Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxjerr vendim për kompensimin e ish të burgosurve politik duke thënë se këta njerëz kanë sakrifikuar për idealin për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Ky vendim është miratuar nga kabineti qeveritar. Kurse, kompensim financiar do të bëhet nga Qeveria e Kosovës, ku një ditë apo natë e kaluar do të paguhet 16 euro e 70 cent, ndërsa shuma që do të jetë është 55 milionë dhe do t’u paguhet për 5 vite mbi 2000 ish të burgosurve politik.
“Janë njerëz që kanë sakrifiku për idealin për liri dhe pavarësi të Kosovës, është bërë një angazhim nga komisioni enkas i punuar për këtë çështje dhe dikasterët tjerë qeveritar. Falënderoj deputetin Hyseni për këtë punë të cilin e kemi edhe sot prezent Kuçin, dhe të gjithë që kanë punuar bashkë për të burgosurit politik dhe jemi zotuar si Qeveri dhe sot po realizojmë këtë objektivë kompensimi do të jetë 16 euro e 70 cent për një ditë shuma qa do të jetë 55 milion do të paguhet për 5 vite numri prej mbi 2000 ish të burgosurve politik. Obligohetkomisioni përkatës dhe Ministria e Financave që të realizojnë këtë vendim pas këtij vendimi që do ta marrim sot na mbetet për të punuar për rregullimin përfundimtar të çështjes së veteranëve të luftës dhe të burgosurve padrejtësishtë, të luftëtarëve të UÇK-së, dhe familjeve të tyre”, ka thënë Thaçi.
Gjatë mbledhjes është miratuar edhe Plani i Veprimit për Negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim për vitin 2014. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se Plani për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit,përbëhet nga 355 veprime implementimi i së cilave do të kontribuoj në arritjen e dy objektivave kyçe.
“Plani i veprimit paraqet dokument kyç strategjik të Republikës së Kosovës në rrugën e sajdrejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Plani për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, përbëhet nga 355 veprime implementimi i së cilave do të kontribuoj në arritjen e dy objektivave kyçe”, ka thënë Çitaku.
Edhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, ka prezantuar Planin Vjetor të Punës së Qeverisë.
“Në nëntor të këtij viti është kërkuar ngagjithë ju që të bëni planin e ministrive përkatëse veç e veç dhe për ta harmonizuar atë me nivel të Qeverisë për vitin 2014. Të gjitha Ministritë dhe Agjenisonet e tjera në kuadër të Qeverisë, kanë përgatitur plane të tjera dhe në përputhje me këtë janë dhënë rekomandimet e harmonizuara në tërësi”, ka shtuar Kuçi.
Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë, ka shtuar se Projektligji për Sigurimin Shëndetësor, ka për qëllim qasjen universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës për shërbime kualitative shëndetësore. Ai ka thënë se me qëllim të përmirësimit të indikatorëve dhe përmirësimin e mbrojtjes financiare nga varfërimi për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësorë do të ketë sigurime të obligueshme dhe vullnetare.
Gjatë mbledhjes u bë edhe Shqyrtimi i propozim-vendimit për emërimin e anëtarëve të bordit të PTK-së. Kuçi ka propozuar Rexhë Gjonbalaj, kryesues, Gani Sylen, Bisim Zogajn, Naim Hysenin, Afrim Lokun dhe Syzana Gjelkoviq, anëtarë të bordit.
Ndryshe, kryeministri Thaçi, ka falënderuar spektrin politik qeverisës të koalicionit dhe spektrin politik opozitar, për votimin e buxhetit të vitit 2014, i cili u bë dje në Kuvendin e Kosovës./Kosovapress/
55 milionë për të burgosurit politik
Mblidhet Këshilli Drejtues i PDK’së, pritet debat i ashpër
Hashim Thaçi do ta mbledh sot në ora 16:00 Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale.
Mbledhja mbahet në Hotel Emerald, por deri në këtë kohë PDK nuk ka lëshuar njoftim zyrtar për media.
Duket se ata i frikohen përballjeve të mundshme në mbledhje, të cilat, sipas burimeve të Gazetës Express, janë të pashmangshme.
Ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në këtë mbledhje edhe Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj, të cilët po ashtu janë anëtarë të Këshillit Drejtues.
