17 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8596

Ramadani: Pasurimi i shpejtë, inspirim për t’iu bashkuar Klubit Thaçi

0

Burim Ramadani AAKSekretari i Përgjithshëm i AAK-së, njëherësh edhe deputet i kësaj partie, Burim Ramadani, duke i komentuar aderimet e fundit të pjesëtarëve të shoqërisë civile, në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, ka thënë se ata janë inspiruar nga dëshira për tu pasuruar shpejt.

“Për vite me radhë korrupsioni dhe krimi u rrit. Tenderomania po vazhdon ta shkatërrojë Kosovën, nepotizmi dhe militantizmi partiak e shkatërruan administratën e shtetit. Populli u varfërua e pushtetarët u pasuruan. U bën milionerë”, ka shkruar Ramadani në një postim të tij në Facebook.

“Duket se pikërisht pasurimi i shpejtë ka insipiruar disa të shoqërisë civile që të bashkohen në Klubin e Thaçit. Përndryshe, logjika e shëndoshë do të nënkuptonte që të gjithë të bashkohemi për ta rrëzuar Thaçin nga pushteti, të cilin e abuzon skajshëm”, ka shkruar Ramadani.

Një teatër në Uashington feston përvjetorin e Shekspirit

0

Uilliam ShekspirMë 23 prill shënohet përvjetori i 450-të i lindjes së dramaturgut të famshëm Uilliam Shekspir. Një kompani teatrale e zonës së Uashingtonit kohët e fundit shënoi ditëlindjen e Shekspirit me një ri-interpretim të versionit origjinal pa fjalë të Hamletit nga seritë e tyre “Shekspiri i Heshtur.” Çifti Paata dhe Irina Tsikurishvili nisën karrierën e tyre si kompani e pavarur me versionin e pafjalë të Hamletit, për të cilin fituan disa çmime lokale.

Kompania teatrale “Synetic Theater Company”, me qendër në periferi të Uashingtonit, është duke festuar ditëlindjen e 450-të të Shekspirit me një ri-interpretim të Hamletit, transmeton VOA.

Versioni i pafjalë i dramës klasike është shfaqja e një çifti emigrantësh nga Gjeorgjia – dirigjentit Paata Tsikurishvili dhe koreografes Irina Tsikurishvili – e para shfaqje e tyre kur themeluan kompaninë rreth 12 vjet më parë. Çifti interpretoi si Hamleti dhe Ofelia në atë dramatizim të parë. Zoti Paata Tsikurishvili thotë se ashtu filluan seritë e vlerësuara nga kritikët “Shekspiri i Heshtur”.

“Hamleti hapi dyert për ne në një komunitet teatri dhe na solli shumë çmime dhe vlerësime. Ai ishte fillimi i Teatrit ‘Synetic’ që përhapi fjalën rreth një kompanie teatrore e cila interpretonte Shekspirin pa fjalë – një gjë e pazakontë dhe në të njëjtën kohë e kuptueshme”.

Kompania përdor muzikë, kërcim dhe gjeste për të treguar historinë.
Kësaj radhe, Irina doli në skenë si Gertruda, mamaja e Hamletit. Ajo thotë se gjuha shekspiriane është universale – dhe lë hapësirë për shumë krijimtari.

“E kemi interpretuar Shekspirin në mënyra të ndryshme, si Shekspiri i viteve 1920 në Natën e Dymbëdhjetë; Shekspirin në rërë me Mbretin Lir, dhe Furtunën në ujë”.

Për aktorin veteran të teatrit Synetic, portretizimi i Hamletit ishte një eksperiencë sfiduese – dhe një përgjegjësi e madhe.

“Fakti që Paata ma besoi mua rolin, një rol që e ka pasur vetë, është sikur po më pason stafetën dhe më ka besuar mua për të”.

Roli i Ofelisë ishte një ëndërr e fëmijërisë për 20 vjeçaren Irina Kavsadze, e cila vjen nga një dinasti aktorësh të famshëm.

