14 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 9120

Letër nga Prizreni, “Jerusalemi” i vogël i Kosovës

0

Prizreni5-24Liam Hoare – Votim Demiri më drejtonte nëpër labirintin e rrugëve të ngushta e ndërtesave me kulme të pjerrëta të kuqe, deri tek shtëpia e tij në qytetin me 178 mijë banorë, në një kthesë në lumin Bistrica të Prizrenit. Në zyrën e tij, Demiri, kryetari i bashkësisë hebraike në Kosovë, me krenari tregon fotografitë e takimit të familjes së tij me liderë të ndryshëm, përfshirë edhe presidentin izraelit, Shimon Peres. Ai bëri me gisht tek kalendari që ia dha Komiteti i Përbashkët i Shpërndarjes Amerikano-Hebraike (JDC). JDC ka bërë punë të madhe në këtë ish-provincë të shkëputur të Serbisë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Shtëpia Demirit – “Shtëpia hebraike”, siç i referohet ai – formon një pikë të trekëndëshit në lagjen e tij me dy vende të shenjta islame. Më vonë, ai më dërgoi në qendrën historike të Prizrenit, të vendosur rreth një ure guri të vjetër që shtrihet te Bistrica e Prizrenit. Ai theksoi se xhamia e Sinan Pashës gjendet afër kishës ortodokse serbe dhe shkollës katolike.

“Ky është Jerusalemi jonë”, tha ai.

Prizreni është si Jerusalemi, më shumë se ç’mund të mendojë dikush – për të mirë e për të keq. Siç krenohet Demiri, qyteti në 40 milje në jug të kryeqytetit të Prishtinës, ka shumësi etnish, përfshirë shqiptarët e besimeve të ndryshme, islame dhe katolike, dhe një total prej 56 hebrenjve.

“Shqiptar sunitë, suni sufitë, katolikët dhe hebrenjtë gëzojnë një ndjenjë të ngrohtë të identitetit të përbashkët komunal në Prizren”, thotë Stephen Suleyman Schwartz, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington.

Megjithatë, qyteti nuk është i huaj për urrejtjet etnike që kanë shkatërruar Ballkanin për dy dekada, që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe pse ishte kursyer nga më e keqja e ekseseve të luftës në Kosovë, forcat serbe kanë spastruar në mënyrë sistematike disa zona shqiptare të qytetit. Shqiptarët përzunë shumicën e komunitetit të vogël serb pas fitores në vitin 1999, dhe detyruan pothuaj tërë të tjerët të largohen pas trazirave të vitit 2004

“Ndonëse qyteti është i bukur, i animuar dhe mikpritës”, thotë Schwartz, “shqiptarët dhe serbët nuk kalojnë mirë këtu”.

“Brenda kësaj përzierjeje të parehatshme, jetojnë pothuajse të gjithë hebrenjtë e Kosovës. Komuniteti i vogël nuk ka pasur prezencë të rëndësishme në jetën publike për një kohë të gjatë”, shpjegon Noel Malcolm, ligjërues në All Souls College, Oxford. Komuniteti është tkurrur dukshëm, madje edhe nga 360 sa kanë mbijetuar Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin.

Dhe, prapë në Prizren dhe në Kosovë si tërësi, ekzistenca e komunitetit është e vlefshme, sepse shërben si një shembull i fuqishëm në Evropë dhe në botë se si një pakicë hebraike mund të mbijetojë në mesin e myslimanëve.

“Ata gëzojnë historinë e vërtetë të bashkëjetesës pozitive dhe të pranimit të ndërsjellë në atë që është një shoqëri mbizotëruese myslimane”, thotë Malcolm.

