena Yershova, regjisore dhe producente nga Ukraina, filmat e saj janë shfaqur dhe kanë marrë cmime në festivalet si Abu Dhabi, Sofia dhe Vilnus. Participoi në Producers Netëork në Cannes 2009-2012. VladimiR Blazevski, regjisor nga Maqedonia, filmi i tij i fundit ‘Punk’s not dead’ fitoi cmim në festivalin Karlovy Vary dhe më shumë se 10 cmime në festivale tjera ndërkombëtare, përfshi edhe PriFest.

Tradicionalisht, PriFest ka edhe jurinë e Medias, të përbërë nga gazetarë të mediave të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Por, sivjet ajo është ndërkombëtare. Përbërja e jurisë së mediave është: Kushtrim Sadiku, nga Klan Kosova kryetar i jurisë, Oana Stupariu gazetare nga Rumania, redaktorë për politikën e huaj në gazetën ‘Telegraf’ nga Constanta. Mirjana Radovanovic nga Radio Televizioni I Kosovës, Berna Caka nga Radio Urban FM dhe Nora Fejza nga Radio Dukagjini. Çmimin që del nga kjo juri, tashmë 3 vjet e ndan partneri i festivalit Fondacioni Dritan Hoxha dhe vlerëson filmat Ballkanik.

Këtë vit PriFest ka risi edhe sa I përket jurive. Për herë të parë filmat do të vlerësohen edhe nga Juria e pavarur e studentëve e cila do të japë çmim në PriFest, dhe atë në kategorinë e filmave Europian. Në këtë juri janë: Arben Marevci, student i dramaturgjisë në Fakultetin e arteve të UP, More Raça, studente e regjisë së filmit në Fakultetin e Arteve, Donika Cami studente në Universitetin Amerikan të Kosovës, Danela Markaj studente e aktrimit në Fakultetin e Arteve dhe Engjëll Beqiri student në Kolegjin Victory.

Drejtoresha e PriFest, Vjosa Berisha me këtë rast theksoi: ‘Jemi krenar për këtë përbërje të jurive, që përvec që vijnë nga katër anët e botës, janë nga kategoria më e ‘rëndë filmike’ duke bartur në bagazhin e tyre çmimet më të mëdha botërore të filmit. Poashtu, jam e gëzuar që nuk do ta kenë lehtë të përzgjedhin, sepse edhe përbërja e filmave sivjet premton një garë të fortë. Posaçërisht më vjen mirë që edhe studentët kosovarë do ta kenë mundësinë të marrin pjesë në vendimarrje, duke qenë pjesë e jurisë së pavarur të studentëve’.

Edicioni i 6-të i festivalit ndërkombëtar të filmit PriFest mbahet nga 25 prill deri 2 Maj në Prishtinë. /PrizrenPress.com/

Klinaku: Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet aq më mirë

0

AvniKlinaku-lbKryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka thënë se koha më optimale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është fillimi i muajit qershor. Por, sipas tij, sa më shpejt të mbahen këto zgjedhje aq më mirë do të jetë për Republikën e Kosovës.

“Për Lëvizjen për Bashkim koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është fillimi i muajit qershor. Edhe ashtu Kuvendi është bërë pothuajse jofunksional, pasi vetëm për gjëra shumë të përgjithshme deputetët arrijnë, madje edhe të qëndrojnë në sallë, përndryshe kuorumi vazhdimisht mungon dhe sa më shpejt që shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë për Kosovën”, ka thënë Klinaku për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se aktualisht nuk ka ndonjë iniciativë për shpërndarje të Kuvendit dhe, sipas tij, Kuvendi nuk do të shpërndahet para se të themelohet Gjykata Speciale, t’i vazhdohet mandati EULEX-it si dhe të aprovohet Ligji për Zgjedhjet. “Nuk ka iniciativë për votim të shpërndarjes së Kuvendit. Po ashtu, Kuvendi i ka edhe disa punë të cilat duhet të kryhen para se të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje, siç është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, mandati i EULEX-it dhe Gjykata Speciale”, është shprehur Klinaku.