“Për herë të parë unë e kam interpretuar Shekspirin në variantin pa fjalë. Para se të filloja ta lexoja vetë ose në shkollë, pashë Hamletin për herë të parë kur isha nëntë vjeç, kur nuk kisha lexuar më parë ndonjë vepër të tij”.

Deri tani, kompania teatrale Synetic ka fituar 24 çmime Helen Hayes – çmime prestigjoze të zonës së Uashingtonit – dhe 92 kandidime për to. Zoti Victor Shargai, i cili kryeson dhënien e çmimeve, ka qenë dëshmitar i suksesit të grupit që nga fillimi.

“Ajo që ata kanë bërë për teatrin në Uashington është me të vërtetë shumë, shumë e rëndësishme. Për teatrin kombëtar, për të gjithë vendin”.

Dhe në janar të këtij viti, Paata dhe Irina Tsikurishvili u nderuan si “Uashingtonasit e Vitit” nga revista Washingtonian për kontributin e tyre në komunitetin lokal të teatrit.

Nderroi jetë novelisti e akademiku i njohur kanadez, Alistair Macleod

0

AlistairMacleod-novelistAlistair Macleod (July 20, 1936 – April 20, 2014), novelist e akademik i njohur, njeri prej autorëve më të mëdhenj të tregimit të shkurtër në Kanada, ka ndërruar jetë. Autori është i njohur nga lexuesi shqiptar përmes libirt “No Great Mischief”, botuar nga Shtëpia Botuese “Albin” me titullin redaksional “Stinë e Mallit”, 2003, përkthyer nga Faruk Myrtaj.

Donna Morrisey, prozatore e veçantë në këtë gjeografi të larmishme letrare, shprehet “Mik i mrekullueshëm, mentor dhe hero. Një fuqi që ne…e shikonim në sy…”

U lind në North Battleford, Saskatchewan, në një familje që u zhvendos në Inverness County, Nova Scotia, Canada. kur ai ishte 10 vjeç

Botoi dy libra me tregime të shkurtra, The Lost Salt Gift of Blood (1976) dhe “As Birds Bring Forth the Sun and Other Stories” (1986).

MacLeod shkroi novelën “No Great Mischief” (1999), që u shpërblye me çmimin “The International IMPAC Literary” Dublin, me çmimin “The Trillium Book” Ontario, dhe çmimin “Lannan Literary” në Amerikë.

Në vitin 1999 novela “No Great Mischief” u shpallë “Libri më i mirë i të gjithë kohëve” të Kanadasë Atlantike.

Tërë tregimet e Alistair MacLeod, janë përmbledhur në “Ishulli”, 2000, një himn i madh për jetën njerëzore…

Të shkruarat e tij prekin tema të emigracionit ekonomik, relacione familjare, shqetësime dhe karaktere njerëzore përgjatë sfidash kulturore.

MacLeod s’rrinte dot pa u kthyer në Inverness County gjatë stinës së verës. E kish zakon të shkruante në një cottage të thjesht, me pamje për nga perëndimi, nga ku dukej muza e tij, ishulli Prince Edward.

MacLeod ishte mësimdhënës në Universitetin e Windsor.

In 2008, Alistair MacLeod u nderua me “Officer of the Order of Canada”, si përkushtim për letërsinë kanadeze dhe për influencën e tij në autorët kanadezë.

“Ishte pikërisht kjo prezencë stoike, gjithnjë me atë kapelën e shprehjen trishtake…” thotë Morrissey.

Alistair MacLeod, I vendosi subjektet e novelës dhe të shumicës së tregimeve të tij, pikërisht në Cape Breton, Nova Scotia, ku ai u rrit.

Azzam Dida jepë dorëheqje nga Partia e Drejtësisë

0

azzam didaAzzam Dida ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së PD-së në Prizren. Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se Dida ka dhënë dorëheqje për shkak disa mospajtimeve që ka pasur me kryetarin e PD-së, Ferid Aganin.

“Azzami ka paralajmëruar dorëheqjen para një muaj, por në mbledhjen e fundit e ka dorëzuar edhe zyrtarisht”, tregon për “PrizrenPress” një burim brenda PD-së.

