17.8 C
Prizren
E premte, 8 Maj, 2026
Home Blog Page 8685

Thaçi nuk e thotë asnjë fjalë për dënimin e Mujës

0

Thaci dhe MujaKryetari i PDK-së, Hashim Thaçi nuk ka folur asnjë fjalë për dënimin e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja.

Ai në takimin publik me strukturat e PDK-së në këtë qytet, ka kërkuar vetëm mobilizim për zgjedhjet nacionale.

“PDK-ja posedon rifuqizim të energjisë për fitoren e radhës në zgjedhjet e sivjetme”.

Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka marrë vendime të rëndësishme për mirëqenien e të gjitha shtresave të qytetarëve.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar mobilizim maksimal dhe të përcillet mesazhi i punës që PDK-ja ka bërë në Prizren.

Ndërkaq, Thaçi dhe Hoxha në fjalimet e tyre nuk kanë folur asnjë fjalë për situatën e krijuar pas dënimit të Ramadan Mujës.

Ata pas fjalimeve, kanë kërkuar që mediat të largohen nga takimi, i cili aktualisht është duke u mbajtur me dyer të mbyllura. /PrizrenPress.com/

Ramadan Muja ‘aset’ i Thaçit për fushatë zgjedhore

0

Thaci e muja ne zhurPartia Demokratike e Kosovës duket se po e konsideron si aset të madh Kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja, pavarësisht se ai u dënua për keqpërdorim të detyrës.
Kreu i PDK’së Hashim Thaci dhe Nënkryetari i PDK’së Enver Hoxhaj bashkë me Mujën, i cili u dënua të premten 2 vjet me kusht për keqpërdorim të detyrës të premten kanë bërë fushatë në rajonin e Prizrenit.

Mbase Muja, edhe mund t’i sjellë fat PDK’së, pasi arriti t’i mposhtë kundërshtarët në Prizren edhe pse i rëndonte aktakuza mbi shpinë.

“Sot bashke me kryetarin e PDK-se kemi zhvilluar disa takime me strukturat e PDK-se per fitoren e thelle ne Sharre dhe synimi i PDK-se eshte qe kete komune ta bejme zone te zhvilluar te agrobizensit, blegtorise dhe turizmit” ka shkruar Ministri Hoxhaj në Facebook./Express/

Njohja e Kosovës, moment i veçantë për Greqinë

0

Dimitris Moschopoulos,Shefi i zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulos, ka thënë se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë po ndodhë për disa arsye komplekse. Mirëpo, sipas tij, njohja, kurdo që të ndodhë, do të jetë një moment shumë i veçantë për Greqinë, ani pse ai nuk përmendi ndonjë datë të mundshme.

“Parashikimi se kur do të ndodhë njohja është njësoj si të parashikohet devalvimi i parasë, gjë që nuk mund të parashikohet”, tha Moschopoulos gjatë një ligjërate në një prej universiteteve të vendit, citon koha.net.

Duke folur për integrimet euro-atlantike, Moschopoulos tha se Greqia e mbështetë Kosovën në integrimin e saj në BE, por sipas tij, për të ndodhur një gjë e tillë, Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Diplomati grek në Kosovë shtoi se shteti i tij ka inkurajuar shtetasit e Greqisë, po ashtu edhe ata të Kosovës, që të ketë liri të lëvizjes në mes të dy vendeve.

“Tani Greqia vizat për kosovarët do t’i vë në pasaportë edhe pse ende nuk e ka njohur Kosovën. Qytetarët e Kosovës do të kenë lëvizje të lirë me vizat greke në të gjitha vendet e Schengenit, me përjashtim të Spanjës, e cila poashtu nuk e ka njohur Kosovën”, tha ai.

Ai shtoi se Greqia beson në të ardhmen e saj në BE dhe në NATO, duke shprehur mbështetjen e integrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Fatmir Limaj në aksion

0

Limaj-2Lideri i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, është hedhur në aksion për ta zgjeruar subjektin e tij politik, të cilin e formoi bashkë me Jakup Krasniqin, pas ndarjes me PDK’në.

Ai ka deklaruar se qëllimi i tij aktual është masivizimi i NISMA për Kosovën dhe aktualisht po i drejton energjitë në atë drejtim.