Kjo bashkëjetesë u shqua në tmerrin e Shoah. Në prill të vitit 1941 Kosova ishte aneksuar nga Shqipëria e kontrolluar nga italianët. Deri në shtator 1943, të dy territoret ishin nën pushtimin gjerman. Gjatë gjithë kësaj periudhe, në tentimet për të dorëzuar në masë hebrenjtë tek autoritetet naziste, shqiptarët refuzuan të bashkëpunojnë, duke fshehur hebrenjtë në shtëpitë e tyre, duke u siguruar atyre ushqim dhe veshmbathje, si dhe duke u dhënë atyre emra myslimanë dhe dokumentacione të rreme. Në Kosovë, 258 hebrenj u dëbuan në Bergen-Belsen, 92 nga të cilët u vranë. Por, më shumë se 2,000 hebrenj u shpëtuan në gjithë Shqipërinë dhe Kosovën.

Për të kuptuar heroizmin e shqiptarëve duhet njohur faktin se ata ishin të udhëhequr pjesërisht nga besa, një kod i lashtë dhe popullor i nderit që përcakton se ata duhet të sigurojnë mbrojtje për çdo person që vë këmbë në pronën e dikujt, madje edhe deri në masën e rrezikimit të jetës.

Schwartz shton se kjo gjithashtu reflekton “mungesën e paragjykimeve anti-hebraike në shoqërinë shqiptare” që ndërlidhet edhe me “kujtesën kulturore” të pozicionit tolerant të hebrenjve në shoqërinë otomane dhe për faktin se hebrenjtë kanë luajtur rol të rëndësishëm historik në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Pavarësisht nga kjo histori, pozicioni hebrenjve sot në Kosovë është jashtëzakonisht i brishtë. Në një komb axhami me një normë papunësie prej të paktën 45 për qind, të varur nga ndihma e huaj dhe remitencat nga diaspora, hebrenjtë e Kosovës nuk janë të mbrojtur nga efektet e varfërisë dhe të papunësisë. Ndihma e JDC-së mbetet kritike edhe në nivelin më bazik. Çdo dimër, për shembull, çdo anëtar i komunitetit merr 150 dollarë nga JDC për karburant apo dru zjarri.

Në këto kushte ekonomike dhe me një numër të tillë, jeta e hebrenjve nuk mund të lulëzojë.

Demiri shpjegoi se dy familje hebraike u larguan në vitin 2001, për t’u vendosur në Izrael. Ata që mbeten janë kryesisht shumë të varfër për të kontribuar financiarisht, në formën e anëtarësisë, për komunitetin hebre. Disa mbijetojnë nga ndihma e donacioneve nga organizatat joqeveritare, si JDC apo shoqatat tjera bamirëse.

Komuniteti hebre i Prizrenit po ashtu nuk ka një hapësirë të përbashkët, apo sinagogë. Në kryeqytetin e Prishtinës, ish komuniteti hebre kishte mbajtur dy sinagoga dhe një jeshiva deri në Holokaust. Por, komuniteti atje u tret drejtë asgjëje pas lufte, dhe sinagoga e fundit u shemb më 1963. Në vendin e sinagogës së vjetër, në qendër të qytetit, qëndrojnë tani ndërtesat qeveritare, si dhe memoriali i sapo përuruar i Kosovës për Holokaustin.

Dëmshpërblimi për këtë pronë mund ta realizojë vizionin e Demirit për qendrën e komunitetit hebraik në Prizren, me një sinagogë të vogël të inkorporuar brenda. Por, ndonëse shumë ish republika jugosllave kanë miratuar ligje mbi kthimin, Kosova ende nuk e ka plotësisht të zgjidhur këtë çështje. Situata është e komplikuar nga fakti se kodi ligjor i Kosovës është një grumbull i ligjeve të vjetra jugosllave dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara, të miratuara gjatë kohës kur ky trup botëror shërbente de fakto si qeveri, dhe legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Valët e vjedhjes së pronës nga ana e monarkisë jugosllave para Luftës së Dytë Botërore, nga qeveria komuniste gjatë periudhës së pasluftës, dhe regjimi serb i Slobodan Milosevicit, e ka ngatërruar edhe më shumë këtë aspekt.