Edhe përkundër përpjekjeve, “PrizrenPress” nuk ka arritur të kontaktojë me Didën. /PrizrenPress.com/

Kolumbia nderon Markezin, ceremoni përkujtimore në ndër të shkrimtarit

0

Gabriel Garsia MarkezNesër, në nder dhe kujtim të shkrimtarit me famë botërore, Gabriel Garsia Markezin, Kolumbia do të zhvillojë një ceremoni të posaçme përkujtimore në katedralen e Bogotas. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm dhe presidenti i vendit Huan Manuel Santos, por nuk është ende e qartë nëse do të marrë pjesë familja e shkrimtarit.

Gjithçka do të shfaqet në televizionin kombëtare. Në ditët e ardhshme, në libraritë dhe parqet e Kolumbise do të zhvillohen “lexime publike” të librave të tij. Një varrim simbolik do të zhvillohet në qytetin e lindjes Arakataka, ne veri te Kolumbise. ishte pikerisht ketu ku ai u frymezua për të krijuar-më pas- Makondon, e rrefyer mjeshterisht në “100 vjet Vetmi”.

Trupi i Markes, përfaqesuesit te realizmit magjik u dogj në një ceremoni private në Meksikë. Ambasadori i Kolumbisë në Meksikë, Hose Gabriel Ortis tha se “familja e Markesit nuk ka vendosur ende nëse hiri i tij do të të ndahet mes vendlindjes dhe vendit adoptiv”.Të afërmit e tij kanë konfimuar se do të qëndrojnë në Meksiko Siti te henen.

Në Palasio de Bejas Artes ku zhvillohet ceremonia përkujtimore. Aty do te marrin pjese dy president; ai i Meksikes Enrike Penja Nieto dhe i Kolumbisë Huan Manuel Santos.Prej kohës Gabriel Garsia Markes ka qenë i sëmure dhe te pakta ishin daljet e tij publike. Javën e kaluar doli nga spitali pas një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes dhe ato urinare. Por mjeket thane se shëndeti i tij ishte i dobët.

Te enjten shkrimtari 87-vjeçar ndërroi jete ne Meksike, ku jetoi më shumë se 30 vjet. Ai braktisi Kolumbinë kur mësoi se ushtria do ta merrte në pyetje për lidhjet që ai pati me guerrilasit e majtë. U zhvendos në Meksikë me familjen dhe zgjodhi -siç duket- të mbyllë sytë atje.

Koçi Petriti, mjeshtri i veçantë i lirikës

0

Koçi PetritiKoçi Petriti, mjeshtri i veçantë i lirikësTë shkruaj dy fjalë me stil epigramatik in memoriam për poetin Koçi Petriti që sapo mbylli sytë përgjithmonë (sytë e poezisë së tij nuk mbyllen kurrë), për mua mikun e tij të vjetër është gati një sfilitje, -trishtimi është mjaft i dendësuar dhe i rëndë- ndonëse çdo vdekje fizike është absolutisht e pashmangshme.

Edhe fjalët kanë spektaklet e tyre, por vdekja e një poeti nuk ka nevojë fare për asgjë të tillë. Poetët e vërtetë kanë vdekje konvencionale, pa dyshim.

Ekuacioni i lashtë –gati proverbial “se poeti vdes, por jo poezia” nuk është ngushëllues për njeriun konkret, por i vetëmjaftueshëm dhe fisnikërues për poezinë. Në ditët e sotme të demonizuara nga politika, poezia ngjan si e harruar.
Kjo situatë kontradiktore megjithatë flet për semantikën e ndërlikuar të kësaj të vërtete, shpesh këlthitëse, plot shqetësim, trysni, mediokritet masiv, mpirje të shijes poetike.

Ezra Pound ka thënë se “kur poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet”. Këtë gjë duhet ta kuptojmë edhe ne shqiptarët se poezia mund të jetë ekuivalente e kombit, ndonjëherë më shumë sesa politika dhe ekonomia, se ajo që mbetet nga një histori kombëtare nuk janë aq kronologjitë e historisë politike, por strukturat kulturore që në shumicën e rasteve duken si të papërfillshme.

