17 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8598

Gjykata Speciale do të hetojë edhe korrupsionin

0

Gjykata-qekiqiIsmet Salihu mendon se Gjykata Speciale nuk do të hetojë vetëm krimet e pretenduara nga UÇK, por do të hetojë edhe vrasjet e pasluftës dhe korrupsionin. Ai thotë se mandati minimal i kësaj gjykate është 5 vjet. Fton deputetët që të votojnë pro themelimit të saj.Edhe pse akoma nuk dihen detaje për Gjykatën Speciale e cila pritet të themelohet për të gjykuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, profesori isë Drejtës Penale Ismet Salihu, mendon se kjo gjykatë nuk do të jetë ekskluzivisht vetëm për krimet e luftës dhe për UÇK-në.

Në një bisedë për “Epoka e Re”, Salihu ka thënë se kjo gjykatë do të hetojë edhe vrasjet e pasluftës por edhe korrupsionin. “Kjo gjykatë nuk është vetëm për UÇK-në, por për krimet e kryera gjatë vitit 1998, pas qershorit të vitit 1999, pra edhe pas çlirimit të Kosovës”.

“Kjo gjykatë do të merret edhe me vrasjet që kanë ndodhur pas luftës, të cilat sigurisht janë duke u hetuar. Po ashtu, kjo gjykatë do të merret edhe me milionerët e ri, të cilët janë bërë milionerë për dy vjet. Pra, kjo gjykatë do të merret edhe me veprat penale të korrupsionit”.

Duke folur për mandatin që mund të ketë kjo gjykatë, Ismet Salihu mendon se Gjykata Speciale minimum mandatin mund ta ketë 5 vjet. Ai thotë se kjo gjykatë nuk do të jetë fare në juridiksionin e Kosovës, por fton deputetët që ta votojnë, pasi mendon se nëse nuk votohet, versioni se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, mund ta bëjë një gjë të tillë, i duket një gjë e keqe.

“Sipas statutit të kësaj gjykate, mandati i saj së paku do të jetë pesë vjet dhe do të jetë i pakufizuar. Pra, minimumi i mandatit të kësaj gjykate do të jetë pesë vjet. Mandati i Gjykatës Speciale mund të jetë 7, 10 deri në 15 vjet. Pra, sa të ketë nevojë për t’i sjellë në mend shqiptarët dhe për të sjellë në vend Kosovën”.

“Më mirë do të ishte që deputetët ta pranojnë këtë gjykatë, sepse me vendos Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëhet më keq.”

“Gjykata Speciale për krime lufte nuk ka lidhje me juridiksionin e Kosovës. Kjo gjykatë krejtësisht do të jetë jashtë juridiksionit të Kosovës. Vendorët nuk do të kenë kurrfarë pushteti”, ka thënë për “Epoka e Re”, Ismet Salihu.

Kërkohet ndryshimi i Ligjit për Duhanin

0

Duhani5-22Javën që shkoi, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, debatoi për ndryshimin nenit 9, pika 2 dhe 3, të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, duke kërkuar rikthimin i ekspozimit të duhanit në pikat e shitjes.
Por, me këtë ide të një grupi të deputetëve, nuk po pajtohen zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë. Këta të fundit thonë se, “13 mijë qytetarët që kanë kërkuar ndryshimin e këtij ligji, nuk janë sa 2 milionë banorët e Kosovës”.

Vetëm dy muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, bizneset e duhanit, të përkrahura edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, kanë gjetur rrugë ligjore për ta rikthyer sërish në Kuvend këtë ligj, i cili, sipas tyre, duhet të ndryshohet në pikën 9, e cila e ndalon ekspozimin e prodhimeve të duhanit në pikat e shitjes.

Duke e kundërshtuar këtë ide të një grup të deputetëve, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha për Radio Kosovën, se deputetët e Kuvendit të Kosovës, para se të votojnë, duhet të mendojnë mirë për shëndetin e qytetarëve.