Lufta për të mbështetur jetën hebraike nuk ka ndalur përpjekjet e hebrenjve të Kosovës dhe bamirësive hebraike për të vazhduar frymën e bashkëpunimit ndërkomunitar. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2006, JDC ishte aktive në Kosovë në projekte josektare nga e cila ka përfituar popullata lokale shqiptare. Ndoshta më e rëndësishmja nga këto, së paku simbolikisht, ishte rindërtimi i xhamisë në Shqiponjë, një fshat kodrinor në perëndim të Kosovës.

Gjatë kasaphanës së Milosevicit kundër popullatës së Kosovës, xhamia në Shqiponjë ishte një prej 200 apo më shumë vendeve të tilla të kultit, të dëmtuara, të përdhosura ose të shkatërruara nga forcat serbe. Duke punuar së bashku me komunitetet islamike dhe katolike të Kosovës, JDC ndihmoi në financimin e restaurimit të një strukture që s’ishte gjë tjetër pos skelet, përfshirë rindërtimin e kupolës së praruar dhe minares.

Fondet e JDC-së për hebrenjtë e Prizrenit dhe komunitetet tjera hebraike në rajon “mbushin bateritë”, thotë Demiri. Kohë pas kohe, JDC kujdeset që fëmijët të kenë mundësi të marrin pjesë në kampet verore hebraike të organizuara për të rinjtë në ish Jugosllavi, në Pirovac të Kroacisë.

Pavarësisht nga sfidat, bashkësia hebraike ia del të shënojë aq sa mundet çdo sabat dhe çdo ditë tjetër të shenjtë. Anëtarët organizojnë takime në shtëpitë e njëri-tjetrit, shpesh në atë që Demiri e quan “shtëpia hebraike”, shumë pranë xhamive në rrugët e ngushta të qytetit të vjetër.

Për të tashmen dhe të ardhmen e parashikueshme, Demiri thotë: “Unë jam president, rabin dhe kantor”.

Një person theret me thikë, prokurori e liron të arrestuarin

0

Thika5-22Një person është therur me thikë mbrëmë në fshatin Gjinoc të Suharekës. Policia bënë të ditur se i dyshuari është arrestuar.

Viktima ka raportuar në polici se kishte ndodhur një mosmarrëveshje me të dyshuarin, ku ky i fundit ka goditur me thikë viktimën dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Siç transmeton Indeksonline, viktima ka marrë tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit dhe është liruar në shtëpi. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar.

Drrasa: Tuma 2400-vjeçare e Velaresë nuk është monument

0

drrasaBabëzia e ka bërë popullin shqiptar të dhunojë varret! Të dielën në mbrëmje ose mbase në të gdhirë të së hënës, persona ende të panjohur kanë dhunuar dhe shkatërruar pothuaj tërësisht, tumën antike të Velaresë. Varret 2500-vjeçare kanë rënë pre e keqbërësve që kërkojnë “thesare” a metale, duke humbur kështu mundësinë për tu bërë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Spartak Drrasa, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Gjirokastrës, rreth që përfshin edhe luginën e Drinos ku gjendej kjo tumë, ka deklaruar dje për “GSH” se ato nuk ishin monument kulture.

“Pavarësisht vlerave që mund të kenë, për shkak të shekujve të jetëgjatësisë, kjo tumë nuk është shpallur monument. Ne nuk e kemi në inventarin tonë të pasurisë”, thotë Drrasa, i cili ka qenë edhe personi që iu është drejtuar uniformave blu për të bërë denoncimin për ngjarjen. “Duhet thënë, -shton ai, – se shumë pasuri kulturore nuk janë shpallur monument, hap që ndërmerret pas një sërë studimesh serioze”. Sipas tij, kishte shumë gjasa që kjo tumë të vihej në mbrojtje nga shteti, mirëpo pas dëmtimit fatal të së dielës, shanset janë zhdukur. “Unë bëra denoncimet në Policinë e Shtetit, duke e cilësuar si një objekt që do iu shërbente studiuesve dhe arkeologëve. Por, monument nuk është shpallur edhe sepse nuk është studiuar sa duhet. Nga studimet e pakta që kanë bërë arkeologët nuk kanë hasur në objekte që ti tërhiqnin për gërmime më të thella”, -sqaron Drrasa.