Koçi Petriti është një mjeshtër i veçantë i lirikës shqiptare- kjo jo vetëm që nuk është pak, por përkundrazi iluminon fjalën shqipe dhe krijimi poetik e kapërcen autorin-vdekja është një ndalesë, por poezia një lëvizje që nuk ndal.

52 vjet më parë, Koçi Petriti botoi librin e tij të parë poetik “Lirikat e majit” -një libër i çuditshëm, ftillëzues, -larg strukturave estradeske dhe miteve zyrtare politike. Tërë krijimtaria e tij e mëpasshme është arketipuar ndjesësisht nga ky libër. Pse? Koçi Petriti vendosi të jetë përfundimisht një poet lirik, pra vetvetja. Ai u shqua si një lirik i hollë dhe i denjë dhe emri i tij u afrohet emrave të De Radës, Serembes, Naim Frashërit dhe Lasgush Poradecit, jo në mënyrë të bujshme dhe pretenduese, por me një modesti vërtet lirike si pakkush.

I lidhur me traditën poetike Koçi Petriti modelon risitë e tij në heshtje, por me vetëdije të qartë. Ai e di se lirika është “poezia e poezisë”, një distilim, një akuarel që mund të mbijetojë sa edhe skalitjet e mermerit. Lirika e tij projekton peizazhin shqiptar duke e kipcuar me shpirtin, -i hap kufijtë nuk i mbyll,- buron nga ekzistenca pa qenë afishja, posteri i ekzistencës. Poeti amerikan Eduin Muir ka shkruar se “mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë patjetër të cekëta, ashtu si ato të pazakontat e të mprehtat nuk janë patjetër të thella”.

Kjo kuptimshmëri e shumëfishtë e bën lirikën e Koçi Petritit diçka që ripërtërihet- urën e fjalëve të gjalla, sepse përpara tij humnerat janë vetëm pakuptimshmëri e hirtë dhe e hiçtë.

Ai është poet i natyrës, përherë i mahnitur “nga rënkimi mistik i kaut”, mjedis zanafillon poezi të përjetshme me një kureshtje grishëse të parrëfyer. Ai e përsosi poezinë me një muzikalitet të rrallë -duke u dalluar nga poetët e tjerë bashkëkohorë në këtë hulli. Metaforika e tij është e guximshme dhe moderne- figurat janë të befta dhe ndonjëherë sureale -moderniteti i poezisë së Koçi Petritit është diçka e fshehur në brendësi- ai nuk është poet i sipërfaqeve. Gjatë gjysmëshekulli krijimtari, edhe ai si poet e pati një mekanizëm modifikues, siç e ka quajtur vetë në një rrëfim publik, por jo një përshtatshmëri klienteliste si shumë poetë të socrealizmit. Ai qe njeri i thjeshtë, fjalëpakët, kishte një kujtesë të çuditshme -mbante mend qindra e qindra vargje- sidomos vargjet e Mjedës -pëlqente ta citonte shpesh.

Tërë vitet e fundit larg vëmendjes së mediave ai qe përherë një hulumtues i vëmendshëm i së bukurës dhe poetikës, pra një murg i urdhrit të stërlashtë të poeteve të ngjashëm. Poezia nuk është thjesht gjëegjëzë e estetikës, ajo nuk është diçka kalimtare, por kuintesenciale. Poezia nuk është apendiks, apo tepri e kulturës së përgjithshme, por një stimulim enigmatik i kësaj kulture. Në lirikën e Koçit është trishtimi i ekzistencës, por edhe besimi utopik për të bukurën dhe njerëzoren- humaniteti nuk shpërbëhet, as pluhurizohet. Lirika e tij restauron kujtesën e zanafillave, përbën një ekologji shpirtërore të natyrshme, kundër çdo deformimi dhe margjinalizmi banal të jetës -i bën më të ndjeshme shqisat tona për të ndjerë, parë dhe kuptuar botën dhe gjithçka, të ardhmen pa apokalis. Ky poet ka ringjallur strukturat baladike si asnjë tjetër në poezinë tonë të re. Këto balada ku epizmi e përshndrit dhe e bën më inkandeshente lirikën janë kodet e stërmotshme të shqiptarëve që poeti i përfaqëson dhe i rikoncepton me nderim, përkushtim të pafund. Poezia e tij ka disa herë dhe nivele më të epërme epike -sidomos kur flet për të ardhmen dhe fatin e Shqipërisë së sfilitur në shekuj -kështu ai pozicionohet midis Lasgushit dhe Nolit. Jeta e tij është ajo e një krijuesi të mirëfilltë. Puna e tij si kritik letrar është në harmoni me veprën letrare- horizonti i tij kulturor ka koordinata mendore dhe instrumentet konceptuale për të bërë analizat dhe sintezat mbi letërsinë shqipe. Ai u doktorua mbi veprën e Martin Camajt, qe ca kohë edhe dekan në USHT.