“Ne nuk guxojmë të paragjykojmë, mirëpo këmbëngulja e disa deputetëve që me çdo kusht kjo nismë të shtyhet para, një nismë që është në kundërshtim më interesat e shëndetit publik na bën të dyshojmë që ata kanë renë nën ndikimin e industrisë së duhanit që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhte”, tha Hoti.

Njëra nga deputetët që ka votuar pro-ndryshimit të nenit 9 të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, është edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja. Ajo tha për Radio Kosovën se kjo është kërkesë e 13 mijë qytetarëve të Kosovës, dhe se, sipas saj, deputetët kanë obligim ndaj qytetarëve, kur ka kërkesa të tilla.

“Nuk kam dashur ta injorojë kërkesën e 13 mijë qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë arritur ta kthejnë atë amendament në Komisionin Parlamentar por edhe në Kuvend. Unë personalisht s’kam dashur ta marr barrën dhe ta ndalojë këtë. Po është seanca plenare në të cilën do të votohet dhe ta jap mendimin Kuvendi, e jo një grup i vogël i deputetëve”, tha Kadriaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, duke i komentuar deklaratat e deputetes Kadriu, tha se “13 mijë qytetarët që kanë kërkuar ndryshimin e këtij ligji, nuk janë sa 2 milionë banorët e Kosovës”.

Hoti shtoi se, pas shqyrtimit të parë në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, do të ketë debate publike, dhe, sipas tij, Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë fakte se ndalesa me ligj e ekspozimit të duhanit në pikat e shitjes, kontribuon në mbrojtjen e përgjithshme të shëndetit të qytetarëve./RTK/

Enver Hoxha i Kosovës

0

MehmetKrajaShkruan: Mehmet Kraja

Këtë herë gjeografia e fushëpamjes për liderin komunist ka rrokur Kosovën. Akademiku i njohur kosovar, rrëfen mënyrën e perceptimit të Enver Hoxhës nga kosovarët, para dhe pas shkëputjes prej autoritetit serb…
Enver Hoxha i Kosovës nuk është i njëjtë me Enver Hoxhën e Shqipërisë, as në bëmat e tij, as në përfytyrimin e njerëzve. Janë dy pamje që nuk i shëmbëllejnë njëra-tjetrës. Në vendin e tij, pra në Shqipëri, Enver Hoxha vriste dhe burgoste, mbante popullin e vet të izoluar dhe në mjerim, kufizonte liritë dhe të drejtat, ushtronte dhunë politike dhe ideologjike. Në raport me Kosovën, ai kishte pamje tjetër, dukej i butë dhe i këndshëm, vishej mirë, mbante cilindër, kostum gri dhe pallto kashmiri, qeshte me dhëmbin e floririt dhe, në përgjithësi, dukej i pëlqyeshëm për një lider dhe kryetar shteti. Përveç pamjes së sofistikuar, në drejtim të Kosovës, përmes Radio-Tiranës, përmes Televizionit Shqiptar, fjalimeve, komenteve, librave për marksizëm-leninizmin, letërsisë dhe muzikës, përçonte dy mesazhe kryesore, të akceptueshëm lehtë nga kosovarët: i pari ishte një qëndrim të ashpër ndaj Jugosllavisë, e cila nuk u jepte të drejta të mjaftueshme shqiptarëve; dhe, i dyti, se Shqipëria ishte nëna e kosovarëve, e dashur dhe e dhembshur deri në sakrificë.

