“Kryeneçësia e kryeministrit Mustafa dhe zv.kryeministrit Hashim Thaçi dhe barrikadimi i opozitës, për shkak të marrëveshjeve të fundit, e kanë sjellë Kosovën në një rrugë të pakrye. Qeveria dhe kreu i saj janë fajtorët për këtë gjendje të krijuar, sepse sjelljet e tyre arrogante, e sidomos e kryeministrit Mustafa, e kanë tërbuar me të drejtë opozitën”, shprehet analisti Faik Krasniqi
Pozita dhe opozita janë barrikaduar në qëndrimet e veta dhe deri tani nuk lëvizin drejt pajtimit dhe në interes të vendit dhe qytetarëve, por u mjaftojnë të lëshojnë vetëm deklarata konfliktuoze e të papërgjegjshme. Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, mbi të cilët bie i tërë faji si nënshkrues të marrëveshjeve me Serbinë thonë se nuk tërhiqen nga marrëveshjet. Dhe, si në shumë raste të kaluara, tani kërkohet ndërhyrja ndërkombëtare për të zgjidhur problemet dhe hipokrizitë mes partive politike dhe koalicioneve, kur ato mund të zgjidhen me dialog e mirëkuptim me opozitën e bashkuar. Pa dyshim se një urdhërarrest për arrestim të deputetëve të opozitës tregon për arrogancën e këtij pushteti dhe e shndërron Kosovën në një shtet policor, ku sundon oligarkia kërcënuese e shkatërruese për vendin tonë, duke e çuar atë në anarki dhe kaos.
Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, thotë se opozita nuk do të lëvizë nga pozicioni që është tani, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e sovranitetin të vendit dhe nuk mund të pranohen nënshkrimet, që ka bërë Qeveria e Kosovës në Bruksel dhe për demarkacionion me Malin e zi.
“Opozita është barrikaduar në kërkesat e veta, sepse bëhet fjalë për sovranitetin e vendit, për të cilin është bërë shumë mund dhe është derdhur shumë gjak. Kjo Qeveri e papërgjegjshme është duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e vendit, prandaj në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës nuk zgjidhem metodat dhe mjetet, sepse historia njeh raste kur një popull i ka kufizuar metodat e mbrojtjes së dinjitetit dhe sovranitetit të vet, ai tretet në kohë. Ne kurrë s’e kemi bërë dhe s’do ta bëjmë që të jemi të verbër dhe të shurdhur, në raport me të këqijat që po i vijnë vendit”, thotë ai../Kosova Sot/