Para ca ditësh isha së bashku me poetin Anton Papleka për ta parë në shtëpinë e tij për herën e fundit, i sëmurë rëndë, i shtrirë në shtrat, pranë së shoqes dhe dy djemve, na pa dhe na njohu, por e kishte të pamundur të fliste, sytë e tij u njomën nga lotët -aty ishin tashmë lirikat, bisedat, takimet tona, diskutimet, shakatë, nderimi reciprok, besimi kultik mbi poezinë, gjithçka e shkruar apo e pashkruar më. Sepse vdekja është diçka e tretë, midis realitetit dhe imagjinatës. Koçi Petriti e ka vendin e tij të sigurt në panteonin e lirikës shqipe -ai nuk e kërkoi lavdinë- por vargjet e tij e kanë amshimin brenda, – vdekja e tij na bën edhe ne të tjerëve të vdesim prej kësaj vdekjeje, ashtu si poezia e tij na këndell dhe na e shton jetën -që nuk është njësoj me thjesht ekzistencën. Amen!/MOIKOM ZEQO/

paMUR është një tejkalim

0

Libri5-25PaMUR është një nismë e re artistike në formë qendre, që synon të nxisë dhe të mbështesë krijimtarinë artistike në fushën e arteve pamore, duke pasur si qëllim një bashkëpunim të gjerë dhe sa më cilësor me të gjithë ata njerëz të artit (artistë, studiues, kuratorë, menaxherë etj.), që janë të interesuar për një klimë sa më produktive artistike, pa ato klishe, konvencione apo stereotipa që më shumë se çdo gjë tjetër shkaktojnë ndasi dhe ngërçe, të cilat përkthehen si mure penguese dhe ndarëse; prandaj dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore që edhe nisma jonë e mori emrin paMUR.

Ka kohë që në skenën e artit pamor në kryeqytet e më gjerë, ka një ndarje si me thikë të zonave të influencës, ku secili grupim mjaftohet e gëzohet me atë që bën, pa pasur pothuajse asnjë interes të mirëqenë për ta njohur tjetrin nga afër e për t’u shkëmbyer metë. Është një klimë e atillë saqë të bëhet të besosh se secili e ka ndarë mendjen një herë e mirë se ç’është arti e çfarë duhet bërë dhe për pasojë nuk ka kohë për të humbur me tjetrin!

PaMUR (1)Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë jemi të bindur tanimë, sikurse dëshmon edhe historia e artit botëror, se vlerën apo mungesën e saj te një vepër e përcakton koha më drejtë e më mirë se kushdo; kështu që, ajo që na mbetet ne është të bëjmë shkaqet për të arritur më të mirën e mundshme. Por, në këtë drejtim, mendojmë se pengesa më e madhe janë pikërisht muret për të cilat po bëjmë fjalë, ku më konkretisht akoma dhe në veçanti është fjala për muret në mënyrën e të menduarit, që më pas bëhen edhe mure konkrete, gjeofizike.