Sot ai ka pritur një grup të rinjsh, të cilët i janë bashkuar në rrugëtimin e tij politik.

“Në vazhdën e anëtarësimeve të përditshme që po bëhen në NISMA për Kosovën, Kryetari i Kryesisë Fatmir Limaj dhe anëtarët e kryesisë Bilall Sherifi dhe Fitim Selimi priten disa të rinj, të cilët nga tash edhe ju bashkuan subjektit tonë politik NISMA për Kosovën”, thuhet në një njoftim të NISMA për Kosovën.

Statutet me shkelje ligjore, “grackë” për bisedime

0

Mitrovica veriut14Përderisa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë evidentuar shkelje ligjore gjatë miratimit të statuteve dhe brenda përmbajtjes së statuteve të katër komunave veriore të Kosovës, me shumicë serbe, atëherë ato duhet të shpallen të pavlefshme, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese në vend.

Ata thonë se vetë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e thirrur që të reagojë dhe të marrë masat adekuate ligjore ndaj këtyre shkeljeve.

Eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se miratimi i statuteve, përmbajtja e të cilave e shkel ligjin, shpërfaq qëllimet e përfaqësuesve të komunave veriore që ata të mos i njohin institucionet e Kosovës.

“Qartazi po shihet se përfaqësuesit e këtyre komunave dhe përkrahësit e tyre, që është Qeveria e Beogradit, kanë për qëllim që të mos njohin institucionet e Kosovës ose të sillen karshi tyre në pikëpamje neutrale të ashtuquajtur ndaj statusit të pavarësisë së Kosovës. Atëherë, gjithsesi duhet ndërmarrë masa vendimtare, pa shtyrje dhe duhet anuluar ato zgjidhje, ato veprime, të cilat janë në kundërshtim me ligjin, me Kushtetutën dhe me gjithë sistemin kushtetues dhe juridik të Kosovës”, thotë Baraliu.

Profesor Baraliu shton se miratimi i statuteve të komunave veriore nga përfaqësuesit e serbëve në këto komuna, duke u bazuar në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është vetëm një manovër e tyre.

Sipas tij, kjo rezolutë tashmë është e tejkaluar dhe e papërfillshme, pavarësisht se Këshilli i Sigurimit nuk e ka nxjerrë jashtë fuqisë për shkak të vështirësive dhe mospajtimeve.

Eksperti tjetër çështjeve juridike kushtetuese, Riza Smaka, po ashtu profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se miratimi i statuteve, në formën se si janë miratuar, nga përfaqësuesit institucionalë të serbëve në komunat veriore, është akt joligjor dhe i paqëndrueshëm juridikisht.

“Do të duhej, patjetër, të shpalleshin zero (të pavlefshme) dhe të kërkohet miratimi i akteve statutare të reja në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjin përkatës për vetëqeverisje lokale. Mirëpo, shtrohet edhe çështja e pushtetit faktik, se sa ka mundësi faktike Qeveria jonë që ta bëjë këtë, që t’i detyrojë komunat për t’i shfuqizuar, për t’i lënë anash ato akte statutare dhe për t’i bërë statutet ashtu siç do të duhej t’i bënin? Çështje problematike është kjo”, thekson Smaka.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve komunale të komunave në veri, kanë theksuar se nuk do ta ndryshojnë përmbajtjen e statuteve të miratuara.

Në rast se ekzistojnë pikëpyetjet lidhur me këtë çështje, sipas tyre, ato duhet të shtrohen si temë bisedimi ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit.

Edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se çështja e statuteve të komunave, por edhe e statutit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, profesor Baraliu shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që të bjerë në grackë dhe këtë çështje ta shtrojë si temë bisedimesh me Serbinë. Kjo e fundi, sipas tij, edhe më tutje kërkon që çdo çështje të brendshme të Kosovës, ta shndërrojë në temë bisedimesh në Bruksel, në mënyrë që ta neutralizojë subjektivitetin shtetëror të Kosovës.

