28.8 C
Prizren
E diel, 14 Korrik, 2024

Vdiq gjeniu, por jeton gjenialiteti i veprave të tij

Shkruan: Hajdar Mallaku

Më dridhet dora kur shkruaj për vdekjen e Ismail Kadaresë. Do të doja dhe unë si të tjerët që të jetonte më gjatë. Ishte vdekje me moshë dhe me rend, por e dhimbshme për mbarë kombin shqiptar. Jemi mësuar të na gëzojë vazhdimisht me krijime të reja, me fjalën e artë e me këshillat e urta. Jemi rritur me të, ai duke shkruar e ne duke lexuar. Por vdekja është mizore.

Vdiç gjeniu i letrave shqipe, por do të jetojë gjenialiteti i veprave të tij. Ishim të panjohur dhe na bëri të na njohë bota. Ishim të vegjël e na bëri të mëdhenj. Ishim të humbur në shtresat e nëntokës e ai me durimin e një arkeologu, hoqi kokërr për kokërr dheun e harresës dhe me durim, me guxim e dije, zbërtheu mite, legjenda, balada, gojëdhëna, fakte të fshehura të historisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotit, ligje kanunore e vlera të tjera të arta të etnitetit tonë kombëtar dhe ia prezentoi botës.

Proza, poezia (që sipas tij ishte stacioni i fundit), eseja, kritika, intervistat, bisedat, mendimet filozofike, komentet e çdo krijim tjetër (me përjashtime të vogla që i ka pranuar dhe vetë) ishin krijime dinjitoze që i jetojnë kohës.

Hamendeshim ne si foshnje kah të ecim: kah Lindja a kah Perendimi. Na mori për dore të na drejtojë kah Perendimi (sado që bëmë naze dhe u përlotën disa), se “Dielli lind andej kah perëndon”. Kështu thoshin Rilindasit, kështu thoshte dhe ai.

E kishim në ballë kur flisnim me botën, prandaj dhe bota e pranoi në gjirin e saj. E pranuan Akademi prestigjioze, mori çmime e mirënjohje, e vlerësuan lartë mendjet më të ndritura të botës, madje dhe armiqtë e kombit tonë dhe të tij.

E fajësuan se ishte shkrimtar i oborrit. Po oborri kishte bërllok ideologjik dhe duhej pastruar nga brenda. Nga jashtë duhej t’i bije me kokë murit. E koka duhej ruajtur. E haje burgun, ose e prekje majen e plimbit. Duhej lavduar disa herë pushtetin për ta goditur një herë e mirë dhe atë në mënyrë alegorike, me tema të largëta dhe figuracion adekuat.
E fajësuan se ishte jokamunikues, se fliste pak. Ai foli me ne shqip 88 vjet dhe me botën në 45 gjuhë. Nuk i mjaftuan fjalët që kishte fjalori, por krijoi fjalë të reja kuptimin e të cilave nuk e kontestoi askush.

E fajësuan se ishte mendjemadh dhe elitar. Po sikur të ishte mendjevogël!? Me siguri edhe ne do të ishim më të vegjël… Çka do të bënim ne si komb i vogël dhe i pazë. Atë nuk e dehu madhështia.

E fajësuan se kërkoi azil në Francë. Proceset demokratike duheshin shpejtuar se edhe një ditë në ferrin komunist ishte i tepërt. Ai shkoi në vendin e demokracisë, të kulturës dhe artit për të treguar se është qytetar i botës, si Gëte, Mojsiu, Shën nënë Tereza. Lumi i vogël nuk e rrit peshkun e madh. Prej atje kontriboi edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën.
Sot, kur po shkunden vlerësimet për të, atë nuk mund ta ulim në piadestalin e kurdisur të secilit. Ai qëndron fort si Ante në piadestalin që e ndërtoi vetë.

E ata që folën keq, me tendencë, që shpifën, që gjelozuan e hëngshin gjuhën e tyre! Iu thaftë fjala në gojë! Dielli shkëlqen e nuk përlyhet.Kadare kombin shqiptar e la më mirë se kurrë. Jo në nivelin e pritur, por duhet të punojmë.

Urojmë që mësuesin e madh ta trashëgojnë nxënës të mëdhenj, se letërsia e tij do të jetë bazë që të riprodhojë letërsi të re si veprat e shkrimtarëve të mëdhenj: Homerit, Dantes, Shekspirit etj.

Ngushllime familjes, ngushllime kombit shqiptar. Pushoftë me madhështi në Panteonin shqiptar…

 

Më Shumë

Vdes në moshën 22 vjeçare, Adhurim Fetiu nga Suhareka

Ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë, Adhurim Fetiu nga fshati Peqan i Suharekës. Lajmi u bë i ditur nga familjarët e të ndjerit. Ai...

Liria përforcon mesfushën me Qerimin

Liria po vazhdon me përforcime. Skuadra prizrenase sot ka zyrtarizuar mesfushorin, Egzon Qerimi. 30 vjeçari së fundi ishte pjesë e skuadrës së Ferizajit, derisa gjatë karrierës së...

Lajmet e Fundit