Ambalazhi ideologjik dhe nacionalist i këtyre mesazheve nuk përbente pengesë për kosovarët, sepse atëbotë nacional-komunizmin e përdornin të gjithë. Natyrisht, kosovarët nuk ishin budallenj, as aq të paemancipuar, siç pretendohet të paraqiten tash së fundi. Ata kishin kufizimet e tyre, por në raport me Shqipërinë nuk kishin shumë zgjidhje. Ata duhej të besonin se ekzistonte një Shqipëri ideale, ndryshe do të binin pre antishqiptarizmit jugosllav, sepse alternativë e Shqipërisë dhe e Enver Hoxhës ishte Tito dhe Jugosllavia, me një fjalë shpërbërja e identitetit. Ata që sot ua ngarkojnë fajin kosovarëve se ishin të manipuluar, se shumica syresh ishin ose titistë, ose marksistë-leninistë dhe se, në raport me shqiptarët e Shqiptarët mbajnë përgjegjësi që nuk e denoncuan regjimin e Enver Hoxhës, flasin marrëzira. Ne në Kosovë mund të mos e besonim propagandën e Enver Hoxhës, mund të ishim skeptikë ose dilemorë, mund të ishim edhe naivë, por nuk kishim si të mos i besonim shkrimtarët më të mirë të Shqipërisë, gjuhëtarët më të mirë, kompozitorët më të mirë, piktorët më të mirë, të cilët, shkas e pa shkas madhëronin prijësin e tyre. Nëse ata gënjenin, dhe gënjenin mjeshtërisht, ne nuk mund të quhemi fajtorë që i besonim.

Kosovarët, për dekada të tëra, mbajtën të parrënuar mitin për Shqipërinë, mitin për Atdheun. Ata kishin nevojë të besonin në këtë mit, sepse në këtë mënyrë mbronin përbërësit kryesorë identitarë. Për nevojat e tyre, kosovarët krijua përfytyrimin e Shqipërisë ideale.

Ndonëse sot mund të duket e thjeshtë, ngritja dhe mbajtja e këtij miti nuk ishte aq e lehtë, sepse kundër tij, atëbotë, ishin ngritur të gjithë. Kundër Shqipërisë ishte Jugosllavia, politika e saj, ndikimi i saj i fuqishëm në botë, propaganda e saj. Në dukje të parë, Jugosllavia përçmonte regjimin e Enver Hoxhës, por në prapavijë vepronte me projektet antishqiptare të Çubriloviqit dhe Andriqit, të cilët asnjëherë nuk i shpalli të pavlershëm, nuk i vendosi ad acta. Po të binin pre e propagandës jugosllave, kosovarët lehtësisht do të bëheshin jo më varrmihësit e Enver Hoxhës dhe të regjimit të tij, por të vetë Shqipërisë.

Së këndejmi, pamje e idealizuar e Enver Hoxhës, për shkak të pietetit dhe të sentimentit ndaj Shqipërisë, jetoi më gjatë te kosovarët, sepse ata nuk deshën që Shqipëria të dukej e shëmtuar as më 1991, kur shqiptarët e Shqipërisë vërshuan ambasadat, mbushen anijet me refugjatë dhe u bënë vendi që eksporton më së shumti prostituta në Europë; por as më 1997, kur shqiptarët e Shqipërisë rrënuan shtetin me simbolin serb të tre gishtërinjve; dhe as sot, kur statusin e vendit kandidat në BE do ta marrin më vonë se çdo shtet tjetër i Ballkanit. Kosovarët tani kanë shtetin e tyre, por shumica syresh, paradoksalisht, edhe sot e duan Shqipërinë më shumë se Kosovën.