Dhjetori i Nobelit
Muaji dhjetor është muaji i Nobel-it, si çmim, por edhe si përkujtim i njeriut që e bëri të mundur këtë ngjarje të rëndësisë botërore, sepse ai vdiq më datën dhjetë të këtij muaji. Në këtë kuadër futet edhe ligjërata e fituesit të vitit, të cilat priten me kureshtje të justifikuar. Impresionon përkufizimi i dhënies së çmimit Nobel për prozatoren kanadeze Alice Munro, sepse thuhet: “Mjeshtre e tregimit modern”. Kriter më të pastër letrar nuk gjen, kur dihet se historikisht ky çmim ka pasur ngarkesa të ndryshme. Njohësit e historikut të Çmimit (nga brenda dhe jashtë) thonë se kemi ardhur gradualisht te çmimi si i tillë, pra letrar. Ky proces i gjatë ka njohur shumë diskutime, kundërshtime, çka është normale për atë që prej mbi 100 vjetësh qëndron si çmimi kryesor i botës. Për më tepër, gjatë kësaj kohe, as qasja ndaj letërsisë nuk ka mbetur në vend, por ka evoluar në mënyrë graduale, nga dekada në dekadë.
Një akuzë e fortë për çmimin ka ardhur nga një studiuese franceze që thotë: një çmim francez që jepet nga suedezët. Kjo ironi përkthehet me mbrojtjen që i bën studiuesja konceptit të letërsisë mbi të cilin jepet dhënia e çmimit, pra diçka që suedezët e kanë importuar nga Franca. Një akuzë tjetër është ajo e “imperializmit kulturor”. Duke dalë nga eurocentrizmi (një tjetër akuzë) Akademia ka laureuar shkrimtarë të tillë si Orhan Pambuk apo Gao Zingjian. Turqit ankohen se ky shkrimtar nuk është zgjedhja e tyre, çka nënkupton se kanë të tjera koncepte për zgjedhjen. Kinezët nuk e pranojnë laureatin si të tyrin, duke shkuar deri aty sa t’i çojnë përgëzime Francës. Ideja është se mund të ndryshojë kuptimi i kanonit në vend dhe jashtë tij. Për shembull, Çehovi dhe Pushkini nuk gëzojnë të njëjtin kanon si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit, sepse i pari peshon më shumë në Perëndim, ndërsa i dyti në vendin e vet, një ide që ngre diskutime edhe mbi veprën e njohur “Kanoni perëndimor” e kritikut Harold Bloom.
Një akuzë tjetër është ajo e përzgjedhjeve të dobëta. Me hapjen e dokumentacionit, që shkon deri në pesëdhjetë vitet e fundit, Akademia edhe është justifikuar për raste të veçanta. Një i tillë është ai i laureatit John Steinbeck, për të cilin amerikanët qenë ankuar, duke e parë si autor jo të rëndësishëm, nga ata që e ndikojnë një letërsi, apo dhe me oscilacione në krijimtarinë e tij letrare. Hapja e dokumentacionit vërtetoi se ai kishte qenë “më i miri midis të këqijve”, pasi katër konkurruesit e tjerë (nga maji deri në dhënien e çmimit shqyrtohen vetëm pesë autorë të përzgjedhur), qenë edhe më të parëndësishëm.
Vetëm një panoramë e gjerë e historikut të çmimit do të ndihmonte për të kuptuar se si kanë funksionuar gjërat. Në fillimet e veta çmimi është bazuar në konceptin gëtean të Weltliteratu (letërsi e përbotshme), koncept që i kishte bazat te filozofë gjermanë para tij, por drejtimet që merrte çmimi janë përcaktuar nga njerëzit në krye të Akademisë. Faza 1901-1012 e shihte çmimin Nobel me optikën e idealizmit konservator ala hegelian, që i kishte të shenjta kishën, shtetin dhe familjen. Kjo prirje, që lidhet me qenien e sekretarit në krye të Akademisë, e çoi vlerësimin te shkrimtarë si Bjorstierne Bjornson, Rudyard Kipling dhe Paul Heyse, duke mbajtur larg shkrimtarë si Tolstoi (i konsideruar si shkrimtar i rëndësishëm, por “antikulturë”), Henrik Ibsen (i konsideruar negativ dhe shpirttrazues), Emile Zola (i konsideruar “cinik”), Henry James (i akuzuar si i turbulluar me motive të papastra – ajo që në fakt na tërheq sot) apo Thomas Hardy (heroina e të cilit konsiderohej imorale), sepse nuk i plotësonin kushtet e mësipërme. Politika e neutralitetit (e lidhur me Luftën I Botërore) që ndoqi Akademia në këtë periudhë, u dha shans shkrimtarëve nga vende të vogla: si Suedia (Verner von Heidenstam), Danimarka (Karl Gjallerup) dhe Norvegjia (Henrik Pontoppidan). Në vitet ‘20 ndodh kthesa tek ideja e parë, por këtë herë duke i hapur rrugë shkrimtarëve të tillë, të parë si humanistë, si Romain Rolland dhe George Bernard Show, të cilët nuk mund të përfitonin në faza të tjera. Në vitet ‘30 Akademia përcaktoi kriterin e “dobisë universale”, ku përfituan shkrimtarë si Sinclair Lewis apo Pearl Buck, por mbetën jashtë Paul Valery e Paul Claudel. (Një ide që qarkullon për këtë kohë është edhe: pse Buck e jo Virginia Woolf?!) Në mesin e viteve ‘40 (mbase edhe nga vënia në dyshim e disa vlerave morale mbi të cilat bota mendonte perëndimore se mbështetej deri në Luftën II Botërore) sekretari i ri i Akademisë orientoi evidentimin e “pionierëve”, diçka që po ndodhte në fushën e shkencave. Teoria e dobisë universale u interpretua ndryshe: u kërkua kandidati që e pajiste letërsinë botërore me mundësi të reja në pikëvështrim dhe në gjuhë. Paul Valery nuk e kishte fatin të laureohej, sepse nuk ishte gjallë.