Lideri i Lëvizjes për Bashkim e ka quajtur të dëmshëm për shtetin e Kosovës themelimin e Gjykatës Speciale, me ç’rast ka paralajmëruar se dy deputetët e kësaj lëvizje do të votojnë kundër kësaj gjykate. “Mendojmë se shteti i Kosovës do të dëmtohet me themelimin e një Gjykate Speciale, por edhe me procese të tjera që janë kryer ndaj UÇK-së. Sidomos duke pasur parasysh krimet shumë të renda që janë kryer nga okupuesi serb në Kosovë, të cilat kanë mbetur të patrajtuara fare. Kështu që, edhe në aspektin politik ne jemi kundër krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe në aspektin e mungesës së transparencës. Pra, nuk dihet pse themelohet ajo gjykatë. Prandaj, deputetët e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës nuk do të votojnë për themelimin e kësaj gjykate”, ka deklaruar Klinaku.

Aspirojmë formimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes për Bashkim

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka bërë me dije se kjo lëvizje në zgjedhje parlamentare do të garojë në koalicion me ndonjërën nga tri partitë më të mëdha në vend, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. “Sipas të gjitha gjasave, Lëvizja për Bashkim në zgjedhjet parlamentare do të garojë në koalicion parazgjedhor me ndonjërën prej partive që do ta kalojnë pragun zgjedhor. Nuk kemi shumë të tilla. Partitë që e kalojnë pragun zgjedhor janë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Edhe në qoftë se e kalojnë pragun Lëvizja Vetëvendosje! dhe Nisma për Kosovën janë iniciativa qytetare dhe ligji nuk i lejon koalicionet me to. Prandaj, sigurisht se koalicioni do të jetë me njërën nga tri partitë politike, PDK-në, LDK-në e AAK-në”, ka treguar Klinaku, duke shtuar se koalicioni do të bëhet për shkak të numrave e jo për shkak të ngjashmërisë së platformës politike. “Në program dhe në botëkuptimin politik në përgjithësi pothuajse jemi njëjtë me të tri partitë, sepse faktikisht të tria i përngjajnë njëra-tjetrës. Mirëpo koalicioni, në qoftë se bëhet, do të bëhet vetëm për shkak të numrave dhe për shkak të pragut zgjedhor”, ka thënë Klinaku.

Ai ka thënë se në këtë drejtim deri më tani nuk ka asnjë rezultat, pavarësisht takimeve që janë mbajtur me përfaqësuesit e këtyre partive. “Po, kemi pasur takime me përfaqësuesit e të tri subjekteve, por ende nuk ka rezultate prej këtyre takimeve. Bisedimet janë duke vazhduar. Meqë ende nuk është shpallur dita e zgjedhjeve nuk është duke na u ngutur as neve e as atyre”, ka deklaruar Klinaku, duke hedhur poshtë mundësinë që LB-ja të garojë nën siglën e partisë së koalicionit. “Jo, nuk do të hyjmë në siglën e asnjërës prej partive me të cilën do të bëhet koalicioni, sepse në këtë drejtim jemi shumë të prerë dhe kryesia e partisë ka marrë vendim dhe Lëvizja për Bashkim mund të bëjë vetëm koalicion të rregullt zgjedhor”, ka theksuar ai. Klinaku ka thënë se aspiratë e LB-së në këto zgjedhje është formimi i grupit parlamentar. “Aspiratë në këto zgjedhje kemi formimin e grupit parlamentar të Lëvizjes për Bashkim. Mendoj se është një objektiv i arritshëm”, ka thënë Klinaku.

Gërxhaliu: Besoj se 250 shqiptarë janë varrosur në Rashkë

0

Rashka-gjenocidi serbTë mërkurën pritet të takohen sërish ekspertët mjeko-ligjorë të Prishtinës dhe Beogradit në Rudnicë të Rashkës, për të nisur hapjen e varrezës masive në këtë lokacion. Drejtuesi i ekipit kosovar, Arsim Gërxhaliu, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se i beson informacionit të nxjerrë nga pala serbe, se në këtë varrezë masive mund të gjenden trupat e të paktën 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, që i takojnë rajonit të Drenicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri ku kanë arritur punët në përgatitjen e terrenit në Rudnicë të Rashkës, për të filluar gërmimet?

ARSIM GËRXHALIU
Nga vizita e fundit që e patëm, rrënimi i ndërtesës ishte të them në gjysmë të punës, dhe meqenëse ishte një i ftohtë i madh, për një ditë apo dy është ndërprerë puna. Sot, ne nuk e dimë se deri ku kanë arritur përgatitjet. Por, e kemi thirrjen që me datën 23 prill, në orën 11, të gjithë aktorët që janë të përfshirë në këtë proces, duhet të takohemi në Rudnicë, dhe të shikojmë, nëse është arritur në pikën zero, apo jo.