Ai thotë se keqbërësit mendohet të kenë përdorur mjete të rënda për të gërmuar në to. Sipas tij, ata kanë hequr kapakët e varreve, të cilët duke qenë tepër të rëndë, të bëjnë të mendosh se kanë qenë disa persona të pranishëm. “Për fat të keq, nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla. Keqbërësit kontrollojnë për gjëra me vlerë. Ata kanë lëvizur pllakat e tre varreve dhe pas kësaj duket se kanë kërkuar në brendësi për materiale me vlerë. Nuk kemi dijeni nëse kanë gjetur apo jo objekte”, shpjegon drejtori i kulturës. Nga këqyrja e vendngjarjes, nuk rezulton të ketë gjurmë rrotash makine, për të përcaktuar mjetin e përdorur, megjithëse sipas Drrasës, për shkak të kohës së thatë, nuk mbeten gjurmë të dallueshme në zonën përreth. Në Shqipëri, nuk vidhen vetëm ikona e ikonostase, kisha, muze a galeri, pasi babëzia dhe mungesa e kontrollit, e mungesa e frikës nga ligji a nga shteti, i ka bërë njerëzit të dhunojnë edhe varret qofshin ato edhe antike.

Kur u zbuluan varret
Katër varret antike u zbuluan pesë vjet më parë nga një ekspeditë arkeologësh në qendër të luginës së Drinosit, në fshatin Valare. Sipas arkeologëve, ato i përkisnin periudhës historike të shekullit IV- III para Krishtit dhe ndodhen në fund të një parcele ndanë bregut të majtë të rrjedhës së lumit Nimica, një prej degëzimeve që pasi zbret nga shpatet e malit të Lunxhërisë, ushqen me derdhjet e tij lumin Drino. Zbulimi i grupit të varreve antike është bërë gjatë inkursioneve të një ekspedite informative të organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Antigonesë për të fotografuar dhe dokumentuar kështjellat, sitet dhe objekte të tjera arkeologjike që gjenden në Luginën e Drinos. Më 2008-n, prof.dr.Dhimitër Çondi, arkeolog i njohur, u shpreh në media se “fillimisht varret janë zbuluar në fillim të viteve ’80 gjatë punimeve të mjeteve bujqësore për sistemimin e parcelave përreth ish-kompleksit të mbarështimit të gjedhit, por prej asaj kohe askush nuk ka treguar interes për gërmimin dhe studimin arkeologjik të këtij objekti të rrallë të lashtësisë”. Ai pati shtuar se objekti monumental në luginën e Drinos ( që shtrihet në një zonë rreth 30 metra), që si rezultat i ndërhyrjes brutale dhe shkatërrimit me buldozerë rreth 30 vjet më parë, tani i kanë mbetur vetëm 4 varre, dy prej tyre të plotë dhe dy të dëmtuar pjesërisht.