Lista e re fillon me Hermann Hesse, që një dekadë më parë kishte mbetur jashtë me etiketa të llojit “anarki etike” dhe vazhdon me Zhide, Eliot dhe Faulkner. Duhet theksuar se, ndryshe nga Gabriel Garsia Markes më vonë, i brohoritur ndërkombëtarisht si pionier i letërsisë së realizmit magjik, duke qenë një autor shumë i njohur, Faulkner-i u brohorit si një mjeshtër ekselent i prozës moderne kur ishte një autor thuajse i panjohur.
Zbulimi i mjeshtërve, pothuajse të panjohur për publikun ndërkombëtar lidhet edhe me epokën ku evidentohen emra si Isaac Bashevis Singer, Odiseas Elitis, Elias Canetti dhe Jaroslav Seifert.
Poezia shpërthen në periudhën 1990–1996 – Octavio Paz, Dereck Walkot, Seamus Heaney dhe Wislava Szymborska.
Shpërndarja e çmimit nëpër botë, pra ikja nga eurocentrizmi, lidhet me emra si Wole Soyinka, Nadine Gordimer, Kenzaburo Oe, Dereck Walcott, Tony Morrison apo Gao Xingjian.
Kthimi i çmimit si pastërtish letrar shihet viti 1999, kur ai shkoi te gjermani Gunther Grass. Që në vitin 1972, kur u laureua vetë, Heinrih Boell pat thënë: “Pse jo Grass-i?”. Po atëherë Grass-i qe një mjeshtër i vetmuar, qenë shpallur dishepuj të tij të paktën tre nobelistë: Gabriel Garcia Markes, Nadine Gordimer dhe Kenzaburo Oe. Pra, ndërkohë kishte zënë vend mes “pionierëve”.
Direktivën e re për anën letrare të çmimit e shpreh sekretari aktual i Akademisë duke folur për “agimin e një kanoni të ri”. Ai shprehet për dhënien e çmimit si një “ngjarje”, për tërheqjen e vëmendjes së botës për zgjedhjen, duke mbështetur idenë se një libër i madh, pavarësisht gjuhës dhe bekgraundit të tij, i përket lexuesve të të gjithë botës. Letërsia e përbotshme mund të marrë formën e një liste leximesh, duke përmbledhur krenarinë dhe identitetin e çdo vendi. Sidoqoftë, thotë ai, nuk është fjala për një hierarki veprash që japin konvencionin e së përkryerës, por më fort të një hapësire letrare: më fort një paraqitje sesa një traditë të veçantë apo kredo estetike. Diçka që ka ekzistuar në fakt, pavarësisht vërejtjeve të shumta, sepse ka më shumë utopi, sesa përmbushje të qëllimit.
Sidoqoftë, një qëllim ngrihet mbi të tjerët: çmimi Nobel shpalos pushtetin e letërsisë së madhe që thyen kufijtë kombëtarë dhe pushton largësitë në hapësirë, kohë dhe kulturë.
Çmimi që i ka shkuar një autoreje tregimesh si Alice Munro, tregon se ai është ndikuar nga evoluimi i konceptit të letërsisë, dhe se, gjithashtu, do t’ia kthejë forcën e vet ndikuese vetë konceptit të letërsisë, diçka që tregu i lirë e ka penguar me forcë, por, sigurisht, pa ia dalë të thyejë ligjet e zhvillimit të brendshëm të kësaj hapësire të krijimit njerëzor.
Ia vlen të kujtohet ky model edhe për ata shqiptarë që ngrenë në këmbë çmime, edhe për ata të rinj që sapo kanë nisur vrapin në tatëpjetat e letërsisë. /Gazmend Krasniqi-shqip/
Startojnë netët live në “The Voice of Albania”
Sot, në orën 21:00 të mbrëmjes, nisin netët live të spektaklit më të njohur të zërave në Shqipëri “The Voice of Albania”. Zëra fantastik, muzikë e shkëlqyer, katër trajnerët më të mirë të momentit, me prezantimin e padiskutueshëm të Ledion Liços.
