2.7 C
Prizren
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Ditët e fundit të Qeverisë “Mustafa”

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të thërrasë seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, më 10 maj. Janë 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë e tjera, përfshirë edhe ato në pushtet dhe deputetë të pavarur, që kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Nënshkrues të mocionit janë edhe tetë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Përfaqësuesit e opozitës janë paraqitur para medieve menjëherë pasi kanë proceduar mocionin në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkaq, kjo e fundit ka caktuar seancën për datën 10 maj.

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami tha se ka edhe deputetë të tjerë që nuk e kanë nënshkruar mocionin, por presin që ata në seancë ta përkrahin rrëzimin e kësaj Qeverie. Rrëzimi i Qeverisë mbetet ekskluzivisht çështje e partive të koalicionit, pasi nevojiten edhe 19 vota të deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, tha se është evidente që nuk ka vendimmarrje të duhur në Kosovë. Andaj, ai tha se ndërkohë do të bisedohet edhe me Lidhjen Demokratike për të parë se si do të veprohet deri të mërkurën.

“Gjendja në Kosovë nuk është ajo që duhet të jetë. Nuk është gjendje e kënaqshme. As unë nuk jam i kënaqur dhe as qytetarët e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, unë do ta vazhdoj komunikimin me partnerin e koalicionit (LDK-në). Nuk është opozita ajo që e rrëzon Qeverinë, e thashë do të bisedojmë me partnerin e koalicionit”, ka thënë Veseli.

PDK-ja, e pakënaqur me vendimmarrjen

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës e ka shqyrtuar gjendjen politike në vend, por nuk ka dalë ende me një qëndrim të prerë rreth çështjes së zgjedhjeve të parakohshme. Pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie politike, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se do të diskutohet edhe me partinë partnere në koalicion, Lidhjen Demokratike të Kosovës për hapat që do të ndiqen. Ai nuk e ka mbështetur as kundërshtuar mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Kurse nënshkrimet e tetë deputetëve të PDK-së në mocionin e opozitës, Kuçi i ka cilësuar si vendime individuale dhe jopartiake. Kuçi, megjithatë, ka pranuar që vendimmarrja nga ana e Qeverisë nuk ka qenë në nivelin e pritur.

“Ka munguar vendimmarrja e plotë, kurse opozita ka qenë jo çdo herë konstruktive”, ka thënë Kuçi. PDK-ja, ka shtuar ai, do të marrë vendimin duhur në ditët në vijim, duke mos përjashtuar as zgjedhjet. Po ashtu, Kuçi e ka konfirmuar interesimin e PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli, që në të ardhmen të ketë nën drejtim postin e kryeministrit të Kosovës. “Secili që është kryetar partie në këtë vend përgatitet që të bëhet kryeministër”, ka thënë Kuçi. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se gjithçka mbetet të vendoset mes partnerëve të koalicionit, ngase opozita, sipas tij, nuk e ka fuqinë e ndryshimeve apo rrëzimit të Qeverisë. Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, tha se tash gjithçka mbetet të vendoset në seancë plenare, ku deputetët duhet të deklarohen për apo kundër mocionit. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se tre vjet të kësaj Qeverie e dëshmojnë se është i domosdoshëm një mocion i tillë, pasi për këto tre vjet, sipas tij, kishte vetëm keqqeverisje.

Zgjedhje në prag të furtunës së Speciales

Futja e mocionit të opozitës parlamentare në procedurën kuvendore, dhe nënshkrimi i tij edhe nga disa deputetë të pozitës, kryesisht nga radhët e PDK-së, nga analistët politikë po shihet si një situatë shumë delikate para së cilës gjendet Qeveria “Mustafa”. Profesor Riza Smaka thotë se, pavarësisht kalkulimeve dhe paragjykimeve të ndryshme, kjo Qeveri jofunksionale ka kohë që është dashur të rrezohet, prandaj është shumë optimist që ky proces do të realizohet tani përmes këtij mocioni të iniciuar nga opozita.

“Gjasat janë se PDK-së i përshtatet rënia e Qeverisë aktuale, ashtu sikundër edhe opozitës parlamentare të mbështetur fuqishëm nga pjesë e konsideruar e qytetarëve tejet të pakë- naqur me keqqeverisjen dhe shumë dështime e papërgjegjësi të saj. Sa më parë, aq më mirë do të ishte për vendin tonë që kjo Qeveri të rrëzohej dhe të shpalleshin zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme”, tha Smaka për “Kosova Sot”.

Edhe analisti politik, Naim Kelmendi shpreh mendimin e tij se në këtë situatë të zhvillimeve shumë komplekse në mes partive në pushtet dhe opozitës, është sidomos PDK-ja e interesuar për ta prishur koalicionin dhe që të shkojnë në zgjedhje, pikërisht pse po pritet një furtunë brenda PDK-së nga Gjykata Speciale, e që sikur dihet potencialisht se janë disa personalitete të kësaj partie që gjenden në krye të raportit të Dik Martit, nga i cili edhe do të ketë nismën kjo gjykatë, e që sot janë në krye të institucioneve të shtetit. “Mendoj se nisma për mocionin nga Nisma për Kosovën duket se do të arrijë ta bëjë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për rrëzimin e kësaj Qeverie, kështu që numri i deputetëve nga koalicioni do të vazhdojë të rritet pro mocionit të opozitës. Mund të them se për tre vjet të qeverisjes së këtij koalicioni asgjë të mirë nuk i ka sjellë vendit, përkundrazi në asnjë drejtim nuk ka arritur të jetë e suksesshme, mbase edhe më keq se është kreatore e dy projekteve shumë të dëmshme për shtetin, siç janë Asociacioni i komunave serbe dhe Demarkacioni”, theksoi Kelmendit.

Më Shumë

U godit nga një mjet i fortë metali në vendin e punës, humb jetën një person në Prizren

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, kur një person ka humbur jetën tragjikisht në një...

Petrit Kryeziu kandidat i vetëm për pozitën e kryeprokurorit të Prizrenit

Prokurori  Petrit Kryeziu është kandidati i vetëm për pozitën e kryeprokurorit të Prizrenit. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e 275-të të Këshillit Prokurorial...

Lajmet e Fundit