“Kemi të bëjmë me 4 varre të rregullta të ndërtuara me pllaka monolite prej guri nga shtufi i zonës përreth, që janë pjesë e një varreze më të madhe në formë rrethore, e cila i përket periudhës historike antike, të cilët për çudi, as janë identifikuar nga strukturat e ruajtjes së monumenteve dhe as janë gërmuar deri tani nga ekspertët e arkeologjisë”, është shprehur arkeologu, Dhimitër Çondi.
Varret kishin një formë paralelepipedi të rregullt, ku çdo faqe e varrit formohet nga një gur i vetëm shtufi me dimensione që shkojnë nga 1,8 deri në 2,3 metra të gjatë dhe nga 0,7 deri në 1 metër të gjerë, ndërkohë që trashësia e gurëve varion nga 18 deri në 23 centimetra. Katër varret e zbuluara së fundi, të mbetur nga një varrezë e plotë, janë të vendosur në formë të harkuar gjysmërrethore me shtrirje nga lindja në perëndim, në një gjatësi rreth 18 metra. Varre të ngjashme monumentale janë ndeshur edhe në disa pika të tjera të luginës së Drinos, si në Antigone, Jergucat, Sofratikë dhe Melan. “Vlerësimi i këtyre varreve antike monumentale të Valaresë, paraqet interes të veçantë edhe për t’u kthyer në një pikë të vizitueshme, pasi këtë gjë e favorizon së tepërmi, prania e siteve dhe objekteve të tjera arkeologjike dhe historike në luginën e Drinos. Vendndodhja e tyre rreth 800 metra larg zyrave të Komunës së Lunxhërisë dhe sidomos fakti që varret ndodhen rreth 200 metra larg “Hanit të Xharave”, ku Ali Pashë Tepelena, masakroi burrat e Kardhiqit në fillim të shekullit të 19-të, e bëjnë pozicionin e këtij monumenti mjaft të përshtatshëm për t’u vizituar”, është shprehur në mars të 2008-s Ëngjëllush Serjani, drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Antigonesë./bw/

Botohet monografia, “Diva Shqiptare, Margarita Xhepa’’

0

margarita-xhepaShkrimtari Miho Gjini pas promovimit të monografisë “Diva Shqiptare, Margarita Xhepa’’ në Athinë tregon se si ka arritur ta botojë librin me kursimet e veta.

“Ka qenë një adhurim i hershëm për këtë artiste , qysh 50 vjet më parë. Margaritën, për herë të parë nga afër e kam njohur në skenën e Estradës së Shtetit, kur unë mësoja në shkolllën” Fulcit” në Tiranë. Njëherë në muaj na sillte kujdestari i konviktit estradë, ku nuk mund të qeshnim pa parë nga ai (sikundër na kishte porositur në qeshte ai, qeshnim edhe ne). Mirpo, kur dilte Margarita që të recitonte na rrëmbente aq shumë me emocionet e ekspresivitetin e bukurisë së saj, saqë ne harronim kujdestarin dhe brofnim në këmbë duke “ ulëritur” nga entuziazmi. Ndofta edhe pasioni për artin “mu zgjua’ atëherë prej talentit e forcës së saj sugjestionuse” tregon Gjini.

Ai tregon se titullin “Diva Shqiptare” ua ka “vjedhur’’ grekëve , të cilët e kanë njohur artisten tonë me filmin “Mirupafshim” me realizimin skenik të tragjedive antike “Elektra”, “Trojanët”, “Legjendën e vëllait të vdekur” etj.

Shkrimtari tregon se e shkroi librin ,por nuk kish se me se ta paguante.

“I’u drejtova shumë njerëzve të kamur, qeveritarëve , deputetëve , biznesmenëve , institucioneve , enteve private etj. Askush nuke dëgjoi zërin tim të ngjirur, qoftë edhe për Margaritën tonë të madhe ( Nderi i kombit), e cila qe ngjirur paksa si shumë për të gjithë këta. As vetë ajo nuk mundej ta paguante. Margarita shtangu kur e pa librin të botuar. Ishte dita e 8 marsit. E shfletoi aty përpara meje dhe u skuq e tëra. Më pa e përlotur. Artistët flasin edhe pa fjalë. Disa ditë më vonë, në celularin e “Robinsonit” u dëgjua zëri i saj i ndrojtur: -“ Ke bërë një punë të shkëqyer o njeri i mirë,po fotot kanë dalë për ibret…”Heshta dhe i thashë vetes: “ E ç’tu desh, o i zi, që u more me këtë punë , kur e ke xhepin të grisur, edhe ti, edhe Margarita”, pohon ai për “Shekullin’.

Gjini shprehet se është e dhimbshme që talentet tona të mëdha, të huajt i vlerësojnë dhe i nderojnë më tepër

Miratimi i lejeve për ndërtimin e dy HEC-eve kërcënon dëmtimin e Kanionit të Langaricës në Përmet

0

kanionetDeputeti i PS-së Auron Tare ka denoncuar sërish kërcënimin që i kanoset Kanionit të Langaricës në Përmet pas lejes së ndërtimit të dy HEC-eve te miratuara nga Qeveria Berisha.