Të mërkurën ne do ta dimë edhe procesin e mëtutjeshëm dhe do të shohim saktësisht se për sa mund t’i qasemi, apo mund t’u afrohemi mbetjeve mortore. Të mërkurën, do ta dimë saktësisht se në cilin nivel ndodhemi, do të thotë për procesin dhe kur do të fillojë puna për ndërhyrjen antropologjike mjeko-ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetjet mortore të dy prej viktimave të gjetura në Rashkë, është konfirmuar se janë nga fshati Rrezallë e Drenicës. A dihet të paktën, gjeografikisht, se prej nga supozohet se janë viktimat e tjera që dyshohet se janë në këtë varrezë masive?

ARSIM GËRXHALIU
Medoemos gjetja e këtyre dy viktimave, e qartëson atë se edhe të tjerët që mungojnë nga ky rajon, sepse është një numër relativisht i madh, mungon nga ajo pjesë. Logjikisht, nuk e përjashtoj mundësinë që të asaj ane, medoemos duhet të jenë viktimat në Rashkë.

Siç e dini, pala serbe ka publikuar të dhëna se në këtë varrezë mund të jenë së paku 250 viktima, apo më shumë. Mund të jenë edhe nga rajone të tjera, sepse numri nuk është aq i madh i të zhdukurve nga Marina e Rrezallës.

Për sa i përket atij rajoni, edhe kur i kemi njoftuar familjarët [e dy viktimave të identifikuara], na është thënë se kanë të zhdukur edhe më tutje. Pra, besueshmëria është shumë e lartë se të atij rajoni duhet të jenë në këtë grupacion.

RADIO EVROPA E LIRË
E keni fjalën për rajonin e Drenicës?

ARSIM GËRXHALIU
Po për rajonin e Marinës, Rrezallës. Për rajonin e Drenicës.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët edhe ju, se supozimet nga Prokuroria serbe për krime të luftës, janë që mund të ketë deri në 250 trupa në Rashkë. A është për t’u besuar ky informacion?

ARSIM GËRXHALIU
Paraprakisht, këto informata kanë qarkulluar qysh moti. Këto janë përmendur edhe në vitin 2005, 2007. Pastaj edhe nga njësiti për krime lufte i Policisë së Kosovës ka pasur informacione të tilla që kanë qarkulluar si fjalë. Por, neve si ekspertë, para së gjithash, nuk na lejohet nga aspekti etik që të flasim për numra, përveç asaj që ne gjejmë, do të thotë e prekim.

Këto janë informacione të cilat kanë qarkulluar. Mirëpo, meqenëse, edhe vet zoti Odalloviq (Velko Odalloviq), i cili është kryesues i palës serbe në negociata me Kosovën, ka cekur se mund të bëhet fjalë për 250 deri në 350 persona. Duke marrë parasysh, se i takon palës tjetër, për mua është një besueshmëri se mund të jetë edhe ashtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto shifra a korrespondojnë vetëm për këtë vend ku tani po gërmoni, apo përfshihen edhe dy vendet e tjera, ku pritet të fillojnë gërmimi në Rashkë? Ku dyshohet se janë këto 250 viktima?

ARSIM GËRXHALIU
Do të thotë, në atë lokacion dhe ndoshta edhe në afërsi të atyre vendeve, të atyre lokacioneve që kemi thënë më herët, që dyshohet. Nuk e përjashtojë mundësinë, sepse edhe ato lokacione, në bazë të informacione, mund të ketë edhe trupa të tjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimin e fundit të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit për të pagjeturit, është përmend edhe çështja e Borit. Ka lëvizje në këtë drejtim?

ARSIM GËRXHALIU
Kanë qenë disa takime mes komisionit tonë për të pagjeturit, do të thotë kryetarit dhe dëshmitarit që ka qenë edhe në medie. Nuk kam ndonjë informatë, për ndonjë lëvizje të mëtutjeshme për çështje.

Po përderisa ne kemi një numër relativisht të madh të të zhdukurve, ajo mundësi gjithmonë është e hapur. Që do të thotë, se pos “Rashkave” në Serbi, atëherë do të ketë të njëjta në Kosovë. Thjesht ne duhet t’i gjejmë ata.

Mungesë e vullnetit politik për kulturën, si prioritet

0

?Ansambli i valleve Shota Pavarësisht se buxheti për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shënuar rritje mbi 80 për qind në 4 vjetët e fundit, prej rreth 11 milionë eurosh në rreth 20 milionë euro, megjithatë nevojat për investime në fushën e kulturës dhe artit janë shumë më të mëdha se sa buxheti që ndahet për to, vlerësojnë zyrtarët e institucioneve qeveritare përgjegjëse për kulturën, por edhe përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në vend.