Tani që Shqipëria është kjo që është, kosovarët janë këta që janë dhe Enver Hoxha ishte ai që ishte, çfarë mbetet sot të sqarohet në këto relacione? Natyrisht që kosovarët kanë nevojë t’i sqarojnë disa pika shumë të ndjeshme të historisë së tyre në raport me Shqipërinë, por para se këtë ta kërkojnë nga historianët e Shqipërisë, duhet të hedhin dritë të mjaftueshme mbi disa ndodhi të errëta të pjesës së tyre të historisë në raport me Shqipërinë, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa. Së pari, ata duhet të hulumtojnë dhe të japin përgjigje, se cili ishte roli i kosovarëve në lëvizjen komuniste të Shqipërisë, që nga Ali Kelmendi e deri te Elhami Nimani, Fadil Hoxha, Emin Duraku, Ymer Pula, Hajdar Dushi etj., dhe përse ata ishin të infiltruar aq shumë në grupet komuniste, veçmas të Shkodrës dhe të Tiranës, ndonjëri syresh duke marrë pjesë edhe në themelimin e Partisë Komunsite të Shqipërisë? Së dyti, përse komunistët kosovarë, pas çdo takimi që kishin me komunistët e Shqipërisë, ngarendnin kush e kush më parë t’i raportonin Boro Vukmiroviqit dhe Pavle Joviqeviqit në Vitomiricë, ose gjetiu? Së treti, përse kosovarët, që donin bashkimin me Shqipërinë, pranuan që përgatitjet për Konferencën e Bujanit t’ua bënte Pavle Joviqeviqi dhe përse e pranuan kompromisin absurd, që garantuese e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje të ishte edhe UNÇ e Jugosllavisë? Së katërti, përse kosovarët nuk dhanë asnjëherë një shpjegim të qartë dhe të vlershëm, si ndodhi që vendimet e Bujanit u anuluan aq thjeshtë dhe aq njëzëri, po prej tyre, në mbledhjen e “Këshillit Krahinuer Populluer” në Prizren, në korrik të vitit 1945? Së pesti, nëse Shqipëria e tradhtoi Kosovën, kur aradhet e saj shkuan në veri deri në Vishegrad, duke krijuar terren të përshtatshëm për reprezaljet e brigadave partizane-çetnike serbe-malaziase, përse nuk thuhet qartë se çfarë bëri Fadil Hoxha, si komandant, në këtë rrethanë?

Natyrisht që ka edhe shumë pika të tjera të errëta, të veprimtarisë së Enver Hoxhës në raport me Kosovën dhe ndriçimi i tyre nuk mund të bëhet as me paragjykime nihiliste dhe as me mbështetje neo-komuniste. Deri më tani, përgjatë viteve të fundit, historianët janë përpjekur të shmangin shqyrtimet historike bardh-zi, por, si pa të keq, janë akomoduar në një zonë gri, e cila, pandehin ata, iu siguron mbrojtje të mjaftueshme nga fshikullimet e dyanshme. Por e vërteta është se ata janë akomoduar në një neglizhencë lapidare, e cila nuk gjen një shembull të tillë në botën e sotme. Që të mos merren me improvizime, siç bëjnë tani, ata do të duhej, së pari, të shternin së lexuari dokumentet, që ende as i kanë parë me sy, as i kanë prekur me dorë. Si mund të flasin për Enver Hoxhën historianët e Shqipërisë, dhe të pretendojnë se janë duke bërë shkencë, kur ende nuk i kanë lexuar ditarët dhe shënimet e tij në Arkivin e Shtetit? Si mund të pretendojnë se bëjnë shkencë historianët e Kosovës, kur asnjëri prej tyre nuk i ka parë me sy dhe prekur me dorë shënimet serbisht të Miladin Popoviqit, gjatë tri viteve të qëndrimit në Shqipëri, që po ashtu tashmë dihet se gjenden në Arkivin e Shtetit? Prandaj, në mungesë të një pune të mirëfilltë shkencore, krijohet hapësirë për historianët amatorë, të cilët ngatërrojnë dëshmi, spekulojnë, shpikin, trillojnë gjëra nga më të pabesueshmet dhe mbushin hapësirat mediale të Shqipërisë dhe të Kosovës me interpretime kuturu.

Por gjithsesi, çështja e radhës, e cila tani për tani nuk po gjen hapësirë për shqyrtim, ka të bëjë me rolin e trashëgimisë historike dhe politike të komunizmit dhe të Enver Hoxhës në profilizimet aktuale politike, në Shqipëri dhe në Kosovë.

(Java)

Limaj: Qëndrimin për Tribunalin do ta paraqes në Kuvendin e Kosovës

0

Fatmir-limaj2Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se për Tribunalin do të flasë në Parlament, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Qëndrimin do ta shpreh në Parlament”, ka thënë Limaj, pas një takimi të zhvilluar me aktivistët e partisë së tij në Prizren, shkruan koha ditore.

Ndërkohë para aktivistëve të partisë ka shprehur bindjen se parandjenjat për lëvizjen e elektoratit kanë shtyrë liderë të caktuar politikë të vendit që të vrapojnë nga njëra anë në tjetrën me premtime të shumta në fjalorin e tyre.

