12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Mosnjohja e Kosovës nga pesëshja e BE-së, ende e pasqaruar

Kosova vazhdon të mos njihet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, e sigurisht që mosnjohja e tyre ka ndikuar në rrugën integruese të Kosovës. Arritja eventuale e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet nëse do të hapte rrugë që këto pesë vende të ndryshonin qëndrimet e tyre karshi shtetësisë së Kosovës.

 

Kosova në dhjetor të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ndonëse vetë pesë vendet të BE-së nuk e kanë njohur atë si shtet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka përparim në lobim për të marrë njohjen nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë që arritja eventuale e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet nëse do të hapte rrugë që këto pesë vende të ndryshonin qëndrimet e tyre karshi shtetësisë së Kosovës.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Radio Kosovën pati deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka thënë ai.

Por, Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, në një prononcim për Radio Kosovën shpreh rezerva se edhe pas arritjes së mundshme të ndonjë marrëveshje të Kosovës me Serbinë, pesëshja evropiane do të ndryshojë qëndrim menjëherë.

“Aludimi aktual është se nëse Kosova dhe Serbia i mbyllin çështjet bilaterale me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, presim njohjen e menjëhershme nga pesëshja e BE-së. Kam dyshim që këto vende nuk do të lëvizin menjëherë. Ndoshta  presioni i madh diplomatik nga Brukseli, Franca, Gjermania ose SHBA mund ta ndryshojë këtë qëndrim, por disa nga deklaratat që i kanë ofruar këto vende, tregojnë se Qiproja edhe Spanja deri në një masë  janë hezituese e ndoshta edhe mund ta vonojnë njohjen e Kosovës”, tha Visoka.

Zëvendësndihmës sekretari  amerikan, Gabriel Escobar, në fund të vitit të kaluar pati deklaruar se në kontekstin e dialogut Kosovë- Serbi SHBA-ja   në mënyrë të vazhdueshme kërkon nga pesëshja evropiane që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

Më Shumë

Lirohen katër policët e ndaluar nga Serbia, jo edhe Jankoviq

Katër policët e Kosovës, të cilët janë ndaluar që nga dje nga autoritetet e Serbisë, janë liruar. Një gjë të tillë e bëri të...

Mërgimtari nga Suhareka vdes në aksident tragjik në Itali

Haris Shala është 25-vjeçari shqiptar që humbi jetën një ditë më parë në një aksident tragjik në Itali. I riu shqiptar, babai i një vajze...

Lajmet e Fundit