“Kjo tendencë, absolutisht është e papranueshme dhe nuk duhet assesi të pranohet që të bisedohet. Me të (Serbinë) nuk ka edhe çka të bisedohet, sepse këto çështje janë të rregulluara me ligjet tona dhe me Kushtetutë. Atë që duhet ta bëjnë ata eksponentë atje (në veri), është që t’i respektojnë dispozitat e ligjit për qeverisjen lokale dhe në bazë të atyre dispozitave, absolutisht në përputhje me to, t’i hartojnë edhe statutet e tyre e asgjë më tepër”, vlerëson Baraliu.

Edhe profesor Smaka, konsideron se në asnjë mënyrë nuk duhet të shtrohet si temë bisedimesh në Bruksel çështja e statuteve të komunave, e cila sipas tij, është kërkesë irracionale e Serbisë.

“Natyrisht që kjo do të ishte një koncesion në bërjen e Kushtetutës dhe në favor të krijimit të autonomisë politike të Mitrovicës së veriut, sepse të gjitha komponentët e saj tashmë i ka. E ka autonominë në arsim, kulturë, shëndetësi, në sport, në administratë, në polici”.

“Edhe në gjyqësor, tashmë është në realizim dhe rrumbullakim e sipër. Do të thotë, këtu është fjala për dokumentet bazike. Statuti duhet të jetë absolutisht në harmoni dhe në përputhje me Kushtetutën”, shprehet Smaka.

Profesor Smaka ka shtuar se në qoftë se statutet e komunave në veri të Kosovës nuk do të jenë në harmoni dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ato do ta krijojnë situatën e një shkëputjeje të rendit juridik. /REL/

Hoti: LDK po reformohet

0

AvdullahHoti-LDKAnëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK po reformohet dhe se nuk ka kohë të merret shumë në këtë kohë me qeverinë.

Duke mos dashur të merret gjatë me mediat që po e kritikojnë pasivitetin e liderit të LDK-së, Isa Mustafa karshi ngjarjeve të fundit në vend, Hoti ka thënë se nuk duhet të shqetësohen pasi që LDK është duke bërë ndryshime.

“Po punohet në terren në ardhje të reja në secilën degë, si dhe në qendër. Po finalizohet programi qeverisës dhe po bëhen përgatitje që të fillohet nga puna që nga dita e parë në qeveri. Këtij vendi i duhet LDK për të siguruar stabilitet, normalitet dhe zhvillim, të cilat mund t’i ofrojë LDK”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.

Pajaziti: S’po bëjmë fushatë me rritjen e pagave

0

ZenunPajazitiDeputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti ka deklaruar se kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, nuk po bën fushatë duke ngritur pagat në këtë kohë, derisa nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit PDK – NISMA, në rast se diçka e tillë do të ishte në interes të vendit.

Pajaziti, në një intervistë për “Epoka e Re”, ka theksuar se rritja e pagave është agjendë shtetërore. Ai thotë se reagimi i opozitës për këtë rast ka qenë “absurd”.

“Jo, aspak nuk jemi duke bërë fushatë, sepse mandati i kësaj Qeverie dhe i këtij koalicioni është në fund të këtij viti. Po të ishte fushatë këto veprime do të ndodhnin në prag të zgjedhjeve, e jo tani. Kjo është një agjendë shtetërore e Kosovës. Reagimi i opozitës për rritjen e pagave është krejtësisht absurd. Në fakt, në Kosovë ka edhe njerëz të atillë që nuk e pranojnë një veprim që është në të mirë dhe në interes të qytetarëve të vendit”, ka theksuar Pajaziti.

Duke folur për zhvillimet e fundit brenda partisë së tij, deputeti Zenun Pajaziti pranon se do të ishte më mirë sikur Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj të mos largoheshin nga PDK, por nuk e përjashton mundësinë që PDK të bëj koalicion me NISMA-n, nëse siç thotë ai, është interesi i vendit të pyetje.

“Gjithsesi se di të ishte më mirë që të ishim të gjithë së bashku, edhe z.Krasniqi edhe z.Limaj, por më shumë sesa për njerëz dhe kontributin e tyre të çmuar të atyre që janë brenda PDK’së dhe atyre që tashmë nuk janë, PDK-ja mbetet sinonim i projekteve të mëdha të ndërtimit të vendit prej shpalljes së pavarësisë e këndej. Nuk po paragjykoj, por PDK-ja kur janë në pyteje interesat e vendit, mbetet e hapur për të gjithë spektrin politik”, ka shtuar Pajaziti.