Jehona Shyti, këshilltare e lartë politike e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, thotë se tashmë janë përzgjedhur projektet e pavarura që do të mbështeten nga Ministria e Kulturës.

“Në raundin e parë janë ndarë, për subvencionet në kulturën e pavarur, 800 mijë euro. Këtë vit, tashmë e kemi bërë listën dhe janë miratuar projektet që do të mbështeten nga ana e Ministrisë së Kulturës. Janë mbi 300 projekte të organizatave joqeveritare , por edhe të artistëve të pavarur”.

“Konkursi tjetër është prej 700 mijë eurosh dhe është për projektet filmike. Këto janë vetëm për kulturën e pavarur. Ndërkaq, për aktivitetet dhe veprimtaritë e institucioneve të kulturës që janë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, janë komplet mjete të tjera”, thotë Jehona Shyti.

Ajo thekson se edhe rreth 100 mijë euro do të investohen në konkursin për botimin e librit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve kulturore dhe të komunitetit të artistëve në përgjithësi, vlerësojnë se rritja graduale e investimeve në kulturë dhe art ka ndodhur.

Megjithatë, sipas tyre, kjo rritje është e minore në krahasim me kërkesat për investime në aktivitetet kulturore. Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë se rritja graduale e buxhetit i ka ndihmuar aktivitetet e këtij institucioni, por ajo nuk i përmbushë nevojat që aktualisht kanë institucionet kulturore në përgjithësi.

“Unë mendoj se duhet shumë më shumë mjete dhe mbështetje, të mos them mbase edhe dyfishi apo trefishi i asaj që tash është. Mendoj se duhet një strategji më e gjerë kombëtare dhe qeveritare që një herë të kalojë prioriteti edhe në kulturë. Pra, në mënyrë dramatike të ndodhë ndryshimi dhe rritja në të gjitha sferat që e mbulojnë kulturën”, konsideron Jashari.

Dramaturgu Arian Krasniqi, vlerëson se në 15 vjetët e fundit, asnjë qeveri në Kosovë nuk e ka trajtuar kulturën si prioritet. Sipas tij, ndarja e rreth 20 milionë eurove si buxhet për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga buxheti i përgjithshëm i Kosovës prej 1. 4 miliard euro, është vetëm një shumë simbolike që nuk mundëson zhvillim të mirëfilltë të jetës kulturore.

“Buxhetet që janë ndarë për kulturën, përkatësisht për Ministrinë e Kulturës, kanë qenë buxhete të vogla, simbolike dhe që nuk kanë garantuar një zhvillim më të hovshëm të jetës kulturore në vendin tonë, si dhe nuk kanë garantuar një funksionalitet më të madh produktiv të institucioneve kulturore”.

“Rritja që ka ndodhur në këto vite, është krejtësisht simbolike dhe nuk është as afërsisht atyre pritjeve që ka komuniteti i artistëve, por edhe pritjeve që kanë vetë institucionet kulturore, në mënyrë që t’i realizojnë programet e veta vjetore”, vlerëson Krasniqi.

Se buxheti për kulturën është i pamjaftueshëm përballë kërkesave dhe nevojave në këtë fushë, pajtohet edhe Jehona Shyti.

“Nuk mendojmë që janë të mjaftueshme, mirëpo janë shumë më shumë se sa ato që kemi pasur në vitin 2011, kur kemi ardhur ne. Edhe pajtohemi që ka nevojë ende për buxhet. Por, po shpresojmë që trendi i rritjes do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, pohon Shtyi.

Ndryshe, dramaturgu Krasniqi, vlerëson se nevojitet vullneti politik për investime më të mëdha në kulturë. Deri më tash, sipas tij, investimet për kulturën janë varur nga, siç thotë ai, mentaliteti i atyre që bëjnë politikën, të cilët, siç vlerëson ai, nuk e shohin fushën e kulturës si prioritet me interes.

“Unë mendoj që, realisht, perceptimi i komunitetit të artistëve në sytë e politikës është se jemi komunitet i vogël dhe nuk çojmë peshë në vota. Kështu ka qenë, së paku në këto 15 vjet dhe kështu vazhdon të jetë edhe sot”, thekson Krasniqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Jashari.