Thaçi harron krijimin e komunave të reja në Has

0

Thaci-HasKryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e ka lënë në harresë krijimin e komunave të reja në Has.

Pak muaj para zgjedhjeve lokale të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri pothuajse çdo ditë kishte proklamuar themelimin e disa komunave të reja, mirëpo edhe pse kanë kaluar disa muaj, nuk ka ndodhur më asnjë lëvizje në këtë drejtim. Madje, themelimin e dy komunave në Has e kishte konsideruar si punë të kryer. Pas zgjedhjeve lokale, Thaçi nuk ka folur asnjëherë për këto dy komuna dhe komunat e tjera të premtuara.

Ai tani fushatën e ka orientuar në rritjen e pagave dhe shlyerjen e borxheve për kategoritë sociale.

Por premtimi i mëhershëm i kryeministri Thaçi për krijimin e komunave të reja, nga analistë politik dhe përfaqësues të fshatrave që synojnë të bëhen komuna, po vlerësohet si premtim vetëm sa për të fituar vota.

Sipas tyre, kryeministri për vota shpeshherë po jep premtimet të parealizueshme./tribuna/

Serbia përzihet edhe në zgjedhjet parlamentare

0

Mitrovice-VeriuNgjashëm me zgjedhjet lokale edhe zgjedhjet parlamentare pritet të mos kalojnë pa interferimin e Beogradit përmes vendosjes së disa kushteve që ndërlidhen me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Një kundërshtim fillestar i Beogradit rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, ndërlidhet me Ligjin e ri për zgjedhjet parlamentare i cili ka paraparë disa përkufizime të reja në lidhje me votimin jashtë Kosovës.

Mirëpo, Ligji i ri i sapopërgatitur dhe miratuar në parim në Kuvend, tashmë po shihet i pazbatueshëm në rast se zgjedhjet shpallen për muajin qershor. Ky ligj, nuk i ka kaluar ende procedurat finale të miratimit dhe hyrjes në fuqi, kurse flitet për një proces zgjedhor që mund të organizohet në fund të majit apo nga mesi i qershorit.

Por, as ligji i vjetër, sipas bindjeve të Beogradit, të cilat po shprehen nga zyrtarët e qeverisë së atjeshme, nuk do të jetë i mjaftueshëm që autoritetet e serbe t’u bëjnë thirrje subjekteve politike dhe komunitetit serb në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje./Tribuna/

Ndahet nga jeta liriku Koçi Petriti

0

Koçi PetritiSot në moshën 73 vjeçare u nda nga jeta pedagogu, liriku e studiuesi i njohur Koçi Petriti. Petriti i cili njihej edhe për tekstet e shumta të këngëve në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkri.

Koçi Petriti u lind më 1941 në Sovjan të Korçës. Shkollën fillore e të mesme i kreu në Korçë. Pas një periudhe të shkurtër pune si arsimtar, fitoi të drejtën e studimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua (1967) për gjuhë dhe letërsi. Me mbarimin e fakultetit, pasi kreu sherbimin ushtarak 2-vjecar, u emërua arsimtar në Librazhd. Më 1990 emërohet në Departamentin e talenteve të reja pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (Tiranë), ndërsa më 1992 Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Lidhjeje. Më 1993 emërohet Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku punoi më pas si pedagog i jashtëm.

Titujt e veprave të K. Petritit:
Lirikat e majit (Tiranë, 1962)
Përsëri në udhë (Tiranë, 1867)
Firma e popullit tim (Tiranë, 1974)
Prush nëpër shekuj (Tiranë, 1979, çmimi: libri më i mirë i vitit)
Lulekuqet (Prishtinë, 1981)
Të dashurova ty (Tiranë, 1988)
Poezia shqipe (kolana e poezisë shqipe, Tiranë, 1989)
Në poetikën e Martin Camajt (Tiranë, 1997)
Lirikat e majit (Tiranë, 2002, ribotim i ndryshuar)
Albumi i lirikave (Tiranë, 2004)
Poezi të zgjedhura (Tiranë, 2005)

Institucionet e drejtësisë s’mbajnë faj për Tribunalin

0

Gjykata-qekiqiInstitucionet e drejtësisë në Kosovë po i shohin si të padrejta kritikat që po u bëhen rreth krijimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, raporton KTV.