Gjithçka do të shijoni sonte do të jetë një risi, duke nisur nga skenografia, e cila është rikonceptuar me dy kate. Pas 12 javësh, kur publiku ka pritur me padurim rrugëtimin e gjatë të konkurrentëve, vjen momenti i shumëpritur, ai më i vërtetë i “The Voice”. “Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i spektaklit do të jetë edhe një prezantuese e re në “The Voice Room”, një personazh i panjohur mediatik, e cila do të përcjellë për publikun gjithçka shkruhet në rrjetet sociale, por sidomos në sajtin zyrtar të këtij spektakli mbi konkurrentët dhe performancat e tyre. Mënyra e votimit është e njëjtë. Ka një risi në nostalgjinë e muzikës shqiptare, e cila rikthehet në “The Voice” me netët live.
Përveç risive në program që të gjithë i kanë parë në televizorët e tyre, këtë vit web-i i “Voice” ka pasur një hov të madh cilësor, me informacione të shumta mbi atë që ndodh në skenë dhe jashtë saj, me intervista të stafit, trajnerëve dhe mbi të gjitha të vetë konkurrentëve finalistë, që kanë treguar ekskluzivisht emocionet, frikat dhe pritshmëritë e tyre për këtë garë”, shpjegon autori i “The Voice”, Rezart Aga. Ndërkohë, sipas tij, pjesa më intensive fillon sonte, me mbulimin në kohë reale të netëve live, në web-in e “Voice” dhe në faqet zyrtare në “Facebook” dhe “Twitter”, ku përveçse do të tregohet gjithçka ndodh, publiku do të ketë mundësinë të komunikojë me konkurrentët duke u dërguar atyre mesazhe përkrahëse ose pyetje, të cilave ata do t’u përgjigjen live gjatë transmetimit
Skulpturat “e gjalla”
Lëkura e tyre, flokët, poret e trupit dhe drita që reflektonin në trupin e tyre dukej se ata ishin të vërtetë.Një çift ishte i shtrirë në krevat, por në fakt ato janë skulptura hiper-realistike të njerëzve. Këto vepra të artit të punuara nga skulptori Ron Mueck janë shfaqur sot në një ekspozitë në Londër. Punimet e tij përbëhen nga plastelina, lesh xhami, silikoni dhe rrëshira artificiale.
Mueck që ka filluar punimin e skulpturave që nga viti 1996, më parë ka qenë aktor i kukullave në një televizion në Angli por punimet e reja shumë shpejt e bënë atë të famshëm. Skulptori, i cili është i njohur për punimet e tij në qetësi dhe mospraninë e tij nëpër intervistat televizive, ka aftësi dhe teknika të cilat më shumë përdoren në teatër apo në efektet speciale të filmave. Pjesë e punës së tij është konstruktimi i njerëzve dhe derisa ai po rregullonte një skulpturë, të tjerat rreth tij dukeshin shumë të mëdha, por edhe pse në një dimension të madh ato duken shumë të vërteta.
Në një intervistë të rrallë ai kishte thënë për Sculpture.org: “Nuk i mendoj ato si manekine apo kukulla. Në njërën anë unë tentoj të krijoj diçka të besueshme kurse në anën tjetër ato janë vetëm objekte. Skulpturat nuk jetojnë por është mirë të qëndrosh para tyre dhe ta pyesësh vetën nëse janë apo nuk janë të vërteta”.
“Por ato janë objekte të përbëra nga lesh xhami dhe mund t`i bartësh sepse janë të lehta. Nëse janë gjëra qesharake për t`i mbajtur në dhomë, atëherë do të isha shumë i lumtur. Nuk do të isha i kënaqur nëse ato nuk do të kishin një lloj prezence që të bën të mendosh se ato janë vetëm objekte”.
Festivali i këngës në RTSH, sot nata e dytë
Mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve ngriti siparin edicioni i 52-të i Festivalit të këngës në RTSH. Gjatë mbrëmjes u prezantuan 8 këngët konkuruese të natës së parë. Ndërkohë këngëtarët pjesmarrës në duet me këngëtarë të njohur të skenës shqiptare, sollën për publikun dhe 8 këngë të njohura të muzikës së lehtë të kënduara ndër vite.
Mbrëmjen e sotme pritet të zhvillohet nata e dytë e festivalit më të madh të muzikës shqiptarë. Edhe këtë mbrëmje do ngjiten në skenë 8 konkurues të tjerë për çmimin e parë. Gjithashtu ata do të përformojnë dhe 8 këngë të njohur të muzikës shqiptare në duet me miqtë e tyre këngëtarë.