Deputeti Pajaziti thotë se të gjitha opsionet për koalicion qeverisës mbeten të hapura. Ai thotë se opozita gjatë këtij mandati ka qenë aktive, por shpesh vetëm “sa për të thënë se është opozitë”.

“Mendoj se të gjitha opsionet duhet të jenë të hapura për interes të vendit. Spektri politik do t’i definojë koalicionet. Mirëpo PDK’ja është më afër me ata që i kanë konceptet e përafërta. Opozita ka qenë aktive, por në shumë raste reagimet kanë qenë vetëm sa për të thënën se është opizitë, sepse nuk kemi pasur alternativa të cilat do të kishte mund t’i konsumojë Qeverias si diçka e mirë që vjen nga opozita”, ka nënvizuar Pajaziti.

UNESCO, letër Shqipërisë për privatizimin e Butrintit

0

Butrinti-teatriPrivatizimi i një pjese të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, ka shqetësuar edhe UNESCO-n. Pak ditë pasi Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë, denoncoi publikisht rastin, kanë reaguar zyrtarë të lartë të Qendrës së Trashëgimisë Botërore.

Përmes një letre, dërguar ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, Kishore Rao, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore-UNESCO, në Paris ka kërkuar informacion të detajuar. Në letër,(që i ka shkuar për dijeni edhe Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n), Rao pyet se si qëndron çështja e ndryshimit të pronarit. Më tutje, ai kërkon të dijë nga shteti shqiptar se ku shtrihen ekzaktësisht tokat e privatizuara, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore dhe sa ky privatizim mund të ndikojë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit.

“Qendra e Trashëgimisë Bo-tërore së fundmi ka marrë një artikull në lidhje me ndryshimin e pronësisë mbi tokën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Po ju dërgoj, edhe një kopje të artikullit, i cili gjithashtu mund të lexohet edhe në linkun e mëposhtëm: (http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-privatized-parts-of-unescoheritage-faqe). Në përputhje me paragrafin 174 të udhëzimeve operacionale, përgjigja e qeverisë suaj, do të na mundësojë të verifikojmë burimin dhe përmbajtjen e informacionit që ka marrë qendra.

Prandaj, unë do ju isha mirënjohës nëse ju mund ta përcillni këtë mesazh, tek autoritetet tuaja lokale e kombëtare, dhe të na njihni ne me komentet e tyre mbi ndryshimin e pronarit të tokës dhe ndikimin e mundshëm që kjo mund të ketë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit, pasuri e Trashëgimisë Botërore. Ne do ju ishim mirënjohës, nëse autoritetet tuaja mund të na saktësojnë se ku shtrihen ekzaktësisht tokat në fjalë, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore”, citohet letra në “GSH”.

Pak ditë më parë, Forumi i Trashëgimisë përmes një deklarate për mediat, njoftoi se Butrinti është privatizuar, dhe se pronari i ri i një pjesë të tij, është Agim Toro, i cili e ka marrë atë si kthim prone. Gjatë këtyre ditëve, në media ka pasur debate mes palëve. Toro, ka qenë për një kohë të gjatë i punësuar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Anëtarët e Forumit, kanë bërë me dije se ndër pjesët e Butrintit që i kalojnë Toros, është edhe vetë teatri antik.

I kënaqur me dënimin e Mujës

0

Ridvan Hoxha LDKIniciuesi i dy rasteve të aktakuzës së kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, ish-këshilltari i LDK-së, Ridvan Hoxha, është i kënaqur me verdiktin e dënimit të Mujës nga Gjykata Themelore në Prizren.
Ai thotë se dënimi për Mujën dhe të tjerët është minimal, megjithatë i pranueshëm.

“Vendimi Gjykatës Themelore është më tepër se minimumi, megjithatë e vlerësoj, sepse ne duhet të besojmë në institucione”, tha Hoxha për “PrizrenPress”.

Ridvan Hoxha në cilësinë e këshilltarit të LDK-së, ka qenë njëri ndër iniciatorët që ka dërguar në Prokurori, shkeljet ligjore që kishte bërë kryetari Ramadan Muja. Ai nga fillimi është shprehur i sigurt se Muja kishte shkelur ligjin me “dy këmbë”.