“Ajo që të lë pa gojë në këtë projekt është fakti se investitorët dhe shteti nuk kanë bërë asnjë studim mbi vlerat kulturore dhe ambjentale të këtij Kanioni. Në këtë zonë jo vetëm janë banjat termale të famshme të Benjës, por janë diku tek 10-12 shpella të pa eksploruara ende të cilat kanë materiale arkeologjike shume të hershme duke i bërë ato një potencial shumë të rëndësishëm për studime dhe turizëm kulturor”, shkruan Tare.

Sipas tij, “ Duhet një debat i hapur me komunitetin mbi ardhmerinë e këtyre investimeve pasi nëse Kanioni i Langarices do të dëmtohet kemi një humbje të madhe për natyrën shqiptare dhe një humbje të madhe për zonen e Permetit si një zone me të ardhme turistike”, nënvizon ai.

Ashton viziton Kosovën

0

Ashton ThaciShefja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton sot arrin në një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Gjatë ditës ajo do të takohet me udhëheqës të lartë të vendit, presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Kjo vizitë bëhet pasi të hënën në mbrëmje në Bruksel përfundoi rundi i 13 i takimit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqi, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.

Dje Ashton ka vizituar Beogradin, ku është takuar me presidentin Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrin serb, Ivica Daçiq.

Ajo ka përshëndetur përparimin e arritur në bisedimet me Kosovë dhe ka theksuar se ka qenë e kënaqur kur anëtarëve të BE-së iu ka prezantuar atë përparim, si dhe atë që ka mundur të thotë se ekzistojnë rezultate konkrete në implementimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Për herë të 13-të kam takuar kryeministrat Daçiq dhe Thaçi dhe do t’i takoj sërish, bisedimet do të vazhdojnë në javën dhe muajt para neve. Nuk do të ketë pushim veror për të gjithë, sepse duhet të tregojmë përparim”, ka thënë Ashton.

Kurse, Nikoliq ka deklaruar se Serbia vazhdon me tempo të njëjtë në përmbushjen e obligimeve që i ka marrë nga BE-ja, por edhe ndaj qytetarëve të vet kur bëhet fjalë për jetë më të mirë.

Ai ka shtuar se Ashtonit i ka thënë edhe një herë që Serbia kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe se ajo ia ka kthyer atij se këtë në BE e dinë dhe se askush nga Serbia nuk po kërkon pranimin e Kosovës.

Partneritet i veçantë midis Iowa-së dhe Kosovës

0

Terry Branstad dhe jahjagaMjetet lokale të informimit në kryeqytetin Des Moines, të shtetit Iowa i kanë dhënë publicitet vizitës së Guvernatorit të Shtetit në Kosovë dhe binjakëzimit të Kosovës me këtë shtet amerikan. Guvernatori Terry Branstad ka deklaruar se Kosova dhe Iowa kanë zhvilluar dhe ndërtuar një partneritet të veçantë gjatë misionit paqësor të Gardës Kombëtare të Iowa-së në Kosovë.

Guvernatori tha se kishte shumë mundësi për këmbime midis dy vendeve në bujqësi, në arsim si dhe në fushën e biznesit dhe industrisë. “Janë një numër i bizneseve që më kanë shoqëruar në këtë udhëtim që janë të interesuar të bëjnë biznes në Kosovë. Edhe pse është një shtet i ri, ata kanë bërë një progres të madh,” citohet të ketë thënë guvernatori Branstad,shkruan RTK.

Me një sipërfaqe e radhitur si shteti i 26-të në mesin e 50 shteteve amerikane, megjithatë 13 herë më e madhe se Kosova dhe me mbi 3 milion banorë, Iowa paraqet një mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit ekonomik dhe thellimit të marrëdhënieve të mëtejshme midis Kosovës dhe SHBA në të gjitha fushat.

