Në përkujtim të Masakrës së Burimit, sot në Malishevë u mbajt një mbledhje përkujtimore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, familjarëve të viktimave dhe qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, theksoi rëndësinë e drejtësisë për këtë krim:“Kjo ngjarje është dëshmia më e qartë e gjenocidit dhe terrorit të organizuar. Është një krim për të cilin ende nuk është dënuar askush. Ne kërkojmë që autorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi makabër të sillen sa më shpejt para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk janë dënuar, por ndodh e kundërta – sot po gjykohen çlirimtarët, po gjykohemi ne për luftën tonë çlirimtare”.
Ai shprehu mbështetje për familjarët e viktimave: “Të nderuara familje të të vrarëve në Masakrën e Burimit, ne jemi me ju në dhimbjen tuaj, por duhet të ndiheni krenarë për gjakun e derdhur për lirinë e vendit dhe të kombit”.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, nënvizoi përmasat e këtij krimi: “Me dhimbje përkujtojmë të gjithë të rënët në këtë masakër. Ky ishte një nga krimet më të rënda që dëshmojnë gjenocidin e ushtruar mbi popullatën shqiptare. Megjithatë, përkundër këtyre vrasjeve, ne nuk u thyejmë kurrë në përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi. Ky krim duhet të ndëshkohet dhe liria jonë do të jetojë përgjithmonë. Ne gjithmonë do t’i kujtojmë të rënët tanë për liri”.
Kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, shtoi: “E gjithë popullata e Malishevës dha shumë për luftën për liri, dhe pushtuesi serb u hakmor ndaj civilëve tanë. Megjithatë, asnjëherë nuk na thyen në luftën tonë për pavarësi. Ky ishte çmimi i lartë që paguam për lirinë tonë”.
Në fund, në emër të familjeve të 42 civilëve të vrarë, Adem Morina falënderoi institucionet për përkujdesjen dhe respektin e vazhdueshëm që tregon Komuna e Malishevës ndaj të gjithë të rënëve për liri./PrizrenPress.com/