Analistë e madje politikanë kanë thënë se dështimi i gjyqësisë vendore që të hetojë e gjykojë krimet e luftës ka bërë që të krijohet Gjykata Speciale, që do të merret me krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja.

Kryeprokurori i Apelit, i vetmi i gatshëm të flasë për këtë, ka thënë se kjo Gjykatë do të duhej të merrej edhe me raste të krimeve të kryera nga forcat serbe. Të tilla raste, thotë Aleksandër Lumezi, ka qenë e pamundur të hetohen, meqenëse kanë qenë jashtë juridiksionit të Kosovës e me Serbinë nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është konsultuar asnjëherë në formimin e kësaj Gjykate Speciale e as formën se cili do të jetë rol i kosovarëve aty.

Kryesuesi i KGJK-së ka thënë se konkretisht ata nuk kanë dhënë kontribut në diskutimet që po bëhen për themelimin e Gjykatës Speciale sepse kjo nuk iu është kërkuar asnjëherë.

Enver Peci nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse kosovarët kanë mundur të gjykojnë krimet e luftës sepse ka thënë se një rast të tillë gjyqtarët vendorë nuk e kanë pasur asnjëherë.

150 histori shqiptaro amerikane suksesi

0

Histori shqiptaro amerikane suksesiNjë spektakël i madh në Amerikë kushtuar 150 shqiptaro-amerikanëve më të suksesshëm të viteve të fundit në të gjitha fushat.

Është kjo iniciativa më e fundit e Grupit Shqiptar të Medias, Fadil Berisha Studio, Këshillit Amerikan dhe Fondit të Arsimit Ndërkombëtar Amerikan për Kosovën. Mbrëmja gala do të mbahet në datë 3 maj në Nju Jork dhe do të drejtohet nga aktorja e njohur me origjinë shqiptare, Elisa Dushku dhe Tony Dovolani, një nga kërcimtarët më të famshëm në botë.

Spektakli i titulluar “Histori Shqiptaro Amerikane Suksesi” synon të nxjerrë në pah kontributet e 150 shqiptarëve më të suksesshëm në biznes, shkencë, politikë, art etj, bën të ditur agjencia e lajmeve “Dyrrah”.

Një nga qëllimet kryesore të organizatorëve të këtij spektakli është krijimi i një baze të dhënash se kush janë shqiptarët më të suksesshëm dhe cili është kontributi që ata japin në jetën amerikane. Synohet që kjo ngjarje të kthehet në një traditë të përvitshme.

Ngjarja më e madhe argëtuese e kulturore shqiptaro amerikane në SHBA, sipas organizatorëve do të shoqërohet me premierën e një dokumentari kushtuar secilit prej 150 shqiptaro amerikanëve më të suksesshëm, duke përfshirë këtu fituesin e çmimit Nobel për Mjekësi Dr, Ferid Murad, të parin shqiptar të zgjedhur në një post zyrtar amerikan në atë të Kuvendit të shtetit të Nju Jorkut, zotin Mark Gjonaj, aktoren e famshme dhe të njohur në botë, Eliza Dushku dhe supermodelen Emina Cunmulaj, fotografin me emër në Amerikë Fadil Berisha, bankierin Richard Lucka, gazetaren e Fox Neës Lidia Ujkaj, bamirësen Shpresa Xhaklli, komedianin e famshëm James Belushi, politikanin e Uashingtonit Ilir Zherka, tenorin Saimir Pirgu, aktori Mike Dusi dhe shumë të tjerë.

