Një tank serb i shkatërruar nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vendosur në fshatin Mirushë, mbetet një dëshmi e gjallë e luftës së fundit në Kosovë.
Ky tank, i vendosur në një pronë private të Adil Thaçit, është një simbol i betejave të ashpra që u zhvilluan për lirinë e Kosovës.
Adil Thaçi, i cili në atë kohë mbante postin e Shefit të Operativës të Batalionit II-të, Brigada 122, ka folur për Telegrafin duke dhënë një pasqyrë të ngjarjeve që çuan në shkatërrimin e këtij tanku.
Thaçi kujton se kishin vendosur një minë në rrugë, por megjithëse automjetet serbe kalonin shpesh aty, mina nuk shpërthente.
Pas disa tentativave, ata e ndërruan minën dhe më 4 qershor 1999, në orën 07:15, mina shpërtheu dhe tanku serb u shkatërrua.
Sipas Thaçit, pas shkatërrimit të tankut, forcat serbe u përpoqën ta tërhiqnin atë, duke shkaktuar një përplasje të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë serbe.
Thaçi e kujton këtë moment si një fitore të rëndësishme morale dhe ushtarake, duke theksuar se ndërsa serbët kishin teknologjinë e avancuar, vullneti dhe morali i luftëtarëve të UÇK-së ishte ai që e bënte diferencën.
“Ndihem shumë mirë për gjeneratat e reja që e kuptojnë se çfarë teknologjie kishin serbët dhe çfarë kishim ne. Ne ishim më të fortë se ata sepse kishim vullnetin edhe moralin e fortë. Esenca ka qenë mos me marrë tankun forcat serbe, ne luftuam edhe për këtë gjë” ka thënë Thaçi.
Ai gjithashtu theksoi se ky tank, që tani është vendosur si një objekt ekspozite në pronën e tij, është një dëshmi e asaj që ndodhi gjatë luftës dhe një mundësi për gjeneratat e reja të kuptojnë më mirë historinë e luftës së Kosovës.
“Ky tank, që disa vite ka qenë një objekt për të treguar luftën, do të mbetet një simbol për botën dhe për brezat që vijnë”, tha Thaçi, i cili ishte njëri prej akterëve të kësaj ngjarje. /Telegrafi/
Marketing