2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“The New York Times” për arratisjen e Ismail Qemalit nga Stambolli

Nga: Evarist Beqiri

Arratisja e Ismail Qemalit nga Stambolli më 1 maj 1900, bëri bujë të madhe në pallatin perandorak “Yildiz”, dhe e tronditi Sulltan Abdyl Hamidin II. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Gazeta e mirënjohur amerikane, “The New York Times” [NYT], në dy artikuj që mbajnë datat 2 maj dhe 3 maj 1900, do të pasqyronte lajmin dhe kërkesën për azil të Ismail Qemalit në luftanijen britanike. NYT e përshkruan emërimin e tij si guvernator i Tripolit, si të barasvlefshëm me internimin e tij.

Ismail Qemali menjëherë pasi u njoh me vendimin e Sulltanit për emërimin e tij si guvernator i Tripolit, vendosi të arratisej nga Stambolli për në Evropë, me ndihmën dhe mbrojtjen e ambasadorit britanik në Stamboll, Sir Nicholas O’Connor. Qemali, përgjatë gjithë jetës së tij, ishte liberal filobritanik. Dhe, njohjet e tij në qarqet e larta të politikës dhe diplomacisë britanike i shfrytëzoi fillimisht për të siguruar përkrahjen britanike në realizimin e një grusht shteti të dështuar ndaj Sulltan Abdyl Hamidid II dhe më pas për themelimin e Shqipërisë.

Në vitin 1901, Ismail Qemali ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të Mbretëreshës Viktoria në Londër. Qemali ishte ndër të paktët personalitete otomane që përpiqej të ndryshonte sistemin e qeverisjes në Perandorinë Osmane. Me mbështetjen e ambasadorit të atëhershëm britanik në Stamboll, Sir Philip Currie, Qemali botonte gazetën me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-y? Efkar) e cila promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese dhe korrte sukses në qarqet intelektuale otomane.

Në vijim, vetëm pas këmbënguljes së madhe të sulltanit, kjo gazetë u mbyll. Sulltan Abyl Hamidi II u përmbajt nga vendimi për ta arrestuar Ismail Qemalin, vetëm për shkak se ai gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe dhe se një veprim i tillë do të kishte pasoja në marrëdhëniet dypalëshe. Por, menjëherë pas një manifestimi në konsullatën britanike, të organizuar nga Ismail Qemali, Sulltani vendosi dëbimin e Ismail Qemalit duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit.

Ky ishte i vetmi ndëshkim që Sulltani mund t’i jepte atij në atë moment. Sulltan Abyl Hamidi II ishte i vetëdijshëm për mbrojtjen që do t’i jepnin atij britanikët, në rast të arrestimit ose internimit të Ismail Qemalit. Prandaj, Sulltani e pa largimin e Qemalit nga kryeqyteti si zgjidhjen më të mirë. Tripoli ishte një nga provincat më të largëta dhe më të vështira të Perandorisë Osmane, e cila kishte lidhje me Stambollin vetëm me rrugë detare.

Gazeta “The New York Times” thekson rëndësinë që kishte kjo ngjarje duke e krahasuar me arratisjen e kunatit të Sulltan Abdyl Hamidit II, princit Damad Mahmud Pashës, ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-ambasador: “Arratisja e Ismail Qemalit nuk është më pak e rëndësishme sesa ajo e Mahmud Pashës, kunatit të Sulltanit, i cili u zhduk nga Kostandinopoja më 14 dhjetor dhe konsiderohet si një tjetër simptomë e gjendjes aktuale në Turqi”.

Ismail Qemali përshkruhej nga shtypi evropian si “një njeri i drejtë, i ndriçuar, dhe i edukuar”. Lajmi i arratisjes së Ismail Qemalit u pasqyrua gjerësisht në shtypin e evropian të kohës dhe bëri bujë edhe në Shqipëri. Ky moment do të shënonte një pikë kthese vendimtare për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të ardhmen e saj. Arratisja nga Stambolli e veshi Ismail Qemalin me një aureolë të shndritshme dhe me mantelin e heroit në sytë e shqiptarëve.

Në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale e Stambollit e dënoi Ismail Qemalin me vdekje në mungesë, me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për “orvatje për të nxitur popullin kundër Qeverisë dhe Sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”. Kujtesa popullore e ka fiksuar me këto vargje emblematike këtë çast:

O Qemal kur të përzunë

Kur të përzuri Turqia
Cili je ti more burrë?

Që na vjen nga Shqipëria
Unë jam ‘Smail Qemali
Mbrapa më vjen historia

Sazan e Karaburun
Janë vatanet e mia
Do ti marrë se s’është punë
Është e jona Shqipëria.”

Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Petroviq, do t’i shkruante proverbialisht ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, baronit Kaliçe, në një raport të datës 14 maj 1900 se “tek Ismail Qemali, shqiptarët shohin udhëheqësin e tyre të ardhshëm”. Nga Brukseli, në tetor të vitit 1900, Ismail Qemali do t’ju drejtonte një thirrje gjithë shqiptarëve, ku ndër të tjera shkruante: “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj, duhet të bashkohemi dhe ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit, duke i treguar Evropës se shqiptari ka mbetur gjithmonë evropian në gjak dhe se nuk dëshiron gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet”.

Dhe, në fund, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të mëdha, veprimtaria e Ismail Qemal Vlorës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë, në vitet 1900-1912, do të rezultonte vendimtare dhe do të kurorëzohej me Pavarësinë e Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912 …

Më Shumë

Vetëvendosje akuzon drejtorin Lamaj për manipulim të çmimit të shtyllave elektrike në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të drejtorit të Shërbimeve Publike të kësaj komune, Çelë Lamaj, të bëra gjatë seancës së...

Procesohet subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor

Është procesuar subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor, kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati. Murati ka bërë të...

Lajmet e Fundit