Merret me mend se çdonjëri nga ne ka një koncept apo një botëkuptim të caktuar se si mund të jetë një vepër arti, gjë që edhe sikur të duam ne të mos e kemi, nuk e shmangim dot, dhe deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Problemi shfaqet atëherë kur dikush shkon me mendimin se vepra e artit duhet të jetë medoemos kështu apo ashtu, ndërkohë që de facto ka me qindra e me mijëra “kështu” e “ashtu”, që po t’u bëjmë vendin e duhur përmes një bashkërendimi të hapur shndërrohen në mirëqenie kulturore, qoftë për ne, qoftë për publikun e gjerë. Le të kujtojmë këtu atë që thotë Kandinski, por edhe shumë të tjerë, se “në art nuk mund të ketë një ‘duhet’”, kjo sepse sa herë është ngritur një “duhet” arti është bërë skematik, i parashikueshëm dhe i “dobishëm”; domethënë, është çmagjepsur dhe ka përfunduar pjesë e së ashtuquajturës kulturë masive. Edhe në këtë drejtim historia e artit na thotë shumëçka.

Duhet theksuar se ne nuk jemi për të ndërtuar një sistem të ngurtë që i mbivendoset krijimtarisë artistike, duke dalë pastaj në përkufizime dhe në ndarje të paevitueshme të gjërave me thikë, gjë që është në natyrën e çdo sistemi, de jure e de facto. Vetë arti si i tillë është një “sistem”, që nuk i duron dot sistemet; ose më shkoqur është një modus vivendi, kurse ne jemi ata që duam të banojmë brenda tij dhe sipas tij, – ashtu si ai është, i papërcaktuar – si në një shtëpi brenda të cilës nuk mund të ngresh shtëpi. Të gjithë jemi të barabartë brenda kësaj shtëpie. Se cili do të jetë më i barabartë, këtë nuk mund ta mësojmë tani – kjo i mbetet kohës. Për ta përmbledhur në një fjali: le ta lëmë rrjedhën të rrjedhë, e të mos ndërhyjmë duke e devijuar, se ajo e di vetë rrugën e saj; ne na mbetet të kujdesemi që ajo të mos cenohet. Një fokus më vete i nismës paMUR është edhe njohja dhe afrimi i artistëve të rinj që japin shenja të një autenticiteti që premton në të ardhmen dhe ajo që kanë më shumë nevojë këta të rinj nuk është mbështetja financiare, por mbi të gjitha klima e hapur dhe afruese artistike që mungon.

Gjithashtu, një tjetër fokus i yni është edhe orvatja për të ngritur një diskurs të mirëfilltë për artet pamore, që ndërlidhet dhe përfshin edhe filozofinë, letërsinë, çështje të ndryshme të shkencës sot, raporti i krijimtarisë artistike me teknologjinë, ekonominë, politikën etj. Ky diskurs mund të marrë trajtë në konferenca me të ftuar të caktuar, në biseda të hapura (ku një grup të ftuarish trajtojnë një temë të shpallur paraprakisht), pas ngjarjeve të ndryshme artistike me rëndësi brenda ose jashtë kufijve shtetërorë etj. Në këtë kuadër, një tjetër angazhim i paMUR-it do të jetë edhe fusha e botimeve në lidhje me artin, ku kemi parashikuar katalogë, libra studimorë (autorialë ose në grup), antologji me autorë të ndryshëm për zhvillimet e artit sot, përkthime të caktuara që do të shihen të përshtatshme për kontekstin tonë etj.

Duke pasur parasysh sa më sipër, jo rastësisht aktiviteti i parë i paMUR-it është konceptuar me një natyrë përfshirëse, ku si hap i parë, në formën e një konkursi, janë ftuar të gjitha galeritë/entet kryesore që ushtrojnë veprimtari të ndryshme artistike në artet pamore, të cilat marrin pjesë duke u përfaqësuar me një artist dhe një kurator. Vlen të theksohet se pjesa më e madhe e këtyre artistëve janë të rinj, që sapo kanë nisur të ravijëzojnë profilin e tyre.

Gjithnjë në kuadër të asaj çfarë thamë për nismën paMUR, në këtë aktivitet të parë, pesëditor, ku do të jepet edhe çmimi “Danish Jukniu”, të gjitha galeritë do të kenë mundësinë të prezantojnë për publikun jo vetëm artistin me të cilin marrin pjesë në konkurs, por edhe vetë profilin e tyre.

