11.1 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Prizren: Rigjykimi ndaj policëve se liruan veturën e pazhdoganuar, tre dëshmitarë tregojnë për rastin

Dëshmitari Fisnik Kuqi, ka deklaruar se vetura me të cilën ishte vetaksidentuar, nuk ishte në emrin e tij, pasi që posa e kishte blerë, si dhe ajo nuk ishte e regjistruar me targa të Kosovës.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë në seancën e rigjykimit që është mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku dy zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tafolli dhe Krasniqi, akuzohen se e kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse ajo ka rezultuar e pazhdoganuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Kuqi, ka deklaruar se para se të vetaksidentohej, automjetin e kishte blerë nga një i afërm i tij dhe pas rastit, ai ka thënë se e kishte telefonuar Flamur Kuqin.

“Atë ditë unë e kamë thirr djalin e axhës, ka qenë i afërmi më afërt që ka qenë aty dhe kjo ka qenë arsyeja”, ka thënë dëshmitari Fisnik Kuqi.

Ai ka thënë se me policinë personalisht ai nuk ka arritur të merret, pasi që sipas tij, me këtë mund të jetë marrë, djali i axhës së tij, Flamur Kuqi, duke shtuar se i njëjti automjet gjendet në terminalin doganor.

Kurse, dëshmitari Flamur Kuqi, ka deklaruar se qëndron pranë deklarimeve të mëhershme të tij, duke mohuar se ishte liruar automjeti i marr nga Policia.

“Në momentin që unë në vend të ngjarjes kam mbërritur, policëve ju kam deklaruar se nuk i kam dokumentet e veturës dhe se automjetin e ka tërhequr “marimanga”. Vetura nuk është liruar, është vërtetu që nuk janë dokumentet dhe përsëri ka shkuar në polici, pasi që tërë kohën vetura ka qëndruar në plaç, ku edhe është tërhek me “marimangë”, nga vendi i ngjarjes”, ka thënë dëshmitari Kuqi.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhep Krasniqi, avokati Asman Hoxha, sky dëshmitar ka thënë se qëndron pranë deklaratës që e ka dhënë në prokurori.

“Deklarata ime është se për momentin nuk janë dokumentet, kjo ka qenë përgjigjja që më ka dhënë djali i axhës dhe unë ashtu ia kam interpretuar policisë, nuk e kam ditë që vetura ka qenë e pa doganuar”, ka deklaruar Kuqi.

Në seancën e së premtes, e ka vazhduar dëshminë e tij, edhe dëshmitari Naser Jasharaj, pasi që në seancën e kaluar kishte kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ta ndërpres dëshminë e tij, pasi që nuk ndihej mirë me shëndet.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatëses Skenderi, dëshmitari ka deklaruar se për këtë veturë ishte interesuar pasi që kishte marrë një telefonat nga Bexhet Kuqi.

“Unë ta thërras Florimin, jam takuar me Rexhepin dhe Florimin dhe i kamë pyet për kerrin, i kam shpjegu se më ka thirrë Bexheti, ndërsa Flurimi më ka thënë “mos u mirr ti me këtë punë”, ka thënë ai, duke thënë se nuk e di se çfarë është bërë më tutje me këtë veturë.

Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Flurim Tafolli, avokati Arben Ramadani, i ka propozuar trupit gjykues që për seancën e radhës, në cilësë të dëshmitarit të ftohet komandanti i Njësisë së Trafikut, Sabit Kabashi, që sipas tij, të sqarojë rrethanat në rastet e vetëaksidenteve dhe në rastet kur automjeti është pa dokumentacionin e duhur, çfarë procedura standarde duhet të ndiqen.

Pasi është aprovuar ky propozim, seanca e ardhshme në këtë rast, pritet të mbahet më 12 shkurt 2020, nga ora 09:30.

Gjykata Themelore në Prizren me datën 3 prill 2019, Flurim Tafollin dhe Rexhep Krasniqin i kishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Ndërsa, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me datë 20 gusht 2019, Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë më 12 shtator 2017, kanë liruar një veturë të vetë – aksidentuar,  megjithëse e njëjta ka rezultuar e pa zhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Gratë e shoqatës ‘Orkide’ në Prizren shpalosin mesazhe ndërgjegjësuese kundër dhunës me bazë gjinore

Anëtaret e shoqatës së grave “Orkide” në Prizren, të hënën, përmes një aktiviteti të zhvilluar në “Urën e Kaltër”, kanë bërë thirrje për ndalimin...

Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë ka filluar dëshminë Halil Çadraku i cili përfaqësohet nga avokati Arianit Koci në procesin gjyqësor...

Lajmet e Fundit