Hoxha thotë se është i lumtur që drejtësia më në fund tregojë se funksionon edhe në Kosovë.

“Personalisht si një ish-këshilltar i Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe iniciuesi i dy rasteve të aktakuzës, prej katër gjithsej, jam i kënaqur me vërtetimin e fajësisë”.

“Dënimi edhe pse duket i vogël në fakt vërteton se kjo strukturë në krye me kryetarin Ramadan Muja nga Gjykata janë shpallur si zullumqar dhe të paaftë për të qeverisur me tutje me Prizrenin”.

“Ramadan Muja edhe sot është duke i shkaktuar dëme të mëdha qytetit të Prizrenit”.

Ish-këshilltari Hoxha thotë se ndjehet i lumtur që me veprimet e tij, ka arritur të mbrojë pasurin e qytetarëve të Prizrenit.

“ I motivuar me mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve të Prizrenit dhe të Kosovës kam vepruar konform votëbesimit që më është dhënë nga vetë qytetarët dhe pretendimet e mia për shkelje të ligjeve të aplikueshme të Kosovës janë vërtetuar”.

“Vendimi i Gjykatës e shpall fajtor kryetarin e Komunës Ramadan Mujën dhe veç kësaj ia ndalon të ushtrojë detyra publike në 30 muajt e ardhshëm. Ia ndalon sepse ai mund të marrë edhe vendime të tjera të ngjashme duke vazhduar ta dëmtojë qytetin dhe qytetarët e Prizrenit”.

Sipas tij, dënimi me kusht i Mujës është një kursim për vet Mujën dhe shtetin e Kosovës

“Muja edhe i dënuar edhe e ha bukën në shtëpi të vetë duke mos i shkaktuar shpenzime shtetit”.

“Për mua personalisht akuza se Muja dhe zyrtarët tjerë komunalë janë të dëmshëm për shoqërinë është më e rëndë se çdo masë me burg”.

“Ramadan Muja përsëri nuk e tregon as një pikë morali. Ai në vend se të ofrojë dorëheqje dhe ta vazhdojë betejën me drejtësinë në shkallët tjera, vazhdon të qëndrojë aty ku është vlerësuar se është i dëmshëm, duke u bërë gaz i botës”.

“Qyteti i Prizrenit dhe qytetarët e Prizrenit, nuk mund dhe nuk duhet ta durojnë këtë amoralitet politikë”.

“Opozita duhet të bashkohet për të mos lejuar që njerëzit e dëmshëm të vazhdojnë të qeverisin me qytetin tonë. Qyteti dhe qytetarët e Prizrenit nuk do ta durojnë këtë amoralitet politik”/PrizrenPress.com/

Dënimi i Mujës, rikthen Thaçin në Prizren

0

Thaci5-21Kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi do të vizitojë sot qytetin e Prizrenit. Ai, në kuadër të kësaj vizite, do të takohet edhe me strukturat e Degës së PDK-së në këtë qytet.

Zëdhënësi i PDK-së në Prizren, Samir Hoxha ka konfirmuar takimin që Thaçi do të mbajë me strukturat e PDK-së.

“Kryetari i PDK-së, njëherësh Kryeministër i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, me datë 15.03.2014 do t’i takojë strukturat e Degës së PDK-së në Prizren”, tha Hoxha. Takimi do mbahet në ambientet e Restaurant “Nafron-i”, duke filluar nga ora 16:00.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, këtë takim me strukturat e PDK-së, po e realizon vetëm dy ditë pasi që kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është dënuar 2 vjet me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren. Ky verdikt i gjykatës ndaj Mujës dhe pesë ish-drejtorëve të tij, ka krijuar një gjendje jo të mirë në Prizren.

Partitë opozitare kërkojnë nga kryetari Ramadan Muja, që të jep dorëheqje. Ata kanë paralajmëruar organizim të protestave nëse Muja nuk e merr një veprim të tillë.

Ndërkaq, kërkesa e partive opozitare për dorëheqje nga kryetari Muja është vlerësuar shumë naive. Ai ka thënë se nuk do të jep dorëheqje sa herë kërkon opozita.

Muja vazhdon të jetë i bindur se është i pafajshëm dhe se dënimi ndaj tij nuk ka qenë i drejtë./PrizrenPress.com/