“Kjo mund të jetë edhe pasojë e mentalitetit. Por, unë mendoj që, thjesht, mungon ndoshta vullneti politik për t’iu qasur edhe kësaj fushe në mënyrë serioze dhe të vendoset çështja e financimit në binarë të duhur”, përfundon Jashari. /REL/

500 mijë euro për ndërtimin e një biblioteke në Prizren

0

LidhjaPrizrenit5-29Prizreni së shpejti duket se do të nisë njërin nga projektet më të rëndësishëm në fushën e kulturës dhe arsimit, ndërtimin e një biblioteke moderne, që parashihet t’i plotësojë nevojat e qendrës së dytë më të madhe në vend, pas Prishtinës, që pos kolegjeve private, prej katër vitesh ka edhe Universitetin Publik.

Nëse gjërat shkojnë, sipas deklarimit të zyrtarëve prizrenas, atëherë studentët e kësaj ane, nga fundi i vitit nuk do të kenë nevojë të zgjohen në mëngjes, sidomos në prag të afatit të provimeve që ta zënë ndonjë vend, në sallën e tepër të ngushtë të Bibliotekës aktuale, që funksionon në katin e dytë të shtëpisë së kulturës në Prizren.

Urim Ukimeri, koordinator në sektorin e kulturës në kuadër të komunës së Prizrenit, tha për “Zërin” se përcaktuesi përmes tenderimit i kompanisë që ka marrë përsipër realizimin e projektit të bibliotekës komunale, do t’i hapë rrugë konkretizimit sa më të shpejtë të projektit, që do të shtrihet në një hapësirë prej 27 ari, diku në mes të qytetit, në lagjen “Tabahane”, gjegjësisht në hapësirën e ish-spitalit të vjetër të mushkërive.

Ai tha se objekti i ri i bibliotekës do të jetë modern, ndërsa gjatë hartimit të projektit janë marrë parasysh nevojat e qytetit për një projekt të tillë, përfshirë edhe numrin e banorëve dhe të studentëve aktual.

“Tenderi është shpallur nga Komuna dhe tashmë është nënshkruar kontrata me punë kryerësin. Punimet për konkretizimin e objektit që ka etazhitet P+1 dhe kap vlerën rreth 500 mijë euro, pritet të nisin pasi të kryhen procedurat përkatëse të shërbimeve komunale”, tha Ukimeri.

Ndonëse nuk është edhe shumë afër Universitetit të Publik të Prizrenit, biblioteka e re nuk është aq larg. Në fakt objekti është më afër gjimnazit gjuhësor, atij shkencor dhe Shkollës së Mesme Teknike, si dhe dy shkollave fillore.

Rock ‘n’ roll-i dhe Lufta e Ftohtë

0

84660Një ligjvënës që mbështet Kremlinin ka shkaktuar cunami të përçmimeve këtë javë në Rusi, duke pretenduar se himnet e yllit sovjetik të rokut, Viktor Tsoi, në kohën e Perestroikas, janë komponuar nga operativë të CIA-s, në përpjekje për të destabilizuar regjimin sovjetik.

Miq, të njohur dhe adhurues të muzikantit të ndjerë i kanë cilësuar këto pretendime si qesharake. Por, sipas dokumentarit “Të lirë për rock”, i cili shpjegon ndikimin e muzikës rock në shoqërinë sovjetike, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e vetëdijshme për fuqinë që ka pasur rock ‘n’ roll-i për të irrituar rivalin e Luftës së Ftohtë.

Shtëpia e Bardhë, në fakt, ka luajtur rol në këtë strategji, kur administrata e presidentit amerikan, Jimmy Carter, ka ndihmuar në dërgimin e grupit “Nitty Gritty Dirt Band” në Bashkimin Sovjetik, më 1977, në turneun e parë të një rock-bendi amerikan në tokën sovjetike, thotë Jim Brown, producent i dokumentarit në Nju Jork.

“Carter ka qenë më i përfshirë seç mendonim. Ai ka besuar se rock ‘n’ roll-i mund të minojë sistemin”, thotë Brown. Carter është njëri nga ish-zyrtarët dhe muzikantët e njohur, nga të dyja anët e Perdes së Hekurt, që janë intervistuar për filmin. Ata përfshijnë edhe ish-udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev, reformat e të cilit kanë bërë që skena e rock-ut të shpërthejë në fund të viteve 1980.