Gjatë mbrëmjes së sotme do të ngjiten në skenë këngëtarë dhe grupe si Grupi ‘NA’, Marjeta Billo Xhejsi Jorgaqi, Klodian Kacani, Frederik Ndoci, Besjana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj, Saimir Braho dhe grupiLYNX.
Ashtu si mbrëmë dhe nata e dytë e festivalit do të prezantohet nga Enkel Demi, Xhesika Berberi dhe Marinela Meta.
Pas konkurimit të sotëm, juria e festivalit do të përzgjedhë dhe emrat që do të kalojnë në natën finale. Nata finale krahas emocioneve të konkurimit do të sjellë dhe një sërë suprizash. Nën drejtimin e Enkel Demit dhe aktores Klea Huta, natës finale të festivalit nuk do t’i mungojnë të ftuarit specialë si fituesja e Eurosong 2013, danezja Emmelie Charlotte-Victoria de Forest, dhe Elhaida Dani fituese e ”The Voice of Italy”.
Këtë vit drejtor i Festivalit është Alfons Zeneli, njëherësh edhe drejtor i Radio Tirana. Drejtorët Artistikë janë Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi, ndërsa producent muzikor është Alfred Kaçinari. Regjia e festivalit të këtij viti i është besuar Petri Bozos, skenari Alda Bida ndërsa skenografia mjeshtrit Adnan Kastrati.
Begaj e Agani, flasin për hartimin e strategjisë për parandalimin e etheve hemoragjike
Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot ministrin e Ministrisë e Shëndetësisë, Ferid Agani dhe epidemiologun dr.Isuf Dedushaj. Begaj dhe Agani në këtë takim kanë biseduar për vazhdimin e implementimit të strategjisë kombëtare për luftimin e etheve hemoragjike, me theks të veçantë, implementimin e kësaj strategjie në komunën e Malishevës, pasi konsiderohet si territor më shumë i prekur nga ethet hemorragjike.
Agani, uroi kryetarin Begaj, për suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale dhe zgjedhjen e tij për kryetar të Malishevës.
“Ne jemi të gatshëm, që me të gjitha potencialet tona si komunë, të angazhohemi së bashku me ministrinë e shëndetësisë dhe ministritë tjera, të angazhohemi në fushatat e ndryshme, si në dezinsektim, fushata vetëdijesimi dhe forma tjera, në luftimin e kësaj sëmundje dhe zbutjen e këtij virusi, në mënyrë që pasojat nga thumbimi i rriqrave, të jenë të sa më të vogla”, tha Begaj.
Në anë tjetër, ministri Ferid Agani, u zotua se do të bëjë gjithçka që është e mundur për zbatimin e planit strategjik kombëtar, kundër etheve hemorragjike.
“Plani është hartuar dhe vetëm pritet që miratohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, përderisa edhe këshilli ndërministror, është duke punuar në këtë drejtim”.
“Fushatën e dezinsektimit, do ta implementoj Ministria e Bujqësisë, ndërsa ministritë tjera, do të merren me aspektet tjera për zbatimin e kësaj strategjie, për të cilën janë paraparë edhe mjetet financiare, ndërsa planifikojnë që në vitin 2014, kjo fushatë të fillojë sa më shpejt që është e mundur”./PrizrenPress.com/
Përfaqësuesit e Universitetit Yalova, vizituan UPZ-në
Ushtruesi i detyrës së Rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. dr. Zahadin Shemsedini, ka pritur një delegacion nga Universiteti i Yalovës të Turqisë, i prirë nga Ismail Kadak zyrtar i lartë në këtë universitet.
Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e ndërtimit të një qendre spitalore moderne në Prizren nga Universiteti i Yalovës, ku do të ofroheshin shërbime për qytetarët e Prizrenit dhe tërë Kosovës.
Në kuadër të këtij spitali do të jetë reparti i Kardiologjisë, Onkologjisë, Hemodializës, etj..
Gjithashtu do të ofrohet ndihmë në përgatitjen e kuadrove vendor. Investimi do të jetë jo-fitimprurës, i tërë në shërbim të qytetarëve.
Në këtë projekt parashihet edhe hapja e Fakultetit të Mjekësisë në kuadër të UPZ-së, kuadrot, të secilit nivel që do të japin mësim në këtë Fakultet do të aftësohen në Turqi.
Menaxhmenti i UPZ-së u zotua se do të ju ofrojë bashkëpunim të plotë në realizimin e këtij projekti, të cilin e vlerësoi të një rëndësie të veçantë për Prizrenin dhe më gjerë.
Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe Universiteti i Yalovës, janë universitete partnere dhe mundësia e realizmit të këtij projekti është në vazhdimësi të bashkëpunimit mes dy universiteteve. /PrizrenPress.com/
Fatmir Sejdiu i gatshëm të kthehet në krye të LDK’së
Parashikimet për zgjedhjet i kanë dal thuajse në të gjitha komunat. Mendon se Isa Mustafa vet ka faj që e humbi kryeqytetin dhe edhe LDK-në nuk po e udhëheqë si duhet.
Shprehet i gatshëm të kthehet në krye të kësaj partie dhe flet se kur ky ka kundërshtuar gjashtë pikëshin dhe se ka pasur të tjerë që e kanë pranuar atë.
Në një intervistë për KosovaPress, ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e pranon për herë të parë se ka pasur njerëz që janë pajtuar me gjashtëpikëshin dhe asi që janë pajtuar me bisedime paraprake, e kjo po vërehet tani, e që sipas tij, nuk kanë qenë të autorizuar për këtë.
Zgjedhjet e fundit i quan të mira dhe mendon se ka pasur këndellje të qytetarëve.
Për Kushtetutën e vendit thotë se nuk duhet ndryshohet sipas kërkesave të pakicave dhe nëse bëhet është tejet e rrezikshme.
Madje Sejdiu thotë se LDK-ja ende nuk e ka bindur me qëndrimet e saj për bisedimet dhe statusin dhe se mund të kthehet në krye të saj, nëse anëtarësia e LDK-së e kërkon.
Për Ligjin për Amnisti thotë se do e ndryshonte dhe se duhet pasur kujdes me të.
Zgjedhjet lokale 2013
Pajtohet se ishte proces më i mirë dhe më i rregullt se të kaluarat dhe, po ashtu, e konsideron si një përgjigje reale për rrethanat dhe vullnetin politik të qytetarëve.
Edhe KQZ-ja dhe institucionet e sigurisë mendon se patën ndikim, por, përmend çka ndikoi më së shumit.
“Ka shumë faktor që kanë ndikuar, mbase lodhja e qytetarëve me ballafaqimin me rezultat tjetër nga ajo që mund të ketë qenë dhe që ka qenë realisht vullneti i tyre, e dyta mendoj se jemi në një fazë të re të zhvillimit shtetërorë dhe juridik të shtetit të Kosovës në kuptimin e një interesimi më real dhe më praktik të faktorëve të rëndësishëm me peshë që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve, por edhe të subjekteve politike që u është ngushtuar të them atyre që kanë pasur afinitete për të abuzuar me proceset apo partizanët e tyre si dhe e treta, mund të jetë element i rëndësishëm prezenca ndërkombëtarëve që ka qenë më e angazhuar se herët e mëparshme”, thotë ai.
Uron që kjo përvojë e mirë e këtij lloji, edhe pse, sipas tij, lë shumëçka për të dëshiruar, që të bëhet më mirë, të jetë uvertyr për proceset e ardhshme zgjedhore në mënyrë që vullneti politik i qytetarëve të vijë në vend.
Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve lokale?
Fatmir Sejdiu vlerëson se fitues ishte qytetari dhe se partitë po flasin për shifra që nuk qëndrojnë.
Përmend partitë me radhë ku thotë se PDK-ja ka pasur rënie e LDK-ja e ka humbur qendrën që secili do e donte, Prishtinën.
Sejdiu vlerëson se qytetarët u janë përgjigjur kryetarëve të deritanishëm dhe se është hapur një mundësi e mirë që qytetarët të votojnë atë që duan.
Thotë se Isa Mustafën e ka paralajmëruar duke e parë shkëputjen totale me qytetarët dhe mendon se këta të fundit i dhanë përgjigje për sjelljet që kishte.
“Në shifra përfundimtare e shohim se ka ngritje dhe rënie, por ato nuk janë për të nxjerrë një kurajo të fuqishme siç janë tani. Këtë e gjejmë tek secila parti politike, ndonjë prej tyre ka shprehur pakënaqësitë e ndonjë e ka gjetur surprizën e parë se kemi një element të tillë. Shohim se tek PDK-ja nuk është ajo shifër e votuesve që ka pasur më herët, dihet rrethanat se çfarë ajo mund të ketë rezultuar për shkak të përplasjeve të mëdha, dihet edhe një rezultat pak më tjetër tek AAK-ja, po ashtu tek LDK-ja konsiderohet se është shtuar një numër i konsideruar i votuesve që duhet të lidhet edhe me numrin e shtimit të votuesve të përgjithshëm në Kosovë por është humbur kryeqyteti që është një nga qendrat më të rëndësishme që ka dhe ambicie ta mbaj secili subjekt politik dhe e treta që nga kjo të gjejmë një satisfaksion të përgjithshëm që duhet të mobilizohet secili nga subjektet për të plasuar idenë e vet dhe projektin e vet”, thotë ai.