Partneriteti i Iowa-së me Kosovën është rezultat i përzgjedhjes së shtetit Iowa nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, atij të Mbrojtjes dhe Zyrës së Gardës Kombëtare.

“Programi i Partneritetit është jetëgjatë nga i cili do të përfitojnë si Garda Kombëtare e Iowa-së ashtu edhe Forca e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Branstad i cili e ka quajtur Kosovën, ‘një mike të madhe të Amerikës.

Obligim kushtetues të komunikohet edhe me veriun

0

Mitrovice-VeriuVendosja e komunikimit institucional me serbët e komunave veriore paraqet një nga sfidat e radhës për Qeverinë, Presidencën si dhe institucionet tjera të vendit.

Ky komunikim, nga faktori ndërkombëtar shihet si shumë i nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sidomos pjesës që ka të bëjë me veriun dhe themelimin e asociacionit/bashkësisë së komunave serbe. Kurse për institucionet e Kosovës, komunikimi me qytetarët e vendit shihet si obligim kushtetues-ligjor,shkruan Tribuna.

Edhe pse barra kryesore e vendosjes së këtij komunikimi bie mbi Qeverinë e Kosovës si zbatuese e marrëveshjes, zyrtarët e saj nuk kanë komentuar asgjë. Kurse Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes, integrimi i komunave të veriut në sistemin kushtetues juridik të Kosovës paraqet sfidën kryesore të zbatimit

MPJ, vishen për futboll nga taksat e qytetarëve

0

PatikaZyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme janë dukur ndër më të përgatiturit në një aktivitetet sportiv të organizuar nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Ministria që udhëhiqet nga Enver Hoxhaj me një vendim të sekretarit permanent ka vendosur ditë më parë që zyrtarët e saj të shkojnë në butikun “Sport Fashion” në Pallatin e Rinisë në Prishtinë e të blejnë me para të buxhetit të shtetit këpucët që ata i dëshirojnë, për të marrë pjesë në një turne futbolli që e organizoi Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Njëri nga lojtarët e Ministrisë së Jashtme që mori pjesë në këtë turne ka treguar me kusht anonimiteti për blerjet sportive për rekreacion që i ka bërë MPJ, shkruan Tribuna

BE dhe SHBA: Thirrje për miratimin e Ligjit mbi amnistinë

0

PrishtinaPërfaqësuesit më të lartë ndërkombëtar në Kosovë i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës, që të miratoj me procedurë të shpejtuar Ligjin mbi Amnistinë. Zyra e Bashkimit Evropian, shefat e misioneve të vendeve anëtare të BE-së dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar miratim të shpejtë të këtij ligji.

“Përfaqësuesi Special i BE-së/shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, shefat e misioneve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që janë prezentë në Kosovë, dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, së bashku theksojnë rëndësinë që ka miratimi i Projektligjit për Amnisti nga ana e Kosovës, si një element i nevojshëm i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratë.

Ky ligj, vijon deklarata, “ashtu siç është hartuar, ka fushëveprim të ngushtë, përjashton veprat që shkaktuan dëmtime të rënda trupore apo vdekjen, dhe amniston vetëm ato krime ekonomike, që janë kryer në lidhje me thirrjen për rezistencë”.

Deklarata mirëpritet debatet që janë bërë rreth ligjit të amnistisë, por tani kërkohen hapa drejt miratimit.

“Ne mirëpresim diskutimet e gjalla lidhur me Ligjin për Amnisti në publik dhe në Kuvend dhe ne çmojmë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’ju përgjigjur shqetësimeve të tyre duke i mbajtur elementet për të cilat është arritur pajtim gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja në Bruksel. Miratimi i shpejtë i Ligjit për Amnesti nga ana e Kuvendit është hap vendimtar për të siguruar integrim të plotë të të gjithë qytetarëve në institucionet e Kosovës në tërë vendin”, thuhet në deklaratë, të cilën e ka lëshuar Zyra e BE-së në Kosovë./re