“Ai ka qenë adhurues i Elvis Presleyt… ai ka pëlqyer rock ‘n’ roll-in”, thotë Brown duke folur për Gorbachevin. Kultura e rock-ut është filtruar në Bashkimin Sovjetik për dekada, deri me ardhjen në pushtet të Gorbachevit më 1985. Por, djepi i kësaj kulture është lëkundur në Riga, kryeqytetin e Letonisë së kontrolluar nga sovjetikët. Një djalë 13-vjeç, i quajtur Valery Saifudinov, dhe bendi i tij me emrin “Hakmarrësit” kanë dalë në skenë para 700 punonjësve të fabrikës për festën e Vitit të Ri më 1962 dhe kanë elektrizuar turmën me këngët e Ray Charlesyt dhe Chuck Berryt.

Udhëheqësi i fabrikës ka qenë më së paku i entuziazmuar. “Drejtori i fabrikës donte të ndalonte rrymën. Ka qenë i zemëruar, ka kërcyer në skenë dhe ka bërtitur. Punëtorët nuk kishin dëgjuar diçka të tillë kurrë më parë. Ata e pëlqenin dhe festa ka vazhduar”, thotë Saifudinov për Radion Evropa e Lirë.

Saifudinov ka vazhduar të tundë skenën e Rigës me një tjetër bend, por ka arritur të emigrojë në fillim të viteve 1970, pas maltretimeve që i bënin autoritetet sovjetike. Ai është vendosur në Kaliforni dhe udhëheq studio të regjistrimit qysh në vitet 1980. Rreth një dekadë më parë, Saifudinov ka nisur të vrasë mendjen për një dokumentar për rock ‘n’ roll-in dhe ndikimin e tij në të dhe në bashkatdhetarët e tij të mëparshëm sovjetikë.

“Ideja ime fillestare ka qenë një lloj dokumentari për t’iu treguar amerikanëve që kanë harruar se çfarë ndikimi të jashtëzakonshëm ka pasur rock-u në botë”, thotë Saifudinov. Ai është bashkuar me një këngëtar tekstshkrues, të quajtur Nick Binkley, dhe ka nisur të punojë në këtë ide shtatë vjet më parë. Atyre më pas u është bashkuar edhe regjisori Brown, fitues i Çmimit Emmy. Në vitin 2011, projekti ka siguruar 550,000 dollarë nga agjencia amerikane Ndihmat Kombëtare për Njerëzit.

Një nga vështirësitë që ka hasur Brown ka qenë gjurmimi i video-pamjeve nga vitet e rock-ut nëntokësor në Bashkimin Sovjetik. Yjet e skenës kanë qenë kryesisht të panjohura, së paku zyrtarisht. Disa pamje të rralla, megjithatë, janë mbledhur nga Joanna Stingray, një muzikante dhe producente amerikane, e cila ka udhëtuar në Bashkimin Sovjetik më 1984 dhe është strehuar në botën e rock-muzikantëve më të njohur të Leningradit.

Intrigat e KGB-së, Komitetit të Sigurimit Shtetëror, kundër rock-muzikës, kanë qenë të pafuqishme pasi Gorbachevi ka miratuar një ligj në vitin 1988, i cili u ka lejuar muzikantëve të bëjnë ligjërisht para nga arti i tyre.

Selimi: Ta votojmë Gjykatën, mos t’bëhemi makusha!

0

Petrit SelimiZëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se imazhi i Kosovës nuk dëmtohet nga Gjykata Speciale, por nëse injorohen këshillat e miqve të jashtëm.

“Imazhi i Kosovës do të dëmtohet nëse bëhemi makusha dhe fusim kokën në rërë duke injoruar këshillat e atyre që bombarduan për 3 muaj rresht Serbinë dhe ndihmuan themelimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai

Zv/ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, e sheh të udhës që deputetët e Kuvendit të Kosovës të vendosin pro krijimit të Gjykatës Speciale për trajtimin e krimeve të supozuara nga UÇK-ja. Në një intervistë për Tribunën, ai ka thënë se duhet këmbëngulur që kjo Gjykatë të krijohet nën kornizën ligjore kosovare dhe njëkohësisht të punohet që ky kapitull të përmbyllet një herë e përgjithmonë.

Selimi ka përkujtuar se Serbia i ka dërguar 10 kërkesa zyrtare që OKB-ja t’i gjykojë kosovarët, mirëpo faktori politik vendës ka arritur që Gjykata Speciale të ketë vendin e saj në kuadër të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi me BE-në, EULEX-in dhe SHBA-të, sipas tij, është shtyllë e orientimit euro-atlantik. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, efekti negativ i refuzimit të Kuvendit do të jetë shumë më drastik se vetë themelimi i Gjykatës. (Tribuna)