Po ashtu, aktiviteti do të pasqyrohet në një katalog, i cili do të përfshijë veprën e çdo artisti, një biografi të shkurtër të tij, tekstin kuratorial dhe një profil të galerisë. Ne na mbetet të bëjmë përpjekjen, ndërsa rezultatet i takojnë kohës.

Nisma paMUR është fryt i bashkëpunimit ndërmjet Vladimir Myrtezait (drejtues projekti), Edison Çerajt, Ilir Kasos, Altin Likës dhe Florian Haxhihysenit, si dhe Alketa Kurrizos, si koordinatore në këtë hap të parë tonin.Edison Çeraj

U hetuan 328 policë

0

policia e kosovessInspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 328 punonjës të Policisë së Kosovës, për shkelje të ndryshme, gjatë detyrës.Në raportin vjetor të IPK-së, që do të paraqitet të martën para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, thuhet se nga shqyrtimi i ankesave që kanë pasur, hetimi ka rezultuar me 16 të arrestuar nga IPK-ja, 46 rekomandime për Drejtorin e PK-së për suspendim.

Në raportin që e ka KosovaPress, thuhet se gjatë periudhës së raportimit Policia e Kosovës ka pasur 8458 punonjës, ndërsa në total 328 punonjës kanë qenë subjekt i hetimit të inspektoratit.

“Të paraqitur në formë përqindje kjo i bie që 4 % i tërë punonjësve të PK-së ishin nën hetim. Në vitin 2013 janë 33 punonjës të PK-së më pak të hetuar se sa në vitin 2012”, thuhet në raport.

Ndërsa, masat dhe rekomandimet e dhëna nga IPK-ja gjatë vitit 2013 të cilat kanë ardhur si kërkesa dhe nevoja gjatë zhvillimit të hetimeve kanë da lë këto të dhëna.

“16 arrestime nga ana e IPK-së, 46 rekomandime për suspendime nga Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe 2 rekomandime për transfer nga Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thuhet me tej në raport.

Në raport më tutje thuhet se për periudhën janar-dhjetor 2013, përmes 1064 ankuesve IPK-ja ka pranuar gjithsej 1050 ankesa lidhur me supozimet për shkelje disiplinore/penale të zyrtarëve policorë. Sipas raportit, këto ankesa kanë shkuar nga qytetarët nga të gjitha komunitetet etnike dhe gjinore në forma të ndryshme ashtu siç parashihet me mekanizmat e ankimimit të mbështetura me akte ligjore dhe nënligjore. Kurse, nga 1064 ankues konsolidohen në 1050 ankesa të cilat IPK-ja i ka trajtuar.

Pesë rastet më të shpeshta që IPK-ja ka hetuar gjatë vitit 2013 ishin, 43 raste rrezikim i trafikut publik, 38 raste lëndimi i lehtë trupor, 35 raste keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, 30 raste keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe 20 raste kanosje.

IPK-ja gjatë vitit 2013 kishte hetuar edhe një numër të zyrtarëve policor që ishin të graduar.

“Gjatë vitit 2013 IPK-ja ka hetuar 39 zyrtar të graduar, prej tyre 1 kolonel , 2 nënkolonel, 3 kapiten, 11 toger, 22 rreshter, 273 zyrtarë policor si dhe 16 punonjësve nga stafi civil”, thuhet në raport.

Ndërsa, sipas statistikave të IPK-së, ankuesit janë nga këto etnitete, 1012 shqiptarë apo 95 për qind e ankuesve, 38 serbë apo 4 për qind e ankuesve, 11 boshnjak apo 1 për qind e ankuesve dhe 1 turk, 1 RAE dhe 1 goran.

Daut Haradinaj: Naim Maloku në AKR – një problem më pak për AAK’në

0

DautHaradinaj-AKKDerisa zëdhënësi i partisë së Ramush Hardainajt, Ernest Luma është i pakapshëm e Sekretari i kij subjektit, Burim Ramdani s’ka koment, deputeti Daut Haradinaj ka pranuar të komentojë humbjen e Naim Malokut.
Naim Maloku, një ekspert në fushën e sigurisë, kohë më parë ka qenë njëri ndër nënkryetarët e AAK’së, por që nga sot ai është pjesë e partisë së Behgjet Pacollit.