Procesi i njohjeve!
Pranon se asnjëherë nuk ka pritur që të arrihen 100 njohje shumë shpejtë, por beson se vendet më të fuqishme e kanë njohur dhe sfidë kanë mbetur pesë vendet e BE-së.
Thotë se zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe diplomacia edhe më aktive do ndikonin shumë në njohje të reja.
Këshillon që të lihen lëvdatat e të punohet për njohje të vendit.
“Ka edhe çështje që janë të varur nga puna jonë, them se shumë çështje që lidhen me zhvillimin e brendshëm që kanë të bëjnë me aspektet ekonomike, me aspektet e sundimit të ligjit edhe në aspektet e një diplomacie edhe më aktive në sferën ndërkombëtare duhet të punohet më shumë, gjë që ka munguar. Më shumë ka pasur rrahagjyksje sesa punë dhe kjo ka bërë dëme, dëme ka bërë edhe gara se kush po sjellë njohje më shumë. Për ne është e rëndësishme njohja e Kosovës jo për njerëzit trumbetues të takimeve apo garancive”, thotë ai.
Bisedimet!?
Kur flet për bisedimet, për herë të parë deklaron se ka pasur njerëz që kanë përkrahur gjashtë pikëshin dhe të tillë që kanë qenë pajtuar në bisedime paraprake të paautorizuara dhe jo mbi bazën institucionale.
“Serbia ka pasur qëllim komprometimin e gjithë kësaj që kemi arritur deri më tani, realisht ka arritur që të bëjë pengesa të shumta, të shkaktojë pasoja të shumta dhe të mbaj pezull ecjen e proceseve tona të përgjithshme. Prandaj, në këtë kuadër unë them se ajo pjesë e trysninë ka qenë edhe më herët. Unë me këmbëngulësi kam qenë kundër asaj politike apo atyre ideve që kanë qenë të shfaqur në gjashtë pikëshin, këtë nuk e them se si i tillë tek disa vende nuk ka qenë ideja apo ndjenja e mirë, por ka pasur edhe në këtë kuadër ndonjë prej vendeve që mund të jetë një diçka që në një formë apo tjetër do të kapërcente këtë rubikon. Ka pasur bisedime, ka pasur të tjerë që janë pajtuar me idenë, e them për herë të parë, ka pasur të tjerë që i shohim tash në komunikimet e vonshme që në një formë apo formë tjetër kanë qenë pajtuar në bisedime paraprake të paautorizuara dhe jo mbi bazën instituciona le që mund të ndërtohet edhe ndonjë mekanizëm tjetër që të rehatohen komunitet pakicë”, thotë ai.
Nuk flet kush kanë qenë ata, por premton se një ditë do të shpalos edhe emrat e secilit.
Kur flet për ndryshimet e Kushtetutës thotë se ajo mund të bëhet vetëm me vullnetin e shumicës së popullit.
“Kushtetuat në procese normale mund të ndryshohet me atë që është vullnet i përgjithshëm i qytetarëve të vendit, të studiohet mirë ajo punë, nga të gjithë faktorët politik që e bëjnë vendin dhe në atë situatë të ipet një rezultat, por të bëhet Kushtetuta vetëm pse kemi një ide apo kërkesë të një grupi të caktuar dhe për atë hatër të bëhet dhe të ndryshohet karakteri i asaj që është ndërtuar deri tash, është e rrezikshme”, thotë ai.
Ligji për Amnisti
Sejdiu shpjegon se çdo ligj që Presidenti nuk e nënshkruan brenda tetë ditësh ai hyn në fuqi, por thotë se duhet pasur kujdes që me Ligjin për Amnisit të mos amnistohet krimi ekonomik, veprat penale të kryera në formën çfarë kanë qenë deri në asgjësimin fizik.
“Unë them se jo të gjitha i mundëson kjo, por Gjykata duhet të ketë kujdes me seleksionimin normal dhe nxjerrjen, të themi, të mbështetësve të veprimtarisë së tyre në atë pjesë, e cila do të jetë reale e që është frymë e vet Ligjit… Do të këkroja ndryshime të këtij Ligji?
LDK-ja dhe angazhimi i tij
Presidenti Sejdiu thotë se partia e tij, megjithëse e kanë shpallur kryetar nderi, kjo nuk do të thotë se ai do pensionohet. Shprehet i gatshëm që të kthehet në krye të kësaj partie kurdo që është nevoja dhe vlerëson se kryetari aktual i saj, Isa Mustafa, përveç që ka humbur Prishtinën edhe ka zvogëluar numrin e asambleistëve në këtë komunë.