35% e të ardhurave neto të këtij projekti do të shkojnë për Fondin e Arsimit Amerikan të Kosovës – Këshillit Amerikan. Në të njëjtën kohë, një pjesë e të ardhura do të përdoren për realizimin e një albumi-libër, që do të përfshijë në faqet e tij 150 personalitetet në fushën e tyre dhe historitë e suksesit, që i kanë shoqëruar.

Filmat me temë fetare dhe suksesi i tyre

0

Film-Krishti i kryqezuarËshtë cilësuar “historia më e madhe e kohërave”, prandaj nuk është për t’u çuditur, që për më tepër se një shekull Hollivudi i rikthehet Biblës, duke e marrë frymëzimin prej saj. Prirja për filmat e bazuar tek besimi mbetet e fuqishme: industria e filmave prodhon 16 filma në vit me këtë temë. Shumë prej tyre mund të harrohen vetëm disa javë pasi shfaqen, ndërsa të tjerë mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë nëpër kinema. Por çfarë i bën të sukseshshme filmat e frymëzuar nga feja?

Filmi “Son of God” mbi jetën e Jezu Krishtit, ka filluar të shfaqet nëpër kinematë amerikane dhe po ndiqet me shumë interes. Kishat në mbarë vendin janë duke marrë me qira kinema, që anëtarët e tyre ta shohin filmin.

Profesori i filozofisë, Martyn Oliver, thotë se filmat me Jezusin synojnë të tërheqn audiencat e krishtera, transmeton VOA.

“Nuk ka ndonjë vizion të veçantë nga ana e producentëve për këta filma, kjo do të thotë se ata ofrojnë një informacion të njohur”.

Profesori Oliver thotë se producentët morën mbi vete pak rreziqe financiare, ngaqë tregu i audiencës së krishterë u vu në provë në vitin 2004, me filmin The Passion of the Christ. Ky filmi shumë i debatuar i Mel Gibsonit realizoi 1 miliardë dollarë fitime në mbarë botën.

“Ai zhvilloi një fushatë agresive në kishat protestante dhe në ato evangjeliste para nxjerrjes së filmit The Passion of the Christ.”

Gibson po ashtu kishte një vision artistik me këtë film, thotë Profesori Oliver. Portretizimi i tij i dhunshëm dhe polarizues i Jezusit i hipnotizoi njerëzit në mbarë botën. Son of God nuk është në të njëjtin nivel me filmin e Gibsonit dhe audienca që ai synon mund të pakësohet shpejt.

Ndryshe nga Son of God, një histori e admirueshme dhe miqësore për Jezusin, Noah i Darren Aronofskit është një histori e rëndë, apokaliptike mbi fundin e botës.

“Aronofsky përqëndrohet tek zemërimi i Zotit, dhe ky është një zot, për të cilin ne nuk duam të mendojmë. Ai është një zot aspak miqësor dhe në këtë kuptim, portretizimi i tij i karakterit të Noe-së nuk është një Noe i krishterë.”

Profesor Oliver thotë se personazhi i Noe-së i Aronofskit është pranë historisë së Biblës së pranuar si nga hebrejtë, të krishterët edhe nga myslimanët. Por ky film mund të mos jetë një sukses. Ai u prit në mënyrë të vakët në Meksikë nga një audiencë kryesisht katolike, së cilës ju duk tepër i errët dhe që nuk shpreh nderim për karaktarin e Noe-së. Shumë myslimanë po ashtu e kundërshtojnë filmin, sepse Islami ua ndalon paraqitjen vizuale të profetëve të tyre.

Megjithatë, personazhi i Noe-së mund të jetë i pëlqyeshëm për njerëzit që ndjejnë se mesazhi i tij ambjentalist “mbro natyrën, ose vdis prej saj” tingëllon i vërtetë në botën e sotme. Edhe fakti që filmi ka efekte speciale impresionuese, është një tjetër faktor që e bën atë të pëlqyeshëm.

Profesor Oliver thekson se edhe për filmat më të mirë fetarë, suksesi nuk është i sigurt.

Por nëse një film ka një vizion artistik, një mesazh të fuqishëm dhe një histori tërheqëse, mund të përjetosh momente vërtet të mrekullueshme kur e sheh.