Deputeti Haradinaj thotë se largimi i tij nga AAk’ja nuk do ta dëmtojë këtë subjekt, përkundrazi, do ta lehtësojë.

“Largimi i zotëri Malokut nga AAK’ja është një problem më pak për partinë”, thotë Haradinaj, për Gazetën Express.

Ai megjithëse i uron sukses në karrierë politike, ka edhe një paralajmërim për të.

“Unë i uroj zotëri Malokut suksese në aderimin e tij në AKR, por s’ka me gjet kurrkund më mirë se në AAK”, thotë deputeti Daut Haradinaj.

Ai ka shpjeguar për Express që largimi i Naim Malokut nga AAK’ja nuk është krejt i rastësishëm.

“Zotëri Naim Maloku ka kohë që nuk është aktiv në aleancë. Ai ka kontaktuar kohë më parë me struktura të larat të partisë, këtë e dijë, por un nuk kam qen në takime, por megjithatë i uroj sukses”, thotë Haradinaj për Express.

Qeveria e ardhshme- Qeveri e mirëqenies sociale

0

Astrit AhmetiShkruan: Astrit Ahmeti

Kosova si një vend në tranzicion, pas luftës së fundit, po përballet ende me probleme të shumta ekonomike e sociale.

Me një numër shumë të madh të të papunëve, që sipas institucioneve të Republikës së Kosovës (Agjencia e Statistikave të Kosovës) sillet rreth 44 %, por nëse marrim parasysh një numer të qytetarëve që nuk paraqiten në entet e punësimit, ateherë kjo përqindje mund të jetë edhe më e madhe, varfëria është produkt i kësaj papunësie, ku një pjesë e qytetarëve jetojnë me me pak se 0.1 euro në ditë, që do të thotë se ata jetojnë në varfëri ekstreme.

Po sa po mendon shteti për këtë kategori, dhe sa janë gjasat që të ndryshohet kjo gjendje?

Shteti i Kosovës me kapacitetet që ka duhet të mendoj me projekte konkrete në zvogëlimin e numrit të papunësisë, duke investuar në ato dikastere që mund më së shpejti të sjellin përfitime dhe vende të reja të punës.

Si dikaster që mund të ndikojë në zvogëlimin e numrit të të papunëve është padyshim bujqësia ku Qeveria e Kosovës veçse ka filluar me investime, duke përkrahur bujqit me subvencione, por mbeshtetja duhet të jetë shumë më e madhe, duke siguruar kushte me të mira të tregut për bujqit dhe duke investuar në hapjen e fabrikave të reja në menyrë që të vijmë deri tek reduktimi i papunësisë.

Dihet që Kosova ka tokë pjellore që nuk e shfrytëzon, përkundrazi kjo tokë po keqshfrytëzohet për ndertime të larta, përderisa ne importojmë drithera e produkte që mund të sigurohen nga kjo tokë.

Një problem mjaft i madh që po shkon duke u rritur çdo ditë është papunësia e të rinjve të cilet edhe pas diplomimit të tyre nuk arrijnë të punësohen, e për të eliminuar këtë shteti duhet të zvogëlojë numrin e studentëve të pranuar në studime universitare, duke hapur Shkolla të reja profesionale dhe duke përkrahur bizneset e reja tregtare e shërbyese.

Qeveria e Kosovës me vendimet e fundit për rritje pagash të shumë kategorive si dhe uljen e pagesave të studentëve, ka dhënë shenja që ky shtet po shkon kah krijimi i një shteti të mirëqenies sociale, por ende mbetet shumë për të punuar, jemi vetem në fillim të rrugës, dhe përpos rritjes së pagave duhet të punohet shumë më shumë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Qeveria e ardhshme e Kosovës që do të dale pas zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit, duhet të orientohet në këtë drejtim në zvogëlimin e numrit të të papunëve, zgovëlimin e varfërisë në Kosovë dhe krijimin e një shteti social që mendon për kategoritë në nevojë.