Këshillon që t’i hapin sytë dhe të mos shikojnë statistikat që nuk janë tregues real dhe që LDK-ja të bashkojë gjithë energjitë e saj e të ecë më shpejtë.
Ai nuk pajtohet që Ligji Zgjedhor ishte shkaktar për humbjen e Prishtinës, thotë se po me atë Ligj e fituan Gjilanin, Pejën e madje e rikthyen Suharekën.
“Po mund të them se është një përgjigje, është një përgjigje, unë kam dhënë mendimin tim edhe në situata të mëhershme se duhet shumëçka të shkojë ndryshe. Nuk jam që të mos ketë të rinj, por jam ithtar i thellë i asaj që të mos jetë Lidhje e Re e Demokratike e Kosovës, që nënkupton në mendjen e ndonjërit që të shkëputet zinxhiri i traditës, i asaj lufte të madhe politike që kemi bërë në ndërtimin e saj dhe realizmin e projektit të përgjithshëm që është esencialisht idea e rugovizmit. Më vjen keq që duhet ta them, por sot nuk kanë guximin të flasin ata që gjithë ditën e lume flasin për rugovizimin po të përballen se cila është idea e vërtetë e rugovizimit. Nganjëherë them se mbase njerëzit mund të lodhen, me një qasje jo racionale dhe me diçka që nuk është esenca e vërtetë që LDK-ja e ka”, thotë Sejdiu.
Sejdiu deklaron se në degët e LDK-së nëpër Prishtinë ka debat të thellë dhe se dikush po tenton ta mbyll atë debatdhe po dilet me komunikata që gjithçka po shkon mirë, e kjo, sipas tij, po e dëmton partinë.
“LDK-ja fatkeqësisht deri më tani nuk më ka bindur me qëndrimet e veta rreth statusit dhe rreth bisedimeve, cilësimet e tyre me një qëndrim jokonstant, qëndrim që ka lëviz. Nuk është për një parti e nevojshme që të ketë një pozicion sot dhe të lëviz nesër, një pozicion tepër radikal dhe nesër të del plotësisht i kundërt 180 shkallë tjetër, me këtë humbet serioziteti i partisë. Qëndrimet duhet të piqen me kohë”, thotë ai.
Ramushi ia “pa sherrin” Blerimit!
Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka konfirmuar se mbështetja që i dhënë Qeverisë në procesin e dialogut me Serbinë e ka dëmtuar këtë parti në zgjedhjet e fundit lokale. Megjithatë, në AAK konsiderojnë se dialogu është proces shumë i rëndësishëm për Kosovën, përderisa është ngritur dilema nëse do të vazhdoj edhe më tutje të jetë pjesë e dialogut nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka pranuar se kjo parti është dëmtuar nga pjesëmarrja më dialogun më Serbinë, sepse, siç thotë ai, është nënkuptuar si përafrim me Qeverinë e Kosovës, kështu që qytetarët e Kosovës duke dashur ta ndëshkojnë pushtetin aktual e kanë ndëshkuar edhe AAK-në.
“Në çështjet nacionale kemi qenë bashkëpunues dhe do të jemi bashkëpunues, sepse nuk mund të jemi indiferent ndaj proceseve në Kosovë dhe kjo në njëfar forme i është përshkruar Aleancës si përafri me Qeverinë dhe normalisht që ka kushtuar edhe me votë”, ka deklaruar Isufi, shkruan Zëri.
Ai më tej ka shtuar se partia e Haradinajt nuk e ka shqyrtuar pozicionin e saj në dialog, megjithatë, sipas tij, AAK gjithmonë do të kontribuojë në çështjet e rëndësishme për vendin.
“Nuk e kemi shqyrtuar pozicion tonë ndaj bisedimeve, por mund të them se për çështje nacionale ne do të jemi konstruktiv dhe nuk mund të tërhiqemi nga ato që janë vendime të mëdha të vendit”, ka përfunduar ai.
Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi ka deklaruar se këto zgjedhje janë karakterizuar me ndëshkimin e keqqeverisjes dhe sipas tij në këtë rast përafrimi i AAK-së me PDK-në, partisë së Haradinajt i ka kushtuar me humbjen e disa komunave me të cilat ka qeverisur deri tani. Por Matoshi ka shtuar se pjesëmarrja e AAK-së në dialog ka ndikuar vetëm tek një pjesë e vogël e votuesve. Prandaj, sipas tij, nuk mund të thuhet se pjesëmarrja në dialog është faktori kryesor në rezultatet e AAK-së. /Zëri/